E merkure, 24.04.2024, 10:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Cekja: Ja përse nuk largohem nga Berati

E enjte, 12.02.2009, 06:37 PM


Cekja, polic
Nga A. Kaja

Edhe pse axhenda e artistit të humorit, Sejfulla Myftari, i pagëzuar me emrin “Cekja i Beratit”, është shumë e ngarkuar me aktivitete brenda dhe jashtë vendit, nuk e patëm të vështirë që të kontaktonim me të për t’i shkëputur atij një intervistë. Ai është gjithmonë i gatshëm dhe nuk di të gënjejë, kur e pyet nëpërmjet telefonit se ku ndodhet.

Pasi saktësuam vendin se ku do të bisedonim, i qethur zero dhe i veshur thjesht, Cekja në mënyrë korrekte vjen në orarin që kishim lënë më parë në lokalin afër qendrës kulturore “Margarita Tutulani” të qytetit, ku e kishim lënë për të biseduar. Sapo ulet në tavolinë, fillojnë telefonatat. Dikush i thotë se javën që vjen duhet të shkojnë në ishullin e Rodosit bashkë me disa artistë të tjerë për të dhënë një shfaqje për emigrantët shqiptarë në këtë ishull të shtetit helen. Të tjera telefonata i kërkojnë që të përgatitet për të shkuar në Itali, një tjetër për në SHBA, e kështu me radhë.

I duhet që për të folur me ne të mbyllë telefonin dhe kështu bën. Ai nuk ka nevojë për t’u përgatitur për ato që e pyet. Përgjigjet e tij janë të mbushura me plot suksese, por edhe surpriza që dalin nga pyetjet tona. Pa humbur kohë fillojmë bisedën me artistin e humorit, por edhe disa filmave të realizuar në mënyrë të përkryer nga ai

Me çfarë po merreni aktualisht dhe sa xhirime realizoni në vit?

Aktualisht jam duke xhiruar një film me skenar dhe regji të Arian Çuliqit. Është një skenar tepër interesant, shumë aktual dhe jetësor dhe them se deri tani kemi ecur mirë. Në këtë film luaj bashkë me aktorët e njohur Behar Mera, Vasillaq Vangjeli, Suela Konjari, Muharrem Hoxha etj. Mendoj se nga fundi i shkurtit mund t’i mbarojmë provat dhe pas realizimit do ta shfaqim për publikun. Por kam edhe disa kontrata për të dhënë koncert në Greqi, në Amerikë etj. Gjithashtu, po punoj për të realizuar edhe një recital në bashkëpunim me aktorët e spektaklit “Portokalli” dhe mendoj se do ta përfundoj në fund të prillit, recital që do ta realizoj në qytetin tim të mrekullueshëm, Beratin

Humorin e keni të trashëguar nga ndonjë i afërmi juaj dhe, a keni njerëz të tjerë në familje apo të afërm që merren me art?

Babai im ka qenë njeri më shumë humor të hollë e të këndshëm, ndaj mendoj se humorin e kam të trashëguar nga im atë. Ndërsa nga të afërmit e mi e kanë trashëguar artin e humorit mbesa dhe vajza ime Alba, por që për arsye të pamundësive që prodhon jeta ato nuk kanë dalë ndonjëherë në skenë.

A jeni ndjerë ndonjëherë keq në skenë dhe kush është rasti që do të veçonit?

Jam ndjerë keq në qytetin e Çorovodës, në Skrapar, kur mbas dy vajzave u bëra me një djalë. Më njoftojnë për këtë gëzim dhe unë fillova të pija vodkë dhe fërnet që përpara viteve ´90 ishin pijet më të preferuara. Të gjithë më uronin, por unë vetëm pija. Në orën 18:00 ishte shfaqja. Isha bashkë me aktorët e tjerë të humorit, kur estrada e Beratit ishte në kulmin e vet. Mbaj mend që unë kisha ngarkesë maksimale, ishin shtatë materiale që unë duhet t’i interpretoja në skenë. Pas çdo këngë do të ishte një numër humori i interpretuar nga unë. Dola në skenë, të gjithë spektatorët filluan të bërtisnin: “Cekja! Cekja...!” Unë u ngjita në skenë dhe nuk dija ç’të thosha. Fillova t’u them: “Mirëmbrëma. A ini mir o? Ç’bëni, nga shtëpia mir o? Të tërë mirë o? Kaq kisha unë, natën e mirë”, dhe u largova nga skena. Në të vërtetë unë ika, se nuk më mbanin më këmbët, u ula në një cep dhe po shikoja se si po vazhdonte koncerti. Spektatorët e dinin se ky ishte një nga numrat që unë kisha përgatitur dhe filluan prapë duartrokitjet duke thirrur: “Cekja! Cekja!” Pastaj u ngjit në skenë prezantuesja e koncertit dhe iu tha spektatorëve se Cekja nuk mund të dalë prapë në skenë, pasi është bërë me djalë dhe për shkak të këtij gëzimi ka pirë pak konjak. Të gjithë spektatorët u ngritën në këmbë dhe po bërtisnin: “Të rrojë djali! Të rrojë djali!” Ndërsa unë i ulur në njërin prej stolave qeshja duke i përshëndetur. Ky ka qenë momenti im më i vështirë, por gjithsesi kaloi me humor.

Cilat janë disa nga rolet më të spikatura që ju keni realizuar në skenën e humorit, por dhe të filmit?

Kam luajtur 27 filma dhe komedi me Arian Çuliqin, Koço Devolen, Suela Konjarin, Hajrie Rondon, Rita Latin etj., por edhe pse i dua të gjitha rolet, do të veçoja filmin “Një baba tepër”. Ky është një nga rolet më të arrira, si nga ana dramaturgjike, e realizimit skenik, figura artistike, por edhe nga problematika dhe realiteti i sotëm shqiptar. Për mua ky është filmi më i realizuar, me skenar dhe regji të mrekullueshme të Arian Çuliqit.

Të pëlqen më shumë kur të thërrasin me emrin tuaj të vërtetë apo shkurt Cekja?

Më pëlqen të më thërrasin Cekja dhe jo në emrin tim. Shumë vite më parë isha i ftuar në Durrës. Përpara pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu“ të këtij qyteti, por edhe në pika të tjera ishin vendosur njoftimet për shfaqjen. Mes aktorëve të tjerë ishte dhe emri im. “Sejfulla Myftari (humorist)”. Të gjithë më njihnin me emrin Cekja dhe nuk e dinin se kush ishte Sejfulla Myftari, ndaj organizatorëve të aktivitetit iu desh të korrigjonin njoftimin dhe në fund të emrit të shkruhej Cekja. Atëherë artdashësit durrsakë po thoshin: “Po Ceken e Beratit e njohim, ai është humorist i mirë, ndërsa Sejfulla Myftarin jo nuk e kemi dëgjuar”.

Pothuajse në të gjitha telekomeditë e shfaqura gjatë karrierës tuaj spikat emri dhe interpretimi juaj i shkëlqyer, kjo periudhë e gjatë dhe këto role të mëdha të kanë lodhur shumë apo edhe të kanë dhënë shumë kënaqësi?

Çdo punë ka lodhjen e vet, edhe arti sigurisht që kërkon punë dhe mund. Por kënaqësia më e madhe e artistit është kur shikon se puna e tij është e vlerësuar, e pëlqyer dhe lë gjurmë tek artdashësit. Kur spektatori të përshëndet dhe të thërret në emrin e personazhit dhe të respekton, kjo është kënaqësi e madhe dhe kështu që punët e mëdha, kur realizohen dhe kanë sukses, të japin dhe kënaqësi të madhe. Arti është fushë beteje, është ashtu si një skuadër futbolli, ku luajnë shumë sportistë, por sportisti i mirë është ai që bën gol dhe sipas gjykimit të arbitrit, që për mua është spektatori, nuk më kanë munguar golat.

Sa e shikon Cekja humorin si pasion dhe sa si biznes?

Humori është dhuratë e natyrës, nuk mund të bëhesh artist, pavarësisht dëshirës, po nuk e pate edhe të lindur. Sot ka qindra këngëtarë dhe qindra videoklipe, por të paktë janë ata që ngelen dhe i rezistojnë kohës. Artist i mirë është ai që është jetëgjatë dhe lë gjurmë te spektatori. Të tjerët për mua janë sezonalë ose një-përdorimsh. Patjetër që duhet punë për t’u bërë artist, por, po nuk e pate të lindur dhe po nuk pate pasion, nuk mund të arrish të bëhesh artist.

Ju jeni një nga humoristët më të mëdhenj të vendit, ndaj dhe të gjithë mendojnë se duhet të jeni edhe shumë i pasur. Kush është e vërteta?

Artistët në Shqipëri janë xhepshpuar, sepse edhe ato pak të lekë që marrin, i harxhojnë në aktivitetet artistike dhe mes shokësh. Janë të rrallë artistët e zhanrit të humorit apo të filmit që mund të jenë të pasur, sepse ndryshe nga këngëtarët që bëjnë një videoklip dhe e hedhin në treg, artistët e humorit te ne, edhe pse artdashësve iu japin shumë kënaqësi, nuk mund ta marrin shpërblimin për punën e bërë. Jashtë shtetit vetëm për një film që mund të xhirosh bëhesh i pasur dhe nuk ke nevojë të punosh më, ndërsa të bësh një film në Shqipëri, shuma që paguhesh është shumë qesharake dhe të mendosh që sot të pasurohesh me artin në Shqipëri është e pamundur. Unë nuk jam as i pasur e as i varfër, por bëj një jetë normale. Bëj shumë koncerte dhe sidomos me koncertet që japim jashtë shtetit fitoj diçka, por kurrsesi nuk jam i pasur.

Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Berati për në Tiranë apo edhe jashtë shtetit?

Kjo është pyetje që ma keni bërë vetëm ju ndaj dhe përgjigjja për këtë pyetje për herë të parë ju takon juve ta merrni. Shumë kolegë artistë, por dhe shokë të tjerë më thonë: “Si është e mundur që ti vazhdon të qëndrosh në Berat?” Përgjigjja ime është kjo. E para, Berati është qyteti im, e dyta, më ka dhënë një titull, e treta, më ka dhënë emrin, e katërta, më ka ngritur në piedestal, e pesta, ky spektator për mua është i jashtëzakonshëm dhe i mrekullueshëm. Berati për mua është një qytet i rrallë, i jashtëzakonshëm, i mrekullueshëm, ndaj dhe nuk më ka shkuar dhe nuk më shkon mendja që të largohem nga qyteti im, por dua të them gjithashtu se njohja me vlerat kulturore, historike, arkitektonike dhe muzeale të qytetit të Beratit ngelen akoma të parealizuara, ndaj është detyra jonë, e gjithëve ne që t’i bëjmë më tepër prezente këto vlera, jo vetëm për Beratin, por që janë edhe kombëtare, pse jo edhe botërore, po të kemi parasysh që qyteti i Beratit sot është pasuri e vlerave kulturore botërore UNESCO. E them këtë, pasi edhe pse Berati sot është i listuar në këto vlera botërore, ai duhet të njihet më shumë nga vetë shqiptarët kudo që jetojnë brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, të cilët duhet ta vizitojnë stërgjyshin e qyteteve të tyre dhe ai do nxjerrë nga kuleta e tij e madhe thesaret e historisë, ndërtimeve arkitektonike dhe kulturës shekullore që mbart që nga shekujt deri në ditët e sotme. Unë jam i bindur se pas vizitës në Berat, shqiptarët do të ndihen më krenarë dhe më shqiptarë se sa mund të jenë.

Ju, ndryshe nga shumë, të tjerë jeni aktor qeros. Si do ta përfytyronit Ceken me flokë?

Ceken tjetër unë do ta shikoja si një njeri shumë të shëmtuar. Mua natyra më ka dhënë si dhunti humorin, por ajo është treguar e pakursyer, kur më ka bërë edhe qeros. Unë po të isha me flokë, jo që nuk do të kisha kaq sukses dhe kaq shumë fansa femra, por nuk do më mbanin as në punë, ndaj shpesh them me vete, të më rrojë tullacllëku, sepse nga frika shoh ëndrra dhe më duket sikur ndonjë ditë do të gdhihem me flokë (qesh).



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora