E premte, 19.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Mendime

Emil Lafe: Keqardhje për Televizionin Shqiptar

E shtune, 14.02.2009, 09:32 AM


Papa Kristo Negovani
Papa Kristo Negovani

Keqardhje për Televizionin Shqiptar

Nga Emil Lafe
 
Dje në mëngjes ndoqa rastësisht Almanakun e Televizionit shqiptar. Ndër të tjera në këtë rubrikë u tha:
Më 12 shkurt 1905 vdiq Papa Kristo Negovani ...
Nuk munda t'i dëgjoj mirë fjalët e tjera nga gumëzhima e lokalit ku kisha një takim pune me një koleg. Por pavarësisht nga ato që u thanë më pas, një gjë ka rëndësi të theksohet:
Papa Kristo Negovani NUK VDIQ, por u MASAKRUA barbarisht bashkë me të vëllanë, papa Theodhorin dhe disa bashkëfshatarë.
Negovani është një nga fshatrat shqiptare të krahinës së Kosturit. Papa Kristoja ishte 30 vjeç kur e vranë andartët grekë në mesnatën e akullt të 12 shkurtit 1905. Kishte punuar disa kohë në Rumani dhe kishte marrë pjesë në shoqëritë atdhetare të Shqiptarëve të atjeshëm. Më 1897 u kthye në Negovan dhe iu kushtua lëvrimit e mësimit të gjuhës shqipe, zgjimit kombëtar. Solli fshehtas libra shqip dhe hapi fshehtas shkollën e parë shqipe për bashkëfshatarët. Botoi disa krijime letrare për moshën shkollore: "Vjershëshkresëtoreja" Sofje, 1899; “I drunjti kryq”; vjershën e gjatë lirike "Prishja e Hormovës nga Ali Pashë Tepelena", Sofje, 1903, ribotuar në Tiranë, 1960; I vogëli Donat Argjendi" (1904) etj. Përshtati edhe disa fabula nga La Fonteni. Papa Kristo Negovani punoi për krijimin e një kishe shqiptare të pavarur nga Patrikana e Stambollit, e cila synonte të shkombëtarizonte shqiptarët ortodoksë. Në kishën e fshatit të tij meshonte në gjuhën shqipe. Për këtë arsye u masakrua barbarisht nga andartët grekë, vegla të bindura të qarqeve shoviniste antishqiptare. Nuk e di a është më në librat e leximit letrar të shkollave tona elegjia prekëse e poetit Loni Logori, që fillon me vargjet:

Papa Kristonë e vranë
dhe s'ra për të një kambanë...

Papa Kristo Negovani është dëshmor i shkollës shqipe dhe Mësues i Popullit. TVSH-ja bën mirë që e përkujton ditën e flijimit të tij, por e vërteta duhet thënë e plotë, pa censurë e autocensurë. Mjaft më me të tilla! E ardhmja e marrëdhënieve të mira shqiptaro-greke nuk mund të ndërtohet duke mos thënë të vërtetën për ato që kanë ngjarë dikur. Ndërgjegjja kombëtare jona është mbrojtur me flijimet e këtyre martirëve. Papa Kristo Negovani meriton një memorial në vendin ku u masakrua dhe pranimi i këtij memoriali nga bashkësia që jeton sot në Negovan, do të ishte një shenjë e mirë që kohërat kanë ndryshuar. Papa Kristo Negovani nuk ishte armik i Grekëve, po armik i armiqve të Shqipërisë.
Propozoj që Alb-Shkenca të bëhet nismëtare për një memorial në Negovan për këtë dëshmor të shkollës e të gjuhës shqipe. Ne e kemi për detyrë t'ia ngremë një memorial atij trimi të shkollës e të gjuhës shqipe dhe ai memorial duhet të ngrihet atje ku Papa Kristoja lindi dhe derdhi gjakun. Duhej të ishte bërë para dy vjetësh, me rastin e 100-vjetorit të ngjarjes. Le të bëhet dhe më pas, vetëm të bëhet!

Biografia

Emil Lafe u lind në vitin 1938, është gjuhtar shqiptar.
Kreu studimet në Universitetin e Tiranës në vitin 1959 dhe prej atëherë ka punuar në këtë universitet dhe në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave. Ka qenë drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, që ishe një organizëm i Akademisë së Shkencave, i ngarkuar me përpunimin e botimit të dytë të fjalorit enciklopedik shqiptar dhe hartimin e enciklopedisë shqiptare.
Është marrë me probleme të ndryshme të studimeve albanologjike, me autorët e vjetër shqiptarë, veçanërisht me Gjon Buzukun, pastaj me probleme të gramatikës. Është bashkautor i gramatikës akademike të gjuhës shqipe. Po ashtu ka bashkëpunuar që nga viti 1961 deri në vitin 1976 për drejtshkrimin e gjuhës shqipe me Komisionin e viti 1961 deri në vitin 1976 për drejtshkrimin e gjuhës shqipe me Komisionin e Drejtshkrimit të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të kryesuar nga prof. Androkli Kostallari, pastaj Eqrem Çabej dhe Mahir Domi. Njëkohësisht është kryeredaktor i revistës "Gjuha Jonë", që është revistë për kulturën gjuhësore. kryeredaktor i revistës "Gjuha Jonë", që është revistë për kulturën gjuhësore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora