E premte, 29.03.2024, 05:46 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kur “Mjaft” proteston kundër vizitës së Fratinit, por jo kundër vizitës së homologes greke Bakoyannis

E hene, 09.02.2009, 08:00 PM


Kur “Mjaft” proteston kundër vizitës së Fratinit, por jo kundër vizitës së homologes greke Bakoyannis       
 
Nga Kastriot MYFTARAJ

Kur ministri i jashtëm Italian Franco Fratini vizitoi Tiranën në tetor të vitit të kaluar, Lëvizja “Mjaft” organizoi ndaj tij një protestë arrogante në kulm. Pikërisht në kohën kur Fratini ndodhej në selinë e kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kaluan makina të drejtuara nga aktivistë të lëvizjes, në të cilat makina qenë vendosur altoparlantë të ngritur në kulm nga ku buçitnin këngë fashiste. Lëvizja “Mjaft” pretendoi se me këtë protestë denoncohej politika raciste e ndjekur nga qeveria italiane ndaj emigrantëve shqiptarë në Itali. Në fakt, trajtimi që Italia, ashtu dhe  u bën shqiptarëve emigrantë në Itali, si dhe atyre shqiptarëve që kërkojnë të vizitojnë Italinë, si kur në Romë janë në pushtet qeveritë e majta, ashtu dhe kur janë në pushtet qeveritë e djathta është krahasimisht shumë më i mirë se ai që Greqia u bën shqiptarëve. Në Itali sot janë legalizuar dhe jetojnë e punojnë me dokumente të rregullta rreth gjysmë milioni shtetas shqiptarë, ndërsa rreth 200 mijë të tjerë janë në procesin e legalizimit. Edhe kur në pushtet janë qeveritë e djathta, të cilat ndjekin një politikë shtrënguese në çështjen e emigracionit, për shqiptarët realisht bëhet një diskriminim pozitiv në krahasim me emigrantët nga vendet e tjera. Italia i ka legalizuar emigrantët shqiptarë pa u kërkuar që të ndryshojnë kombësinë, siç bën Greqia.
Është Greqia ajo që zbaton një politikë raciste, asimiluese, derisa autoritetet greke ngjitin në faqet e pasaportave shqiptare të shtetasve shqiptarë, me kombësi greke, të ashtuquajturën "Adhio dhiamoni" (leje qëndrimi me afat dhjetëvjeçar), për të cilën shkruhet se u jepet shtetasve të huaj me origjinë greke (homogjenët) dhe funksionon edhe si një vizë me afat dhjetëvjeçar. Adhio dhiamoni vuloset dhe firmoset nga shefi i policisë greke të qytetit në Greqi ku lëshohet ajo, dhe kjo vulë dhe firmë vendoset në pasaportën shqiptare. Ky është një dhunim i të gjitha ligjeve ndërkombëtare, pasi në pasaportën e një vendi kanë të drejtë të vulosin dhe firmosin vetëm zyrat konsullore të vendit tjetër, kur venë vizën, si dhe zyrtarët doganorë për hyrje-daljet. Por nuk duhet që një zyrtar i policisë greke të bëjë veprime me pasaportën shqiptare, që e shndërrojnë atë praktikisht në një dokument të lëshuar nga policia greke. Këtë gjë mund ta bëjnë vetëm zyrtarët e një vendi okupator, në një vend të okupuar. Të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë kombësinë greke, si minoritarët, ashtu dhe ata që e kanë marrë pas vitit 1990, me deklarime fiktive, kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin adhio dhiamoni, që u vendosen në pasaportat shqiptare. E megjithatë Lëvizja "Mjaft" nuk protestuan për këtë çështje kur ministrja e jashtme greke Bakoyannis vizitoi Tiranën vitin e kaluar, dhe nuk kanë ndërmend të protestojnë as nesër kur Bakoyannis do të vizitojë përsëri Tiranën.  
Lëvizja “Mjaft” nuk protestoi gjatë vizitës së kaluar të zonjës Bakoyannis dhe nuk ka ndërmend që të protestojë as nesër, për politikën raciste që ndjek Greqia ndaj shqiptarëve, sipas vendimit të qeverisë greke, të publikuar në 8 nëntor 2006, për t’ u dhënë në mënyrë masive shtetësinë greke shtetasve shqiptarë të cilët do të deklarojnë para autoriteteve greke se kanë nacionalitet grek. Sipas mënyrës se si është konceptuar ky vendim i qeverisë greke, çdo shtetas shqiptar me nacionalitet shqiptar, pavarësisht nëse është emigrant në Greqi, ose banon në Shqipëri, mjaft që të deklarojë se ka nacionalitetin grek dhe të fitojë kartën e homogjenit, çka pastaj i mundëson që të aplikojë për të fituar nënshtetësinë greke. Dhe ajo që nuk thuhet por zbatohet në praktikë, është se kërkohet si kusht dhe marrja e fesë ortodokse nga ana e joortodoksëve.
Qeveria greke përsërit vazhdimisht se në Greqi ka një milion emigrantë shqiptarë, gjë që e bën për të potencuar tek shqiptarët mitin se “Greqia po na mban me bukë!”, të përhapur nga njerëzit e Greqisë në Shqipëri, si dhe për të përhapur idenë disfatiste se Shqipëria duhet të pranojë dominimin grek, ekonomik dhe politik, ndryshe pasojat do t’ i kenë këta shqiptarë të Greqisë. E vërteta është se numri i emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk është më ai i fillimit të viteve nëntëdhjetë. Emigrantët shqiptarë të Greqisë, prej vitesh janë duke u larguar nga ky vend ku paguhen më pak se kudo, duke shkuar drejt vendeve të tjera europiane dhe SHBA-ve e Kanadasë, siç na është treguar dhe në një emision “Fiks fare” ku minoritari grek Filip Çakuli, në rolin e gazetarit investigues zbuloi një rrjet trafikimi grek që u shiste emigrantëve shqiptarë pasaporta për të shkuar në vendet perëndimore. Qeveritë greke kanë prirjen që ta paraqesin trefish më të lartë shifrën e shqiptarëve që gjenden sot në Greqi dhe këtë e bëjnë për expedient politik, për të rritur artificialisht peshën e Greqisë ndaj Shqipërisë, në sytë e shqiptarëve dhe kancelarive perëndimore.
Sot realisht është Italia vendi që ka numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, me rreth gjysmë milioni emigrantë shqiptarë të legalizuar dhe me rreth gjysmën e këtij numri emigrantë klandestinë, të cilët pritet që të legalizohen sipas ligjit të ri italian për këtë çështje. Madje sot Italia është vendi ku ka më shumë shqiptarë, po të mendosh se në Itali ka edhe mbi treqind mijë shqiptarë të tjerë nga trojet shqiptare tej kufirit shtetëror, çka do të thotë se në Itali ka mbi një milion shqiptarë. Italia nuk kërkon që t’ i italianizojë me dhunë shqiptarët, siç kërkon t’ i helenizojë me dhunë Greqia. Italia historikisht ka lejuar që komuniteti i hershëm shqiptar në Itali, arbëreshët, të kultivojnë gjuhën e tyre, madje të kenë dhe katedra universitare në shqip, si dhe tabelat e rrugëve në këtë gjuhë në vendet ku përbëjnë shumësinë e popullsisë. Ndërsa në Greqia as që bëhet fjalë që shqiptarëve t’ u njihen të drejta të tilla, madje Greqia nuk pranon as t’ u kthejë pronat çamëve të dëbuar. Sot ka linjë ajrore mes Tiranës dhe nëntëmbëdhjetë qyteteve italiane, me gjysmën e të cilëve linja është e përditshme.
Cila është arsyeja që “Mjaft” ndjek një standard të dyfishtë në raport me Italinë dhe Greqinë. Kjo ka vetëm një shpjegim, atë se “Mjaft” është një vegël e shërbimit sekret grek, i cili e kontrollon me anë të influencës së qarqeve të biznesit grek në Perëndim dhe e përdor për të bërë subversion në marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë. Kjo kuptohet dhe nga “Mjaft” ka bërë protesta ndaj projekteve për biznesin italian në Shqipëri, duke i cilësuar si të rrezikshme nga ana mjedisore, por nuk e ka bërë një gjë të tillë p.sh. ndaj depozitave greke të naftës në portin e Durrësit, që në çdo moment mund të shkaktojnë jo më një katastrofë mjedisore, por që mund ta bëjnë Durrësin Hiroshimën shqiptare.
Në çdo vend sadopak serioz të botës, duke përfshirë dhe shumicën e vendeve afrikane, në rast se një OJF si “Mjaft”, e cila financohet nga ambasada të huaja, do të bënte atë akt banditesk që bëri gjatë vizitës së Fratinit në Tiranë, në tetor, ambasadorët që e financojnë atë do të qenë dëbuar nga vendi brenda natës. Në protestën e “Mjaft” ndaj Fratinit ishte njëlloj sikur të ishte ambasadori holandez, protektori i “Mjaft”. Në rast se shteti shqiptar nuk ka vullnet që të zbatojë detyrimet e tij, atëherë shqiptarët e përgjegjshëm kanë të drejtë që ta marrin në dorë këtë çështje dhe t’ i dëbojnë nga Tirana horrat si ambasadori holandez dhe protektorët e tjerë të huaj të “Mjaft”. Tashmë është e qartë se “Mjaft” po përdoret për të ndaluar orientimin e ekonomisë së Shqipërisë drejt Italisë, çka po ndodh sot, ndërsa deri para disa vitesh ekonomia e Shqipërisë ishte e orientuar drejt Greqisë, gjë që u bë pas vitit 1997.
Pse nuk proteston “Mjaft” ndaj zonjës Bakoyannis për faktin se Greqia e kushtëzoi ratifikimin e MSA të Shqipërisë me Bashkimin Europian, me ndërtimin e varrezave për ushtarët grekë në territorin shqiptar. Ditën e enjtë, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Panajot Barka tha me sinqeritet se ushtria greke që hyri në Shqipëri në vitin 1940, duke ndjekur ushtritë italiane, ishte një ushtri pushtuese, gjë për të cilën Barka u kundërshtua nga Sabri Godo. Barka tha të vërtetën se çdo ushtri që hyn në territorin e një shteti tjetër quhet pushtuese, aq më tepër kur shteti, ushtria e të cilit kapërcen kufirin, ka pretendime territoriale ndaj shtetit tjetër. Ndoshta Barka u tregua kaq i sinqertë për faktin se ish-ambasadori grek në Shqipëri, Karkabasis, në një takim minoritarësh para disa vitesh në Derviçian i ka thënë Barkës se ti je jevg dhe jo grek. Këtë histori e dijnë të gjithë në Dropull. Atëherë Barka rrëmbeu karrigen ta qëllonte ambasadorin, por e mbajti ish-konsulli grek në Gjirokastër, Janis Xhovas. Këto janë punët e grekëve në Shqipëri.
Në 11 shtator 2008, gjatë takimit të zonjës Bakoyannis me ministrin e jashtëm të Serbisë, Jeremic, të dy palët u shprehën në një deklaratë të përbashkët: “Prioritet do t’ i jepet Korridorit Paneuropian Dhjetë, një autostradë që do të lidhë Selanikun e Beogradin me Europën Qendrore. Një autostradë me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të rajonit. Është në interesin tonë të ndërsjelltë të përshpejtojmë procesin e ndërtimit të Korridorit Dhjetë”. Greqia dhe Serbia, duke pasur si prioritet Korridorin dhjetë janë kundër korridoreve të tjerë që i bëjnë fqinjët, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, të pavarur prej tyre, sic është Korridori Durrës-Kukës-Prishtinë, apo edhe Korridori Tetë. Edhe në këtë çështje “Mjaft” vepron në pajtim me interesat greke dhe serbe, duke kundërshtuar ndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë, pavarësisht nga argumentet që përdor. Argumentet e luftës kundër korrupsionit duken të pabesueshme kur ka një standard të dyfishtë në trajtimin e Fratinit dhe Bakoyannis. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora