E merkure, 24.04.2024, 10:22 AM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Kastrati: A mund të shmangej takimi Nano - Milosheviç?

E diele, 08.02.2009, 06:50 PM


A MUND TË SHMANGEJ TAKIMI NANO - MILOSHEVIQ?
 
(Duke lexuar pjesë të kujtimeve të ish-ministrit të jashtëm, Paskal Milo)

Shkruan Rexhep Kastrati

Takimi i Fatos Nanos me Milosheviqin në Kretë, për shqiptarët e Kosovës, ishte një thikë pas shpine, sepse në atë takim, siç do të shihet në vazhdim të zhvillimit të ngjarjeve, ishin përcaktuar zhvillime shumë të këqija. Takimi me Milosheviqin ishte takim me njeriun që nuk e honepste pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, e cila edhe i kishte vendosur një embargo diplomatike, ekonomike e ushtarake. Dhe ta takoje atë, thjesht dhe vetëm për këtë, ishte një veprim i çuditshëm dhe i pakuptimtë. Kur t’i shtohen kësaj edhe aspekte të tjera të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, atëherë arsyet për të mos u zhvilluar ai takim bëheshin edhe më të shumta. Po a ka mundur të mos realizohej ai takim? Sado i panevojshëm dhe i dëmshëm, takimi ndërmjet Nanos dhe Milosheviqit ishte i pashmangshëm, pasi që vetë Nano dhe qeveria e tij ishin qeveri që ishin ndërtuar mbi pasojat tragjike të një anarkie, pasoja që kishin të bënin me humbjen e jetëve të rreth tre mijë qytetarëve shqiptarë, të rrënimit të ekonomisë vendase, si dhe me kthimin mbrapsht të shumë proceseve integruese, e në të cilën anarki, ashtu siç kam shkruar edhe këtu e dhjetë vjet të shkuara, dhe siç dihet botërisht, roli i të majtës shqiptare ishte prijës, si dhe angazhimi i shërbimeve të ndryshme sekrete kundërshqiptare ishte shumë i madh. Ajo qeveri e dalë nga anarkia, nga dhuna dhe nga vrasjet, e kishte besueshmërinë dhe autoritetin diplomatik zero. Në një situatë të tillë, Nano ishte në gjendje të takohej me gjithsecilin, vetëm për të përmirësuar imazhin e tij dhe të qeverisë që udhëhiqte. Në këtë kuptim pozita e Nanos dhe e Milosheviqit ishte pothuajse e njëjtë: të dy kishin nevojë për përmirësim imazhi ndërkombëtar. Në anën tjetër, qeveria e koalicionit të majtë që kishte dalë nga anarkia e atij viti, ishte e shtrënguar ta bënte atë takim, pasi që në vendosjen e saj në pushtet kishin kontributin e tyre edhe shërbimet e ndryshme sekrete kundërshqiptare, siç janë ato serbe, ruse, greke etj. Kur përmendi shërbimet sekrete kundërshqiptare, kam parasysh edhe rekrutët shqiptarë të këtyre shërbimeve, të cilët kishin marrë pjesë në djegien e shtetit dhe në anarkinë e asaj kohe. Disa nga ata, bile edhe kanë shkruar libra për të treguar si e kanë bërë këtë. Një qeveri që ishte krijuar pas gjithë bëmave të agjenturave kundërshqiptare dhe të rekrutëve shqiptarë të këtyre shërbimeve, i kishte të shumta edhe detyrimet ndaj tyre. Dhe shlyerja e këtyre detyrimeve në rrafshin diplomatik nënkuptonte edhe realizimin e takimit ndërmjet Nanos dhe Milosheviqit në Kretë. Mund të jetë shqetësuar, ose thjesht kështu është shprehur ministri i jashtëm i asaj kohe, Paskal Milo, por takimi kokë më kokë ishte mënyra më e përshtatshme për Nanon dhe Milosheviqin. Ministria e Punëve të Jashtme në krye të të cilës ishte Paskal Milo, mund të ketë hartuar teza e rekomandime, por për një takim të tillë, ato ishin të tepërta. Edhe vetë prania e ministrit të jashtëm ishte e tepërt. Në fund të fundit, në pikëpamje protokollare dhe jo vetëm protokollare, Nano dhe Milosheviqi tregonin mosrespektin për shtetin dhe për rendin juridiko-kushtetues, pasi që të dy i kishin lënë në pozitën e truprojave, njëri shefin e diplomacisë shqiptare, kurse tjetri kryetarin e Serbisë, që ishin detyruar të prisnin rreth një orë e gjysmë në paradhomën e hotelit. Është interesant të dihet se çka kanë biseduar vetë Milo me Milutinoviqin në atë paradhomë, se është joserioze të mendosh se ata thjesht e kanë shikuar njëri-tjetrin në heshtje, ose nuk e kanë shikuar, apo edhe më qesharake të mendosh se mund të kenë luajtur pullash si te romani “Kronikë në gur” i Kadaresë. Dhe takimi u realizua për fatkeqësinë e shqiptarëve të Kosovës në veçanti. Pse? Sepse ky takim solli dy pasoja të aty për atyshme: u miratua një deklaratë e përbashkët në të cilën shqiptarët e Kosovës quheshin komunitet etnik, si dhe Nano ua tregonte shqiptarëve, rrjedhimisht edhe politikës së Kosovës Beogradin si kryeqytet të tyre. Në pikëpamje diplomatike, kjo ishte një thikë e fortë mbas shpine për institucionet e Kosovës dhe për gjithë angazhimet e Kosovës gjatë atyre viteve. Në anën tjetër ishte edhe një shkelje e akteve në fuqi të vetë shtetit, pasi që po ky shtet që nga viti 1991, pra që nga koha kur ishte mbajtur referendumi për Pavarësi të Kosovës, e kishte njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës. Dhe në atë kohë, shumica e majtë nuk ishte dëgjuar për fare, pa le që ta akuzonin Nanon për shkelje të akteve dhe të dokumenteve të shtetit. Dhe plaga që iu shkaktua Kosovës me këtë takim dhe me qëndrimet e formuluara edhe në Deklaratën e përbashkët të Samitit, si dhe me deklaratën e vetë Nanos për Beogradin kryeqytet të shqiptarëve të Kosovës, ishte më e madhe pasi që bëhej nga kryeministri i shtetit amë të shqiptarëve. Si mund të prisnim nga kryeministrat e shteteve të tjera deklarata më të favorshme për Kosovën? Në anën tjetër, siç ka dëshmuar edhe vetë ministri i atëhershëm i jashtëm, Paskal Milo, askush nuk kishte kërkuar nga Nano që të shprehte qëndrime dhe deklarata të tilla. Bile diplomacia amerikane i kishte propozuar disa tema të qarta se për çka mund të bisedohej eventualisht. Ndër këto tema bënte pjesë çështja e zbatimit të Marrëveshjes së Arsimit, dhe lëvizja e lirë e njerëzve. Për diplomacinë amerikane dhe për diplomacitë e vendeve aleate ishte e rëndësishme që të zbatohej Marrëveshja e Arsimit e 31 gushtit 1996, e cila Marrëveshje e detyronte Beogradin që t’i lironte objektet arsimore dhe universitare, dhe t’ua mundësonte nxënësve, studentëve dhe personelit arsimoro-shkencor të Kosovës të riktheheshin në objektet e tyre. Kjo ishte një Marrëveshje që shënonte fillimin e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, pasi që nxënësit, studentët dhe personeli tjetër arsimoro-shkencor do të vazhdonte të punonte me Dekretligjin e Arsimit të miratuar nga qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe dokumentet do të vazhdonin të lëshoheshin me vulat e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, nëse do të realizohej Marrëveshja e Arsimit, atëherë ishte paralajmëruar se diplomacia ndërkombëtare do të vazhdonte me diplomacinë step by step, pra me diplomacinë hap pas hapi, dhe do të shtynte palët që të arrijnë marrëveshje edhe për kthimin e punëtorëve shqiptarë në vendet e tyre të punës pa kushtin që ata ta njohin Serbinë shtet të tyre. Përqendrimi i vëmendjes së diplomacisë amerikane pikërisht te Marrëveshja e Arsimit tregonte për rëndësinë që kishte ajo, si dhe për trysninë që i bëhej Beogradit për ta realizuar atë. Dhe është e vërtetë që Beogradi ishte në siklet të madh lidhur me Marrëveshjen e Arsimit, pasi që sido që të vepronte ishte humbësi i vetëm: nëse e zbatonte, kjo do të thoshte se de facto e njihte shtetin e Kosovës dhe ndodhej para sfidave të tjera për të arritur marrëveshje për aspekte të tjera të jetës dhe të shtetformimit të Kosovës, e nëse nuk e zbatonte atëherë do të dilte sheshit se Beogradi nuk i respekton marrëveshjet. Duhet kujtuar me këtë rast se diplomacia ndërkombëtare, e lodhur me luftën në Kroaci dhe në Bosnjë, kërkonte zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe këtë zgjidhje paqësore synonte ta arrinte nëpërmjet bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë aspekt, Beogradi thoshte se me Prishtinën mund të bisedonte drejtpërdrejt pa pasur nevojë të ndërmjetësojë ndonjë faktor ndërkombëtar, kurse Prishtina këmbëngulte që bisedimet me Beogradin të zhvilloheshin me praninë e një pale të tretë e cila do të garantonte edhe zbatimin e marrëveshjes apo marrëveshjeve që do të arriheshin. Në rast se nuk do të zbatohej Marrëveshja e Arsimit, atëherë diplomacia ndërkombëtare do të duhej të bindej se me Beogradin nuk bisedohej ndryshe veçse me praninë dhe ndërmjetësimin e fuqishëm të saj. Në anën tjetër, në Tiranë, e djathta kishte arritur disa suksese të pakontestueshme në lëmin e integrimeve euroatlantike, pasi që presidenti atëhershëm Sali Berisha ishte i pari president i një vendi ish-komunist që nënshkruante një dokument ushtarak partneriteti me NATO-n, e që ishte PartneritetI për Paqe, si dhe nën drejtimin e të djathtëve, shteti ishte shumë afër nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit me BE-në. Me fjalë të tjera, shqiptarët ishin shumë përpara dhe shumë më të fortë në marrëdhënie ndërkombëtare se sa Beogradi dhe jo vetëm Beogradi. Ishte shumë e logjikshme që Beogradi dhe aleatët e saj të bënin çmos për të përmbysur këtë gjendje faktike. Mënyrat më të përshtatshme ishin ato që kishin të bënin me kontestimin e legjitimitetit të presidentit Rugova dhe të institucioneve të shtetit të Kosovës për të folur në emër të Kosovës, pasi që atë kohë ishin shfaqur zëshëm kundërshtarë të tij brenda spektrit politik shqiptar, siç ishin Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Luljeta Pula – Beqiri, Veton Surroi, Blerim Shala e të tjerë, si dhe rrënimi i rendit juridiko-kushtetues në shtetin amë të shqiptarëve. Në këtë drejtim ishte shumë i madh angazhimi shërbimeve sekrete kundërshqiptare, të cilat i infiltruan njerëzit e tyre brenda lëvizjes politike në Kosovë, si dhe i shfrytëzuan lidhjet e hershme me Sigurimin e shtetit në Tiranë, një pjesë e pjesëtarëve të të cilit kishin gjetur rastin që të hakmerreshin ndaj qeverisë së djathtë. Në planin politik në Prishtinë ishte gjetur grupi i papërfillshëm i kakarisësve politikë që i përmenda më lartë, të etur për ta përmbysur presidentin Rugova dhe linjën e tij politike, kurse në Tiranë ishte e majta që digjej nga dëshira për t’u rikthyer në pushtet. Në Prishtinë argument shfrytëzohej moszbatimi i Marrëveshjes së Arsimit, kurse në Tiranë çështja e skemave piramidale, si dhe zgjedhjet e kontestuara të vitit 1996. Puna e shërbimeve sekrete kundërshqiptare dhe e rekrutëve të tyre shqiptarë, përfshirë edhe mjeranët politikë në Prishtinë dhe Tiranë ishte që të krijonin dhe të keqpërdornin pakënaqësitë e qytetarëve ndaj zhvillimeve të përgjithshme të brendshme. Dhe pikërisht në këtë kohë filluan të shfaqeshin në publik edhe maskat e para. Shfaqja e maskave të para ishte paralajmërimi më i keq për atë që do të ndodhte me Kosovën. Është kështu për faktin se këto maska filluan të shpreheshin kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, edhe pse grupet guerile të Adem Jasharit, të Zahir Pajazitit dhe të Sali Çekajt kishin zhvilluar një luftë guerile që nga viti 1991 dhe atë në masë të madhe në bashkërendim me institucionet e Republikës së Kosovës. Beogradi filloi të vepronte për shkëputjen e çfarëdo lidhjeje ndërmjet grupeve guerile shqiptare me institucionet e Kosovës, me qëllim dobësimin dhe eliminimin e ndikimit të atyre institucioneve mbi ato grupe. Fillimisht u vranë Zahir Pajaziti, drejtuesi i grupit gueril të Llapit, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnulahu, pastaj u vra gazetari Afrim Maliqi e kështu me radhë, kurse në mars të vitit 1998, pra ende pa filluar konflikti masiv, u vra edhe Adem Jashari me pjesën më të madhe të familjes së tij. Me fjalë të tjera, eliminohej çdo lidhje eventuale ndërmjet grupeve guerile dhe institucioneve të Kosovës. Në anën tjetër, në shtetin amë të shqiptarëve u manipulua pakënaqësia e ligjshme e shqiptarëve për t’i nxitur kundër qeverisë. Pas fillimit të protestave të qytetarëve, të cilët thjesht kërkonin lekët e tyre, pra kishin kërkesat e tyre ekonomike, doli e majta e Tiranës, e cila i dha kahje politike kësaj pakënaqësie. Duhet thënë se nuk do të ndodhte ajo që ndodhi sikur të mos kishte një veprimtari shumë të fuqishme të shërbimeve sekrete kundërshqiptare, sikur të mos ishte një e majtë e zhuritur për t’u rikthyer në pushtet dhe sikur të mos kishin qenë lidhjet e hershme të ish-Sigurimit të shtetit me shërbime sekrete kundërshqiptare. Dhe janë të gjitha këto që sollën djegien e shtetit nga e cila doli Fatos Nano kryeministër dhe një Kuvend i mbizotëruar shumë nga e majta. Dhe për të gjitha këto, Fatos Nano do të duhej të shlyente detyrimet ndaj atyre që e kishin prurë në pushtet. Takimi i tij me Milosheviqin, prandaj ishte i pashmangshëm dhe duhej të kishte ato përfundime që kishte: cilësimin e shqiptarëve të Kosovës si komunitet etnik, si dhe tregimin e Beogradit si kryeqytet të tyre. Dhe ky ishte vetëm fillimi. Shlyerja e detyrimeve të të majtës shqiptare në Tiranë ndaj atyre që e kishin prurë në pushtet, do të duhej të vazhdonte me minimin e mëtejshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, me mundësi rrënimi tërësor të tyre. Pas takimit të Kretës, qeveria e majtë e drejtuar nga Fatos Nano i mundësoi të majtës në Prishtinë, e në mënyrë të veçantë rekrutëve shqiptarë të shërbimeve sekrete serbe dhe në përgjithësi rekrutëve shqiptarë të shërbimeve sekrete kundërshqiptare që t’i konsolidojnë radhët dhe të përgatisin puçin politiko-ushtarak në Kosovë: më 28 shkurt të 1998, në mënyrë kolektive grupi i marksist-leninistëve e braktisi Kuvendin e Tretë të LDK-së, dhe e shpalli veten trashëgimtare të saj. Këtë e kishte bërë pas thirrjes që atyre ua kishte bërë Rexhep Qiosja. Dalja e grupit të marksist-leninistëve nga LDK-ja, ishte çarja më e madhe politike në Kosovë, si dhe kontribut serioz që iu dha propagandës serbe se Rugova nuk ishte lider i vetëm i shqiptarëve të Kosovës. Vrasja e Adem Jasharit pak ditë më vonë, ishte edhe vrasja më domethënëse pas vrasjes së Zahir Pajazitit. E gjithë kjo natyrisht ishte një parathënie jo e mirë për shqiptarët në përgjithësi, e për shqiptarët e Kosovës në veçanti. Nga një komb me pozita shumë të forta në marrëdhëniet ndërkombëtare, që ishin deri në fund të vitit 1996, në mes të vitit 1998, shqiptarët dolën më imazhin më të keq të mundshëm. Për gjithë hapësirën shqiptare u krijua sërish imazhi i një kombi që nuk di të bëjë dhe të mbajë shtet, i një kombi që po nuk u administrua nga të tjerët do të gjendet në grindje të përhershme të brendshme. Për këtë kishte nevojë Beogradi dhe armiqtë e tjerë të kombit shqiptar. Në pikëpamje diplomatike, pozitat e institucioneve të Kosovës u vështirësuan, pasi që kishin dalë të tjerë në sipërfaqe që ishin në gjendje të pranonin shumë më pak se pavarësinë e Kosovës. Projekti i Adem Demaçit për “Ballkaninë” ishte shembulli më i qartë i kësaj, kurse Rexhep Qosja qartë tha se do t’ua njihte serbëve të Kosovës të drejtën për vetëvendosje. Në anën tjetër, monopolizimi që iu bë UÇK-së nga të majtët dhe nga rekrutët shqiptarë të shërbimeve sekrete kundërshqiptare, në ç’drejtim ishte i madh dhe përcaktues roli i Fatos Nanos dhe i SHIK-ut të Tiranës, drejtimi i saj kundër institucioneve të Republikës së Kosovës në përgjithësi, e kundër presidentit Rugova në veçanti, paraqiste një rrezik shumë të madh për Kosovën: nxitjen dhe fillimin e një lufte qytetare në Kosovë. Presidentit të Republikës së Kosovës i duhej që edhe të mbante të forta pozitat negociatore me Beogradin, edhe të pamundësonte skenarët për një luftë të mundshme qytetare në Kosovë, e që do ta zhbënte tërësisht çështjen e shqiptarëve në Kosovë. Ishte e qartë se në këto rrethana Beogradi ishte në pozitë që të realizonte ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, e që tashmë është një realitet i sanksionuar edhe në dokumentin e presidentit Ahtisari, edhe në Kushtetutën e Kosovës, edhe në ligjet tjera që burojnë nga dokumenti i Ahtisarit, kurse shqiptarët në Kosovën Lindore të jenë si mos më keq, edhe pse kanë derdhur gjak, kurse shqiptarët në Maqedoni janë vënë në pozitë që të bëhen bisht i partive politike sllavomaqedonase. Në anën tjetër, shteti amë i shqiptarëve, nga vendi që ndër të parët kishte arritur partneritet me NATO-n, të jetë ndër të fundit që do të bëhet pjesë e saj, kurse nga të parat vende për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, të jetë ndër të fundit që e ka bërë këtë dhe ndër të fundit që do të mund të anëtarësohet në BE. Vende që askund nuk kanë qenë në këto raporte, tashmë janë anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Dhe ky është çmimi që shqiptarët gjithandej kanë paguar për rikthimin e të majtëve në pushtet në Tiranë gjatë 1997-së, dhe të ardhjes në pushtet të majtës në Prishtinë e Shkup. Takimi ndërmjet Nanos dhe Milosheviqit, thjesht, ishte vetëm fillimi.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora