E premte, 19.04.2024, 02:58 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shevki Sh. Voca: Natë e ethshme në Mitrovicë

E merkure, 18.02.2009, 08:58 PM


Shevki Sh. Voca
Shevki Sh. Voca
NATË E ETHSHME NË MITROVICË

NGA FAQET E LIBRIT TË OGIST BOP:  “ME QEVERINË SERBE PREJ NISHI DERI NË KORFUZË (20 TETOR 1915 - 19 JANAR 1916)

Nga Shevki Sh. VOCA
   
Kështu titullohet libri i shkruar nga diplomati francez Ogist Bop, i cili sipas asaj që mund të vërejmë nga shënimet e tij në këtë libër, kishte qenë në misionin e përfaqësuesit diplomatik në Serbi. Por me shpërthimin e Luftës Parë Botërore dhe depërtimet çdo herë e më tepër të ushtrisë austro-hungareze dhe gjermane në njërën anë dhe asaj bullgare në anë tjetër në territoret e Serbisë, Qeveria Serbe me gjithë Komandën Supreme të saj që kishte më tepër se 120 anëtarë në përcjellje të një numri të madh të ushtarëve morën rrugën e largimit në drejtim të vendeve jugore. Me ta kishte edhe grupe qytetarësh me familje, të cilët zhvendoseshin nga një vend në tjetrën. Ndërkaq që bashkë me ta largoheshin edhe përfaqësuesit e forcave aleate siç ishin për shembull, diplomatët nga Italia, Franca, Anglia, Rusia etj., me gjithë një numër të madh të ekipeve të huaja mjekësore.
    Diplomati frëng në këtë libër përshkruan përjetimet dhe ngjarjet e ndryshme të cilat e kishin përcjell gjatë tërë kësaj kohe, duke kaluar nëpër vende dhe vise të ndryshme që nga Nishi, Kraleva, Rashka, Mitrovica, Lipjani, Prizreni, Gjakova dhe Manastiri i Deçanit, Peja, dhe Gryka e Bistricës kah përroi i hanit të Belushit, Çakori, Andijevica e  Podgorica, Shkodra, Brindisi (Italisë) dhe në fund në Korfuz (Greqisë). Gjatë këtyre udhëtimeve ata kishin pushuar diku më shumë e diku më pak, që sipas shënimeve të tija kjo ishte varur nga komanda e cila dirigjohej nga udhëheqësit  e Qeverisë Serbe.  
     Shënimet në këtë libër autori i ka nda në XVI kapituj, të cilat mbajnë emrat e viseve të kaluara që cekëm më lartë, ndërkaq që libri është i formatit të vogël dhe ka gjithsejtë 110 faqe. Libri është botuar në Gjenevë, në vitin 1918.      
    Nga ai libër shkëputëm vetëm fragmentin që ka të bëjë me kapërcimin nëpër Mitrovicë të gjithë asaj mase në ikje, e ushtarëve dhe diplomatëve të huaj, që mbanin aleancë me qeverinë e atëhershme serbe.  

IV 
MITROVICA

  
     Një kazermë e madhe, ende e lyer me ngjyrë të verdh sikurse në kohën e Turqisë, dhe një konak i madh,  pranë së cilës ngritët një minare, që së bashku e pushtojnë majën e  bregut në të cilën, në mesin e një lugine që e ndanë lumin Ibër me të cilën bashkohet (derdhet) edhe Sitnica, shtrihet Mitrovica. Kundruall saj, në një shkëmb të vetmuar, janë gërmadhat e kështjellës legjendare të Zveçanit, në të cilën në rrethana misterioze ka përfunduar Stevan Deqanski, babai i car Dushanit.  
    Tregu është shumë i gjallë, rrugët janë plotë me njerëz; qyteti dukej sikur të ishte situata krejtësisht normale. Mitrovica është e qetë, derisa e tërë Serbia është e shqetësuar;
fëmijët vrapojnë para shtëpive të tyre: vajzat me shallvare të gjera, me jelekët laramane të lidhura për këmisha, prapa shpine me bishta flokësh të holla dhe të lyera me kon, në të cilën  është e thurur hajmalia e verdh që shërben kundër magjive; djemtë e vegjël syhapur, me papuçe të gjera në këmbë, luajnë me top ose i tërheqin me pe të hollë balonat e tyre (dragoit  e mbaruara nga letra të ngjyrosura, SH. V.). Serbia është e shqetësuar,
ndërsa në Mitrovicë arnauti, ulur këmbëkryq në bankën e dyqanit të tij duke i ngre kokrrat e tespiheve shikon kalimin e diplomatëve të huaj. Ai nuk çuditet; me gjak ftohtësi do të vështrojë edhe ardhjen e një grumbulli të madh të refugjatëve, të ushtarëve, dhe të qeveritarëve, në mënyrë të njëjtë ai do t’i shikojë edhe kur të shkojnë. Ashtu qenka  shkruar!
    Kishim dëshirë, që para se të bie terri, të kalojmë nëpër të gjitha këto mëhalla piktoreske të Mitrovicës: shikimet tona këtu po përqendrohen në grumbullin e madh të shtëpive me mushama të vjetra nëpër dritare, me kulme dhe me nën strehët e lyera me ngjyra të çelura; atje na tërheq vëmendjen një minare; xhamia e vogël, me shtëpi të vjetra për rreth, midis të një rrëmbe të Ibrit që ta qonte mallin e një ishulli mistik, së cilës i afrohesh nëpër mes një ure të lëkundshme të ndërtuar prej druri, skela e së cilës kishte marrë një formë konvekse. Dita kalon shumë shpejtë dhe gati se na vinte keq, që për kohën e darkës, shkuam në domin e oficerëve, të cilën qeveritarët na kishin përgatitur për vend takim; aty e gjetëm tërë korin diplomatik me të cilët ishim ndarë në Kralevë dhe të cilët duke mbajt shpresa i pritnin ngjarjet në Mitrovicë.
    Kaluan dy ditë derisa nga Rashka na lajmëruan se po arin valët me refugjatë; atëherë Mitrovicën e vërshuan lëvizjet nga Serbia. Rrugicat e ngushta të qytetit nga ora në orë
mbusheshin, trenat ishin ndalur, nga konaku i vjetër, e cila ishte bërë nënprefekturë, dhe nga kazerma, e cila vazhdimisht ishte me atashetë ushtarak, dhe ku pa ndërprerë shkonin
grumbuj ushtarë të zymtë me armë dhe pa to, regrut, refugjatë dhe të huaj të cilët i sillte një shpërngulje e përgjithshme. Kazerma aq e madhe u mbush; objektet publike
gjithashtu u mbushën; çdo kush strehohej në mesin e banorëve nëse gjente ndonjë vend qofshin ata mysliman apo të krishterë, serb, shqiptar apo turk. Binte një shi e akullt; ishin të kënaqur nëse mund të gjenin një strehë ku do ta kalonin natën. Nëpër kafehane, që zakonisht gjatë ditës janë të mbushura, me të perënduar dielli strehohen ata të cilët nuk kanë arit të gjejnë vend  askund, ndërsa shumica detyroheshin të qëndrojnë para dyerve të shtëpive dhe të shtrihen mbi palltot e veta. Restoranti Bristol, në të cilën Ministria e Punëve të Jashtme e kishte përgatitë trapezarinë për diplomat nuk ishe e mjaftueshme që t,i zë oficerët e njësive angleze, franceze, ruse, anëtarët e misionarëve mjek të huaj, infermieret të cilat vinin që të gjejnë diçka nga ushqimi, e cila çdo ditë e më tepër kursehej dhe shitej më shtrenjtë.
     Lufta për bukë kishte filluar, miell nuk kishte. Organet e pushtetit, më nuk ishin në gjendje të furnizonin ushtarët dhe refugjatët. Mungesa e parave të imta edhe më tepër e vështirësonte dhe keqësonte gjendjen, sidoqoftë situata ishte e rëndë; paraja rrjedhëse serbe prej dhjetë dinarëve, nuk ndërrohej më; monedha e arrit prej njëzet dinarëve, vlera e së cilës sillej prej tridhjetë e gjashtë, dyzet, dhe dyzet e dy dinarë, nuk e joshte askënd; ai i cili kishte para të argjendit nuk donte me i heq; sepse i nevojitej për blerje të përditshme, blerjen të cilën, në të vërtet, duhet ta mbrojtur nga lakmia dhe varësia e kalimtarëve; nuk mjaftonte që të blesh ndonjë ve, pulë, apo bukë, sepse të gjitha  këto duhesh t’i sjellësh në shtëpi: kushdo qoftë që barte diçka nga ushqimi, menjëherë e rrethonin duke e pyetur: “Ku i ke blerë këto? Sa i ke paguar?” Njerëzit janë kureshtar të dinë seku mund t’i gjejnë këto gjëra të rralla për të cilat kanë aq shumë nevojë; të tjerët gjithashtu përcjellin njeriun fatlum, disi sikur t’i shtynte një shkas e pa rezistueshme.

    Rrugët janë të uritura; ushtarët ku shohin lakra të grumbulluar, ndalen: shikojnë një kohë të gjatë dhe heshtin. Shitësi shqiptar për një çast nuk është mjaft i kujdesshëm; njëri nga ushtarët e rrëmben një lakër dhe me shpejtësi të madhe ikë: edhe një tjetër po ashtu vepron; i treti e ngrit një lakër që kishte ra në një lloç para tij dhe duke ia pastruar fletët e përlloçur fillon ta ha, këtij as që i shkonte mendja të ikë. Por, shitësi vërejti se çka bënin ushtarët, dhe, duke e ngrit zërin nga larg atyre dy të parëve që ishin larguar, të tretit ia merr lakrën  dhe e gjuan në grumbullin ku ishin lakrat tjera, ndërsa ushtari i mërzitur pa bërë fjalë dhe  zhurmë, largohet; kishin kaluar disa ditë që nuk kishte ngrënë asgjë: a thua kur do të ha?
   Rruga ishte e frekuentuar. Grumbuj refugjatësh pa ndier lodhje, dhe pa ndonjë cak enden andej e këndej. Pyesin dhe kërkojnë njëri tjetrin, duke vënë re për krejt atë çka po flitet; qoftë për të mirë, qoftë për të keq. Në fytyrat e këtyre njerëzve vërehen shqetësimet të cilët i mundon pa siguria e ditës së nesërme. Ata ndiejnë se nuk do të qëndrojnë gjatë në Mitrovicë; Por a thua kur do të detyrohen të udhëtojnë? Dhe ku do të shkojnë? A do të kalojnë kah Peja në Malin e Zi, apo kah Prizreni në Manastir (Bitol)?                
    Aleatët e huaj vazhdimisht vëzhgohen. Më në fund, edhe ata vetë bëhen gati për rrugë. Nëpër dyqane dhe Pazar mund t’i shofsh  vetëm diplomatët, të cilët furnizoheshin për një udhëtim karvanësh e cila i priste; njëri blinte shalë turke, tjetri blenë veshje të ngathëta të përpunuara në Amerikë për ushtrinë serbe, një tjetër çorape të trasha shqiptare, ai tjetri  merë maramën dhe tenton të mësohet për ta pështjellur rreth kokës, që të mbrohet nga bora dhe të ftohtit; ndërsa të gjithëve u japin mantele plastike të gjata, me të cilat i furnizonte një kooperativë e oficerëve, i shpërngulur nga Shkupi në Mitrovicë.                                                                
   Njësiti i artilerisë detare Franceze nga Beogradi, veç ishte nisur nëpër Ferizaj për Prizren dhe Manastir; me ta ishin nisur marinarët rus dhe anglez, personalët e spitalit Rus si dhe grupi i parë i korit diplomatik.
   Duke kaluar nëpër Mitrovicë pa u ndalur askund, bashkëshortet e ministrave serb me automjete shkuan nëpër rrugën e njëjtë.
   Në të vërtet në Rashkë  është paraqitë një situatë shumë e rëndë; ushtria ishte tërhequr në luginën e Ibrit, ndërsa Austriakët kah Ivanica kishin pushtuar vendet strategjike që ishte shumë rrezik. Disa nga oficerët e gjeneral shtabit kishin filluar të humbin besimin, sikur në vitin 1914, gjatë kohës së tërheqjes. Në njërën nga konsultimet, e mbajtura me 5 nëntor, në pranin e Regjentit, dhe në të cilën merrnin pjesë edhe komandantët e armatës, u shkëmbyen fjalë të ashpra. Fajësimet ishin çdo herë e më të shpeshta, sa që  zmbrapsjet e shpeshta me vete tërhiqnin mundime edhe më të mëdha.
   Shumë serb filluan të ankohen në aleatët e tyre, dhe përgjatë rrugës, me borë e lloç, në ecje e sipër pilotët tanë, mjekët tanë, duke i humbur bagazhet e tyre dhe duke ra në një zmbrapsje të përgjithshme, i dëgjonin këto ankesa; për fat të keq oficerët, nëpunësit, dhe qytetarët prej një nervoze që dominonte në këto çaste mbi ta, e flisnin edhe atë që nuk e mendonin, pa dyshim duke mos i njohur të gjitha nuancat e gjuhës frënge.
   Serbët e mjerë! Me të parë gjithë ato mundime dhe shkatërrimet e tyre në këtë gjendje, ata kërkonin falje shpirtërore. Vuajtjet e tyre zgjatën edhe me javë të tëra, por këta deri sa ishin në Shkodër, Franca u dërgonte miell dhe peksimete sa të mos vdesin nga uria; Ajo (Franca) me transportin që ua siguroi në Shqipëri, arriti që t’ua shpëtoi ushtrinë nga robërimi austro-bullgar. Tani tek ata (Serbët) mërzia filloi të harrohet.
   Por, aq orë të hidhura dhe të kaluara ashtu në Mitrovicë, e sidomos në rastet kur as nga Selaniku dhe as nga Parisi nuk u lejonin Serbeve të dinë dhe të informohen se në të vërtet ç’farë është qëndrimi i aleatëve ndaj tyre, e sidomos ajo e Francës! E vërteta u kuptua, më 2, nëntor, kur për Kryeministër dhe Ministër për Punë të Jashtme ishte zgjedhur z. Brijan, në vendi të z. Vivijanit i cili, deri para disa dite kishte zëvendësuar z. Delkasin si Ministër i Punëve të Jashtme; por shtrohej pyetja se çfarë ndryshimesh do të sjellin këta ndërrime të personaliteteve në politikën e jashtme të qeverisë Franceze? Se çfarë ndikimi do të ketë ajo nga shikimi i intervenimit tonë në Ballkan dhe pranisë së trupave tona në Selanik? Në këtë pikëpamje mos informimi në të cilën gjendeshim, na vinte më së vështiri.
   Ndërkaq që nga ora në orë gjendja çdoherë e më tepër vetëm keqësohej: Mitrovica në të njëjtën kohë tmerrohej edhe nga Austriakët edhe nga Shqiptarët, të cilët hynin nga lugina e Ibrit, Austriakët që vinin nga Novi Pazari, dhe Bullgarët që sulmonin nga Gryka e Kaçanikut të cilët qysh para disa dite rreth e rrotull kishin bërë vëzhgime. Dukej se qëndrimi i kohë zgjatjes tonë në Mitrovicë veç sa e më shumë na rrezikonte që tu bimë në duart e armiqve: të gjithë ia shihnin për të madhe Qeverisë pse aq shumë po vonohen në Rashkë.
    Më në fund në mbrëmje vonë në ora 24 z. Pashiqi dhe ministrat e tij arritën në Mitrovicë, atyre iu kishte bashkangjitur edhe Komanda Supreme. Mbas dite në ora 15
arriti edhe Regjenti. Kjo ditë kaloi me një pasiguri; asgjë nuk dihej nga burimet, ndërsa çdo gjë ishte në shqetësim: ndjehej se diç po ndodhë. Para, si dhe pas darke, ndihmësi i Ministrit të Punëve të Jashtme pohonte se nuk kishte marrë kurrfarë lajme të reja për situatën ushtarake, por çuditej pse z. Pashiqi ende nuk ishte kthyer nga kryesia ku
kishte shkuar që të këshillohej me Regjentin dhe Komandën Supreme. Çdo kush shkoi në strehimoren (banesën) e vetë. Në mbrëmje rreth orës nëntë e tridhjetë minuta, atasheu ushtarak pranë Legatës, furishëm hyri në dhomën time dhe më tha: <<Menjëherë duhet të nisemi! Bullgarët i kanë marrë pozitat e Gjilanit; nuk guxojmë të humbim kohë; ata mund ta kontrollojnë Grykën e Kaçanikut. Komanda Supreme nisej nesër në mëngjez: misionarët tanë sonte do të përgatiten, që nesër në agim të nisemi për Prizren. Për juve kemi siguruar një vend në automobilin e kolonelit Furnije>>. Por të shkojë e mos të kuvendojë me kolegët, për ndonjë informim rreth çështjes së përgatitjes së Qeverisë, nuk ishte e mundshme. Dhe natën me fener në dorë nëpër ato rrugë të shkretuara, shkova tek ndihmësi i Ministritë të Punëve të Jashtme. Para dyerve të tij e takova kolegun tim rus, të cilin atasheu ushtarak i tij e kishte informuar për situatën. Ndihmës ministri i punëve të jashtme ishte tërheq në dhomën e vet; ne e lutëm që të del jashtë; ai nuk dinte asgjë; nuk ishte parë me askënd, por çuditej pse z. Pashiqi assesi nuk lajmërohej. Me insistimet tona ai urdhëroi që të kërkohet Kryeministri, në çka shpejtë na lajmëruan se z. Pashiqi kishte shkuar nga kryesia dhe së shpejti do të vi. Në ora njëmbëdhjetë e tridhjetë minuta (23e30’), ai u lajmërua, dukej shumë i zbehur, nga brengosja i dridheshin duart; sikur t’i vinte vështirë të flasë, duke na zgjatur dorën, ai vetëm na tha: <<Bullgarët e kanë pushtuar Gjilanin; gjithsesi duhet të shkojmë; nesër, në ora tetë të mëngjesit, të jeni te stacioni; me një tren të veçantë do të shkojmë bashkë me Komandën Supreme në Lipjan, prej aty me automobil do të vazhdojmë për në Prizren. Me ton të ulët por shumë serioz ai edhe njëherë na përsëriti këto fjalë: “Duhet të shkojmë”. Për këtë çështje ne menjëherë i informuam kolegët, dhe gati tërë natën e kaluam duke u përgatitur.     
   Stacioni është 15 minuta nga Mitrovica; rruga e përbaltur kishte ngujuar rendin e qereve të cilat bartnin materiale, të plagosurit, të sëmurit, dhe trupat ushtarake në mesin e të cilëve e përshëndetëm një grup të pilotëve francez të cilët kishin kaluar etapa të rënda dhe të mundimshme. Në stacion kishte fare pak rend: ushtarët dhe qytetarët hipnin në vagoneta kush ku mundej...Një pas një vinin në grumbuj përfaqësuesit e Aleatëve dhe anëtarët e Qeverisë. Ata të mërzitur po përshëndeten dhe po presin; për deri sa orët kalonin; më në fund dy vagoneta të klasit dytë, të përgatitur për trenin zyrtar u siguruan; në njërën hipi vojvoda Putniku dhe oficerët e Komandës Supreme; ndërsa në tjetrën Z. Pashiqi, kolegët e tij, përfaqësuesit e Aleatëve dhe disa zyrtar të Ministrisë Punëve të Jashtme. Treni filloi ngadalë të nisej. Askush nuk kishte vullnet për të biseduar. Shikojmë se si gjatë rrugës, e cila gjendej pranë hekurudhës, kalojnë automobilat, kamionët, dhe qerret; shpesh tërë  kolona ndalej: një qerre kishte ngec në baltë, dhe të tjerat pas saj u detyruan të ndalen. Nga larg e njohim automobilin e princit, dhe automobilin e atasheve ushtarake. Në të gjitha anët nëpër livadhe shohim çetat me kuaj, ushtar, dhe refugjatë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora