E enjte, 25.04.2024, 09:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahtijar Kryeziu: Statusi i shpërfillur i gjuhës shqipe në Kosovë

E merkure, 04.02.2009, 09:23 PM


STATUSI I SHPËRFILLUR I GJUHËS SHQIPE NË KOSOVË

 

Nga Dr. Bahtijar Kryeziu

 

Nuk e pata fort vështirë të zgjedh titullin e këtij shkrimi. Heqja e një tabele nga banorët e fshatit Karaçevë (komuna e Dardanës, ish-Kamenicës), ditë më parë, me mbishkrimin “kufitar” vetëm në gjuhën angleze - gjuhë e të mëdhenjve, të cilën gjuhë 90% e popullatës së Kosovës, besoj se e do, por nuk e kupton, më motivoi të them këtë. Tabela nuk u hoq pse ishte e shkruar në anglishte, assesi, se fundja tabela e mbishkrime të shkruara kështu kemi edhe te Glloboçica  (kufiri Maqedoni – Kosovë) e gjetiu dhe në vetë shtetin e Kosovës, por pse ishte vendosur thellë në territorin e këtij fshati që i takon Kosovës denbabaden e jo Serbisë, por që ja, kishte mbishkrim të tillë. Megjithatë, mendova më vete: a ndodhë kështu me dhe në shtetet me traditë? Mbishkrimi të jetë vetëm në një gjuhë, që nuk është gjuhë zyrtare e shtetit përkatës. Dhe prapë më vete thash: jemi të sigurt se jo. Shembujt si ky janë të veçantë. Këtë nuk e kemi parë dhe as dëgjuar gjëkundi.

 

Këtë dhe rastet si ky nuk po i shtrojmë këtu si çështje politike, me këtë le të merren, në radhë të parë ata, që hanë bukën e politikës, por po e spikatim si problem shoqëror, civilizues e mbi të gjitha gjuhësor - për të cilin edhe e kemi fjalën këtu, e i cili mund dhe duhet të kundrohet e zgjidhet ndryshe. Po kush e vranë mendjen për këtë dhe kërkon ndryshimin e kësaj gjendjeje? Nuk e dimë. Besojmë se jo (sa duhet) ata që edhe duhet ta thonë fjalën e tyre.

 

Se popullata shqiptare në Republikën e Kosovës përbën mbi 90% të saj, këtë e di çdokush, por se shqipja përbuzet dhe nëpërkëmbët po aq shumë, këtë pakkush e thotë.

 

Të shkojmë me radhë. Gjuha si shenjë kombëtare duhet ta ketë vendin e saj në çdo shoqëri të civilizuar, pra edhe te ne. Megjithëkëtë, me sjelljet dhe kujdesin që po tregojmë ndaj saj, kjo nuk po ndodhë me ne dhe gjuhën tonë. Unë përmenda rastin e mbishkrimit të tabelës në fshatin Karaçevë, po puna kështu qëndron edhe në pikat e tjera kufitare – mbishkrime vetëm në anglisht, sikur po shkelim në një tokë anglofone ose madje edhe serbofone. Shtrohet pyetja sa institucionet tona shtetërore e shkencore e kanë ngritur zërin ndaj një (pa)përgjegjësie të tillë: qeveria, kuvendi, akademia, universiteti, apo mos vallë, me çështje të tilla aq madhore duhet të merret ndonjë shoqatë (e gjuhës), ndonjë klub apo individ.

 

Këtu mund të shtrohen edhe shumë pyetje të tjera: mbishkrimet e tilla (jo edhe në gjuhën shqipe) për kë janë shkruar? Popullata e këtij shteti ka gjuhë të veten apo jo? Flasin shqip apo anglisht, gjermanisht, italisht, serbisht...? Në cilin shtet të botës e kemi këtë mishmash. Dhe jo vetëm kaq. Fajin nuk duhet kërkuar vetëm te të tjerët. Duhet parë edhe veten. Çfarë interesimi, qëndrimi e respekti kemi, në radhë të parë ne, për çështje kaq të rëndësishme e kaq madhore - siç është gjuha.  Madje edhe aty ku zëri ynë mund të dëgjohet dhe vetë vendosim për gjuhën, gjendja s’është më e mirë. Shqipen e shpërfillim. Ajo duket sikur është e gjithkujt ose edhe e askujt. Më parë ishte ndryshe. Se është kështu, ja vetëm disa raste, me të cilat ballafaqohemi për çdo ditë e në çdo kënd të vendit tonë:

1.      Shkollat dhe institucionet në enklavat serbe kanë mbishkrime vetëm në cirilik e jo edhe në shqip a anglisht, kurse në trevat etnike shqiptare, edhe në fshatin më të largët, ndeshim “respektimin” e dygjuhësisë a të trigjuhësisë: shqip – serbisht e ndoshta edhe anglisht.

2.      Mbishkrimet e firmave të bizneseve tona për më shumë se 35% dalin në gjuhë të huaja, duke humbur kështu “fytyrën shqipe e shqiptare”. Besojmë se gjendja më e mirë nuk është – nëse jo edhe më e keqe, as në Shqipëri e në trevat e tjera të banuara me popullatë shqiptare.

3.      Mbishkrimet e tabelave të vendbanimeve, si rast i mirë për të treguar apo edhe për të injoruar  kulturën tonë, jo vetëm gjuhësore, po ashtu janë me plot gabime gjuhësore, madje edhe me asosh elementare.

4.      Shumë prindër, si e drejtë e tyre legjitime – ligjore, përveç emërtimeve nën trysnitë ideologjike – varësisht çfarë ishin ato, nën ndikimin e një mode, unë do të thosha nën ndikimin e një snobizmi, i emërtojnë fëmijë e tyre me emra të huaj (emra të aktorëve e këngëtarëve, apo dhe të personaliteteve të tjera të famshme të Evropës e të Amerikës. Kushedi sa Kevina, Dajana, Denisa... kemi sot në Kosovë, sado që më pak se, bie fjala, në Shqipëri apo edhe në diasporë (ku jetojnë sot me mija e mija shqiptarë), pa u ditur atyre emrave as domethënien elementare, në vend të emrave shqip: të vjetër (Ilir, Iliriana, Artan, Entela, Alban...) a të rinj (Gëzim, Blerim, Dritë, Vjollcë, Besnik etj.).

5.      Të gjithë të punësuarit në sektorin shoqëror edhe sot i marrin ato pak qindarka mujore, deri edhe në masën fyese dhe nënshkruajnë regjistrat e pagave të plotësuar vetëm në atë gjuhë – në gjuhën angleze (e këtu bëjnë pjesë edhe udhëheqësit më të lartë të Kosovës, punonjësit e administratës të këtij vendi, punonjësit e policisë, të universitetit dhe ata të arsimit të mesëm e fillor), të cilën gjuhë as 80% prej tyre nuk e kuptojnë, kurse vetëm 10-20 vjet më parë po këta njerëz rezistonin, i sakrifikonin vendet e tyre të punës, burgoseshin dhe luftonin për dinjitet e gjuhën amtare.

6.      Disa institucione, me rastin e shpalljes së konkurseve për punësim, nga kandidatët konkurrues kërkojnë njohjen e gjuhës angleze edhe atje ku ajo nuk lipset të zbatohet. I testojnë ata se në ç’masë e dinë këtë gjuhë (të cilën sigurisht se edhe vetë e çmoj shumë, por jo më shumë se gjuhën time), pa ju interesuar se sa ata komunikojnë drejt e mirë në gjuhën e tyre amtare.

7.      Në seminare të ndryshme të organizuara në universitet, kur ka të pranishëm ose edhe jo ndonjë të huaj, shqiptari me shqiptarin (edhe zyrtarisht) flet në gjuhë të huaj, për të treguar “dijen” dhe “kulturën e lartë”, përkatësisht snobizmin e tij dhe “harron” gjuhën e nënës.

8.      Për zgjedhjen a rizgjedhjen e një profesori të gjuhës në universitet nuk ka më rëndësi a e ka vlerësuar atë akademiku i kësaj fushe dhe a ka ai të botuara punime në njërën apo në tjetrën akademi nga kjo fushë, në njërin apo në tjetrin institut të gjuhësisë (Tiranë – Prishtinë), në revistat më prestigjioze të vendit (“Kërkime”, “Gjurmime albanologjike”, “Gjuha shqipe”...) ose ato që botohen në Shqipëri (“Studime filologjike”, “Gjuha jonë” etj.), por peshohet në kandarin e inxhinierit e të agronomit. Këta vendosin për të se a duhet të jetë ose jo profesor gjuhe dhe i kulturës së gjuhës, ky apo ai mësimdhënës.

9.      Nga mësimdhënës të ndryshëm, po edhe nga ata universitarë organizohen kurse të anglishtes, të gjermanishtes, të frëngjishtes, të italishtes e ku ta dimë krejt ne në cilën gjuhë dhe askujt nuk i shkon mendja ta organizojë a ta ndjekë një kurs të gjuhës shqipe.

10.  Organizohet një ngjarje mjaft e rëndësishme për gjuhën, letërsinë e kulturën tonë, e jehona e saj nuk është as sa e një mbledhjeje partie të mbajtur në fshatin më të largët të Kosovës. Ata që duhet të japin ndonjë para, pak ose fare nuk ndihmojnë ngjarje të tilla, kurse vetëm për një video-klip të ndonjë këngëtareje jepen edhe me mija e mija euro.

11.  Kur shënohet një përvjetor i ndonjë doajeni e prijatari të arsimit – të gjuhës shqipe, po edhe të fushave të tjetra, të cilin është fat i mirë ta kesh, vështirë gjenden 2-3 gazetarë, ose një shtëpi televizive ta shënojë atë ngjarje.

12.  Heqja e mësimit të gjuhës shqipe nga planprogramet e shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale (sipas një modeli me ata në Shqipëri), nuk është në të mirë të formimit kulturor të nxënësve tanë, jo vetëm gjuhësor, kur dihen rrethanat e deridjeshme sociopolitike dhe sociolinguistike në Kosovë, në krahasim me ato në Republikën e Shqipërisë. Heqja e gjuhës nga këto planprograme paraqet edhe një problem tjetër: ata që konkurrojnë për t’u pranuar në universitet (dega e Gjuhës dhe e letërsisë shqipe, në programin parashkollor a në atë fillor), duhet të provohen për njohuritë gjuhësore që nuk i kanë çuar më tej qysh nga shkolla tetëvjeçare.    

13.  Kaherë është thënë se kjo lëndë duhet ta ketë vendin e saj në planprogramet mësimore të të gjitha fakulteteve të Universitetit të Prishtinës dhe tashti në ato private, e sidomos në ato fakultete që përgatisin kuadro për mësimdhënie, dhe së paku në atë juridik, por kështu nuk ndodh në praktikë. Nga 17 fakultete publike, me mbi 98 degë, përkatësisht drejtime, Kultura e gjuhës si lëndë mësimore mësohet vetëm në 2 fakultete: në Fakultetin e Filologjisë dhe në atë të Edukimit[1], kurse Shkrimi akademik, që si kurs është mjaft ngushtë i lidhur me kulturën e gjuhës, mësohet vetëm në 4 fakultete me disa drejtime.

14.  Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të UP-së, në asnjërën nga degët arsimore: biologji, matematikë, gjeografi, kimi, fizikë, me planprogram mësimor nuk është paraparë asnjë orë kulturë gjuhe, gjuhë shqipe e as shkrim akademik, sikur kuadrot që dalin nga ky fakultet të mos përgatiten për punë me nxënës, por për punë në laboratorë, edhe pse e vërteta është ndryshe.

15.  Këtë lëndë (Shkrimin akademik) në fakultetet e UP-së po edhe në ato private e mbajnë mësimdhënës profilesh e specializimesh të ndryshme: historianë, pedagogë, gazetarë, e ndoshta më së paku ata që edhe duhet ta ligjërojnë – filologët. Për çfarë shkrimi akademik mund të bëhet fjalë nëse ai (që nuk e di gjuhën) lëshon mbi 30 gabime në një faqe shkrimi? Të shënojë fjali konfuze e pa farë kuptimi? Apo ndoshta mjaftuaka që ai mësimdhënës të japë vetëm disa opinione teorike për shkrimin akademik dhe t’u thotë studentëve: “Ja, ky është shkrimi akademik”!

16.  Dalin në dritë botime të ndryshme, qoftë edhe nga botues serioz por me një gjuhë joserioze – me plot gabime gjuhësore dhe as këtu nuk ka përgjegjësi. E njëjta gjë shihet edhe te gazetat ditore e revistat tona.

17.  Shtëpitë televizive sikur bëjnë garë se cila përdor gjuhë më të bastarduar, me lloj-lloj shprehjesh edhe më absurde për kohën tonë. Në ekranet e tyre shkruan: E Diellë, 20 Nëntor 2008 (Top chanell) etj. Dhe po në këto shtëpi televizive, ç’është edhe më e keqe, në vend që të bëhen përpjekje për ndryshim të gjendjes në të mirë, u krijojnë hapësirë dhe kërkohet nga disa antistandardistë që t’u kundërvihen specialistëve të standardit të gjuhës.

18.  Materialet e Universitetit të Prishtinës (kështu ngjan të jetë edhe me ato private) u shpërndahen anëtarëve të Senatit dhe të tjerëve, pa lektorimin e duhur, ashtu siç ngjet  edhe me materialet e organeve administrative: nga ato komunale e deri tek ato të administratës republikane.

19.  Kandidatë të fakulteteve për mësimdhënie mbrojnë tema diplomash (madje edhe punime magjistraturash e doktorësh) pa farë lektorimi të atyre punimeve, edhe pse mu në titullin e punimeve të tilla ndeshen edhe shumë gabime gjuhësore, kurse anëtarët e komisioneve nuk vrasin mendjen për to.

20.  Produktet e ndryshme, sidomos ato që hyjnë nga jashtë, nuk i kanë tiketat e përshkruara në gjuhën tonë zyrtare, ashtu siç është paraparë me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.  Në këtë mënyrë shkelet ky ligj e me këtë, jo vetëm të drejtat e konsumatorit, por diç edhe më shumë se kjo.

21.  Miratimi i përfolur i Ligjit për gjuhën, nuk dimë se në të kujt sirtarë ka mbetur dhe nuk zbatohet (ndoshta me pretekstin se gjuha duhet të jetë e lirë që ta përdorë atë kush si të dojë – si mall tregu).

 

Nuk është e tëra kjo që duhet thënë. Çdo shtet në botë ka kushtetutën e tij në të cilën decidivisht thuhet se gjuhë zyrtare në përdorim është kjo ose ajo gjuhë. Këto ose ato gjuhë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008, si çështje të pestë - te Dispozitat themelore, para simboleve të tjera shtetërore (flamuri, stema dhe himni), ka paraparë çështjen e gjuhëve dhe në faqen 2, neni 5 thuhet: “Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj”[2]. Në këtë akt, në aktin më të lartë legjislativ të vendit tonë, siç shihet, në aspektin kushtetues gjuha është çmuar e vlerësuar mjaft, ka vendin që edhe e meriton, por në aspektin gjuhësor, norma e saj edhe këtu është shkelur, është shpërfillur mjaft. Në kaq pak fjali të cituara (nuk po përmendim edhe lëshimet e tjera gjuhësore në tekstin e kësaj Kushtetute) të lëshohen 8 gabime, vetëm sa e përligj atë që kemi shënuar në titullin e këtij shkrimi.

 

Shoqëritë moderne (për çka mëton edhe kjo jona  - B.K.), përveç demokratike dhe multietnike, janë edhe shumëgjuhëshe. Pothuaj s’ka shtet në botë ku flitet vetëm një gjuhë – përveç në Kore[3], porse të pakta janë ato shtete (demokratike e multietnike), ose edhe nuk ka shtet të tillë që nuk e përfill gjuhën e vet zyrtare si te ne. Andaj, nëse vazhdohet kështu, kjo shenjë kombëtare, ky thesar i çmueshëm e i pavdirë i shpirtit tonë kombëtar, do të degradohet edhe më. Do të përbaltet. Do të ketë atë status kundër të cilit rilindësit tanë dhe iluministët e tjerë shqiptarë ngritën zërin në kupë të qiellit në mote edhe më të vështira, në kohëra edhe më të rënda. Për heshtjen tonë ndaj kësaj së keqeje, të lënies së gjuhës shqipe pa zot e në mëshirën e zotit, duke folur “në gjuhë të huaj kur nuk është nevoja” dhe duke lënë mbas dore shqipen, gjuhën tonë amtare[4], do të na zë ai mallkimi i poetit më të madh të epikës shqiptare, Gjergj Fishta, i cili jo pa të drejtë thotë:

                          “...Pra, mallkue njaj bir shqiptari,

                          që këtë gjuhë të Perëndisë,

                          trashëgim si na e la i pari,

                          trashëgim s’ia len fëmijës;

                          dhe atij ju thaftë po goja

                          që e përbuz këtë gjuhë hyjnore,

                          e në gjuhë të huej kur s’është nevoja,

                          flet, e t’vetën len mbas dore.”

                          

Dy shtete, me shumicë të popullatës që e përdorë gjuhën shqipe si gjuhë amtare, me dy akademi, dy institute të gjuhësisë, me mbi 13 universitete publike dhe tri herë më tepër asish private, me disa katedra të gjuhës shqipe, shtete ku për çdo ditë botohen me dhjetëra e dhjetëra gazeta e revista, pa zënë ngojë edhe ato që botohen në Maqedoni, në Mal të Zi e në Kosovën Lindore, nuk është mirë të lejojnë një gjendje të tillë aspak të lakmueshme të përdorimit të gjuhës sonë amtare. Prandaj gjuha duhet të respektohet e të mbrohet edhe zyrtarisht, e jo atë “ta përfytyrojmë si shëtitore a hapësirë tjetër publike mbushur me gjithfarë veturash të parkuara jashtë rregullave, kioskash të paligjshme, reklamash që pengojnë qarkullimin, arkash me mallra rrezëllitëse, por të panevojshme, plehrash të mbijetuara nga një panair a festë e vjetër, prostitutash që u kanë mbetur në trotuar vetëm çizmet, posterash e sloganesh të lashta politike mbivendosur në faqet e zhkarravitura të ndërtesave, dyqanesh të vdekura, por ende të pakallura, si stenda muzeu. Meqë shqipja është gjuha jonë e përbashkët, dhe e vetmja që përdorim për të komunikuar mes nesh si komb, kush abuzon me të, abuzon edhe me qytetarinë tonë dhe vullnetin tonë për zotim publik, duke na e ndotur dhe bërë të pajetueshëm mjedisin ku përftohemi dhe riprodhohemi si qenie sociale[5].

I gjithë ky mosrespekt ndaj kësaj shenje kombëtare, siç u përmend më sipër, s’ka se si të na ngushëllojë sot që “të mos shqetësohemi e të mos frikësohemi për fatin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës shqiptare” – siç do të thoshte gjuhëtari ynë i shquar - prof.dr. Gjovalin Shkurtaj[6]. Prandaj, do të kishim dashur që ky shkrim të jetë edhe një vërejtje e kushtrim më shumë për faktorët politikë, shoqërorë, ekonomikë e kulturorë kundër përdorimit dosido dhe statusit shpërfillës të gjuhës shqipe, ngase vetëm faktorët gjuhësorë nuk e kanë kaçikun për ta mbajtur gjallë shpirtin e saj. Ajo është e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta çmojnë e respektojnë. Një fjalë e urtë e arbëreshëve të Italisë thotë: “Kush bjerr gjuhën, lëbirret vetë”. Këtë nuk e meritojmë as ne e as gjuha jonë. 

 



[1] Edhe në FE të UP-së, me Planprogramin e ri të miratuar në fillim të vitit akademik 2007/2008, janë bërë

  disa “korrigjime", ku Shkrimi akademik dhe Gjuha amtare I  (si lëndë të obligueshme) dhe Gjuha amtare

  II (si  lëndë zgjedhore), që më parë mësoheshin si dy lëndë veç e veç, tani  mësohen si një lëndë e vetme –

    semestrin e parë (me 3 orë në javë) në degët: Histori - Edukatë qytetare, Gjeografi – Edukatë qytetare, 

  Matematikë-informatikë, Fizikë-kimi, Biologji-kimi, Teknologji-informatikë. Vetëm në degën e Gjuhës 

 angleze, semestri I, është paraparë të mësohet lënda e Kulturës së gjuhës me 3 orë në javë. Sipas nesh, kjo 

  “zgjidhje” dhe këto “korrigjime” nuk e ndihmojnë të mësuarit e gjuhës – kulturën e saj, e cila viteve të

  fundit, në vend të  një pasurimi e avancimi, shënon një tendencë shpërfilljeje, si në shkollë, ashtu edhe në

 universitet, në shkrimet shkencore e  letrare e ku jo tjetër.          

 

[2] Kushtetuta  e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2008, faqe 2.

[3] Anton Gojçaj, Shqipja e rrezikuar në Malin e Zi, “Gjuha shqipe”, nr. 3, Prishtinë, IAP, 2008, faqe 91.

[4] Gjovalin Shkurtaj, Kundrime gjuhësore, Tiranë, 2006, faqe 29.

[5] Ardian Vehbiu, Shqipja e drunjëzuar, gazeta “Shekulli”, 13.12.2008 (nga interneti)

6 Gj. Shkurtaj, Vepra e cituar, faqe 51.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora