E hene, 06.12.2021, 05:47 AM (GMT)

Mendime

Urim Gjata: Vdekja enigmatike e djaloshit që rrëzoi bustin e Enver Hoxhes në Korçë

E merkure, 11.02.2009, 07:19 PM


VDEKJA ENIGMATIKE E DJALOSHIT QË RRËZOI BUSTIN E ENVER HOXHES NË KORÇË  MË 20 SHKURT 1991

 

Nga Urim GJATA

 

            Bashkëshortët, Larti nga fshati Bulgarec i rrethit të Korçës janë të mjaft të moshuar. Po mbushen 18 vjet që djali i tyre nuk jeton më, Saimir Larti. Vrasja u bë më 17 shtator të vitit 1991 nga ish-Sigurimi i Shtetit. Ende dhe sot mbas kaq vitesh ideatorët dhe autorët e kësaj vrasje makabre nuk janë zbuluar ashtu siç nuk janë zbuluar edhe vrasësit e kushëririt të tij Shkëlqim Agolli, ish drejtues i SHIK-ut në Vlorë.

I ati i tij Namiku me një zë që i dridhet tregon: -Si zakonisht kthehesha nga puna i lodhur në orët e mbrëmjes, duke ju afruar shtëpisë shoh të gjitha dritat ishin ndezur dhe një grumbull njerëzish ishin pranë shtëpisë time. Menjëherë diçka të keqe mendova, gjunjët mu prenë dhe i gjithë trupi po me dridhej. Çtë kish ndodhur vallë me familjen time?! Si tingull i hidhur një kujë grash dilte prej shtëpisë. Mendova se gruaja e sëmurë kishte vdekur. Të shumta ishin hallet që kishim kaluar bashkë. Që nga dita në pushtet kishin ardhur komunistët, kurrë nuk kishim pasur një ditë të gëzuar. Internimet dhe arrestimet nuk kishin të sosur. Për sistemin ne ishim armiq. Fjala Kulak na ndiqte si hije nga pas. Kur u afrova dikush më mbajti nga krahët dhe më tha: -Mbau Namik vëllai.

-Sytë e mij nuk dinin ku të ndalonin. Përpara më del gruaja me djalin tjetër Drinin. Saimiri baba, Saimiri. Bota mu rrotullua! Dy ditë më parë kisha folur me të. Mirë jam më tha baba mos u bëni merak. Diçka mu shkëput nga zemra, sytë po më errësoheshin, shume halle me kishin zënë dhe i kisha duruar,por kjo jo nuk mund te durohej dot. Kush te vrau o bir i babait kush. Cila dore e zeze ishte ajo qe te ndoqi pas. Bir qe nuk te mbrojta dot. Lajmi i vdekjes  kishte hyrë në shtëpinë e Namikut, ndërsa arkivoli qëndronte larg, në Iraklis një lagje periferike të Athinës. Si mund të kishte vdekur kështu, kaq pa pritur?! Mos e kishin marre vesh gabim kete lajm.Ai uk kishte vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje. 'Mos e keni marrë vesh gabim?', pyeta me një shpresë të venitur, duke shpresuar se dikush nga ata që ndodheshin aty do të më thoshte, 'Po, Namik, t’i ke të drejtë, lajmi nuk do të jetë i saktë'. Pyeta dhe ngula vështrimin tim te të gjithë. Por askush nuk foli. Djali im kishte vdekur. Gratë dhe vajzat qanin me kuje ndërsa burrat i kishin sytë të mbushur me lot. Përpiqeshin të mbanin veten, por nuk mundeshin", vijon rrëfimin e tij tragjik Namiku. Për vdekjen e Saimirit, pronarja greke e Saimirit, Katerina, kishte vënë në dijeni Ambasadën Shqiptare në Athinë dhe lajmi kishte mbërritur zyrtarisht në Korçë dhe prej andej në Bulgarec. Gruaja, që nga dita që Saimiri iku në Greqi nuk fjeti dot asnjë natë. 'Kam frikë për Saimirin', më thoshte gjithnjë ajo, njerëzit e Sigurimit do ta gjejnë edhe atje", vazhdon Namik Larti. "Saimiri u nis për në Greqi natën e 28 majit të vitit 1991, bashkë me disa shokë të tjerë dhe hynë në tokën greke. Nuk mund të qëndronte në fshatin Bulgarec. Ai kishte qenë një nga drejtuesit e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Korçë. Ishte 20 shkurti i vitit 1991, ishim në shtëpi kur dëgjuam lajmin se në Korçë ishte rrëzuar monumenti i diktatorit. U ndjeva i ngazëllyer. 'E rrëzuan monumentin e diktatorit', i thashë gruas dhe dola jashtë për të marrë vesh nëse këtë gjë e kishin marrë vësh edhe të tjerët. Befas u kujtova se atje, në Korçë ishte dhe djali im, Saimiri. Që nga dita kur në skenë kishte dalë studentët e dhjetorit, Saimiri ishte i pranishëm në çdo lëvizje demokratike. Kishte qenë në Korçë dhe në 30 dhjetor të vitit 1990, kur kishte ardhur dhe Sali Berisha për krijimin e degës së Partisë Demokratike. Kishte qenë edhe nismëtar i krijimit të seksionit të PD në Bulgarec, së bashku me Arben Malon, Ali Agollin, Tomor Zotbejasin, etj. Gjatë rrëzimit të monumentit ishin plagosur shumë të rinj. Policia kishte tentuar disa herë t’i zmbrapste, por turma nuk tërhiqej.  Thuhet se do të arrestohen gjithë ata që ishin në ballë të turmës, Sigurimi i Shtetit i ka filmuar të gjitha. Mbas mesnatës do të fillojnë arrestimet. Që të gjitha këto më bënë të nisesha për në Korçë. Desha të dija se çfarë po ndodhte me djalin tim, Saimirin", kujton për parandjenjat e këqija babai i Saimirit, Namiku. U nisa menjehere ne korce,tek shpia e vellajt. Saimri ishte aty, së bashku me kushëririn e tij Oliver Lartin. Im bir ishte pak më mirë, por Oliveri, ishte i gjakosur. Kishte plagë në të gjithë trupin. 'U përballëm me policinë më treguan ata të dy, pati shumë të plagosur. Policia qëllonte me armë dhe godiste me të gjitha mjetet, por ishte e pamundur që të na ndalonte. I hodhëm kavon prej çeliku në qafë dhe pas kësaj e rrëzuam shtatoren famëkeqe. E tërhoqëm zvarrë nëpër rrugët e Korçës. 'Ishte një festë e madhe, baba', tha, Saimiri. Dëgjoja dhe gëzohesha, por tashmë kisha frikën e djemve. 'Thuhet se në mesnatë do të fillojnë arrestimet', u thashë të dy djemve, Saimirit dhe Oliverit, por ata nuk donin ta besonin. 'Tashmë komunizmi u shemb, askush nuk do të guxojë të na bëjë keq', po më shpjegonin ata",Por ato që thuheshin kishin qenë të vërteta. Pas mesnatës nisën arrestimet. Njerëzit e sigurimit trokisnin portë më portë dhe arrestonin të gjithë ata që i kishin hedhur kavon në fyt diktatorit. I merrnin zvarrë i rrihnin dhe i torturonin. Nëpër rrugë dëgjoheshin të shtëna armësh. Keshtu qe atë natë qëndruam aty. Të nesërmen unë dhe vëllai im, Seiti i fshehëm të dy djemtë në një vend të sigurte. Mengjesi i 21 shkurtit,kishte terbuar  njerëzit e sigurimit dhe bashkpuntoret e tyre. Rrëzimi i monumentit ishte rrëzimi i tyre. Në fshatin Bulgarec ishin mbledhur mjaft komunistë. Po krijoheshin shoqatat e vullnetarëve të Enverit. Zerat e tyre te cjerre filluan te bertasin neper rruget e fshatit duke u nisur drejt Korçës. 'Parti- Enver, jemi gati kurdoherë'. 'E duam Enverin'. 'Enveri është i gjallë'. 'Saimir kulakun në litar', 'Saimir kulakun në litar'. 'Nuk i varëm atëherë, por do t’i varim tani'. 'Në litar të gjithë kulakët'. Situata ishte tepër e vështirë. Vullnetarët e Enverit ishin shfaqur gjithandej. Një grua bërtiste, 'Japim edhe nderin, por nuk japim Enverin'. Një lukuni të çmendurish dhe spiunësh vërtiteshin nga të gjitha anët", kujton më tej Namik Larti. gjithë jetën kam punuar si minator në gurore Sekretari i partisë më tha, 'Yt bir na ka nxirë faqen të gjithëve. Ai së bashku me të tjerët, kanë rrëzuar monumentin e udhëheqësit tonë të dashur Enver Hoxha. Për këtë arsye, ne kërkojmë nga ty, Namik, të marrësh portretin e Enver Hoxhës dhe bashkë me të tjerët ta ngresh lart, atje ku ka qenë monumenti i Enverit. Kjo do të ketë një domethënie të madhe. Vërtet e rrëzoi i biri, por e ngriti i ati. Do të jesh i nderuar Namik. Shembullin tënd do të ndjekin të gjithë'. Ai mori portretin dhe ma afroi te dora. U zmbrapsa një hap. 'Të lutem i thashë, mos ma afro atë portret, 'Ai njeri, mua nuk më ka dashur për 50 vjet me radhë, ndaj edhe unë nuk e kam dashur kurrë.  Pas kësaj dola nga zyra, ndërsa jashtë dëgjoja ulërimat e lukunisë së çmendur që thërriste, 'Japim edhe nderin, por nuk japim Enverin'. Tashmë isha i sigurt se njerëzit e Sigurimit do të hakmerreshin ndaj nesh. Të gjitha këto më vinin ndërmend kur dëgjoja gratë që qanin në shtëpinë time dhe thoshin, 'Të vranë o Saimir, të vranë o bir'", vijon Namiku.Nga kercenimet e shumta, vendosëm që Saimirin ta dërgonim në Greqi, me qëllim që të ishte sa më larg njerëzve të sigurimit. Që nga dita e shembjes së monumentit spiunët ishin në kërkim të djemve tanë. Saimiri kaloi kufirin dhe pastaj udhëtoi drejt Athinës. Ne rrinim me gjak të ngrirë. Prisnin një haber prej tij. Kaluan mjaft ditë, kur ai na mori në telefon dhe na tha se kishte mbërritur në Athinë. Kishte filluar punë si kamerier në një lokal në lagjen 'Iraklis' të kryeqytetit. Tha gjithashtu se pronarët i kishte të mirë. U gëzuam pa masë. Tashmë ai kishte shkuar shumë larg nga syri i njerëzve të ish-sigurimit, por ishim gabuar. Ata të gjenin në çdo cep të botës që të ishe. E porositëm të na merrte vazhdimisht në telefon dhe ai e mbajti fjalën. Na telefononte shpesh. Kur mori lekët e para, na i dërgoj në shtëpi. Më pas na dërgoi edhe një magnetofon. Përpiqej të na ndihmonte se në të vërtetë ishim shumë të varfër. Gjithçka kalonte mire. Edhe dy-tre ditë, para se të merrja vesh lajmin e vdekjes së djalit, kisha folur në telefon me të", tregon Namik Larti. "Por tashmë ai nuk ishte më i gjallë. Si ishte e mundur vallë?!. E kishin vrarë…? Por deri atë çast askush nuk kishte thënë se në trupin e Saimirit ishin gjetur shenjë plumbash apo thike. Por edhe vdekja natyrale ishte e pabesueshme. Ai nuk kishte vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje. Të gjitha këto i mendoja ato çaste, kur njerëzit që vinin për të më ngushëlluar më pyesnin, se si kishte ndodhur vdekja e djalit, por unë nuk kisha asnjë përgjigje. Nuk dija asgjë", tregon më tej për orët e pritjes së trupit pa jetë të djalit të tij, Namiku."Djali na erdhi në arkivol ditën e nesërme. E nxora nga arkivoli dhe e kontrollova në të gjithë trupin. Nuk kishte asnjë shenjë. Vërtet kishte vdekur Saimir Larti?"."Edhe pse kishin kaluar disa ditë nga ceremonia e varrimit, gjendja në familje ishte mjaft e rënduar. Ime shoqe, Pranvera, vajza Mirela dhe djali im i vogël, Drini që në atë kohë ishte vetëm 14 vjeç po përjetonin ditë të vështira. Në të njëjtën gjendje ishin dhe gjithë të afërmit tanë. Askush nuk besonte që djali ynë të kishte vdekur. Atë e kishin vrarë, por si, në ç’mënyrë? Ne nuk kishim asnjë shpjegim. Shpirtrat tanë nuk po gjenin dot qetësi, ashtu siç nuk kanë gjetur as edhe sot e kësaj dite. 40 ditë pas vdekjes së djalit nisa të hetoja. Mora në telefon pronaren greke të djalit, Katerinën, e cila e njihte mirë edhe gjuhën shqipe. Ajo dinte diçka, por jo shumë. Vdekja e djalit kishte qenë tepër misterioze. Në lokalin e Katerinës, ku Saimiri punonte si kamerier, kishin hyrë dy veta. Ishin të rinj. Pa pretenduar për moshën e tyre të saktë, Katerina tha se duhej të ishin rreth të 30-ve. Dy njerëzit që hynë në lokal flisnin shqip. Që në momentin e parë u përpoqën të hiqeshin si patriotë. Për Saimirin ata dy persona misterioze ishin të panjohur. Saimir nuk kishte më shumë se 4 muaj në Athinë dhe njohjet e tij ishin të pakta.. Veç kësaj, ai nuk largohej kurrë nga lokali, me përjashtim të rasteve të rralla kur takohej me të afërmit e tij nga Bulgareci. Në sjelljen e dy të rinjve kishte diçka të rreme, veçanërisht përpjekja për tu hequr si patriotë.. Aty u njohën me Saimirin. 'Unë di shqip, tha Katerina dhe dëgjoja gjithçka flisnin ata, por më pas u ulën në një nga tavolinat e lokalit. Për sa kohë, ata dy njerëz qëndruan aty, ndoqa çdo lëvizje të tyre. Nuk e di pse pata përshtypjen se ata të dy nuk ishin njerëz të mirë. Gjatë kohës që qëndruan të tre bashkë, njëri prej dy të ardhurve, nxori paketën dhe i zgjati një cigare Saimirit, ky i fundit e mori dhe e ndezi. Doja t’i thosha Saimirit që të mos e pinte atë cigare, por atë çast nuk mundesha. Të gjitha këto ia thashë më vonë, duke e porositur të mos merrte asgjë nga njerëz që nuk i njihte. Pas këmbimit të cigareve, dy njerëzit e panjohur u larguan nga lokali. Nuk vonoi shumë, tha Katerina dhe Saimiri po ndihej keq. Pati një marrje mëndësh, pak më vonë i shpërtheu një hemorragji që nuk kishte të ndalur. Ra nga tavolina. Dukej qartë se diçka kishte ndodhur me të. E mora dhe e çova me urgjencë në spital. Pas ndihmës mjekësore që mori aty, Saimiri nisi të ndihej më mirë. Nuk deshi të qëndronte më në spital. U kthye përsëri në lokal, por edhe të nesërmen dukej mjaft i lodhur. Megjithatë nuk mund të them se u ankua, sepse nuk ishte njeri që ankohej. Pas dy-tre ditëve ai vdiq. Nuk e di si ndodhi, ai punoi deri në mbrëmje, pastaj shkoi në dhomën e tij, e cila është brenda lokalit ku punonte dhe u shtri për të fjetur. Vetëm në mëngjes vura re se ai nuk po delte në punë. Shkova e shqetësuar në dhomën e tij, por atje gjeta një trup pa jetë. Saimiri kishte vdekur. Nuk jam e sigurt të them se në çfarë ore ka ndodhur kjo. Fill pas kësaj vura në dijeni njeriun e afert  të Simirit, Arben Malon që punonte në Athinë , por ndërkohë lajmërova dhe Ambasadën Shqiptare në Greqi. Nuk mund të bëja dot më shumë, dhe çfarë mund të bëja?'. Kjo ishte historia e treguar nga Katerina", kujton rrëfimin e pronares së djalit Namik Larti. "Arkivolin e tim biri e solli Arben Malo, i cili është i afërmi ynë së bashku më dy të tjerë. Arbeni tha se Saimiri duhej të kishte vdekur pas mesnate, pasi ai e kishte marrë në telefon në orën 00.00 të natës dhe Saimiri i kishte thënë se ndihej mirë dhe nuk kishte asnjë shqetësim. Gjithsesi djali ynë kishte pasur një vdekje tepër misterioze. Malo bashkë më të tjerët kishin shkuar dhe në Ambasadën Shqiptare në Athinë për të kërkuar ndihmë në transportin e trupit pa jetë të Saimirit, por ambasadori u ishte përgjigjur prerë. 'Hidheni ku të doni, ne nuk kemi asnjë përgjegjësi për të. Ai ishte emigrant i paligjshëm'. Të gjitha këto dhimbjen e papërballueshme na i bënin edhe më të madhe", shprehet jo pa zemërim Namik Larti."Gjithsesi nuk mund të hiqja dorë nga gjetja e të vërtetës për vdekjen e djalit. Fillimisht iu drejtova Ministrisë së Jashtme, ku m’u desh të shkoja disa herë me radhë në pritje të një përgjigjeje. Kur kishte kaluar mjaft kohë mora përgjigjen se 'Saimir Larti ishte vrarë nga njerëz të Drejtorisë së dytë të Sigurimit të Shtetit. Ky grup, më thanë, ka vrarë dhe martirët e 2 prillit në Shkodër. Saimir Larti është vrarë për motive politike'. Të njëjtën përgjigje mora edhe më vonë nga të gjitha institucionet ku u drejtova për të kërkuar ndihmë në zbardhjen e vrasjes së djalit. Më premtuan se do t’i kapnin autorët e vrasjes së djalit tim, por kjo deri më sot nuk ka ndodhur. Tashmë kanë kaluar shumë kohë, por unë di se në atë grup vrasësish ka pasur njerëz edhe nga rrethi i Korçës. Nuk është çudi që nga të njëjtët njerëz të jetë vrarë edhe Shkëlqim Agolli, drejtuesi i SHIK-ut në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, i cili u gjet i vrarë në rrethana tepër misterioze në Greqi. Gjithsesi ende kam shpresa se autorët e vrasjes do të dalin para drejtësisë. Në përvjetorin e 5 të rrëzimit të monumentit të diktatorit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha e dekoroi Saimirin me medaljen 'Martir i Demokracisë'.. Tashmë këshilli i Qarkut Korçë ka bere miratimin për shpalljen e Simir Lartit, 'Dëshmor i Atdheut'. Megjithatë çdo ditë pres të dëgjoj emrat e vrasëse të djalit tim", shprehet Namik Larti. Historia e familjes Larti Familja patriotike, që u persekutua historikisht nga regjimi Zanafilla e familjes ;Larti, vjen nga fshati Kolanec i rrethit Korçë. Më pas katër vëllezërit, Ismaili, Avdyli, Pashoja dhe Ahmeti, që në atë kohë mbanin mbiemrin Bazelli u vendosën në fshatin Maliq. Që të gjithë ishin patriotë. Një pjesë e tyre do të shpërnguleshin në fshatin Bulgarec, me mbiemrin Larti, duke theksuar kështu origjinën e tyre.Ismaili njihet si nismëtar i hapes së shkollave shqipe, në krahinën e Gorës ndërsa Pashoja, por edhe Ismailin kishin luftuar kundër osmanllinjëve. Ai ishte bashkëluftëtar i Themsistokli Gërmenjit dhe miku i tij. Fetah dhe Ibrahim Kodra, të afërm të familjes Larti, ishin korrierë të Themistokli Gërmenjit nga Korça në Vlorë. Deri para pushtimit nga Italia, Pashoja kishte qenë oficer i ushtrisë shqiptare. Së bashku me djemtë e të vëllait të tij Ahmetit iu desh të luftonte kundër pushtimit Italian. Që nga viti 1939 ai u vu në krye të çetës nacionaliste të Gorës. Nuk pranoi kurrë të bashkëpunonte me komunistët. Kjo gjë iu kërkua edhe në vitin 1943, por ai përsëri nuk pranoi. Me krijimin e Ballit Kombëtar, Pashoja bashkohet me Baba Zylfon dhe Sabri Panaritin, duke krijuar kështu çetën e tij. E arrestuan në vitin 1945, ku e torturuan mizorisht në birucat e sigurimit. E dënuan me vdekje. Kur po e çonin në “Tebojë” të Korçës, para skuadrës së pushkatimit, pak më tej Varreve të Francezëve ai u thirri të afërmeve të tij që po e ndiqnin nga larg, 'Mos pini kafe për mua por nxirrni karamele, sepse shumë shpejt do të vijë dita që komunizmi do të përmbyset'.Bashkë me Pashon u dënua edhe nipi i tij Asim Bazelli. Të njëjtin fat do të kishte edhe nipi tjetër Karafil Larti, gjyshi i Saimir Lartit. U dënua sepse u kishte thënë partizanëve se tashmë që vendi ishte çliruar, Shqipëria duhej të mbështetje tek Anglo-Amerikanët.Më pas u arrestua, Petrit Bazelli, Skënder Nevruz Malo, i cili u çmend në burg dhe përfundimisht e çuan në psikiatrinë e Elbasanit po kaq tragjike qe edhe jeta e Skënder Malos, njeri i këtij fisi, i cili desh të arratisej nga reparti ushtarak 2200 (repart i punës së detyruar) në Dushk të Lushnjes, por më të mbërritur në fshatin Rajcë shumë afër me Qafën e Thanës e kapën. Nga torturat dhe vuajtjet u çmend. Petrit Bazelli u arrestua krejt pa pritur në vitin 1980 dhe u dënua me 10 vjet burg, për agjitacion dhe propagandë. Kur u krijuan kooperativat, njerëzve të fisit Larti (Bazelli) u thanë, ju do të futeni në kooperativë, por nuk jeni si njerëzit e tjerë, sepse ju jeni kulakë. Ju nuk keni të drejtë as të zgjidhin dhe as të zgjidheni. Të gjitha këto do të merrnin fund vetëm pa shembjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora