Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shirley Cloyes DioGuardi: Kriza në Luginën e Preshevës

| E diele, 08.02.2009, 01:53 PM |


Shirley Cloyes DioGuardi
Shirley Cloyes DioGuardi
Kriza në Luginën e Preshevës

Nga Shirley Cloyes DioGuardi

Mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës (në jug të Serbisë) u mblodhën më 28 janar, në qytetin e Preshevës, për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të dhjetë shqiptarëve të arrestuar nga forcat e xhandarmërisë serbe, muajin e kaluar, nën akuza për krime lufte gjatë luftës së Kosovës, më 1999. Shumica e të arrestuarve u torturuan dhe mandej u transferuan në burg, në Beograd. Protestuesit, po ashtu, kërkuan amnisti për luftëtarët lokalë, që luftuan kundër forcave serbe në Luginë të Preshevës në vitet 2000 e 2001, gjatë një konflikti që përfundoi me një marrëveshje të hartuar nga NATO, SHBA-të dhe OSBE. Ditën para protestës, partitë politike shqiptare në Preshevë lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke thirrur komunitetin ndërkombëtar për të "ndërmjetësuar në bisedime mes qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë, për të vlerësuar procesin shtatëvjeçar të paqes dhe për të ndaluar keqësimin e mëtejshëm të gjendjes politike dhe të sigurisë".

Ky është kursi i moralshëm i veprimit, duke pasur parasysh dekadat e shkeljeve të të drejtave njerëzore të shqiptarëve në jug të Serbisë. Ky është, po ashtu, kursi pragmatik i veprimit, sepse arrestimet-gjerësisht të besuara si një përpjekje nga ana e qeverisë së Serbisë për të kriminalizuar shqiptarët, derisa të bëjnë spastrimin etnik të "heshtur" të Luginës së Preshevës dhe ndarjen e veriut të Kosovës— kërcënojnë stabilitetin e Luginës dhe rajonit. Me luftërat në vazhdim, në Afganistan dhe Irak, komunitetit ndërkombëtar aspak nuk i duhet edhe një konflikt i ri në Evropën Juglindore.

Në mars 1992, pas dekadash diskriminimi anti-shqiptar dhe represioni, 99 për qind e shqiptarëve të Luginës së Preshevës votuan për të qenë një "rajon special territorial dhe kushtetues", që do t‘i bashkëngjitej Kosovës, nëse përcaktimi i statusit të saj politik përfundonte në ndarjen e pjesës veriore të saj. As Beogradi dhe as komuniteti ndërkombëtar nuk e njohën këtë vullnet. Në fund të luftës së Kosovës, trupat serbe në tërheqje përdhunuan, vodhën dhe dogjën gjatë kalimit nëpër Luginë të Preshevës, duke detyruar të ikin mijëra banorë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk kanë pasur mundësi të kthehen në vatrat e tyre.

Kjo, së bashku me përkeqësimin e gjendjes ekonomike (më se 75 për qind e shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë të papunë) dhe diskriminimin politik, solli deri te formimi i UÇPMB-së, e cila luftoi kundër forcave serbe të sigurimit nga viti 2000 deri më 2001. Luftimi përfundoi në mars 2001, kur të dyja palët nënshkruan një marrëveshje demilitarizimi, të njohur si Marrëveshja e Konculit. Marrëveshja e Konculit kërkonte reforma madhore nga ana e Beogradit për të garantuar të drejtat e nevojshme njerëzore dhe qytetare për shqiptarët e këtij rajoni, por shumë prej këtyre reformave të premtuara as kanë filluar. Ndërkohë, një bazë e madhe ushtarake serbe është afër përfundimit së ndërtuari në Cepotin, shumë afër Bujanovcit. Shqiptarët këtë e konsiderojnë si një provokim dhe marrje nën kontroll ushtarak të Luginës.

Dallimi mes të drejtave të garantuara për serbët që jetojnë në veri të Kosovës (që përfshin edhe lidhjet e tyre me institucionet në Serbi) dhe mohimit të të drejtave njerëzore e qytetare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës (duke përfshirë qasjen në institucione në Kosovë e Shqipëri) është i tmerrshëm, shkel standardet ndërkombëtare dhe është krejtësisht i paqëndrueshëm. Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë qëndrim publik në përkrahje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të insistojë që Beogradi të përfundojë abuzimet e tij, nëse dëshiron pranim në Bashkimin Evropian.

Ka pasur përgjigje jo të bollshme nga ana e komunitetit ndërkombëtar në lidhje me arrestimet ilegale të dhjetë shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe torturën e ushtruar mbi ta. Edhe SHBA-të thuajse u gjendën në pozita të palakmueshme për të reaguar, pasi ishin në mes të transferimit të pushtetit nga Bushi tek Obama. Ky tranzicion pushteti zyrtarisht ka mbaruar, dhe për shkak të rrezikut që paraqet situata në Luginë të Preshevës ndaj stabilitetit rajonal, duhen ndërmarrë veprime të menjëhershme për të hulumtuar bazën e këtyre arrestimeve, për të dënuar publikisht torturën e të burgosurve shqiptarë, dhe për të kërkuar lirimin e tyre. Këshilli i Evropës duhet gjithashtu të paraqesë një rezolutë në emër të të burgosurve, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut në rajon dhe anekënd botës duhet t‘i bashkëngjiten kësaj nisme. Partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës duhet të thërrasin një takim me Presidentin Boris Tadiç dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit (BE-së, SHBA-ve, Japonisë, Australisë dhe Kanadasë) për të zgjidhur konfliktin. Lidershipi i Luginës së Preshevës duhet të refuzojë kryerjen e detyrave të tyre në kuadër të qeverisjes lokale, derisa të fillojë një proces serioz i ndërmjetësimit, që përfshin shqiptarët, serbët dhe ndërkombëtarët.

G. Shqip