Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Gjovalin Paci me "Shpërthimet biblike" në Franfurt

| E hene, 29.05.2006, 10:30 PM |


Piktori shkodran Gjovalin Paci mrekullon artdashësit gjerman në galerinë "Arti në shtëpinë blu"

Piktori që nisi të vizatonte me thëngjij gurëve të malësisë së mbishkodrës kur ishte ende fëmijë, që e kyçi talentin e tij në një shtëpi në lagjen "Skënderbeg" në qytetin e Shkodrës dhe që tani tenton të pushtojë sallonet dhe shtëpitë e evropianëve me magjinë e penelit. Ka behur në Franfurt, ndoshta krejt rastësisht, ndoshta për të bindur veten dhe të gjithë ata që vetëm punojnë, se krijuesi i shpërblen me hyjnizim krijuesit.

Gjovalin Paci, "piktori i panjohur", peneli i dimensioneve universale, materializim i një shpirti që gjallon nga tradita, eposi dhe larmia e ngjyrimeve që formëzojnë kombin shqiptar. Galeria e tij e punëve tejkalon çdo parashikim të mundshëm. Deri më tash ai zotëron në 30 vite jetë me penelin afro 4 mijë punë, në të gjitha gjinitë e artit, të kompozimit, të portretit, por edhe disa lloj teknikash si akrilik, vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi. Tendenca e qëndrimit në hije, ose pozicionimi i postuar nga vëmendja e medies mbase i ka shërbyer më së miri formimit dhe konsolidimit të personalitetit të tij artistik. Vjen jo rastësisht nga Shkodra, qyteti i traditave kulturore, qyteti i këngës, poezisë dhe penelit. Me origjinë nga Malësia e Madhe, me një fëmijëri aspak komode, ai do t'i futej rrugës së artit, jo si një rruge për të bërë para, por një mundësie të gjithëpushtetshme për të shpërthyer nga vetja vërshimin e një shpirti të madh dhe plot nerv artistik. Lidhjen me galerinë "Arti në shtëpinë blu" rastësisht ma ka përcjellë si një shans të radhës. Përballjen e parë ai e ka patur gatë një vizite disa vite më parë në kryeqendrën e artit botëror, Paris. Lidhja familjare me baletmaestrin e përmasave ndërkombëtare, Angjelin Prelocajn, atij i dha mundësinë vetëm të vihej përballë shumë piktorëve që vërshonin në galeritë pariziene. Por ai i'u bë edhe si barrierë që Gjovalin Paci të mos binte në "grackën" e kontratave ekskluzive me disa galeri, të cilat i ofruan aso kohe oferta për punët e tij. Shkoi dhe erdhi nga Franca me bocetat në çantë. Por fati nuk do të vazhdonte të ishte i pamëshirshëm. Pas një galerie në Shkodër, ai do të prezantonte dhe shiste punët e tij në disa ekspozita veriake, përfshi dhe prezantimin më 2002 në ambientet e prezencës së Komisionit Evropian në Tiranë dhe më pas në Malin e Zi. Punët e tij, vit pas viti kanë marrë përmasa dhe guxojnë të jenë shumëdimensionale, si për ta provuar hapur sfidën në një realitet të ashpër konkurrence artistike.

Gjovalin Paci para pak ditësh ka prezantuar punimet e tij në një galeri private në Frankfurt. Arti i tij është i panjohur për shikuesit gjerman, ashtu siç është e panjohur Shqipëria. Simbolet dhe mitet e saj zënë vend në artin e Gjovalin Pacit.

Paci tregon si ka vendosur kontaktin me galerinë "Arti në shtëpinë Blu" në Frankfurt. Një shqiptar emigrant ka qenë fillimi i historisë dhe fundi...Gjovalin Paci ndodhet këtu së bashku me punimet e tij.

"Vendosëm kontaktin, ata erdhën në Tiranë dhe panë punimet dhe ishin dakort për të hapur një ekspozitë në galerinë e tyre", shprehet Paçi për "DW".

"Ata" janë Gabriele Priesemann dhe burri i saj. Zonja Priesemann merret vetë me art, por drejton gjithashtu Galerinë "Arti në shtëpinë blu" ku aktualisht ka organizuar një ekspozitë me pikturat e Gjovalin Pacit. "Unë isha në Shqipëri dhe arti i tij më ka pelqyer shumë. Ndaj mendova se duhet të krijojmë mundësinë që punimet e tij t`i tregojmë në Gjermani, që ato të arrijnë tek një publik më i gjerë," thotë Zonja Priesemann.

Kush është Gjovalin Paci?

Unë Gjovalin Paci jam piktor shkodran që jetoj në Tiranë. Prej rreth 30 vitesh merrem me pikturë. Kam gamë të gjerë punimesh, rreth 3-4 mijë punë, në të gjitha gjinitë e artit, të kompozimit, të portretit, por edhe disa lloj teknikash si akrilik , vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi. Kam bërë disa ekspozita jashtë vendit, në Francë në Podgoricë dhe së fundi këtu në "Arti në shtëpinë blu" të Zonjës Priesemann.

Kush është Gabriele Prieseman?

Unë jam Gabriele Prieseman, jam 59 vjeç. Drejtoj galerinë "Arti në shtëpinë blu" ku kam projekte me të rinj, kam një projekt teatri me fëmijë dhe të rinj, bëj skulptura dhe piktura, kam familje dhe fëmijë. Për mua është i rëndësishëm takimi midis artit dhe njeriut ndaj përpiqem që në galerinë Arti në shtëpinë blu të krijoj një rrjet jete kulture. Unë mendoj se i rëndësishëm është këmbimi midis njerëzve dhe artit. Ndaj kam ftuar edhe Gjovalin Pacin.

Punimet janë menaxhuar prek Zonjës Prieseman, në konsensus me mua. Aty prezantohen tre cikle punimesh. Njëri prej cikleve quhet "Shpërthimet biblike", me rreth 10 punime që i afrohen abstraksionit dhe punime në reliev. Një cikël tjetër luan me mitet dhe me kohën e shkuar dhe me kohën e ardhshme. Pra pavarësisht se luan me mitet, luan edhe me mitet moderne por edhe me mitet e hershme, ose mitologjitë ballkanike të periudhave të ndryshme. Një cikël tjetër i kushtohet më tepër pjesës së besimit, ose mënyrës së besimit, apo mënyrës së trajtimit të besimit në kohët moderne. Ka edhe disa motive të tjera që janë ma tepër motive shqiptare, patjetër të abstraguara dhe më afër pikturës dekorative, relievit dhe midis pikturës dhe skulpturës.

Gabriele Priesemann: Në hapje kishte pjesëmarrje të madhe njerëzish. Kjo është një rrugë e re e perceptimit të pikturave nga njerëzit. Nuk është e zakonshmja që njerëzit janë mësuar të shohin këtu, por është një gjuhë tjetër ajo që përdoret në pikturat e Pacit. Kemi të bëjmë vërtet me një gjuhë tjetër sepse në to ka shumë ndikim folklorik dhe njerëzit fillimisht duhet të mësohen me to. Por ata e bëjnë këtë me kënaqësi.

Arti nga Shqipëria, pëlqehet sepse është mall i rrallë këtu?

Gabriele Priesemann: Eshtë diçka për të cilën njerëzit tregojnë interes. Është një gjë e panjohur, vërtet e huaj, por që njerëzit përpiqen të konfrontohen. Kishte dhe studentë shqiptarë, ata i njohin gjuhët e përdorura në piktura. Ndryshe nga njerëzit e këtushëm, të cilët kanë nevojë për informacione para se të kuptojnë.

A është Gjovalin Paci i kënaqur me bashkëpunimin me Arti në shtëpinë blu?

Gjovalin Paci: Nuk e di, kjo është eksperienca e parë. Ato mund të krijojnë edhe hapësira të tjera dhe bashkëpunimi me të do të jetë me siguri i gjatë. Ne po përgatisim një ekspozitë në Parlamentin Europian dhe Znj. Priesemann është koordinatore dhe kuratorja kryesore e ekspozitës. Kam qenë mik i saj rreth një javë në familjen e saj. Kemi qenë shumë të pritur dhe e kemi ndjerë veten sikur aty ishte krijuar një tokë shqiptare dhe një bazë shqiptare edhe për artistë të tjerë shqiptarë". Më shumë se mikpritje ky është një portë për një vijimësi të njohjes dhe prezantimit të këtij dimensioni artistik tek tek admiruesit e penelit.

A.V. - Korrieri