Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Merlika, kundërshtari i përjetshëm i diktaturave

| E hene, 09.02.2009, 07:45 PM |


Mustafa Merlika Kruja
Mustafa Merlika Kruja
Letërkëmbimi i Mustafa Krujës me At Paulin Margjokajn (1947-1958)

Në optikën shqiptare, ku njerëzit klasifikohen me ne ose kundër nesh, domethënë armik (ka dhe më keq akoma: me udhëheqësin tonë ose kundër tij), njerëzit si Mustafa Kruja, e majta shqiptare deri dje dhe vazhduesit e saj nostalgjikë sot, i klasifikojnë si armiq. Me sa e njoh unë historinë e shtetit shqiptar, vetëm nja pesë veta (njëri po i humb pikët) kanë aureolën e "karizmatikut" të vënë nga tifozët e tyre (për ideale ose për interesa) apo nga kundërshtarët e hasmit të tyre. Vetëm ata lavdërohen, shahen por dhe mbrohen deri në sherr (edhe kur kanë vrarë me mijëra dhe kur janë të dhunshëm e perversë, mbase për këto i adhurojnë), madje ju këndojnë edhe këngë. Me sa duket, tek ata shohin "idealin" e tyre dhe për këtë shpërblehen me mbrojtje e karrierë, sipas rregullave të klientelizmit feudal. Ndërkohë, dikush po mundohet ta vërë vetë aureolën e lavdisë, duke marrë poza e duke kërkuar poste, duke sharë gjithçka e lavdëruar ndokënd, për t‘i treguar se është shumë i zoti dhe i dobishëm për kombin. Ka dhe sot, ndër ne, për fat të keq, njerëz që mendojnë se shpëtimi vjen nga individë e nga duele prijësish (me sharja e fyerje).

Mustafa Kruja (Merlika) nuk ishte si ata. Ai mbetet një figurë e rëndësishme e historisë së popullit tonë dhe e kulturës së tij. Për tridhjetë vite ai ishte një protagonist, duke filluar me pjesëmarrjen aktive në Kuvendin e Vlorës të 28 Nëntorit 1912 (madje unë mendoj se është ai që ka shkruar Aktin e Pavarësisë), duke vazhduar me poste të ndryshme dhe të rëndësishme qeveritare dhe veprimtari politike si në atdhe ashtu dhe në mërgim. Mustafa Kruja u përfshi në krijimin e shtetit të parë shqiptar, duke mos ardhur nga rangjet e larta të zyrtarëve të Perandorisë Turke, të mbetur pa punë pas shembjes së saj, as edhe nga shtresat e feudalëve e bejlerëve vendas. Ai dallohej për formimin intelektual, për aftësitë e tija dhe ishte më bindës se të tjerët, sepse vinte nga shtresa e mesme e shkolluar. Nga bashkëkohësit ai njihej si atdhetar e antikomunist i flakët, si dhe intelektual e gjuhëtar i dorës së parë. Ndërsa të tjerët e njohin për vitet e luftës, pa dëgjuar shpjegimet e tij, për qëndrimin e veprimtarinë, duke përsëritur tezat e veglave të armiqve të kombit.

Mustafa Kruja bën pjesë në atë grup shtetarësh shqiptarë të gjysmës së parë të shek. XX si Ekrem Bej Vlora, Mehdi Frashëri, Sejfi Vllamasi, Faik Konica, Lumo Skëndo, Teki Selenica e të tjerë, që me penën e tyre dhe vërtetësinë e dëshmive të dokumentuara, ndihmojnë për të njohur historinë e trazuar të Shqipërisë e shqiptarëve në periudhën nga pavarësia deri në Luftën e Dytë Botërore. Studimet e tij, që mundi t‘i ruante familja, letërkëmbimi gjatë kohës që ishte në emigracion, si dhe ato dorëshkrime historike që mori me vete apo shkroi kur ishte në mërgim, po botohen kohët e fundit nga të afërmit e tij, të cilët u vranë barbarisht, u burgosën dhe u internuan, prej nga u kthyen pas vitit ‘90, kur Shqipëria u çlirua nga zgjedha e komunistëve në shërbim të të huajve, më e keqja, më çnjerëzorja dhe më gjakatarja që njeh populli shqiptar gjatë mijëra vjet histori të tij.

Kohë më parë, lexova me përkushtim përmbledhjen me shkrime dhe studime historike e gjuhësore ″Antologji Historike″ të Mustafa Krujës. Pas gati gjysmë shekulli që na ndan nga vdekja e tij, ai na shfaqet në një dritë krejt ndryshe, në një dimension të ri, jo vetëm nëpërmjet fjalës e veprës së tij, por edhe nëpërmjet dokumenteve e fakteve historike që po botohen kohët e fundit, nëpërmjet monografive për figura historike, kujtimeve të bashkëkohësve etj. I ngritur në kult nga pala që luftoi për një Shqipëri evropiane dhe që nuk ia arriti dot dhe i anatemuar e i mohuar tërësisht nga pala tjetër, që solli në pushtet murtajën sllavo-komuniste. Këta të fundit kishin edhe një arsye plus; veprat shkencore të Mustafa Krujës, kryesisht në fushat e gjuhësisë dhe historisë, me frymën e tyre thellësisht patriotike e shkencore u mohuan për t‘u përvetësuar e shfrytëzuar nga ″shkencëtarët e maleve me dëborë mbuluar″. Ka ardhur koha që vepra shkencore e studiuesve, deri dje të mohuar, t‘u kthehet bibliotekave e katedrave si pjesë e pamohueshme e shkencës dhe kulturës shqiptare.

Gjithsesi, këto përvetësime, që nuk janë të pakta jo vetëm për këtë autorë, por dhe për shumë shkrimtarë e shkencëtarë të shpallur ″armiq″ nga diktatura, meritojnë studime të veçanta krahasuese, gjë që nuk është detyrë e këtij shkrimi që synon të paraqesë edhe veprën e dytë të botuar kohët e fundit -″Letërkëmbimi″ (1947 - 1958), ku janë përfshirë letrat ndërmjet tij dhe Pater Paulin Margjokaj, respektivisht 66 dhe 57 letra.

Vepra e parë, ″Antologjia historike″ shquhet për stilin akademik, për argumentimin e saktë shkencor, për trajtimin dhe interpretimin realist të historisë moderne të Shqipërisë, pa pasione ideologjike e shoviniste, aq sa pa hezitim mund të themi se në të ardhmen, për historianët dhe albanologët e çliruar nga dogmat, veprat e Mustafa Krujës do të shërbejnë jo vetëm për referim, por edhe si burim faktesh të dorës së parë. Sepse janë ngjarje të treguara prej njërit nga protagonistët më të shquar të këtyre viteve.

Ky emigrant i përjetshëm, kundërshtar si i mbretërisë së Zogut ashtu i diktaturës sllavo-komuniste që erdhi më pas, nuk e shkoi kohën kot në mërgim, por gërmoi nëpër arkiva e biblioteka, krijoi dhe punoi në kushte të vështira jetese me përkushtim e pikësynime të qarta, për t‘i lënë atdheut një trashëgimi të pasur. Energjitë dhe kohën më të madhe ia mori Fjalori i Gjuhës Shqipe, me 30000 mijë fjalë e 2400 faqe, një vepër madhore, e pajisur me shënime edhe në aspektin etimologjik për shumicën e fjalëve, por që diktatura e zhduku "pa lënë gjurmë" (sigurisht që u përvetësua nga të tjerë, shkencëtarët komunistë), ndonëse ishte bërë gati për botim qysh në vitin 1943. Ndoshta kërkimet e ardhshme nga një brez i ri gjuhëtarësh të pakompleksuar nga e kaluara, do të flasin më me saktësi edhe për këtë. Por, padyshim, me këto që lexuam jemi të mendimit se Mustafa Kruja është një ndër albanologët dhe historianët më në zë të mesit të shekullit XX.

Shkrimet që na ka lënë si trashëgimi janë të natyrave të ndryshme dhe vetëm një pjesë e tyre ishte botuar në periodikët e kohës brenda vendit, por më të shumtat në shtypin shqiptar të diasporës. Disa nga studimet gjuhësore i përmblodhi në vëllimin ″Kritiqizëm Gjuhsore″ ku analizonte ″nëpërmjet një kritike ndërtimtare shtrembërimet gjuhësore të Aleksandër Xhuvanit, Mati Logorecit, Koço Tasit etj. Në këto kritika rrjedh një frymë e pastër, pa pasione, pa mëni, themelue vetëm në shkencë, sikur i ka hije një studimtari″. (Karl Gurakuqi-revista "Shejzat" 1959). Kjo është vetëm një pjesë e punës së tij gjysmëshekullore. Shumë nga shkrimet dhe studimet e Mustafa Krujës presin të botohen. Ato janë pasuri kombëtare dhe kontribute në shkencën tonë. Lista e dorëshkrimeve është e gjatë, por ne po rendisim disa që na duken më kryesoret dhe që ende nuk e kanë parë dritën e botimit, megjithëse vlerësimi e diferencimi u përket studiuesve të fushave përkatëse.

-Sprovë për një fjalor kritik - vetëm germa A dhe B-250 fq.

-Fjalor i Frangut të Bardhë - monografi, botuar pjesërisht në revistën ″Shejzat″ (pjesa e pabotuar 130 fq.)

-Shqipnia përpara Konferencës së Paqes në 1919-ën, bashkë me dokumente zyrtare të Qeverisë së Përkohshme në 1919-ën.

-Kujtime vogjëlije dhe fëminije

Nga kjo bibliografi e rralluar vetvetiu të lind pyetja: Kush ishte Mustafa Kruja?

Sigurisht që për mua ky emër është i njohur, së pari si studiues i spikatur dhe mandej si politikan, i cili ka qenë i pranishëm për dhjetëvjeçarë në politikën shqiptare. Por, për lexuesin e ri në moshë dhe që nuk ia ka dashur puna ta njohë këtë personalitet na duket me vend të japim një informacion të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë së tij.

- Lindi më 15 mars 1887 në Krujë, ku dhe mbaroi shkollën fillore.

-Shkollën e mesme e mbaroi në Janinë, në gjimnazin Zosimea, ku kishin studiuar edhe shumë patriotë shqiptarë, si vëllezërit Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Faik Konica e të tjerë.

-Më 1910-ën përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet e larta në Universitetin Mylkije të Stambollit për Shkencat Politike dhe Administrative.

-1911 filloi punën si mësues i matematikës në gjimnazin e Durrësit.

-Në 1912-ën mori pjesë në kryengritjen e madhe të shqiptarëve kundra Perandorisë Turke, që numëronte muajt e fundit.

-28 Nëntor 1912 merr pjesë si një ndër përfaqësuesit intelektualë kryesorë në ngritjen e flamurit në Vlorë për pavarësinë e Shqipërisë, përkrah Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.

-Emërohet nënprefekt i Vlorës.

-1913 emërohet drejtor i arsimit në Elbasan.

-1914 përkrah ardhjen e princ Vidit dhe së bashku me Abdi Toptanin luan një rol të dorës së parë në kundërshtimin e lëvizjes antikombëtare të Haxhi Qamilit, duke mos e lejuar që ajo të triumfonte në Krujë.

-Në 1915-ën, me urdhër të Esat Pashës, arrestohet dhe dërgohet në burg, në Bari të Italisë, si kundërshtar politik i tij.

-1916, burgimi i kthehet në internim në ishullin e Favinjanës.

-1917 pas lirimit nga internimi vendoset në Romë, ku punon si kryeredaktor i revistës politiko-letrare ″Kuvendi″, themeluar nga miku i tij, Sotir Gjika.

-1918 kthehet në atdhe dhe menjëherë hidhet në veprimtari politike.

-Më 25 dhjetor merr pjesë në mbledhjen e formimit të qeverisë së Durrësit, me Kryeministër Turhan Pasha. Emërohet ministër i Postë - Telegrafës

-1921, në zgjedhjet parlamentare për Këshillin Kombëtar zgjidhet deputet i Kosovës.

-1922 merr pjesë në kryengritjen e Elez Isufit për rrëzimin e qeverisë.

-Me dështimin e saj arratiset në Jugosllavi.

-Kthehet në 1924-ën dhe merr pjesë në revolucionin e qershorit. Emërohet prefekt i Shkodrës nga qeveria e Fan Nolit.

Pas dështimit të qeverisë së Nolit, si shumë politikanë të tjerë kundërshtarë politikë të Ahmet Zogut, arratiset në Itali. Por kohën më të gjatë e kaloi në Zvicër.

-Pas pushtimit italian kthehet në Shqipëri. Si studiues drejton Institutin e Studimeve Shqiptare dhe nuk merr pjesë në jetën politike.

-Duke kuptuar rrezikun e madh që i vinte Shqipërisë nga sllavo-komunizmi, rrezik që u bë realitet dhe vendi hoqi tmerret e tij për afro gjysmëshekulli, në fund të vitit 1941 pranoi të bëhej Kryeministër, post që e mbajti për 13 muaj. Dorëheqja e tij ishte e parevokueshme, sepse qeveria italiane nuk iu përmbajt kushteve që u formuluan, kur ai pranoi të marrë postin e lartë.

-1944 shkon në Vjenë, për t‘iu ndodhur djalit më të vogël pranë, në momentet e fundit të jetës. Fati i keq i djalit shpëtoi babanë. Në Shqipëri triumfuan komunistët dhe M. Kruja nuk u kthye më kurrë në atdhe.

-Pas kësaj, jeta e tij ishte një endje e vazhdueshme nga Austria në Itali, në Zvicër, më pas në Egjipt e Francë, pranë kundërshtarit të dikurshëm, Ahmet Zogut, për ta mbyllur jetën në SHBA, në qytetin Niagara Falls, duke u bashkuar me djalin tjetër dhe me motrën. Kampionia e demokracisë, Amerika, e kishte pranuar këtë ''kundërshtar të tmerrshëm'' qysh me kërkesën e parë për bashkim familjar dhe e kishte bërë qytetar të saj, ndonëse në Evropë vazhdonin gjyqet e Nurembergut për kriminelët e Luftës së Dytë. Pra, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës Mustafa Kruja nuk ishte i tillë. Dhe ata e dinin mirë këtë.

-Vdiq më 27 dhjetor 1958, në moshën 71-vjeçare në Niagara Falls të SHBA-së.

Nga leximi i dy veprave të botuara të M. Krujës mendimi i parë që të lind është këmbëngulja e tij për të përforcuar te bashkatdhetarët ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe për të nënvizuar faktin se shqiptarët kanë qenë gjithnjë në përpjekje për të ruajtur trojet dhe identitetin e tyre, për të mbijetuar në rrethana tejet të vështira. Prandaj, nuk është i rastësishëm edhe orientimi i punës së tij shkencore në fushat më të rëndësishme të përkatësisë kombëtare: gjuhës dhe historisë. Dhe në të dyja ai është kërkues dhe studiues i vërtetë. Teoria pellazgjike e prejardhjes së shqiptarëve, që i bën ata populli më i lashtë i Ballkanit dhe gjuha shqipe një degëzim krejt i veçantë i familjes së gjuhëve indoevropiane, tashmë janë të pranuara jo vetëm nga shkenca shqiptare, veçse me autorësi të ndryshuar. Gjuha ka qenë pasuria më e madhe e kombit, që e ka ruajtur atë nga asimilimi dhe asgjësimi e ky deduksion meriton të vlerësohet.

''Antologjia Historike'' e Mustafa Krujës (botuar në vitin 2001) jo vetëm që është e mbrujtur me fakte dhe interpretime të drejta dhe origjinale të historisë, por për periudhën që ai ka qenë protagonist, d.m.th nga viti 1912 e deri në vitin 1944, kthehet në një dëshmi konkrete, që as nuk mund të mohohet dhe as mund të ndryshohet. Nuk ka mënyrë më të mirë për të njohur historinë e një populli sesa nëpërmjet figurave të njohura politike. Po kështu, përkthimi i librit të L. Thalloczy-it "Vëzhgime iliro-shqiptare", botuar në vitin 2004, si dhe libri mbi Aleksandrin e Madh.

Në emigracion ai nuk u bashkua me ata që përpiqeshin për çlirimin e vendit nga diktatura komuniste, sepse e kishte kuptuar; bota ishte ndarë në dy kampe dhe ndryshimet mund t‘i sillte vetëm një luftë e përbotshme, gjë që ishte e pamundur, kurse atdheu i tij ishte i destinuar të kalonte diktaturën më të egër të Evropës, të jetonte deri sa rendi absurd socialist të degradonte. Rivaliteti midis dy superfuqive e kishte lënë atë në ″zonën e askujt″, të ngujuar në varfërinë e vet. Profecia e M. Krujës u realizua tri dekada pas vdekjes. Megjithatë, ai ishte i bindur se herët a vonë kjo do të ndodhte.

Por, përmasat e vërteta të M. Krujës si shkencëtar, si patriot, si politikan dhe njeri dalin më të plota te përmbledhja ''Letërkëmbim'', përgatitur për botim nga Bashkim Mërlika dhe Daniela Dukagjini. Një vepër e veçantë në botimet tona jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për formën epistolare. Në të janë renditur, në bazë të kriterit kronologjik, 123 letra midis Mustafa Krujës dhe priftit të ri katolik, Pater Paulin Margjokaj OFM. Një korrespondencë që ka zgjatur për më se njëmbëdhjetë vjet, një letërkëmbim midis miqsh, midis një politikani dhe studiuesi të madh e një prifti të ri, midis një katoliku dhe një myslimani, dy intelektualë me interesa të larta shkencore dhe atdhedashurie, që politika ekstreme i la përjetësisht në mërgim.

Kush ishte Patër Paulini? Dr. Paulin Margjokaj lindi në fshatin Kçirë të Shkodrës, më 26 shtator 1908. Emri i tij, para hyrjes në shërbim të fesë, ishte Bibë Doda.

Në 1925-ën hyri në Urdhrin e fretërve të Shqipërisë.

Në 1932-in shugurohet meshtar.

Nga viti 1938 deri në 1941-in shërbeu si sekretar i provincës shqiptare dhe si mësues i historisë e gjeografisë në liceun ''Ilirikum''.

Në 1941 - 1943 shkoi për studime të larta në Itali (Torino), ku mori doktoratën në histori dhe letërsi.

Për shkak të ardhjes së regjimit komunist në pushtet nuk u kthye më në atdhe.

Shërbeu si prift në Sud Tirol, Kaltren dhe në Bozen deri në vitin 1951.

Pas kësaj shkoi në Vjenë dhe në Grac, sa më pranë shqiptarëve të mërguar. E deshi vendin e tij, si dhe banorët e saj me gjithë shpirt. Dhe kështu vdiq më 30 korrik 1975, besnik i idealit të tij në traditën françeskane të provincës shqiptare.

Shkroi shumë artikuj dhe la dy vepra në dorëshkrim në gjuhën shqipe. Me Mustafa Krujën e lidhën idealet e përbashkëta të shqiptarizmës dhe shkencës.

Letërkëmbimi ndërmjet tyre përqendrohet në ndodhitë historike, në harkun kohor ndërmjet Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në të vizatohen me vërtetësi, në raport me qëndrimet e tyre ndaj lirisë dhe çështjes kombëtare, më se pesëdhjetë personazhe të njohura të politikës shqiptare qysh nga Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Midhat Frashëri, Myfit Libohova e shumë të tjerë.

Tematikën e këtij letërkëmbimi përgjithësisht e diktojnë ''pyetjet e pafundme'' të priftit të ri, për të gjitha zhvillimet historike. Dhe Mustafa Kruja përgjigjet me bujari, pa u lodhur dhe pa u mërzitur, duke i siguruar historianit të ri ''lëndë të parë'' kualitative për Historinë e Shqipërisë në të gjitha fushat e saj. Përgjithësisht letrat janë rrëfime të sinqerta, pa paragjykime, plot nerv artistik, që e bën leximin e tyre të këndshëm. Siç e thamë, ngjarjet historike përshkruhen me vërtetësi dhe me thjeshtësi, ndonëse në shumicën e tyre M. Kruja ka qenë protagonist përsëri, ai është modest; meritat ua lë të tjerëve dhe ndonjë gabim e mban për vete. Nga letra në letër zbulohet karakteri i tij i fuqishëm, stoicizmi kundrejt sfidave të emigracionit, mungesave dhe fatkeqësive familjare, që bashkëbiseduesi, At Paulini, ia vë në dukje shpesh në letra. Ata kishin nevojë për t‘i shkruar njëri-tjetrit, për të zbrazur zemrat dhe mendjet. Por, ''dhurata'' që i bënte Mustafa Kruja ishte e paçmuar. Ai i kishte vënë në dispozicion gjithë qenien e tij, me njohuritë, përvojat dhe dëshmitë si protagonist i shumë ngjarjeve të rëndësishme historike.

Nga ana tjetër, letrat ishin edhe një pasqyrë e gjendjes shpirtërore dhe gjykimeve të tyre për problemet e së kaluarës së afërt dhe atyre të kohës krahas personaleve.

Mustafa Kruja (Mërlika) nuk la autobiografi, ndonëse shokët dhe të afërmit e tij iu lutën shpesh ta bënte një gjë të tillë. Por ky letërkëmbim, prej më se 400 fq., fare mire mund të shërbejë për hartimin e një monografie të plotë, sepse materiali është shumë i gjerë. M. Kruja është shkrimtar me penë të artë, për të cilin Ernest Koliqi në revistën ''Shejzat'' në 1957-ën thotë: ″Aty ku Mustafa, mandej arrin në përsosje letrare, asht stili epistolar. Ata qi paten fatin me pasë letra prej tij, duhet t‘i ruejnë me kujdes sepse në to asht derdhur një visar i paçmim i shqipes.

Korrespondenca e M. Krujës është e gjerë; disa letra kanë humbur, të tjera duhen kërkuar dhe mbledhur, sepse ka të dhëna të sigurta për to, por, megjithatë, edhe kjo përmbledhje flet shumë. Siç thamë, ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë në një kohë të trazuar, që nis me ngjizjen e shtetit shqiptar më 28 Nëntor të 1912-ës, ku nuk ishte e lehtë të orientoheshe. Gjithsesi, Mustafa Kruja kishte vetëm një orientim, mbrojtja e çështjes shqiptare, edhe kur vendi ishte fushëbetejë e superfuqive të kohës dhe e fqinjëve (1912-1924) dhe kur vendi ishte pjesë e Perandorisë Italiane. Për të, zgjidhja e çështjes kombëtare dhe shmangia e rrezikut sllavo-komunist ishin terreni mbi të cilën ai punonte.

Për figura të tilla, historia, gjatë këtyre 15 vjetëve mendoj se ka pasur mjaft kohë për ta thënë fjalën e vet me objektivitet, pa pasione dhe kufizime apo tabu primitive politike dhe ideologjike.

Në të vetmin shkrim që paraqet disa elemente të autobiografisë, në formën e një vetëparaqitjeje apo vetëprezantimi, që në të vërtetë është kërkesa që Mustafa Kruja u drejtoi autoriteteve amerikane për strehim politik në 1952-in, do t‘i jepte përgjigje edhe pyetjes që të lind vetvetiu pas leximit të dy veprave M. Krujën: Çfarë e shtyu atë që të bashkëpunonte me okupatorin, kur njihej patriotizmi i tij". Ai, mbas kthimit në Shqipëri nga emigracioni, i refuzoi tri herë rresht propozimet italiane për të marrë pjesë në qeveri, por, më vonë, duke shikuar rrezikun që përbënte për shqiptarët komunizmi, që sa vinte e forcohej me ndihmën e të dërguarve sllavë, ai si luftëtar i çështjes shqiptare dhe si antikomunist i papajtueshëm pranoi postin e Kryeministrit me disa kushte, që Jakomoni i miratoi. Kushtet ishin këto: Rikthimi në fuqi i vendimeve të 12 prillit, d.m.th. abrogimi i traktateve që kishin të bënin me shkrirjen e Forcave të Armatosura dhe marrëdhënieve me jashtë; krijimin e një milicie shqiptare në varësi të Ministrisë të Brendshëm; kthimin e flamurit kombëtar në formën e vet origjinale. Prej tyre u pranua vetëm ajo që lidhej me flamurin. Dhe siç thotë vetë Mustafa Merlika: "Mbas nji vjeti lufte të pa barabartë kundra komunizmit nga nji anë dha pengesave të italianëve e të bashkatdhetarve të mij vetë, qi nga ana tjetër duhej të më përkrahëshin, vendosa me dhanë dorëheqjen".

Paskëtaj, Mustafa Kruja u tërhoq nga politika aktive, duke parë se edhe nacionalistët po bashkëpunonin me komunistët. Sidoqoftë, i dha përkrahjen Lëvizjes së Legalitetit, mërgoi nga një vend në tjetrin, duke u marrë me kërkime shkencore, deri sa iu dha strehim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe ndërroi jetë, siç pamë më lartë, më 27 dhjetor 1958 në moshën 71-vjeçare. Për të vlejnë fjalët e Ernest Koliqit "Deshti ma fort Shqipninë se popullaritetin e vet".

Pavarësisht nga kjo, do të jenë historianët dhe studiuesit e ardhshëm, të zhveshur nga indoktrinimi, interesat politike dhe inatet tipike shqiptare, ata që do të thonë me drejtësi dhe paanësi fjalën për jetën e veprën e këtij atdhetari dhe shkencëtari të shquar. Po kështu, duhet të vazhdojnë përpjekjet për botimin e dorëshkrimeve të tij, që puna dhe mundi i tij të kthehet në pronë të të gjithëve. Prandaj, mendoj se ia vlen t‘i mbyll këto mendime dhe mbresa nga leximi i veprave të Mustafa Krujës, duke perifrazuar një thënie të njohur tashmë: ″Ai nuk ka nevojë për ne, kurse ne kemi nevojë për të″.

Së fundi, do t‘i bëja apel gjuhëtarëve të vjetër dhe atyre të rinj që të përpiqen për të gjetur dorëshkrimin e Fjalorit të tij, që të mund të botohet, çka është një detyrim dhe nder për ta.

G. Shqip, 03/12/2006