E enjte, 18.04.2024, 11:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Kolec Topalli: Historia nuk rishkruhet sa herë ndërrohen pushtetet?

E enjte, 05.02.2009, 07:37 PM


Reforma ne Akademine e Shkencave

Nga Alma Mile
 
Akademia e Shkencave ka hyrë në fazën e fundit të reformimit të saj, që do të finalizohet me zgjedhjen e kryesisë në datën 7 shkurt. Tashmë ka filluar fushata e zgjedhjeve në këtë institucion dhe janë shpallur zyrtarisht kandidatët për postet drejtuese, duke nisur nga kryetari, zv/kryetari, sekretari shkencor e kryetarët e seksioneve. Për postin e kryetarit kandidojnë akademikët Apollon Baçe, Kolec Topalli e Gudar Beqiraj. Në një intervistë për gazetën "Panorama", akad. Kolec Topalli, sjell vizionin e tij mbi funksionimin e Akademisë së Shkencave, për ta bërë atë të dobishme.

Akademia e Shkencave është në prag të zgjedhjeve për kryesinë. Si e shikoni këtë ngjarje të rëndësishme në jetën e këtij institucioni?

Zgjedhjet e organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave përmbyllin fazën e reformimit të këtij institucioni shkencor, që ka nisur me fillimin e vitit të shkuar. Ky proces e ka zanafillën në hartimin e ligjeve përkatëse, që janë miratuar në Kuvendin Popullor, dhe ka vijuar me rishikimin e Statutit të Akademisë në pajtim me ligjin e ri, me ndryshimin e strukturave dhe me pranimet e akademikëve të rinj, të akademikëve të përhershëm dhe të asociuar. Sigurisht, ky është një proces i vështirë, i gjatë, por me rëndësi të veçantë për fatet e mëtejshme të këtij institucioni. Akademia e Shkencave ka të shkuarën e saj, ka të sotmen, por ka edhe të ardhme. Është e natyrshme që në kuadrin e një reformimi të thellë, ku çdo gjë lëviz përbrenda, të ketë edhe mpirje, edhe ngathje të
aktivitetit dhe të jetës shkencore. Por, le të mos merremi me të kaluarën dhe të sotmen. Të merremi me të ardhmen e saj.

E drejtë. Atëherë si e mendoni funksionimin e Akademisë së Shkencave pas këtij reformimi?

Pas procesit të reformimit Akademia duhet të dalë nga gjendja e saj e plogështisë dhe e ngathtësisë, për t'u gjallëruar, për t'u bërë më aktive, për të qenë më e dobishme, për t'u lidhur më shumë me organizmat shkencore, shtetërore e universitare, të cilat kanë nevojë për udhëheqje vizionare të fushave të ndryshme të kërkimit shkencor dhe për koordinim kombëtar. Përbërja e re e Akademisë së Shkencave është e tillë që ajo mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm, për ta çuar përpara kërkimin shkencor, mund të kontribuojë për të ngritur në nivele më të larta mësimdhënien në shkollat e larta dhe sidomos për të përgatitur kuadro të reja shkencore, për të cilët ka aq shumë nevojë vendi. Sigurisht, në radhën e akademikëve të sotëm ka të atillë që kanë dhënë e vijojnë të japin një kontribut shumë të vyer për zhvillimin e shkencave tona.
Shembulli i akademikëve Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mahir Domi, Shaban Demiraj e shumë të tjerëve dëshmon se nga radhët e kësaj akademie kanë dalë dijetarë të shquar, që e kanë ngritur shumë lart shkencën shqiptare.
Personalitete të tjera e kanë përfaqësuar denjësisht atë edhe pa qenë anëtarë të Akademisë. Prandaj anëtarësimi i çdonjërit në këtë institucion duhet parë jo si një privilegj që u jepet disave, as si nderim për punën e bërë, por si një detyrë dhe përgjegjësi e re, si një angazhim më i madh në fushën kërkimore-shkencore, për të projektuar procese dhe objektiva që lidhen me nevojat e ngutshme të zhvillimit të vendit, të kulturës, të shkencës dhe të ekonomisë.

Ç'objektiva mund të ketë Akademia e Shkencave e reformuar?

Shqipëria, me gjithë arritjet e saj në të gjitha fushat, ndodhet ende në një fazë të zgjatur të kalimit nga shoqëria e mbyllur diktatoriale, në një shoqëri të hapur demokratike, duke aspiruar që të bëhet në të gjitha aspektet anëtare me të drejta të plota e asaj bashkësie evropiane ku gjeografikisht bën pjesë. Ndihma e akademikëve, projektet e reja, këshillat e idetë e tyre duhet ta ngrejnë nivelin e çdo pune shkencore.
Akademia e Shkencave e përtërirë e ka tashmë kapacitetin që të bëhet qendra projektuese e koordinuese e një pune të tillë. Nga fakti se sa aktive do të jetë ajo, sa ide të reja dhe projekte do të gjenerojë, sa do të lidhet me qendrat shkencore brenda e jashtë vendit, varet edhe e ardhmja e saj. Koordinimi i punëve të Akademisë duhet të përfshijë disa rrafshe. Së pari, të gjitha organizmat shkencore brenda vendit, siç janë institucionet shkencore që deri dje kanë qenë të varura prej saj. Me to mund të bëhen plane, projekte dhe programe pune të përbashkëta, të hartohen vepra themelore me grupe pune, ku roli parësor i Akademisë ndihmon në ngritjen e nivelit të punës. Së dyti, me të gjitha shkollat e larta të të gjitha niveleve, për të koordinuar punën shkencore, për të ngritur nivelin e mësimdhënies dhe për të përgatitur kuadrot e reja shkencore. Së treti, me administratën shtetërore, ku hartohen plane e projekte konkrete për zhvillimin e ekonomisë së vendit, të kulturës e të shkencës. Së katërti, me institucionet shkencore dhe shkollat e larta të trevave të banuara nga shqiptarë, sidomos në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si edhe me diasporën shqiptare, kryesisht me arbëreshët e Italisë e të Greqisë. Së fundi, me organizmat e qendrat shkencore të vendeve të rajonit dhe të Evropës, sidomos të Perëndimit, ku ka qendra të tilla dhe universitete të konsoliduara prej kohësh dhe me eksperiencë pune shumëvjeçare. Sot vendi ka nevojë për një Akademi aktive dhe pjesëmarrëse në zgjidhjen e shumë problemeve të vështira, që janë akumuluar gjatë regjimit komunist dhe në këtë periudhë të konsolidimit të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut.

Fusha kryesore ku mund të japin kontribute shkencëtarët shqiptarë, është albanologjia. Si e mendoni të ardhmen e saj dhe si mund të ndihmojë Akademia e Shkencave për zhvillimin e saj të mëtejshëm?

Fusha e shkencave të albanologjisë ka nevojë për pulsime të reja më të fuqishme, për vepra të mëdha e themelore, që hartohen vetëm nga punonjës shkencorë të një niveli të lartë. Prandaj Akademia mund të japë orientimet e duhura për fuqizimin e disa degëve të studimeve albanologjike, për të cilat kanë qenë të pakta studimet, si në ilirologji, trakologji, ballkanistikë, toponimi historike, etnogjenezë etj. Sigurisht kjo lidhet me përgatitjen e specialistëve të këtyre fushave, prandaj Akademia mund të japë rekomandime edhe për hapjen e kurseve të veçanta për punonjësit e rinj shkencorë që të kualifikohen në degë të tilla si indoeuropianistikë, romanistikë, helenistikë, sllavistikë, turkologji, paleografi etj., për të cilat duhen shfrytëzuar edhe bursat e veçanta që jepen nga vendet e tjera, si edhe fondi i ekselencës.
Akademia e Shkencave duhet të synojë që, bashkë me institucionet e tjera shkencore të vendit, të bëhet qendra udhëheqëse dhe drejtuese e shkencave albanologjike jo vetëm në shkallë rajonale, por edhe në shkallë evropiane dhe botërore. Vendi ynë nuk është më aq i varfër sa të mos mbështesë në mënyrë të mjaftueshme kërkimin shkencor dhe botimet në albanologji. Nuk duhet harruar se vendet që tradicionalisht kanë luajtur rolin udhëheqës në hulumtimet albanologjike, si Austria, Gjermania e Italia, e kanë dobësuar mbështetjen e kërkimeve në këtë fushë për shkak të globalizmit dhe të presionit të qendrave kërkimore për ta drejtuar hulumtimin shkencor në ato fusha që u interesojnë atyre më tepër. Në fushën e historisë nuk kemi ende një korpus të plotë të botimeve të dokumenteve  mesjetare, një korpus të dokumenteve të periudhës së shtetit shqiptar, të botimeve epigrafike etj.
Por ajo që mungon më shumë, është një histori e pakontestueshme. Trashëgimia 50-vjeçare e diktaturës ka qenë e tillë që pasojat e saj ndjehen ende sot. Janë bërë korrigjime e ndryshime, por nuk është zhdukur mendësia e vjetër e diktaturës në interpretimin e historisë. E vërteta historike është një e vetme, prandaj historia nuk duhet të rishkruhet sa herë ndërrojnë pushtetet. Ajo duhet shkruar një herë e mirë nga historianë të zotë, të përgatitur profesionalisht e të specializuar, të paanshëm politikisht, që gjurmojnë vetëm të vërtetën shkencore, që bëjnë kërkime e hulumtime nëpër arkiva, muze e dokumente. Çdo popull ka historinë e vet, që e hartojnë historianë objektivë të pandikuar nga politika e ditës, e si të tillë mund të jenë vetëm specialistët e mirëfilltë, që janë të përgatitur dhe njohin mirë dokumentet e arkivave tona dhe të huaja. Nëpër arkivat e kryeqyteteve të shteteve që kanë pasur marrëdhënie historike me vendin tonë, ka materiale që presin dorën e historianëve dhe të specialistëve të fushave të veçanta, për të nxjerrë në dritë e për të ndriçuar të kaluarën e popullit tonë. Sot janë krijuar kushtet që studiues shqiptarë ta marrin në dorë këtë punë duke hulumtuar nëpër bibliotekat e Vjenës, Romës, Stambollit, Parisit, Londrës, Venecies, Dubrovnikut e të shumë qendrave të tjera, që deri sot janë hulumtuar më tepër nga të huajt sesa nga shqiptarët. Ne u jemi mirënjohës atyre për punën e bërë; por në asnjë vend tjetër korpusi i botimeve të dokumenteve historike nuk është krijuar nga studiuesit e huaj, por është hartuar nga historianët vendas.
Vetëm kështu historinë tonë mund ta shkruajmë ne, shqiptarët, si një histori që t'u qëndrojë kohëve.
Situatë e njëjtë paraqitet me historinë e letërsisë shqiptare. Demokracia nxori në dritë shumë shkrimtarë e poetë që u lanë në harresë, u denigruan e u luftuan nga diktatura. Por edhe sot mbas gati dy dekadash demokraci nuk kemi një histori letërsie gjithëpërfshirëse, të paanshme dhe pa kufizimet e indoktrinimit të periudhës së komunizmit. Megjithëse shkalla e demokratizimit të këtij procesi ka ardhur gjithnjë në rritje, për autorë të veçantë ka ende hezitime për t'u dhënë vendin e merituar në letërsi dhe shpesh mungon fryma e objektivitetit shkencor në trajtimin e letërsisë sonë kombëtare. Nuk mund të jetë e pranueshme që sot pas gati dy dekadash demokraci të mos kemi një histori të letërsisë shqiptare, në një kohë kur ky shqetësim ka prekur edhe studiues të huaj, kontributet e të cilëve nuk kanë munguar.
Në fushë të gjuhësisë, realizimet kanë qenë më të qëndrueshme për hir të punës me ekipe, si edhe për vetë fushën që është më pak e lidhur me ideologjinë. Megjithëkëtë, ajo që është arritur, duhet çuar më tej. Pas botimit të "Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe" që u pasua me disa botime të përmirësuara, si edhe të disa fjalorëve specialë dhe dygjuhësh, para studiuesve të kësaj fushe shtrohen detyra të tjera, ku Akademia mund dhe duhet të japë kontributet e veta, sepse shqipja nuk ka ende një fjalor të tipit të madh, ku të dalë në dritë e tërë pasuria e saj leksikore; mungojnë fjalorët krahinorë, që do të rrisnin pasurinë leksikore të gjuhës dhe do të shërbenin si një bazë e mirë për fjalorin e madh të gjuhës shqipe. Botimi i një "Fjalori të Gjuhës Shqipe" nga Mehmet Elezi me fjalë që nuk janë përfshirë në fjalorët e botuar, nxjerr para studiuesve probleme që lidhen me gjithëpërfshirjen e pasurisë leksikore të shqipes, si edhe me domosdoshmërinë e punës me ekipe, duke marrë parasysh se një punë e tillë është kryer nga një individ i vetëm në kushte të pafavorshme dhe pa shkelur as edhe një herë në kartotekën e Institutit të Gjuhësisë, ku miliona skeda presin ditën për t'u kompjuterizuar e për të dalë në dritë. Shqipes i mungon gjithashtu një fjalor historik me gjithë disa përpjekje individuale në këtë drejtim; i mungon një fjalor etimologjik, edhe pse studimet në këtë fushë janë të konsiderueshme dhe me vlera të mëdha. Edhe botimi i një enciklopedie shqiptare është detyrë urgjente, për të cilën Akademia duhet të angazhohet. Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar para më shumë se 20 vjetësh, e nxori jashtë përdorimit koha për shkak të politizimit ekstrem. Por botimi i Fjalorëve të tillë enciklopedikë duhet të jetë një punë e vazhdueshme e Akademisë, sepse çdo vit evidentohen ngjarje të reja dhe personalitete nga fusha të ndryshme, që duhet të pasqyrohen në të. Prandaj enciklopedia duhet të jetë një libër i hapur ku çdo vit bëhen shtesa e përditësime; si rrjedhim, edhe botimet e saj të përmirësuara me materiale më të reja duhet të jetë një proces i vazhdueshëm dhe periodik. Madje, ky sektor duhet të mendojë jo vetëm për botimin e një enciklopedie shqiptare, por edhe për një enciklopedi shkencore në disa vëllime, ashtu siç e kanë të gjithë popujt e qytetëruar, ku të përmblidhen të dhënat shkencore nga të gjitha fushat e dijes, të pajisura me shpjegime dhe ilustrime. Dhe një fjalor i tillë duhet të ketë të njëjtën procedurë përditësimi dhe botimi si Fjalori Enciklopedik Shqiptar, meqenëse shkenca vijon të zhvillohet nga dita në ditë dhe në të duhet të pasqyrohen edhe të rejat më të fundit të shkencave bashkëkohore.
Një problem me rëndësi të veçantë për origjinën e gjuhës shqipe dhe historinë e kombit shqiptar është edhe ai i etnogjenezës. Në këtë fushë, ku Akademia e Shkencave duhet të thotë fjalën e vet, ka pasur studime me vlerë si nga studiuesit shqiptarë, anëtarë të Akademisë, ashtu edhe nga studiues të tjerë, shqiptarë e të huaj. Por ky problem, sa i rëndësishëm aq edhe i komplikuar jo vetëm për popullin shqiptar por edhe për popujt ballkanikë, është rimarrë disa herë me teza e kundërteza, me hipoteza të vjetra e të reja e vijon të jetë i hapur edhe në ditët e sotme.
Edhe në fushat e tjera të albanologjisë Akademia e Shkencave duhet të japë kontribute më të mëdha duke e formatuar punën e saj në bashkëpunim me specialistët e fushave të veçanta. Nëntoka jonë ruan ende thesare që presin dorën e arkeologut për të dalë në dritë, gjë që e dëshmojnë gjetjet e viteve të fundit. Deri para pak vitesh asnjeri nuk e dinte se nën këmbët e qytetarëve që shëtisnin rrugëve të Durrësit, shtrihej një copë e historisë së këtij qyteti dhe e krejt qytetërimit antik. Gjurmë të tilla dalin herë pas here atje ku ndërtohet, ku gërmohet, ku hidhen themele.
Akademia duhet ta ngrejë zërin për ruajtjen e objekteve antike, të muzeve historike, të shtëpive të personaliteteve që kanë bërë emër në historinë tonë kombëtare, të cilat mjerisht po shkatërrohen e po rrënohen dita-ditës nga pakujdesia për to. Kultura popullore gjithashtu sa vjen e po tretet nga veprimi i faktorëve të rinj të jetës moderne, që janë të pashmangshëm në çdo shoqëri civile. Dhe kjo fushë bashkë me arkeologjinë janë të tilla që duhen ruajtur jo vetëm për identitetin e kulturës shqiptare, por edhe për dobinë që sjellin në lëmin e turizmit për njohjen e vendit tonë nga të huajt. Një gjë e tillë kërkon legjislacion të përpunuar sidomos për ruajtjen e monumenteve të kulturës sipas së drejtës ndërkombëtare, një fushë ku me gjithë arritjet ka ende për të bërë. Zbatimi i parametrave
ndërkombëtare është i lidhur edhe me centralizimin e drejtimit të organizmave shkencore, me qëllim që kodet ndërkombëtare të gjejnë fushë zbatimi edhe në hapësirat shqiptare. Edhe lidhja e ngushtë e institucionit të monumenteve të kulturës me arkeologjinë është e domosdoshme. Të gjitha këto kërkojnë angazhimin e njerëzve më të përgatitur të këtyre fushave, një pjesë e të cilëve gjenden në radhët e akademikëve.

Po në fushat e shkencave natyrore e teknike, ç'ndihmesë mund të japë Akademia e Shkencave?

Në fushat e shkencave natyrore e teknike Akademia ka kapacitete të tilla shkencore që mund dhe duhet të ndihmojnë ekonominë dhe shkencën me hartime projektesh e planesh, me programe që kërkon stadi i sotëm i zhvillimit të vendit, si edhe me drejtimin e grupeve shkencore për probleme të caktuara.
Konsulencat akademike, sidomos në përcaktimin e prioriteteve të zhvillimit të fushave të caktuara, janë me rëndësi të veçantë. Akademikët që japin ndihmesat e tyre në institucione shkencore e universitete jashtë vendi, mund të kontribuojnë më shumë për t'u njohur me të rejat më të fundit bashkëkohore të shkencës dhe të teknikës dhe për t'i aplikuar ato në vendin tonë duke gjetur mënyrat me efikase për të rritur rolin që duhet të luajë shkenca dhe teknologjia në jetën publike. Hyrja e literaturës shkencore më të fundit dhe njohja me të rejat e shkencës moderne kërkon angazhimin e njerëzve më të përgatitur nga ana profesionale, dhe ky problem duhet të jetë në qendër të vëmendjes së Akademisë.

Si mund të ndihmojë Akademia e Shkencave për shfrytëzimin sa më me efekt të përkthimeve të materialeve shkencore nga fusha të ndryshme dhe të burimeve bibliotekare e arkivore?

Ky është një problem tjetër, për të cilin angazhimi i Akademisë është me rëndësi të veçantë. Shumë studiues në Europë dhe në vende të tjera kanë ndërmarrë studime me vlera për vendin tonë, për historinë, gjuhën, etnografinë, arkeologjinë, ekonominë etj. Disa prej tyre janë përkthyer në gjuhën shqipe duke u bërë më të kapshme për një masë më të madhe lexuesish e studiuesish dhe duke u integruar në punën shkencore. Përkthimi e bën më masive njohjen e studimeve të huaja. Le të kujtojmë diskutimin që hapi vepra e Oliver Schmittit për Skënderbeun. Një diskutim i tillë nuk do të hapej nëse vepra nuk do të ishte përkthyer në gjuhën shqipe. Në këtë drejtim Akademia ka detyrat e veta. Sigurisht nuk do të jenë akademikët që do të merren me përkthime dhe as bashkëpunëtorët e tjerë shkencorë që punojnë jashtë këtij institucioni. Për këtë ka specialistë të veçantë që njohin mirë gjuhët e huaja dhe fushat përkatëse. Por akademikët mund të bashkëpunojnë për të përcaktuar prioritetet e kësaj fushe, veprat që janë të nevojshme të përkthehen, ato që janë studime të mirëfillta e me vlera të veçanta shkencore.

Si mund të ndihmojë Akademia e Shkencave në gjallërimin e botimeve shkencore?

Botimet janë një tjetër fushë ku Akademia duhet të japë kontributin e saj, duke synuar që botimet elitare, qofshin këto libra a monografi, qofshin botime periodike, të maten me nivele të përparuara të rajonit e të kontinentit tonë. Është për të ardhur keq që disa revista shkencore albanologjike të profileve të ndryshme që nga fillimi i viteve '90 e deri më sot e kanë përgjysmuar periodicitetin e botimit të tyre dhe nuk e kanë marrë ende veten për të rifituar pjesën e humbur. Ka edhe përmbledhje periodike shkencore që nuk botohen më. Ky është një problem serioz, që duhet të shqetësojë Akademinë, anëtarët e së cilës duhet të jenë pjesë aktive e redaksive të revistave më prestigjioze. Nëpërmjet botimeve që kanë vlera përtej kufijve të shtetit shqiptar, Akademia dhe shkencat shqiptare mund të afirmohen edhe në rrafshin ndërkombëtar, për të përfaqësuar shkencën shqiptare në forumet shkencore rajonale, europiane e botërore. Ajo duhet të sigurojë mbështetjen morale e financiare të botimeve të rëndësishme të veprave me vlerë kombëtare, të hartuara nga autorë vendës ose të huaj.

Si e shikoni lidhjen e Akademisë së Shkencave me shkollat e larta?

Kjo është njëra nga çështjet ku Akademia e Shkencave duhet të ketë pikësynime të qarta dhe afatgjata, që lidhen me përgatitjen e shkencëtarëve të rinj dhe me përtëritjen e vetë këtij institucioni dhe të institucioneve të tjera që merren me punë shkencore. Akademikët duhet të jenë të ftuar përmanentë në auditoret e universiteteve për të dhënë leksione e për të referuar në konferenca shkencore për problemet që shqetësojnë shoqërinë tonë. Ata duhet të luajnë një rol aktiv për t'u krijuar studentëve një klimë të përshtatshme, sidomos për ato degë të shkencave ku frekuentimi i tyre është i paktë. Një gjë e tillë është e domosdoshme kur shihet se ka një shkëputje ndërmjet brezave të studiuesve që merren me albanologji për shkak të interesit të paktë të brezit të ri për të bërë karrierë shkencore në këto fusha. Po bëhen gati dy dekada që studentët më të mirë shkojnë në degë të tjera, si: mjekësi, drejtësi, ekonomi etj., kurse shkencat filologjike preferohen nga studentë mesatarë.
Pasojat e kësaj prirjeje po duken dita-ditës. Për rëndësinë që kanë shkencat albanologjike nuk do të ishte e tepërt që qeveria të krijonte një "fond të veçantë ekselence", nëpërmjet të cilit të mbështeteshin studentët më të mirë për studimet e masterit dhe të doktoraturës në qendrat më të njohura të studimeve albanologjike në vendet perëndimore. Pjesëmarrja e akademikëve duhet të jetë aktive sidomos në kualifikimin pasuniversitar dhe në përgatitjen e shkencëtarëve të rinj duke qenë aktivë sidomos në dy vitet e fundit, që, sipas kartës së Bolonjës, i kushtohen më tepër kërkimit shkencor. Gjithashtu kërkohet një lidhje më e ngushtë me këshillat shkencore të universitetetve, ku pjesëmarrja e akademikëve duhet të gjallërojë më shumë punën e tyre dhe të koordinojë mësimdhënien me punën shkencore.

Duke përfunduar intervistën, a mund të na thoni se cilat janë planet tuaja të punës për vitet e ardhshme?

Po përgatis për shtyp monografinë "Sistemi rasor i emrave të shqipes", që është miratuar në të gjitha organizmat shkencore. Një monografi tjetër, "Evolucioni i sistemit foljor të gjuhës shqipe" e kam dorëzuar vitin e kaluar në Institutin e Gjuhësisë dhe do të diskutohet në muajin prill të këtij viti për t'u përgatitur për botim. Pas botimit të këtyre dy veprave mendoj t'i kushtohem tërësisht etimologjisë, një fushë ku, me gjithë kontributet e paçmueshme të prof. Çabejt dhe të dijetarëve të tjerë, ka ende shumë punë për të bërë, dhe mund të finalizohet me hartimin e "Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe".
 
Kush është?
 
Një nga gjuhëtarët më të njohur shqiptarë, sidomos në fushën e fonetikës së gjuhës shqipe, prof. Dr. Kolec Topalli e filloi rrugën e tij fillimisht si mësues në në katundet e Kukësit e Gramshit. Bëhet pjesë e Kongresit të Drejtshkrimit. Tanimë një gjuhëtar me grada, Topalli është autor i dhjetëra librave, artikujsh e kumtesash, si bashkëpunëtor i më shumë se 30 revistave shkencore brenda e jashtë vendit, me botime në 5 gjuhë të huaja.
Pedagog i fonetikës historike në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë dhe nga viti 1997 është bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.
Ka botuar 11 monografi dhe 1 tekst universitar, të cilat së bashku janë më shumë se 4500 faqe. Disa nga veprat e botuara janë: "Theksi në gjuhën shqipe", "Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe" , "Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes", "Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe", "Sonantet e gjuhës shqipe", "Dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe", "Bazat e fonetikës historike të gjuhës shqipe", "Fonetika historike e gjuhës shqipe", "Evolucioni historik i përemrave të shqipes", etj. Deri më 15 shkurt të këtij viti, do të dalë nga shtypi edhe një vepër tjetër, "Nyjat e shqipes". Monografia "Fonetika historike e gjuhës shqipe" është vlerësuar me çmimet "Ekselenca Shqiptare 2007" dhe "Çmimi i Albanologjisë 2008".
Përveç këtyre veprave, ka botuar 122 artikuj e kumtesa, dhe 6 të tjera janë në proces botimi. Nga artikujt dhe kumtesat e botuara 18 janë në gjuhë të huaja. Disa prej revistave dhe periodikëve ku kam botuar në gjuhë të huaja, janë: "Studia Albanica", Indogermanische Forschungen", "Zeitschrift für Balkanologie", "Linguistique Balkanique", "Albanezul", etj.
 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora