E enjte, 28.03.2024, 03:29 PM (GMT)

Kulturë

Flutura Açka: Martesa me një të huaj më dha lirinë për të përdorur Vetminë letrare

E diele, 08.02.2009, 12:15 PM


Flutura Açka
Flutura Açka
Flutura Açka: Përtej të qenit bashkëshorti im, profesionalisht është një këshilltar i mirë, si njohës i mirë i letërsisë

Martesa me një të huaj më dha lirinë për të përdorur Vetminë letrare

Nga Albert Zholi

Është një prej shkrimtareve më trendy të letërsisë së sotme shqipe. E spikatur për stilin e saj të veçantë në poezi dhe në prozë bën pjesë tek një brez i ndërmjetës që fillimet i pati në fund të viteve të diktaturës dhe lulëzimin në kohët e gjata të tranzicionit shqiptar. E vlerësuar nga kritikët, por dhe e lënduar me indiferentizëm nga njerëzit e mykur të kësaj kaste, ajo, lëvron suksesshëm një prozë interesante, të guximshme, fundi i fundit është gjithë jeta e saj. Pas një çmimi prestixhoz, fituar në Tetovë nga klubi “Zef Serembe” vjen në këtë intervistë me gjithë ndijimet e saja për letërsinë, jetën, mbijetesën, dashurinë dhe lirinë në një vend si Shqipëria, ku femrat rëndom kërkojnë të jenë pronë e pushtetit maskilist…
 
Zonja Açka, sapo keni fituar një çmim në Maqedoni për romanin tuaj “Kryqi i harresës”. Për çfarë bëhej fjalë dhe si është përjetuar ky vlerësim nga ju?

Po, në edicionin e pestë të çmimit “Serembe”, që jepet nga Art-Klub “Serembe”, u vlerësova në Prozë, për romanin “Kryqi i harresës”. Është romani im i dytë, i botuar në vitin 2004 dhe i ribotuar nga “Toena” pak kohë më parë. Romani ka në thelb temën e Kanunit dhe rikthimin e deformuar të tij pas viteve ‘90-të dhe si vepër ka patur një trajektore të sukseshme. Jam mësuar të çmoj çfarëdo vlerësimi a kritike, qoftë dhe nga një lexues i thjeshtë. Por në rastin e çmimit “Serembe”, kam një emocion fare të veçantë: Çmimin e mora në Tetovë, në qytetin kur për herë të parë në vitin 1994, atëherë kur nuk mund të shkohej në Kosovë, kam takuar poetët më të mirë shqiptarë përtej kufirit. Tetova është kryeqendra kulturore, sipas mendimit tim, e shqiptarëve të Maqedonisë, aty festohen çdo vit “Ditët e Naimit”, një nga festivalet më të rëndësishëm të poezisë shqipe, është vendi ku kanë lindur dhe kanë shkruar dy poetë të mrekullueshëm, Abdylaziz Islami dhe Murat Isaku, ka dy universitete, kam atje shumë miq dhe, padyshim, lexues. Jam e prekur nga organizimi dhe klasi që e shoqëroi ceremoninë. Jam ndjerë e përkëdhelur dhe kam rastin të përcjell mirënjohje për Art-Klubin “Serembe” dhe veçanërisht për njeriun që e mban jo pa mund këtë çmim, poetin Çezar Rica.

Di që keni studiuar për Ekonomi. Por rruga juaj shkoi drejt letërsisë. Shtigje të shkelura dhe më parë për ju, apo ishin të rastësishme?

Jo të rastësishme. Në kohën që rrekesha për studimet në Letërsi, diku nga viti 1984, askush nuk të pyeste se çfarë dëshiroje të studioje. Unë përfundova në Ekonomik, as vetë nuk e di se si. Nuk ëndërroja asgjë tjetër, veç Letërsisë. Kisha tre vite që shkruaja në gazeta, fare fëmijë, në moshën 15- vjeçare. Doja të bëhesha gazetare, të merresha me shkrimëri, jo me mësuesi. Në dëshpërim e sipër, një mik i familjes që e njihte pasionin tim, më ngushëlloi: “Po të jesh ekonomiste, mund të bëhesh gazetare nëse je e talentuar, e kundërta zor se ndodh. Një armë më shumë në jetë”. Rikthimi te letërsia pak vite pas studimeve, është një roman më vete, i çuditshëm, por dhe i bukur. Vitet e para kam punuar ekonomiste… ekonomiste në thertore!!! Atje më emëruan. Por në ato vite, që duken a priori tragjike, kam njohur njerëz të thjeshtë, por të mrekullueshëm, që e kanë furnizuar kujtesën time me karaktere që s’t’i jep asnjë mundësi tjetër, veç afërisë me ta. Tani, vite më pas, e kuptoj se të qenit ekonomiste, nuk e ka dëmtuar letërsinë time dhe, që të jem e sinqertë, ka baraspeshuar mirë natyrën emocionale dhe mbindjeshmërinë time, më ka bërë njeri me këmbë në tokë. Po të mos isha ekonomiste, s’do ta kisha administruar dot shtëpinë botuese, gjëra që i bëj fare lehtësisht vetëm falë profesionit. Të qenit ekonomiste, është profesion i mësuar. Të qenit shkrimtare është frymëmarrja ime, mënyra e të jetuarit, që nuk ma mësoi asnjë shkollë, edhe pse vite më vonë i ndoqa studimet për Letërsi, thjesht të përmbushja atë rrekje të gjatë që pata në maturë.

Cili është mendimi juaj për letërsinë shqiptare sot. Flitet për Ismail Kadarenë, ndonëse letërsia shqipe gëlon nga shumë lëvrues të saj. Mendoni se do të ketë letërsia shqipe një pasardhës po aq të denjë sa ai në letërsinë botërore?

Letërsia shqipe sot është ende në kaos, si gjithçka jona, në tranzicion. Atë çka nuk kanë arritur ende shkrimtarët e sotëm shqiptarë, flas për ata pas viteve ‘90-të, është besueshmëria, që nis nga besueshmëria e lexuesit origjinal. Dhe kur nuk ke siguruar këtë, është shumë e vështirë të kërkosh besueshmëri tek një lexues tjetër, që është gati i “bombarduar” përditë nga letërsi shumë e mirë. Pjesa më e madhe e jona nuk kanë koherencë me lexuesin, e kanë lidhjen me të gati sporadike. Një shkrimtar, është i tillë, kur mendon se ka përgjegjësi edhe për lexuesin. Për lexuesin e veprës së tij. Vepra, vetëm vepra ta mban lidhjen. Askujt nuk i duhen punët që ke në mendje. Vepra duhet të ballafaqohet, të konkurrojë. Kjo nuk po ndodh. Brezi i shkrimtarëve të moshës sime, nuk janë më dhe aq të rinj, por nuk kanë vepra. Po të listosh veprat që janë vlerësuar me çmime kombëtare në këto vite, një pjesë e tyre është nën mesatare. Nëse këto vepra përkthehen jashtë, siç edhe duket se po bëhet me mijëra fije miqsh, klanesh, rekomandimesh dhe kësidoresh, fytyra jonë letrare jashtë do të jetë e zhubravituar nga mediokriteti dhe lexuesi i huaj do ta shpërfillë shpejt. Kjo duket shumë e rreptë, por është shumë afër së vërtetës. Ne duhet të pranojmë, gjithaq, edhe një fakt shumë të rëndësishëm: Shkrimtarët shqiptarë janë të braktisur, nga shteti, nga shoqëria. Ata punojmë, para së gjithash, që të mbijetojnë. Kush thotë se letërsia është art i dhimbjes, vetëm i dhimbjes, gënjen ose është naiv. Letërsinë, veç talentit, e bën komoditeti, koha, mundësitë për të qenë vetëm, bibliotekat e pasura, udhëtimet, kontaktet. Talenti, i vetmuar, jep letërsi të munguar. Ka dhe shumë e shumë arsye të tjera, që ushqejnë mendimin se nuk do të ketë edhe për një kohë të gjatë shkrimtarë po aq të mirë sa Kadare. Unë këtë e shoh si një fatkeqësi. Krijimi i një piramide të tillë, gati shtypëse, pa pika të shumta referimi në letërsi, veçmas në ballafaqimin e saj përtej murit shqiptar, do ta lerë letërsinë tonë ishullore. Ne do të shkojmë në Evropë me gjithçka, por pa kulturë, pa letërsi.

Jeni një poete që keni depërtuar dhe në antologjitë më të shquara shqiptare si një ndër emrat më të talentuar. Si është raporti që ju keni me kohën? Po me lexuesin?


Përcektazi e zura ngoje raportin e shkrimtarit me kohën në ato që sapo thashë. Që ta shtjelloj ca më qartë, po flas për veten, për korrelacionin tim, personal, me kohën dhe lexuesin. Unë punoj për të mbijetuar, sepse nuk e kam komoditetin e shkrimtares së lirë. Nëse do të kisha mundësinë e ndonjë granti, qoftë dhe të përkohshëm, sot do të kisha më shumë libra. Të paktën ato që janë skicuar dhe presin kohën për t’u shkruar. Jashtë modestisë që ka lindur me mua, unë këtë humbje, mungesën e këtyre veprave në kohë, e shoh përtej personales. E shoh si një humbje shoqërore. Pasi, duke iu bashkuar humbjes së kolegëve të mi, të cilët merren me gjëra të rëndomta të së përditshmes e të mbijetesës, humbja është më e madhe. Ne na mungon koha për t’u vetmuar, për të rrëmuar arkivat, për t’u zhytur në histori, për t’u menduar, për të lexuar, për të shkruar. Nëse do të mundja të rikuperoja sadopak nga kjo, të plotësoja kohën e humbur me një ritëm të ri të mbishpejtuar, do të ndjehesha shumë e lumtur. Sepse sot, këtë çast që po flasim bashkë, unë ndjehem e maturuar aq sa të mund t’i dedikohem tërësisht letërsisë. Dua vetëm kohën e mjaftueshme, vetminë e plotë të shkrimtares dhe një garanci minimale jetese… Nuk e di kush e ka çelësin e kësaj.

Çfarë është munduar të ndërtojë Flutura gjatë gjithë këtyre viteve në letërsinë shqipe?

Nuk jam përpjekur të ndërtoj në letërsinë shqipe, por në identitetin tim letrar. Është shumë për kaq shumë përgjegjësi. Sepse, pavarësisht idhujve të mi letrarë, nuk kam modele dhe nuk shoh të plotësoj çfarë duket e pandërtuar mirë apo e anuar. Unë kam pjesën time modeste në këtë ngrehinë dhe ngaqë jemi të ndryshëm, ne mbase, të gjithë bashkë, e bëjmë letërsinë interesante. Ndoshta në mënyrë të pavullnetshme i shërbej ndërtimit të profilit, stilit, largesave dhe gjeorealitetit tim letrar. Ajo çfarë kam ndërtuar, për t’i mbetur besnike termiologjisë së pyetjes suaj, është marrëdhënia me lexuesin. Unë kam lexuesin tim dhe jam e përgjegjshme para tij.

Një ndër aktivitetet tuaja të suksesshme përveç servirjes së origjinalitetit tuaj me poezi dhe prozë, është dhe shtëpia botuese "Skandebeg books". Ka qenë e vështirë për ju të bëheshit një botuese e suksesshme?

Natyrisht, e vështirë. Por suksesi im në botime, është gati aksidental. Thjesht është puna që më pëlqen ta bëj mirë. Të gjitha punët i bëj me pasion, edhe kur fshij shtëpinë. Botimet e “Skanderbeg books” i janë nënshtruar më së shumti shijeve të mia të leximit. Por këtu ka një kontraditë me tregun dhe lexuesin. Pasi unë botoj pak dhe kjo më shtyn të zgjedh gjatë. Në krye ka qenë më e vështirë, gjer në çastin kur lexuesi u bind se edhe pse sillja autorë fare të panjohur, unë sillja autorë të mirë, leximi i të cilëve të afron me lexuesin e botës. Një pjesë e autorëve të mi, janë autorët më hot sot, jo si më të shiturit, por si më cilësorët. Nuk pëlqej të sjell vepra të veçanta që bëjnë pesë para dhe kaq. Sjell autorin, si korpus letrar me disa vepra, që lexuesi të ketë mundësi ta njohë mirë. Tani vështirësia ka kaluar disi, tani ka shumë e më shumë njerëz që mendojnë si unë: Jeta është shumë e shkurtër për letërsi të keqe. Shkrimtarë si: Doris Lessing, Ian McEëan, Elfriede Jelinek, Amos Oz, J. M. Coetzee, Orhan Pamuk, Haruki Murakami, Filiph Roth, Michel Houellebeq, Alice Sebold, Sandro Veronesi, Julia Frank, Artur Japin, etj, edhe të veçuar, i bëjnë nder çfarëdo shtëpie botuese, por të gjithë bashkë, më japin shumë besueshmëri, veçmas para të huajve dhe për ta është çudi se si është e mundur t’i mbledhësh bashkë kaq yje letrarë. Duke jetuar në frymën dhe atmosferën e këtyre mjeshtrave të mëdhenj, duke iu përkushtuar leximit dhe sjelljes së zërit të tyre shqip, nuk më mbetet fare kohë për bjerraditjet e së përditshmes shqiptare. Të komunikosh me ta dhe të artikulohesh nën trysninë cilësore të tyre, do të thotë të endesh në një zonë ku densiteti i dritës është krejt ndryshe nga pjesa tjetër e botës. Tani e kuptoj se ai përkushtim plot pasion ndaj letërsisë së panjohur, por shumë të mirë, në vitet e para të punës, më është kthyer dora-dorës edhe në para. Me ta nuk mund të jesh e pasur, por të varfër ata nuk të lënë kurrë. Sepse pasuri të tilla shpirtërore, nuk i konkurron dot asnjë para.

A shiten librat në Shqipëri? Si është raporti që kanë lexuesit shqiptarë me librin. Sipas mendimit tuaj shtëpia botuese a është një biznes i suksesshëm dhe fitimprurës?

Botimet, si çdo biznes tjetër, duhet të jetë me fitim, pasi ndryshe nuk mund të riinvenstosh më. Ndaj duhet të jetë i suksesshëm. Po të mendosh se në ç’kushte tregtimi kioskash jemi, të një infrastrukture për vajmedet, të një kritike inaktive, të abuzimit të shpeshtë mediatik të vlerave, kushteve të pasigurta financiare, mendoj se shitet shumë, që do të thotë se kemi lexues shumë të kualifikuar. Lexuesi shqiptar është i mrekullueshëm, të ndjek nëse i sjell vepra të mira dhe krijon bindjen për çka ti ofron, siç edhe të le po ta marrësh lehtë me të. Unë kam mbi pesëmbëdhjetë vjet që merrem me botime dhe i njoh pothuajse amplitudat e humorit të lexuesit. Mes parave që mund të mbedhësh duke botuar ç’të vjen dhe staturës së botuesit serioz, duhet të zgjedhësh. Dhe unë kam zgjedhur… më të vështirën, më idealisten, por më të paqtën.

Di që e ndani jetën me një zotëri holandez, edhe ai botues. A është interesante bashkëjetesa mes dy njerëzve të kombësive të ndryshme? Çfarë ka të veçantë dhe çfarë keni përftuar nga përballja me një kulturë ndryshe nga ajo shqiptare?

Po, kam dhjetë vjet që jam e lidhur me një holandez, dikur botues privat i librit artistik, sot botues në një institucion shtetëror në Holandë, që ka pak lidhje me letërsinë. Përtej të qenit bashkëshorti im, profesionalisht është një këshilltar i mirë, si njohës i mirë i letërsisë, është një mik me të cilin mund të flasësh për çdo temë dhe mbi të gjitha një burrë i përgjegjshëm për raportin me mua. Ai e di mirëfilli që është martuar me një shkrimtare. Lidhja me të më shumë i ka dhënë jetës sime, mbi të gjitha lirinë, lirinë për të përdorur si duhet Vetminë letrare. Njeriu, thonë, gjen çfarë kërkon. Dhe unë s’do të pajtohesha me ndonjë status tjetër nga ky që kam. Këtë status prej qenieje të lirë (të lirisë funksionale dhe jo abusive) e kisha edhe pa e njohur atë, për shkak të familjes ku jam rritur, por njohja me të e spikati më shumë. E lexuar në rreshtat e mi, kjo duket shumë interesante, por nuk është aq e lehtë. Të menaxhosh fare e vetme një biznes të vështirë si libri në mesin e një Tirane maskiliste, të bësh njëherësh edhe nënën, shkrimtaren, të ruash herë larg e herë afër marrëdhënie solide e reciproke me partnerin, të rrugëtosh shpesh për shkak të kësaj jete të copraçitur, ju siguroj, nuk është fare e lehtë. Është model i vështirë, por më jep mua pjesën e nevojshme të veçimit prej shkrimtari. Kjo, fundja, është zgjedhje.

Ç'mendim keni për meshkujt shqiptarë? Thuhet shpesh se shoqëria shqiptare është maskiliste. Jeni dhe ju e këtij mendimi?

Të thuash maskiliste, e tkurr shumë panoramën shqiptare. Për maskilistët femra është një copë mishi me dy sy dhe i shkon më shumë shoqërive me liri të kufizuara. Shoqëria shqiptare është ca si shumë e shqyer, është shoqëri maçoiste, që do të thotë se femra në të është objekt seksi. Shembujt këtu nuk kanë vend, se i kemi sheshit. Nuk ka ndonjë vend në botë ku në njoftimin për të punësuar sekretare, të jepet mosha e punës, nën 25 vjeç apo karakteristika që kanë lidhje me fizikun. Kjo është ftesë shumë e hapur për prostitucion. Heshtja e pjesës tjetër të shoqërisë, e imja, e jotja, e ne të tjerëve, e bën këtë prostitucion gati publik. Sa për meshkujt shqiptarë, nuk i fajësoj tërësisht. Ne i kemi bërë ata “pashallarë” të vegjël, sepse u kemi dhënë idenë se jemi pronë e tyre. Ne gratë i përkasim vetëm vetes sonë, me ta, burrat, zgjedhim të ndajmë një pjesë të jetës, gjatë apo shkurt, varet. Nuk më pëlqejnë gratë që qahen dhe i urrejnë burrat, që i tradhëtojnë nga inati, që i përndjekin si hije, që u lexojnë sms-të, që u marrin erë në darkë rrobave të tyre, që me personalitetin e tyre nënshtrues e të dyshimtë, i shtyjnë burrat që t’i nënvleftësojnë dhe pranojnë të fyen prej tyre. Unë nuk jam feministe, sepse kam bindjen se liria gruas, para së gjithash, varet nga burgu i mendjes së saj. Ne nuk mund t’i përjashtojmë burrat, sepse vetëm pranë tyre dhe duke i dashuruar, pranuar, falur, ndryshuar, duke iu imponuar me mençuri, e kuptojmë që jemi gra. Ne duhet të kemi të drejta të barabarta me ta, por nuk duhet të jemi të barabartë me ta, sepse thjesht s’jemi, ngaqë plotësojmë njëri-tjetrin. Keqkuptimi i kësaj të vërtete të madhe, e çoi dikur një pjesë të lëvizjes feministe në deformim.

Shpesh femrat e pavarura në Shqipëri paragjykohen. Po në letërsi a mendoni se janë të lira për të shprehur gjithë universin e sensibilitetit dhe këndvështrimeve të tyre për botën?

Edhe paragjykohen. Mua më ka ndodhur shpesh të më pyesin se kush është aksh personazh, se kujt ia kam kushtuar aksh poezi, se njëra apo tjetra pjesë është autobiografike. Kjo nuk më shqetëson fare. Unë kam erotikë, shpesh tejet e nxehtë në librat e mi, jo si qëllim më vete, me masë dhe kur duhet. Kam nëpër prozë gjykime të skajshme, të ashpra, të thukëta, ironike. Por s’më shqetëson ideja se ç’mendojnë të tjerët. Kjo do të ishte autodiktaturë dhe kufizime të tilla s’janë sirena për një Uliks kokëfortë si unë. Kur unë shkruaj, gjallima që merr frymë si qenie sociale, unë Flutura që më njihni ju, pushon së ekzistuari tek unë. Tek unë, atë ndërkohë të të shkruarit, ka vetëm një realitet, Realiteti fiction, ku gjithçkatë janë marionetat e mia. Asgjë s’ka forcë, aq superane është kjo botë virtuale. Kur kthehem tek ky realiteti i ri, i yni, i këtyshmi, ky moralistiku, ky gjykuesi, unë i kam kryer punët me letërsinë. Nuk i zhbëj më dhe sipas një parimi se asgjë në letërsi nuk është shumë erotike, shumë e trazuar, shumë e ashpër, ngaqë është pjesë e subkoshiencës sime dhe jo e ndonjë qëllimi që ka lidhje me botën, unë vazhdoj…

Çfarë urren te njerëzit dhe cilat janë gjërat që ju mallëngjejnë tek ata?

Urrej vrapin për të shkërbyer modelet, maskat, mosnjohjen e kufijve të së drejtës. Më mallëngjejnë përcjelljet. Nuk jam kurrë më e dobët se kur kthehem nga aeroporti pasi kam përcjellë dikë: djalin, burrin, vëllain, motrën, prindërit, miqtë. Terapia e vetme është të ngarët me shpejtësi e makinës dhe zëri i lartë i muzikës së tranzistorit brenda karkasës së mbyllur. Fare vetëm. Nëse do të dëgjoni ndonjëherë se kam mbetur peng i ndonjë kthimi nga aeroporti, padyshim ka ardhur ngaqë nuk kam mundur ta përballoj përcjelljen, zbrazëtinë që më ka lënë mungesa…

Çfarë jeni duke shkruar në këto momente dhe cili është libri i ri që prisni të hidhni në treg me markën e “Skanderbeg book”?

Jam në fazën përfundimtare të një romani të ri. Po e redaktoj themelisht. E kam shpallur titullin me kohë, “Kuja” dhe shpresoj ta dorëzoj shpejt për botim. Ngjarjet e tij i kam vendosur në vitet ‘80-të në qytetin tim të lindjes, Elbasan. Ka shumë ndodhi, jetë, dramë e ironi, por dhe humor që kompenson kurthin që u ngre diktatura përditës së njerëzve në qytet. Nuk merrem me politikën, as me gjykime politike, por me mikroklimën, me familjen, me dashurinë. Do të jetë roman më i gjatë nga proza që kam botuar gjer tani. Gjëra që kam njohur, që kam observuar, prekur në fëmijërinë time. Ka ngjyra autobiografike, ua kushtoj njerëzve të dashur që më kanë rrethuar, që me mirësinë dhe kujdesin e tyre, nuk e kanë lënë diktaturën të lërë shenja tek unë. Por ka dhe shumë trill, nga ajo fantazia gati “e mbrapshtë”, me të cilën i akuzojnë shpesh rrëfyesit. Për më tej, lexuesit i mbetet të gjykojë.
Si botuese po punoj me një roman të ri, “Të përjashtuarit” e Elfriede Jelinek dhe “Kronika e zogut kurdisës” të Haruki Murakamit, që do të botohen shumë shpejt.

Keni ndonjë peng në jetë?

Po, të kisha një vajzë, po aq të dashur sa im bir. Nuk e kam paqen e duhur për t’iu kushtuar kësaj pjesës time femërore.

A keni pasur ndonjëherë ndonjë propozim për t’u inkuadruar në politikë. Jeni alergjike ndaj politikës apo simpatizante e saj?

Kam bindjet e mia politike, por nuk jam militante. Kur isha gazetare kam shkruar reportazhin e fitores një natë para 31 marsit të vitit 1992, por asnjëherë nuk kam qenë e angazhuar. Propozimet politike që kam patur, i kam parë jo me shumë seriozitet, ndoshta se nuk kanë qenë në kohën e duhur. Politika është art i gënjeshtrës, i joshjes së turmave. Unë jam shumë oshanare për një prerje të tillë. Politikës, njëra si unë do t’i bënte shumë mirë, por, politika, njërës si unë do t’i bënte shumë keq. Do t’i shtonte njohjet, por do t’i hiqte lexuesit. 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora