E enjte, 28.03.2024, 08:34 AM (GMT)

Mendime

Ylber Lili: Të ndarë në shkollë

E enjte, 19.02.2009, 06:52 PM


Të ndarë në shkollë

Nga Ylber Lili

Në ndryshim nga qasjet shabllone të politikanëve të Tiranës zyrtare, në ndryshim nga rezonanca e frymës "integriste" të z. Ahmeti, në ndryshim nga analizat e hirta dhe retorika shterpe e eminencës gri, shqiptarët etnikë në Maqedoni, bash në vitin 2009, diskriminohen si asnjëherë më parë.

Nuk po hapim tema "të rënda", bie fjala se përse shqiptarët nuk kanë një bankë të tyre kursimesh; përse shqiptarët nuk mund t'i afrohen Ministrisë së Financave, të Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme, përse buxheti është selektiv, apo përse bizneset shqiptare në krahasim me ato maqedonase, ngjajnë si molekula e kështu me radhë. Por, megjithatë, çështjet që shtrohen për debat janë: përse nuk respektohen të drejtat elementare të njeriut.

Fundja, në shoqëritë moderne dhe shtetet juridikisht funksionale, të drejtat e njeriut janë parimet bazë të demokracisë. Respektimi i këtyre të drejtave është i garantuar me Kushtetutë dhe me konventa ndërkombëtare. Por ja që, në Maqedoni, shqiptarëve etnikë u mohohet përdorimi i simboleve, u vidhet trashëgimia historike, miratohen ligje tipike raciste, dhe, e gjitha kjo, ndodh para hundëve të atyre që rrahin gjoksin për liri dhe barazi. Ligji për natalitetin, që u aprovua aty nga fundi i 2008-ës, dëfton sesi Qeveria e Maqedonisë është e orientuar nga antinjerëzorja, antishqiptarja dhe antihumanizmi. Ky ligj është ekskluzivisht vetëm për gratë maqedonase, ndërsa gratë dhe nënat shqiptare janë të anashkaluara. Një tjetër dëshmi, që nxjerr në plan të parë diskriminimin, është fakti sesi me paratë e taksapaguesve shqiptarë vidhet historia e tyre dhe përjashtohen elementët e identitetit etnokulturor dhe fetar.

Sikur të mos mjaftonte ligji i sipërpërmendur, Qeveria Maqedonase i shpenzon paratë e taksapaguesve shqiptarë për filma që e paraqesin Nënën Terezën si maqedonase dhe për spote që e paraqesin utopinë kulturore dhe hapësinore vetëm të maqedonasve, duke anashkaluar realitetin e përfaqësimit të resurseve kulturore dhe turistike të tërë popullatës dhe vendbanimeve në RM. Një spot që do të prezantojë realitetin e Maqedonisë, duhet të ketë elementë të identitetit etnokulturor dhe fetar jo vetëm të maqedonasve, por patjetër edhe të shqiptarëve, si dhe të etnikumeve tjera, që kanë nënshtetësi të maqedonase. Skandalet që e shumojnë gamën diskriminuese ndaj shqiptarëve nuk kanë të mbaruar.

Disa syresh, ngaqë nuk e njohin mirë kompleksitetin e ngjarjeve në Maqedoni, me plot të drejtë mund të kenë dyshime për mënyrën sesi pasqyrohet realiteti. Por, këto dyshime, realisht shuhen nëse sjellim para opinionit publik, kronika, lajme, analiza dhe komente, bazuar në argumente dhe fakte. Në këtë kontekst, faktet flasin se në Maqedoni po ashpërsohen çdo ditë dhe më shumë marrëdhëniet ndëretnike. Fatkeqësisht, shkaktarë të çekuilibrimit të kohezionit të brendshëm nuk janë disa kokëkrisur, apo qarqe të papërfillshme nacionaliste, por fryma institucionale e qeverisë dhe e shtetit, e cila ndjek logjikën e një ndarjeje të zëshme etnike.

Për të mësuar të vërtetën e dhimbshme të funksionimit të shtetit maqedonas, nuk duhet parë vetëm kopertina (emri i kontestuar nga Greqia), por përmbajtja (kohezioni i brendshëm, sidomos marrëdhëniet ndëretnike). Gjykuar nga ky këndvështrim, Maqedonia e fillimvitit 2009, funksionon sipas parimit të etnocentrizmit, thuajse në të gjitha aspektet. Sikur të mos mjaftonte ligji për natalitetin dhe ligje të tjera diskriminuese dhe shokuese për shqiptarët, nacionalizmi i institucionalizuar maqedonas, po provon të eksperimentojë për një ndarje reale në kuptimin etnik.

E gjitha po ndodh një muaj para zgjedhjeve lokale dhe presidenciale. A thua është koincidencë? Për t'i dhënë situatës një qasje sa më precize, në vend të analizës, po sjell në vëmendje kronikat e një ngjarjeje ku dëshmohet tendenca e hapur për ndarje etnike, bashkangjitur me reagimet politike. Duke u njohur nga afër më situatën, vijmë në konkluzionin se po shfaqet repriza e ngjarjeve në kohën e ish-Jugosllavisë, e viteve të '90-ta dhe e pas konfliktit, d.m.th., e vitit 2003. Kjo reprizë po ndodh në qytetin e Strugës, ku në një shkollë po eksperimentohet ndarja etnike në stilin e Apart'heidit.
Një vendim i papritur i drejtores së shkollës "Niko Nestor" në Strugë, ka rrokullisur gjithë propagandën e rrejshme të predikuar nga pushtetarët për marrëdhënie "shembullore" mes dy etnive më të mëdha në Maqedoni. Nxënësit e shkollës do të mësojnë të ndarë etnikisht, maqedonasit do ta nisin orën e mësimit me dritën e mëngjesit, ndërkaq, nxënësit shqiptarë, me muzgun e mbrëmjes. Në fakt, problem nuk është koha e mbarëvajtjes së mësimit, por ndarja mbi baza etnike.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora