E enjte, 25.04.2024, 01:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Cikël poetik

E diele, 15.02.2009, 03:45 PM


Ndue Ukaj (1977) u lind në Stubëll të Epërme të Komunës së Vitisë.

Ka kryer studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet e magjistraturës. Ka qenë editor i revistës për art, kulturë e shoqëri "Identiteti" (2001-2002) që është botuar në Prishtinë.  Tekstet e tij letrare, eseistike, publicistike janë botuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, diasporë dhe më gjerë. Ndërsa shumë tekste të natyrës së diskursit politik janë përkthyer e komentuar në media ndërkombëtare

Gjatë kohës së okupimit serb dhe pas luftës në Kosovë, Ukaj ka qenë aktiv në jetën politike të Kosovës. Ndërsa viteve të fundit ka jetuar përkohësisht në Suedi.

Më 2004 ka botuar librin "Diskursi biblik në letërsinë shqipe" (AIKD, Prishtinë).

Është i përfshirë në disa libra dhe antologji të poezisë shqipe.

Po ashtu, është përfshirë në antologjinë shqip-rumanisht, shtatë poet shqiptar dhe shtatë rumun, ''Bukuria e bukurive", "Frumusetea frumusetilor ", Bukuresht (2008).

Ndue Ukaj shkruan poezi, prozë, eseistikë, kritikë letrare dhe publicistikë.

"Ujëvarat e metaforave" është libri i tij i dytë.


Ndue Ukaj

(Poezi)


PËRLESHJE


Nganjëherë i kafshoj dhëmbët furishëm
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhen,
Engjëllushka ime, jo pse dua, nganjëherë

Çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat.
Hahem me to deri në përgjakje
I kafshoj dhe përleshem me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore

Dhe pranvera me buzëqeshje dashurore


Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët e paperënduara,
Përgjakem krejt nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë, të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi n'mes të ditës,

Dhe aty përulet miti i fuqisë së qëndresës

Trulloset bota krejt e humbur përkundet,
Harron përuljen e gjurit bota nganjëherë

Bie në gjumë nëpër ninulla ledhatuese

Papritur tretet nga thartira që të qesin zorrët

Tëhuajësohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë

Pema e Jetës zë rrugën në mëngjesin me vesë diellore
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë

 

KUPTIMI

Tek e fundit çfarë kuptimi ka arti shpirti im

Mes gishtave të mi përvijohet shikimi yt

Dhe kalendari i grishur ku Kulla e Babelit u thye keq

Si të deshifrohen të pathënat, të pashkruarat,

E të kuptohen absurdet si lule të ujitura

 

Trazohet arena e mendimeve të bukura

Mëkatarë e papenduar ngarendin pas Përmendoreve Lavdie,

Ditë e natë çirren pa fije turpi nën hijen e hijes së dhembjes

Që gulçon tmerrshëm

Këlshedra prej detit gulçon

Ne puthemi pa e ditë efektin e puthjes

E duhemi pa i ditë pasojat

 

Më ç'paftyrësi ecet rrugës së djallit,  Zot im

Me lëkurë të gjarprit veshur për të hijeshuar trupin,

Dikush thumbon e dikush thumbohet

 

Karikaturat e vdekjes të përdhosin trutë

Ndërkaq misteri i pafund rëndon:

Një mollë e kafshuar natën mbin dhëmbët e prishur

Dita nuk fsheh gjurmët e mëkatit të zi

Dhe ekzistencën e konceptit të humbjes

 

Gjarpri s'dihet në cilën ditë të krijimit u zvarrit në Eden

As për misionin e tij nuk mësuam asnjëherë.

 


HAPAT E VEGJËL

E masë kohën me shikimin prej zogu


Atë ditë kur dielli rrëshqiste drejt perëndimit

Një korb parakaloi para syve tanë

E tokës iu zu fryma nga inati

 

Si s'u bë që ta kthej diellin

Aty ku puthi shikimin tonë përsëpari

Dhe rrugën deri në Kodër ta kaloja me pupla


Atë ditë kur shikimi im u tret

Toka  dridhej nga të ftohtit


Dielli u dha si femër mëkatare pas Bjeshkëve të Nemuna

Hapi i vogël për ta ndalë ishte pa përmbajtje

Shikimi im u mbyt krejt...


HIJA E KORBAVE


Në ishullin e pritjes vetmia e thartë

Dhe struktura e deformuar e seksit

Në lumin e kohës ecte zvarrë


Nuk e njoha Homerin as verbimin e tij

Me hapa të Akilit mas kohën që vjen

Dhe kilometrat deri matanë Itakës


Sythi yt kaltrosh përhumbet në lakuriqësinë

E natës së zezë ku tëhuajsohet mendja

Akti i çoroditur i shpirtit hije

Në të çarën e seksit tënd rrjedhin pikat

E dushit të ftohtë në ishullin e vetmisë


Drama e pashkruar në teatrin e gërmadhave

Dhe puthja e akullt që dogji sythin e përlotur


Një korb pa shikimin tim prej të dashuruari

Ditën me mendime të hallakatura

Dhe miti reflektoi fragmentin

E artit të shkruar nën hije korbash


Sytë nuk janë dritare prej motesh

As dyer të largimit nga trishtimi.


PIKTURA E DASHURISË

Mona Liza qeshte
Për të flasin aq shumë sytë e saj qiellorë;

Të njomë, të përmallshëm e të butë

Të veçantë sa s'gjejnë krahasim,
Për të flasin flokët e shprishura,

Aty ku atdheu i pasioneve ndërron trajtat

Dhe përhumbet bota para shikimit prej loti,

Tkurret si perde e hapur në skenë teatrore


E vockël bota përballë me shikimin që djeg

Dhe tërheq si magnet në botën e mistereve


Nën tisin e nurit të saj prehet qetësisht bota

Dhe nën presionin e heshtjes,

Numëron frymëmarrjet me damarë të fryrë

E shtrënguar nga plogështit e kohës


Për të flet gjoksi i mbuluar me hije misteresh

Një kafshatë për vargun e etur

Dhe gjitha ngjyrat e vizatuara në ata sy
Për të mposhtur mbrapshtitë
E pra, Mona Liza tek qeshte pëlciste nga dashuria


GJYQI PËR VJERSHËN TIME

Kështjella e drejtësisë s'mund të përmbyset

Me një të fryrë nga zgafella e gojës
Edhe nëse Jozefi K. vdiq si qen rrugëve të Parisit a Pragës
Procesi s'u mbyll e ai mbetet prapë proces
Të premtet e mëdha s'kuptohen pa të dielën e madhe.
Ç'faj ka poezia që e sulmon
Imunitetin s'mund t'ia marrësh as kur lakuriqësohet


Mjekrën time të pakrehur ndonjëherë,

Të rritur zjarreve përcëlluese
Mbuluar me merimanga gërdie
Edhe po deshe s'mund ta puthësh kurrë


Kjo poezi vlon për dashuri
Po deshe vraje, në varr mund ta vësh

Strukturën e mendimeve s'mund t'ia prekësh
Poezia është e panjollë
Po deshe vraje
Do pjellë gjarpinj, që sytë të t'i helmojnë


Macet e çartura vrapojnë gjoksit trishtueshëm
Po deshe vraje
Edhe nga varri shpirtin e trazon.


ALFABETI IM

Shkronjat si gurë zbresin

Në alfabetin me figura të pakuptimta

Fragmenti i jetës sime kthen në udhëkryq


Sikur nëpër ëndrra të çmendura

E nuhat ikjen deri në skëterrë


Alfabeti im

E zgjat rritën prej poezisë

Duke i zgjeruar pasionet deri në qiell

Dhe zanoret e afshit që shpërthejnë

Mbi sytë e mi


Pezmi i shkronjave të gurta,

Prish gjumin e kufijve

Në universin e kohës pa poezi


Si leckaman metropoleve të botës

Kërkoj këshilla nga poetë

Të kuptoj fjalën prej guri

Si i trazon mendimet abstrakte


Unë jam hapi im dhe rruga deri tek atdheu i poezisë


Në rrugën që prehet pas çdo ecje

Nga injorantë që vallëzojnë me zhurmën


Maratona e poezisë nëpër shpirtra të dergjur

Shumëzon ujin tamam si Krisht


ILUZIONI I FJALËS


Horizonteve të papara shtrydh kujtimet

Deri në pikën e fundit


I lidhja fjalët për iluzione

Me ngriheshin gishtat si shkëmbinj


Me tingujt e lehtë të kitarës

Ndërtohet ngrehina

Dhe iluzionit të fjalës

I vjen erë harrimi


Nëpër horizonte të papara ndrydhen  ndjenjat si në bronz

Në shtratin e çelur varrë

S'numërohen regjistrat e pafundme të dashurive

Vetëm fjalët lidhen për iluzione marrëzisht


PËRRALLA E MOÇME


Nga të vërtetat dalin rrenat si buburreca

Ndërsa këmbët tona nga turbulenca e mendimeve

Humbasin drejtpeshimin

Në kozmosin e fjalës e tundin pendimin


Një përrallë e moçme s'u tregua me shekuj

Pastaj për të njëjtën u bënë beteja të çmendura

Plot vite u rropat dora jonë prej hijesh,

Si flamur disfatash e arenë takimesh

Të gjejë gjurmët e t'vërtetës në ngrehinat prej lotësh

 

Trotuareve të akullta ku këmbët rrëshqisnin tmerrshëm

Ecën injorantët të vërsulur pas tempullit të marrinave

E mjerë ne për përrallën e moçme


KOHA SHUMËNGJYRËSHE


Me kërkue është art si me puthë diellin,

Me lundrue nëpër natën e braktisur, oh

Nga hëna bythprapë e ngjyrat e errëta

O natë e vetmuar me sy gjysmëqorre,

O kohë shumëngjyrëshe e trashur n'vete,

Lak e bërë mbi kokën time vallëzon

Kryelartë i shndrisin sytë e Ciklopit i ka

E sheh si i lëvizin këmbët e shpejta...

Akil s'është por fluturon si në beteja antike

Herë në Amerikë, e zë trishtimin në ëndërr,

Herë në Europë, e kap ankthi në shtrat,

Herë në Azi, e zë makthi në rrugë,

Herë zgjohet me kujtimet për kalin,

Bën dashuri në barkun e kobshëm

Dhe i ngatërrohen rrugët para këmbëve


Koha e pangjyrë, e paemër e pakënduar

E pashkruar, me muzikë të harlisur vallëzon

E çmendur përdridhet si vajzë në take t'larta

Cunam që s'i duron metaforat as ironitë

Me  struktura të deformuara deri në përjashtim,

Endet me shikimin e tretur në asfaltet moderne

Dhe s'gjen pandehëm krahasimi nga modernistët

As nga progresistët e posmodernistet

Nga injorantët e regjur me fjalorë demagogjish

Që kurrë s' e kuptojnë artin e heshtjes

Për të mbytur zhurmën dhe gumëzhimën e frikshme.

Koha ime e përveçme në globin e ngulfatur

E paemër, e pagëzuar natën e braktisur me muzikë të harlisur

Me hije korbash e sorra të çartura

Si ngjan kurrsesii kohës së Virgjilit,

Me heronj të çmendur e luftëra absurde.

Madje s'i përngjan as kohës së Krishtit e Judës tradhtar,

Koha ime kurrsesi s'është koha e lumit të Heraklitit.

Më duhet të kthehem nëpër të, dy herë ta nuhas,

Dhe të ec nëpër kujtesën e trashur nga merimanga

E krimba që bluajnë pamëshirshëm.

I inatosur më duhet të mos pajtohem me Heraklitin,

Dy herë më duhet të lahem në të njëjtën kohë:

Në të njëjtin ujë një herë me zjarr përvëlues

Pastaj me artin e heshtjes dhe ujin e uratës.

Mes meje e kohës fluturon zogu pranveror

Me pupla të mërdhita e sythin e trembur,

E trazon pikëllimin e vizatuar në majën e Kështjellës së mendimeve

Kohën e grabitur nga leckamanë me lëkurëgjarpri,

Dardania ime e Shenjtë e goditur nga antikoha.

Dhe miti i harresës që çelë si lule çdo mëngjes


DRAMË


Shalli i zi në qafën e rënduar

Dhe një shikim i përvuajtshëm

Treten ngjyrat e shndritshme

Dhe rekuizitat e zeza na marrin sytë

Një gomar pallë sa të shurdhon veshët

Dhe hijet e korbave mistershëm

Kafshojnë fjalët e aktorëve të rraskapitur

Një puthje prej Jude

E deh aktoren me emrin Çudira

Zhvesh brekët me duhmë shurre

Dhe i hedh në publik e llastuar

Akti i parë pa orgazëm

Loja zgjati disa minuta

Dhe akti i dytë i kredhur në soditje

Një gomar lëviz në skenë për të satën herë

Dy korba i bëjnë hije prej uji

Aktori i turpshëm refuzon të lakuriqësohet në skenë


Teksa mua perceptimi për dramën m'i gërryen sytë

As Godo nuk priti sa unë


KOMPROMIS

Fjala frymon jetë
Mesazhe jep
Edhe atëherë kur s'thotë gjë
Për këtë mos u hamend
Shiko poezinë
Çdo shkronjë të njomur me gjak
Varret në subjektin e saj
Beso në peshën e jetës
Në fjalën e vrarë në gjuhë
Beso në metafora
Në fjalën e brumosur që vlon në gji
Në kompromiset e vetëflijimit
Nëpër kabinete ofshamash epshore
Rritet shkurtohet njëqind herë mjekra ime
Bashkë me gjuhën që fjalët i mban të lidhura
Të heshtura në shpirt të ndrydhura lak

Bashkë me mendimet që i luftojnë muret e rrethimit

Kështjellat e çoroditura në sytë e mi
Gjarpri gojëhapur nuhat përulësinë

Dhe unë u detyrova të zhytem në heshtje

Në kompromisin e dhimbshëm me metaforat

Heshta derisa heshtja u shndërrua në zhurmë
Përsëri si për inat
Heshta derisa kënga në vargun tim shpërtheu
Nën mjekrën e pakrehur u tërbua heshtja
Nën qimet e pakrehura u dogj heshtja


KUJTIM I MERMERTË


Vjen dita jote poezi e mbytur nga pika e zezë në horizont,

I mermertë shtrihet kujtimi për kohën e Komedisë Hyjnore,

Prapa hapave të molisur nëpër barrikada të panumërta

Rri hije shpirti im i etur për mijëra të fshehta


E shembur koha e pasioneve lakuriqe që fluturon si korb

Endet tamam si ylber mbi kokat tona të topitura nga betonet e gjithfarshme

Të përgjumur dehemi në universin e mendimeve shpërthyese

Ka me ardhë prapë dita jote poezi

Rri e qetë në hijen e magjisë

Dhe mos e zhvesh imunitetin e trashëguar nga Zoti.


Zeus s'ka mbi tokë, fli e qetë dhe përkunde kohën e hallakatur

Njeriun e përhumbur nëpër reklama çoroditëse

Dhe epokën e dokrrave, e zhurmës së gjithfarshme

S'ka vend për art, sa trishtueshëm, s'ka kohë për poezi


Digjen merimanga digjen fjalë e zemra bashkë

Në horizontin e pritjes prehet një metaforë në fyt,

I është zënë fryma, qan pa iu kuptuar dhembja,

E ledhatoj e në buzët e kallura të saj qetësohem


Kalendari im po tretet

Nga djersët verore që të djegin ballin,

Më duhet ta puth vargun e etshëm,

Sot nuk këndohet shpirti im,

Në vend të këngëve dëgjojmë zhurmë çmendurake

Rropatje kotas për të prodhuar hamendësimet e panumërta:

Herdo kurdo çdo gjë zë vendin e vet

E natyrisht, edhe poezia do jetë në fatin e saj të lumë...


THIRRJE


Muzë, mos fli hape sythin

Dhe më huazo zërin e kangës

Përkulem para teje

Digjem e flakë s'jam

Muzë, në fillim ishte fjala

Dhe fjala ishte gjithçka

Tanimë s'mbet gjë tjetër              

Përpos fjala e dashuria

Më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes

Dhe mbretërinë poezisë

Në qytetin tim më kufij e mure

Më dëfto mbretërinë prej urate

Dhe më mëso të bëhem dishepull i fjalës

I muzikës së shpirtit të dëlirë

Që vallëzon kurrë pa ndalë

Më dëfto shumë

Se historia është nyje në këmbë

E shkruar dhe e rishkruar

Nëpërmjet gishtave të dridhur

Për të prodhuar mite

Dhe një kodër rrenash

E pra Muzë, këndo me mua

Dhe dashurinë që vlon

Në metamorfozën e kohës

Më dëfto Zoti im

Se dielli lind për të mirët dhe të këqijtë

Gjuha e zjarrtë shndërrohen në hije

Dhe shikimi im në horizontin e pritjes

Tek rikthen mendjen në ditën e djeshme

Dhe kundron strukturën e kohës

Në pikën e së nesërmes


POETËT VETMITARË


Dje takova poetin e vetmisë së madhe

Rrugës së qiellit thithte diellin

Kishte mbështjellë kokën me ëndrra

Që t'mos i harliseshin vargjet


Dje takova poetin e dashurisë së madhe

Rrugës së pyllit me ngjyra të panjohura

Kishte lidhë kokën me sytë e erosit

Që t'mos i çorodiseshin vargjet


Dje takova poetin e vetmisë së madhe

Rrugës së pluhurosur lëpinte gjurmët e tij

Kishte lidhë me histori kokën

Që t'i fashiste rrenat si koka prej gjarpri


Dje takova poetin e vetmisë së madhe

Rrugës së vetmisë së metaforave

Kishte dalë i lakuriqësuar

Të dehej në sytë e tij bota


Dje takova poetin e vetmisë së madhe

Me matematikën e zemrës

Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh.


PËSHTJELLIM


Digjet mjekra ime

E këmbët e mia të lodhura

Askund s'mund të arrijnë


Një tym e ca shtëllunga përplasen syve

Zhurma të pakuptimta sillen nëpër veshë


Libri i historisë sime

Është djegur bashkë me Trojën


Të dashurit e mi

Diku nën Shkodër gjurmët e ikjes

Janë vizatuar me ngjyra hiri

Askush s'guxon t'i prekë


Asnjëherë s'arritëm të mësojmë

Historinë në trajtat e ferrit

Edhe pse At Zef Pllumi na tregoi:

Dante e ka shkruar Komedinë për ne


Në mërdhihemi e ikim nga dielli

S'kemi syza të zeza të mbrohemi- klith Ali Podrimja


Në parada orësh letrare dehemi

Interpretojmë si duam

S'i dëgjojmë metaforat e prera në fyt


Mbi portrete pshurrin qentë e çartur

Teksa na thuhet t'iu falemi tempujve prej rrenash

Uratë!


Asnjëherë s'e mësuam gjuhën e Fishtës

E ai na huazoi zërin e zjarrtë në formë stuhie


Mbi kokat tona vallëzojnë tragjeditë


Dhe mbi kokat tona portretet përhapen

Kafshohen nëpër heshtje ankthi

Teksa na kërkohet të heshtim

Budallakun ta përkundim si fëmijë


Kjo s'është kohë e Kafkës

Teksa sajohen mbretër pa mbretëri

E absurditetet çelin si lule në saksi


Intelektualë shitës lakrash

Akademikë lypës ndihmash

Migjeni çdo ditë vdes i ri

Nënës Terezës lotët varrë i shkojnë nëpër gurë

Matrapazët kanë harruar pagëzimin me ujë


PËRPJEKJA


Asnjëherë s'kam besuar se pas kohës së myktë

Humb kujtimi dhe imagjinata përmbyset

E në kokë të njeriut çelin krimbat

Bashkë me gjarpërinjtë thatanikë


Djajtë engjëjt

Hanë pinë

Kuvendojnë e mashtrojnë

Kafkën time e nuhasin

Me epshin e dreqitnjeri


Ëndërr e paparë

Gjak kullojnë lulet

Kafshohen ëndrrat

Hatashëm kafshohen

Përleshën leshrat e kalbura

Dhe aroma e tyre na deh


Pantallonat që s'mund t'i mbajnë koqet

Shiten në tregjet tona mëkatare

Nuk është panair idesh


Dhe maskat e skenës së mashtrimeve

Krismat si zjarret me tym të zi

Zoti im, tamam si këpurdha pas shiu

Dhe, ku është arti... klith?

Kori i ideve



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora