Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Emin Azemi: Idetë e vjetra në kohë të reja

| E enjte, 12.02.2009, 08:13 PM |


Idetë e vjetra në kohë të reja

Shqiptarët, si mund ta mbrojnë nga maqedonasit ndarjen e Maqedonisë

Nga Emin Azemi

Politika aktuale e Shkupit zyrtar po zhvillon dy beteja në linja të kundërta, për sa i përket emrit dhe historisë së Maqedonisë. Dallimet mes Kryeministrit Gruevski dhe Presidentit Cërvenkovski nuk janë më tani vetëm të natyrës konceptuale. Kjo ndarje manifeston një mungesë uniteti brenda-etnik maqedonas, që, nëse nuk merr një epilog pajtues, shumë shpejt mund të shkaktojë telashe edhe në raportet ndëretnike.

Reflektimi i kësaj mungese në rrjedhat politike rajonale mund t‘i bëjë një shërbim të mirë Athinës zyrtare, e cila, mungesën e vullnetit të saj politik për ta zgjidhur kontestin e emrit me Maqedoninë, shumë lehtë mund ta spostojë në Shkup. Antagonizmat e brendshme maqedonase po prodhojnë njëfarë fustrimi të panevojshëm në opinionin publik, duke e sforcuar psikozën e frikës, jo nga faktorë realë, por më tepër imagjinarë.

Njëri thumbit, tjetri patkoit

Kryetari Branko Cërvenkovski, këto ditë, bëri të ditur se shqiptarët që jetojnë në Maqedoni mund të kërkojnë ndarjen e shtetit, nëse kjo e fundit nuk heq dorë nga beteja e saj rreth Maqedonisë antike. "Në një moment, përfaqësuesit e partive politike shqiptare mund të dalin me qëndrimin se, ne nuk duam ta rrezikojmë të ardhmen tonë evropiane ose euroatlantike, për shkak të betejave tuaja rreth Maqedonisë antike. Kjo betejë është e juaja, kjo është një betejë që ne nuk dëshirojmë të marrim pjesë dhe nuk duam ta paguajmë çmim për të", ka deklaruar Presidenti i Maqedonisë.

Edhe Lupço Gjeorgjievski është i bindur se raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve do të ndryshojnë në të ardhmen. Ai ka deklaruar se çështja shqiptare në Maqedoni mbetet e hapur edhe pas Marrëveshjes së Ohrit. "Jam i sigurt se Marrëveshja e Ohrit nuk ka shënuar fundin e negociatave dhe marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve. Jemi në një situatë latente të këtyre marrëdhënieve, dhe me siguri do të kulmojnë në një fazë të re", ka theksuar Gjeorgjievski. Sipas tij, kjo fazë e re e marrëdhënieve do të vijë pas ndarjes së Kosovës, e cila po sipas tij, do të ndodhë pas dy ose pesë viteve, pavarësisht prej proceseve globale. Por, nga ana tjetër, Gjeorgjievski është i bindur se raportet mes shqiptarëve e maqedonasve do të ndryshojnë në të ardhmen. "Jam thellësisht i bindur se Marrëveshja e Ohrit është vetëm urë kaluese deri te një marrëveshje e re, e cila do të vijojë në një fazë të ardhshme", ka shtuar ish-kryeministri.

Përdorimi sërish i shqiptarëve si kartë rezervë nga politikanët maqedonas ka një histori dhe etimologji të hershme. Më herët Gligorovi, tani pasardhësi i tij Cërvenkovski, por jo rrallë edhe Lubço Gjeorgjievski, marrëdhëniet me shqiptarët nuk po arrijnë t‘i shohin si mundësi dhe shans për të bashkëjetuar në një shtet me probleme, por si një kusht i imponuar. Cërvenkovski dhe oponenti i tij i mëhershëm, Gjeorgjievski, opsionin e ndarjes së Maqedonisë e trajtojnë në rrethana e konteste të ndryshme, por që të dy, kur flasin për shqiptarët, mendjen e kanë te pamundësia e bërjes së shtetit dhe mbrojtjen e tij nga mohuesit e jashtëm. Me fjalë të tjera, ata asnjëherë nuk arritën të demonstrojnë politikë dinjitoze, kundrejt fqinjëve - grekëve, bullgarëve e serbëve - për ambiciet e tyre negatore ndaj Maqedonisë. Por, përkundrazi, shqiptarët po i përdorin si gogol për të frikësuar fqinjët. Në fakt, është e kundërta. Kjo harmoni ndëretnike e territoriale e Maqedonisë mbetet e paprekur jo në sajë të frikës nga shqiptarët, por në sajë të konstruktivitetit të vetë shqiptarëve për të jetuar bashkërisht me maqedonasit në një shtet të përbashkët.

Ndarja e imponuar, deri kur?

Në qershor të vitit 2005, ish-lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi, kishte pranuar për herë të parë publikisht se ka biseduar me maqedonasit për ndarjen e Maqedonisë. Gjatë një interviste, ai kishte konfirmuar se në vitin 1998, kur partia e tij erdhi në pushtet, "me partinë maqedonase VMRO-DPMNE, e cila po ashtu fitoi tek elektorati maqedonas, ka biseduar rreth ndarjes së shtetit". Lideri i PDSH-së, atëherë, kishte deklaruar se ka pasur plane me Lubço Gjeorgjievskin, kreu i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së, "për ta bërë në mënyrë të qetë ndarjen e maqedonasve dhe shqiptarëve, duke mos besuar në shtetin multietnik, si formë e funksionimit të shtetit". Sipas Xhaferit, nocioni "shtet multietnik" ka qenë "fiksion i kreaturave ndërkombëtare". "Lufta në Kosovë na ndali", pati deklaruar atëbotë Xhaferi, duke i bërë publike për herë të parë bisedimet rreth ndarjes së Maqedonisë. Po në të njëjtën intervistë, ai nuk ka harruar të përmendë, se rreth kësaj çështjeje me Gjeorgjievskin ka pasur konsultime edhe me zyrtarët e Beogradit, duke përmendur bisedën me ish-kryeministrin e ndjerë serb, Zoran Gjingjiq, i cili ishte pajtuar me këtë ide, duke e promovuar edhe idenë e ndarjes së Kosovës, pikërisht në baza etnike. "Do t‘i iknim variantit të dhunës, do të merreshim vesh se si të diversohemi", pati deklaruar Xhaferi, në qershor të vitit 2005, duke shprehur edhe një notë të theksuar pesimizmi lidhur me të ardhmen e Maqedonisë. "Maqedonia nuk ka të ardhme, kështu siç po shkon", ka theksuar ai.

Intonime të ngjashme mund të gjejmë edhe në deklaratat e mëvonshme të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili gjithashtu kishte pasur oferta nga politikanët maqedonas, për ta ndarë Maqedoninë.

Dikush mund të pyes: Po mirë, Maqedonia nuk u nda vetëm pse liderët shqiptarë nuk deshën? Ka mendime e ide të ndryshme që ndarjen e Maqedonisë e lidhin edhe me ndarjen eventuale të Kosovës. Por, ajo që është me rëndësi të thuhet në këtë moment është mungesa e përgjigjes në pyetjen: Nëse shqiptarët janë kundër ndarjes së Maqedonisë, ç‘fituan ata si kundërshpërblim? Politikanët që udhëheqin aktualisht me shqiptarët kanë mundur ta dëgjojnë këtë pyetje në raste e variante të ndryshme dhe kanë mundur të përgjigje në forma të ndryshme. Mirëpo, ekziston përshtypja e përgjithshme se ne, shqiptarët në Maqedoni, punët tona të përditshme i bëjmë sipas një inercioni të paracaktuar nga rastësia, por jo edhe sipas një grafiku interesash e nevojash imediate.

Kundërvënia ndaj ndarjes së Maqedonisë prej politikanëve shqiptarë ka ardhur me motive e ambicie të ndryshme dhe mund të thuhet se, edhe politikanët shqiptarë, ngjashëm si kolegët e tyre maqedonas, kanë një distinksion të theksuar pikëpamjesh e idesh lidhur me këtë çështje.

Ideja e Arbën Xhaferit për ndarjen e Maqedonisë dhe ideja e Ali Ahmetit për ruajtjen e Maqedonisë, nuk mund të funksiononin pa pasur aleatë dhe bashkëlojtarë në taborrin maqedonas. Cërvenkovski, Gruevski dhe Gjeorgjievski, që të tre ishin dhe janë aleatët kryesorë të partive shqiptare, mirëpo që të tre mbajnë pozicione të ndryshme sa i përket të ardhmes së Maqedonisë. Ndërsa Cërvenkovski e shantazhon Gruevskin me ndarjen e Maqedonisë, duke i përdorur shqiptarët si gogol, Gjeorgjievski, në anën tjetër shprehte një qëndrim të theksuar për perspektivën e vetë Maqedonisë, për shkak të zhvillimit demografik të shqiptarëve.

Llogaritë e Gruevskit

Gruevski, deri më tani nuk ka folur për kurrfarë ndarjeje. Ai është aleat politik i Ali Ahmetit dhe integrimi i këtij të fundit mund t‘i shërbejë kauzës së tij për ta ruajtur plotësinë e Maqedonisë, edhe kundrejt Greqisë, edhe kundrejt Cërvenkovskit. Llogaritë e Gruevskit mund të dalin të sakta, përderisa ai është i bindur se ka një mbështetje ‘blanko‘ nga përfaqësuesit shqiptarë në bisedimet me Greqinë. Por, në momentin kur në radhët e shqiptarëve do të ketë kundërshtarë, që nuk do ta pranojnë politikën (e cila mundohet prej maqedonasve për të nxjerrë një popull hermafriodit, me dy histori; antike e sllave), atëherë punët në shikim të parë do të komplikohen, por në plan afatgjatë do të qartësohen shumë.

Pse? Sepse shqiptarët nuk mund të jenë papirus kujdestar, ku do të ruheshin gabimet e fqinjëve të tyre maqedonas. Nëse kjo gjeneratë e shqiptarëve ka qenë më e mirëkuptuar për këto hutesa të maqedonasve rreth polemikave për identitetin e tyre, kjo nuk do të thotë se do të jetë kështu edhe në të ardhmen.

Vetëdija kritike historike e shqiptarëve nuk ka qenë e performancave të njëjta si e fqinjëve të tjerë ballkanas. Rrethanat e krijimit të kombit shqiptar kanë ndjekur linja të tjera zhvillimi dhe të qenit e shqiptarëve në hapësirat e tanishme, ku ndodhet edhe Republika e Maqedonisë, nuk i bën ata aspak të disfavorshëm në perceptimin e dimensioneve integruese brendakombëtare, por edhe brenda shtetit, ku ata jetojnë - pra në Maqedoni. Përkundrazi, shqiptarët posedojnë me aftësinë e të jetuarit në diversitete kulturore e gjuhësore, që nga Perandoria Bizantine, Romake, Osmane etj., edhe kjo përparësi e tyre jo rrallë nuk është çmuar dhe vlerësuar sa duhet dhe si duhet nga fqinjët e tyre, përfshirë edhe maqedonasit. Shqiptarët i kuptojnë maqedonasit kur u mohohet emri i tyre nga grekët, por politikanët maqedonas nuk arritën të kuptojnë asnjëherë se kjo Maqedoni, sa është e tyre, është edhe e shqiptarëve dhe nuk e kuptuan se të qenit e Maqedonisë unike nuk ka qenë meritë e politikës maqedonase, por e konstruktivitetit politik të shqiptarëve. E ardhmja e Maqedonisë është në duart e atyre, që janë më konstruktivë. Deri kur do të jetë kështu?

G. Shqip