E enjte, 16.07.2020, 05:31 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Halil Haxhosaj: Arti në një shfaqje premierë

E hene, 09.02.2009, 10:22 PM


Teatër – Premierë

 

ARTI NË NJË SHFAQJE PREMIERË

 

Yasmina Reza: ART, Premierë, regjia nga Sabri Pajaziti, interpretuan: Edmond Hafizademi, Adem Vorfaj, Edonis Kastrati, mbështetur nga Drejtoria për arsim dhe kulturë e Kuvendit komunal të Gjakovës.

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Në sallën universale të Palltit të Kulturës “Asim Vokshi” të Gjakovës, u dha premiera e shfaqjes “Art” me tekst të Yasmina Reza e në regji të Sabri Pajazitit. Kjo shfaqje nuk ishte realizimi i Teatrit Kombëtar të Gjakovës, madje as i Teatrit amator “Emin Duraku” të këtij qyteti, e bile as i ndonjë institucioni tjetër teatror të Kosovës dhe më gjerë. Shfaqja është një realizim i tre aktorëve profesionistë: Edmond Hafizademit, Adem Vorfajt dhe Edonis Kastratit, të cilët kanë mbaruar Akademinë për aktorë në Tiranë apo edhe Prishtinë, por që nuk janë të inkuadruar në asnjë teatër profesionalë të Kosovës. Mbase i tillë është edhe regjisori i shfaqjes Sabri Pajaziti, emri i të cilit është pak i njohur për artin e teatrit dhe filmit. Por, evituar të gjitha këto, të gjithë këta së bashku, edhe me paraqitje në fund të shfaqjes me një video filmi nga aktorët Mehdi Popaj, Sulejman Lokaj dhe Rrustem Latifaj, ia arritën që në skenën e sallës  së Teatrit të Pallatit të Kulturës në Gjakovë, të realizojnë një projekt të mirë, ambicioz dhe me disa vlera evidente në artin skenik.

 

Koncepti dhe regjia e shfaqjes

 

Drama “Art” e Yasmina Rezas ka disa nuanca paksa të veçanta në shtjellimin, konfliktin, madje edhe në konceptimin dramatik si tekst dhe regjisorial si shfaqje. Në qendër të rrjedhës strumbullarizohet një pikturë, e cila artistikisht ka disa nuancime intriguese dhe këndvështrime për interpretimin e domethënies së saj. Andaj, edhe vlera monetare e pikturës është marramendëse, sepse blerësi i saj Sergji (Adem Vorfaj), jo vetëm që nuk kishte mundësi kapitali, por as aftësi intelektuale për ta vlerësuar artistiken e pikturës. Mbi këtë element, pra mbi vlerën artistike të pikturës, ndërtohet e tërë shfaqja dhe konflikti i saj dramatik, i cili, në këtë premierë pati koloritin e vet, që mund të quhet me ngjyrime paksa të veçanta. Këto ngjyrime nuk ishin statike, por as dinamike në tërësi, por ato varironin sipas momenteve dhe gjendjes së konfliktit dramatik të saj. Duke iu përmbajtur konceptit të regjisorit, shpesh disa skena dukeshin “të ngathëta”, të cilat frenonin sado pak rrjedhën dramatike të shfaqjes. Kjo gjë ndodh mu në fillim të saj pa u hapur perdja, kur Sergji fotografohet para pikturës, ndërsa Ivani bën disa “gjestikulacione pune” në zyrën e tij. Fillimi krijonte edhe shkapërderdhje të përqendrimit dhe fiksimit të shikuesit, sepse skenat ishin të ndriçuara njëlloj (Sergji para pikturës në njërin kënd të paraskenës dhe Ivani në këndin tjetër). Mbase ky veprim skenik do të ishte më funksional, madje edhe më i logjikshëm e më praktik, sikur kjo të bëhej me anë të dritave, ashtu siç ndodh me sekuenca e filmime, si elemente të teatrit modern.

Veprimi i shfaqjes “Art” zhvillohet në paraskenë, në skenë dhe në prapaskenë, ku ishte i vendosur ekrani i video filmit, që shfaqej si “intermexo” në mes të skenave të shfaqjes, që janë elemente brehtiane. Trekëndëshi i lojës skenike të shfaqjes “Art” në natën e premierës kishte një mozaik zhvillimi dhe ngjyrimi artistik teatror. E gjitha funksionoi mirë e konceptuar dhe e realizuar mbi parimet e mizanskenës, skenografisë dhe kostumeve. Bashkëdyzimi i të gjithave frymoi me tërësinë teatrore, me tekstin, konceptin regjisorial dhe interpretimin e aktorëve. Ky gërshetim pasqyrohej si mozaik që mundësonte zhvillimin e rrjedhës së shfaqjes, edhe pse diku-diku delte ndonjëherë paksa e sforcuar. Por, duhet pranuar, mbase edhe si konstatim, se në tekstet e tilla me numër të kufizuar aktorësh si në këtë rast që janë vetëm tre, rrjedha nuk mund ta mbajë në duar gjithmonë konfliktin dramatik. Mirëpo, këtë regjisori Pajaziti mundohet ta tejkalojë me xhirime e filmime të shfaqura, të cilat shpesh sqaronin para spektatorit, karakteret, veprimet dhe qëllimet e personazheve në rrjedhën e shfaqjes. Dhe, kështu shpesh kjo gjë dukej e tepërt, madje edhe jo interesante, ngase përpara zbulohej karakteri, qëllimi, bile edhe veprimi i mëtejmë. Raste të këtilla ka mjaft, por më i pikasuri është ai kur Marku flet për mosdurimin e Sergjit kur ai i shpjegoi rëndësinë e pikturës dhe e bën aq shumë të mllefosur sa do ta qëllojë me grusht për t’ia thyer turinjtë, por përmbahet. Ndërsa në skenën e kacafytjes në mes të personazheve ngjarja duket paksa e vrazhdët sepse ka pak aktrim dhe më shumë zhvillohet realisht. Kjo skenë ka disa elemente të konstruktuara mirë sipas konceptit regjisorial, por aktorët, si duket, nuk munden t’i shfaqin talentet aktoreske, andaj disa momente shprehnin më shumë vrazhdësi e më pak aktrim dhe art skenik. Teprime të tjera në shfaqje ishin edhe disa veprime të tepruara, mbase ato shprehin vetëm “humbje kohe” në skenë, me rastin e qëndrimit para pasqyrës, veshjes e zdeshjes së setrave, palltos, heqjes e vendosjes së sheshimit në kokë, e të tjera.

Por, sidoqoftë, konceptimi dhe puna regjisoriale e shfaqjes “Art” nga regjisori Sabri Pajaziti, në fund pati një domethënie, e pse jo edhe sukses të evidentuar. Kjo shihet nga mësimet e këtij regjisori dhe pasuritë e bollshme teorike që ka marrë gjatë studimeve, të cilat kohë pas kohe do të sendërtohen me përvojën dhe do të jenë fryt i sukseseve të reja në artin skenik të Sabri Pajazitit si regjisor. 

 

Veçantia e interpretimit të roleve

 

Pamje nga shfaqja
Pamje nga shfaqja
Rolet në premierën e shfaqjes “Art” të Yasmina Rezas i interpretuan, siç u tha, Edmond Hafizademi – Marku, Adem Vorfaj – Sergji dhe Edonis Kastrati – Ivani. Rolet e këtyre tre aktorëve ishin të dyfishta: në skenën e teatrit dhe në pëlhurën e bardhë të filmit.

Edmond Hafizademi interpretoi me maturi dhe me figuracion rolin e Markut. Figura e këtij personazhi kishte disa nuancime, të cilat shfaqeshin sipas hallkave të shtresuara të jetës, të karakterit dhe të temperamentit psikik. Por, ai asnjëherë nuk donte të dorëzohej para sfidave, kurtheve, madje as kapriçiove të miqve të tij, Sergjit dhe Ivanit. Duke u mishëruar me të gjitha anët dhe dimensionet e këtij personazhi, aktori, E. Hafizademi ia arriti që të skalitë këtë figura me të gjitha ngjyrimet që ia ka dhënë shkrimtari në tekst, por  edhe regjisori në shfaqje.

Aktori Adem Vorfaj interpretoi rolin e Sergjit. Ky personazh, sa interesant aq edhe intrigues ka vendin më dominues në shfaqje. Ai ka shpikë vlerën e pikturës “moderne” më shumë domethënie, duke e vlerësuar me një shumë marramendëse, e cila është nyjë kryesore e konfliktit dramatik të shfaqjes. Me qëndrimin e tij dhe invencionin e treguar, ky aktor ia arriti të mishërohet me karakterin e personazhit që interpretoi, duke dalë faqebardhë në shumicën e rasteve. Por, aty këtu pati disa oscilime që vëreheshin sidomos në skenat që dukej së zhvilloheshin vetëm për ta ruajtur rrjedhën e konfliktit dramatike.

Edonis Kastrati interpretoi rolin e Ivanit, të një karakteri që donte të arrinte diçka, por edhe pasuri në jetë, por, i cili fatkeqësisht nuk kishte as kapacitet mendor, e madje as fizik. Ky gërshetim shtrihej në gjerësinë dhe thellësinë e këtij karakteri sa që aktori E. Kastrati shpesh ia delta me sukses interpretimit, por ndonjëherë paksa dhe “ngatërrohej”. Tek interpretimi i tij, sidomos gjuhësor, ndihej paksa e tepruar fishkëllima e disa bashkëtingëlloreve që dukej se e zbehte gjuhën teatrore. Por, megjithatë, ky aktor ia arriti që të interpretojë mirë rolin e Ivanit, të kësaj figure tragjike dhe komike të shfaqjes.

Duhet përmendur se kaptina më e realizuar dhe më shkëlqyese e shfaqjes “Art” në natën e premierës ishte gjuha. Aktorët interpretuan me një gjuhë aq të mirë, aq të pastër dhe aq të qëlluar skenike e teatrore. Gjuhës së tyre duhet pasur lakmi shumë aktorë që interpretojnë në skenat e teatrove tona profesioniste në të gjitha trojet shqiptare. Madje, kjo gjuhë nuk ishte artificiale, as improvizuese dhe as e sforcuar, por ishte një gjuhë letrare shqipe dhe jo gjuhë “pezhurativiste” e shumë serialeve tona televizive, e pse jo edhe e “show” programeve e formave të tjera. Dhe, kjo gjuhë nuk ishte e vështirë të kuptohej nga spektatori i natës së premierës që kishte mbushur cep me cep sallën universale të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Përveç kësaj, aktorët dhe regjisori i shfaqjes “Art” e kthyen në sallë spektatorin e teatrit edhe pse ai ishte i ftuar me ftesa. Kjo, prandaj qenka një formë e suksesshme për ta kthyer atë. Poashtu, ata i treguan faktorit qeverisës të kulturës teatrore kosovare se duhet shikuar më ndryshe ligjet e teatrit, e sidomos atij të Gjakovës, sepse ai nuk po u “plaka” sepse këtu paska gjak të ri të bollshëm aktorësh dhe regjisorësh të talentuar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora