E enjte, 25.04.2024, 04:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Muzika në dasmat shqiptare sot

E merkure, 18.02.2009, 09:08 PM


MUZIKA NË DASMAT SHQIPTARE SOT

Nga Demir KRASNIQI

Muzika, si element argëtues nëpër dasmat dhe ahengjet familjare, tradicionalisht ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm .
Me rastin e organizimit të dasmave, fejesave dhe gazmendeve tjera familjare, krahas shpenzimeve të mëdha që bëheshin gjatë këtyre ceremonive, si që ishin dikur: blerja me para e nuseve, blerja e rrobave të nusërisë, blerja e çejzit , blerja e dhuratave për miqtë, sigurimi i ushqimit për dasmorët dhe shumë shpenzime tjera të pa parashikueshme, rëndësi të veçantë i kushtohej sigurimit të muzikës e cila do t’ i shoqëronte këto gazmende , që do të kujdesej për argëtimin, disponimin sa më të mirë të dasmorëve dhe familjarëve të dasmave .
Për ta siguruar muzikën për dasma, pronarët apo organizatorët e tyre, duhej të angazhoheshin shumë kohë më përpara fillimit të dasmave, apo gazmendeve tjera familjare . Kjo gjë ndodhte për dy arsye kryesore: me qëllim që të përzgjidhen dhe sigurohen grupet, apo muzikantët sa më të mirë dhe në anën tjetër, kishte aq pak grupe e muzikantë, sa mund të ndodhte që të ngelin fare pa ta !
Kjo konkurrencë kaq e madhe ndaj grupeve dhe muzikantëve të ndryshëm dasmorë, ka ndikuar që pronarët , apo organizatorët e dasmave dhe të ahengjeve të ndryshme familjare, të detyrohen që të paguajnë çmime astronomike për ta siguruar muzikën dasmore !
Sigurimi i muzikës për dasmat popullore, krahas qëllimit të argëtimit dhe të disponimit të dasmorëve, vazhdimisht ka pasur edhe një qëllim tjetër intern edukativ. Fjala është për ambientet rurale, ku dasmat bëheshin kryesisht nëpër oda të fshatrave, dhe në rastet kur mungonte muzika dhe argëtimi, atëherë dasmorët në mungesë të ahengut, shpeshherë vinin edhe deri tek fjalosjet dhe kacafytjet në mes veti ! Pra, muzika jo vetëm që i ka argëtuar e disponuar mysafirët dasmorë, por ajo ka ndikuar pozitivisht edhe në vetëdijesimin , urtësinë dhe disiplinimin e dasmorëve.

Muzika në dasmat e vendeve rurale

 Nëpër fshatrat e vendeve rurale, ku ende nuk ka infrastrukturë të zhvilluar, mungon niveli i duhur i arsimimit, mungojnë sallat e përshtatshme për dasma e ahengje popullore – dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore organizohen kryesisht nëpër odat popullore . Në mungesë të lokaleve të përshtatshme për pjesëmarrje sa më të madhe të mysafirëve, miqve dhe shokëve dhe nën ndikim të fanatizmave e kanuneve të errëta shekullore, në këto ambiente , dasmat ende organizohen me gjini të ndara: femrat veç e meshkujt veç!
 Në këto rrethana, angazhohet muzikë e veçantë për meshkujt dhe muzikë e veçantë për femrat .
 Në odat e burrave, do të angazhohen kryesisht rapsodë popullor: zakonisht nga dy rapsodë (çifteli e sharki), por mund të ketë edhe grup rapsodësh në kombinim me instrumentet burimore.
 Këngët dhe instrumentet burimore folklorike, nuk e kanë kapacitetin dhe mundësinë teknike, që të luajnë valle popullore, andaj dasmorët gjatë tërë dasmës janë të shtrënguar që të argëtohen vetëm përmes dëgjimit të këngëve rapsodike . Por, patronët e dasmave, ata që kanë më shumë fuqi ekonomike, do t’ i sigurojnë edhe instrumentet muzikore, të cilat do t’ ua plotësonin dëshirat edhe adhuruesve të valleve popullore. Në këtë rast, do të angazhohen instrumentistë me surle dhe tupanë , të cilët do të dinë t’ i ekzekutojnë vallet tradicionale të burrave. Luajtja e valleve të burrave nëpër vendet rurale, bëhet kryesisht në oborrin e odës, nga se brenda odës është i pamundur vallëzimi masiv !
 Në dasmat popullore që organizohen në ambientet e fshatrave rurale, tupanët dhe surlet do të shfrytëzohen edhe për gjatë udhëtimit të krushqve deri tek marrja e nuses dhe anasjelltas.
 Në ambientet e fshatrave rurale, për disponimin dhe argëtimin e botës femërore, rrallë herë angazhohen grupe muzikore, por këtë rol do ta marrin në duar vet femrat: vajzat, bijat e shtëpisë, nuset dhe gratë, të cilat do të këndojnë këngë me përcjellje të defeve dhe përmes këngëve dhe ritmeve të defeve, ato edhe vallëzojnë në grupe, në çifte dhe në formë individuale.
 Në disa krahina, ku mbi botën femërore ushtrohet presion për të mos kënduar e vallëzuar, angazhohen këngëtare dhe defatore jevge, të cilat do të luajnë me defe, do të këndojnë dhe do të vallëzojnë vet, me qëllim që t’ i argëtojnë dasmoret e gjinisë femërore.

Muzika në dasmat e qendrave urbane

 Muzika në dasmat e qendrave urbane, ndryshon rrënjësisht nga muzika në dasmat rurale .
 Derisa dikur, nëpër qytete të ndryshme, dasmat dhe gazmendet e ndryshme familjare, organizoheshin kryesisht nëpër oborre të shtëpive, sot të gjitha dasmat dhe ahengjet familjare organizohen nëpër lokale të hapura publike: salla, restorante, hotele etj.
 Për argëtimin dhe disponimin e dasmorëve nëpër ambientet e dasmave qytetare, angazhohen këngëtarë popullor të cilët këndojnë në shoqëri me grupet e vogla instrumentale, apo orkestrina popullore që përbëhen nga instrumentet e fabrikuara .
 Dasmat në ambientin qytetar , organizohen me përbërje të përbashkëta te të dy gjinive dhe te të gjitha moshave. Andaj , edhe muzika bashkë me këngëtarët përzgjidhet adekuat me shijet dhe kërkesat e strukturave dasmore. Aty, këndohet dhe vallëzohet bashkërisht. Përzgjedhja e këngëve dhe valleve, duhet t’ i përshtatet ambientit dhe publikut të pranishëm, ku mund të vallëzojnë të gjithë së bashku. Aty këndohen kryesisht këngë të traditës qytetare, me karakter lirik, me tema ahengu, dasmore dhe dashurie.
 Në grupet dhe orkestrinat e muzikës dasmore qytetare, janë përfshirë kryesisht instrumente popullore të fabrikuara në këtë përbërje: violinë, klarinetë, fiz-harmonikë, kitarë, apo ut, dhe def ose tupan.
 Në dasmat e ambienteve qytetare, grupet muzikore janë angazhuar që kryesisht të ekzekutojnë valle tradicionale qytetare, ashtu si që janë angazhuar edhe interpretuesit e këngës, që të këndojnë këngë të ahengut tradicional qytetar.

Muzika në dasmat shqiptare sot

 Që  nga përfundimi i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , kur triumfoi liria dhe filloi demokratizimi i vendit, mbi trojet shqiptare filloi krejtësisht një frymëmarrje tjetër dhe një jetë krejtësisht ndryshe.
 Shumë gjëra ndryshuan, e bashkë me to ndryshuan edhe njerëzit dhe traditat tona zakonore të cilat janë ruajtur e kultivuar me xhelozi ndër shumë shekuj.
 Ndryshuan shumë edhe dasmat tona popullore e bashkë me to , ndryshoi dukshëm edhe muzika tradicionale popullore.
 Në dasmat popullore të vendbanimeve rurale, filloi të ndryshoi gjithçka në muzikën tradicionale, ku më nuk kultivohen ekskluzivisht këngët e vjetra tradicionale rapsodike, të përcjella kryesisht me çifteli e sharki. Grupet e vogla të muzikës folklorike , të cilat angazhohen për të muzikuar e kënduar nëpër dasma e ahengje të ndryshme, sikur kanë filluar të “modernizohen “, si për kah formacionet muzikore, si për kah mënyra e të kënduarit, si për kah veshja tradicionale kombëtare.
 Këngëtarët – rapsodët dasmorë , në repertorin e tyre tanimë mund të këndojnë këngë të lloj- llojshme, jo vetëm historike, epike, legjendare, patriotike, por edhe këngë lirike të dashurisë, këngë qytetare, madje edhe këngë që nuk kanë të bëjnë as pak me traditën tonë muzikore familjare e dasmore.
 Instrumentin tradicional kombëtarë – çiftelinë, tani më nuk e përdorin në shtimungun tradicional, por atë e kanë temperuar me perde gjysmë-tingujsh e cila më nuk e ka atë karakterin dhe ngjyrën e vet tingëlluese tradicionale. Këtë temperim të këtij instrumenti të lashtë tradicional e kanë bërë me qëllim që të mund t’ i përcjellin të gjitha meloditë e shkallës Dur dhe Mol dhe të inkorporohen në të gjitha shkallët muzikore.
Mirëpo, e vërteta është se çiftelia e temperuar me gjysmë-tinguj, më nuk tingëllon si çifteli shqiptare, por më tepër iu përngjet instrumenteve të huaja, si: primi hungarez, mandolina, buzuki grek, apo edhe solo – kitara.
 Në grupet instrumentale folklorike të dasmave dhe ahengjeve të ndryshme fshatare, përveç çiftelisë dhe sharkisë, tani mund të hasen kombinime  orkestracionesh të fabrikuara, si: violina, primi, fiz- harmonika, kitara akustike, uti, madje edhe sintisajzeri.
 Me kombinacione të këtilla instrumentale, grupet e ndryshme dasmore mëtojnë që t’ i këndojnë edhe këngët tradicionale rapsodike, edhe këngët lirike qytetare, por edhe t’i ekzekutojnë vallet popullore. Tendencat e këtilla, që janë gjithnjë e më prezente në jetën tonë muzikore, me këtë rast ua humbin ngjyrën dhe karakterin si këngëve të vjetra tradicionale rapsodike, ashtu edhe këngëve lirike qytetare.
 Edhe në dasmat e traditës qytetare, janë bërë ndryshime shumë të mëdha, si në zakonet e trashëguara, ashtu edhe në pjesën argëtuese muzikore. Në dasmat qytetare, sot mund të dëgjosh këngë e muzikë nga të gjitha vendet e botës, nga se më nuk i jepet rëndësi ruajtjes së vlerave tradicionale kombëtare dhe këngëtarët e muzikantët e sotshëm as që e dinë se çfarë janë duke kënduar, as luajtur në instrumentet muzikore.
 Muzikën e sotme dasmore e ka vërshuar shundi, kiçi, antivlerat, këngët e përkthyera dhe të adaptuara nga vendet e ndryshme, e mbi të gjitha, atë e ka kapluar stili i muzikës tradicionale rome, i quajtur “Tallava”.
 Në orkestrinat e sotme dasmore përdoren më shumë instrumentet sintetike, nga 2-3 sintisajzerë dhe një klarinetë, ose një saksofon. Përdorimi kaq i madh i sintisajzerëve nëpër dasmat dhe ahengjet tona, bëhet me qëllime të përfitimeve materiale sa më shumë, nga se me ta, mund të luaj vetëm një instrumentist. Ikja nga klarineta dhe kalimi në saksofon, nuk është asgjë tjetër, pos kalimi tek stili i muzikës tradicionale rome!
 Përveç instrumenteve sintetike, që po na e prishin ditë e më shumë muzikën dhe këngën tonë tradicionale, si për kah ngjyra tingëlluese, ashtu edhe për kah ana ritmike, nga se amatorët e thjeshtë që nuk e njohin muzikën dhe teknikën e sintisajzerit, ata e kurdisin vetëm ritmin 2/4, ose 4/4 dhe në atë ritëm bëjnë muzikë e këndim plot 24 orë, pa e ndërruar fare, që i ngjanë një treni të gjatë mbushur me vagonë e udhëtarë, i cili udhëton vetëm mbi një palë binare. Kur kemi parasysh begatinë ritmike të këngëve dhe valleve tona tradicionale, të cilat nuk mund të këndohen dhe interpretohen vetëm në këto ritme, atëherë rezultati përfundimtar do të na del, se ne i kemi shpallë luftë të hapur këngës dhe muzikës sonë tradicionale dhe dita me ditë po e varfërojmë atë begati të shenjt kombëtare!
 Nuk janë të rralla rastet, kur në dasmat tona angazhohet vetëm një sintisajzerist dhe një këngëtare. Kjo bëhet me qëllim të përfitimit sa më të madh material, por që dëmton deri në themel vlerat e këngës dhe valles sonë tradicionale.
 Fenomeni tjetër akut, që po ndikon në prishjen dhe humbjen e vlerave tradicionale muzikore , nëpër dasmat dhe ahengjet tona popullore, pa dyshim janë mjetet teknike të zërimit shumë të fuqishëm, të cilat përdorën për t’ u dëgjuar kënga dhe muzika sa më larg vendit të dasmës.
 Përdorimi i mikrofonave dhe teknikës së fuqishme të zërimit, ka bërë që këngëtarët dhe muzikantët egoistë , t’ i fusin në përdorim dhe program të ashtuquajturat:”Përshëndetje dhe urime të dasmorëve”, me qëllim të përfitimeve sa më të mëdha materiale dhe gjithnjë në dëm të këngës e valles popullore.
 Në rastet e këtilla, kur fillojnë të lexohen “Urimet dhe përshëndetjet e dasmorëve” nga ana e këngëtarëve – moderatorë, atëherë fillojnë garat dhe inatet në mesin e dasmorëve të pranishëm, se cili prej tyre do të porositë më shumë këngë dhe cili prej tyre do t’ u jep  më shumë para muzikantëve dhe këngëtarëve?!
 Si pasojë e kësaj dukurie primitive , që vjen nga etja e dikujt për t’u reklamuar sa më shumë para dasmorëve, duke iu përmendur emri me dhjetëra herë para mikrofonave, vjen deri tek bastardimi fatal i këngëve dhe valleve, këndimi i një kënge të njëjtë me dhjetëra herë brenda natës dhe neveritja e dasmorëve, të cilëve me pa të drejtë iu imponohet dëgjimi i këngëve bastarde dhe banale!
 Nisur nga këto rrethana të krijuara në muzikën e sotme dasmore në njërën anë dhe në anën tjetër,  për shkak të çmimeve astronomike me të cilat paguhen grupe, këngëtarë dhe orkestrina dasmore, të cilat pjesa dërmuese e popullatës që është në krizë të madhe ekonomike nga shkalla e lartë e pa punësisë, nuk është në mundësi që t’ i paguaj këta artistë me çmime të pa përballueshme, kohëve të fundit nëpër dasmat dhe ahengjet tona popullore, ka filluar me të madhe që të aplikohet metoda e muzikës elektronike automatike.

Muzika automatike elektronike

 Muzika automatike elektronike, iu shërben dasmorëve me anë të teknikës së zërimit, ku këngët dhe vallet transmetohen përmes kompakt – disqeve dhe kompjuterit, ashtu si që i kërkojnë dasmorët. Me tërë këtë teknikë të muzikës automatike, mund të punojë vetëm një njeri – teknik, që e njeh mirë kompjuterin dhe ai paguhet shumë më lirë se sa grupet e gjalla muzikore.
 Përparësia e muzikës automatike nëpër dasmat dhe ahengjet tona popullore, është se përmes kësaj teknike, mund të dëgjohen këngëtarët më të preferuar, këngët më të preferuara dhe vallet më të preferuara.
 Pra, duke i falënderuar teknikës dhe kohës së kompjuterizimit, këngëtarët dhe grupet e gjalla muzikore dalë nga dalë do të largohen nga dasmat dhe do të pensionohen para kohe !
 Tendencat e këtilla, ndonëse janë më praktike, më të sigurta dhe më të kapshme për xhepin e popullit, do të ndikojnë dukshëm negativisht në ruajtjen e vlerave dhe kultivimin e trashëgimisë sonë tradicionale muzikore!



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora