E premte, 29.03.2024, 07:13 AM (GMT)

Kulturë

Angelo Konte: Nën përkujdesin e Universitetit të Kalabrisë, Skënderbeu zë një vend nderi në kulturën popullore

E shtune, 07.02.2009, 11:29 AM


Nga Albert Zholi

Grupi rock “Peppa Marriti Band” është një nga grupet më të njohura të muzikës italiane. Në prag të publikimit të diskut të tyre të dytë ne kemi intervistuar liderin e grupit zotin Angelo Konte që përveçse është një muzikant i zoti është dhe arbëresh. Për të folur për gjithë atë histori të mbarsur në venat e tij nga të parët, për traditat, doket dhe jetën e brezit të ri arbëresh kemi realizuar këtë intervistë që do të përcjellë të rejat më të fundit për një nga komunitetet më interesante të shqiptarëve, ato që janë ndoshta pjesa më e kulluar e historisë së lavdishme shqiptare….

Sipas historisë kur janë shpërngulur arbëreshët e Italisë në vendbanimet e tanishme në Kalabri?

-Në Kalabri arbëreshët janë vendosur kryesisht në provincën e Kozencës me plot 25 komuna, në provincën e Krotones në 3 komuna dhe në provincën e Katanzaros me 5 të tilla. Gjithsej përbëjnë 33 komuna arbëreshësh. Sipas vlerësimeve më të fundit, edhe pse këto janë provizore përgjithësisht në Itali jetojnë rreth 100 mijë arbëreshë.

Si keni ruajtur traditat, doket dhe zakonet arbëreshe? Po gjuha si është ruajtur?

-Nuk di të shpjegoj sinqerisht se si kemi mundur të shpëtojmë gjatë këtyre shekujve që kanë kaluar gjuhën dhe traditat tona. Mendoj se një nga faktorët më të rëndësishëm është fakti se në kohën e mëparshme martesat kryheshin mes banorëve të të njëjtit vend ose të paktën mes banorëve me të njëjtën gjuhë, arbëreshe. Përveç kësaj mendoj se ka ndikuar dhe fakti që vendet, ku kemi jetuar ne kanë qenë zona malore dhe në brendësi të vendit, shumë të vështira për të arritur deri atje. Ky izolim ka qenë një mënyrë për të ruajtur në shumë shekuj kulturën tonë. Gjuha është transmetuar gojë më gojë, nga babai tek i biri, nga gjyshi tek nipërit etj.. Nëpër shekuj kemi humbur shumë bashkëtingëllore që janë zëvendësuar me ato italiane dhe me dialektet e Italisë Jugore. Mendoj se në kohët e sotme jemi duke përjetuar një periudhë të vështirë sepse shumë prej nesh nuk e flasin më gjuhën arbëreshe ndaj dhe ajo është duke humbur në mënyrë shumë të shpejtë.

Ju vetë i përkisni brezit të ri. A keni pasur shkolla ne gjuhën arbëreshe dhe ku përgatiteshin mësuesit?

-Në Universitetin e Kalabrisë që ndodhet në Provincën e Kozencës është dhe Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, i drejtuar nga profesor Francesko Altimari, një prej studiuesve më të mëdhenj të Gjuhës dhe Traditës shqiptare. Përveç Universitetit, në të gjitha vendet arbëreshe, në shkollat fillore dhe tetëvjeçare mësohet në mënyrë eksperimentale Gjuha dhe Letërsia Arbëreshe, me përjashtim të Liceut-gjimnaz të San Demetrio Korone, ku mësohet Gjuha Shqipe që është gjuhë kurrikulare, pra gjuhë e detyruar. Kjo është situata e tanishme por ndër shekuj, siç ju përmenda dhe më sipër, gjuha arbëreshe është trashëguar vetëm nëpërmjet të folurit. 
 
Sa fshatra me arbëresh ka sot në Itali dhe si ruhen bustet e Jeronim De Radës dhe Skënderbeut?

-Në Itali fshatrat me Arbëresh janë 50 dhe ndodhen kryesisht në: Bazilikata, Kalabri. Abruco, Sicili, Pulja dhe Kampanja. Pjesa më e madhe e tyre shtrihet në Kalabri në provincën e Kozencës. Figura e Jeronim De Radës dhe Skënderbeut janë figura të nderuara dhe shumë të njohura. Në vitet e fundit, psh është botuar vepra “Omnia” e De Radës, me rastin e 100 vjetorit të parë të vdekjes së tij 1902-2003, nën përkujdesin e Universitetit të Kalabrisë. Skënderbeu zë një vend nderi në kulturën popullore, bëmat e tij janë transmetuar brez pas brezi tek Arbëreshët, dhe në çdo komunitet të tillë ka një statujë të heroit kombëtar.

Në kohën e sistemit komunist të Enver Hoxhës a kishit lidhje me Shqipërinë dhe çfarë dinit për të?

-Ne e njihnim Enver Hoxhën vetëm nga kronikat e lajmeve dhe raportet me Shqipërinë nuk ishin të shumta.

A e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?

-Jo, për fat të keq nuk kam qenë kurrë në Shqipëri dhe pse shpresoj të vij sa më parë. Dëshiroj të vij në Shqipëri me grupin tonë dhe të luajë muzikë rrok për vëllezërit tanë shqiptarë. Edhe pse nëpërmjet Internetit shumë njerëz i njohin këngët e Peppa Marriti Band, por është shumë interesante të sjellim dal vivo këtë muzikë, me një koncert në Shqipëri.

Kur kanë ndodhur kontaktet e para tuajat me të kaluarën e lavdishme të arbëreshëve dhe me historinë tuaj të veçantë të mbijetesës?

-Kontaktet e mia me Shqipërinë i përkasin adoleshencës sime kur si disa profesorë të shkollës që frekuentoja por dhe disa priftërinj të ritit që unë ndiqja greko-bizantin më flisnin për origjinën tonë dhe për arsyen pse flisnim Arbëresh përveç italishtes. Që atëherë kam pasur gjithnjë interes për sa i përket Shqipërisë. 
 
Di që disa grupe arbëreshe kanë ardhur në Shqipëri. A jeni në dijeni për to?

-Në të vërtetë në Gjirokastër kanë ardhur dy grupe Folkloristike nga Santa Sofia e Epirit, por nuk janë grupet e mia. Grupet folk që kanë ardhur në Gjirokastër kanë qenë “Avulli” dhe “Shqiponjat”. Grupi “Avulli” ka ardhur në Shqipëri në vitin 2004 dhe kanë sjellë në skenë pjesë të ndryshme të martesës së arbëreshëve. 
 
Si u ndjetë kur erdhën shqiptarët e parë emigrantë në Itali. A i pritët si vëllezër të një gjaku?

-Sigurisht që i kemi pritur si vëllezër dhe pse ishin shumë të ndryshëm nga ne dhe ndonjë vështirësi dhe ka ekzistuar. Por ky ndryshim ishte vetëm në fillim të viteve ‘90-të dhe sot nuk është më. Sot të rinjtë dhe emigrantët që jetojnë në komunitetin tonë janë integruar mirë. 
 
Mendimi për racizmi ndaj emigranteve shqiptarë

-Unë mendoj se sot ky mendim nuk është më. Është e vërtetë që media ka folur shpesh për emigrantët shqiptarë, por dhe vite më parë kur ndodhte kjo, unë kam takuar disa emigrantë shqiptarë që ishin integruar mirë në shoqërinë tonë. Sot shoh se gjërat janë përmirësuar dhe gjithsesi problemi i emigracionit nuk është më ai shqiptari, por në përgjithësi. Shpresojmë në një të ardhme më të mirë për të gjithë dhe në paqe për të gjithë popujt. 
 
Këngët dhe vallet karakteristike të arbëreshëve të Kalabrisë

-Këngët tradicionale më të vjetra janë Vjershët që sot pothuajse janë zhdukur, por në kohët e vjetra përdoreshin gjatë ceremonive të ndryshme të komunitetit tonë. Më pas janë disa këngë të ndryshme popullore që vazhdojnë të ndiqen nga grupet folkloristike (p.sh:Moj e bukura More, Lule lule. Ndë mest katunit, Shkova tek dera jote etj). Për sa i përket valleve nuk kemi ruajtur shumë përveç Vallje, që bëhej nëpër rrugët e qytetit në ditët e festive. Të tjera valle si Tarantella ajo është marrë nga kultura kalabreze. 
 
Lidhjet me Shqipërinë dhe me shqiptarët në Itali

-Raportet e sotme me Shqipërinë janë përmirësuar dhe janë shumë më të lehta se më parë dhe pse shumë herë janë raporte të shkëmbimit muzikor dhe kryesisht të muzikës folklorike. Janë shumë të pakta për sa i përket muzikës që realizoj unë me grupin tim. Me gjuhën Shqipe ne shpesh kemi vështirësi për të komunikuar. Dhe kjo është normale sepse gjuha Arbëresh është një gjuhë e vjetër që ka ndalur 5 shekuj më parë. Komunikojmë pak më mirë me shqiptarët që jetojnë në Jug të Shqipërisë, pra ato që jetojnë afër me Greqinë, sepse origjinat tona janë pikërisht nga kufiri mes Greqisë dhe Shqipërisë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora