E enjte, 18.04.2024, 02:16 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Genocidi turk mbi Armenet

E merkure, 11.05.2005, 09:38 PM


Tmerri në shkretëtirë

90 vjet më parë, më 24 prill 1915 Lëvizja e Xhonturqve në Perandorinë e atëhershme Osmane filloi me dënimin, masakrimin dhe asgjësimin e popullsisë armene të Anadollit. Krimet e llahtarshme vazhduan deri në vitin 1917. Historianët seriozë janë dakord se në aksionet e përgjakshme të xhonturqve u vranë mes 800 mijë deri 1.4 milionë armenë. Po ashtu shkencëtarët e shohin kasaphanën osmane kundër armenëve si pararendëse të gjenocidit të nazistëve kundër hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Armenët janë një popull i lashtë kristian, të cilët janë sunduar nga romakët, turqit dhe rusët. Në jug të Turqisë ata kanë jetuar me shekuj. Një pjesë e këtij vendi të vogël tani është Republikë e pavarur, pasi ka fituar pavarësinë menjëherë pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik. Në vitet e fundit të Perandorisë Osmane, mbi 2,5 milionë armenë jetonin kryesisht në pjesën jugore të Turqisë së sotme. Aktualisht në Turqi jetojnë rreth 65 mijë armenë. Përndjekja e armenëve pat filluar nga lëvizja e xhonturqve. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, terrori u ashpërsua. Xhonturqit, të cilët morën pushtetin në vitin 1908, ndiqnin një politikë nacionaliste dhe akuzonin armenët e krishterë si bashkëpunëtorë të rusëve, gjë që ishte një shpifje. Në vitet 1915 dhe 1916 rreth 1.8 milionë armenë u deportuan në drejtim të Sirisë dhe Irakut. Pjesa më e madhe e tyre u vranë e u masakruan gjatë rrugës. Turqia edhe sot e kësaj dite e minimizon gjenocidin, duke theksuar se vetëm 200 mijë armenë kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjeve dhe masakrave të ndërsjella. Ndërkohë, shumë parlamente të vendeve evropiane i kanë kualifikuar krimet osmane si gjenocid. Një pjesë e madhe e armenëve gjetën strehë në perandorinë ruse, në Siri dhe në diasporë. Sot diaspora armene është njëra ndër më aktivet në botë dhe vazhdimisht ushtron presion kundër qeverive perëndimore, që nga Turqia të kërkojë ballafaqimin me këtë kapitull të errët të historisë.

Kampe shtegtare

Krimet osmane në fillim të shekullit 20-të kundër armenëve kishin tronditur Evropën. Në romanin e famshëm “40 ditët e Musa Dagut” shkrimtari hebre Franz Ëerfel i ka ngritur një përmendore vuajtjeve të këtij populli. Ëerfel, i cili kishte udhëtuar nëpër vendbanimet e armenëve, shkruan se atje kishte gjetur parajsën, e cila nga osmanët ishte shndërruar në ferr. “Ne jemi një popull i mjerë”, thotë njëri prej personazheve të romanit. Fjala është për 5000 armenë të vendosur si barrikadë në kodrën e Musa Dagut, të cilët përpiqeshin t’i shpëtonin deportimit nga osmanët. Libri i Ëerfel është rrëfim letrar, por ai i afrohet realitetit të asaj kohe. Dy muaj pas botimit në Gjermani, vepra ishte ndaluar në vitin 1933 nga nazistët. Kjo nuk ishte habi, sepse Ëerfel shkruante në jug të Perandorisë, gjithnjë e më të vogël, Osmane, ku kishte parë kampe shtegtare të shfarosjes.

Shkrimtari i kërcënuar

Shumica e armenëve të Turqisë sot jetojnë në Stamboll. Ata janë qytetarë luajalë të Turqisë. Nga territori që dikur popullohej prej tyre ka mbetur vetëm një katund në kodrën Musa Dag. Ky katund quhet Vakifli Köy dhe ka 140 banorë. Këto ditë ky fshat vizitohet nga gazetarë të shumtë perëndimorë. Të gjithë janë në kërkim të gjurmëve të armenëve. Prej 140 banorëve vetëm njëri prej tyre ka qenë gjallë kur ka ndodhur gjenocidi. Avdedis Demirci është 91 vjeç, dmth. në vitin 1916 ka qenë 1 vjeç dhe nuk i kujtohet asgjë nga tmerri. Por, ai tërë jetën ka jetuar me kujtimet e anëtarëve të familjes, të cilët i kanë rrëfyer për periudhën e masakrave turke.
Në Turqi ende është tabu të flitet për gjenocidin kundër armenëve. Së fundi, shkrimtari i famshëm Orhan Pamuk, i cili sapo ka botuar në gjermanisht romanin “Bora”, kritikoi Turqinë zyrtare dhe elitat intelektuale se falsifikojnë me fanatizëm historinë dhe mohojnë faktet. “Gati askush” në Turqi nuk flet për atë se mbi një milion armenë janë vrarë. Pas intervistës kundër Pamukut u ngrit në këmbë gati mbarë Turqia. Disa e quajtën tradhtar, të tjerët iu kërcënuan me vdekje autorit të respektuar. Nacionalistë turq dogjën libra dhe portrete të shkrimtarit, një kryetar komune madje kërkoi heqjen e librave të Pamukut nga biblioteka e qytezës. Vetëm pas ndërhyrjes së guvernatorit të krahinës ky qëllim nuk u realizua.

Dy pashallarë

Por, edhe në Turqi ka filluar të ndryshojë mentaliteti. Qeveria e kryeministrit Rexhep Taip Erdokan patjetër dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Kjo qeveri dëshiron të ecë shpejt drejt Brukselit, pa pengesa, andaj viteve të fundit janë miratuar shumë ligje, të cilat janë të pajtueshme me legjislacionin evropian dhe dalëngadalë në shoqëri po injektohen vlera perëndimore. Tashmë në Turqi ka emisione televizive në gjuhën kurde, gjë që para pak vitesh as që ka mundur të merret me mend. Këngëtarë kurdë guxojnë të këndojnë në gjuhën e tyre. Presioni i madh evropian ka bërë që nga burgu të lirohet aktivistja e njohur kurde Lejla Zana, e cila – njëlloj si Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova – është nderuar nga Parlamenti Evropian me çmimin “Saharov” për të drejtat e njeriut.
Ditëve të fundit Turqia ka bërë disa lëvizje edhe sa i përket kapitullit tabu mbi armenët. Diaspora armene në SHBA bëri presion që kryetari Bush në fjalimin e 24 prillit (90 vjet pas krimit osman kundër armenëve) të përmendte për herë të parë nocionin gjenocid. Në mediat turke për herë të parë botohen tekste të historianëve, të cilët nuk injorojnë krimet. Historiani Halil Berktay shkruan hapur për spastrim etnik të armenëve, një nocion i përdorur në vitet 90-të për të përshkruar krimet serbe kundër boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kohë më parë, kryeministri turk Erdokan i ka propozuar Armenisë ngritjen e një komisioni të përbashkët të historianëve, të cilët do të rivlerësonin edhe njëherë ngjarjet para 9 dekadave. Me një fjalë: në Turqi ka filluar të griset shtresa e akullt e gënjeshtrave historike. Tani shumë politikanëve u kujtohet se Talat Pasha dhe Enver Pasha, të cilët kishin organizuar gjenocidin kundër armenëve, në vitin 1919 nga vetë drejtësia turke ishin dënuar me vdekje. Ata u akuzuan për asgjësimin e një popullit të tërë, i cili përbënte një komunitet. Dy pashallarët turq, Talati dhe Enveri i shpëtuan ekzekutimit. Ata ikën nga Turqia me një anije gjermane. Në atë kohë Gjermania ishte aleate e Stambollit. Edhe sot Gjermania është aleat i Turqisë, por me qëllime fisnike. Qeveria e kancelarit Schröder kërkon që Turqia më në fund të ballafaqohet me të kaluarën e saj. Një kërkesë e drejtë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora