E premte, 29.03.2024, 04:38 AM (GMT)

Mendime

Rexhep Kastrati: Servilizmi, mendimi i lirë dhe shqiptarët

E hene, 09.02.2009, 05:44 PM


SERVILIZMI, MENDIMI I LIRË DHE SHQIPTARËT
 
Shkruan Rexhep Kastrati

Servilizmi është bërë mënyrë sjelljeje, është bërë mënyrë e të menduarit dhe është bërë mënyrë e të vepruarit. Me fjalë të tjera, servilizmi ka arritur që të ndërhyjë në ontologjinë karakterologjike të njeriut. Nëse nuk sillesh si servil, nëse nuk flet si servil, nëse nuk mendon si servil, do të konsiderohesh i papërshtatshëm. Po çka do të thotë të sillesh si servil dhe të mendosh si servil? Përgjigjja e parë dhe më e shpejt që njeriut i vjen në mendje është ajo që ka të bëjë me gatishmërinë për të hequr dorë nga integriteti moral, psiko-social dhe shoqrëror që ka individi në mënyrë që të jetë i ngjashëm me eprorin, me donatorin, me atë nga i cili mund të ketë përfitime në karrierë, në të mira materiale dhe në përfitime të tjera. Servili është në gjendje që të gjunjëzohet deri në tokë, është në gjendje të bëjë ç’i kërkohet, të flasë siç i thuhet. Po të përdorim terminologjinë e Erih Fromit, do të mund të flisnim për mazohistin. Dhe ky servil, apo ky mazohist, që është në gjendje të depersonalizojë vetveten në marrëdhënie me eprorin, me atë nga i cili mund të ketë të mira materiale, në punë të karrierës dhe në ndonjë aspekt tjetër, paraqet shembullin më konkret të mungesës së koherencës morale dhe shoqërore, e rrjedhimisht edhe mungesën e koherencës së lirisë, sepse, në fund të fundit, liria konsiston në moralitetin individual dhe shoqëror. Kjo vjen për shkak se servili, mazohisti ndërmjet inidividualitetit, integritetit moral, psiko-social dhe lirisë personale, dhe përfitimeve hedoniste dhe utilitare, zgjedh këto të fundit. Ky konstatim vlen, sidomos, për individët që kanë probleme serioze me personalitetin e tyre, pra për individët që kanë patologji morale dhe psiko-sociale. Këta, ndërkaq, përbëjnë një nga kategoritë tipologjike psiko-sociale dhe si të tillë janë shumë të përshtatshëm për mutacione morale që ndotin lirinë. Një liri e ndotur, në të vërtetë, nënkupton edhe një ambient të ndotur moral, e që është shumë i përshtatshëm për ta ngritur servilizmin në një sistem, në një model dhe në një mendësi që do të përcaktojë edhe moralitetin shoqëror, e rrjedhimisht edhe lirinë shoqërore. Servilizmi i ngritur në sistem, në model dhe në mendësi, çkuptimëson termat themelorë mbi të cilat mbështetet funksioni normal i individit dhe i shoqërisë. Në këtë rast duhet të sillesh ashtu, duhet të bësh ashtu, duhet të mendosh ashtu, pra siç përcaktojnë vullnetet servile dhe servilizuese. Është ky një ambient shumë i përshtatshëm që servilizmi t’u imponohet edhe atyre që nuk janë të tillë për kah natyra, sepse kur servilizmi është bërë sistem, model dhe mendësi, e kundërta e tij konsiderohet patologji, amoralitet dhe marrëzi. Nëse kundërshton servilizmin, do të ndeshesh me shprehje të tilla: domethënë krejt janë budallë, veç ti i mençur, e të ngjashme. Dhe ndërmjet integritetit moral dhe psiko-social, ndërmjet koncepteve personale, pikëpamjeve dhe bindjeve personale që ka individi, dhe servilizmit si sistem, model dhe mendësi, do të zhvillohet një konflikt i përhershëm i brendshëm, që në shumë raste ka përfunduar me pranimin e servilizmit si sistem, si model dhe si mendësi. Mirëpo, derisa te tipi i njerëzve që për kah natyra janë servilë, mungesa e lirisë dhe e moralitetit nuk përbëjnë ndonjë problem, te tipi i dytë, pra te tipi i atyre që u është imponuar servilizmi, për një kohë të gjatë, për të mos thënë në vazhdimësi mund të vëresh vështirësi morale, shpërthime të brendshme dhe pse jo edhe rebelizëm të brendshëm, e që vijnë për shkak se në ndërdije vazhdon konflikti ndërmjet moralitetit dhe amoralitetit, ndërmjet lirisë dhe kunërlirisë. Dhe kur bisedon me këta njerëz e vëren brengën e brendshme, por edhe arsyetimin se të gjithë po bëjnë ashtu, ose edhe arsyetimin tjetër se ndihet i pafuqishëm për t’iu kundërvënë servilizmit dhe njerëzve servilë. Është kështu për faktin se servilët dhe ata që kanë sjellje të tilla, ose mendësi të tillë, sa janë servilë dhe të nënshtruar ndaj atij apo ndaj atyre nga të cilët mund të kenë përfitime hedoniste dhe utilitare, janë shumë agresivë ndaj të tjerëve që mund të mos jenë servilë. Këto elemente agresiviteti, prandaj, e bëjnë servilin me elemente sadiste, gjithnjë sipas terminologjisë së Erih Fromit, duke e shndërruar në tipin psiko-social që Fromi e ka quajtur sado-mazohist.
Tashmë mund të bëhet fjalë për mbizotërimin e servilizmit dhe sistemi i ndërtuar mbi servilizmin, modeli shoqëror që shpërfaq si dhe mendësia që është e dukshme, e shndërrojnë edhe shoqërinë në një shoqëri servile, të paaftë dhe të pavullnetshme për të kundërshtuar këtë sistem, këtë model dhe këtë mendësi. Dhe ky është ambienti moral në të cilin gjendet shoqëria shqiptare pavarësisht në cilën pjesë gjendet. Pse është kështu? Është kështu, sepse përmbysja e një rendi shoqëror që, po ashtu, servilizmin e kishte ngritur në sistem, në model dhe në mendësi, e zhveshi shoqërinë shqiptare nga çdo mekanizëm mbrojtës, përkatësisht e vuri më fuqishëm përballë sfidave ekzistenciale, psikologjike dhe morale. Në anën tjetër, servilët e djeshëm ishin jashtëzakonisht të vullnetshëm që servilizmin e tyre ta drejtonin ndaj atyre nga të cilët mund të përfitonin në pikëpamje hedoniste dhe utilitare, kurse këta të fundit shumë të interesuar që servilizmi të vazhdonte të ishte sistem, model dhe mendësi. Prandaj, shoqëria shqiptare kaloi nga një sistem servilizmi, nga një model dhe nga një mendësi servile në një sistem tjetër servilizmi, në një model dhe në një mendësi tjetër servile, duke mos pasur kohën dhe mundësinë për ta penguar këtë. Është kështu për faktin se sistemi servil, modeli dhe mendësia servile ishte i nevojshëm për shkak edhe të ambientit politik që e shquajti ambientin shoqëror të shqiptarëve, e që vinte për shkak të çështjes së tyre kombëtare, e cila ishte bërë lëmsh dhe kishte shumë vështirësi në zgjidhjen e saj. Edhe pozita gjeopolitike e gjeostrategjike në të cilën gjenden shqiptarët, ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol shumë të rëndësishëm dhe përcaktues në ngritjen e servilizmit në sistem, në mbizotërimin e modelit dhe të mendësisë servile. Tashmë në ambientin shqiptar kemi një sistem politik që është ngritur mbi bazën e servilizmit, kemi një shoqëri civile që është ngritur mbi servilizmin si dhe kemi një sistem medial që është ngritur mbi bazë të servilizmit. Një parti mund të fitojë pushtetin jo në bazë të programit dhe të besueshmërisë se mund ta realizojë atë program, por në bazë të gatishmërisë për t’u bërë servile e grupeve formale dhe joformale të interesit. Një parti politike mund të fitojë pushtetin edhe nëse realisht nuk i ka fituar ato me votë zgjedhore, por në bazë të gatishmërisë për t’u servilosur ndaj grupeve të caktuara të interesit, qofshin këto edhe agjentura të ndryshme. Mund të jesh i zhytur deri në majë të kokës në krim, në korrupsion dhe në kundërshti me ligjin, dhe jo vetëm që nuk ndiqesh penalisht, por përkundrazi mund të gjesh strehë dhe mbrojtje në politikë, vetëm nëse vihesh në shërbim të agjenturave të ndryshme dhe nëse pranon të jesh servil ndaj tyre dhe ndaj grupeve të tjera të interesit. Në anën tjetër mund të mos kesh lidhje me krimin, mund të mos kesh pranuar me asnjë çmim të korruptohesh, ose edhe mund të jesh tërësisht në përputhje me ligjin dhe të mos mund të kesh gjasa të jesh në politikë, së paku jo në aso pozite që to udhëheqësh proceset e ndryshme. Edhe ndonjë raport i mjerë dhe aspak profesionist i ndonjë NGO-je edhe më të harruar dhe më të papërfillshme në ndonjë skutë të botës është më i rëndësishëm dhe më i përfillshëm se ndonjë raport shumë serioz dhe shumë profesional me autorësi shqiptare. Tashmë edhe ndonjë deklaratë bajate e ndonjë personazhi të parëndësishëm gjithandej nëpër botë, citohet në deklarata dhe qëndrime politike të politikanëve shqiptarë. Është kështu për faktin se ata e ndiejnë veten mjaft të qetë dhe të fuqishëm për të bërë kështu, pasi që përballë tyre kanë një shoqëri civile pa dinjitet, pa integritet dhe po aq, e për të mos thënë edhe më servile se sa klasa politike. Ajo që ndër shqiptarë quhet shoqëri civile është një shumësi NGO-ve që janë formuar pa ndonjë bazë të shëndoshë, pa ndonjë platformë serioze dhe nga individë që edhe mund të mos kenë lidhje me parimet mbi të cilat funksionon shoqëria moderne. Mjafton që atyre t’u jepen donacione të ndryshme për të mbushur barkun bukë dhe janë në gjendje që të çirren poshtë e lartë dhe të bëjnë lloj-lloj deklaratash për dhe kundër ndonjë ngjarje, dukurie apo deklarate politike dhe jopolitike. Në vend se të ishin zëri i qytetarëve, ndërgjegjja shoqërore, të ashtuquajturat NGO janë bërë tellallë, tellallë dhe vetëm tellallë të interesave të dyshimta të atyre që u japin lekë për të mbushur barkun bukë. Në anën tjetër, NGO-të kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë edhe si mjedise në të cilat bëhet thyerja e personalitetit, e integritetit dhe dinjitetit personal të individëve, ashtu siç bëhet edhe përgatitja për rekrutimin e njerëzve që pasi servilizmin e kanë bërë të vetin, pasi ua kanë imponuar këtë edhe të tjerëve, si dhe kanë dëshmuar se të tillë do të mbeten edhe në vazhdimësi, pra pasi kanë dhënë prova se do të jenë qeni besnik i interesave të dyshimta, katapultohen në politikë dhe me kohë u mundësohet që të kenë edhe pushtetin politik dhe shtetëror. Edhe në rastet kur shfaqet ndonjë NGO që shpërfaq qëndrime të ndryshme nga ato që mund të ketë klasa e caktuar në pushtet, duke dalë edhe me deklarime, qëndrime dhe veprime që bien ndesh edhe me angazhime të ndryshme ndërkombëtare, në të vërtetë, janë pjesë e të njëjtit sistem servilizmi, pasi që me veprimet e veta, me qëndrimet e veta dhe me deklaratat e veta, NGO në fjalë përpiqet të krijojë mashtrimin optik se ja ka shumësi idesh, pikëpamjesh e botëkuptimesh që bien ndesh me qëndrimet zyrtare që mund të mos jenë në përputhje me interesat e shoqërisë shqiptare. Në këtë mënyrë amortizohet reagimi i vërtetë kundër i shoqërisë shqiptare. Për agjenturat e ndryshme që fshihen mbrapa fondacioneve, shoqatave dhe formacioneve të ndryshme humanitare dhe jo vetëm humanitare, është më rëndësi që në pushtetet e ndryshme të shteteve të ndryshme t’i kenë njerëzit e tyre, në mënyrë që t’i kenë mundësitë më të mëdha për t’i kontrolluar ato shtete. Prandaj ato janë të interesuara që të jenë kudo: në pushtet, në opozitë, në shoqëri civile dhe në media. Dhe inetersi shumë i madh i tyre është që të kenë nën kontroll mediat e ndryshme, në mënyrë që ato të shndërrohen në bori propagandistike të interesave të dyshimta, si dhe në pengues të zbardhjes së të vërtetave për zhvillimet e përgjithshme shoqërore, por në mënyrë të veçantë me zhvillimet lidhur me interesat strategjike të shoqërisë shqiptare. Mediat shqiptare janë shndërruar në falanga të lirisë së shprehjes dhe të të menduarit. Në to mund të rresh, mund të shpifësh dhe mund të thuash çka të duash vetëm të vërtetën nuk mund ta thuash. Ato janë shndërruar në censore të të vërtetës, në censore të pikëpamjeve, të bindjeve, të analizave dhe të komenteve që janë në kundërshtim me interesat e dyshimta të agjenturave dhe të grupeve të tjera të dyshimta që janë me bollëk në mesin e shoqërisë shqiptare. Në krye të mediave, apo thënë më mirë në shumicën prej tyre, janë vendosur njerëz që punojnë për shërbime të ndryshme sekrete dhe për grupe të ndryshme të interesit të dyshimtë, vetëm e vetëm për të pamundësuar funksionimin normal të tyre, për të pamundësuar lirinë e shprehjes dhe për t’i shndërruar ato në zëdhënëse të interesave të dyshimta. Dhe këta rekrutë të shërbimeve sekrete janë në gjendje që me servilizmin më të madh të zbatojnë gjithçka që u kërkohet, ashtu siç janë po aq të zellshëm për t’u treguar shumë kërcënues, shantazhues dhe censurues në raport me të gjithë ata që ende nuk e kanë dorëzuar lirinë e tyre për të menduar, gjykuar dhe për t’u shprehur drejt dhe në përputhje me të vërtetën dhe me interesat e vërteta të shoqërisë shqiptare. Për të arritur këtë, rekrutët e shërbimeve sekrete, por edhe të grupeve të ndryshme të interesit të dyshimtë, vejnë edhe informacionet që ua vënë në dispozicion agjentura të ndryshme për personalitete të ndryshme, qofshin këto edhe informacione të pasakta, pasi që këto media nuk mundësojnë polemikën e mirëfilltë, nuk mundësojnë debatin e mirëfilltë dhe nuk mundësojnë lirinë për t’u thënë e vërteta.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora