E enjte, 25.04.2024, 11:41 AM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Ndarjet vazhdojnë

E hene, 16.02.2009, 08:08 PM


Arbën Xhaferi
Arbën Xhaferi
Ndarjet vazhdojnë

Nga Arbën Xhaferi
 
Jemi me të vërtetë në hall me maqedonasit, me nacionalizmin e tyre teatral dhe patetik. Çdo ditë shpikin ose bëjnë ndonjë proçkë. Shpeshherë janë kundërthënës me vetveten. Në vitet e '80-ta, kur hetuan se komunistët jugosllavë dhanë sinjalin e gjelbër që të luftohet, kinse nacionalizmi shqiptar e shpikën nocionin e paraleleve të përziera ( meshani-paralelki). Ata argumentonin se në emër të altruizmit, idealeve humaniste, duhet të luftohet nacionalizmi, të luftohet largimi prej njëri-tjetrit, të afirmohet bashkim-vëllazërimi, uniteti në mes njerëzve. Përuruesit e kësaj ideje klithnin: boll me ndarjet, duhet të jetojmë bashkë!
Prapa këtij altruizmi fshihej, në fakt, një ide e padurueshme cinike: eliminohej mësimi në gjuhën shqipe. Bie fjala, formoheshin klasa të përziera, ku kishte 20 nxënës shqiptarë dhe 4 nxënës maqedonas. Gjuha e mësimit bëhej maqedonishtja, kështu që mësuesit, profesorët që kishin ligjëruar me dekada në gjuhën shqipe, tani duhej të flitnin në gjuhën maqedonase. Edhe pse presioni ishte i madh nga të gjitha faktorët dhe institucionet, arsimtarët dhe nxënësit shqiptarë, me guxim refuzonin këtë proçkë të re të nacionalizmit maqedonas.
Krahas kësaj, në atë kohë, shfaqet një ide e ngjashme absurde: ndalesa e emrave " të rrezikshëm" shqiptarë, si dhe të toponimeve. Këto tendenca cilësoheshin si elementë të nacionalizmit shqiptar, ose thënë më shkurt, si albanizim i shqiptarëve dhe i toponimeve. Për ata ishte normale që Vjena, Roma, Selaniku, në gjuhën e tyre të quhen Beç, Rim, Sollun, por ishte e palejueshme që shqiptarët, Skopjen, Debarin, Tetovën, ta quajnë në gjuhën e tyre Shkup, Dibër, Tetovë. Madje, ndërhynin edhe në gramatikën e gjuhës shqipe, duke i ndaluar rasat. Kjo për ta ishte normale, por për ne qesharake dhe patetike.
Dy dekada më vonë ndodh fenomeni i kundërt: maqedonasit kërkojnë të kundërtën; të ndahen shkollat. Siç dihet, në qytetet etnikisht të përziera, nëpër shkolla eksitojnë klasa ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe ose maqedonase. Herë pas here, nëpër këto shkolla ndodhin zënka nxënësish, ashtu si gjithkund në botë, ndërmjet adoleshentëve. Zyrtarët maqedonas, këtyre zënkave u dhanë një ngjyrim etnik dhe jo psikologjik: u grindkan shqiptarët me maqedonasit dhe jo adoleshentët dhe si terapi ofruan ndarjen etnike të shkollave. Aktualisht, situata është përkeqësuar në Strugë, ku në shkollën Niko Nestor, ndodhi një konflikt ndërmjet nxënësve shqiptarë dhe atyre maqedonas. Në këtë shkollë, mësimin e ndjekin 950 nxënës shqiptarë dhe 720 nxënës maqedonas, ndërkaq, në një shkollë tjetër, Ibrahim Temo, mësimin e ndjekin në gjuhën shqipe 900 nxënës shqiptarë dhe 350 nxënës maqedonas, ose 25 paralele në gjuhën shqipe, 16 në gjuhën maqedonase dhe 4 në gjuhën turke. Drejtoresha e shkollës ku ndodhi incidenti, Mare Bojçevska-Savevska dhe ministri i Arsimit Pero Stojanovski, vendosën që të zbatohet regjimi i mësimit në turne etnike: paradite në gjuhën shqipe dhe pasdite në gjuhën maqedonase. Por ndodhi diçka e papritur: nxënësit shqiptarë dhe prindërit e tyre nuk pranuan këtë ide segreguese të ministrit dhe të drejtoreshës. Këtë ide, pa kurrfarë koordinimi, unanimisht e refuzuan të gjitha partitë politike shqiptare, duke e cilësuar si një projekt segregues, që është absurd për shoqëritë moderne demokratike. Me këtë qëndrim të subjekteve shqiptare u pajtua, edhe faktori ndërkombëtar. Edhe me këtë rast kemi përplasje në mes të mendësive inkluzive shqiptare dhe ekskluzive maqedonase ose thënë më konkretisht, shqiptarët i durojnë të tjerët, ndërkaq, maqedonasit jo.
Ky fenomen ksenofobik, frika, mosdurimi i tjetrit, u zhvillua deri në trajta ekstreme, agresive, në Kosovë, gjatë viteve të '80-ta dhe te '90-ta, kur u dëbuan nxënësit shqiptarë nga shkollat e tyre dhe u detyruan që në objekte private të ndjekin mësimin. Ky apartheid shkollor pastaj u zgjerua dhe mori trajta monstruoze, që njihet me emrin pastrim etnik.
Inkluzivizmi dhe ekskluzivizmi (toleranca dhe intoleranca, pranimi dhe përjashtimi) janë pjesë përcaktuese të identitetit kulturor të kombit, pra edhe të qytetërimit. Në përgjithësi, kulturat, kombet, qytetërimet që janë në fillim të ndërtimit të identitetit, atë e bëjnë duke perceptuar tjetrin si rrezik, prandaj zhvillohet tendenca e përjashtimit të tij, ose të eliminimit të rrezikut dhe e kundërta: kur një kulturë, një komb ose një qytetërim që arrin kulmin e zhvillimit të vet, formimit të identitetit, tjetri më nuk perceptohet si rrezik, por ai tolerohet, pranohet dhe nuk ndëshkohet. Në kohërat e hershme, kur një qytet apo fshat e pllakoste ndonjë epidemi, atëherë fajtori kërkohej tek ata që ishin ndryshe, atipik për mjedisin të përfshirë nga murtaja, thatësira apo acari.
Sipas të gjitha gjasave, shqiptarët kanë mentalitet inkluziv. Gjatë konfliktit të vitit 2001, kur gjakrat zienin, prej Kumanovës dhe deri në Strugë mund të shiheshin grafite antishqiptare në gjuhën maqedonase si, bie fjala, "MK-bez shiptari" (Maqedonia pa shqiptarë), "Shiptari vo gasni komori" (Shqiptarët në dhoma gazi) etj., por s'mund të gjeje asnjë në gjuhën shqipe me mesazhe anti-maqedonase. Ose të marrim një shembull më serioz. Në bisedimet e Ohrit, pala shqiptare kërkonte të drejta të kuptueshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare si, bie fjala, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Që në fillim i njoftuam maqedonasit dhe faktorin ndërkombëtar se nuk kontestojmë asgjë që ka të bëjë me interesat vitale të popullit maqedonas, siç është emri, gjuha apo autoqefalia e kishës ortodokse, pastaj uniteti dhe integriteti i shtetit, por nga ana tjetër, kërkojmë barazi në shoqëri, mekanizma që me automatizëm e mbrojnë këtë barazi dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Këtë qasje pat z. Ahtisari gjatë bisedimeve lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës dhe të drejtat që duhet t'u garantohen serbëve dhe, shqiptarët, as që tentuan t'i kontestojnë ato. Së këndejmi, në Drenicë, ku pothuajse nuk ka asnjë serb, gjuha e tyre është në përdorim zyrtar.
Pse shqiptarët e Kosovës, pa hamendje i pranuan këto të drejta, që nobelisti finlandez ua përcaktoi serbëve që paraprakisht ndaluan arsimimin në gjuhën shqipe dhe tentuan ta pastrojnë Kosovën nga shqiptarët, dhe pse maqedonasit, me një mijë telashe refuzuan që ta ndjekin linjën inkluzive të shqiptarëve dhe filluan të ngatërrojnë çdo propozim të palës shqiptare? Përgjigjja duhet kërkuar te mendësia, te natyra e nacionalizmit maqedonas. Siç dihet, maqedonasit kanë problem me dëshminë e prejardhjes së tyre etnike. Të gjitha telashet që kanë aktualisht, janë të ndërlidhura me argumentin për prejardhjen etnike. Këtë ua mohojnë si serbët, si grekët, si bullgarët, ashtu edhe një pjesë e konsiderueshme e vetë maqedonasve. Rrjedhimisht, ata e ndërtojnë identitetin kombëtar mbi premisa politike, që krijon mundësi për një voluntarizëm në përkufizim të identitetit. Natyrisht se ekzistojnë edhe raste të tjera të krijimit të identitetit mbi premisa politike. Në botë eksitojnë shtete dhe kombe të tilla politike. Por, problemet lindin kur tjetrit ia mohon origjinën dhe veçoritë etnike dhe ia ofron mundësinë e barazimit në kuadër të konceptit të kombit politik që, me fjalë të tjera, do të thotë asimilim. Prandaj lindin problemet lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, pra të faktorit që pengon në start mundësinë e asimilimit.
Pamundësia që të çrrënjoset përdorimi i gjuhës shqipe, ose identiteti etnik i shqiptarëve, faktorit që u mungon maqedonasve, rezulton me tendencën që të përthahen këto veçori të identitetit të shqiptarëve të atij elementi të përjetshëm dallues. Sot, ligji për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, që para disa muajsh e votoi Kuvendi i Maqedonisë e vërteton këtë konstatim: gjuha shqipe është segreguar në pesë nivele në krahasim me gjuhën maqedonase. Por jo vetëm kaq: ky ligj, krahas modifikimeve të këtilla segreguese, as që zbatohet. Në shenjat më të reja të komunikacionit, toponimet shkruhen në variantin sllav dhe në alfabetin cirilik maqedonas, si dhe në atë latin të alfabetit të gjuhës angleze. Të mos harrojmë se kjo ndodh në një shtet të brishtë ku, sipas statistikës zyrtare, ka 64% maqedonas që kanë telashe me njohjen e identitetit të tyre nga të gjithë fqinjët e tyre, pos shqiptarëve.
Mendësia inkluzive e shqiptarëve dallon edhe historikisht nga mendësia e fqinjëve të tyre, prandaj nuk duhet harruar fakti se, në kanunin e Lekë Dukagjinit, statusi i tjetrit, i të huajit, i mysafirit, është vlerë kryesore. Ai edhe nëse është hasëm, armik, gëzon mbrojtjen e plotë të nikoqirit. Prandaj shpjegohet se pse shqiptarët u treguan aq tolerantë ndaj të huajve, hebrenjve të përndjekur që lypnin strehim në Shqipëri, italianëve të dorëzuar ose ndaj besimeve të tjera. Vetëm në Shqipëri dhe tokat shqiptare mund të thuhet "I dashuri armik".
Jugosllavia e bashkëjetesës, e cilësuar si idealiste, në fakt u shthur, për shkak të mendësisë përjashtuese nacionaliste, të tolerancës së rrejshme, ndërkaq, Shqipëria e viti 1997, përkundër kolapsit të shtetit, nuk u shthur për shkak të mendësisë inkluzive dhe tolerante. Në këtë periudhë anarkike, shoqëria shqiptare e ruajti shëndetin e vet, tolerancën ndëretnike dhe ndërfetare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora