E premte, 19.04.2024, 08:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Ylli Pepo: Kodiku i Beratit në Vatikan u prit me nderet e një kryetari shteti

E shtune, 07.02.2009, 01:24 PM


Ylli Pepo: Prof. Aleks Buda mori dijeni se njëri nga djemtë e priftërinjve të betuar e dinte vendin, ku ishte fshehur
 
Kodiku i Beratit në Vatikan u prit me nderet e një kryetari shteti

Nga Albert Zholi
 
Kodiku i Purpurt i Beratit

Kodiku i Purpurt i Beratit është një prej vlerave të rralla, sikurse emri i Gjergj Kastriotit, Onufrit, Nënë Terezës apo i Marlin Barletit, që ndër shekuj e kanë bërë të njohur Shqipërinë botërisht. Njeriu që e pagëzoi me këtë emër dorëshkrimin 15-shekullor, ka qenë Peshkopi i kishës së Shën Gjergjit në Berat , Anthim Aleksudhi (faksimile nga vepra). Në vitin 1862, ai botoi në Athinë veprën “Vështrim historik mbi dorëshkrimet e kishës ortodokse të Beratit” ku bibliotekës së mitropolisë së këtij qyteti iu kushtua një vëmendje e veçantë. Disa vite më pas (më 1882), ishte belgu Dyshen i cili duke bashkuar tri cilësi të dorëshkrimit: tipin e tij (kodik), ngjyrën e pergamenës ( e kuqe e thellë, e purpurt) dhe emrin e qytetit Berat, e bëri të njohur në perëndim të titulluar “Kodiku i Purpurt i Beratit”. Pra disa ditësh në një nga sallat e hotel “Sheraton” u shfaq filmi dokumentar Kodiku i Purpurt i Beratit me regjisor z. Ylli Pepo me të cilin zhvilluam një bisedë për “Telegraf”.
 
Z. Ylli kur është koha e kthimit të vëmendjes për Kodikun?

Viti 2000, viti jubilar i 2000-vjetorit të krishtërimit, bëri që të kthehet pak vëmendje në këtë vepër monumentale të mendimit njerëzor që ka sfiduar shekujt dhe mijëvjeçarët me modestinë dhe heshtjen solemne të tij. Ai është një dorëshkrim që i takon periudhës së paleoskrishtërimit. Jo më i vonët se shekulli i 6-të. Ka mendime se mund të jetë edhe më i hershëm. Tri janë argumentet e dukshme të kësaj kronologjie të sigurt:

1-Ngjyra e purpurt e këtij dorëshkrimi, simbolikisht shprehje e një respekti hyjnor për shkrimet e shenjta, pas shekullit të 6 në gjithë letërsinë ungjillore botërore është zëvendësuar me të tjera ngjyra. Në ekspozitën “Ungjijtë e Popujve”, kishte vetëm dy kodikë të purpurt: Kodiku shqiptar dhe ai i Bibliotekës Nacionale të Parisit i njohur me emrin Sinopensi O”,

2. Shkrimi i pandashëm scripta-continuae), me fjalë të ngjitura dhe me disa thekse karakteristike të greqishtes së vjetër para-mesjetare, periudha e të cilit mbyllet me shekullin e 6-të (imazh, projeksion i shkrimit në gjendje të restauruar).

3. Karakteri para-standard (i panjësuar) i teksteve ungjillore, të cilët, prej shekullit të 7-të e këndej morën karakter kanonik.

Z. Ylli çfarë rëndësia ka për kulturën shqiptare Kodiku?

Për kulturën shqiptare ruajtja e këtij kodiku ka rëndësi të jashtëzakonëshme. Mbi të gjitha sepse i takon asaj periudhe të gjatë, prej shekullit të tretë deri në shekullin e 10-të, kur emir i shqiptarëve nuk përmendej gjëkundi, në kronika. Për këtë arsye shpesh është quajtur dhe “periudhë memece”. Besohet se Kodiku për rreth 15 shekuj nuk e ka ndërruar asnjëherë vendin ku u shkrua. Dihet se ky dorëshkrim i rrallë është rrezikuar për t’u grabitur. 1-Në vitin 1386 siç shkruhet në dokumentet kishtare ushtria serbe e car Oroshit e rrethoi qytetin e Beratit dhe kërkoi dorëzimin e menjëhershëm të Kodikut. Një murg dhe një banor i qytetit i njohur me emrin Skuripeqi, bashkë me zonjën konteshë”, për të cilën nuk thuhet emri e shpëtuan dorëshkrimin duke e nxjerrë fshehurazi nga rrethimi. Skuripeqi, ky njeri që nuk dihet nëse shkroi ndonjë vepër apo bëri ndonjë heroizëm, vetëm për këtë fakt duhej të kishte një përmendore. 2-Ushtritë kalimtare që kryqëzoheshin me njëra tjetrën në Shqipëri në vitet e pas luftës së Parë Botërore siç dëshmohet nga dokumentet e kërkuan Kodikun secili për hesap të vet. 3-Komanda e ushtrisë naziste hitleriane kishte urdhër që ta gjente dhe ta rrëmbente domosdoshmërisht floririn e bankës së Shqipërisë dhe Kodikun e Purpurt. Ushtria naziste e rrethoi kishën e Shën Gjergjit dhe shpalli se pot ë mos dorëzohej dorëshkrimi priftërinjtë do të vriteshin. Këshilli i Kishës së Shën Gjergjit në këto kushte i kërkoi leje ikonës së Shën Mërisë të mos i ndëshkonte nëse do të dëgjonte nga anëtarët e sinodit një betim të rremë. Pas kësaj lutjeje 6 anëtarët e këshillit e fshehën dorëshkrim në një pusetë nëntokësore të maskuar pranë altarit dhe i deklaruan komandës së ushtrisë së huaj se ishin gati të betoheshin para ikonës së Shën Mërisë se nuk dinin ku gjendej kodiku. Komanda e dëgjoi betimin dhe i besoi priftërinjtë. Por Kodiku mbeti i fshehur edhe mbi tre dekada të tjera . Këshilli nuk guxoi ta nxirrte nga frika e dhunës antifetare.

Si u gjend apo doli sërishmi në dritë?

Në vitin 1967 kur po shihej se Shqipëria po shkonte drejt një rrokopuje atësitë prof. Aleks Buda mori dijeni se njëri nga djemtë e priftërinjve të betuar e dinte vendin ku ishte fshehur. Pas atij viti dorëshkrimi iu besua për ruajtje e restaurim Arkivave të Shqipërisë.

Thonë se Kodikut i është bërë një restaurim?

Në vitin 171 mbi bazën e një marrëveshjeje ndërqeveritare, Kodiku i Purpurt i Beratit dhe “Kodiku i artë i Anthimit” (ose Beratinus-2), u dërguan për restaurim në Institutin Arkeologjik të Akademisë së Shkencave të Republikës së Kinës. Sipas dëshmive të arkivistëve që shoqëruan dorëshkrimin, në aeroportin e Pekinit, për të zbatuar një teknologji moderne, restaurimi të përshtatshme për dorëshkrimet perëndimore, kishte specializuar një prej dijetarëve më të shquar. Sipas vlerësimeve të dr. Bruce Rigdon, specialist i etërsisë në Universitetin e Çikagos, i cili studioi kohët e fundit disa nga dorëshkrimet e periudhës së paleokrishtërimit që gjenden në AQSH, teknologjia e restaurimit të Kodikut të Purpurt të Beratit është e shkëlqyer. Kjo teknologji bazohet në mbylljen hermetike të çdo faqeje të dorëshkrimit në xham. Me këtë teknologji janë restauruar edhe dorëshkrimet e vjetar
hebraike.

Sa herë është ekspozuar Kodiku ?

Pas kthimit nga Pekini Kodiku është ekspozuar vetëm tre herë. Së pari në 2400 vjetorin e themelimit të qytetit të Beratit (në atë kohë me pëlqimin e Kuvendit Popullor). Për herë të dytë u ekspozua në vitin 1999, në 50-vjetorin e themelimit të AQSH, vetëm për dy orë. Së fundi ekspozimi në Vatikan u bë pas një vlerësimi me inventar prej 10 milion dollarësh. Kodiku i Beratit u përcoll në ekspozitën e Vatikanit me kushtet e sigurisë maksimale nderet protokollare të një kryetari shteti. . Për herë të parë dorëshkrimi 15-shekullor kali kufirin për tu paraqitur në një mjedis jashtë vendit. Prania e Kodikut u vlerësua si një ngjarje kulmore kulturore ndërkombëtare.

Historia

Gati një shekull e gjysmë më parë kur ishte për një vizitë në kishën e Shën Gjergjit të Beratit, Batifol pati krahasuar dorëshkrimin e “Kodikut të Purpurt të Beratit” me liturgjinë e Shën Gjon Gojartit, Hrisostomit), dhe pati arritur në përfundimin se të dyja i takojnë pikërisht dorës së këtij shenjtori. Nuk është provuar përfundimisht nëse Kodiku i takon vërtet dorës së Shën Gojartit, por ekzistojnë disa të dhëna të tërthorta që të shtyjnë të besosh se ka një lidhje të fortë mes tyre.
1.Sipas një dëshmie të At Zef Valentinit, në vitin 4005, Shën Gjon Gojarti u internua në viset e Epirit gjë që do të thotë mbi hapësirën helenike. (Sipas Prof. Kristo Frashëri).
2. Sipas studiuesve shqiptarë duke përfshirë kërkimet e Prof. Kristo Frashëri rezulton se Shën Gjon Gojarti e ka prekur hapësirën shqiptare.
3. Në praktikën liturgjike shumëshekullore “Kodiku i Purpurt i Beratit” gjendet i regjistruar në inventarin e Përgjithshëm të Letërsisë Ungjillore Botërore. 
 
Pier Batifol

Megjithatë është francezi Pier Batifol ai që përfundimisht nguliti emrin e dorëshkrimit të trashëguar shekull pas shekulli në bibliotekat e letërsisë ungjillore të Shqipërisë. Titulli i një monografie të botuar prej tij në Paris më 1886 mban në krye “Kodiku i Purpurt i Beratit”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora