E shtune, 20.04.2024, 01:23 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Oleg Gordievski, Arratia e pabesueshme e një kryespiuni

E diele, 08.02.2009, 01:24 AM


Historia e Oleg Gordievskit nuk është e marrë nga ndonjë roman i Le Carre apo nga ndonjë film me 007, është një ndodhi reale, e cila ka për protagonistë dy agjentë të fshehtë në nivelet më të lartë respektivë të CIA dhe KGB, të shndërruar të dy në urithët më të rëndësishëm për shërbimin kundërshtar. Oleg Gordievski, një njeri i KGB, është një prej funksionarëve të shumë të dërguar në ambasadat sovjetike në të gjithë botën.

Fillon punë pikësëpari në Danimarkë, më pas në Londër ku, në vitet tetëdhjetë nis për të një karrierë brilante që e bën atë numrin një të rrjetit sovjetik të spiunazhit në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë, që arrin sukseset e parë si agjent i KGB-së, në të njëjtën kohë Oleg Gordievski fillon të krijojë distanca me atë sistem sovjetik, të cilin e konsideron fajtor për krime dhe vrasje të panumërta kundër bashkëqytetarëve dhe aleatëve të tij. Fillimi i bashkëpunimit të Gordievskit me shërbimet perëndimorë e ka një datë, vitin 1968, vit kur u pushtua Çekosllovakia nga ana e tankeve sovjetikë. Për kryespiunin sovjetik, kjo ngjarje ishte pika e ujit që e mbushi kupën.

Që nga ajo ditë, për më shumë se 15 vite, Gordievski shndërrohet në një prej burimeve kryesorë në shërbim të shërbimeve perëndimorë, MI6 britanike dhe CIA amerikane, për të shtënë në duar informacione prej armikut të urryer. Jeta e Gordievskit në Londër ka ecur në tehun e thikës. Ai mbante kontakte të rregullt me agjentë britanikë, të cilëve në ndërkohë u kalon një sasi informacionesh mbresëlënës. Kontaktet kryeshin gjithmonë në orën e drekës, në një apartament në qendër të Londrës shumë pranë ambasadës sovjetike.

Gordievski, del bashkë me kolegët me valixhen e tij, merr makinën, bën gjoja sikur shkon për të drekuar apo në një vend ku luan tenis, bën lëvizje në formë rrethi për t'u siguruar se nuk është duke u ndjekur nga askush, hyn në garazhd, mbulon makinën e tij me një mushama me qëllim që të mos vihet re targa diplomatike, më pas hipën në apartamentin ku e presin disa agjentë anglezë, të gatshëm për të kryer mikrofilmime të dokumentave të fshehtë që ai ka sjellë.

Kontakti zgjat vetëm dy minuta. Pas kësaj, Gordievski merr sërish automjetin, rikthehet në zyrë përpara se të kthehen kolegët e tij dhe vendos sërish në vendet e tyre dokumentat që vetëm pak më parë ka kopjuar për agjentët. Eshtë një rutinë që kërkon shumë angazhim, rrezikshmëria e së cilës qëndron mbi të gjitha në shtrirjen e saj në kohë, deri në vitin 1985. Padyshim që Gordievski mban parasysh edhe faktin që një ditë mund të zbulohet.

U kërkon anglezëve një plan për mbrojtje apo një arrati të mundshme, plan i cili azhornohet dhe modifikohet në mënyrë të vazhdueshme.

Ky kujdes kaq i madh vjen mbi të gjitha për shkak të vetëdijes që, përderisa shërbimet perëndimore ia kishin dalë mbanë të rekrutonin në radhët e tyre shumë agjentë sovjetikë, përse kjo gjë duhej të mos kish ndodhur edhe në KGB.

Në fakt, në vitin 1985, një funksionar i rëndësishëm i CIA-s (kreu i kundërspiunazhit, seksioni i Bashkimit Sovjetik) që prej kohësh kishte kaluar në radhët e armikut furnizon KGB-në një listë me emra. Janë ata që bëjnë lojë të dyfishtë, spiunë sovjetikë që kanë kaluar në anën e perëndimorëve, ata që në gjuhën e përditshme quhen "urithë". Mes tyre është edhe emri i Oleg Gordievskit.

I thirrur krejt papritur në Moskë, funksionari i lartë i ambasadës sovjetike në Londër nuk di çfarë të bëjë. U kërkon këshilla dhe mbrojtje miqve të tij të rinj të shërbimit anglez, të cilët megjithatë e bindin që të shkojë në Moskë, për të mos shkaktuar dyshime të mëtejshëm. Më pas, shohim e bëjmë. Me vete merr një plan arratisjeje, të fshehur në kopertinën e një romani të vjetër anglez të viteve tetëqind, të cilin Gordievski e merr gjithmonë me vete. Sapo mbërrin në Moskë, kryespiuni e kupton menjëherë që është në kurth.

Një gjoja mbledhje pune shndërrohet për Gordievskin në një seancë makthi marrjesh në pyetje. I ofrohet konjak, por në momentin që janë duke e hedhur në gotën e tij, shishja mbaron. Një shishe tjetër përmban drogë, ilaçin e të vërtetës.

Gordievskin e mbërthen fillimish një eufori shumë e madhe, gjatë të cilës flet në mënyrë të shfrenuar e të lirshme dhe më pas, dalëngadalë truri i tij nis të frenoojë deri kur humbet vetëdijen. Zgjohet një ditë më vonë në apartamentin e tij në Moskë. Nuk e di përse, por ia ka dalë mbanë që të mos flasë, ndërkohë që i ka mbetur kujtimi i burrit që i ulëriste: "Shoku Gordievski, as nuk mundesh ta imagjinosh nga cili burim ne kemi mësuar se ti je një spiun britanik. Rrëfehu, rrëfehu, rrëfehu...!"

As vetë nuk e kupton përse nuk ka folur, por tashmë është i dëshpëruar. Nuk ka rrugë shpëtimi. Eshtë e qartë se për momentin e kanë lënë të lirë për të mos krijuar dyshime mbi ata që e kanë tradhëtuar, por është e sigurtë se ndalesa e radhës nuk mund të jetë tjetër veç ekzekutimit.

Për të rezistuar, Gordievski nis të pijë dhe të marrë sedativë. Apartamenti tij është i kontrolluar gjithë kohën. Njerëzit e KGB-së kanë vendosur mikrofonë për interceptime ambientale dhe ndoshta edhe mikrotelekamera. Për të lexuar udhëzimet që përmban plani i arratisë, Gordievski bën gjoja sikur lan rrobat, fut në ujë kopertinën e librit dhe nxjerr prej aty pelikulën, të cilën e lexon vetëm natën, në dritën e qiririt.

Plani tregon se ku dhe kur duhet të ndodhë kontakti i parë: ditën e martë, në 4 të pasdites, në një stacion autobusi. Gordievski duhet të qëndrojë i palëvizur për dhjetë minuta, duke mbajtur në duar një qese plastike me logon e një magazine të madhe. Dikush do ta vërë re.

Prova që sinjali i dhënë prej tij është kuptuar do të vijë të dielën pasardhëse, në Kishën e Shën Bazilikës ku Gordievski, duke u përzierë mes turistëve duhet t'i kalojë një mesazh të shkruar një gruaje të veshur me rroba ngjyrë gri, duke përfituar ndoshta edhe nga shkallët e ngushta që të çojnë tek ballkoni i vogël. Megjithatë, plani i shërbimit të fshehtë britanik përmban edhe një gabim banal: si sinjal njohjeje Gordievski duhet të mbajë mbi kokë një kapele të leshtë, ndërkohë që dihet se burrat në kishë duhet të shkojnë me kokën zbuluar.

Duke ndier që po e vëzhgojnë, Gordievskin e mbërthen paniku dhe largohet nga kisha përpara takimit me gruan, duke gëlltitur copën e letrës që e mbante të shtrënguar në njërën dorë.

Në këtë pikë, Gordievski është i dëshpëruar. Nuk i mbetet përveçse një shans i fundit: në rast të mungesës së kontaktit, plani parashikonte një tentativë të dytë në të njëjtin stacion autobusi, në portën pasardhëse. Kalimi përpara stacionit të autobusit i një njeriu me fytyrë perëndimori, i cili e sheh ndërkohë që ha një çokollatë që mban në duar, është sinjali që tregon kalimin në fazën e dytë të planit të arratisë.

Të martën pasardhëse, Gordievski del nga apartamenti i tij disa orë më herët, të cilat i shërbejnë për të ngatërruar agjentët e KGB-së që i qëndrojnë pas gjatë të gjithë kohës. Një labirint rrugësh, kalime në metro, në magazina të mëdha për të parë nëpërmjet vitrinave nëse ndokush është duke e ndjekur, pa u dashur të kthehet. Më pas, sërish shëtitje të tjera deri tek stacioni i autobusit. Këtu pritja duket e pafundme dhe Gordievski qëndron i palëvizur deri në momentin që shfaqet një burrë, duke ngrënë çokollatë.

Udhëzimet për fazën e dytë, arratia e vërtetë, përmbahen në kopertinën e një vëllimi të dytë. E njëjta procedurë. Gjoja larje rrobash. Pelikula lexohet në dritën e qiririt.

Arratia është programuar për ditën e katërt pas kontaktit. Këtë herë, udhëzimet përmbajnë një hartë gjeografike. Gordievski duhet të shkojë në Viborg, një qytezë e vogël që ndodhet në kufi me Finlandën, të marrë një autobus dhe të ndalojë në mesin e një pylli pranë një shkëmbi të madh.

Arratia është jashtëzakonisht shumë e rrezikshme. Gordievski del nga shtëpia, hyn në park dhe nis të vrapojë drejt pemëve për të ngatërruar ata që e ndjekin nga pas. Më pas hipën në autobus, në taksi, në metro, deri kur pas disa orësh vendos që të shkojë drejt stacionit.

Për t'i rezistuar tensionit, përpara se të hipë në tren merr disa qetësues të tjerë. Gjatë natës, bie nga sedilja dhe pëson një plagë në kokë. Kur mbërrijnë në Leningrad, shokët e tij të udhëtimit duan që ta çojnë në spital, por Gordievski përpiqet të minimizojë atë që ka ndodhur. Pas kësaj, mbërrin në stacionin e Viborgut. Që këtu, duke ndjekur udhëzimet, hipën në autobusin që duke kaluar nëpër pyll, duhet ta çojë në vendin e takimit. Por nuk është i sigurtë se do të arrijë ta njohë.

Në momentin kur beson se e ka pikasur, bën sikur është i sëmurë dhe i kërkon shoferit që të ndalojë dhe të zbresë. Kur zbret në tokë, bën gjoja sikur i nisin të vjellat, ndërkohë që autobusi niset, duke e lënë Gordievskin me dyshimin që shoferi mund të jetë në dijeni. Pas një tjetër pritjeje të pafundme, më në fund vjen makina e agjentëve britanikë, që veprojnë nën mbulesën diplomatike. Makina, gjithmonë e ndjekur nga agjentë rusë, kishte rritur shpejtësinë me t'iu afruar vendit të takimit, duke fituar kështu shtatëdhjetë sekonda. Aq sa mjaftonte për të marrë Gordievskin brenda në automjet deri kur të afrohej sërish makina e rusëve. Kur e gjetën pas shpine, pasi e kishin humbur nga sytë, agjentët rusë duhet të kenë menduar se bëhet fjalë për një ndalesë për nevoja fiziologjike. Ndoshta!

Me lëvizje plot nervozizëm dy agjentët anglezë e sistemojnë Gordievskin në bagazh, duke e mbuluar me letra alumini për të mos lejuar pikasjen e tij prej sensorëve me rreze infra të kuqe. Këtu ka nisur edhe faza e fundit dhe më e rrezikshme e arratisë. Nëse në një postbllok do ta kishin zbuluar, agjentët britanikë do të kishin thirrur "Provokim!" dhe do ta kishin lënë Gordievskin në fatin e tij, domethënë në duart e kasapëve të KGB-së. Që nga brenda bagazhit, Gordievski numëron pesë postblloqe. Ka frikë mbi të gjitha nga qentë, por bagazhi nuk hapet asnjëherë. Pastaj, më në fund, Finlanda.

Oleg Gordievski është i vetmi njeri që ka mundur të arratiset nga Bashkimi Sovjetik në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe është gjithashtu i vetmi, mes shumë agjentëve të zbuluar tek bënin lojë të dyfishtë, që i ka shpëtuar ekzekutimit.

Që nga ai moment, i djegur si spiun, Gordievski nis të organizojë konferenca në Britani dhe Amerikë, ndërkohë që në mendje ka një ide fikse: zbulimin e tradhëtarit. Gjatë bisedave të shumta, deri dhe me kryeministren britanike, Margaret Thatcher, me Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe me pasardhësin e tij, Bush, duke kërkuar t'i bindë se një urith në nivelet më të lartë po i bën dëm shërbimeve perëndimore, ndoshta nga brenda CIA-s.

Pas kësaj, nisin një seri hetimesh të fshehtë brenda shërbimit amerikan pa asnjë rezultat. Më pas ngrihen komisione hetimore dhe kalohet në marrjet në pyetje. Shumë funksionarë të dyshuar i nënshtrohen provës së makinës së të vërtetës, por urithi nuk gjendet deri ditën kur, në vitin 1993, CIA vendos t'ia besojë FBI-së gjetjen e tradhëtarit. Pas disa muajsh hetimesh dhe përgjimesh, më në fund spiuni i brendshëm kryen një gabim banal.

Në koshin e plehërave në apartamentin e njërit prej të dyshuarve gjendet një kopje e një letre drejtuar KGB. Eshtë prova se spiuni më shkatërrimtar i shërbimeve perëndimore i ka tashmë ditët të numëruara. Bëhet fjalë për Aldrixh Ames, një funksionar i CIA-s, përgjegjës pikërisht për Bashkimin Sovjetik dhe prej vitesh i kaluar në radhët e armiqve të tij. Presidenti Clinton detyrohet të zbulojë zyrtarisht ndodhinë që futi në krizë të gjithë shërbimin amerikan të inteligjencës: CIA është bërë një organizatë kaq gjigande, saqë nuk është më në gjendje të sigurojë as fshehtësinë e veprimtarisë së saj.

Ames dhe bashkëshortja dënohen me burgim të përjetshëm për tradhëti të lartë, ndërkohë që agjentët sovjetikë, emrat e të cilëve ishin në atë listë të famshme të atyre që bënin lojë të dyfishtë, të cilën Ame ia kish dërguar KGB-së janë dënuar të gjithë me vdekje ose janë zhdukur mes akujve të Siberisë. Vetëm Oleg Gordievski, sot qytetar britanik, është ende gjallë. Por dënimi me vdekje për të nuk është shfuqizuar kurrë.

 

 

Intervistë me Oleg Gordievskin

Kur bëhesh spiun, mbetesh përjetë i tillë

-Zoti Gordievski, si arritët të bindni shërbimet e fshehtë britanikë se ishit i besueshëm dhe jo një provokator i KGB-së?

Nuk ishte edhe aq e ndërlikuar. Eshtë e vërtetë që në fillim agjentët anglezë u treguan shumë të kujdesshëm dhe dyshues, por shumë shpejt dyshimet e tyre u davaritën, për arsye se ato informacione që unë u përcillja ishin aspekte absolutisht shumë sekretë të jetës dhe të politikës sovjetike. Sasia dhe cilësia e informacioneve të mia i bindi, se ai i imi ishte një bashkëpunim shumë i sinqertë.

-Dhe çfarë lloj informacionesh u kalonit shërbimeve të fshehtë perëndimorë?

Lista është shumë e gjatë. Ishin emra të infiltruarish të KGB-së në pozicione kyçe të shumë vendeve perëndimorë, emra agjentësh perëndimorë, të cilët KGB i kishte zbuluar dhe tashmë i përdorte si informatorë, dosje shumë të fshehta që i përkisnin politikës së jashtme sovjetike. Nga informacionet e mia, anglezët arritën të hartojnë më shumë se gjashtë mijë raporte. Por, ndoshta aspekti më i rëndëisshëm i veprimtarisë sime ishte zbulimi i mentalitetit të vërtetë sovjetik, paranoja që u shkaktonte atyre ideja e një sulmi të mundshëm bërthamor nga ana e botës perëndimore. Një marrëzi. Në fillim anglezët nuk donin të më besonin, por kur unë u dhashë atyre dokumenta (direktiva nga Moska për përgatitjet për një sulm të mundshëm bërthamor), kuptuan se nuk po bëja shaka. Lidershipi sovjetik ishte shumë i çuditshëm, ai ndikohej në vendimet e tij nga propaganda që po vetë krijonte, nga indoktrinimi që e kish krijuar ai vetë. Kur anglezët informuan amerikanët për këtë lloj qasjeje të sovjetikëve, Presidenti amerikan, Reagan mori masa me qëllimin që të bënte të kuptohej më mirë politika e jashtme e perëndimi: disa lloj aktivitetesh stërvitorë u shtynë, u intensifikuan kontaktet me politikanë dhe ushtarakë sovjetikë deri kur, në nëntor të vitit 1985 u organizua në Gjenevë i famshmi takim Reagan-Gorbaçov. Besoj se të paktën pjesërisht, kjo lloj hapjeje erdhi edhe për meritë të zbulimeve të mia.

-Nuk jeni ndier asnjëherë në faj ndaj vendit tuaj, për faktin që kaluat në shërbim të perëndimit?

Jo, asnjëherë. Përkundrazi, jam ndier i çliruar nga fakti që pushova së shërbyeri një regjimi kriminal dhe krenar, që vazhdova të punoj për një vend civil, i cili respekton ligjin, si Britania e Madhe. Kam vetëm një ndjenjë të lehtë faji për disa agjentë sovjetikë - 3 ose 4, të cilët u dëbuan në vijim të zbulimeve të mia, por që nuk kishin aspak të bënin me spiunazhin. Njëri ishte një teknik elektrik shumë i zoti, një tjetër ishte ekspert në deshifrimin e mesazheve të koduar... të gjithë njerëz seriozë. Megjithatë, kam mësuar se nuk janë trajtuar aspak keq: asnjëri nuk u burgos, asnjëri nuk u torturua.

-Zoti Gordievski, ju keni njohur për shkak të përvojës tuaj direkte shërbimet e fshehtë më të rëndësishëm të botës: KGB-në, CIA-n, MI6-ën britanik. Cilët janë dallimet?

Ata që ju cituat janë praktikisht të vetmit shërbime të fshehtë globalë. Por janë shumë të ndryshëm mes tyre. MI6-a britanik është ndoshta më i miri, për arsye se është një organizatë e vogël, jo e kushtueshme, e përbërë nga persona inteligjentë dhe të mirëstërvitur. Njerëz që mund të operojnë në çfarëdolloj ambienti, duke ia dalë gjithmonë mbanë. Janë edhe shumë autonomë, domethënë në gjendje që të marrin vendime të menjëhershëm pa patur nevojë të konsultohen me eprorët e tyre. Veç kësaj, nuk ka një sektor të analizave politike, që të koordinojë me një zyrë në Ministrinë e Jashtme. Ndërsa si CIA, ashtu edhe KGB, që janë të paktën 35 herë më të mëdha, kanë sektorë shumë të mëdhenj për analizën e informacioneve. Për shembull në CIA, është e vështirë të kuptosh se kur është koha që i kushtohet analizave ... dhe cila është koha që i duhet kushtuar veprimtarisë operative, kontakteve me burimet etj. Por të paktën, në CIA ishin profesionistë të vërtetë. Në KGB, mund të ishin agjentë të zotë dhe inteligjentë, por shpesh herë këta detyroheshin t'ia fusnin kot, të falsifikonin apo të sajonin shumë raporte, pra, pa patur burime. Në këtë mënyrë, në qeverinë qëndrore mbërrinin informacione të vërtetë bashkë me të tjerë të sajuar. Kur politika sovjetike u bë shumë konfuze në kohën e Gorbaçovit, ajo u bë edhe më konfuze me Jelsinin dhe Primakovin, dhe e gjithë kjo ndodhi për shkak të tendencës së agjentëve që të sajonin informacione në vend që të mblidhnin informacione të vërtetë.

-Ju keni takuar persona të rëndësishëm, si Gorbaçovin. Çfarë përshtypje ju ka lënë?

Nuk më bëri ndonjë përshtypje kushedi çfarë. Ishte një llafazan i madh. Fliste, fliste, fliste... dhe rusishtja e tij kishte një theks të tmerrshëm dhe bënti gabime gramatikorë. Nuk m'u duk shumë inteligjent. Në realitet, reformat e tij ishin më shumë punë e dy këshilltarëve kryesorë, Shevarnadze dhe Jakolev. E megjithatë, ai mori përsipër përgjegjësitë. Ato vendime çuan në një zbutje të regjimit, në raporte më të mirë me perëndimin, në çarmatim dhe në fund në rënien e komunizmit në Evropë e më pas në Bashkimin Sovjetik. Unë nuk e di, nëse Gorbaçovi i kuptonte deri në fund pasojat dhe rëndësinë e atyre vendimeve, por i duhet njohur merita për kurajon.

-Ju keni takuar edhe Margaret Thatcherin...

Po, e kam takuar disa herë. Një grua jashtëzakonisht shumë inteligjente, e mprehtë, me një memorie të jashtëzakonshme, shumë e informuar. Gjithmonë kishte në duar raportet e mia, në të cilët kishte nënvizuar pjesët më interesante. Megjithatë, gjatë një takimi nuk ishim aspak dakord me diçka. Ishte drejt fundit të mandatit të saj, më duket se në 1989. Thatcher ishte kundër ribashkimit të dy Gjermanive. Më kujtohet që pyesja veten: "Si mundet, një person kaq brilant, të jetë kundër ribashkimit të dy Gjermanive?" Ishte njësoj sikur dikush të thoshte: "Preferoj Italinë e ndarë, siç ka qenë një herë e një kohë..." Nuk shkon. Nuk isha dakord në këtë pikë dhe ia thashë.

-Dhe çfarë mbani mend nga veprimtaria e KGB në Itali?

Italia ishte një vend shumë i rëndësishëm për KGB-në. Kishte një stacion shumë të madh në Romë si dhe shumë stacione të vegjël në qytete të tjerë. Veprimtaria e KGB në Itali ishte intensive dhe agresive, ashtu sikurse dhe në Francë, Gjermani apo SHBA. Me aq sa di unë, fakti që KGB arriti të rekrutonte shumë informatorë në Itali varej nga prania e një partie të madhe komuniste, si dhe një qasjeje përgjithësisht të kuptueshme kundrejt Bashkimit Sovjetik jo vetëm nga e majta, por edhe nga shumica e popullsisë. Ndoshta ndodhitë e Luftës së Dytë kanë patur ndikimin e tyre në këtë qasje. Eshtë gjithashtu e sigurtë që në periudha të caktuara, Bashkimi Sovjetik është parë me një lloj romanticizmi nga italianët: duke injoruar aspektet negative dhe idealizuar ato pozitive. Edhe për këtë arsye, shumë zyrtarë të KGB që vinin pas shërbimeve në Itali promovoheshin për sukseset e tyre. Edhe qeveria dhe shërbimet italiane kishin një qasje thuajse dashamirëse kundrejt njerëzve të KGB-së: dëbimet ishin shumë të rrallë dhe kishte një siguri të tillë veprimi, saqë shpesh herë mendohej të përdorej Roma, në vend të Helsinkit apo Vienës, si vend për mbledhjet kryesore të agjentëve të KGB në perëndim. Kishte një klimë kaq miqësore...

-Ju ndjeni nostalgji për vendin tuaj?

Jo. Nostalgji jo, por interes kam. Rusia po ndryshon me shpejtësi, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Do të doja të kthehesha në Moskë për të parë nga afër këta ndryshime dhe të kuptoj çfarë po bën sistemi i ri. Në fund të fundit, jam një analist politik informacionesh dhe më mungon një kontakt nga afër. Por nuk kam nostalgji. Nuk jam tip sentimental.

-A ndjeni ende rrezik, apo gjithçka ka kaluar?

Teorikisht jam ende në rrezik, sepse dënimi im me vdekje nuk është anulluar dhe përkundrazi, KGB pikërisht para disa kohësh, e konfirmoi duke deklaruar se e konsideron definitiv dënimin tim me vdekje.

HELMIMI

Në 2 nëntor 2007, Gordievski u mor me urgjencë nga shtëpia e tij në Surrey drejt një spitali lokal, ku qëndroi 34 orë i pavetëdijshëm. Ai ka mbetur ende pjesërisht i paralizuar. Gordievski deklaroi se, ishte helmuar në një përpjekje për ta vrarë, duke thënë se kish marrë tableta të atyre që besonte se ishin sedativë "Xanax" nga jashtë, me ndihmën e një rusi të paemër. Ai tha se i kish marrë tabletat në 31 tetor. Gordievski deklaroi se ishte i sigurtë që ishte shënjestruar nga ish-KGB dhe se pilulat ishin të helmuara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora