Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shkencëtarët zbardhin të vërtetat e Robinson Kruzoit

| E diele, 08.02.2009, 12:02 AM |


Breza të tërë fëmijësh janë mrekulluar pas aventurave të Robinson Kruzoit, por pakkush e njeh personin real mbi të cilin u bazua romani i famshëm. Sot, 300 vjet pasi u largua nga ishulli burg, shkencëtarët kanë arritur të kuptojnë se si ia doli të mbijetonte aq gjatë.

Fillimisht, kishin parë një zjarr në ishullin e pabanuar. Ditën tjetër, kapiteni i anijes "Duke", dërgoi një trupë të armatosur për të parë ishullin. Kur njerëzit u kthyen në anije, sollën me vete dy surpriza: një numër të madh gaforresh të mëdha dhe një krijesë të çuditshme. Krijesa që u ngjit në bordin e anijes "Duke", më 2 shkurt të vitit 1709, ishte në dukje njeri, por i egër si kafshë, këmbëzbathur dhe mbi supe mbante një lëkurë dhie. Krijesa, tejet nervoze në gjeste dhe sjellje, fillimisht ishte në gjendje të artikulonte veç pak fjalë të kuptueshme, por mjaftuan që ta kthenin në të pavdekshëm.

Në romanin e tij, të publikuar për herë të parë në vitin 1719, Daniel Defo e quajti njeriun e zënë në kurth në ishull Robinson Kruzo. Por Robinson Kruzoi i vërtetë qe një njeri i quajtur Aleksandër Selkirk, skocez, biri i shtatë i një këpucari nga fshati Louer Largo pranë Edinburgut. Ai kishte kaluar katër vite dhe katër muaj në ishullin Más a Tierra, në arkipelagun Huan Fernandez, 650 kilometra larg brigjeve të Kilit. Ishte aq i vetëm sa ç‘mund të jetë një qenie njerëzore. Nuk kishte pasur fatin të mposhtte vetminë në shoqërinë e "Premtit", karakter i krijuar nga depoja.

Në të kundërt të ekuivalentit të vet letrar, Selkirku nuk kishte vënë këmbë në atë ishull pas mbytjes së anijes me të cilën udhëtonte. Qe lënë aty nga kapiteni i anijes së vet pas një revolte. Duhet të ketë shqyer sytë teksa anija e tij largohej drejt horizontit. I kishin lënë veç disa rroba, një thikë, një sëpatë, një pushkë, pajisje lundrimi, një tenxhere, duhan dhe një "Bibël".

Sot, në përvjetorin e 300 të kthimit të tij në shoqërinë njerëzore, shkencëtarët janë në gjendje të vizatojnë një kuadër më të qartë të ekzistencës së vështirë të skocezit në atë ishull të shkretë. Ata mendojnë se sot janë në gjendje të thonë si dhe ku jetoi, pjesërisht falë disa sendeve të tij që janë zbuluar vitet e fundit. Mund të rindërtohet edhe jeta e tij pas shpëtimit, si dhe karakteri i tij, i cili nuk ishte për t‘u lëvduar. Selkirku ishte pirat, pinte pa masë dhe herë pas here bënte edhe rufjanin. Duket se gjatë gjithë jetës e pati të vështirë krijimin e raporteve me të tjerët, gjë që shpjegon se si arriti t‘i mbijetonte vetmisë për katër vjet në ishull.

Daisuke Takahashi, një fanatik i Robinson Kruzoit, arriti të merrte fonde nga "National Geographic Society" për një ekspeditë në ishull, gjë që e bëri në shoqërinë e arkeologut skocez, Deivid Kalduell. Të dy qëndruan më shumë se një muaj në ishullin që u pagëzua zyrtarisht me emrin "Robinson Kruzo", në vitin 1966. Edhe sot, mbetet një vend i qetë, i banuar nga rreth 600 peshkatarë. Gjithçka zbuluan e publikuan në revistën "Post-Medieval Archaeology".

Gërmuan në një vend ku Takahashi, i cili e ka vizituar ishullin edhe herë të tjera, mendonte se Selkirku kishte vendosur kampin. Zgjodhi të mos jetonte në ishull, jo prej frikës së kanibalëve, si Robinsoni në roman, por për shkak të spanjollëve, të cilët mund ta vrisnin apo ta kthenin skllav. Në atë pikë, gjetën edhe gropat e hapura nga Selkirku për të krijuar një kasolle, si edhe dy vatra të përdorura për të ndezur zjarr. Nga kampi, 300 metra mbi nivelin e detit, Selkirku ngjitej edhe më lart ku kishte pikën e vëzhgimit. I duhej të kuptonte nëse anija që shfaqej ishte mike apo armike. Në dy raste kishte vërejtur dy anije spanjolle dhe ishte fshehur menjëherë.

Tetë muajt e parë në ishull ishin edhe më të vështirët. Por pak nga pak nisi të ndihej më mirë. Ishulli ishte i përsosur për të. Vërtet qe i burgosur, por edhe më i lirë se kurrë. Klima ishte e butë dhe e thatë thuajse gjatë gjithë vitit, nuk kishte kafshë të rrezikshme dhe uji i pijshëm gjendej me bollëk. Gjithashtu bregu ishte plot me peshq e gaforre, ndërkohë që bimësia qe e dendur dhe e shumëllojshme. U tregoi shpëtimtarëve më pas se e vetmja gjë që i mungonte ishte kripa.

Selkirku nuk kishte qenë njeriu i parë që jetonte aty. Në vitin 1575, eksploruesit spanjollë kishin sjellë dhi në ishull, ashtu si edhe anije të tjera kishin sjellë mace e minj. Ajo që i erdhi vërtet në ndihmë skocezit qe tufa e dhive të egra. Gjuetia u kthye në një sport pak nga pak. Ai mësoi se si t‘i arrinte me vrap dhe si t‘i rrëzonte. U tregoi shpëtimtarëve se liroi shumë prej tyre, por se kishte vrarë 500 dhi për mishin e lëkurën.

Në vitin 1575, atë kohë te të tridhjetat, qe shumë më mirë me shëndet se marinarët që e shpëtuan. Gjysma e ekuipazhit ishte prekur nga skorbuti. Ndërsa shkëlqente nga shëndeti dhe kishte një gjallëri për t‘u pasur zili. Shuajt e këmbëve i qenë trashur aq shumë, sa arrinte të vraponte më shpejt se dhitë në sipërfaqen e ashpër vullkanike të ishullit. Kohët e para nuk arrinte të vishte këpucë dhe organizimi nuk i pranonte alkoolin.

Për rreth tre vjet me radhë, Selkirku lundroi nëpër botë me bukanierët që e shpëtuan. Në vitin 1711, ai u kthye në Angli me një pasuri të konsiderueshme të krijuar falë sulmeve ndaj anijeve armike. U bë menjëherë një njeri i famshëm dhe i tregonte aventurat në ishull nëpër lokale. Arkeologu Kalduell spekulon se në një rast të tillë u takua edhe me Daniel Defo.

Por Selkirk nuk ndihej i lumtur në botën e qytetëruar dhe i mungonte shumë ishulli. Sipas një gazetari, në një rast kishte thënë: "Sot, kam 800 paund, por nuk do të jem kurrë i lumtur si atëherë, kur në xhep nuk kisha as edhe një peni". Pinte shumë e gjithashtu përfshihej në zënka, ishte martuar me dy gra në të njëjtën kohë. Por duket se më pas iu kthye sërish detit, kësaj here me gradën e togerit.

Ai vdiq më 12 dhjetor të vitit 1721, në moshën 45-vjeçare, për shkak të etheve të verdha, në brigjet e Afrikës Perëndimore. Robinson Kruzo qe kthyer në një bestseller të suksesshëm që në atë kohë. Por enigmë mbetet ditari që, sipas vetë atij, mbajti me përpikëri gjatë gjithë kohës së qëndrimit në ishull. Ditari përmendet edhe në një prej letrave që i dërgonte njërës prej bashkëshorteve. Sipas arkeologut Kalduell, pak pas vdekjes, dorëshkrimet e Selkirk ranë në duart e Dukës Hamilton, aristokrati më i pasur në Skoci. Në shekullin XIX, pasardhësit e tij i shitën në një ankand. Sipas arkeologut Kalduell, nëse ditari i Robinson Kruzoit ka ekzistuar me të vërtetë, sot mund të gjendet në ndonjë arkivë gjermane.

G. Shqip