E premte, 19.04.2024, 09:03 PM (GMT+1)

Mendime

Beqir Ajazi: Ligji kundër spiunëve i ka tërbuar fare bijtë e Stalinit

E merkure, 18.02.2009, 06:44 PM


Ligji kundër spiunëve i ka tërbuar fare bijtë e Stalinit

Nga Beqir Ajazi*

U bënë dy muaj që na ka plasur një sherr e shamata e madhe si në parlament, ashtu edhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike. Kjo potere e ka trullosur rëndë opinionin dhe  nuk po e len të pushoj e të qetësohet fare.
Qeveria ka miratuar në parlament me shumicë votash ligjin e shumëpritur kundër spiunave. Një ligj i tillë është zbatuar prej vitesh në të nëntë ish-republikat satelite të ish Bashkimit Sovjetik. Spiunët tek ne sipas dokumenteve, paskan qenë kaq shumë këtu saqë do të ishte turp t’i përmendeshim të gjithë. Ndaj edhe qeveria i ra për shkurt, duke kërkuar vetëm transparencë mbi fytyrat e funksionarëve të regjimit komunist, dhe, në bazë të kësaj transparence t’i heqë e t’i largojë ata nga funksionet që mbajnë poste të larta edhe në shtetin ligjor të demokracisë së sotme pluraliste. Ligjet e dosjeve siç e thashë, janë shpallur dhe vënë në zbatim prej vitesh nëpër ish-demokracitë popullore dhe nuk kemi dëgjuar zhurmë apo tensionim në ato shoqëri, po ashtu edhe Europa e Bashkuar dhe as SHBA nuk e kanë hapur gojën kundër aprovimit dhe zbatimit të këtyre ligjeve. Shtrohet pyetja, përse vallë kur i erdhi koha që të aprovohej i njëjti ligj edhe në vendin tonë po ndodh tërë kjo zallamahi, si brenda e si jashtë vendit?
Sipas mendimit tim, tërë ky kundërshtim i vërtikshëm e i mbushur me tension vjen ngaqë spiunët e vendit tonë kanë vepruar për plot pesëdhjetë vjet, kohë dhe hata që njeriut nuk mund t’ia marrë mendja, aq më pak t’i shprehë e t’i bëjë të njohura në botën demokratike. Për këtë arsye, bijtë e Stalinit e humbën fare gjakftohtësinë dhe janë tërbuar fare, edhe pse njëkohësisht, ata po mbajnë poste të rëndësishme në aparatin e shtetit. Këta uritha të shoqërisë shqiptare po çirren më shumë se të gjithë duke mallkuar diktaturën, terrorin e saj dhe duke derdhur lot krokodili sa për sy e faqe. Deri këtu këta urithë të shoqërisë kishin gjetur karar, dhe duke ia marrë dorën punës, luajnë rolin teatral të demokracisë, paçka se e kanë Stalinin në loçkë të zemrës.
Ligji i posamiratuar ua ngacmon së tepërmi nervat këtyre nostalgjikëve, sepse u nxjerr në pah fytyrat e baballarëve, shokëve, dajave, xhaxhallarëve, hallave dhe tezeve të tyre. Nga ana tjetër ky ligj i ul ata para syve të opinionit, duke i nxjerrë si pyka në diell siç janë në të vërtetë. Ligji i spiunave të Shqipërisë është shumë më i butë dhe indulgjent nga të gjithë analogët e tij të vendeve ish-satelite të ish-Bashkimit Sovjetik.
Bijtë e Stalinit nuk u përfshinë kurrë në propozime për adoptimin e ligjit të cilitdo nga ish satelitët që thamë, apo që të zgjidhnin vetë njeriun që do t’u dukej më i lehtë. Këta nuk duan aspak, po thonë ashtu errtas e përgjumas se ky ligj po na shkel parimet e demokracisë dhe nenet e kushtetutës. Duke mos patur kurrfarë argumentesh të qëndrueshëm, ata përdorin metodën e vjetër duke zenë ngojesh tragjedinë e Gërdecit dhe pretendojnë se e djathta, duke u marrë me ligjin e lustracionit, kërkon të largojë vemendjen e opinionit. Kësaj i thonë “lëmë dasmën e shkojmë për shkarpa”. Po diktatura komuniste ka vrarë mëse 600 burra dhe gra ka burgosur mëse 25 mijë vetë, ka internuar mëse 20 mijë dhe eshtrat e të cilëve nuk i di kurrkush se ku kanë përfunduar. Veç të tjerash, viktimat dhe të dëmtuarit e Gërdecit kanë marrë miliona e miliona lekë nga qeveria, kurse ata që vrau e torturoi diktatura as që kanë marrë ende ndonjë lek si pagesë.
Në këtë zallamahi shurdhuese dhe fare qesharake unë çuditem përse nuk u thotë Berisha këtyre stalinistave: “Zgjidhni e merrni njerin nga ligjet e lustracionit të cilësdo republike satelite të Bashkimi Sovjetik dhe o burra, sipas dëshirës suaj le ta vemë atë në zbatim”.
Po këtë gjë nuk e duan nostalgjikët e komunizmit, ata duan që të diskutohet, të diskutohet e të diskutohet derisa kjo punë të lihet për në kalendat greke. E rasti e desh që përtej diskutimeve, të dalin edhe bijtë e tjerë të Stalinit, atje në Gjykatën Kushtetuese për ta pezulluar në pafundësi procesin.
Por këtë mashtrim kaq të trashë zor se e gëlltit populli shqiptar, i cili historinë e bëmave komuniste e ka të shkruar të tërën në kurrizin e vet.
Duke qenë shpirtërisht të mbrujtur në ideologjinë komuniste, bijtë e Stalinit nuk arsyetojnë dot për së mbari po veç bëjnë  zhurmë e shpifin sipas zakonit të tyre tradicional me shpresë se nga kjo mori shpifjesh, diçka edhe mund të zerë vend në opinionin e shqiptarëve. Duke e shtyrë deri në pafundësi këtë problem kaq madhor e kyç i shoqërisë shqiptare, nostalgjikët e të gjithë kallëpeve duan ta çojnë punën deri aty sa të thonë “Më rrove, të rrova, brisku i berberit”. Po këto dardha-aguridhe nuk i ha kush më.
Nostalgjikët i vranë shqiptarët që nuk mendonin si ata, kurse tani që e hodhën lumin, kërkojnë edhe t’ua vënë kapakun vrasjeve që kanë bërë. Tani këta duan të qëndrojnë në pushtet në të gjitha instancat drejtuese të shtetit, duke luajtur kështu me një art skenik, komendinë e madhe të mashtrimit.
Vovënargë, ky mendimtar i madh francez, thotë se shoqëria çlirohet dhe ecën përpara me gjakun e heronjve, po situatën që ata sjellin e kullosin horrat dhe matrapazët. Nëse kështu ka ndodhur në të kaluarën, sot ka ardhur dita që të kërkohet transparencë, kudo e mbi këdo dhe kush ta ketë bërë krimin le ta mbajë mbi vete. Për rastin tonë themi që fajtori ta mbajë moralisht mbi vete fajin (jo fizikisht). Kështu pra baloza të mëdhenj të partisë komuniste, gjyqtarët, hetuesit, e prokurorët duhet të kalojnë përpara Rontgenit e pastaj le t’i mbajnë postet drejtuese. Kjo është një e drejtë që nuk do të guxonte ta mohonte askush, po ja që po na e mohojnë nostalgjikët-bij të Stalinit, bile me një guxim  për tu lëvduar. Bijtë e Stalinit po tregohen kaq arrogantë e të paarsyeshëm saqë në vend që demokracia shqiptare t’i çonte fajtorët para gjykatave, ajo po  u thotë: “O ju që na vratë e na pretë, demokracia pluraliste nuk po ju çon fare përpara gjyqit po ama as nuk do t’u lerë nëpër kolltukët e qeverisjes sepse sistemi i demokracisë perëndimore nuk të lejon që pasi t’i kesh ndezur shejtanit qiri për një gjysëm shekulli, të jesh po ti që tani t’i ndezësh qiri edhe engjëllit. Kjo nuk shkon e nuk mund të shkojë kurrë!
Nostalgjikët e Stalinit duke mos patur argumente të qëndrueshëm, kapen pas mendimit që shfaqin këshilltarët dhe ambasadorët e demokracive. Këtë taktikë ata e përdorin me hile sepse, kur ua ka dashur puna vetë atyre, as që i kanë dëgjuar këshillat e ambasadorëve, por na dilnin me pallavrat se “jemi një shtet sovran dhe kemi specifikat tona”.
Përfundimisht stalinistë, o zgjidhni njërin nga ligjet analoge të cilitdo satelit të komunizmit, ose mbylleni gojën dhe lerini të veprojë ligji i parlamentit shqiptar, të cilin ju e dini mirë atje në intimitetin tuaj personal se ky  i yni është më i lehti e më indulgjenti i të gjithëve.
S’do mend se shokët nostalgjikë të epokës së Stalinit duan që në Shqipëri të mos ketë fare një ligj kundër spiunëve. Po kjo e mirë zor se do t’i gjejë!
Dramaturgu francez Racinë thotë: “Nga ky fund i tmerrshëm, krimet tue pas për gurrë/ dijeni pushtetarë e mos harroni kurrë/Se ju keni në qiell një gjykatës të pa anë/Viktima një hakmarrës dhe jetimi t’anë”

*Autori është Kalorës i Urdhrit të Meritës, të Republikës së Francës



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora