Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marije Dhama, artistja lirike që ringjalli folklorin elbasanas

| E premte, 13.07.2007, 06:24 PM |


Prej pak kohësh është ndarë nga ne artistja lirike, më e njohura që ka nxjerrë gjer më sot Elbasani, Marije Dhama. Ajo lindi në Elbasan, lagjen "Spahikore" më 1932 dhe u rrit në gjirin e një komuniteti vllah dhe në një familje mjeshtërish këpucarë, zbritur qysh herët nga Grabova e Gramshit.
Marija kreu Shkollën e Mesme Pedagogjike, por nuk e ushtroi mësuesinë, se u mor qysh e vogël me skenën e me këngën. Kështu që u grupua nëpër ansamblet popullore, soprano e soliste. Mbushi me zërin e saj të ëmbël jo vetëm ambientet e Elbasanit, por të të gjithë Shqipërisë.
Në fund të "Viteve të Dyzeta", kënga qytetare elbasanase pothuaj qe harruar. Usta Isuf Myzyrin s'e përfillte kush dhe këngët e "masave", këngët ruse-të filmave, mbizotëronin në jetën artistike.
Ishte Marije Dhama, e cila qysh në fillim të viteve '50 e çoi nga gjumi folklorin muzikor të Shqipërisë së Mesme. Qenë harruar "perlat" e Isuf Myzyrit, të Nezimit e të Bebetit dhe ajo i nxori në dritë, u dha jetë sërish…

Ne, shokët e bashkëmoshatarët, prej saj njohëm repertorin e artit muzikor të folklorit elbasanas, prej saj mësuam poezinë e letërsisë sonë gojore. Ajo diti të qëmtojë e të zgjedhë, duke nxjerrë në dritë gjithë këtë bukuri artistike, zbukuroi dhe fisnikëroi qytetin e saj të lindjes, i dha emër kudo, nëpër botë. Erdhi koha, kur në Sofje e Bukuresht, Moskë e Leningrad do të jehonte kënga "Vajta në Elbasan!", përkthyer në sa e sa gjuhë!

***

Repertori i Marije Dhamës qe i larmishëm, por i zgjedhur. Ato përmbledhin perla, që vijnë deri më sot të incizuara ndër pllaka gramafoni, kaseta e disketa. Kënga e Marije Dhamës nuk sjell veçse kënaqësi artistike, por, nga ana tjetër, është dhe vlerë intelektuale…

Kujtojmë vargje të tilla si:
"Dola ke porta e Kalasë"

Kujtoni:
"Një lulishte me trandafila"

Më pas:
"Në zabel të erdha"

Tjetër:
"Hodha sytë e pashë ezmeren"

Marije Dhamën s'e pat` veç Elbasani. Ajo qe një artiste autoritare e mbarë kombit, sepse në repertorin e saj, përfshiu këngët e gjithë Shqipërisë. Disa prej tyre i gjeti, nëpër dasma e davete të vendlindjes. Të tjerat i kërkoi nëpër Shqipëri, si: "Bie dallëndyshja n'gemb të ullirit për me fjetë", qe këngë ulqinake; "Një qemane atje larg po binte" ishte beratase; "T'kishje pas një djalë si Mema", shkodrane, e kështu me radhë…

Për vite me radhë ajo u mënjanua nga "sofrat" që shtroheshin për krijuesit. E nuk u përmend deri ditën kur u shua. Njerëzit u kujtuan për të, tek lexonin "Lajmërimin e vdekjes".
Dhe pëshpëritnin si në psalme kishtare: E shkreta Marije!

Hyjni S.Ceka