E enjte, 25.04.2024, 06:42 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Giovanni Falcone

E marte, 23.05.2006, 08:38 PM


 Xhovani Falkone, historia 14 vjet me pare...

Ishte pas dreke vonë kur në pistën e aeroportit te Puna Raisit në Palermo do të ulej një "Jet" i Shërbimit Sekret SISDE, nisur një orë më parë nga aeroporti Cianpino në Romë. Në avion udhëtonin Giovanni Falcone dhe bashkëshortja e tij, prokurorja Francesca Morvillo. Në pistë janë tre autovetura që presin, një "Fiat Croma" kafe, një "Croma" e bardhë dhe një "Croma" blu. Është skorta e Falcones, e përgatitur nga shefi i policisë kriminale Arnaldo La Barbera. Ishte një skuadër që kishte për detyrë të ruante Falconen që pas atentatit të dështuar kundër tij në vendin e quajtur Addaura. Skuadra shoqëruese e zakonshme me Antonio Montinaron, agjentin e zgjedhur nga policia kriminale, që sapo shikon të zbresë prokurorin nga avioni, vendos dorën e djathtë nën xhakaventë për të kontrolluar pistoletën. Gjithçka duket në rregull, nuk ka nevojë për sirena dhe rreth orës 17:50, korteu i blinduar që transportonte drejtorin e Përgjithshëm për çështjet penale në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë gjendet në autostradën që shkon drejt Palermos. Gjithçka duket e qetë, por që në fakt nuk është. Dikush di se Falcone sapo ka zbarkuar në Sicili, dikush që e ndjek, dikush që di se pas tetë minutash, "Croma" e tij do të kalojë mbi atë cep të autostradës që…
"Croma" kafe është përpara. E drejton Vito Schifani, në krah të tij është Antonio dhe pas tyre Rocco Di Cillo. Prapa autoveturës ecën "Croma" e bardhë, që drejtohet nga Falcone, në krah të tij bashkëshortja Francesca dhe pas tyre shoferi Giuseppe Costanzo. Në autoveturën e tretë "Croma" blu, gjenden Paolo Capuzzo, Gaspare Cervello e Angelo Corbo. Ora 17:59, autostrada Trapani-Palermo. E hedhur në ajër nga shpërthimi, "Croma" kafe nuk është më, "Croma" e bardhë është dëmtuar sa nuk njihet, por që shoferi Costanzo duket se ka shpëtuar. "Croma" e tretë ajo blu, është kthyer në një mase hekuri të shkatërruar, por për fat tre agjentët vërtetë të plagosur, janë gjallë. Janë të plagosur sikundër njëzetë të tjerë, burra e gra që atë moment kalonin aty pranë dhe …, gjithçka ka mbaruar….
…bashkë me Falconen në Capaci, do të humbnin jetën bashkëshortja Francesca Morvillo, rojet e tij Rocco Di Cillo, Vito Schifanni e Antonio Montinaro.
Në kujtim të tij, më 4 qershor l992 mblidhet senati amerikan me rezolutën Nr.308, në të cilën nënvizohet forcimi dhe impenjimi i grupit të punës italo-amerikane, në të cilin bënte pjesë edhe Giovanni Falcone.
Interesant është fakti se të gjithë politikanët që në të kaluarën kishin penguar Falconen dhe "Bërthamën antimafie" të Palermos, u implikuan në hetimet e mëvonshme. Është me të vërtetë impresionante të lexosh listën e ministrave, të cilët ishin në fuqi në momentin e vrasjes së Falcones dhe që më pas do të ndodheshin nën hetime…
…Caltanissetta. Tridhjetë e nëntë të pandehur, por vetëm njëri prej tyre në sallë për të dëgjuar vendimin. Vetëm Pietro Alieri ka dëgjuar vendimin nga zëri i kryetarit të trupit gjykues Carmelo Zuccaro, se ishte dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Capacit. Gjithë të tjerët, si të dënuar, si të deklaruar të pafajshëm, kanë preferuar të qëndrojnë në qelitë e tyre.
Pas rreth dy vjetësh e gjysmë procesi dhe gjashtëqind orë në dhomën e këshillimit, jepet vendimi ndaj autorëve të vrasjes së prokurorit Falcone, bashkëshortes Francesca dhe rojeve Montinaro, Schifani dhe Di Cilo.
Ishte ora l0 e l0 kur trupi gjykues hyri në sallë. Një qetësi e madhe kur fjalët e para tingëlluan, "Në emër të popullit italian....", kryetari Zuccaro përmend listën e gjatë të të pandehurve duke deklaruar fajësi dhe dënimin me burgim të përjetshëm për 24 prej tyre..., tetë pafajësi dhe për gjashtë të tjerë dënime më të buta. Ndërmjet këtyre të fundit kishte bashkëpunëtorë të drejtësisë. Njëmbëdhjetë vjet për Giuseppe Agrigento, njohur fajtor për furnizimin e grupit me një pjesë të eksplozivit. Dhe pastaj Giovanni Brusca. Personi që kishte shtypur pulsantin më 23 maj l992, dënohet me 21 vjet. Giovanbatista Ferrante me l7 vjet, Gioachino La Barbera me l5 vjet e dy muaj, Santo Di Matteo dhe Calogero Ganci me l5 vjet. Pafajësi për moskryerje të krimit Giuseppe Lukese, Salvatore Sbelia, Giusto Sharaba, Mariano Agate, Salvatore Buscemi, Giuseppe Farinela, Antonino Giufre dhe Francesco Madonia. Për të gjithë këta, prokurori kishte kërkuar dënime deri në l4 vjet për secilin.
Dhjetë minuta ka zgjatur leximi i vendimit dhe menjëherë më pas komentet.
Sadisfaksion nga ana e akuzës: Një vendim historik dhe ka njohur jo vetëm fajësinë, por edhe ekzistencën e kupolës rajonale të Cosa Nostra.
Prokurorët Luca Tescaroli dhe Paolo Giordano janë të kënaqur.
Në sallë edhe prokurori i Caltanissetta-s, drejtuesi i hetimeve, Giovanni Tinebra, që në fund ka pohuar "Jam i qetë. Ky vendim konfirmoi që kemi punuar mirë".
Mendim të ndryshëm kishin avokatët mbrojtës: Një vendim i shkruar nga të penduarit.
Në atë moment në sallën bunker dukej sikur dëgjoje fjalët e Giovanni Falcones: Vetëm një dënim profesional i gjykatës dhe një hetim gjithashtu profesional do t'i japë mafies një goditje të tillë që edhe Sicilia të mos konsiderohet më si një shtëpi e saj. Rezultati më i dukshëm konsiston në të privuarit e mafies nga miti i padënueshmërisë dhe padukshmërisë së saj". Dhe ky dënim atë çast në atë sallë ishte realizuar…
… Lindur në Palermo më l8 maj l930, nga martesa e Arturo Falcone dhe Luisa Bentivegna. Giovanni Falcone ndjek Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Palermos, të cilin e përfundon në vitin l961. Mbas konkurrimit për magjistraturë, në vitin l964, emërohet Pretor në Lentini, për t'u transferuar shumë shpejt si ndihmës prokuror hetimi në Trapani, ku qëndron për dymbëdhjetë vjet rresht. Gjatë kësaj periudhe afirmohet dhe fiton eksperiencat e para në fushën penale.
Kalon në Palermo, të nesërmen e vrasjes tragjike të gjykatësit Cesare Terranova (25 shtator l979), ku fillon të punojë në sektorin e hetimit. Shefi i hetuesisë, Rocco Chinnici, i beson në majin e vitit l980 hetimin kundër bosit Rosario Spatola. Ishte një proces i cili lidhej me hetime edhe në SHBA. Më tej do të shikonte me sytë e tij vrasjen e prokurorit Gaetano Costa, i cili ndërkohë kishte filluar një hetim tjetër ku viheshin në shënjestër bosë të tjerë mafiozë.
Ishte pikërisht kjo periudhë kur Falcone kishte konkretizuar një kuadër të plotë për hetimet rreth pasurive të patundshme dhe bankare (edhe përtej oqeanit) të familjeve kryesore mafioze siciliane.
Më 29 korrik l983 Cosa Nostra, në vazhdim të heqjes së pengesave në rrugën e saj, vret shefin e hetuesisë, Rocco Chinnici dhe rojet e tij. Ai zëvendësohet nga Antonino Caponneto, i cili angazhohet seriozisht për të krijuar kushte më të favorshme hetimi në luftën kundër mafies. Krijohet në këtë kohë si domosdoshmëri e brendshme e hetimeve, e ashtuquajtura "Berthamë antimafie", mbështetur mbi modelin e mëparshëm të një ekipi hetimi aktiv gjatë luftës kundër terrorizmit (brigadave të kuqe). Në grup bënin pjesë përveç Falcones, prokurorët Di Lello, Guarnota, Borselino.
Mund të konsiderohej një ecje e dukshme përpara, për njohjen jo vetëm të fakteve përcaktuese mbi mafien, por në mënyrë të veçantë për strukturën e organizimit të Cosa Nostra-s, pyetja e filluar në Romë në korrikun e vitit l984 të Tomaso Busceta-s. I ashtuquajturi "i penduari i madh", shpjegoi para Falcones dhe Gianni di Genaro-s (sot drejtor i policisë italiane) duke paraqitur "skopinë" e organizimit mafioz të Cosa Nostra-s. Do të ishte pikërisht Buscetta që do ta paralajmëronte duke i thënë, "kujdes zoti prokuror, por të paralajmëroj. Pas kësaj marrjeje në pyetje dhe shpjegimeve që të dhashë, juve do të bëheni ndoshta një prokuror i madh, por ama jeta juaj do të jetë e shënjuar. Do të kërkojnë t'ju shkatërrojnë si fizikisht ashtu edhe nga ana profesionale. Mos harro se llogaria që tashmë ke hapur me Cosa Nostrën nuk do të mbyllet më kurrë. A je ende i mendimit që të vazhdosh pyetjen time"?...
….Më tej gjatë vitit l985 vriten nga mafia dy bashkëpunëtorët e ngushtë të Falcones, Giuseppe Montana dhe Nini Cassara, respektivisht komisar dhe zëvendëskuestor të policisë së Palermos. Fillon kështu jeta e blinduar e Falcones, por edhe kolegut të tij Borselino. Familjet e tyre për motive sigurie dërgohen pranë ishullit Asinara.
Ndërkohë hetimet ecnin dhe nëpërmjet ngjarjeve të tilla dramatike, arrihet në vendimin e dënimit të Cosa Nostra-s në maksiprocesin e parë, dhënë më datë l6 dhjetor l987 nga Gjykata e Assisit (Gjykata e Krimeve të Rënda) e Palermos. Ishte kryetari Alfonso Giordano, i cili pas njëzetë e dy muaj seancash dhe tridhjetë e pesë ditë në dhomën e këshillimit që do të deklaronte vendimin. Fashikulli i hetimit ishte dorëzuar nga ana e prokurorisë për 475 të pandehur, në fillim të nëntorit të vitit 1985.
Ngjarjet e mëvonshme treguan se ky sukses i padiskutueshëm i Falcones, nuk do të vlerësohej. Në janarin e vitit të ardhshëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të preferonte në vendin e shefit të hetuesisë, (lënë bosh nga Caponneto), Antonino Melin. Më pas do të vinte një tjetër episod, i cili do të rrisë tensionet në zyrën e hetimit dhe do të kishte pasoja të rënda, sidomos për hetimet antimafie. Në vazhdim të pohimeve të të penduarit Antonio Calderone, të cilat kishin determinuar për një sërë arrestimesh, hetuesit e Terminit vendosin që aktet t'i kaloheshin zyrës së hetimit të prokurorisë së Palermos. Por Antonino Meli, shefi i ri hetuesisë i ridërgon aktet në Termini, me arsyetimin se krimet ishin kryer atje..... Mbas kësaj Gjykata e Kasacionit me një vendim të vitit l988, ratifikon opinionin e shefit të hetuesisë, duke mohuar strukturën unitare dhe vertikale të organizimit kriminal. Ky vendim sanksionoi juridikisht copëtimin e hetimeve, që eksperienca e prokurorisë së Palermos kishte arritur të realizonte dhe kalonte.
Më 30 korrik l988 Falcone kërkon transferimin në një zyrë tjetër prokurorie. Në vjeshtën e po atij viti shefi i hetuesisë Meli, akuzon Falconen se kishte favorizuar në një farë mënyre "kavalierin e punës" së Catanias Carmelo Costanzon. Menjëherë pas kësaj ai vendos prishjen dhe shpërndarjen e "bërthamës antimafie", ashtu sikundër Paolo Borselino e kishte parashikuar që në fillim të verës, në një diskutim publik. Prokuroret Di Lello dhe Conte japin dorëheqjen duke protestuar.
Mbi të gjithë këtë ndodhi, më pas në qershorin e vitit l992, gjatë një debati realizuar në Palermo nga revista "Micromega", Borselino do të kujtonte, "qëndrimi i shefit të hetuesisë Meli i konfirmuar edhe nga Gjykata e Kasacionit, që atëherë edhe deri më sot ndikoi dhe nuk lejoi që Falcone të vazhdonte të punonte me impenjim të plotë". Duke qenë në këto kushte, megjithatë, gjithmonë gjatë vitit l988, Falcone realizon një operacion mjaft të rëndësishëm në bashkëpunim me Rudolph Giulianin, atë kohë prokuror i New York-ut, i quajtur "Iron Tower". Falë këtij operacioni u goditën familjet e mëdha mafioze të New York-ut, Gambino dhe Inzerilo, të implikuara edhe në trafikun e heroinës.
Më 20 qershor l989 dështon një atentat për vrasjen e Falcones në vendin e quajtur Addaura, afër Mondelos (rreth këtij atentati është botuar një libër me titull "Misteret e Addaures", shkruar nga hetuesi i çështjes Luca Tescaroli, sot ndihmësprokuror në Romë), ku ishte planifikuar një takim me prokuroren e Përgjithshme të Zvicrës në atë kohë, Carla Del Ponte. Këtë rast ai do të pohonte se, "ndodhemi përballë mendjeve të rafinuara që kërkojnë të orientojnë veprime të mafies. Ekzistojnë mbase pika takimi ndërmjet kreut të Cosa Nostrës dhe qendrave të veçanta të pushtetit që kanë interesa të tjera. Kam mendimin që është një skenar i tillë dhe që duhet kuptuar, nëse duam gjithashtu të kuptojmë me të vërtetë arsyet që kanë çuar dikë për të më vrarë".
Vazhdon më tej episodi i neveritshëm, i të ashtuquajturit "Korbi". Bëhej fjalë për disa letra anonime që kërkonin të akuzonin direkt Falconen dhe prokurorët e tjerë për "protagonizëm". Hetimet e bëra deri edhe nga Komisariati i Lartë për Luftën Kundër Mafies, vërtetuan të kundërtën.
Një javë pas atentatit të dështuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi emërimin e Falcones si zëvendësprokuror i Palermos. Në janarin e vitit l990, ai koordinon një hetim që solli për rrjedhojë arrestimin e katërmbëdhjetë trafikantëve kolombianë dhe sicilianë, hetim që kishte për pikënisje pohimet e të penduarit Joe Cuffaro. Ai kishte pohuar se anija "Big John", me flamur kilian, kishte shkarkuar në janarin e vitit l988, një sasi prej 596 kg kokainë në brigjet e Castelammare del Golfo.
Gjatë po këtij viti konkurron në zgjedhjet për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga magjistratura. Falcone ishte kandidat i listës "Lëvizja për drejtësi", por përsëri përfundimi negativ. Ndërkohë në prokurori vazhdonin polemikat dhe marrëdhëniet e rënduara mes tij dhe prokurorit të Palermos Pietro Giamanco. Ishte pikërisht ky moment kur Falcones i vjen një ftesë nga zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministër i Drejtësisë, Claudio Martelli. Ky e ftonte për të drejtuar zyrën e çështjeve penale në ministri. Hapet kështu një periudhë - mars l991 deri sa vdiq - që karakterizohet nga një veprimtari intensive, për t'i dhënë një shtytje të jashtëzakonshme luftës kundër krimit. Falcone është i impenjuar tashmë për të çuar deri në fund mendimet e tij për një rinovim dhe racionalizim të raporteve ndërmjet prokurorisë dhe policisë gjyqësore si dhe koordinimit ndërmjet prokurorive të ndryshme. Ishte iniciativë e tij krijimi i prokurorive të rretheve kundër mafies, të cilat do të drejtoheshin pikërisht nga prokurorët aktualë, por që do të kishte një drejtim koordinues dhe drejtues. Krijohet kështu shumë shpejt në nëntorin e po atij viti Drejtimi Nacional Antimafie. Falcone në diskutimin gjatë një takimi në Pallatin e Marshalleve më 22 mars l992 do të thoshte: Unë besoj që prokurori Nacional i Antimafies duhet ketë detyrë kryesore të realizojë efektivitetin e koordinimit të hetimeve, të garantojë funksionimin e policisë gjyqësore dhe të sigurojë kompletimin dhe shpejtësinë e hetimeve. Nënvizoj se ky duhet të jetë një organizëm orientues dhe mbështetës për veprimtaritë hetimore që zhvillohen ekskluzivisht nga prokuroritë antimafie të rretheve.
E megjithatë, kandidatura e tij për vendin e prokurorit Nacional të Antimafies, e mbështetur nga Claudio Martelli, përsëri rrezohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ....., për të ardhur shumë shpejt më 23 maj, masakra e Capacit. Ndërkaq duhet të kujtohet një vendim i Kolegjit të Parë Penal të Gjykatës së Kasacionit e datës 30 janar të po atij viti, i cili njihte strukturën vertikale të Cosa Nostra-s, si dhe përgjegjësinë e anëtarëve të "Kupolës" për të gjitha krimet e kryera prej saj. Vërtetohej kështu edhe një herë përfundimi i arritur nga Falcone në maksiprocesin e vitit l987...
...Njeriu Giovanni Falcone ka vdekur, por idetë e tij, radikalizmi i tij, impenjimi i tij jetojnë akoma. Ka jetuar në mënyrë laike jetën e një martiri, e ka jetuar atë çdo ditë edhe atë të shtunë tragjike të majit. Por në të njëjtën kohë ka jetuar edhe vdekjen, duke u kthyer në një simbol për mijëra vdekje të tjera, jo më pak të rëndësishme. Vdekja e Giovanni Falcone-s nuk ka mbyllur në asnjë mënyrë kujtimin e tij, që mbetet i gjallë për të gjithë ata dhe në ndërgjegjen e të gjithë atyre që kanë ofruar impenjimin dhe energjitë për të mposhtur krimin e organizuar. Nuk mund të harrohet metoda e tij e punës e bazuar jo mbi teoremat ose tezat e parakonceptuara, por mbi gjëra konkrete, mbi të dhëna dhe indicje të verifikuara. Dhe në gjithë veprën e tij, kishte vetëm konkretësi, kërkime analitike, ballafaqime, konfirmime të hipotezave hetimore, ndershmëri dhe objektivitet. Në to është dhe duhet të jetë, përgjigjja që rendi, drejtësia dhe një shërbëtor i shtetit, mund dhe duhet të japin. Dhe Falcone, ashtu siç e përmendte shpesh ishte dhe mbeti vetëm një shërbëtor i shtetit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora