E hene, 24.01.2022, 07:41 PM (GMT)

Mendime

Uran Krasniqi: Viktimat e komunikimit të ndërmjetshëm

E enjte, 05.02.2009, 07:19 PM


VIKTIMAT E KOMUNIKIMIT TË NDËRMJETËM

 

Nga Uran Krasniqi

 

Eho Moskvi: Faleminderit shumë që morët pjesë në emisionin tonë – për ne ishte shumë e rëndësishme të dëgjonim opinionin tuaj. Dhe mendoj, se do të kemi rast të dëgjojmë opinionin e dëgjuesve tanë – na kanë mbërritur shumë pakënaqësira me SMS të tipit, pse e lejuat këtë njeri të dalë direkt në efir dhe të thotë ato që tha, - mendoj , se ky është një reaksion i padrejtë i dëgjuesve. Përderisa, siç pati absolutisht të drejtë zotëri Tufa, ne praktikisht kurrë nuk kemi marrë mundin ta dëgjojmë palën e përkundërt, dhe se argumentet e saj duhen dëgjuar dhe me çdo mënyrë duhen marrë para sysh.

Fragmenti i mësipërm është i shkoqur prej intervistës së shkrimtarit, publicistit, studiuesit etj., shqiptar Agron Tufa, që i ka dhënë radios “Eho Moskvi” të Rusisë më 24 prill të vitit të kaluar. Gjegjësisht kjo pjesë është përfundimi i atij bashkëbisedimi goxha të gjatë.

Pothuaj të gjitha pyetjet e gazetarëve Dimarskij dhe Rizhkov, janë të ndërtuara mbi bazën e mosposedimit të informacioneve reale për temën e trajtimit: Kosovën. I gjetur para një situate të tillë, ku intervistuesit me pyetjet e veta zgjojnë huti, Tufës çdoherë fillimisht i është dashur të tfillojë paqendrueshmëritë e më pas të përgjigjet.

Ja një shembull:

Eho Moskvi: Serbët kanë ikur prej shqiptarëve, apo prej kosovarëve?
Аgron Тufa: Në Rusi gjithçka e perceptojnë përmes Beogradit – në përgjithësi gjithë çështjen shqiptare, edhe Shqipërinë, edhe Kosovën. Kjo është kaq e padrejtë, saqë kur isha student i Institutit të Letërsisë “Gorki” në Moskë, më ikte truri nga shkalla e padrejtësisë dhe nga mungesa e dëshirës për të kërkuar anën tjetër të çështjes. Juve ju kujtohet mjaft mirë, kur (në fillim të konfliktit etnik në Kosovë me 1999) në të gjitha telekanalet kryesore moskovite, edicionet e mbrëmjes i hapte, për 5-10 minuta, vetë ambasadori jugosllav, Borisllav Millosheviçi, vëllai i Sllobodan Millosheviçit. Dhe kurrë, asnjëherë unë nuk pashë një përfaqësues të çështjes shqiptare. Mua vetë më kanë refuzuar botimin e artikujve.

Dhe kështu erdhëm deri tek intenca ime e shqyrtimit! Do të ndalem tek fakti që Tufa u ka përplasur turinjëve rusëve: Në Rusi gjithçka e perceptojnë përmes Beogradit.

Është fakt i pakontestueshëm se për shumë kohë Rusia ka jetuar me të dhënat që ia ka rezervuar Serbia për Kosovën. Shqiptarët janë njerëz me bishta, ka thënë Beogradi dhe Moska zyrtare e ka pranuar një gjë të tillë; Kosova është djepi i serbizmit, ka thënë Beogradi dhe Moska zyrtare e ka pranuar një gjë të tillë; çdo ditë serbët po vdesin si pasojë e dhunës, ka thënë Beogradi dhe Moska zyrtare e ka pranuar një gjë të tillë. E të tjera me radhë e të tjera pafund ka pranuar Moska… Deri aty ku edhe të shtrohet pyetja si në rastin më lart!

Në një situatë kësisoji, Kosova ma çon mallin e të qenit në një planet tjeter dhe jo në Tokë, ku veç Beogradi është atasheu i vetëm, në aspektin e posedimit të qasjes, dhe më pastaj solidarizohet me rusët duke iu dhënë informacione.

Rusia më bën të mendoj se është në gjendjen e individit të shtrirë në spital dhe ka nevojë për ta ditur se çka po ndodh me botën përjashta.

Por kjo është sall një imagjinatë e imja! As Kosova nuk gjendet në tjetër planet e as Rusia s’është në spital. E vërteta është se prijësit rusë s’kanë pasur asnjëherë vullnet për prekjen me dorë të vetë situatës në terren. Për t’u qitur provën e vërtetësisë “fakteve” që u ka servuar Beogradi. Ndaj është në natyrën e komunikimit të ndërmjetëm që lajmet të plasohen me shtesa dhe mungesa, gjithmonë sipas qejfit të atij që e bën këtë punë. Në rastin konkret Serbisë. Ikja e qëllimshme e të mëdhenjëve rusë nga ballafaqimi me palën tjetër, pra shqiptarët, në zbrazëtirën e krijuar ka lejuar veç të shtohet urrejtja për shqiptarët, duke ngjizur opinion tek publiku i gjërë, me ç’rast edhe është guxuar të shkruhet se: në fund të luftës së Dytë janë dërguar nga Shqipëria në Kosovë mbi 450 mijë shqiptarë të Shqipërisë! E të tjera gjepura, të cilat qytetarët rusë edhe i kanë besuar.

Realisht të gjithë e dimë se si është e vërteta e Kosovës. Kush sa ka demonstruar barbarizëm, djep i kujt është Kosova, qytetarët e cilës etni kanë vedekur si pasojë e dhunës etj., pa dashur të përseris fakte prej shkrimeve të tjera. Thjesht edhe të mos ekzistonin as si emertime e as si fenomene holokausti, krimet, gjenocidi etj., me rastin e Kosovës në vitet 1998-99, do të vinin në jetë.

Ç’është e vërteta, Rusia edhe sot vazhdon të jetë rob i Serbisë në kontekstin e dorëzimit para servimit. Bënë politikë asisoji që shpallja e pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, pengon njohjet e reja për shtetin e Kosovës etj. Po e përfundoj këtë shkrim me përfundimin e Eho Moskvi në intervistë me Tufën: ne praktikisht kurrë nuk kemi marrë mundin ta dëgjojmë palën e përkundërt, dhe se argumentet e saj duhen dëgjuar dhe me çdo mënyrë duhen marrë para sysh. A thua kur do to të vjen në Kremlin dikush që do ta materializojë përnjëmend një kësi fryme?!

P.S. Kush është i interesuar që ta shohë variantin origjinal të intervistës, mund ta bëjë në internet, duke prekur http://www.echo.msk.ru/programs/smoke/509967-echo



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora