E premte, 19.04.2024, 07:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Thesaret e bibliotekës së Atë Vinçens Malajt

E premte, 13.02.2009, 07:48 PM


Vinçens Malaj
At Vinçens Malaj
Nga Vitor Demaj

Në elitën kulturore shqiptare, një vend të shquar zë figura poliedrike e françeskanit shqiptar Atë Vinçens Malaj. Në historiografinë shqiptare nuk mund ta anashkalojmë dhe ta mënjanojmë kontributin e vyem që la ky dijetar i madh, si në studimet gjuhësore, historike, bibliografie, folkloristike e letrare, etj. At Vinko, siç thirrej nga miqtë dhe të dashunit e tij, hyn në atë plejadë të artë të françeskanëve që përgjatë shekujve i qendruen besnik popullit shqiptar, duke i lëvruar gjuhën, zakonet dhe historinë e tij, duke luftue bashkë me të për gjënë më të shtrejtë: identitetin kulturor dhe pamvarësinë e tij. Dijetarët që i paraprinë studiuesit Atë Malaj janë: Fra Pali prej Hasit, deri më tani i njohur edhe si vjershëtari i parë shqiptar që e hasim në veprën e Budit, e më pas kemi Atë Françesko Maria Da Lece, gramatologun e parë dhe mësuesin e palodhur të shqipes; Atë Anton Françesk Santorin, arbëresh; Atë Françesko Rossin, edhe ky profesor i katedrës së gjuhës shqipe në Romë, që na ka lënë disa vepra në gjuhën shqipe. Kemi Atë Dario Buçiarelli, që boton një gramatikë shqipe dhe ka lënë disa studime në dorëshkrim mbi Shqipërinë. Në rreshtin e tyre hyn edhe At Leonardo De Martino da Greci, arbëresh, mësues i At Gjergj Fishtës, i cili na ka dhurue veprën madhore "L'arpa di un italo - albanese". Me këtë vepër, ky dijetar ruajti një vend nderi në letërsinë shqipe. Në shekullin e XX kemi një lulëzim të letërsisë françeskane me At Gjergj Fishtën në krye, Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Vinçens Prenushi, Atë Pal Dodaj, Atë Pashko Bardhi, Atë Marin Sirdani, Atë Anton Harapi, Atë Bernardin Palaj, Atë Donat Kurti, Atë Ambroz Marlaskaj, Atë Justin Rrota, Atë Benedikt Dema, Atë Martin Gjoka, Atë Gjon Shllaku, Atë Bernard Llupi, Atë Antonin Fishta, Atë Marjan Prelaj, Atë Viktor Volaj, Atë Paulin Margjokaj, Atë Jak (Giacomo) Marlekaj, Atë Kol Berishaj, Atë Zef Jankaj, Atë Leonard Shajaku, Atë Daniel Gjeçaj, Atë Zef Pllumi, etj. Të gjithë këta françeskanë, së bashku me krijimtarinë e tyre ranë viktima të komunizmit. Duke parë këtë trashëgimi të madhe të françeskanëve, Atë Vinçensi nuk qëndroi me duar në bel, mundësisht u ba motivi kryesor në studimet e mëtejshme të shqipes. I gjithë ky numër françeskanësh, që me jetën e veprën e tyre shkruan dhe bënë historinë e vendit ku jetuan, i dhanë gjithçka patën Shqipërisë: "Për Fe e për Atdhe". Krijimtaria e tij është mbresëlënëse. Merr pjesë gati në të gjitha të përkohshmet letrare, ku zë vend bashkëpunim i tij me shkrimtarin e madh Ernest Koliqi, në revistën e themeluar prej tij "Shêjzat", me Martin Camajn, Zef Valentinin, e të tjerë eksponent të mendimit të lirë në mërgim. Në vitin 1973 mbron doktoraturën mbi "Kuvendin e Arbënit" nën drejtimin e Ernest Koliqit, me korelator Prof. Giuseppe Schiro, Prof. Giuseppe Graditone, ku mori vlerësimet maksimale për punën e tij. Pas doktoraturës kthehet në Tuz, ku vazhdon misionin e tij si meshtar e si studiues, duke grumbulluar libra, dorëshkrime dhe gjëra tradicionale në bibliotekën e tij personale. Pasioni për bibliotekat e bëri Atë Vinçensin të ishte bibliotekar në Kotorr, dhe në bibliotekën e pasur të kuvendit të fretënve në Dubrovnik.

Një eksplorim...

Kur hyn në Kuvendin Françeskan të Tuzit, të krijohet përshtypja se ke hy në një muze. Të dalin përpara harta të vjetra të shekujve XVII - XVII, piktura të Linë Delisë, si dhe të Atë Vinçensit, vegla tradicionale me vlerë folklorike të etnosit për shqiptarët e atyshëm. Një e veçantë e këtij mbledhësi të madh janë edhe 'guralecët' të mbledhura në vende të ndryshme, të cilët i ka shndërruar në vepra arti, duke gdhendun në ta personalitete si Atë Shjefën Gjeçovi etj. Biblioteka është pasion dhe vend-studimi i njerëzve të mençur, të mëdhenj, për të cilët biblioteka thotë gjithçka: është krejt jeta e tyre. Hyjmë në bibliotekën e tij, ku gjithçka është ruajtur me pasion nga fretënit që jetojnë aty sikurse e ka lënë vetë Atë Vinçens Malaj. Të krijon emocione të papërshkrueshme kur të shkon syri te karrigia, tavolina e tij e studimit dhe disa lupa të paprekura, si në kohën e Atë Vinkos. Biblioteka nuk është një bibliotekë dosido, por në të ka libra të zgjedhur në fushën e studimeve albanologjike. Si çdo bibliotekë e profilit shkencor në studimet shqiptare, edhe biblioteka e themeluar prej bibliofilit Atë Vinko është e ndarë në tre sektorë të përgjithshëm: sektori i antikuariatit; sektori i dorëshkrimeve, ose thënë ndryshe arkivi i dorëshkrimeve, të letrave dhe korrespondencës; sektori i botimeve të ndryshme të librave: të vjetër dhe të rinj. Sektori i antikuariatit është shumë i pasur me botime të rralla dhe origjinale si për shembull: 'Historia del Magnanimo e valoroso signor Giorgio Castrioto detto Scanderbego, dignissimo Principe degli Albani', Venetia 1580; 'Blanchum Franciscum, Dictionarivm latino epiroticum', Romae 1635. Francesco Maria da Lece, 'Osservazioni grammaticali nella lingua Albanese', Stamperia della Sag. Cong. Di Prop. Fede Roma, 1716. Këto edhe shumë libra të tjerë gjenden në këtë bibliotekë. Dhe jo vetëm kaq. Gjatë shfletimit të librave hasim edhe në veprat origjinale të albanologëve më në zë të gjuhës shqipe.

Dorëshkrime dhe korrespondenca

Një vend të rëndësishëm në kujdesin e Atë Malajt zënë edhe dorëshkrimet origjinale. Unë pata fatin të shoh dorëshkrime origjinale folkloristike, gjuhësorë të Atë Bernardin Palajt, Atë Benedikt Demës, etj. Sjellja në dritë dhe botimi i këtyre dorëshkrimeve do të sjellë kontribut të çmuar për studiuesit në lëmin e albanologjisë. Ndërmjet studiuesve, përveç studimeve të zhvillimit të kulturës dhe të mendësisë së njeriut, ekzistonte edhe një mënyrë tjetër bashkëpunim mes tyre: ajo e korrespondencës. Përmes komunikimit me letra shumë herë hetojmë e kuptojmë personalitetin dhe pikëpamjet personale, si dhe shumë të dhana që nuk i gjejmë të shkrueme në libra. Edhe Atë Vinçensi kishte korrespondencë me Ernest Koliqin, Martin Camajn, Zef Valentinin, Atë Daniel Gjeçaj, Atë Jak Marlekaj e shumë të tjerë. Prandaj, zbardhja në letër e kësaj korrespondence do të sjellë një risi më vete për të apasionuarit e librit. Ndërsa largohemi, vetvetiu të shkon mendja te bibliotekat e trashëguara nga Manastiret e Murgjërve Benediktin. Monumente të kulturës botërore. Pothuajse në të gjitha Manastiret ekzistonin biblioteka dhe aula për transkriptimin dhe kopjimin e dorëshkrimeve që ishin gati të shkatërruara, me qëllim ruajtjen si vlera të rralla. Falë tyre, sot ne kemi një pjesë të letërsisë klasike, të filozofisë antike si dhe të atyre institucioneve, që më vonë do të thirren universitete. Edhe biblioteka e Atë Vinçensit është vazhduese e asaj logjike dhe atij geni që përmendëm më lart.

Studimet e panjohura

Në këtë shkrim përshkrues s'po flas për aktivitetin e tij shkencor, pse biblioteka e tij e tregon se çfarë personaliteti ishte Atë Vinko. Dua të sjell para lexuesit disa prej studimeve të tij, si për shembull: studime të ndryshme mbi Gjergj Kastriotin - Skanderbegun: Bibliografi mbi Skanderbegun; Nji vepër e 1700 mbi Skanderbegun, Vepra "Skanderbeg" e abati Vivaldi, Përfytyrimi i Skanderbegut dhe autenticiteti i tij, etj. Nga ky studiues kemi bibliografi mbi albanologun Zef Valentini si dhe një bibliografi mbi botanistin dhe albanologun Antonio Baldaçi; Kontributi i françeskanëve në letërsinë shqipe: Kuvendi i Arbënit 1703, kontribut i vyer për studiuesit në rrafshin historik, gjuhësor e bibliografik. Por, nga krijimtaria e shumtë e tij janë botuar vetëm tre libra: 'Kuvendi i Arbënit', 1703, Don Gjon Buzuku Ulqin - Tuz 1999; Studime albanologjike, Folklor, bibliografi, histori, 1. Don Gjon Buzuku Ulqin - Tuz 1999; Studime albanologjike, Folklor, bibliografi, histori, 2. Don Gjon Buzuku Ulqin - Tuz 1999. Por, ai ka bërë edhe nji Glosar të Kuvendit të Arbënit që pret dritën e botimit. Dhe përpos këtyre që shënuam, ka edhe shumë shkrime të tjera të botuara dhe të pa botuara, që bashkësia françeskane e Tuzit po i përgatit për botim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora