E premte, 15.11.2019, 04:17 PM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Rexhep Çeliku, valltari simbol i traditës shqiptare

E enjte, 24.05.2007, 02:00 PM


E takojmë në prova, ndërsa përgatitet për premierën e re të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Rexhep Çeliku vazhdon të jetë po ai simbol i valles shqiptare të traditës, po ai kërcimtar i shquar, që edhe pse vitet kalojnë mban mbi vete një freski të pandryshuar. Është po ai optimist për çdo sfidë që e pret në profesion dhe është po aq i sigurt edhe në rolin e tij si koreograf i valleve të Ansamblit. Solisti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Rexhep Çeliku, u nderua me titullin "Mjeshtër i Madh" në vitin 2006, me motivacionin "për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin".Ky titull iu dha gjatë shfaqjes artistike "Vallëzim me Shqiponjën", në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Përgjatë shfaqjes, në formë retrospektive, u sollën në kujtesë pjesët më të rëndësishme të karrierës të këtij valltari të shkëlqyer. Rexhep Çeliku, i cili që nga viti 1976 është solist i AKKVP, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Le ta nisim me karrierën. Pas shumë vitesh në krye të valltarëve të Ansamblit, ku e shihni ju kulmin tuaj?

Mbas veprimtarisë sime të gjatë në Ansambël, pas 36 vjetësh në skenë, në 2006-ën unë kurorëzohem me titullin më të lartë “Mjeshtër i madh i punës” nga presidenti Alfred Moisiu. Kjo ishte edhe një kërkesë e kolektivit të Ansamblit. Kjo nuk do të thotë se unë e mbylla karrierën time artistike. Përkundrazi, më del një detyrë akoma më e madhe, që këtë titull që unë e mora si artist, si ekzekutues, këtë eksperiencë të fituar përgjatë viteve, unë t’ia kaloj elementit të ri në shkollë dhe në punë. Përveç kërcimit, këto vitet e fundit unë jam marrë edhe me krijimtari, kryesisht me grupet amatore dhe tashmë edhe me Ansamblin, për të vazhduar atë traditë të pasur, që na e kanë lënë profesorët tanë. Kjo më shtyn, që të vazhdoj si ekzekutues i valleve tona dhe si krijues. Mendoj se po ecim me hapa të mira. Kam krijuar pesë numra koreografikë të rinj, nga gjithë trevat e Shqipërisë: nga Shqipëria e mesme- Tirana, në Dropull, Dibër, Çamëri e Tropojë. Afërsisht, jam munduar të mbuloj gjithë trevat. Mendoj se ka shkuar shumë mirë. Gjithmonë duke bashkëpunuar me kompozitorë me emër, siç është Agim Krajka, që po bën vallen e Dibrës, Edi Balili për vallen e Çamërisë, Vladimir Hasimi për Tiranën, për Dropullin Lila Agolli. Një kompozim ma ka sjellë Ilir Shaqiri për pavarësinë e Kosovës. Meqë jemi në prag të saj, unë jam munduar të krijoj një koreografi ku të jetë festë dhe ku të festojnë jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por shqiptarët kudo që janë. E kam sjellë festën përmes skenës, kërcimit.

Le të flasim pak për premierën që po përgatisni dhe punën me valltarët?

Premiera përfshin këto numra që sapo ju përmenda dhe pritet të bëhet nga fundi i majit. Numrat koreografikë do kenë edhe këngë të reja dhe shpresoj të kemi të ftuar edhe Ilir Shaqirin, i cili do vijë të këndojë. Besoj do realizojmë diçka me projektin “Na bashkoi kënga popullore”, që për një kohë të gjatë ka qenë pranë ansamblit me këngë dhe muzikë popullore. Duke filluar me Fatmir Fanin, Agim Durrën, Neki Kastratin e shumë të tjerë. Për këtë premierë kanë kontribuar edhe një sërë valltarësh dhe muzikantësh, që ma kanë bërë më të lehtë anën e krijimit. Partnerja ime Brikena Jaupaj, e cila ka qenë gjithnjë e gatshme për bashkëpunim dhe një konsulente e mirë. Po ashtu, djemtë Gëzim Alimehmeti, Genc Kastrati, Gëzim Halili, Leonard Mitrushi. Në këtë rast, unë them se puna e mirë bëhet edhe me shokë të mirë. Ata kanë qenë përkrah meje, si një bazë e fuqishme për mua. Kështu, unë ndjeva lehtësi në krijimtarinë e re koreografike që realizova. Po kështu, edhe orkestrantët, si dhe dirigjenti Vladimir Hasimi, që gjithmonë kanë qenë pranë meje. Drejtoresha, pa diskutim, që ka qenë shumë e interesuar që kjo premierë të dalë si diçka e re. Pa njerëz të mirë, nuk ka punë të mirë dhe ne në Ansambël kemi shumë njerëz të mirë, që e duan këtë profesion.

Si njohës shumë i mirë i valleve tradicionale shqiptare, cila mendoni se është ajo që më mirë e përfaqëson folklorin tonë në botë?

Ne nuk jemi bazuar vetëm në një numër. Ka ngelur një karakteristikë, që edhe profesori i ndjerë ka shkuar gjithnjë me simbolin e shqipeve. Pra, gjithmonë duke qenë shqiptarë, me simbolin e shqiponjës është krijuar numri koreografik. Janë realizuar dhe janë pritur shumë mirë. Simboli i shqiponjës nuk ka qenë vetëm në një numër, por kudo, me krahët e shqiponjës apo sqepin. Por kjo nuk do të thotë që vallet e Veriut janë të forta. Ka edhe valle lirie dhe të gëzueshme. Sikurse Jugu, që është një zonë që ka më tepër lirikën, por dufin dhe forcën e brendshme. Këto janë të bashkangjitura dhe nuk mund të thuash që vallet e veriut janë më të bukura se ato të jugut. Rëndësi ka që ne të gjitha këto vlera i kemi të bukura.

Shqipëria në botë është vlerësuar me shumë çmime për vallen, kudo ku është përfaqësuar. Cilat janë disa prej këtyre festivaleve të folklorit?

Këto çmime apo kupa publiku i di tashmë dhe i njeh vlerat e Ansamblit, punën e madhe patriotike që ka bërë në arenën ndërkombëtare. Ansambli nuk është se ka sjellë thjesht çmimin, por ajrin, tifozërinë e gjithë spektatorit të huaj, që kanë shkruar shumë në media për vlerat e mëdha kombëtare të vendit tonë. Nuk është thjesht se kemi marrë Gjerdanin e Artë. Këtu ka ardhur një fjalë e ngrohtë, nga një popull i botës, që ka folur shumë për vlerat e shqiptarit: për kostumet, traditën, muzikën e veçantë në gjithë botën, kulturën dhe koreografinë, si dhe zërat e bukur. Për të mos harruar orkestrantët tanë virtuozë. Mbaj mend, në një gazetë franceze shkruhej: “Kur del klarinetisti dhe luan një kaba, kthen një batalion mbrapsht” (qesh). Ose në Gjermani, shkruhej: “Tërmet në skenën e Gjermanisë” e po ashtu në Francë. Pra, aq shumë brohoritje dhe duartrokitje, saqë e konsideronin një tërmet. Ansambli është ndër trupat që i ka sjellë më shumë krenari dhe lavdi popullit shqiptar. Ansambli ka përfaqësuar traditën, muzikën, gjithë folklorin e bukur shqiptar.

Nga valltar solist i Ansamblit, në koreograf dhe mësues i brezit të ri. Ku e keni ndjerë veten më mirë?

Unë kam kaq vite që jap mësim në shkollën koreografike dhe jam munduar të gjej gjuhën e përbashkët me nxënësit, të jem më shumë shok sesa mësues. Vjen momenti kur me ta bëhesh koleg, sikurse më ka ndodhur. Kemi mbajtur relata shoqërore, që edhe ata të më kuptojnë dhe të shkojmë mirë, sepse edhe rezultatet e punës do të jenë më të mira. Po kështu edhe me grupet amatore, me të cilët punoj. Unë nuk kam ndenjur kurrë pasiv dhe gjithmonë kam punuar edhe me grupet amatore: në Maqedoni, Kosovë, Zvicër, kudo ku unë kam mundur të tregoj se kush janë traditat shqiptare tek familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre.

Figura e Rexhep Çelikut njihet në popull si simbol i valles tipike shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju?

Për mua është krenari, që të paktën më mbajnë mend dhe më cilësojnë si simbol. Kjo nuk është mendjemadhësi, pasi unë mundohem të jem sa më i thjeshtë, sa më konkret në punë dhe sa më afër këtij populli.

Në kuadër të 50-vjetorit të AKKVP, me çfarë po merreni me valltarët?

Është një ‘thes’ shumë i madh, ku nuk futen vetëm ana koreografike apo koncerti. Këtu është një veprimtari e madhe e 50 vjetëve të këtij ansambli, ku sipas projektit do të ketë një dokumentar, biseda, ekspozitë fotografike, film në skenë, aspekte të ndryshme dhe sukseset e këtij ansambli nëpër botë. Do të duhej një intervistë më vete për t’i thënë të gjitha. Shpresojmë të realizojmë të paktën 50 % të atyre që mendojmë të bëjmë. Është një pafundësi e sukseseve që ka korrur ky ansambël në vite...

Cila valle e përfaqëson me të vërtetë ansamblin dhe vallen shqiptare?

Edhe pse ka një objekt tjetër dhe është ndërtuar me fjalët e Enver Hoxhës, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, por me gjithë mend ajo mbetet simbol i Ansamblit. Kjo sepse ansambli gjithmonë ka nga një festë të madhe. Mendojmë se do ta mbyllim me të. Ç’ rëndësi ka nëse janë fjalët e Enver Hoxhës? Ne vendosim koreografinë dhe shpirtin e popullit shqiptar, që kërcen aq bukur.

Jashtë punës, sa përkushtim jepni në familje?

Unë jam po aq kërkues në punë sa edhe në shtëpi. Nuk është se punoj dhe kam kërkesë ndaj vetes dhe punës dhe nuk kam në shtëpi. Përkundrazi, kërkoj rregull në familje, fjala ime nuk bëhet dysh. Më kanë nderuar vajzat e mia që janë të shkëlqyeshme në studime.

I keni shtyrë ato të ndjekin rrugën tuaj?

Jo. Megjithatë, ato janë pranë artit. Kështu, vajza e madhe ka marrë profesionin e arkitektes, ndërsa tjetra për drejtësi. Mendoj që duke pasur një baba kërkues, janë kërkuese edhe ndaj vetes, që të ecin në rrugën e prindërve.

Si paguhen sot valltarët shqiptarë?

Në përgjithësi, jo vetëm pagat e valltarëve, por edhe të artistëve kanë qenë shumë të vogla. Nëpërmjet kësaj interviste unë do doja të falënderoja zotin kryeministër, që i dha një ndihmë gjithë artistëve dhe i ka nderuar ata, duke u shtuar rrogat dyfish. Këtë vlerësim të qeverisë ne duhet ta justifikojmë me punën tonë më të mirë.

A mendoni se vlerësimi me tituj duhet të përfshijë edhe shpërblim monetar?

Ne kemi propozuar që titujt të shpërblehen. Shpresojmë që kjo t’i shkojë në vesh kryeministrit dhe ta kuptojë drejt, si dashamirës dhe njeri që e do artin. Kjo duhet të vlejë edhe për artistët e mëdhenj, që sot mbajnë tituj të lartë, si “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i madh i punës” etj. Të gjithë artistët me vlera të mëdha, duhet të vlerësohen me shpërblime.

A është ansambli sot në kushtet e veta më të mira?

Tani për tani, nuk kemi probleme si ato që kemi pasur. Ngadalë, ne po arrijmë drejt rrugës ku kemi qenë. Kemi një mungesë tjetër: Ansambli ka qenë një masë e madhe, ndërsa sot jemi një masë e vogël: dikur 80- 90 vetë, ndërsa sot 40. Mundohemi të justifikojmë dhe mbajmë fort ato vlera dhe tradita që kemi, kaq sa jemi dhe sa më mirë të mundemi.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT