E enjte, 28.03.2024, 12:08 PM (GMT)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Gazetari!

E hene, 16.02.2009, 06:25 PM


Pierre-Pandeli Simsia

Gazetari!
 
Edhe pse i kishte mbushur 22 vjetët e jetës së tij, trupi mesatar dhe shëndetlig e tregonte më të ri se vetë moshën.
Kishte dy sy të zinj që i përshkënditnin si dy shigjeta.
Lexonte shumë libra artistikë dhe shkencorë. Kishte dëshirë dhe talent të shkruante. Që në vitet e shkollës së mesme kishte filluar të shkruante tregime dhe pjesë të ndryshme të imagjinuara nga ai vetë, të përshkruara bukur artistikisht dhe me detaje, si të ishin ngjarje reale të jetuara.
Nganjëherë nxirrte nga sirtarët fletët e shumta të shkruara nëpër vite. E dëshironte, që ato fletët e shumta të shkruara t'i përmblidhte në libër, mirëpo gjendja e dobët ekonomike financiare për të botuar libër ishte një pengesë për të mos iu plotësuar ajo dëshirë e tij.
Lexonte gazetat e ndryshme që kishin tejmbushur tregun e qytetit. Rrevoltohej, madje i bëhej t'i flakte tutje ato gazeta që çdo ditë shkruanin të njëjtin refren: Përdhunime, vjedhje, vrasje, vetëvrasje, papunësi, korrupsion..., përdorimi i shpeshtë i fjalëve të huaja në gazeta, që kush e di, ata gazetarë i përdornin në emër të së resë, modernes, gabimet e ndryshme ortografike, të palejueshme të gjitha këto për një gazetë.
Ajo që e shqetësonte më shpesh ishte se, një ngjarje e ndodhur, shkruhej në versione të ndryshme në gazetat e shumta.
Lexonte edhe disa shkrime që kishin si autor emrat, disa prej të cilëve ai ua  njihte nivelin e tyre të dobët, që në vitet e shkollës.
     "Gazetarë! Si mund të quhen gazetarë këta njerëz që shkruajnë kështu?! Nganjëherë, profesionin nuk ta jep diploma që mban në xhep, as shkolla që ke mbaruar, që e përdorë si armë të fortë për ta mbajtur atë diplomë. Pa talentin dhe prirjen për të shkruar, diploma nuk ka vlerë. Dhe janë pikërisht ato diploma,  të marra me rrugë të ndryshme, arma të forta për të ushtruar profesionin. Jo pak njerëz janë të pajisur sot me ato diploma, si përkrahës të asaj partie që vjenë në pushtet, duke'i ndjekur nëpër mitingjet e ndryshme, duke u çjerrë e gërthitur me gjithë forcën e shpirtit, me duartrokitje...
Ai vetë nuk kishte ndonjë diplomë të asnjë shkolle të lartë edhe pse ishte i dashuruar shumë pas letërsisë.
Pas mbarimit të shkollës së mesme provoi të bënte disa punë të ndryshme, që për natyrën e tij ishin të lodhshme dhe të mërzitshme.
Prej kohësh kishte një dëshirë dhe, një ditë vendosi t'i nisej asaj udhe; të trokasë në derën e ndonjë redaksie gazete për të kërkuar punë, megjithëse ndjehej shpresëhumbur, kur mendonte "armën" e fortë, diplomën, që ai s'e kishte, për të ushtruar profesionin e gazetarit.
     - "Do ta filloj njëherë tek ato, të ashtuquajturat gazeta të pavarura", - mendoi.
Drejtori i gazetës, ku ai trokiti për herë të parë, pasi u njoh me kërkesën e tij, e ndërpreu menjëherë, duke mos e lënë të vazhdojë më tej. - Më lërë adresën tuaj dhe numrin e telefonit dhe... mundësia e parë që do të më jepet, do t'ju njoftojë menjëherë, i - tha.
Djali pa në fytyrën e drejtorit një shprehje mospërfillëse; u largua ashtu siç e kishte parashikuar, shpresëhumbur.
Të nesërmen ai shkoi përsëri në një tjetër redaksi  gazete. Edhe drejtori i asaj gazete, pasi u njoh me kërkesën e djalit, buzëqeshi: - "Hë! Ç'farë pune mund të më bëjë mua ky djalosh thatanik! Ç'farë shkrimesh mund të më sjellë mua ky në gazetë, apo..., si pamja e jashtëme që ka..."?! - mendoi drejtori.
E përcolli, duke i thënë të njëjtat shprehje të dala boje: - Nëse do të na hapet ndonjë vend i ri pune, do të njoftoj menjëherë.
Edhe nga ajo redaksi gazete, djali u largua shpresëhumbur. Përpara syve i rrinte buzëqeshja e atij drejtori, që atij iu duk pak e çuditëshme.
Në ditët në vazhdim, pothuajse të njëjtën përgjigje i dhanë edhe drejtuesit e redaksive të gazetave të tjera.
I kishte mbetur edhe një redaksi gazete e fundit pa shkuar. Edhe ai vetë nuk e kishte për zemër të kërkonte punë në atë redaksi. Gazeta edhe pse kishte pak vite që e kishte filluar aktivitetin e saj të botimit, kishte pasur rrënie; interesimi i lexuesit nuk ishte më, sikurse ishte në fillim pas reklamave të shumta që i ishin bërë daljes së saj. Gazeta po shkonte drejt falimentimit dhe mbylljes së saj.
Diçka e brendëshme e shtyu djalin, shpresëhumbur, ta provonte për të fundit herë fatin e tij.
Drejtori i gazetës, pasi dëgjoi kërkesën e djalit, mendoi siç kishin menduar drejtorët e gazetave të tjera: "... Hë, ç'farë shkrimesh mund të shkruajë ky njeri në këtë gazetë që po shkon drejt mbylljes"
Duke menduar falimentimin e gazetës dhe se nuk do kishte më rast të takohej me atë njeri, drejtori, për ta larguar qetësisht, i tha: - Më sillni një shkrim të shikoj se si shkruan... Mos u ngut, shkrimin mund të ma sjellësh pas një jave...
Djali aprovoi me kokë, megjithëse zëri i drejtorit nuk po i shprehte bindje; u përshëndet dhe u largua shpresëvakët.
Drejtori i gazetës thithte cigaren dhe vështronte tymin që i rrotullohej përpara fytyrës. Nënqeshi: "Hë! Si mund ta kuptoj këtë, me të tillë njerëz, marrëzi? Dua të punoj gazetarë, thotë, pa pasur diplomë, pa ditur njohuritë fillestare, rregullat e gazetarisë..."
Përgjigjja e drejtorit, ndryshe nga përgjigjet e drejtorëve të tjerë të gazetave të mëparshme, ajo shpresë e vakët për djalin ishte një shtysë, që ai të shkonte menjëherë në shtëpi, të ulej e të shkruante një shkrim. Mendoi të bëjë një shkrim reportazh intervistues.
 
Ditën tjetër, djali trokiti përsëri në zyrën e drejtorit të gazetës. Edhe pse dera e zyrës së tij ishte e hapur, djali nuk hyri brenda; trokiti lehtë në të. 
I ulur në tavolinën e tij të punës, drejtori ngriti sytë me përtesë. Nuk donte t'u besonte syve të tij, kur pa djalin t'i shfaqej në mes të derës. Pa e pyetur për të mësuar shkakun e ardhjes së tij në zyrë, i tha: - Sikur e lamë të vinit pas një jave përsëri këtu!
Djali nuk e priste atë përgjigje nga drejtori. Fytyra i ndryshoi pak ngjyrë. Ndjeu zjarrmi në pjesët e trupit. - J'u solla atë, çfarë më kërkuat - foli me zë të mekur dhe i zgjati disa fletë të shkruara që i mbante në dorë.
     - Si?! - tha drejtori dhe mblodhi pak buzët, duke i dhënë kokës një lëvizje të lehtë nga ana e djathtë. - Keni sjellë ndonjë shkrim të përgatitur më parë? - i foli, duke shtrirë buzët me një nënqeshje ironike.
     - Jo, - iu përgjigj ai - dje, sapo dola nga zyra juaj, shkova në shtëpi dhe e shkruajta... Kam shkruar një reportazh...
     - Reportazh? - tha drejtori, duke shprehur habi.
     - Po! Mendova të shkruaj një reportazh. Një djalë i ri në moshë, i dashuruar shumë me letërsinë, me gazetarinë, me talent dhe prirje gazetarie edhe pse nuk e ka kryer shkollën e gazetarisë, është i bindur në aftësitë e tija të kryejë punën e gazetarit.
Drejtori, nga ajo e papritur e çuditëshme, që më tepër iu duk si një çmenduri djaloshare, mori fletët dhe po i shfletonte. Iu dukën shumë fletë të shkruara me një shkrim të shkruar bukur dhe pastër, që lexohej rrjedhshëm. Ishte pikërisht ai shkrim i bukur që e nxiti drejtorin t'i hidhte një shikim të vëmendshëm e të lexonte çfarë ishte shkruar.
     - Më lini pak kohë j'u lutem; mund të dilni jashtë tani dhe të ktheheni pas dy orësh, - i tha drejtori.
Papritur djalit i rrëshkiti një ngazëllim në fytyrë. - Faleminderit - i tha; u kthye drejt derës, eci me hapa të lehtë, për të ardhur përsëri pas dy orësh.
 
Drejtori ishte i futur i tëri në botën e asaj çfarë ishte shkruar. Ishte një reportazh, i shkruar mjeshtërisht, si të ishte shkruar nga ndonjë gazetar me përvojë dhe kulturë profesionale gazetareske... Nuk donte ta besonte, por ishte fakt në duart e tij. Drejtori lexonte dhe përpara syve po i shfaqej djali me trup të imët. - "Ja, njerëz të tillë na duhen neve sot. Tek disa njerëz, pak rëndësi dhe vlerë ka diploma, mënyra se si është mbrojtur ajo diplomë, përpara vullnetit dhe talentit të lindur" - mendoi.
E lexoi të gjithë çfarë ishte shkruar në ato letra dhe iu kthye edhe njëherë nga e para për ta rilexuar.
Herë herë, gjatë leximit, i dilte një tingull i lehtë i shoqëruar me buzëqeshjen e tij, duke tundur kokën, kur "shihte" veten e tij në atë shkrim të portretizuar bukur, mjeshtërisht dhe artistikisht, gjatë komunikimit me djalin një ditë më parë.
Ishte drejtori ai, që priste të kthehej djali sa më shpejtë në zyrën e tij. Donte ta uronte, ta përgëzonte, t'i shtrëngonte dorën, t'i jepte miratimin e të ushtruarit të profesionit si gazetarë në gazetën e tij edhe pse ajo gazetë po shkonte drejt mbylljes.
 
Shkrimet e gazetarit të ri në atë gazetë shumë shpejtë u pëlqyen nga ata pak lexues që e frekuentonin atë gazetë për ta lexuar. Emri i tij në krye të shkrimeve po bëhej i njohur dhe i respektuar nga lexuesit. Dalëngadalë, numri i lexuesve dhe i shitjes së gazetës po shtohej.
Disa drejtorë të gazetave të tjera u interesuan të dinin kush ishte ai gazetari i ri, madje,  disa prej tyre, i ofruan kërkesën që ai të punonte gazetarë në gazetat e tyre.
Djali mendoi njëherë të mos u përgjigjej, por ky mendim iu duk si vrasje e moralit të tij. Për respekt ndaj vetes, mendoi t'u përgjigjej me pak fjalë: "Ju faleminderit! Nuk mund ta pranoj ofertën tuaj; jam pa diplomë gazetari dhe si i tillë, nuk mundem të punoj në gazetën tuaj..."
 
Drejtorit të gazetës ku ai punonte, po i vinin mesazhe të ndryshme urimi nëpërmjet telefonit, postës së tij elektronike nga shokë e miq, të njohur e të panjohur, duke vlerësuar shkrimet e gazetarit të ri.
Midis atyre mesazheve, drejtori lexonte edhe mesazhe të tjera, të ndryshme nga mesazhet e mëparshme, të nënshkruar me emra, anonime, pseudonime të ndryshme, që atij i dukeshin të çuditshme, të panjohur më parë si: luletërfili, luledëllinje, luleblini, luledielli, madje edhe emrin gonxhe, si parashtesë e emrit të ndonjë qyteti.
Ndjente neveri për njerëz të tillë ziliqarë, që kërkonin të fshiheshin pas anonimit.
Neveria e drejtorit të gazetës shtohej edhe më tepër kur lexonte përmbajtjen e atyre mesazheve të dërguar nga ata njerëz anonimë: "Urime" zoti Drejtor, zoti Kryeredaktor i gazetës së dështuar e të palexueshme! "Urime", që keni punësuar një njeri të paaftë dhe pa përvojë, që kërkon të vetëquhet gazetar, një gazetar i padiplomuar... që kërkon të bëjë karierë në një gazetë të falimentuar, një gazetë, që nuk ka interesim tek lexuesit...!
Të njëjtat mesazhe fyese nga njerëz që kishin zgjedhur për t'u mbetur anonimë, i vinin edhe djalit në postën e tij elektronike. I lexonte mesazhet, por nuk shqetësohej.
E mendonte, përderisa emri i tij kishte filluar të bëhej i njohur në botën e madhe të shoqërisë me bindje, ambicje, mendime, kulturë dhe edukatë të ndryshme, sigurisht edhe reagimet do ishin të ndryshme nga njerëzit me cmirë dhe ziliqarë. Kishte vetëm një merak; donte të mësonte të vërtetën, kush fshihej pas atyre emrave anonimë.
     -  "Shkenca e sotme moderne kompjuterike na ka dhënë mundësinë e komunikimit me njerëzit në mbarë botën e gjërë dhe të paanë.... Është pikërisht ajo shkencë, që, ashtu si na ka dhënë mundësinë e komunikimit nëpërmjet  kompjuterit, na mësoi edhe si ta përdorim atë...
Nga adresat elektronike dërguese, mësoi të vërtetën kush fshihej pas atyre emrave anonimë. U ndje i befasuar kur mësoi disa emra që ai i njihte. Ishin edhe disa të njohurit e tij, madje edhe që i kishte pritur në shtëpinë e tij si shokë dhe miq të mirë.
     -"Këta njerëz të pafytyrë, me cmirë, që fatkeqësisht në jetën tonë ka plot, i ka dënuar vetë Zoti, duke u dhënë zemërngushtësinë..." - mendoi.
I shuajti mesazhet për të vazhduar punën, të shkruante materialet për gazetën për ditën tjetër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora