Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Tufa: Çështja shqiptare dhe Muri ynë

| E enjte, 12.02.2009, 08:53 PM |


Agron Tufa
Agron Tufa
Çështja shqiptare dhe Muri ynë

Nga Agron TUFA

Çështja e Kosovës, nuk është çështje vetëm e Kosovës. As vetëm e kosovarëve. Madje ajo as nuk ka qenë dhe as nuk është çështje vetëm e shqiptarëve, edhe pse tani, më fort se kurrë, ajo shfaq përmasat e vërteta të Çështjes shqiptare në tërësi. Përderisa ajo, në një mënyrë a në një tjetër, pashmangësisht,, ku më ndjeshëm e ku më pak, është çështje e të gjitha shteteve ballkanike, euroamerikane, ruse, aziatike, - thënë më gjerë, - është çështje e ndjeshmërive dhe ekuilibrave ndërkombëtarë. Por më së pari, e, shumë më përpara se të jetë çështje paranoidale e nacionalizmit serb, çështja e Kosovës duhet të kishte qenë dhe duhet të jetë çështje realiste e pragmatizmit shqiptar në Ballkan. Se si dhe sa është kuptuar kjo gjë në raport me të shkuarën dhe të tashmen, është tjetër punë, e cila do të na shtrëngonte të ktheheshim në digresione kontekstesh historiko-politike apo ideologjike, çka nuk mund ta bëjmë dot këtu, brenda këtij shkrimi modest.

Ia vlen të përqendrohemi në një tezë kauzale, që çështja e Kosovës, siç e thashë më lart, është çështje e të gjithë shqiptarëve. Parë në një vështrim më të gjerë, ajo nuk është çështje thjesht e politikës shtetërore apo vetëm e politikanëve. Një receptim i tillë, kaq banal, do ta teknicizonte shumë peshën dhe rëndësinë që ka çështja shqiptare sot, pasi ka kaluar tashmë shekulli i romantizmit patriotik, i retorikës naive apo i qëndrimeve snobiste kuazi-intelektuale, që japin efekte të dëmshme dhe shpesh përbëjnë gjeste ekzibicioniste në kurriz të një drame të gjatë kombëtare.

Nuk është çështje thjesht shtetërore e politike të vetëm shtetit shqiptar, pasi shpesh dihet kapaciteti ndikues i ndërvarur i faktorit të politikës shtetërore shqiptare në vendimet e fuqive të mëdha. Prandaj të trishton fakti kur sheh se fatet e Kosovës receptohen në mënyrë banale brenda reagimeve të ministrive të Jashtme Shqipëri-Kosovë, pa lënë alternativa të tjera dinamike në jetën shoqërore të gjithë shqiptarëve, të cilat duhej ta përthyenin sensibilitetin panshqiptar nëpër disa rrafshe bashkëvepruese, sipas modeleve origjinale, përgjatë gjithë hapësirës shqiptare në Gadishull.

Shpesh është pikërisht politika dhe politkorrektesa shtetërore që vepron pa fantazi, në një rrafsh të lexueshëm drejtvizor, e cila, dashje-padashje, bëhet e vetmja izoluese në shtrirjen dhe sensibilitetin dinamik të çështjes shqiptare. Duke u ngujuar në disa pozicione statike të qëndrimeve formale, dy shtetet shqiptare harrojnë se nuk janë ata administratorët e vetëm të fateve të shqiptarëve dhe se çështja shqiptare nuk mund të jetë monopoli legjitim vetëm i tyre.

Përtej fasadës së “ping-pongut” politiko-diplomatik, mbizotëron një miopi e dhimbshme, një verbëri pa ndjenjën e perspektivës dhe një paaftësi e mefshtë për të sinkronizuar potencialet e gjalla reale, jashtë jetës politike, frymën e brendshme dhe pulsin e gjallë të idealit që rravgon në qarqet kulturore e intelektuale. Këto janë shqisat e vërteta orientuese që i paraprijnë intuitivisht psikes nacionale.

Nuk e di pse politikat shtetërore shqiptare veprojnë të ngurrosura e të veçuar nga stihia e brendshme e lëndës shpirtërore shqiptare. Pse i tremben kësaj force, mu sikur ajo të qenkësh shpërthimi i një cope uraniumi, kur në të vërtetë, diplomacitë tona mund të mësonin shumë prej këtij vitaliteti dhe të gjallëronin reagimet skematike standarte.

Çështja shqiptare ne Ballkan sot është një realitet ambig: njëri, shtetëror-zyrtar, që bën një jetë të pavarur e të shkëputur, duke u shtrirë parashikueshëm, në vijë drejtvizore dhe tjetri, një realitet i gjallë intelektual e kulturor, dinamik, por sekular, i cili, duke e kërkuar idealin me tahmin, vuan në mënyrë konfuze pamundësinë e shpërthimit, i mbyllur brenda korrnizave hermetike. Mungesa e një forme për të afirmuar vullnetin e vet, çon pikërisht në topitjen e energjive, në tëhuajësimin e dalëngadaltë, pasi nuk po e gjejnë dot atë “mbinjeriun” e versionit të Migjenit, që të mund t’i kanalizonte të gjitha këto energji të amullta në një ide të vetme.

Politikat diplomatike shtetërore shqiptare janë, përveçse të paafta, edhe të komleksuara, edhe frikacake, çka nuk ndodh e njëjta gjë me anën e përkundërt të receptimit të çështjes shqiptare nga kundërshtarët.

Dihet që realitetet shqiptare në gjeografinë politike të Ballkanit kanë qenë të izoluara gjatë shkullit XX, sa për shkaqe historike e diplomatike të formacioneve shtetërore të kohës, aq dhe për shkaqe ideologjike e nacionaliste, çka e bënte të pamundur një kontekst të gjallë,organik e koherent të bashkëveprimit. Paradoksi i sotëm, megjithëse janë hequr barrierat dhe hapësirat e pashkelshme tabu, megjithëse janë hequr kufizimet, sjell prapë të njëjtin rezultat: moskomunikimin. Barierat dhe kufizimet që e bënë të pamundur komunikimin brendashqiptar, janë shpërngulur nga gjeosakraliteti ideologjik i djeshëm në mendësinë dhe mundësitë e sotme. Bota e lirë shqiptare sot, përsëri jep të njëjtin rezultat: moskomunikimin.

Thuhet se sot ka liri lëvizje të ndërsjelltë, njerëzish e mallrash, midis Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Janë hequr pengesat doganore, vizat, taksat doganore. Por thelbi i moskomunikimit mbetet njëlloj, si më parë. Njeriu është i lirë ta përshkojë si të dojë hapësirën intershqiptare, vetëm, me maune mallrash, të shkojë e të vijë në universitete, por kjo është vetëm surrogatoja e komunikimit.

Elitat intelektuale, shtypi, shkencat huamne, arti, projektet e përbashkëta dhe dialogu janë krejtësisht të paralizuara, pa anjë e efekt. Lëvizja e lirë dhe qarkullimi është banalizuar neveritshëm në aspekte të ngushta jo frymore, pasi nuk janë ato përcaktuese për çështjen kauzale shqiptare, as zhvendosjet e ndërsjellta të masave të llaçit e betonit, as shkëmbimi tregëtar i grurit apo patateve, e as rrangullimat e elektroshtëpiakeve e santeknikës, sikundërse nuk i shtojnë gjë thelbit të kësaj marrëdhënieje disa mijëra shqiptarë të Kosovës a Maqedonisë, që vendosin, thjesht për platonizëm atdhetar, të kalojnë pushimet në bregdetin propagandistik të Mëmëdheut. E vetmja gjë e palëvizshme, i vetmi moçal, që nuk qarkullon ujërat e veta të ndenjura, është tregu i ideve, kultura dhe arti, shkenca dhe mendimi shqiptar; ato, njëlloj si dje, edhe në mungesë të puritanizmit ideologjiko-shovinist të Enver Hoxhës dhe Millosheviçit, janë të ngujuara nëpër principatat hermetike të trevave shqiptare, por tashmë, të mbetura pa alibinë kundërvënëse të izolimit, s’kanë me kë të ndeshen dhe brejnë vetveten.

Shqiptarët në Ballkan janë të hutuar nga kriza e lirisë, nga pamundësia për dialog, nga mungesa e komunikimit, nga privimi i shanseve për të hyrë në rezonancë ideore me vetveten. Inteligjencia kosovare dhe, herë-herë, edhe ajo e Shqipërisë, e kanë përsëritur e theksuar në mënyra të ndryshme katastrofën e këtij moskomunikimi. Në nuk i dimë “psetë” për shumë gjëra të thjeshta elementare, sepse për t’u përballur me to, në vend që ta shohim veten tonë në pasqyrën e njëri-tjetrit, kemi shpikur një artificë perverse: zhvendosemi disa qindra apo mijëra kilometra në botë, për t’i parë, gjykuar e vlerësuar problemet që i vuajmë në lëkurën tonë me sytë e ndonjë emisari tutkun nga Londra, Parisi apo Uashingtoni.

Një ves tejet i sëmurë. Duket se ne na intereson hija, projektimi ynë tek të tjerët, jo tërësia organike e thelbit tonë. Prandaj shpesh harrojmë se çfarë duhet të mendojmë për probleme konkrete dhe zhvendosemi në pozicione anormale, duke e gjykuar veten nga një perspektivë aberrative, si të qenkëshim ndoca personazhe filmash surrealistë. Ky deformim në vetvështrimin tonë pjell ekuivoke me protagonizma të sëmurë, tepër të rrezikshëm për çështjen shqiptare, një vetcenzurë dhe vetviktimizim, të cilin nuk di si ta quash, përveçse lapërdhari intelektuale, prej së cilës nxjerr jo pak fitim kundërshtari, madje e bën argument të sulmit dhe atentatit mbi imazhin tonë.

Po ju citoj një perlë të zezë nga ky lloj i ekzibicionizit fodull, një prej shembujve të shumtë të herostratëve shqiptarë, e pikërisht Erion Veliajn, ish-liderin e lëvizjes “Mjaft”, që ndërkaloi pluskueshëm nga shoqatë civile “G 99”, në subjekt politik për zgjedhjet e këtij viti. Duke komentuar në një artikull të tij, vizitën e presidentit amerikan George W. Bush në Shqipëri, qershor 2007 në gazetën “The Huffington Post, ai paralajmëron (kë?), duke “analizuar” itinerarin e një logjike të çuditshme faktesh nga tragjedia e skemave piramdale, tek “profecia” e një mosbesimi të ri ndaj shqiptarëve:

“Kjo politikë iu kthye kundër Shtevete të Bashkuara, sepse qeveria e Berishës u bë aq shumë e korruptuar dhe abuzive, saqë më në fund shpërtheu. Në 1996-97, shumë skema piramidale dhe mashtruese falimentuan, duke vjedhur kursimet e dhjetëra mijëra shqiptarëve. Ata dolën në rrugë dhe kërkuan dorëheqjen e tij, por më parë sulmuan depot e armëve të vendit.

Shumë nga këto armë që (ata) vodhën përfunduan përtej kufirit me Kosovën, duke shkaktuar sërish një luftë tjetër në ish-Jugosllavi – e ndaluar vetëm nga ndëhyrja 45 miliard dollarëshe e NATO-s. Ndodhi pikërisht ajo çka SHBA donte të shmangte”.

(Washington Shouldn't be Fooled by Albania's Euphoric Welcome of President Bush,
June 26, 2007, The Huffington Post).
Nuk e diskutojmë këtu teptisjen e ndjenjës internacionaliste që i kap erionë veliajt dhe bëhet ku e ku më parësore e parimore se interesat “meskine” shqiptare, dhe as trasferimin transcendental që bëjnë levantinët e rinj në perceptimin e çështjes shqiptare, por, si interpret i kuptimit dhe kumtit të teksteve, paragrafi i cituar na hap disa vështirësi logjike dhe metodike në lidhje me instancën e rrëfimit (kush rrëfen), besueshmërinë e informacionit (ku dhe si mbështetet), koherencën logjike (alibitë), adresatin (kujt i drejtohet) dhe intencën rrëfimore (çfarë qëllimi të fundëm përmbush).

Kjo dukuri egoiste e vetlartësimit dhe e të dukurit interesant nëpërmjet poshtërimit të ndjenjës së sinqertë mikëpritëse të shqiptarëve ndaj presidentit Bush, pason me një derdimenomani akoma më të keqe: me instalimi e trashë të alibisë, se gjoja, Berisha qenkësh shkaktari i “një luftë tjetër në ish-Jugosllavi”, çka do të thotë, si minimum, a) të të dhimbset aq shumë ish-Jugosllavia fashiste e Millosheviçit dhe, b) të vajtosh paratë e NATO-s, të cilat, duke u harxhuar për këtë “luftë të re”, dhanë një rezultat “kriminal e monstruoz”, që është... çlirimi dhe pavarësia e Kosovës!

Nuk e di në do të kishte shkuar më larg se kaq cilido nga nacionalistët radikalë serbë (them se jo), por “argumentet” e këtij shkrimi të Veliajt janë cituar me dhjetra herë në shtypin e Beogradit gjer tek gazetat e diasporës sebe në SHBA (“Serbiana”).

Çështja shqiptare sot vërtet fillon me Kosovën, por ajo shtrihet shumë më përtej saj: ajo kërkon një lexim të thellë e të shumëanshëm të natyrës dhe faktorëve politikë, historikë e kulturorë, duke kombinuar qasje të ndryshme organike, si një tërësi funksionale e përbashkët. Atë nuk mund ta nxjerrin nga paraliza disa aspekte formaliste të qëndrimeve shtetërore dhe as ndjekja me kartë digitale e jetës së disa studiove televizve, këndej dhe andej “murit të madh” shqiptar. Spektaklet dhe sektet e porositura që bujnë në studiot televizive Tiranë-Prishtinë, e shumta, mund të shenjojnë vetveten apo protagonizmin e drejtuesve dhe pjesëmarrësve, gjithmonë të njëjtë. Çështja shqiptare është dhe nuk duhet të mjaftohet me njohjen e informacioneve apo deklaratave të të tjerëve, ç‘thonë e ç‘mendojnë, ç‘besjonë e ç‘nuk besojnë.

Para së gjithash, çështja e shqiptarëve në Ballkan duhet të fitojë konturet e qarta të një Ideje nëpërmjet një dialogu të dendur e të pandërprerë, që të na lejoë të hedhim dritë mbi një perspektivë të vetrealizimit tonë në histori; të fitohet një ndërgjegje reale për të, jo e imponuar vetëm nga qëndrimet e instancave shtetërore, por edhe nën presionin e dëshirës për të qenë me dinjitet ata që mundemi të jemi. Ne sot kemi hamendje, por jo ide.

Ky është ndryshimi që na kap gafil në raport me kundërshtarët, të cilët, edhe ata, duke u marrë shumë më tepër se ne me çështjen tonë, e kanë patur gjithmonë, përkundër nesh, një ide të qartë, hidhësirën e së cilës, e kemi ndjerë përgjatë gjithë historisë. Ekzistenca jonë kombëtare nuk duhet të jetë më e rastësishme dhe fati i qenies sonë nuk duhet të shtegëtojë më nga rasti në rast, nga intervali në interval, nga konjuktura në konjukturë, me mendimin, se “ka kush mendon për ne”, pa ditur të mendojmë vetë për veten.