E enjte, 25.04.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Mendime

Henri Çili: "Dosjet", të gjithë të humbur

E marte, 17.02.2009, 07:36 PM


Henri Çili
Henri Çili
"Dosjet", të gjithë të humbur

Nga Henri ÇILI

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse i lehtësoi të gjithë nga pikëpamja e ngërçit që kishte krijuar për veprimtarinë e secilit aktor në këtë çështje, nuk do të thotë automatikisht se i nxori të gjithë të fituar. Përkundrazi, të gjithë mund të thuhet se dalin të humbur nga kjo zgjidhje që i ngjan një mos-zgjedhje.I humburi i parë nga kjo betejë është Sali Berisha, kryeministri i vendit, i cili për shkak të vendosjes së një ligji moralisht të drejtë, moralisht të mbështetur fort, në një kontekst krejt të gabuar krijoi një front të gjerë kundër këtij ligji, ku secili kishte motive krejt të ndryshme nga të tjerët, por që në instancë të fundit, nga të gjithë bashkë mbetet një dhe vetëm një gjë: janë kundër këtij ligji. Konteksti politik ku gjendet sot kryeministri Sali Berisha, me problemet e ministrave të tij me drejtësinë, e zhvendosi peshën e këtij ligji vetëm tek pjesa e gjyqësorit dhe e mori me vete këtë ligj, megjithëse në tërësi ai është një ligj i pakundërshtueshëm për thelbin e tij.  I humburi i dytë është opozita shqiptare e Edi Ramës, e cila me pleksjen në një të interesave elektorale të momentit dhe përfaqësimit të trashëgimisë të së kaluarës së Partisë së Punës, nuk i dha të majtës institucionale shqiptare një shans për shkëputje dhe për një moral të ri publik pa lidhje më me të kaluarën.
I humburi i tretë është sistemi i drejtësisë, në mes të morisë së problemeve që ka, humbi edhe një rast të madh për të hequr nga trupa e vet atë pjesë që vjen nga jurisprudenca komuniste e përzier me krimet e së kaluarës. Të humbur janë zgjedhësit shqiptarë, të cilët do të kishin rast me aplikimin e këtij ligji të mund të kishin një zgjedhje më të qartë, më transparente, pa hijet e së kaluarës në zgjedhjet e ardhshme apo në ndërtimin e administratës së re të lartë të pas zgjedhjeve të 28 korrikut.
Të humbur janë ndërkombëtarët me autoritetin e tyre në opinionin publik shqiptarë, të cilët nuk janë të gatshëm t'u njohin disa qytetarëve të botës që banojnë në Shqipëri jo të gjitha të drejtat dhe standardet e botës së qytetëruar për të zgjedhurit, të emëruarit apo për gjykatësit e tyre. Legjitimiteti i madh që partnerët ndërkombëtarë kanë në sytë e popullit shqiptar për ndihmën e madhe që ata i kanë dhënë këtij vendi, kësaj radhe nuk i shërbeu dot arritjes së një standardi të ri moral që ky ligj tentonte të vendoste. Të humbur, së fundi, nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese janë të gjithë ata qytetarë të lirë të këtij vendi, pa lidhjet me të kaluarën, por dhe pa pasionin e pushtetit të sotëm kundër palës tjetër, të cilët humbën shansin të kishin një gjyqësor me moral më të shëndoshë, lista deputetësh me biografi më transparente dhe një administratë të lartë publike me një moral tjetër në raport me të kaluarën. Të lehtësuar janë shumë nga vendimi i djeshëm, i fituar nuk është asnjë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora