E premte, 19.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Pirro Çako

E shtune, 19.08.2006, 05:05 PM


Pirro Çako

Pirro Çako lindi në Tiranë në një familje artistësh. Të dy prindërit e tij ishin këngëtarë, Gaqo dhe Luiza Çako, njëri tenor dhe tjetra soprano. Ambjenti artistik familjar krioji traditën që ndoqi më pas dhe Pirro... Por ai kish vendosur ndryshe, ëndrra e tij ish të bëhej kompozitor e të shkruante muzikë për të prekur zemrat e mijëra njerëzve, ti bënte ata të gjenin në këtë muzikë një ngjarje apo episod të jetës. Njohuritë e para muzikore i merr në moshen 6-vjeçare, duke ndjekur degën e pianos pranë shkollës "Kongresi i Përmetit", me mesuese Lali Gabecin. Në moshën 9 vjeçare ndjek kursin e parë të kompozicionit që u hap në Pallatin e Pionerëve ne Tiranë, me inisiativen e kritikut të njohur të muzikës Spiro Kalemi. Me përfundimin e shkollës 8 vjeçare në degën e pianos Pirro vazhdon studimet në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë, në degën e kantos, pasi prindërit aspironin që të bëhej një pasardhës i tyre në këtë fushë. Studimet në lice, të cilat zgjatën 4 vjet, ridimensionuan formimin e tij artistik të deri atëhershëm.

Pas një përgatitje dy vjeçare me kompozitorin Aritistin e Popullit Çesk Zadeja për degën e kompozicionit dhe nga ana tjetër me Artistin e Popullit dirigjentin Rifat Tejqa në degën e dirigjimit, ju dha e drejta për të ndjekur Akademinë e Arteve në degën e dirigjimit, të cilën Pirro e kreu me sukses. Me mbarimin e studimeve të larta emërohet në Radio Tirana, ku për 5 vjet me rradhë punon si redaktor muzikë në programin e dytë. Por ëndrra e tij ishte të shkruante muzikë, prandaj, duke përfituar edhe nga pozicioni i favorshëm ku punonte, fillon të shkruajë këngët e para në anketat muzikore të festivaleve për pionierë. Puna e tij krijuese jep frytet e saj hap pas hapi derisa në vitin ’88 Pirro Çako merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe është fitues me këngën "E duam lumturinë". Do të pasojnë me rradhë Fest ’89 me këngën "Jemi zemrat e çdo moshe", si fitues i çmimit të dytë; Fest ’90 me këngën "Veç një herë jetojmë", fituese e çmimit të tretë dhe Fest ’91 me këngën "Horoskop ’92", gjithashtu fituese e çmimit të tretë.

Karriera e tij premtuese ndërpritet nga erërerat e forta të tranzicionit dhe ai, si mijëra bashkëatdhetarë, largohet nga Shqipëria drejt përëndimit, për një jetë aq të ëndërruar dhe të panjohur, për tu vendosur në Paris. Me kalimin e viteve fillon të ndjejë mungesën e publikut shqiptar dhe bën një tentativë të parë për tu rikthyer në Dhjetorin e vitin ’94 ku merr pjesë në Festivalin e RTSH me këngën "Një tren drejt lindjes". Por situata në Shqipëri nuk premtonte, kështu që, me përmbushjen e kësaj dëshire që kish munguar prej kohësh, rikthehet në Paris pa ndonjë ide të qartë mbi të ardhmen.

Viti ’95 për Pirron nuk ishte si gjithë të tjerët. Për herë të parë bëhet baba dhe dëshira për ti qëndruar afër të birit, Anthony, dhe Invës, e cila ndërkohe kishte filluar të hidhte hapa gjigandë ne karrierën e saj, e detyrojnë për disa vite të qëndrojë larg jetës artistike shqiptare. Gjatë kësaj kohe njihet më mirë me muzikën variete franceze dhe e finalizon atë me marrjen e diplomës në "Ecole Normale de Musique de Paris / Alfred Cortot" në degën e kompozicionit për muzikë filmi. Kjo kurorëzon dhe pasionin e tij për kompozicionin.

Ana tjetër e pasionit mbetej muzika e bukur dhe publiku që i mungonte gjithnjë e më shumë. Pas një periudhe 7 vjeçare, Pirro vendos të rikthehet jo si turist, por kësaj rradhë si kantautor, ëndrra që e kishte tunduar gjatë gjithë jetës. Ideja se ishte djali i një këngëtari të madh dhe bashkëshorti i një sopranoje po aq të talentuar e kishin vënë përpara një përgjegjësie artistike. Do të shfaqej dhe ai si këngëtar një ditë vallë?. Ëndrra u bë realitet në Tetor të vitit 2000, kur Pirro Çako bashkë me Rovena Dilon fitojnë çmimin e parë në Festivalin e Kënges Magjike në interpretimin e këngës "Për një çast më ndali zemra". Kjo i dha besimin në vetvete dhe hapi portat për të vazhduar karrierën si kantautor. Po atë vit ai fiton çmimin e tretë në Festivalin e 40 në RTSH me këngën "Antinostradamus", por kësaj rradhë vetëm si kompozitor.

Një vit më vonë së bashku me Redon Makashin është fitues i çmimit të tretë me këngën "Falja njërit dashurinë" në Festivalin e Kënges Magjike, ndërsa në vitin 2003 kënga "Unë ai, Ti ajo" fiton çmimin e kantautorit më të mirë po në këtë festival.

Në Qershor 2004 publikon albumin e tij të parë të titulluar "Herët a vonë". Brenda tij gjenden 15 këngët më të mira që ka kompozuar e kënduar që nga pranvera e vitit 2000, ku pjesa më e madhe e tyre do të dëgjohen për herë të parë nga publiku shqiptar. Në projektet e tij pas albumit zë vend kompozimi i një komedie muzikale që do të ishte një eksperiencë e re si për autorin ashtu edhe për auditorin shqiptar.

Website: www.PirroCako.com

REVOLUCIONI ALLA PIRRO

Klaudeta SKENDERASI - Jeta

Nuk do të krahasohet me famën e së shoqes. As të njihet si djali i Gaqos dhe i Luiza Çakos. Ka lënë pas krahëve kohën e sakrificave dhe fatit të mbrapshtë. Me albumin më të fundit dëshmon se është në momentin e tij më të mire. Nuk mund ta quash aspak rebelim dhe as ngritje kryesh inatçore albumin e fundit të kantautorit Pirro Çako. E megjithatë, ndonëse kënga kryesore nga merr emrin albumi “Mos më krahaso”, - me poezi të Teodor Kekos –është një këngë dashurie, e ka mesazhin brenda. Një mesazh shumë të fortë, të cilin ai ka ndjerë se tashmë është koha për ta nxjerrë jashtë vetes. Sepse Pirro Çako kurrsesi nuk do mjaftohej vetëm me përzgjedhjen disa poezive të bukura, një baze muzikore dhe një ritmi që të bën ta ndjesh muzikën e tij. Jo! Arti i tij duhet që mbi të gjitha të ketë brenda vetes atë që ai kërkon t’u thotë të tjerëve. Një mesazh që qëndron i fshehur, por që nuk është edhe shumë i vështirë për t’u perceptuar. Kështu ndodhi edhe me albumin e tij të parë “Herët a vonë”. Ndonëse të gjithë e dinë që ky album mban titullin e një kënge të shoqëruar me një videoklip, në të cilin Pirro rend pas një vajze të bukur, në të vërtetë kërkon të shprehë atë që kishte ndodhur me të: herët apo vonë ishte kthyer. Siç kishte premtuar në një tjetër mesazh –i tretur si gjithmonë në një këngë, të cilën ai e këndoi bashkë me të atin në skenën e Pallatit të Kongreseve: “Unë do vij, do vij patjetër...”. Herët a vonë, ai e mbajti premtimin, veçse me shumë takt. U mundua të vinte shumë gradualisht. Në fillim me një duet me Rovena Dilon, -duet që e mbajti gjatë frymën e publikut, duke u kthyer në një këngë hit - pastaj
me një këngë tjetër, në një festival tjetër, me një duet tjetër, derisa publiku u përgatit mirë me kthimin e tij të ngadaltë dhe u bë gati për të pritur një album.

Pirro e dinte që kjo ishte rruga nga do të kalonte. Nuk do të kishte pasur kurrë sukses nëse do të kthehej ashtu njëherësh me një album dhe kaq. E dinte se në këtë mënyrë nuk të arrinte kurrë të tërhiqte vëmendjen. I kishte bërë mirë llogaritë. Që atëherë kur ndjeu si kishte ardhur koha ta lidhte fillin atje ku u këput. Dhe në fakt filli ishte këputur shumë vite më parë, kur si sapo kishe filluar të ndjente shijen e të qenit i njohur, i suksesshëm. Dhe prova më e fundit që ia kishte garantuar edhe më mirë suksesin ishte çmimi I parë në Festivalin e Këngës në RTVSH, “E duam lumturinë”, këngë që e këndoi Parashqevi Simaku dhe një grup fëmijësh dhe pati atë sukses që dihet. Por fill pas kësaj do të vinte një kohë tjetër, andej nga viti 1991, kur Pirro Çako për herë të parë do ta ndjente veten vërtet humbës. Sepse me një largim të pashmangshëm dhe të diktuar nga kushtet, kishte vulosur hë për hë harrimin e emrit të tij në skenat e shqiptare dhe përpjekjet e një jete përsëdyti bashkë me vështirësitë që e prisnin. Por kurrsesi harrimin nga muzika, nuk e kishte menduar asnjëherë, edhe pse pa i kaluar kufijtë e Francës për një kohë shumë të gjatë. Për vite të tëra përgatiti në heshtje kthimin e tij. Dhe plani do të ishte aq i detajuar, sa nuk kishte asnjë përqind mundësi që të mos funksiononte.

Ai e dinte mirë se tashmë pas kaq vitesh emri i tij do të ishte harruar nga publiku shqiptar. Do të ishin shumë pak ata që do ta kujtonin muzikën e tij të para viteve ’90, një muzikë që tani vetë Pirro e quan të paditur dhe të krijuar me intuitëdhe një publik i ri që nuk e kishte njohur kurrë. Mënyrë më të mirë sesa promovimi përmes të tjerëve nuk mund të kishte. Prandaj edhe këngën “Për një çast më ndali zemra” do ta këndonte me Rovena Dilon. Sepse kështu nuk do të vinte krejt i panjohur dhe shfaqja e tij në publik do të ishte më e butë. Prandaj do të shfaqej më vonë me një tjetër duet me Redon Makashin, pastaj edhe me Inva Mulën. Sepse vetëm kështu do të përgatiste terrenin për të hyrë fort në tregun muzikor të çoroditur shqiptar. Dhe vetëm pasi të ishte bindur se kishte kthyer vëmendjen mjaftueshëm pas vetes, do të vinte albumi i parë, shoqëruar me një videoklip he shumë shpejt edhe me një të dytë. Pirro Çako nuk ishte më ai i panjohuri si shumë të tjerë që vinte nga përtej kufijve dhe donte të bëhej këngëtar dhe kantautor. Ai ishte i tillë ë në krye të herës dhe ky ishte vetëm një rikthim. Rruga ishte hapur dhe suksesi i albumit “Herët a vonë” tregoi se plani kishte funksionuar. Ai e kishte parashikuar këtë. Koha e të ndjerit humbës kishte filluar të perëndonte për Pirron.

E nëse ndokush kishte menduar se ky ishte thjesht një album, ca këngë, ca videoklipe, ca dalje në skenë dhe kaq, se Pirro Çako u largua sërish si shumë të tjerë, për të mos u kthyer më, kanë gabuar. Sigurisht që për të ky ishte vetëm fillimi. Ai as që kishte ndër mend të zhdukej kur sapo ishte shfaqur. Përderisa shijoi suksesin që i fali albumi i parë, patjetër që do të vazhdonte ta vinte në jetë planin e tij. Kishte akoma edhe më shumë për të treguar, sepse akulli sapo ishte thyer, duhej edhe më shumë akoma që të shkrinte plotësisht.

Pas hedhjes se një albumi në treg, pas nënshkrimit të një kontrate të heshtur me publikun, që tashmë e njohu dhe mirëpriti, dhe për t’i lënë kohën që i duhet një albumi për të depërtuar deri në fund, Pirro duhej të tërhiqej përsëri, ndonëse jo tërësisht. Por i duhej të largohej sërish drejt Francës për të vënë në jetë pjesën e dytë të planit të tij, ërsëri në heshtje. Pika tjetër ishte një album i ri. Veçse kësaj radhe me një ndryshim shumë të madh. Gjërat ishin shumë të thjeshta, ai ishte më i pjekur dhe nuk i duhej të errte në sy riskun se si do të pritej, sepse ky album me siguri që do të ishte rezultat i të parit. Veçse me shumë shumë ndryshime që në konceptim. Që në ngjizjen e tij Pirro e dinte që ky album kërkonte më shumë vëmendje dhe një formulë tjetër, sepse tashmë çdo gjë ishte ndryshe, dhe Pirros nuk i duhej të tërhiqte nga pas asnjë mëdyshje. Porse që në fillim e ka konceptuar gjithçka si një mesazh shumë filozofik, që gjithsesi do të vazhdojë dhe kësaj radhe të qëndrojë i fshehur pas linjës së dashurisë, sepse kështu perceptohet më thjesht. I është dashur të endet mes mijëra poezive për të gjetur atë që kërkonte, dhe ajo që kërkonte nuk kishte asnjë pikë takimi me punën e albumit të parë, gjatë krijimit të të cilit, as që mendonte se të tilla poezi mund t’i tjetërsonte në këngë. Sigurisht që nuk do të shkëputej as kësaj radhe nga rrënjët e forta të poezisë të Timo Fllokos. Do të përqendrohej në vargjet e Teodor Kekos, Alban Tartarit, baladat e Azem Shkrelit dhe Bardhyl Londos, për të konceptuar gjithsej 12 këngë për albumin tij të ri. “Këtë radhë plani ishte edhe më i sofistikuar, sepse gjithçka vjen me më shumë forcë. Eshtë album shumë dinamik, agresiv dhe i ngjeshur dhe kërkon më shumë vëmendje. Por i kam menduar gjërat me detaje që nga radhitja dhe deri tek përdorimi i simboleve që do të shoqërojnë këngët. Me pak fjalë, kam menduar për jetëgjatësinë albumit. Jam përpjekur që në këtë album ta gjejë veten gjithkush. Madje të mos mungojnë edhe këngët ritmike që kërcehen në ambiente dëfrimi. Por sigurisht, për ua është e rëndësishme që albumin ta kuptojnë ata që dinë ta kuptojnë”. Dhe përderisa ai nuk është mësuar që gjërat t’i vijnë sa hap e mbyll sytë, është shtruar për dy vjet e radhë, derisa prodhoi atë që do të shërbente si përligjja e Pirro Çakos si kantautor dhe si këngëtar. Sigurisht që ai nuk do të mjaftohej vetëm dhe thjesht me një album, prandaj endoi edhe për linjën e dytë, atë të mesazhit që do të përçonte albumi. Jo më kot zgjodhi ta quante albumin e tij “Mos më krahaso”.

E pra, mos bëni provë që ta krahasoni më Pirro Çakon me sgjë dhe me askënd. Mos e krahasoni më me Pirron e para shumë viteve, kur ishte ende shumë i ri dhe provoi të shfaqej ashtu siç ishte. Sepse ndonëse menjëherë dëshmoi se ishte i aftë të shkruante muzikë, ajo kohë mbetet thjesht e shkuara. Kur ai nuk kishte eksperiencën që ka sot, kur mbi të gjitha është një spektator i mirë. Sepse aty ku jeton ka mundësinë që të ushqehet me muzikë shumë të mirë. “E di me saktësi se kur del albumi i një këngëtari që unë e pëlqej. Prandaj dal që herët në mëngjes dhe mund të jem i pari që blej albumin”. Eshtë gjatë gjithë kohës në kontakt me muzikën e vërtetë, gjë që s’i le mundësi tjetër, veçse të perfeksionohet dhe të lërë pas të shkuarën, ndonëse i dha një emër të mirë. Mos e krahasoni as me ndonjë këngëtar tjetër që i ngjason. Pirro Çako është ai që është. Më thjesht se kaq nuk mund t’i linte të kuptonte publikut. Nuk do të jetë ai këngëtari që ngjan si filani dhe që këndon si fisteku. Jo vetëm sepse është përpjekur të sjellë një muzikë ndryshe, larg ritmeve ballkanike, gjë që ndodh shumë rrallë këtyre anëve, por edhe sepse nuk përpiqet të imitojë askënd. I mjafton ajo që di dhe që ka. Nuk mundohet aspak për të qenë i paarritshëm, dhe as nuk e ëndërron që t’i ngjajë ndokujt. Është thjesht Pirro Çako, që këndon tërësisht shqip dhe kaq!

As albumin e tij të dytë mos e krahasoni me të parin. Ka vërtet shumë ndryshime mes tyre. Në 80 për qind të tij albumi i dytë është i realizuar me instrumente të vërteta.
Në të gjitha këngët nuk është aspak e vështirë të dallosh notat e pianos, violinës, baterisë apo harqeve. Në realizimin e këngëve të tij janë përdorur bazat e mirëfillta e një orkestre simfonike. Edhe pse albumi i parë “Herët a vonë” ishte ai që i dha dorën, tek ky i dyti do të njihni një Pirro tjetër. Të gjitha këngët i këndon vetëm. Sepse tani nuk ka aspak nevojë të promovohet nëpërmjet të tjerëve me qëllim që të ndihet i pranuar. Madje nuk ka as pse kënga e tij të ndihet e kushtëzuar. E ka më të thjeshtë t’i përgjigjet një ftese në ndonjë koncert, pa marrë miratimin e këngëtarit tjetër që këndon me të. Ky është një album tërësisht “made in Pirro Çako”. I këndon dashurisë në mënyrë shumë filozofike dhe ka dy këngë-shtylla shumë të forta “Mos më krahaso” dhe “Ah moj dashuria ime”, të cilat do ta sjellin albumin më të plotë dhe do të shoqërohen dhe me videoklipe.

Por mos e krahasoni as me dy prindërit e tij. Ndonëse janë dy emra shumë të spikatur në fushën e artit, nuk janë gjurmët nëpër të cilat ka kaluar djali i tyre. Pirros nuk do t’I pëlqente që të vinte si djali i dy artistëve, por si Pirro, që është kantautor dhe këngëtar, që ka një publik që e pëlqen muzikën e tij dhe e ka njohur vetëm nëpërmjet saj dhe askujt tjetër. S’ka arsye për të qenë hija e prindërve. I duhet hapësira e vet, për të qenë i lirë për të përvijuar edhe më mire emrin e tij. Dhe përderisa është në rrugë të mbarë, nuk ka arsye pse të njihet si djali I Gaqo dhe Luiza Çakos. Madje, madje mos e krahasoni as me gruan e tij. As mos u mundoni të peshoni famën e njërit dhe të tjetrit. Sepse ndonëse me largimin nga Shqipëria Pirro ishte një humbës dhe bashkëshortja e tij një fituese, pasi ajo arriti të depërtonte në muzikën hermetike botërore, tani ka ikur koha e sakrificave. Ka ardhur momenti që Pirro të jetë vetvetja. Pa u lakuar si bashkëshorti i Inva Mulës, sepse ndonëse me rrënjë të thella në muzikë, janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kanë çdonjëri hapësirën që i takon dhe nuk arsye pse emri i njërit, të përdoret si mbiemri i tjetrit. Tani Pirro Çako vjen në Tiranë sepse I duhet të promovojë një album, sepse është i ftuar në një spektakël pse jo, edhe për të pasur koncertin e tij recital. Ka një emër, që nuk ia ka falur askush.

Ndoshta do të mbetet për shumë kohë një ikës dhe një ardhës. Do t’i duhet që shumë shpesh ta shohë veten me çantën e udhëtimit në krah, për të ardhur me zhurmë dhe ër të ikur në heshtje. Sepse për momentin kjo është rruga e tij. Edhe pse herë pas here pëson dilemat e kthimit, ashtu siç i pësoi njëherë me nxjerrjen e albumit të parë, por që pastaj u tërhoq sërish. Ndoshta do t’i pëlqente ta shihte veten si kontribuues të mirë në fushën e artit, si një dorë e fuqishme për të “prodhuar” një prurje të mirë muzike, me të cilën Shqipëria të përfaqësohej denjësisht në Festivalin Evropian. Kjo mundësi do t’ia prishte mendjen për të mos e parë për shumë kohë veten aeroporteve. Por tashmë nuk e ndjek më asnjë hije humbjeje. Për momentin i duhet të merret me albumin e tij të ri “Mos më krahaso”, që nuk mund ta quash aspak rebelim, por thjesht dhe vetëm një mesazh shumë të fuqishëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora