Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Traboini: Mitingu

| E merkure, 18.02.2009, 07:37 PM |


MITINGU

Duke ditur se manipulimet e historisë janë arti i fallxhorëve të politikës, prej vitesh e kisha lënë në heshtje mënyrën e organizimit e zhvillimit të metingut madhështor të intelektualëve të Tiranës në kapercyell të vitit 90-91 kur ende diktatura mbahej në këmbë, mirëpo tani që kryeministri i Shqipërisë e cilësoi këto ditë në fjalën e vet si "metingun tonë", unë edhe më tej nuk mund të hesht, sepse tashme kjo heshtje do të ishte e pakuptimtë...

Nga Kolec TRABOINI

“Ky njeri - thotë kryeministri Berisha për opozitarin e vet të kolltukut Edi Rama, - do të vinte në vitin 90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë; kë duhet të varim? Ata, - më tha - Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike.”
Është e natyrshme që kur vjen puna për citimin e PD, kryeministri do t'a personalizojë duke marrë mbi shpatullat e veta tërë barrën e formimit të saj. Punë e tij. Punë e tij dhe atyre që i vinin rrotull me pardesy të bardha, shënjë që ata do të ishin liderët e të ardhmes. Në pikpamje partiake e vetmja gjë që mund të them është se, si nisiatori i formimit të degës së PD për Kinostudion, as në atë kohë e as sot nuk kam qënë e nuk jam i mendimit se ne veprimtarët e levizjës demokratike në terren, po formonin degët e partisë së Sali Berishës. Ky nocion nuk ekzistonte në koken time e të kolegeve të mi, sepse na ishte shpifur ideja e themeluesit të partisë komuniste dhe nuk na pelqente të notonim në ato ujra kultesh. Sa i përket bindjeve të mia, dhe besoj jo vetëm të mia, që i kam shprehur që në numurin 3 të gazetës RD janar 1991, ku kërkoja heqjen e yllit të kuq nga Flamuri dhe kallxave të grurit nga stema e Republikes, Partia Demokratike e atyre ditëve është formuar si një imediat historik, si parti e demokracisë dhe e kurrnji individi të përveçëm në atë vend të renduar nga kulti gjysëm shekullor i individit. Kulti i Enver Hoxhës i kishte lodhur aq shumë psiqikisht njerëzit (flas me tepër për intelektualët e jo turmat që nëpër tërë shekujt vetëm kanë brohoritur), saqë nuk kishim dëshirë të degjonim për lidere në balle të tribunave.
Por kjo çeshtja e personalizimit të PD, tashmë nuk është në preokupimin tim, sepse nuk bëj më pjesë në të, kryekreje për faktin se nuk është ajo për të cilën mendoja se do të ishte. Le ta marrë mbi shpatulla kushdo që dëshëron të bëjë karierë e të luftojë për mirëqënie e lavdi personale, sepse tashmë partitë janë leva arkimedi për të marrë pushtetin dhe pushteti mjeti me të cilin mund të bëhen para me bollëk duke perdorur të dyja duart, në njërën duke mbajtur pankarta kolosale të luftës kundër korrupsionit , ndërsa në tjetrën duke mbushur xhepat e vet, nderkohë që boshatisen xhepat e shtetit. Që në atë kohë, soj soj beniaminësh e ligavecësh të rinjë të politikës, vinin rrotull dhe me lajka përpiqeshin të ngjiteshin në shkallët e pushtetit e mund të themi se ja arritën mjeshtrisht.
Luftëtarët më të mëdhej zëbuçitës me bla-bla-bla oratorike gjatë daljeve nëpër podiume ishin komunistet, bijtë e rrethi i afërt i tyre, por edhe ish spiunët e sigurimit. Ata më shumë se kushdo kishin nevojë të shfaqeshin si liderë të rinj dhe të mbulonin erën e keqe të se kaluarës së vet të palavdishme.
Dihet që politikanët e interesit e jo të idealit janë si mijtë që braktisin të parët anijen që mbytet. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Mijtë e kuq nisën të zhagiten e llangosen blu. Kjo blujadë nuk ishte e vështirë të binte në sy. Kushdo që ishte ndryshe, që nuk kishte të tilla orekse, por vepronte thjeshtë nga dëshira për të parë popullin e lirë pasi të shembej komunizmi, e ndjente veten të huaj në mjediset e këtyre lidërve të rinj që, kush e kush t’i ngrinte shpatullat me lart se njëri tjetri.
Koha e tregoi se lufta për pushtet që u bë në mes të liderve të rinj të vetquajtur demokratë, ishte aq e ashpër e pakompromis sa të duket se më shumë luftonin njëri tjetrin se sa me farën e keqe të komunizmit, e cila vërtetë ishte tek kuadrovikët e Partisë së komunistëve shqiptarë por edhe këta liderë të rinj ishin të molepsur jo pak me sporjet e kuqe.
Tani le të shqyrtojmë shprehjen e kryeministrit që tekstualisht thotë “Ky njeri do të vinte në vitin 90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit”.
Biblioteka e Universitetit gjëndet pranë sheshit që tashmë quhet “ Nënë Tereza“ dhe nga pas ka stadiumin kombëtar. Tërë gjasat janë që Kryeministri Berisha t'i referohet jo metingjeve të Partisë që e ka formuar ai, sepse nuk dimë të ketë bërë partia e tij ndonjë meting në atë shesh, përkundrazi më i spikaturi ka qënë metingu madhështor i intelektualve të institucioneve artistike të Tiranës në perkrahje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Mirëpo nëse është fjala pikërisht për këtë meting, kryeministri është i paqartë sepse e personalizon edhe atë, siç personalizon partinë demokratike. Madje shkon edhe më tej në keqinterpretime kur thotë se ky njeri, pra Edi Rama, atëbotë pedagog i Insitutit të Lartë të Arteve të Bukura, paska shkuar në metingun e atij pra, Sali Berishës. Përkundrazi, ishte kryepartiaku Sali Berisha që shkonte në atë meting ku Edi Rama ishte në mjedisin e vet prej intelektualesh te institucioneve artistike të kryeqytetit. Kryeministri sjell referenca të gabuara në median publike, çfarë tregon se, jo vetëm ai, por mjerisht as dhe këshilltaret e tij, të cilet i paguan nga buxheti i shtetit dhe xhepat e popullit, nuk kanë kurrfarë ideje se çfarë ka qënë Metingu i madh i Intelektualve të Institucioneve Artistike të Tiranës. Sa peripeci janë hequr në luftë nervash me policinë e diktaturës, pas së cilës qendronte Sigurimi i Shtetit. Shumë kush duke mos patur njoftime mund të mos dijë, kjo është e falshme, por ai apo ata që paguhen dhe e kanë për detyre t'i japin të dhena të sakta një kryeministrit të një shteti serioz, për ata është e pafalshme. Dhe ja përse.
Ai meting nuk ka qënë nisiativë e asnjë partie, ai është organizuar nga krijuesit e Kinostudios. Thënë saktë ka qënë nisiativa ime sepse po vija re se pak intelektualë të institucioneve artistike të kryeqytetit po solidarizoheshin me partinë e re demokratike që sapo ishte formuar. Po krijohej përshtypjen se intelektualet krijues ishin indiferent, gjë që nuk ishte e vertetë. Aq më tepër neve si kineastë na takonte të ishim nisiatorë për faktin se kushdo në Shqipëri e dinte se si kolektivi krijues i Kinostudios e kishte përcjellë me bisht ndër shalë, sekretarin e Komitetit Qëndror të Partisë dhe antarin e byrosë politike Foto Çami, sa u përhap fjala nga kuadrovikët e partisë diktaturë se në Kinostudio kish bërë fole armiku. Ndër veprimtaritë që kam zhvilluar ato ditë ka qënë hapja e një fushate ndihmash monetare për PD. Mblodha një grup punonjësish dhe kerkova të krijonim degën e PD për Kinostudion. Për këtë kam shkuar e takuar Azem Hajdarin, i cili e pelqeu dhe e përkrahu idene time të krijimit të degës së PD dhe më paisi me një autorizim të posaçëm me firmën e tij. Duke i parë lëvizjet e mia, një grup oficerash sigurimi të veshur civile, kane shkuar në Kinostudio dhe kanë kërkuar të më takojnë por atë ditë kam qënë me xhirime jashtë Tirane. Kanë takuar drejtorin Viktor Gjika duke kërkuar prej tij të dhëna për personin tim. Viktor Gjika me ka thirrur e njoftuar se të kanë në sy të keq ata të Ministrisë së Brëndëshme, ndaj bëj kujdes per veten, dhe shtoi se, u perpoqa sa munda të marr nën mbrojtje. Pa patur parasysh këtë presion, vazhdova punën për formimin e degës së PD për institucionin tonë.Fotografitë e asaj dite janë ende në fondin e kameramanit Spartak Papadhimitri në Tiranë. Kjo sa për njoftim që të mos ngrihet ndonjë i vonuar, që ka hyrë në PD nja dhjetë vjet më pas dhe brënda natës na u gjënd ministër e të na thotë ky i perkedhelur i tarafit "Po ne s'të njohim fare". Se këta, fillimin e historisë së partisë blu e llogarisin nga dita kur kanë nxjerrë lugën nga brezi e kanë nisur të hanë mjaltë qeverisje sa janë dëndur mirë. Në selinë e PD kam takuar një dibran, në mos gabohem me emrin Zenel, të cilit i kam kërkuar ndihmë për të nxjerrë një leje për zhvillimin metingut për arsye se metingjet nuk mund të beheshin me kerkesa individuale, por këto kerkesa duhej të kalonin nga zyrat e partive. Ishin marrë të gjitha masat nga Partia Punës mbase në marrveshje edhe me PD, që çdo veprimtari të mbikqyrej duke mbyllur çdo shteg të nisiativave qytetare prej të cilave kishin frikë. Zeneli më ka kërkuar të mbush një formular ku duhej të përshkruaja qëllimin e metingut dhe ku e kur dësheroja të zhvillohej. Pasi e kam mbushur e firmosur formularin, më ka kërkuar edhe emrat e dy personave të tjerë që do të shënoheshin si garant në atë letër e që bashkë me mua do të ishin përgjegjës për zhvillimin e metingut. Mark Topallaj u shpreh i gatshëm ta firmoste. Duhej edhe një i tretë, të cilin duke mos patur mundësi ta gjeja menjëherë, sepse duhet të shkoja sërisht në Kinostudio, vendosa të shënoj regjisorin Saimir Kumbaro dhe ta lajmeroja më vonë, i bindur që Saimiri nuk do të kundërshtonte vënien e emrit të tij në listë. Dhe ashtu ndodhi. Tërë problemi ishte se Ministria e Brëndeshme në fillim rrinte duke i lëvizur datën e metingut e kur përfundimisht u caktua një datë, nisi odisea e vendit ku do të zhvillohej metingu. Në shtat ditët e fundit, shtat herë është ndrruar vendi i zhvillimit të metingut. Kjo më nxirrte shumë probleme sepse sa herë ndrrohej vendi, aq herë isha i detyruar të shkoja e të lajmëroja tërë institucionet artistiko kulturore të Tiranës. Na thanë, nuk ua japim sheshin pas Bibliotekës Universitare, por do të shkoni ta zhvilloni tek Fusha e lagjes "Ali Demi". Ditën tjetër, kërciste telefoni i Zenelit e një zë i rëndë oficeri thoshte " Nuk do ta bëni atje mor, jo, por do të shkoni tek fusha e druve në Qytetin e Nxënesve tek gazermat e Ali Rizait". A është e saktë, i thosha Zenelit. Eja nesër prap më thoshte Zeneli që bënte punën e ndërmjetsit. Pas kësaj niste vrapi im nëpër institucionet që nga Kinostudioja tek Opera, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Estrada e Cirku, Radio Televizion, Ndërmarrja Botuese, Insituti i Kulturës popullore, Insituti i Monumenteve të Kultures ku më priste me shprehjen "Prap e anulluan, derrat!"- e ndjera Fatbardha Shkupi. Pastaj me vrap tek Filologjiku, Universiteti dhe Insituti i Lartë i Arteve. Ishte një lodhje e rraskapitje e krijuar me qellim që të na bënim të hiqnim dorë ose më e pakta, duke e ndrruar vendin shtatë herë njerëzit do të futeshin në konfuzion dhe nuk do të mblidheshin në një vend, por do të shperndaheshin në tre vende. Ditën e fundit nga dreka, Ministria e Brendshme na njoftoi, se ishim të lejuar ta bënim atje ku kishim kërkuar, por do të mbanin pergjegjësi të plotë personale nese devijonte nga programi. Merreni me mend çfarë tensioni. Kishin mbetur vetëm pak orë. Të gjithë institucionet e dinin se metingu do të zhvillohej tek Qyteti i Nxënësve. Mu krijua përshtypja se ky miting ishte paracaktuar të dështonte. Bëra vrapimin e fundit atletik, një maratonë e vertetë nëpër Tiranë dhe si njoftova kë munda, shkova drejt e tek sheshi pas Bibliotekës Universitare. Isha i pari. I raskapitur e pa ngrënë u ula në një shkallë guri e po qetësoja frymën, kur nisen tek tuk të duken njerëz që më pyesnin se a do të ketë këtu një meting. Me së fundi arritën të mblidhen jo me shumë se njëqind vetë. Nisën t'a marrin fjalën njerëz që e kishin dhënë emrin në listën që kisha në dorë, por edhe spontanisht. Kisha ndermend të flisja dhe unë por nuk kisha pikë fuqie, pastaj i thashë vetes, nëse ky miting zhvillohet mirë, unë e kam thënë fjalën time më mirë se me oratori megafoni. Nuk shkuan vetëm disa dhjetra minuta dhe erdhën studentët e Insitutit të Arteve dhe ata të Universitetit Teknik. Nisa të shoh njerëz që mund të ishin çfardo por jo intelektuale. I kisha thënë një të njohuri tim inxhinjer në kombinatin e drurit dhe ai i kishte njoftuar të gjithë por edhe në ndërmarrje të tjera kish shkuar fjala. Kur metingu ishte në gjysmën e kohës së caktuar, në shesh nuk mund të lëvizje prej dëndësisë së njerëzve. Më kot e mbaja letren në dorë, kurrkush më nuk mund ta drejtonte atë meting. Çdo gjë ishte në dorën e spontanitetit. Edi Rama tha atëhëre këto fjalë: "Na skuqen si indianë, na zverdhën si kineze e na nxinë si afrikanë". Kaq shumë thirrje kundër diktaturës nisen të lëshohen nga qytetarët, sepse ata të tribunës ishin të përmbajtur, sa fjalimet u bënë jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptimta. Në mes të atyre që folën vura re dy kategori, njëra përbehej nga ata që ëndërronin të ngjisnin shkallen e karierës, tjetra nga ata që kërkonin të mbulonin diçka pas vetes. Një tip i tillë ishte Valer Xheka që më kishte kërkuar t'a vija me çdo kusht në listën e folësve, por ngurroja sepse i kisha parë një natë kur qëndronim pranë selisë së PD në rrugën "Fortuzi", një revole të dhënë me leje speciale nga Sigurimi i Shtetit. Se si mund një njeri me revolen e Sigurimit në brez, të ulurinte kundër reprazaljeve të vetë atij Sigurim këtë veç Valer Xheka dhe shefat e tij të Ministrisë së Brendshme e dinin. E dinin edhe ata të kreut të Partisë Demokratike se i kisha njoftuar që të bënin kujdes nga provokatorët. E megjithatë,per çudine time, në saj të atij fjalimi hipokrit në metingun e asaj dite, ai, agjenti aspak i fshehtë, ngjiti shkallët e karierës dhe u bë aleat për kokë i krerëve të PD, derisa, nga pozita e kryesindikalistit, pasi shiti shtëpitë e pushimit e ja vuri paratë xhepit, u demaskua e iku jashtë shtetit.
Ky ishte stili, ky ishte e vazhdon të jetë karakteri i shumë laskandraqëve që flasin nëpër foltore partish e shoqatash, madje edhe në Kuvendin e madh të Popullit, duke spekulluar me hapjen e dosjeve, kur spiunët e deklaruar i mbanin pranë vetes, i përkrahnin e ju gjenin edhe ndonjë vend të ngrohtë për të bërë allishverishe e korrupsion.
Mbyllja e metingut, ishte jo fund por fillimi i shprehjes së revoltës popullore. Ishin mbledhur mijra njerëz në sheshin para Universiteti rreth e qark shatrivanit. Kish nisur të errej dhe disa njerëz kishin gjetur qirinj dhe i kishin ndezur. Dikush ndizte gazeta të vjetra duke i bërë si pishtar. Turma prej mijra vetësh po derdhej si një lumë. Ishte nje lum vigan që kërkonte shtrat e hapsirë për të vërshuar. Dëshira ishte që ky lumë njerëzor të vërshonte në bulevardin kryesor, mes Kryeministrisë dhe selisë së Komitetit Qendror për t'i bërë sfidë atyre që tashmë dridheshin si mijtë duke kujtuar kufomën e pushkatuar të Çausheskut të Rumanisë. Sigurimi e nuhati dhe bllokoi rrugën kryesore duke lejuar vetem kalimin e pjesshëm në trotuar. Turma prej mijra vetësh duke kënduar "Se mjaft në robëri, e mjera Shqipëri, o djem rrembeni pushkët-ë, ja vdekje ja liri", ktheu drejtim dhe mori nga rruga e Librit Universitar drejt kryqëzimit të Tiranës së Re. E tërë Tirana buçiste. Nuk e di pse atë natë ndjehesha më i lumtur së kurrë e më dukej se kisha bërë gjënë më të mirë në jetën time. Dhe këtë mendim e ndjenjë kam edhe sot kur i kujtoj ato skena, që nuk mund të përsëriten më kurrë. Ai meting ishte pararëndësi i një zhvillimi tjetër madhështor, rrëzimi i bustit të diktatorit.
Në mitingun që filloi nga intelektualet krijues por që u përqafua nga tëra shtresat e banorëve të kryeqytetit, populli mati forcën e vet dhe e ndjeu se ishte i fuqishëm, ndaj dhe më pas guxoi dhe e plandosi përdhe duke e hequr zvarrë bronxin e diktatorit më të egër e të paskrupullt të Europës.

Posted by Editor: TRABOINI

TRABOINI-FILM  ANTOLOGJIA - PORTAL
“Poezia është e folura përçart e perëndive.” - Platon

Shkurt 2009