E enjte, 25.04.2024, 03:09 PM (GMT+1)

Speciale

Ilir Çumani: Jetimët, këta viktima të fatit...

E shtune, 14.02.2009, 09:39 AM


Ilir Çumani
Ilir Çumani
JETIMËT, KËTA VIKTIMA TË FATIT,
TË BRAKTISUR DHE TË PËRBUZUR...

- Nga streha vorfnore, në Spitalin Psikiatrik, deri në varrezat gjermane.-

Nga Ilir ÇUMANI*

Prolog...

Në një rrugë të Tiranës, që mban emrin rruga e "Kavajës", pranë ndërtesës së Ministrisë së Punës dhe Çështjes Sociale, të bie në sy një pllakë përkujtimore që të kujton se dikur aty, ka qënë "Streha Vorfnore". Ishte një shtëpi dy katëshe, ku mblidheshin jetimët nga të katër anët e vëndit. Deri vonë, ekzistonte kjo godinë, ashtu e rrënuar, si për të kujtuar të shkuarën e dhimbshme, mbi gërmadhat e të cilës sot, është ndërtuar  një godinë e madhe shumëkatëshe, luksoze e bashkëkohore. Aty  kaluan  fëmijërine e tyre të hidhur, plotë derte e halle, qindra jetimë, bijtë dhe bijat e popullit të thjeshtë e fukara. Sot, ata janë të moshuar dhe kokat u janë mbuluar me thinja të bardha. Ndonjëri prej tyre ndoshta nuk është më. Fadil Zeqiri e Kaman Kadare, Zoica Haxho e Sherife Fikaj, e ndonjë tjetër, mbase janë personazhet e gjalla të romaneve "Shtegëtimi i Fundit", "Jam biri i Popullit tim", apo të filmit "Lulëkuqet mbi Mure". Në to është pasqyruar realiteti i jetës së vështirë që e provuan mbi shpatullat e tyre të njoma. Si të gjithë moshatarët e tjerë edhe këta jetimë, morën pjesë aktive në shumë aksione të rëndësishme të njësiteve guerrile. Jetimorja, ishte një nga çerdhet ku përgatiteshin aksione të rëndësishme  kundër fashizmit....
Kryqi i Kuq Shqiptar i asaj kohe, ishte e vetmja Organizatë Humanitare që u vinte në ndihmë fëmijève jetimë. Për këtë, kjo organizatë duhet të gjente edhe mbështetjen e qeverisë. Regjimit të atëhershëm i interesonte që këtë kontigjent njerëzish ta kishte për vete. Në Bashkimin Sovjetik, mijëra jetimë ranë në betejat e Ushtrisë së Kuqe me thirrjen: "Rroftë Stalini". Kështu dhe Hitleri, gjatë Luftës së Dytë Botërore mbante rreth vetes, njerëzit më besnikë, të rritur jetimë. Ai i përgatiste në shkollat e larta ushtarake, dhe më vonë i gradonte oficera madhorë, sepse te këta shikonte garancinë e pushtetit të tij. Enver Hoxha, tregonte interes për jetimët. Në një nga fjalimet e tij, mbajtur në Shtëpinë e Fëmijës "8 Nëntori" në Tiranë, më 23 Nëntor, 1969, (Sot ajo mban emrin Shtëpia e Fëmijës "Zyber Hallulli"), do të shpreheshe: -"....Ju jeni e ardhmja e vëndit, besnikë të partisë....". Mirëpo kjo ishte një propagandë e rregjimit në kurriz të këtyre jetimëve, sepse realiteti ishte krejt ndryshe. Në rregjimin e Enver Hoxhës, u çelën jetimore në disa qytete të Shqipërisë. Të tilla ishin në Tiranë, Durrës, Pogradec, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Sarandë, Korçë, Fier, etj. Tashmë, ato nuk quheshin më "Strehë Vorfnore", por "Shtëpi Fëmije". Vitet '60 - '70 - të, ishin vite kur numuri i fëmijëve jetimë shkonte gjithnjë në rritje. Ishin vite kur "diktatura e proletariatit" goditi mbi ata njerëz që dolen kundër "vijës së partisë". Burgjet  u mbushën plot e për plot me njerëz të pafajshëm, prindër të cilët detyroheshin të linin jetimë fëmijët e tyre. Në këto institucione  propagandohej me të madhe "kujdesi i nënës parti", për këta fëmijë. Mirëpo e vërteta është se këta jetimë kurrë nuk janë parë me humanizëm, por  gjithmonë mbi ta është abuzuar. Në këto insitucione, ushtrohej dhunë ndaj të miturve jetimë. Nuk u kurseheshin fyerjet, përbuzja dhe epitetet nga më përçudnuese që u bëheshin. Më shtrejntë e paguanin fëmijët që prindërit u ishin dënuar për “agjitacion e propagandë”. Pasi provuan jo rrallë edhe persekucionin politik, ata ishin të detyruar të dëgjonin mbi shpinë emërtime si : “këlysh i armikut të popullit”, “bir ballisti”, “bir kulaku”, epitete të cilat ndoshta edhe vete këta fatkeqë nuk e kuptonin në thelb se ç' kuptim kishin ato fjalë.
Numuri i  fëmijëve jetimë në këto institucione, rritej edhe për një arësye tjetër; shumë nëna dhe vajza të reja të ndodhura përballë presioneve dhe opinioneve të asaj kohe, detyroheshin të braktisnin  foshnjat e tyre vetëm e vetëm për t'u mbrojtur nga paragjykimet e thashethemet  të cilat e goditën rëndë femrën dhe familjen shqiptare. Nga dyert e Shtëpive të Fëmijëve, kanë dalë 70.000 jetimë, një shifër e lartë kjo në krahasim me vëndet e tjera. Jeta që bëhej në këto institucione dhe ambjentet e tyre, më tepër ngjasonte me ato të kampeve dhe shkollave të riedukimit. Shërbimi psiko-edukativ e pedagogjik për një jetë normale, mirërritjen dhe formimin e këtyre jetimëve, të cilët kishin një jetë tepër specifike nga bashkëmoshatarët e tjere, linte shumë për të dëshiruar. Të gjitha këto mund t'i dëgjosh sot nga goja e qindra ish-fëmijëve jetimë që janë rritur në këto institucione. Madje, shumë prej tyre nuk duan që t'i sjellin ndërmend këto kujtime. Ato i kanë mbetur kronikës si një kujtim i hidhur.

Tregon Arbeni ...

Arben Skëndo është rritur jetim në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Sot ai eshte 36 vjeç, i pa martuar dhe i mbetur në mes të katër rrugëve, pa punë, pa shtëpi. Ka mbaruar Shkollën e Lartë të Oficerave në Tiranë, shkollë  që nuk e pati kurrë për zemer.
-"Këtë shkollë na jepnin ne jetimëve, duke na e motivuar se ishim bijtë e partisë dhe se interesat e saj e kërkonin që ne t’i përgjigjeshim thirrjes së  saj,  - thotë  Arbeni, - duke mos e fshehur dëshirën e herëshme që ka patur dhe ka për shkencat ekzakte. Kështu ishte koha atëhere, sepse në degët e mira shkonin fëmijet e atyre që prindërit i kishin me pozitë ...”
Arbeni tregon për jetën që ka kaluar ai dhe shumë bashkëmoshatarë  të tij. Marëdhëniet e fëmijëve me personelin edukativ, ai i konsideron marëdhënie të një disipline të fortë dhe ndëshkuese, që fillonte nga të mëdhenjtë, të cilët arrinin deri aty sa i lidhnin duart me tela dhe fundet e tyre i futnin në prizat e korrentit, e deri tek shkopi që mbante në dorë kujdestari. Të rriturit ushtronin dhunë mbi të vegjëlit, dhe s’ishin të pakëta rastet që të vegjëlit pasi ndëshkoheshin binin në gjumë pa ngrënë.
- " Na zgjonin nga gjumi në orët e vona të natës  për të larë teshat e të mëdhenjve. "
Arbeni kujton me detaje shumë gjëra të asaj kohe. Ai kujton se si në ditët e ftohta të dimrit, u bëhej zgjimi në orën 5-së  të mëngjezit, dhe detyroheshin të dilnin zbathur me kanatjere e mbathje për të bërë vrapin dhe gjimnastikën e mëngjesit.
“Dhëmbët na kërcisnin nga të ftohtit, nga ai i ftohtë dimri ku ende dita nuk kishte zbardhur. Dhe qanim nën zë, se po të na dëgjonte njeri, na priste e zeza...
- Pasi mbaronim gjimnastikën e mëngjesit, - vazhdon rrëfimin e tij Arbeni,  - rreshtoheshim përpara oborrit në pritje për të ngrënë mëngjesin. Na duhej të prisnim plot dy orë të rreshtuar për të hyrë në sallën e ngrënies. Ishte një sallë e madhe që merrte  gati 180 vetë.
Në mencë prisnim në këmbë prapa karrikeve, derisa të dëgjohej zëri i kujdestarit kur thërriste: -“Fëmijë, ju bëftë mirë...!” Të gjithë ne fëmijët përgjigjeshim njëzëri: “Faleminderit....!” – “Prapa kthehu!”, - dëgjohej zëri i çjerrë i kujdestarit për disa herë radhazi, i nervozuar dhe i pakënaqur nga zërat tanë të pafuqishëm. Ndonjëri do ta kishte për risk që t'i thyhej shkopi në kokë. Ky ishte një gjest që ia ulte inatin kujdestarit.
- Eeeehhh..., ç'farë të tregoj më parë or mik vëllai. Të jesh jetim, do të thotë te mbetesh në derë të botës, në dorën e tjetrit; të vuash kështu siç kemi vuajtur ne. Flinim pa ngrënë e zgjoheshim të uritur. Kemi provuar në kurrizin tonë të ftohtin dhe erën, shiun dhe breshërin. S'na u tha njëherë një fjalë e ngrohtë. Nuk na tha njëherë goja nënë, babë, motër e vëlla, shtëpi, familje... Dalloheshim nga fëmijët e tjerë që rriteshin me prindër. Për ne thonë se jemi njerëz të ndrojtur, të frikësuar, dhe se nuk duam të kemi njeri pranë. Por kjo nuk është e vërtetë. Më beso, ne jemi njerëz të mirë. Jetimët jane bujarë, kanë zemër të madhe. Po të dish  të hysh në botën e tyre e t'ua qash hallin, ata lënë kokën...”
Arbeni  këtu e ndërpret paksa bisedën dhe nga portofoli që mban në xhep, nxjerr një fotografi që është  e hershme, e bërë 20 vjet më parë. Aty ka dalë me shokët dhe shoqet e tij në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë.
- Më ka marrë malli për të gjithë, - thotë Arbeni. - Nuk e di se ku ndodhen, ç'farë bëjnë?! A janë rregulluar apo jo...?! I kam shkëputur lidhjet me ta sepse kam qënë ca kohë në Greqi...Dhe nis e më tregon me emra disa nga ata. - Ja, ky është Arturi, Lefteri, Gëzimi, Diana, Lejlaja, Mimoza, Karafilja, Lulëzimi, Matilda, Iliri, Xhulia..a..a..na...na...,  Xhuu...lliiaa...nnaa.....
Tek kjo e fundit Arbeni ndalon  një copë herë, merr frymë thellë, dhe  sikur do të thotë diçka që nuk e thotë dot... Padashur sytë i mbushen me lot dhe buzët i dridhen.  Ai ka shumë mall, por edhe dhimbje për shoqen e tij të dikurëshmë të fëmijërisë e cila nuk jeton më.  Dhe Arbeni vazhon  të përsërisë vetëm këtë emër: - “ Xhuliana, Xhuliana..."

Një jetë nëpër konvikte...

Jetimët sot po ndeshen me probleme të mëdha social-ekonomike. Rehabilitimi i tyre në jetën e shoqërisë shqiptare me anë të strukturave të shtetit dhe organizatave humanitare që ushtrojnë veprimtarinë e tyre bamirëse në Shqipëri, pothuajse është krejt e pamundur. Gati 95 % e tyre që mbarojnë shkollat e mesme sot enden rrugëve, pa punë, pa shtëpi. Djem dhe vajza të reja të moshës madhore, me mbarimin e shkollës sistemohen perfundimisht në këto konvikte. Aty u sigurohet një krevat për fjetje dhe një dietë e varfër ushqimi ditor, nga ato që serviren në mensat e këtyre konvikteve. Të sistemuar në këtë mënyrë, ata kanë krijuar një grupim shoqëror që e ndjejnë veten përfundimisht të braktisur nga shteti. Askush nuk interesohet më për ta.
Këta jetimë sot janë shtresa më e pambrojtur e shoqërisë shqiptare. Nëse në kohën e monizmit jetimët gjenin një mbështetje për punë dhe shtëpi, qoftë edhe për të marrë një të drejtë studimi, sot ata janë të privuar nga të gjitha këto të drejta elementare që gëzon çdo qytetar i lirë në vëndin e tij. Shumë nga këta jetimë nuk e kanë të qartë prespektivën. Vetëm në Tiranë jetojnë 101 jetimë nëpër  konvikte të shkollave të mesme.  Në shkollën e mesme teknollogjike janë 31 të tillë të moshës mbi 20 vjeç. Në shkollën e rezervave ndodhen 37 të tjerë. Po ashtu edhe 7 të tillë janë në shkollën e mesme pedagogjike, dhe 11 në konviktin e politeknikumit. Të tjerë jetojnë në konviktin e shkollës së mesme të ndërtimit.
- Ky është fati yne, - shprehet i indinjuar  Lorenc Opari, një i ri 26 vjeçar. Fytyra e tij rrezaton paqe, mirësi dhe dashuri, por edhe dhimbje e shpresë... Me një vështrim lutës, sytë e tij duken sikur të thonë : -“Ç'farë duhet të bëjmë dhe nga duhet të shkojmë...?! S'na ka mbetur gjë tjetër, veçse te largohemi në mënyrë të pavullnetshme nga Shqipëria, sepse këtu vënd për ne nuk ka”, - thotë ai.
Lorenci jeton së bashku me Alket Babolin, Rozeta Krashin, Matilda Minën, Majlindën, Olsin dhe Artanin, në konviktin e shkollës së mesme  teknollogjike. Asnjëri prej tyre nuk ka patur fatin të njohë prindërit e vërtetë. Për Lorencin nuk ka rëndësi se cilët kanë qënë prindërit e tij, sepse në fund të fundit është faji i tyre që sot ai  së bashku me shokët po vuan.
- “Nuk mund t'ua falim braktisjen që na bënë ata”, - arsyeton  Lorenci, dhe mendimin e tij  e aprovojne edhe Artani me Olsin.
- “Përse xhanëm  duhet të kemi këtë fat gjithë jetën”,  - ndërhyn Majlinda. A nuk kemi edhe ne të drejtë të jetojmë si gjithë të tjerët ?! Mbi të gjitha jemi njerëz....”
Ata flasin të nxituar dhe tepër të shkujdesur, duke mos i lënë radhën njeri - tjetrit. Kanë shumë gjëra për të thënë, sepse edhe zemerimi i tyre i ka kaluar kufijtë e durimit. Shumë nga këta jetimë i janë nënështruar rrugëve të pandershme si vjedhjes, prostitucionit, përdorimit të drogës. E të gjitha këto vetëm e vetem për të mbijetuar. Pjesën më të madhe të kohës e kalojnë rrugëve, në klubet e natës dhe në disko. Atje qëndrojnë deri në orët e vona... Pronari i një diskoje në Tiranë është bërë miku i tyre, dhe siç thotë  Alket Baboli:  - “çdo natë ai na pronoton disa vënde gratis...”. Kjo është e vetmja mënyrë argëtimi për të hequr mërzitjen dhe larguar mëndjen nga hallet e shumta që ata kanë. Janë të lirë në jetën që bëjnë, nuk kontrollohen nga askush.
Matilda dhe Rozeta janë dy vajza jetime që i kanë mbushur të 30 - tat. Janë beqare, dhe siç thonë ato nuk u pelqen martesa. Mbase kështu i janë përshtatur mënyrës së jetesës. Ato thonë se nuk e ndjejnë  mungesën e parasë edhe pse nuk janë në punë. Njohin  shumë  miq , tek te cilët gjejnë ngrohtësi dhe mbështetje, por edhe ndihmë financiare. Nuk kanë dëshirë të flasin për jetën që bëjnë, sepse siç thotë Rozeta: - “  kjo është një çështje private që na përketë ne ...”.
E megjithatë, në mbrëmje vonë ato mblidhen bashkarisht aty, në dhomën e përbashkët të konviktit ku jetojnë, strehë e cila ashtu si dikur të vegjël, edhe tani kurrë s'ka për t'i  ndarë ndonjëherë...

Udha drejt ferrit...

Në spitalin neuropsikiatrik "Filip Papajani" në Elbasan, prej vitesh ndodhen të shtruar 18 jetimë. Ata nuk trajtohen me asnjë lloj mjekimi, sepse gjëndja shëndetësore e tyre dhe ajo psiqike ka qënë dhe është e mirë. Këtë e konfirmon edhe drejtori i këtij spitali z. Roland Bërdufi, i cili thotë se këta njerëz realisht nuk kanë probleme të tilla si ato të pacientëve të sëmurë që shtrohen këtu për t'u kuruar. Mirëpo në kartelat e tyre të shtrimit, - thotë z. Bërdufi, u është vënë një diagnozë për të justifikuar qëndrimin në spital. Disa prej tyre kanë ardhur me dëshirë këtu, dhe disa të tjerë i kanë sjellë me rekomandim mjekët jashtë këtij spitali. Arësyeja përse ata ndodhen këtu është fare  e qartë; ata  janë njerëz të vetmuar dhe krejt të braktisur, pa shtëpi, pa familje, të cilët nuk kanë ku të strehohen  dhe me se të ushqehen. Megjithatë këtu kanë gjetur strehë dhe ushqim, - përfundon prononcimin e tij drejtori Roland Bërdufi.
Ndryshe nga dhomat e tjera të cilat janë siguruar me kangjella në dritare dhe porta me hekura, ambjenti ku qëndrojnë këta jetimë është disi më i veçantë. Ata janë të lirë të lëvizin dhe të dalin jashtë mureve të këtij spitali megjithë rregullat e forta dhe disiplinën që ekziston aty. Meshkujt jetojnë në një dhomë më vehte. Femrat po ashtu. Gjatë ditës angazhohen me punët e ndryshme të spitalit dhe u vijnë në ndihmë personelit të shërbimit.
Donika Dona është gjithnjë në lëvizje me një fshesë dhe kovë në dorë  që  i mban aty pranë krevatit kur bie te flere. Atë e gjen herë tek zyra e drejtorit dhe  herë  nëpër korridoret e spitalit.
- “ E kemi shumë të mirë drejtorin. Atij i vjen keq për ne, prandaj edhe ne e duam... Ja, e shikon? Unë gjithmonë ia laj  zyren drejtor Landit “, - thotë Donika. Dhe  i hidhet atij në qafë si për të thënë me këtë gjest se ato që thotë  janë të vërteta. Në vështrimin dhe fjalët e saj duket një fije shprese...
- “Unë dua të dal nga spitali,  - thotë me një zë lutës  Donika, - më duhet të punoj e të fitoj ndonje lek... Pse të ha qyl bukën e qeverisë..?!  Pastaj unë jam nevojtare dhe kam nevoj për shumë gjëra personale që i nevojiten një femre….”
- Ajo e merr vesh qëllimin e ardhjes tonë, dhe pasi i drejtoj aparatin për t'i bërë një fotografi më  pyet : - “Ke ardhur të na nxjerrësh nga spitali...?! "
- Fjalët e Donikës më zënë ngushtë. – “Po, po, ke ardhur të na nxjerrësh nga spitali... Hhe..ee..ee..j, Genci, Vjollca, ka ardhur ky gazetari të na nxjerrë nga spitali..."
Unë i kërkoj drejtorit të marrë kontakt me disa prej tyre, por ai më thotë se nuk mund t'i takoj të gjithë, sepse dalin ne qytet.
Pasi kanë ngrënë mëngjesin, vishen me rrobat e liridaljes dhe kapërcejnë portën kryesore të spitalit. Dalin në qytet për të kërkuar ndonjë punë të çastit dhe për të fituar ndonje lek. Kur vjen koha e drekës ata përsëri kthehen në spital, hanë dreken dhe sërish shkojnë në qytet në kërkim të ndonjë pune tjetër. Kur errësohet, kthehen përsëri për të ngrënë darkën dhe shkojne pranë shtratit për të fjetur. Ky është si të thuash programi i të gjithë ditës që e kanë kthyer në një ritual të  jetës së tyre.
Vjollca Frroku  jeton që prej 14 vjetësh në këtë spital. Afërsisht kaq vite kanë edhe Zija Disha, Lindita Muçollari, Lule Foçi, Arjan Doka, Tatjana Tusha, Genci Meçe, Monda Gjordani, Donika Dona, Aranit Tuka, Gani Meçe, etj. Vetëm Ferrat Ajazi  jeton këtu qysh prej 38 vjetësh.  Ai është më i moshuari. Ka qënë 10 vjeç kur ka ardhur në këtë spital. Tani eshte 48 vjeç.
Ziko Disha ka dy vjet e gjysëm i paralizuar. Qëndron gjithë kohës i shtrirë në krevat dhe rreth tij mblidhen shpesh të gjithë jetimët që janë këtu. Bisedojnë e qajnë hallet me njëri - tjetrin.
Lule Toçi i qëndron afër Zikos duke i shërbyer. Asnjëherë nuk e le atë vetëm. I përgjigjet për çdo gjë që ai ka nevojë.
-“Ështe e fejuara ime, - thotë Ziko për Lulen, - kemi dy vjet të fejuar dhe që po bashkëjetojmë...”.
Edhe Lulja kështu thotë : - "Jam fejuar me Zikon ditën kur ai u sëmurë “.
Po kështu edhe  Ferrat Ajazi së bashku me Tatjana Tushën kanë “lidhur kurore”,  dhe thonë se janë të martuar, pavarësisht se një gjë e tillë nuk figuron në zyrën e Gjëndjes Civile. Madje Tatjana e ndjen veten shumë mirë pranë “bashkeshortit”,  të cilit i bërtetë ndonjëhere  kur ai nuk i bindet asaj.Të dy së bashku po përjetojnë dramën e shumëfishttë jetës së vështirë, por edhe atë të humbjes se foshnjës së tyrë,  fati i të cilës nuk dihet qysh prej kater vjetësh.
Brenda mureve të këtij spitali ata ndjehen mirë e të sigurtë, dhe kjo bënë qeë të harrojnë gjithëçka nga e kaluara e të mos e vrasin mëndjen shumë.
Në shoqërinë e njëri - tjetrit, numërojnë orët, ditët, javët e muajt... Kështu i kanë shkuar tërë këto vite dhe kështu do t'i kalojnë edhe vitet që vijnë...

Luan Koçi, viktima e parafundit...

Nuk janë të pakëta rastet që jetimët kanë përjetuar trauma të rënda shpirtërore dhe psiqike. Në disa raste ata kanë provuar edhe fatin e ashpër që i kundërvihen jetës së tyre që nuk i lë të jetojnë. I tillë ishte rasti me Ilirjana Zeraj që u gjet e varur në dhomën ku banonte e vetme pranë rrugës “Naim Frashëri”, në Tiranë.
Një tjetër jetime përdhunohet dhe keqtrajtohet nga njerëz me maska në një nga konviktet e qytetit të Korçës dhe ajo për t'i shpëtuar kthetrave të këtyre maskave hidhet nga kati i trete...
Po kështu Edmond Terreni humbi jetën në rrethana krejt të panjohura, rrugëve të Italise, duke u hedhur nën rrotat e makinës. Janë disa nga këta jetimë që i kanë dhënë fund jetës me vetëvrasje.
Në varrezat e Rosen Hügel, Gelsenkirshen, (Dyseldorf ) në Gjermani, në ditët e para të muajit dhjetor të vitit  që shkoi, zhvillohej një ceremoni mortore krejt e veçantë për banorët e kësaj province. Çuditërisht në këtë varrim merrnin pjesë 60 vetë. Një numër i madh ky për ceremonitë e zakonshme të gjermanëve. Varrimin e organizonte Kisha dhe personalisht prifti i kësaj province Vilfrid Spekovius. Njeriu që merrte lamtumirën e fundit ishte një shqiptar. Quhej Luan Koçi. Kishte qënë dikur nxënës i futbollistit dhe trajnerit të njohur Fatmir Frashëri, i cili ditën kur mori vesh lajmin u nis me urgjencë në Gjermani për të marrë pjesë në varrimin e Luanit.
Fatmir Frashëri i prekur dhe me lot ne sy, ashtu siç mund të bëjë vetëm një prind i mirë, tregon për Luanin hollësira se në ç'rrethana e pati njohur atë. 
- “Kam qënë për disa vite mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme teknollogjike në Tiranë, - kujton mjeshtëri Frashëri. - Gjatë një ore mësimi me një klasë të vitit të parë, më bëri përshtypje një djalë shumë i ndrojtur dhe pa fjalë. E donte shumë futbollin . I afrohem një ditë pranë dhe e pyes për emërin, ku jetonte dhe ç' familje kishte... Ai më tha se ishte jetim, nxënës i rritur në Shtëpinë e Fëmijës. I hodha dorën në qafë dhe e  përkedhela, ndërkohë që  i premtova se do t'i qëndroja pranë për çdo hall që të kishte. Qysh atëhere u lidhëm shumë me njëri - tjetrin, madje më vonë u bë edhe pjesëtar i familjes sime. Ishte nxënës korrekt dhe me shumë vullnet. Luani kishte nje sedër të madhe,  madje një sedër të sëmurë. Ai e vuante shumë kompleksin e inferioritetit vetëm pse ishte njeri pa njeri. Me mbarimin e shkollës se mesme me rezultate të mira, atij iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta në Institutin e Shkodrës në degën biokimi, pas përfundimit të së cilës emërohet mësues në fshatin Shënmëri të Kukësit.
Viti l991, e gjen duke punuar në fshatin Surrel të Tiranës. Lidhjet me Luanin nuk i kisha ndërprerë, - tregon mjeshtëri Frashëri. Luani zotëronte mirë gjuhën gjermane dhe e kishte ëndër vajtjen në Gjermani. Jetonte në një banese të vogël garsoniere, në afërsi të ish-parkut te autobusave. Më fliste shpesh për planet që kishte për të ardhmen, madje më tha se kishte njohur edhe një vajzë me të cilën dëshironte të fejohej. Ëndërronte shpesh që një ditë të shkonte në Gjermani. Dhe në vitin l992  vendos të bëjë hapin final. Shet apartamentin  për vetëm 350 dollarë dhe niset ilegalisht në Gjermani. Një aventurë  të cilën për momentin arrin ta realizojë. Aty njihet me priftin Vilfrid Spekovius, tek i cili gjen një mbështetje  të madhe materiale dhe morale. Por jo të autoriteteve zyrtare gjermane, të cilat gjithçka  shkelin përveçse ligjin. Si një person që kishte hyrë pa vizë të rregullt, Luanin e detyrojnë të lërë Gjermaninë. Por Luani nuk mendon që të qëndrojë në  Shqipëri. Ai i shkruan priftit dhe i lutet  të vijë ta ndihmoje. Gjermani që e donte shumë shqiptarin, vjen në Tiranë dhe i rregullon të gjitha dokumentat që Luani të shkojë  tashmë sipas të gjitha rregullave në Gjermani, ku përveç  priftit, aty kishte njohur një mik tjetër të dashur. Ishte Friedrich Güsse, një i moshuar në shtëpinë e të cilit kishte punuar dhe banuar Luani. Kujdesin, shërbimet dhe besnikërinë shëmbullore të të cilit, plaku gjerman kishte vendosur që t'ia shpërblente me lënien e pasurisë me testament.  Ndoshta, një fat që jo çdo shqiptari mund t'i takojë jashtë vendit të tij. Por me gjithatë kjo duket se nuk kishte zënë ndonjë vënd të madh në mëndjen e shqiptarit. I rritur jetim, ai dukej se vuante nga një tjeter dashuri. Madje kur dashuria për nënën tek ai nuk pati ekzistuar. Dy javë para se të linte përsëri Shqipërinë, Luani asiston në vdekjen e nënës gati 60 vjeçare.
Më 29 Nëntor, ai fluturon për në Gjermani së bashku me priftin për të mos u kthyer më kurrë në Atdheun e tij. Ato ditë, para largimit nga Shqipëria, ndoshta Luani kishte marrë një vendim të pandryshueshëm. Me të mbërritur në Gjermani, dikujt i pati blerë një revole dhe në të gdhirë të datës 9 dhjetor, ora 5, vret veten me një plumb në zemër, në një lulishte, ose pikërisht në vëndin  që i kishte pëlqyer më shumë të pushonte, në parkun ku  shëtiste çdo pasdite me priftin Vilfried. Në xhepin e xhaketës i gjetën një letër në të cilën ishin shkruar nga dora e tij këto fjalë : “Nuk jam pishman pse vdes, por po lë një amanet; trupin tim të mos e çoni në Shqipëri, por të varrosem në Gjermani...”
Padyshim, kjo ishte një dhimbje e madhe për të gjithë pjestarët e familjes të priftit Vilfrid Spekovius. Me lot në sy e përjetuan këtë fund tragjik të Luanit edhe plaku Fridrich Güssen, Elisabeta, e shoqja e priftit, Georgi, (dhëndri), Silvia, (e bija), dhe Lukashi, (i nipi)... Ata bënë çmos që amanetin e fundit të Luanit ta çonin deri në fund, duke i bërë edhe nderet e një varrimi madhështor.
Luan Koçi ndërroi jetë një vend larg atdheut të tij, por i vetëdijshëm dhe me dëshirën e tij; sepse atje ai shikonte realizimin e të gjitha ëndërrave, arritjen e shumë gjërave që vendi i tij kurrë nuk ia pati  dhënë ndonjëherë...
Ai është viktima e parafundit...

* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora