E shtune, 20.04.2024, 02:42 PM (GMT+1)

Mendime

Dosjet, Berisha: Socialistët dogjen dosjet e sigurimit

E diele, 08.02.2009, 11:00 AM


Sali Berisha
Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha akuzon ish-pushtetarët e majtë për zhdukjen e një numri të madh dosjesh të Sigurimit të Shtetit. Por ai bën të qartë se kjo nuk do ta bëjë të pamundur zbatimin e ligjit pasi dosjet e proceseve gjyqësore janë të paprekura. Ai vuri në dukje se dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit janë djegur gjatë 8 viteve të qeverive të majta. "Unë dija që atë vit, kur isha në opozitë, ata po digjnin çdo ditë dosjet. Megjithatë, ka një gjë: dosjet e proceseve gjyqësore janë të paprekura. Në qoftë se ka një dokument që ekziston në mënyrë autentike, ato janë proceset gjyqësore. Ato janë të gjitha aty”, - theksoi z. Berisha. Gjatë një interviste dhënë për gazetën “Illyria” në Uashington, u jep të drejtë disa prej vërejtjeve të ndërkombëtarëve për ligjin e hapjes së dosjeve. Sipas tij, vërejtjet e tyre nuk janë pa vend dhe në këtë rast Berisha përmend: “Ka të drejtë bashkësia ndërkombëtare, sepse kemi të bëjmë me një kufizim të të drejtave, por ky është një kufizim i përkohshëm. Dhe këtë e ka bërë çdo vend, nuk është Shqipëria që ka shpikur këtë gjë”.

Intervistoi: Vehbi Bajrami

Z. Kryeministër, qeveria juaj është fokusuar në ndërtimin e rrugëve. Ç’është bërë deri tani dhe ç’synohet për të ardhmen?

Kjo qeveri mori në dorë një vend që kishte gjithsej 2 mijë e 200 kilometra rrugë të asfaltuara nga 18 mijë që është inventari i rrugëve në Shqipëri. Gjatë këtyre 4 viteve, e tërë infrastruktura rrugore është në rindërtim. Janë asfaltuar mijëra kilometra në rrugët rurale të vendit. Po ndërtohen rreth 800 km në akset kombëtare. Faktikisht, me këtë program për 3-4 vjet, Shqipëria do të jetë një vend me një sistem rrugor tërësisht të ri, ndër më modernët.

Po në sektorët e tjerë, arsim, shëndetësi, ç’objektiva ka arritur qeveria?

Është bërë një ndryshim thelbësor në sistemin e arsimit. Të marrim një element. Ky sistem po shpartallohej për shkak të rrogave të ulëta të arsimtarëve. Ne premtuam dyfishin e rrogave. Duke filluar nga data 1 maj, çdo mësues në Shqipëri merr dy herë më shumë se 4 vite më parë. Duke filluar nga kjo datë, çdo infermiere merr dy herë më shumë rrogë se 4 vite më parë, kështu dhe mjekët marrin dy herë më shumë. Pra, ne investuam në kapitalin njerëzor.

Cila është Shqipëria sot në raport me investimet e huaja?

Vetëm në muajin dhjetor dhe dhjetëditëshin e parë të janarit, ne kemi firmosur 3,5 miliardë euro kontrata koncesionesh, në energji dhe fusha të tjera. Pra, Shqipëria realisht është një vend shumë tërheqës për investitorët e huaj. Ajo është vendi i një mijë e njëqind problemeve dhe është jashtë çdo lloj mundësie që ato të zgjidhen në një kohë të shkurtër, por një gjë është e sigurt, se vendi ynë ka ndryshuar këto 4 vite më shpejt se kurrë dhe është duke ndryshuar pozitivisht.

Ligji për hapjen e dosjeve është pritur me rezerva nga BE-ja, OSBE-ja dhe SHBA-të dhe kërkohet rishikimi i tij. Pse vijnë këto mospajtime nga bashkësia ndërkombëtare për një ligj që i është dashur shumë më herët Shqipërisë?

Problemi ka të bëjë jo me një fenomen, por me një realitet nga i cili Shqipëria patjetër duhet të ndahet në mënyrë të qytetëruar. Themelore është kjo: Ka pasur Shqipëria krime kundër njerëzimit apo nuk ka pasur? Ka kryer sistemi komunist në Shqipëri krime kundër njerëzimit? Krimet kundër njerëzimit janë krimet, torturat, vrasjet, ndjekjet për qëllime politike. Kësaj pyetjeje i është dhënë përgjigje përfundimtare se Shqipëria ka pasur krime kundër njerëzimit nga sistemi komunist më shumë se Çekia, Polonia, Sllovakia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, po të përjashtosh revolucionin e ‘54-ës, të gjitha të marra bashkë, shumë më tepër. Po jap vetëm një shifër: Gjermania Lindore në 45 vjet ka pasur vetëm 250 qytetarë të ekzekutuar me gjyq për qëllime politike, kurse Shqipëria numëron vetëm gra në procese politike rreth 800, pa llogaritur sa kanë vdekur kampeve, pa llogaritur sa janë ekzekutuar pa gjyq. Po flas pra për gratë. A duhet Shqipëria të ndahet nga kjo e shkuar? Shqipëria duhet të ndahet nga kjo e shkuar. Po të marrësh historinë e vendeve ish-komuniste, ky debat është kudo i gjallë. Vjet Rumania ka vënë ligjin për të çuar për ndjekje penale ata që kanë kryer këto krime. Atëherë, a mundet që të ndërmerret një zinxhir i pafund procesesh penale ndaj atyre që kanë kryer këto krime. E vështirë kjo. Nuk mendoj se është e mundshme, por një formë për ndarje prej saj duhet, sepse po s'u ndave, ato mbeten aty. Kjo pjesë e shoqërisë që është së paku 25 për qind e saj, kërkon një ngushëllim, një respekt. Çfarë respekti sheh ajo kur në krye të drejtësisë shqiptare janë të vendosur ata që kanë urdhëruar, kanë vendosur për vrasjen e një poeti të ri, për fajin e vet se guxoi të përmendë termin “të drejtat e njeriut” në vargjet e tij? Çfarë respekti ndiejnë ata kur në vitin ‘90, pasi u hoq ligji për tradhti të lartë për ata që arratiseshin, u ekzekutuan në kufij me dhjetëra, në mos qindra të rinj dhe në disa raste trupat e tyre u zvarritën ditën për drekë në sheshin e qyteteve si Saranda dhe Shkodra, të lidhur me tela me gjemba. Kurse një nga ata ishte deri para tri javësh njeriu kryesor i hetimeve në Shqipëri. Çfarë synon ky ligj? Ky ligj synon një gjë: të ndahemi nga këto krime. Të tjerët po e bëjnë me procese gjyqësore. Ne nuk po e bëjmë me procese gjyqësore. Ne themi, “dilni me një anë”, sepse këta dolën me një anë njëherë në ‘95-n dhe për fat të keq, kur u kthyen socialistët në pushtet, aprovuan pikërisht nenet që nuk duhej t'i preknin. Kur unë u bëra Kryeministër, gjeta në Shërbimin Sekret Shqiptar tre ish-drejtorë të Sigurimit të Shtetit si këshilltarë, të shtetit të Enver Hoxhës.

Na thoni konkretisht cilat janë vërejtjet e bashkësisë ndërkombëtare për ligjin e dosjeve?

Shiko, pse bëhen vërejtje. Ka të drejtë bashkësia ndërkombëtare. Pse? Sepse kemi të bëjmë me një kufizim të të drejtave, por ky është një kufizim i përkohshëm. Dhe këtë e ka bërë çdo vend, nuk është Shqipëria që ka shpikur këtë gjë. Jo. Shqipëria ka ndjekur një linjë. Po të marrësh ligjet e republikave baltike, janë shumë më të ashpra, ligji polak i kujtesës kombëtare, është me seksione prokurorie dhe gjykate, pra është shumë më i ashpër. Ky yni është në mes. Është një model çek.

Si do të zbatohet ky ligj kur llogaritet se shumë dosje janë zhdukur?

Dakord, kjo qëndron, por mendimi i përgjithshëm është që ato që janë duhet të hapen. Shiko, kur kam ardhur në Nju Jork për herë të parë, unë kam thënë që dosjet të mos hapen. Pse? Pikërisht jam nisur nga kjo që thua ti. Por, mendimi im u kundërshtua dhe unë rashë dakord. Unë dija që atë vit, kur isha në opozitë, ata po digjnin çdo ditë dosjet. Megjithatë, ka një gjë: dosjet e proceseve gjyqësore janë të paprekura. Në qoftë se ka një dokument që ekziston në mënyrë autentike, ato janë proceset gjyqësore. Ato janë të gjitha aty. 
 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora