E enjte, 25.04.2024, 10:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Sabit Rrustemi

E merkure, 18.02.2009, 08:12 PM


Sabit Rrustemi
Sabit Rrustemi
Me shkrimtarin, Sabit RRUSTEMI

POETI ËSHTË PJESË E FATIT TË NJË POPULLI

Intervistoi Bilall MALIQI

Nuk është i vetmi nga shkrimtarët që, fati i pazgjidhur i Kosovës  e shtrëngoi të merret me veprimtari atdhetare e politike.
Kjo periudhë e angazhimeve të bujshme në Kosovë dhe rreth saj kah jetojnë shqiptarët, jo vetëm këtij po edhe shumë të tjerëve, ju shpagua me 17 Shkurt 2008 kur , Republika e Kosovës, edhe njëherë rikonfirmoi pavarësinë e shpallur e, cila tashmë u njoftë edhe ndërkombëtarisht.
Dhe, duke qenë në rrjedhë të angazhimeve të këtij intelektuali, hamendesh nga t’ia nisësh bisedës, për rrjedhat letrare, meqë më shumë është letrar apo për ato politike, meqë as politika nuk e lë të qetë. Sepse, Kosova ende nuk i ka mbijetuar sfidat e pas pavarësimit, shprehet ai.
Megjithatë, nuk mund t’i shmangemi letërsisë. Sepse, përmes saj, ai jo rrallë, ka shprehur edhe brengat politike, sfidat me të cilat u ndesh e po ndeshet Kosova.
Duke pirë kafenë në një banesë tridhomëshe në Gjilan, ku kohëve të fundit ai banon me qëra, bashkë me gruan dhe pesë fëmijët e tij, si qetas e pyesim dhe pahetueshëm e nisim  bisedën  pikërisht për poezinë.

Politika si motivim letrar

Me se ishit të preokupuar këto ditë, z. Rrustemi?

Kam përmbyllur një variant të një poezie për Isë Boletinin. Them një variant sepse tashmë ende nuk e di cili do jetë varianti final. Poezisë i kthehem disa herë. Shtoj diç, heq diç. Sikur nuk mjaftohem me ate që ja kam dhënë. Kujtohem si diçka kam harruar. Me diçka e kam tepruar, e kështu. Ti kërkon formën e përkryer të saj dhe, kur s’bindesh se e ke arritur atë. Madje edhe pasi ta botosh në libër. T’ia vësh në duar e prehër lexuesit.

Po, Isa Boletini ç’korrespodon tash me këto trende të reja në Kosovë? Mbase nuk ju ke çasur rastësisht...

Jo. Nuk është e rastësishme riaktualizimi i figurës së Isë Boletinit. Eshtart e tij, ka njëmbëdhjetë vite që rrinë në një qese najlloni , që nga zhvarrimi i tyre (1998) dhe, akoma nuk prehet të qeta në Boletin, sepse politika e pengon rivarrimin e tyre aty ku ishte lindur dhe rritur i madhi Isë.
Njëkohësisht, përderisa ato eshtra rrinë mbi dhe, Mitrovica apo pjesa veriore e Kosovës, vazhdimisht është e trazuar, e ndarë, nën xhemba. Nuk i ndihmojnë as urat, madje as ushtarët e KFOR-it për t’u bërë bashkë.
Dhe, jo, përderisa eshtrat e tij nuk prehen aty ku e kanë vendin, përmes një nderimi shtetëror. Sepse ishte Ai Isë Boletini që bëri gjithë atë luftë për lirinë e Kosovës dhe, sot Kosova nuk ia mundëson dy metra varr nga prona e tij e ligjshme,që kishte dhe që sot e trashëgojnë pasardhësit.

Sikur të provokojnë motivet politike, në poezi, në prozë...?

Edhe s’mund t’ju shmangem këtyre motiveve. Madje që nga rinia e hershme. Ata që i kanë përcjellur botimet e mia të para nëpër gazetën e vetme të asaj kohe dhe dy-tri revista, e mbajnë mend këtë që po them: edhe poezitë e dashurisë ishin të mbështjellura me mallin e atdheut të munguar.
Trajtimi i temave politike në poezi, nuk është edhe bash i lehtë. Ka rrezikun e patetizmit, rrezikun e keqinterpretimit por, edhe të injorimit, anashkalimit. Nëse, nuk e prek thelbin dhe, nuk i gjenë figurat e përshtatshme për ta rrumbullakuar dhe veshur artistikisht vargun.

Trajtimi i temave politike në letërsi ka edhe çmim, apo?

E kam paguar një të tillë, më 1981, anise ishte koincidencë. Letërsia sikur jeton dhe gjurmon koincidenca. Sikur në rastin e Isë Boletinit. Shprushja e eshtrave të tij, sikur shprushi atë trimërinë e fjetur. Shpërtheu lufta për liri që përfundoi me pavarësi. Po, pavarësia nuk e solli tërësisht paqen këtu dhe, nuk e siguroi akoma tërësinë. Andaj ato eshtra sikur presin të kryhen dhe disa detyra shtëpie, të harruara apo të shmangura. Tek pastaj të prehen të qeta në dheun e tyre.
Unë, mbase nuk kam arritur ta artikulloj sa duhet këtë mesazh përmes poezisë, andaj edhe thashë, kam kryer vetëm një variant të saj.

Përkushtim i shtuar ndaj krijimtarisë

Po diç tjetër, këtyre ditëve?

Përveç punëve për të cilat paguhem nga buxheti i Kosovës dhe mundohem të jam i përpiktë, kam shkruar pas sa kohësh, edhe dy tregime, njëri prej të cilëve edhe është shpërblyer këto ditë. Dhe, kam rrumbullakësuar një përmbledhje poezish që do t’ia dorëzoj “Rozafës” për botim, kuptohet nëse do t’mund ajo t’i sigurojë mjetet e botimit.
Në të njejtën kohë, në Bukuresht, nga veprimtari dhe intelektuali i shquar i letrave shqipe, z.Baki Ymeri, po bëhet një përzgjedhje e poezive të mia për një botim në gjuhën rumune.

Duket që rrethanat e reja në Kosovë, ju kanë nxitur më shumë t’i qaseni krjimitarisë?

Saktësisht e keni vërejtur. Ishim të preokupuar në këto dy dekada, sidomos, me zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ky ishte synimi ynë dhe , i imi. Fokusi i angazhimeve ka qenë përmbushja e këtij synimi apo edhe vizioni. Duke u orvatur që mos ta lë anash as krijimtarinë. Po, pa pasur mundësi për t’ju përkushtuar si shumë. Pa ia dhënë ate që realisht kam mundur t’ ja jap në rrethana tjera.
Tash po e ndiej këtë shkëputje ma shumë dhe po përpiqem t’i shlyej mungesat. Kuptohet, nëse premton koha dhe lejojnë rrethanat. Sepse, në Kosovë kurrë s’i dihet. Katër stinët shpesh ndodhin brenda një dite të vetme.

Kjo sikur ma rikujton një varg të Musa Ramadanit: “Poeti ka ecur me shpatën e Demokleut mbi kokë dhe me lavjerësin në qafë”

Poeti gjithnjë ka ndarë fatin e tij me fatin e popullit, përkatësisht të atdheut. Musa Ramadani, një përjetues jo i vetëm i shekullit më të rëndë për Kosovën, këtë e ka thënë jo vetëm përmes këtij vargu po, përmes qindra avargjesh të tjera si dhe veprave, të cilat portretojnë njeriun e këtij dheu, jetën nën këtë shpatë dhe lakun rreth qafe, përmes të cilit kemi qenë të kërcënuar dhe rrezikuar çdo ditë.
As fati im nuk ka qe dryshe, qoftë si njeri, si poet apo edhe si veprimtar i kësaj kohe.
Tash, ndihem i relaksuar se u shpagua në mënyën më të mirë ky mund, kjo sakrificë, ky flijim i madh... anise na mungojnë më të dashurit, më të mirët. Na mungojnë edhe shumë vepra që kemi mund t’i shkruajmë. Madje edhe ato që na janë djegur dhe nuk mund t’i rikthejmë.
Po, liria dhe pavarësia e Kosovës sikur i lë anash të gjitha këto. U hap rrugë veprave të reja, frymëzimeve tjerafare. Sepse më s’mund t’i këndojmë lirisë që nuk kemi. As atdheut pa zot. Apo gjysmës tjetër që na mungon.
Poeti, në këtë ecje, sërish nuk mund të shmanget nga fati nëpër të cilin po kalon atdheu i tij, populli. Bashkë me të duhet të reformohet, rikonfigurohet, në kuptimin poetik. Çfarë është ajo liria që na ka munguar? Si po e shijojmë, ruajmë? A mos po e nëpërkëmbim, larg o zot?! Sa po e meritojmë e kështu, pa i harruar edhe temat e gjithëkohshme, ato me të cilat në vazhdimësi ballafaqohet njerëzimi, mbi të gjitha dashurinë.

Ka libra të mirë sikur që kritikë të rinj po shfaqen

Kur jemi këtu, pra te poezia, si ka ecur ajo viteve të fundit nëpër këto trende?

Në këtë pyetje do duhej më dendur të përgjigjen kritikët e letërsisë. Ata që, nuk po duken sa duhet. Ndodhë të mos jenë të motivuar, mungojnë vlerat që ata i dëshirojnë po, këtë duhet ta thonë. Ndodhë, të jenë edhe të frusturuar, nga botimet pa kritere, nga matrapazllëqe të bollshme të kësaj kohe. Po, ata sërish heshtin. Sikur përtojnë t’i shoshitin veprat dhe t’i ndajnë vlerat nga jovlerat.
Mendoj se, në një mënyrë janë nxënë edhe të papërgatitur. Pak nga periudha e paraluftës kur u prishë ai rendi i vlerave dhe kritereve. Pak nga ky trendi i pasluftës kur, edhe kritikët ballafaqohen me çështje të ekzistencës dhe, ju mungon stimulimi.
Megjithatë, mendoj se,kritikët e letërsisë, ata të rinjtë, po vijnë, përmes një udheje të re, një mendimi të ri.
Një plejadë e tillë tash vetëm është shfaqur dhe, e reshtim nëpër të përditshmet si dhe periodikun tonë. Madje edhe me vepra letrare. Që do të thotë, po vijnë edhe veprat e, edhe vlerat. Koha është, mendoj.
Në kuantitetin e botimeve  që ka ndodhur veçmas në këto dy dekada, nuk mungojnë as veprat e mira. Por, ato duhet t’i shpërfaqë kritika më shumë, duke mos u ndalur vetëm në tre-katër emra.

Ky botim pa kritere që thoni, ky kuantitet i këtyre viteve edhe në fushën e botimeve, a mos na la pa lexues?

Jo, lexuesi gjithnjë ka vrapuar pas librave të mirë. Po vrapon edhe tash. Madje edhe po gjurmon në atë kuantitet të krijuar, pikërisht librat e mirë.
Është detyrë e kritikës, e studiuesve të letërsisë, veçmas edhe e mësimdhënësve që janë në kontakt të çdoditshëm me rininë, që ta orientojnë atë drejtë librave që kanë vlerë, sepse kështu ia ruajnë dinjitetin edhe librit e, edhe autorit të librit.

Ju insistoni në një shpalim dhe vlerësim më të madh për librin dhe për një relacion vlerash me lexuesin?

Po, patjetër, sepse vetëm kështu, duke bashkëkomunikuar në shumë drejtime libri –kritika-lexuesi, gjërat do kthehen së mbari dhe, do ruhet fytyra e mirëfilltë si e librit, shkrimtarit po, edhe lexuesi nuk do mungojë.
Lexuesin neve e kemi humbur me gjepura, me antilibra, për të cilat kritika ka heshtur. Sikur nuk ka dashur të merret me gjithçka që është botuar dhe, kjo na ka kushtuar. Anise tash, gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Lexuesi po kthehet kah librat që kanë vlera.

Le të shpresojmë në këtë z. Rrustemi!

Dhe, unë them, le të shpresojmë, sepse nuk thuhet kot, shpresa vdes e fundit.

***

Letërnjoftim i shkurtër i veprimtarisë krijuese dhe asaj publike
 
Sabit Rrustemi është i lindur më 3 Prill 1959 në Terzijaj, fshat në afërsi të Zhegrës, Komuna e Gjilanit.
Shkollimin fillor e kryen në Zhegër, atë të mesëm në Gjilan, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Prishtinë.
 
Krijimtaria

Në shkurtin e vitit 1977 boton poezinë e parë ne revistën "Zëri i rinisë" të Prishtinës.
Në vitin 1981, është shkrimtari i vetëm i Kosovës që burgoset dhe dënohet për shkak të botimit të tregimit « Nën maskën e mysafirëve », të botuar në revistën « Fjala » më 1 prill të atij viti, ditën kur demonstaratat shqiptare për Kosovën Republikë e mbushën Prishtinën.
Për nëntë  vite i ndalohet  botimi i krijimtarisë letrare me vendim politik  e, pa vendim gjyqi.
Tek në vitin 1990 boton permbledhjen e parë të poezive. Është i martuar, baba i pesë fëmijëve. Jeton në Zhegër.
 
Veprat

•« Ku i la lisat era » Rilindja, Prishtinë, libër ky i dorëzuar që në vitin 1981, redaktuar nga poeti i mirënjohur Ali Podrimja.
•"Besoj në një diell" (Fjala 1992,) Prishtinë , me parathënie të Ramadan Musliut,
•« Variacione për lirinë », Rilindja, 1997, Prishtinë
•« Ëndrra që puthet »poezi, Rozafa, Prishtinë, 2001, redaktuar  nga dr. Sali Bashota,
•“ Paqja e brishtë “  poezi, Rozafa, Prishtinë, 2007, redaktuar nga dr. Sali Bashota,
•“ Shiu i buzëve tua” poezi, dorëzuar për botim në Rozafa, Prishtinë, 2009,
•"Pika e Zezë »,përmbledhje tregimesh, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1993
•"Maska e Mysafirëve" , përmbledhje tregimesh, SH.B. Buzuku, Prishtinë ,1997, redaktuar nga Abdullah Zeneli
•"Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës ", prozën dokumentare , shtëpia botuese « Plejada » Prishtinë 1994, me parathënie të Beqir Musliut,
•"Natyrë me vaj",album poetik, Shtëpi Botuese Plejada, Prishtinë,1994, me parathënie të Beqir Musliut.

Funksionet publike

Këshilltar politik i z/kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, z. Ramë Manaj.
Një mandat ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës ( 2001 – 2004)  dhe përpos krijimeve letrare e publicistike, në mënyrë aktive merret  edhe me veprimtari politike.
 
Çmimet letrare

Është laureat i një sërë shpërblimesh letrare në poezi e prozë mes viteve 1979 -2009 në Republikën e Kosovës dhe ate të Maqedonisë
Këtë vit, fitues i çmimit të dytë për tregim në Manifestimin kulturor “Flaka e Janarit ‘009”

***

Sabit RRUSTEMI

ESHTRAT  E  ISË  BOLETINIT
 

Sa herë Rrudhjet i çasen At Dheut
Shpirti i Isës  përpushë Eshtrat

Dheu i Zi kudo qoftë
Shporret nga  Trupi  i Tij
Tremben dhe të shkretat dërrasa
Ai pluhur kohësh nëpër qerpikë
Mbi qepalla
 
Sytë e tij shpojnë Bjeshkët e Gurta
Lugjet e thella me Mjegulla Ballkani
Prej Dorës së Djathtë
Që s’hiqet prej Shoke
 
Në Urën e Ibrit
Në Urën e Gurit
Në Urën e Ribnicës
 

Pa Një pa Dy
Pa u bërë kurrë Tri
Qëllon  Pabesitë
Udhës kah ecë Ai
Si dje Si sot Si nesër
 
Nuk ka më Kullë
As dhe  Urë As Varr
Për t’ia ndalur Hapin
 
Krejt  dheu i t’lumes Tokë 
Pëlhurë  shoke i bëhet
E i mbështillet për Brezi
 
Kulla i shndërrohet në Plis
E ia ruan Kokën
Urat i bëhen  Krahë Shqiponjash
E ia shkurtojnë  Udhët
 
Prej Trupit nagant
Shkrepin  rrufeshëm Bubullimat
Mbi vrasësit e Lirisë
 
Si At i Dheut
Me Besë të  Konstadinit
Natë e ditë frymon
Me të njejtin refren
Aty ku buka mbeti bukë
E uji ujë:
 
“…si me le,
Me dekë për Shqypni”!

S’ka Portë  As Urë As Dhe
Që e përkulë
Që e shtrinë
Që e  mbulon
Një Isë
Një Boletin

Ato eshtra s’i fsheh  Dheu i Zi
Për pa u bë Një
Jug e Veri
Në këtë Kosovë
Të lashtën Dardani

(23 Kallnor 2009)



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora