E enjte, 18.04.2024, 12:25 PM (GMT+1)

Mendime

Grid Rroji: G99 në ethet e pushtetit

E shtune, 07.02.2009, 12:40 PM


G99 në ethet e pushtetit

Nga Grid Rroji

Tashmë e diskredituar për mënyrën sesi e qeverisi vendin për tetë vjet, por edhe sesi e katandisi opozitën për mungesën e ideve gjatë  ...këtyre katër vjetëve opozitë, Partia Socialiste e Edi Ramës po përsërit historinë e ndërrimit të lëkurës me anë të organizatave mbështetëse marionetë. Duke përdorur çdo mjet politik pa asnjë skrupull, me mbështetje mediatike shumë të madhe dhe me pretendimin se frymëzohet nga politika e Presidentit të ri amerikan, Rama po përdor Erion Veliajn për të shkruar kapitullin e ri të mashtrimit me anë të imazhit, kapitullin G99.
Kjo teknikë mashtrimi, megjithëse tentohet të paraqitet si risi, nuk është e re për historinë e Partisë Socialiste. Që nga koha e sistemit monist, Partia e Punës kishte organizata satelite si Bashkimet Profesionale të Shqipërisë, Bashkimi i Rinisë Socialiste të Shqipërisë, pionierët e Enverit e shumë të tjera që s'ia vlen të përmenden. Së bashku me median tërësisht të kontrolluar nga regjimi, këto organizata kishin kontributin e tyre në mësymjen propagandistike të partisë-shtet dhe luanin një rol jo të neglizhueshëm në fabrikimin e imazhit real-socialist të kohës. G99, si pasardhëse e këtyre organizmave marionetë duket se është krijuar me qëllime të ngjashme propagandistike, duke synuar mbledhjen e votave të të rinjve e të rejave, idealizmin e të cilëve ata besojnë se mund ta manipulojnë më lehtë.
Por nëse gërvishtim pak vernikun mediatik me të cilin është kujdesur fort të mbulohet G99, është lehtësisht e dallueshme se përtej fytyrave të këndshme dhe të veshura bukur fshihen ethet e pushtetit të çiftit Rama-Veliaj. Erion Veliaj dhe bashkaksionerët që e shoqërojnë në formë rrethore nëpër podiume të rregulluara me disiplinë mesazhi, nuk kanë për qëllim as rinovimin e politikës, e aq më pak interesat e qytetarëve. Ata kanë për zemër vetëm ardhjen në pushtet të Ramës, tek i cili shohin rrugën e vetme drejt një karrigeje.
Është e ditur se drejtuesit e sotëm të G99, të cilët ishin iniciatorët dhe drejtuesit e Mjaft!-it të djeshëm kanë qenë gjithmonë në sulm, sipas parimit në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën, kundër kujtdo që perceptohej si pengesa e radhës për ambicien politike të Ramës.
Shembujt janë të shumtë. Me gjithë retorikën e mprehtë në media kundër politikës së vjetër si shkaktare e të gjitha derteve të shqiptarëve, "të rinjtë" e G99 nuk e shohin si problematike hyrjen e tyre në politikë në aleancë me një forcë të vjetër të nomenklaturës, si Partia Socialiste e Ramës. Mjaft!-i dje dhe G99-a sot nuk merakosen për hipokrizinë e aleancës së tyre me politikanin e vjetër Rama, edhe pse ky është pjesëtar aktiv i "politikës së vjetër" që prej dhjetë vitesh. Ata nuk kanë brerje as për kohën kur ai ishte ministër në qeverinë Nano, të cilën ata e quanin të korruptuar.
Veliaj dhe të tijtë mbushin ekranet me deklarata kundër korrupsionit, por nuk shqetësohen për tenderat e shumtë që një ndërtues "fiton" nga Bashkia e Tiranës. As ua prek ndërgjegjen qytetare fakti që ky ndërtues është edhe pronar mediash haptazi mbështetëse të Ramës.
Erion Veliaj nuk i është nënshtruar kurrë një kontrolli për fondet e Mjaft!-it apo G99-ës, madje në ambiente gazetarësh është bërë barsoletë se "atyre ua thyenin zyrat sa herë do u shkonin miqtë e huaj për kontroll dhe u vidhnin vetëm kompjuterin ku kishin llogaritë".
Po ashtu, paqëndrueshmëria politike e kameleonit Rama, i cili e filloi karrierën e tij politike nga e djathta anarkiste, e vazhdoi si ministër nanoist dhe po e përfundon si kryetar i një partie ish-komuniste, nuk përbën problem për pseudo-idealizmin e ri të Veliajt. Madje G99-ën nuk e shqetëson as hipokrizia e as humbja e besueshmërisë që do të ketë imazhi i tyre "i ri" duke bërë aleancë me Gramoz Ruçin, Skënder Gjinushin, Paskal Milon e të tjerë si ata.
Por a beson ndokush se pesë-emërshi Rama-Veliaj-Ruçi-Gjinushi- Milo është përfaqësues i "politikës së re" dhe i ndryshimit që do na shkëpusë nga e kaluara?
Dukshëm Erion Velisë dhe bashkimazhierëve të tij i intereson vetëm ardhja në pushtet e Ramës dhe postet që ai mund t'u ketë premtuar nga ku mund të zhvatin vendin, siç bënë me donatorët e tyre. Pra, nëse Mjaft!-i dje me heshtjen e saj ishte parzmorja mbrojtëse e kryebashkiakut arrogant të Tiranës, G99 është sot marioneta e tij e radhës, e cila shërben për të mbuluar zullumet dhe etjen e tij për pushtet, siç bënin dikur funksionarët e BPSH-së, BRSSH-së etj. kur i thurnin himne shokut Enver. Ndryshimi i vetëm midis tyre qëndron tek teknikat e përdorura. Xhaketat gri të djeshme trokisnin derë më derë me listë në dorë për të plotësuar planin e votimeve, pulovrat V të sotme përdorin media favorizuese për të krijuar një imazh fals që s'ka asnjë lidhje me të vërtetën apo realitetin.
Pa tymnajën G99, Rama e ka shumë të vështirë ta impostojë fushatën e tij të mashtrimit tek ideja e ndryshimit siç ëndërron, pavarësisht zbatimit me disiplinë ushtarake të strategjive mediatike që i këshillojnë profesionistët. Ramës i duhet Veliaj për të përligjur imazhin e tij të stisur po aq sa Veliajt i duhet Rama për të siguruar hyrjen e tij në politikë.
Kjo përpjekje mediatike nuk ka të bëjë aspak me përfaqësimin e rinisë, as me rinovimin e politikës, por është në vetvete një përpjekje për të përtërirë organizatat mbështetëse nën emra të rinj lëvizjesh pseudo të pavarura, në shërbim të individit Rama.
Do të ishte më e ndershme dhe më e dobishme për demokracinë shqiptare që çifti Veliaj-Rama të përballej me qeverinë me programe e ide të qarta dhe t'ia linin qytetarëve gjykimin mbi aftësinë e tyre apo katërvjeçarin e kaluar. Por ata nuk kanë ide, ata nuk kanë zgjidhje, ata kanë vetëm fasadën, si pallatet e ngjyrosura të kryebojaxhiut të Tiranës. Ata janë përfaqësuesit e rinj të hipokrizisë, të cilët duan të shesin shpresën për qëllime cinike pushteti.
Rinovuesit e suksesshëm politikë mbartin vlerat më të mira të së kaluarës dhe i bashkëngjisin ato me dinamizmin dhe idealizmin e së resë. Çifti Rama-Veliaj nuk përçon as vlerat më të mira të së kaluarës e as idealizmin e të rinjve dhe të rejave që do votojnë në qershor. Vlera e vetme që ata njohin është ardhja në pushtet me çdo kusht e me çdo mjet. Mbrapsht-numërimi që ata kanë filluar deri në ditën e zgjedhjeve nuk tremb kundërshtarët e tyre politikë, por tmerron ata vetë. Për një gjë kanë të drejtë, ata bëjnë mirë që tuten nga verdikti i popullit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora