Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Isa Halilaj: Një gjykim e vlerësim më realist për gjakderdhjen, hakmarrjen e gjakmarrjen

| E diele, 08.02.2009, 04:38 PM |


Një gjykim e vlerësim më realist për gjakderdhjen, hakmarrjen e gjakmarrjen
 
Nga Isa Halilaj

Vrasja e njeriut është konsideruar krim në secilin rend ekonomiko-shoqëror. Ky fenomen ka evolucionin e vet historik nga kohët e vjetra e deri në ditët e sotme, i konsideruar me pasoja të rënda shoqërore politike e familjare. Krimi i vrasjes i kryer me paramendim e i nxitur nga ndjenja primitive antinjerëzore është i papajtueshëm me parimet morale. Vret antinjeriu dhe jo njeriu normal.

Vrasjet në përgjithësi e vrasja për gjakmarrje kanë tërhequr vëmendjen e filozofëve, që me Platonin e Aristotelin e të tjerë filozofë. Kanë qenë në vëmendjen e janë trajtuar dhe nga shkrimtarë e artistë që nga Eskili e Shekspiri po dhe nga rilindasit tanë si Sami Frashëri, Vaso Pasha, Zef Jubani, Jani Vreto, Asdreni, Gjergj Fishta e deri tek i madhi Ismail Kadare.

E gjithë kjo analizë shkencore filozofike kanunore e juridike dhe letraro-artistike që nga antikiteti, mesjeta, rilindja e në ditët tona, ka nevojë për një vlerësim shkencor të fenomenit të vrasjeve në evoluimin historik dhe realitetit të sotëm. Mbi të gjitha fenomeni i vrasjeve ka nevojë për njohjen reale të gjendjes, ka nevojë për studimin objektiv se si është trajtuar veçanërisht nga normat dokësore e kanunore shqiptare. Kjo nuk mund të bëhet pa u çliruar nga kompleksi ideologjik e ai antishqiptar i ushqyer historikisht nga teza e hipoteza antishkencore që e paraqesin gjakmarrjen si dukuri arkaike shqiptare e më pak ballkanike, kur ajo si dukuri, madje dhe në ditët tona është jo vetëm dukuri evropiane, por dhe botërore me mjete e norma të sofistikuara edhe politikisht.

Njeriu si qenie biologjike ka qenë i rrezikuar gjithnjë nga dukuritë natyrore, po dhe nga aksidentet e sulmet nga kafshët grabitqare dhe helmuese, i rrezikuar nga epidemitë dhe luftërat vrastare, nga të cilat ka pasur qindra e mijëra viktima po dhe dëshmorë dhe martirë që kanë rënë në fushën e luftës për një qëllim e ideal të caktuar.

Ajo që ka shqetësuar brezat ka qenë vrasja e njeriut nga njeriu, e cila ka shuar familje e fise të tëra. Kjo dukuri, sipas kushteve e vendeve të ndryshme, ka qenë e është në vëmendjen e urtësisë njerëzore, për të gjetur mekanizmat e frenimit në mbrojtjen e jetës njerëzore. Praktika historike shqiptare prej gjashtë shekujve të fundit, provon se edhe në kushtet e pushtimit, kur mungonte shteti dhe qeverisja e vendit, me doke kanunore, vrasjet me vendime e masa konkrete janë vënë në kontroll e frenim jo pa rezultate.

Gjatë periudhës së diktaturës 50-vjeçare, megjithëse në thelb me përshtatje me kohën e vendin, u zbatuan shumë nga përcaktimet kanunore për frenimin e eliminimin e gjakderdhjes për hakmarrje e gjakmarrje, kanuni e doket tradicionale e veçanërisht Kanuni i Lekë Dukagjinit, u etiketuan e u vunë në shënjestër, sikur për çdo vrasje e gjakmarrje fajin e kishin kanunet. Kjo bëhej e vazhdon të bëhet pa një njohje e studim të thelluar të dokeve kanunore shqiptare. Tek ne veç inferioritetit që kanë ushqyer antishqiptarët, për fat të keq dhe sot ekziston një autoinferioritet, për t’i injoruar vlerat kombëtare jo vetëm në fushën e së drejtës po edhe në identitetin kombëtar. Një fakt domethënës krahasues: ligjvënësit e njohur në histori si mbreti Kir, Hamurabi apo Karli i Madh etj., para se të hartonin normat ligjore-juridike, përcaktonin zbatimin e penaliteteve ngritën një strukturë të gjerë e të fortë me policë e xhandarë, me burgje e vende izolimi. Kurse, mrekullia unikale në botë, siç e kanë vënë në dukje studiues me peshë në botë, Kanuni Shqiptar i Lekë Dukagjinit është zbatuar pa policë e pa burgje. Lidhur me këtë, nuk mund të anashkalohet fakti se Kanuni i Lekë Dukagjinit për seriozitetin e tij, është bërë objekt studimi e vlerësimi nga mbi 80 shkencëtare të jurisprudencës të universiteteve më në zë në Amerikë, Angli, Francë, Austri, Gjermani, Spanjë, Itali, Rusi e vitin e kaluar në Japoni etj., të cilët me dizertacione kanë fituar tituj shkencorë, duke e pasur objekt studimi e analize. Vetë fakti që kodifikuesi i Kanunit të Maleve, atdhetari At Shtjefën Gjeçovi, u vlerësua me titullin e nderit Doktor i Filozofisë nga universiteti i Lajpcigut, tregon se e drejta kanunore shqiptare, e përmbledhur në Kanunin e Lekë Dukagjinit, është një pasuri e madhe vlerash kombëtare si gjykatësi suprem, që gjykon kohën e nuk mund të gjykohet e etiketohet nga emisarë diletantë antikombëtarë.

Doket e kanunet shqiptare janë hartuar mbi bazën e urtësisë popullore për mbrojtjen e jetës njerëzore e jo për të vrarë njeriun. Në kushtet kur nuk kishte shtet e qeverisje, si kusht domethënës, për mbrojtjen e jetës u vu: “Mos vra njeri, se do të vritesh vetë”, “Familja e të vrarit ka të drejtë të marrë gjakun për të vrarë gjakësorin e tyre”. Praktika logjike historike e juridike për vrasjet, ka fiksuar mendimin se “Kush vret tjetrin, humb lirinë e vet, me bindjen se do të vritet apo ndëshkohet rëndë për jetë të jetës”. Në këtë kuptim, para se t’ia drejtosh gishtin tjetrit, duhet t’ia drejtosh vetes, e ky paralajmërim që vjen brenda vetëdijes njerëzore e është bërë i qartë dhe nga legjioni fetar e ai juridiko-dokësor, i ka frenuar vrasjet. Ky përcaktim nuk e ka nxitur vrasjen por e ka frenuar e ndaluar atë. Kjo u kthye në një normë morale të pranueshme nga komuniteti njerëzor shqiptar për gjithë periudhën parashtetërore shqiptare.

Modelet se si kufizohen e ndalohen vrasjet e arrihet në pajtim, janë dhënë në arsyetimin e urtësisë popullore e janë formuluar në doke e zakone që tek ne janë quajtur e quhen norma të kanunit me epiqendër “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Kanuni i Skënderbeut” apo ai i Labërisë e shartime të tjera të formuluara këto dekadat e fundit, për kohën kur mungonte shteti e qeverisja shqiptare, me ligje e organe juridike në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Për të frenuar shtrirjen horizontale e vertikale të vrasjeve e për të gjetur mekanizmin e mbylljes së tyre,me sakrificë si rrugëdalje, për kohën u lejua vrasja për gjakmarrje, me formulën “një për një si për të mirin e për të keqin”, që të arrihej te mbyllja e gjakderdhjeve me qetësim e pajtim: “Më vrave-të vrava-u lamë”. Vetëm kështu i vjen radha pajtimit që është trajtuar mjaft mirë nga personalitete shkencore juridike si Ismet Elezi, Artan Fuga, Anton Çeta, Zekeria Cana, Frano Ilia, Agron Xhagolli, Zyhdi Dervishi, Xhemal Meçi etj. Për këtë janë për t’u përshëndetur edhe organizma të tilla si: “Komiteti i Pajtimit të Gjaqeve”, fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” që kanë nxjerrë në disa numra revistën “Pajtimi” që nga viti 1995, drejtuar nga Dr. Zyhdi Dervishi etj.

Në këtë linjë të gjykimit të gjakderdhjes në përgjithësi që çon në vrasje për hakmarrje (e cila paraqitet me shumë probleme) dhe vrasja për gjakmarrje, nuk është dukuri dominuese sot në vrasjet e përgjithshme në Shqipëri. (Në 2007, sipas Ministrisë së Brendshme, vrasjet për gjakmarrje kanë zënë vetëm 2% të vrasjeve).

Me krijimin e shtetit shqiptar në 1912, me dispozitat ligjore, me Statusin e Mbretërisë të Princ Vidit në 1914, me Statusin e Lushnjës 1920, me Kushtetutën e Mbretërisë Shqiptare të A. Zogut më 1928, si dhe me Kushtetutat e tjera 1946, 1976, e Dispozitat Kushtetuese 1992 dhe Kushtetutën e Shtetit Shqiptar të Nëntorit të 1998, shteti me institucionet e veta ligjore, juridike qeverisëse ka marrë në mbrojtje jetën e njeriut, ndalon vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje, duke zbatuar vetë dënimet ndëshkimore.

Vrasjet e të gjitha llojeve janë trajtuar si plaga më e rëndë e shoqërisë dhe janë përcaktuar penalizimet me dënimet më të rënda deri në ekzekutimin publik. Përgjegjësia që mori vetë shteti ligjor kundër gjakderdhjes në përgjithësi dhe gjakderdhjes për hakmarrje e gjakmarrje, nuk e lejonte vetëgjyqësinë, sepse bëhej garant dhe krijonte bindjen se fajtori, në këtë rast gjakësori, do të merrte dënimin e merituar. Edhe vetëgjyqësia ndëshkohej me të njëjtën ashpërsi. Kështu ndodhi në Shqipëri në vitet 1945-1990, ku vrasjet në përgjithësi pësuan një ulje të theksuar, ndërsa vrasjet për gjakmarrje, pas vitit 1960 u mënjanuan plotësisht nga vetëgjyqësia. Hakun për vrasjet e merrte dhe a zbatonte sistemi i drejtësisë, duke zbatuar pothuajse të njëjtën formulë kanunore: “vrave ti - po të vrasim ne me ligjin në fuqi”.

Vrasjet si dhe fajet penale edhe ato ordinere asnjëherë nuk kanë ngelur pa u ndëshkuar. Vetëm nga kjo praktikë juridike, duke ndëshkuar edhe fajet që kanë sjellë konflikt si ofezat, rrahjet, cenimi i familjes dhe i pronës, përvetësimi e moskthimi i borxheve, që, kur nuk janë vlerësuar juridikisht, kanë çuar edhe në vrasje zinxhir.

Dihet se në marrëdhëniet njerëzore, afër dhe larg, në familje, në fis e në komunitet e më larg, lindin mërira, qejfmbetje e zënka, të cilat po qëndruan larg vëmendjes së pleqësisë e organizmave fetare e shoqërore-kulturore, bëhen shkak për acarime qe çojnë në gjakderdhje me pasoja të rënda si dhe në raste të tjera.

Në një analizë studimore që është bërë për vrasjet gjatë regjimit të Zogut (1925-1939), pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal, që dënonte rreptë vrasjet me paramendim, ato patën një ulje të theksuar. Megjithatë, problem mbeteshin vrasjet e padenoncuara, ku implikoheshin edhe paria e bajraktarët, tek të cilët gjakësorët gjenin strehim ose një pjesë e tyre arratiseshin jashtë shtetit, gjë e cila solli shtrirjen e gjakmarrjes në pjesëtarët e tjerë të familjes e në jo pak raste edhe në vrasjet e strehuesve të tyre.

Në vitet 1930-1938, numri i vrasjeve ishte 1048, për hakmarrje e gjakmarrje qenë 746 vrasje që në një milion shqiptarë zinin 40% të numrit të vrasjeve. Në atë kohë veç organizmave shtetërore juridike vepronin dhe komisionet e pajtimit, siç qe rasti i asaj “Sofra e Pajtimit” e Arrasit në Dibër, e cila ka funksionuar rregullisht që nga viti 1920, kur u pajtuan gjaqet për çlirimin e “Zonës Strategjike” nga pushtuesit serbo-sllavë.

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, në kuadrin e qëndresës dhe të luftës antifashiste, iu kushtua vëmendje e posaçme eliminimit të vrasjeve mes njëri-tjetrit. Kështu në vitet 1939-1944, numri i përgjithshëm i vrasjeve zbriti në 767 e nga këto 291 për hakmarrje e gjakmarrje.

Në vitet 1946- 1990, sipas studimit të Prof. Ismet Elezit, në veprën “Vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje në Shqipëri” fq. 55, janë kryer vetëm 153 vraje për hakmarrje e gjakmarrje, ku vendin e parë e zinte Shkodra me 67 vrasje. Gjatë asaj kohe u morën masa ligjore, ku një rol të veçantë luajtën vendimet Gjykatës së Lartë, nr. 61 e 294 të vitit 1946, ku ndër të tjera prerazi theksohej: “Hakmarrja, ky zakon prapanik... duhet të zhduket, të çrrënjoset, pse njollosë shtetin tonë, njollosë vendin tonë. Hakmarrja nuk mund të quhet rrethanë lehtësuese, por rënduese”. Kodet Penale të vitit 1952 e 1977 e parashikonin vrasjen për hakmarrje si vrasje në rrethana të cilësuara, për të cilën dënimi ishte deri me vdekje. Këtu përfshihej dhe nocioni i vrasjes për gjakmarrje, pavarësisht se ato shkuan drejt zhdukjes së plotë pas vitit 1960.

Komisionet e Pajtimit të Gjaqeve që kanë funksionuar në secilin qark, patën ndikim të fuqishëm dhe në pajtimin e grindjeve e të mërive midis njerëzve dhe familjeve, një masë parandaluese kjo me shumë efekt.

Është i nevojshëm sqarimi terminologjik i llojeve të vrasjeve. Pas vitit 1990 peshën kryesore e kanë pasur vrasjet në përgjithësi për shkaqe nga më të ndryshme si grabitje me maska, cenim prone, trafik droge e trafik njerëzor, apo vrasje rastësore për zënka apo motive të dobëta e në përgjithësi të padenoncuara e të panjohura në tërësi. Këtu futen dhe vrasjet brenda familjes e vetëvrasjet si dukuri e re në këto vite.

Në këtë kuadër të vrasjeve në përgjithësi filloi të ringjallet vrasja për hakmarrje, pra vrasje e adresuar ndaj atyre elementëve që kishin kryer faje të ndryshme, që nga ofezat e rrahjet e deri te cenimi i nderit, pronës, mikut, borxhit të pakthyer etj. Këto lloj vrasjesh edhe sipas kanunit nuk bëhen e nuk njihen si vrasje për gjakmarrje, vrasësi bie në gjak si pasojë e vetëgjyqësisë, kapadaillëkut dhe madhështisë të të fortit.

Vrasjet e vjetra dhe vrasjet për hakmarrje në tranzicion ngjallën vrasjen për gjakmarrje, e cila është e motivuar legalisht, ku familja e të vrarit merr gjakun e personit të saj të vrarë. Në kohën kur kjo kërkon dorësin apo gjakësorin, i cili nuk u është dorëzuar organeve të drejtësisë po rri i strehuar maleve apo në arrati edhe jashtë shtetit, ka sjellë dukurinë e vjetruar të ngujimit të pjesëtarëve të tjerë të familjes së vrasësit, një plagë tjetër kjo me pasoja të rënda.

Ndryshimet e sistemit pas 1990 sollën një tranzicion të zgjatur e me probleme, një çorganizim e anarki si pasojë e prishjes së ekuilibrit të forcave politike, e keqkuptimit dhe keqpërdorimit të lirisë demokratike, solli në mënyrë të vrullshme e të pakontrolluar lëvizjen e popullsisë rurale në eksod dhe pranë qendrave urbane, nga i gjithë vendi e më i theksuar nga zonat veriore, veri-lindore, por dhe jugore, jug-lindore, pranë qyteteve të mëdha në zonën bregdetare.

Ngaqë shteti nuk arriti të shtrijë autoritetin e tij në të gjithë vendin, bëri që në shumë zona të ringjallej organizimi i vjetër sipas kanuneve të vendit për qetësimin e gjendjes. U ngritën si kërpudhat pas shiut të ashtuquajturat “Shoqata Kulturore Krahinore” jo dhe pa sens politik emërtuar me emrin e krahinave që nga veriu e në jug, një parcelizim feudal i vendit me pasoja jo të mira. Të gjitha organizmat shoqërorë, krahinore, politike, administrative deri edhe në individë të veçantë e biznesmenë kërkonin, e fatkeqësisht akoma e kërkojnë, “një pavarësi të plotë e të pakufi” ndaj ligjeve të shtetit. E për fatin tonë të keq, kjo dukuri manifestohet në administratën shtetërore vendore deri në qeveri ku titullarët e administratorët e koalicionit, drejto një sektorët e dikasteret që u janë besuar, jo në unison me programin kushtetues qeveritar po sipas programit politik të partisë së tyre, gjë e cila ka sjellë jo pak probleme në qeverisjen e vendit ku dukshëm manifestohet klientelizëm, nepotizëm, krahinarizëm, klane, informalitet, me të cilët ndeshen çdo ditë shtetasit tanë. Në këtë klimë tranzicioni u gjallëruan zënkat, mëritë e vjetra e të reja, rivaliteti e korrupsioni, trafiqet e drogës e mishit të bardhë. Në ndryshim nga tradita shqiptare edhe vrasjet erdhën në një natyrë krejt të re e të pa jetuar më parë si në gamën e shtrirjes së tyre, duke mos kursyer as fëmijët, gratë, pleqtë e personat e sëmurë a papërgjegjshëm jo vetëm në numër, duke cenuar edhe banesën aty ku mbrohet jeta, po edhe mjetet e vrasjeve dhe asgjësimeve ndryshuan, duke përdorur veç armëve automatike e kundërtanke edhe tritol e dinamit, duke përdhosur e djegur kufoma e familjen e tërë. Themi të padëgjuara se zakonet kanunore shqiptare nuk e lejojnë një gjë të tillë në asnjë mënyrë. Në këto kushte mëria për gjakësorin ishte e pakufishme, ndonëse në shumë raste ka ngelur i paidentifikuar. Kjo veçanërisht në ngjarjet e viteve 1997 e 1998 që u bënë shkak për hakmarrje, duke ngjallë dhe gjakmarrje.

Fakti që shumica e fajtorëve vrasës qenë e janë të moshës 20-30, të cilët kurrsesi nuk njohin kanunin, vepra e tyre nuk është mirë që t’i vishet kanunit si ndikimi kryesor. Kjo, dhe për faktin se pati e ka shkelje totale të zbatimit të normave klasike kanunore të vrasjeve. Megjithatë, fakti se akoma aty-këtu shfaqen vrasje për gjakmarrje lufta kundër këtij mentaliteti nuk duhet të pushojë për asnjë çast.

Shkaqet e kësaj gjendjeje kanë qenë e janë mosnjohja e moszbatimi i ligjeve nga personat e përfshirë në konflikt si dhe nga nxitja e kësaj dukurie nga të tjerët, domethënë. Opinioni i sëmurë prapanik, e nxitës, pa ose me dashje është bërë edhe mediumi televiziv e ai gazetaresk. Përhapja pa kriter dhe komentet e shtrembëruara në “kronikën e zezë”, që bëjnë gazetarët kur i paraqesin vrasësit si “heronj” të kohës sonë e duke bërë me “faj” viktimat, ndikojnë tepër negativisht veçanërisht tek brezi i ri, sepse marrin qytetari e si pasojë e të cilave janë shtuar vrasjet e vetëvrasjet dhe në familje. Tradita shqiptare ka mbajtur qëndrim të prerë ndaj këtyre dukurive e nuk ka lejuar që t’u bëhet jehonë, por i ka dënuar gjithnjë si motive të dobëta e të papranueshme për moralin tonë.

Parandalimi i vrasjeve në përgjithësi e i atyre për hakmarrje e gjakmarrje, ka të bëjë me mbrojtjen e jetës së njeriut. Kjo arrihet para së gjithash me një vëmendje e analizë konkrete të gjendjes, dinamikës e strukturës së vrasjeve, shkaqeve e kushteve favorizuese të tyre. Masat kryesore janë ato shtrënguese ligjore ekzekutive që janë në dorë të organeve të shtetit, po edhe masat edukuese nga shteti dhe të gjitha organizmat shqiptare, duke filluar tek familja, shkolla, komuniteti e institucionet kulturore-edukative si veprime morale të përhershme.

Asnjë lloj vrasjeje nuk duhet të ngelet pa iu nënshtruar procesit ligjor. Ndërsa vendimi për dënimin merret në vartësi të llojit rrethanave e sidomos nga shkalla e rrezikshmërisë shoqërore të tyre. Vetëm pas këtij procesi juridiko-ligjor dhe ekzekutimit e kryerjes së tij kalohet në procesin e pajtimit, kur ai është i mundshëm e i pranueshëm nga pala e dëmtuar. Pajtimi është i mundshëm për vrasjet nga pakujdesia, kur janë bërë pa dashje, dhe veçanërisht kur vrasësi ka kryer dënimin ose është amnistuar apo ka vdekur në burg. Praktika ka treguar se më i mundshëm është pajtimi pas gjakmarrjes edhe kur këtë e kryen organet ligjore, sipas formulës: “më vrave, të vrava, u lamë”, domethënë jemi një për një. E vështirë kjo punë vetëm kur në vrasje janë vënë re “teprime” në rrethanat e vrasjes e në përdhosjen e kufomës.

Pajtimet në veri në shumë raste kanë përfunduar në lidhje miqësie, vëllamërie e kumarie. Pajtimi me falje gjaku është më burrnori e më fisniku. Motivet e faljes kanë qenë që nga ai për çështjen kombëtare, në prag lufte kundër pushtuesve, siç kanë qenë pajtimet në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ato të Kryengritjes Shqiptare në 1912 apo pajtimi madhor historik i shqiptarëve të Kosovës i iniciuar nga Anton Çeta, Zekeria Cana, Mark Krasniqi etj., që lindi si nevojë e qëndresës popullore për çlirim nga pushtimi serb i Kosovës.

Procesi i pajtimit dhe i faljes më mirë është bërë nëpërmjet ndërmjetësimit popullor e të pleqësisë së komunitetit sesa nga organet e drejtësisë për shumë arsye. Ndërsa ngujimi i familjeve në kushtet aktuale, i zmadhuar në shifra të sajuara ndoshta për biznes fitimi, mund të hiqet vetëm kur gjakësi u dorëzohet organeve të policisë e futet në procesin e gjykimit deri në vuajtjen e dënimit. Izolimi i fëmijëve që vazhdojnë shkollën ose i grave apo i vajzave është jashtë traditës kanunore shqiptare e kjo duhet të marrë fund me çdo kusht si një praktikë e shëmtuar, pa ndonjë stimulim, se ndryshe sjell pasoja.

Parandalimi i vrasjeve i përket gjithë shoqërisë, por në radhë të parë i përket qeverisë që nxjerr e zbaton ligje. Media kombëtare shqiptare, veç punës së saj edukuese e me transparencë, duhet t’i kundërvihet shtypit dashakeq ndërkombëtar, e disa emisioneve e analizave mediatike shqiptare e të huaja edhe nëpërmjet filmave që janë vënë në rolin e misionit antishqiptar se gjoja në luftë të propagandës ose miteve kombëtare, e paraqesin Shqipërinë si “Mbretërinë e vdekjes”, duke prishur imazhin kombëtar e demokratik të popullit shqiptar.

Në mbyllje e quaj të nevojshme të theksoj si jonormale moskoordinimin e punës së hallkave ligjore të drejtësisë, që në mënyrë çoroditëse mbahen në një pozicion tekanjoz për “një pavarësi” ligjore në dhënien e drejtësisë, nga organi i akuzës dhe ai i avokaturës, të cilët duke mos respektuar ligjin që është i njëllojtë për ta, mbjellin mosbesimin e i lënë shteg vetëgjyqësisë.

Shqiptarët në mbarë vendin e ndjejnë peshën e rëndë të gjakderdhjeve, të vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje, prandaj kërkojnë shpëtim e çlirimin nga kjo mënyrë e kjo arrihet, kur partitë politike zhvishen vetë nga inatet e mania përçarëse e popullit e, në front të përbashkët kombëtar, të ngrihen kundër varfërisë për një përparim e mirëqenie për t’u futur e merituar anëtarësimin në familjen e madhe evropiane.

***

“Jetën e ka dhënë dhe e merr vetëm Perëndia”.

Nga Bibla

“Çdo njeri ka të drejtën e jetës, të lirisë dhe të sigurisë së personit”.

Nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.

Neni 3, 1948

“E drejta e çdo njeriu për të jetuar mbrohet me ligj”.

Nga Konventa Evropiane. Neni 2, 1950 ratifikuar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë më 1966.

“Jeta e Njeriut mbrohet me ligj”.

Neni i 25 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë

Nëntor 1998 

Janar 2009