E enjte, 02.04.2020, 05:33 AM (GMT+1)

Komente

Ilir Mirena: Klani dhe Axha Idriz

E enjte, 19.02.2009, 08:40 PM


Ilir Mirena
Ilir Mirena
Klani dhe Axha Idriz

Motori i integrimeve mes shqiptarëve mbetet guximi i biznesmenëve nga Shqipëria dhe vetë shtetit shqiptar

Nga Ilir Mirena

Filmi fantastik shkencor “E.T. the Extra-Terrestrial” nga Stiven Spielberg ishte shfaqur për herë të parë në vitin 1982. Filmi rrëfen për një djalë të vetmuar, Eliot, që shoqërohet me një jashtëtokësor, i pagëzuar E.T., që e kanë harruar në tokë.
Filmi ishte shfaqur në TVP e atëhershme, nëse nuk gaboj, nja tri katër vjet më vonë.
Emetimi i tij pat koinciduar me ardhjen e Axhës Idriz në shtëpinë tonë. Të kishte qenë vetë E.T. në shtëpinë tonë, nuk do të kishte qenë më atraktiv sesa Axha Idriz. Atraktiviteti i axhës I. buronte nga vendi prej nga ai vinte.
I. nuk dukej si E.T., por si secili plak i Kosovës me plis të bardhë. Por, Axha I. ishte nga Shqipëria, me profesion bujk në Kooperativën e fshatit Qerret të Kavajës. Pas qindra kërkesave për disa dekada me radhë në Ambasadën Jugosllave, ia kishte dalë të vinte në Kosovë, për të vizituar dajtë e vet, pra neve. Ai nuk kishte ardhur me kurrfarë space shuttle, ama shtëpinë tonë e kishte shndërruar në një lloj pike pelegrinazhi, ku brenda një muaji kishin ardhur njerëz nga gjithë komunat kosovare - për të parë dhe prekur alienin në shtëpinë tonë, Axhën I.
Kaq ishte njohja që kishim për njerëzit nga Shqipëria. Të tillë i dukeshim njëri-tjetrit. Alien.
Se deri në ç’shkallë kanë avancuar njohjet reciproke sot, Axha I. m’u kujtua këto ditë kur TV Klan Kosova, në përvjetorin e parë të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, startoi së emetuari programin e vet, edhe pse ende ne fazën eksperimentale. Nuk mund të parashikoj se cila do të jetë e ardhmja e këtij televizioni, cilësia, e as përmbajtja e programit. Nga ajo që kam parë brenda KK, dhe tash pas fillimit të transmetimit, jam optimist në suksesin e tij.
Sido që të jetë, zhvillimi i këtij televizioni, ndoshta edhe nuk është aq me rëndësi për ne. Për mua, më i rëndësishëm është guximi dhe largpamësia e një investimi – që është me i madhi dhe më seriozi që është bërë tek ne në fushën e mediave nga një medium jashtë Kosovës – që gjithë hapësirën ku jetojnë shqiptarët kanë filluar të akceptojnë si një treg të përbashkët.
Investimi, që vjen një vit pas shpalljes së pavarësisë, është pjesë e një fenomeni integrues mbarëshqiptar, që është duke ndodhur viteve të fundit, pas gjithë atij ekskomunikimi mes nesh, që në të rrallë trazohej nga ndonjë vizitë ekzotike, si ajo e Axhës I.
Ashtu siç kishte qenë ngulmues për të vizituar Kosovën Axha I., edhe sot më shumë ngulmues në procesin e integrimeve gjithëshqiptare më duket pjesa shqiptare sesa ne, pjesa kosovare.
Edhe hapjen e TV Klanit e shoh si pjesë të këtij ngulmimi.
Motori i integrimeve mes shqiptarëve mbetet guximi i biznesmenëve nga Shqipëria dhe vetë shtetit shqiptar, përkundër një opinioni mes ne shqiptarëve të Kosovës - se jemi ne shtysa e këtyre integrimeve. E vërtetë, një hise e këtij fenomeni na bie ta kemi edhe ne. Por, ishte Shqipëria ajo që kishte qenë për ne porti i vetëm ku ankoronim shpresat tona për më se një shekull.
Kam dëgjuar se për herë të parë kosovarët, në masë ta madhe, kanë parë dizajnin e flamurit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ishte sjell nga Shqipëria. Ishte kjo faza e parë kur Shqipëria interesohej dhe donte të influenconte konkretisht mbi shqiptarët e mbetur jashtë shtetit të saj. Ishte Ernest Koliqi, Ministër i Arsimit në kohën e pushtimit italian gjatë Luftës së Dytë, ai që dërgoi në Kosovë dyqind arsimtarë të ngarkuar me libra shqip e me mision që të krijonin shkollat shqipe.
Faza e dytë ishin vitet ’70, kur pas një gjysmë liberalizimi kishte filluar shkëmbimi i mësimdhënësve universitarë mes UP dhe UT, përfshirë këtu edhe influencën kulturore që përhapej me librat e botuara në Tiranë, filmat shqiptarë, dhe këngëtaret shqiptarë që shkonin e vinin në të dy vendet.
Pas viteve ’90 – që na kishin thyer zemrat dhe iluzionet që kishim pasur për Shqipërinë – mund të cilësohet si faza e tretë dhe vendimtare e ndihmës që na kishte ardhur nga atje. Nuk është pritja e refugjatëve, ngase atë është detyruar të bëjë edhe Maqedonia, por terreni i lirë që i ishte lënë lëvizjeve për pavarësinë e Kosovës. Ashtu copë-copë si ishte, Shqipëria, megjithatë, ishte baza dhe furnizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përfundimi i luftës në Kosovë, i dha një dimension të paparë dhe të pakthyeshëm integrimeve shqiptare përmes projekteve siç është ai i rrugës Durrës – Morinë, kur sivjet do të kemi rastin që brenda tri orësh me veturat tona të jemi në Tiranë. Një projekt kësisoj e shoh edhe TV Klan Kosova.
Me këto përpjekje që ka bërë Shqipëria, për aq sa ka qenë e mundur, pashmangshëm atë e bën epiqendër të të gjitha zhvillimeve që ndodhin mes shqiptarëve, brenda dhe jashtë saj.
Mehmet Kraja thotë se Kosova nuk është në gjendje t’i përgjigjet Shqipërisë pothuajse në asnjë pikë. E unë mendoj se as që do të mundet ndonjëherë. Cili biznesmen kosovar ka guximin të fusë gjithë ato para në një medium në Shqipëri, siç bëri TV Klan?
Kjo mund të jetë e pakëndshme për prishtinocentrikët, dhe iluzionin e tyre për Prishtinën si një kthizë e zhvillimeve mbarëkombëtare. Fatmirësisht, gjërat nuk janë duke shkuar në atë drejtim? Them fatmirësisht, ngase nuk shoh diçka që mund të ofrojë Prishtina në konkurrencë me Tiranën.
Nëse nuk besoni, dilni te sheshi Zahir Pajaziti dhe shihni gjithë ato libra që shiten aty në qiell të hapur. Me përjashtim të atyre kopjeve të zverdhura të Rilindjes së viteve ’80, gjithë librat tjerë janë të shtëpive botuese nga Shqipëria.
Në filmin e Spielbergut, kur gjithçka është gati që E.T. të largohet nga toka, E.T. para se të ngjitet në anijen kozmike, i thotë Eliotit: “Gjithmonë do të jem këtu", duke prekur me gishtin e tij në zemrën e djaloshit.
Nuk e di çka i kemi thënë ne Axhës Idriz, kur është larguar nga Kosova. Por, e di që vizita e tij ishte mbajtur në mend dhe përfolur deri kur ishin thyer kufijtë.
Prandaj, nëse nuk mund t’i konkurrojmë, të paktën ta mbajmë në zemër mirënjohjen për Shqipërinë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT