E marte, 19.03.2024, 07:45 AM (GMT)

Mendime

Agron Tufa: Liria midis pushkës dhe ushkurit

E merkure, 04.02.2009, 06:42 PM


Agron Tufa
Agron Tufa
Liria midis pushkës dhe ushkurit

Nga Agron TUFA

Ishte një bisedë e filluar në “Aleksandër Palac” të Shkupit, fill pas prezantimit të një libri memuaristik mbi bashkëshortët luftëtarë, Fehmiut dhe Xhevës, që ranë dëshmorë në betejë me forcat militare serbe. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare, tashmë pjesë legjitime e Parlamentit maqedon, këmbëngulte t’i shtonte diçka një argumenti të tij mbi luftën dhe perceptimin brendashqiptar, andaj, ndërsa përshëndetej me të ftuarit e tubimit që po largoheshin, nuk ma lëshoi për asnjë çast krahun, duke më mbajtur gjithë brishtësi e takt, si të ishte prej qelqi të thyeshëm. Mandej po me atë mirësjellje intime, më lut ta bënim bashkë rrugën e kthimit Shkup-Tetovë. Aty patëm rast ta vijonim prajshëm bisedën e lënë përgjysmë.

- Shpesh, i dashur Agron, solidariteti patriotik shqiptar është një tollumbace e fryrë... Fjalë, deklarime të thata, politkorrektesë e keqkuptuar, zell i tepërt i shkuar dëm, duke shpresuar t’i bien për shtat BE-së, SHBA-së, Aleancës euroatlantike... Ke përshtypjen, se po iu shkrep këtyre organizatave të thonë – të copëtohet Shqipëria! – do të dalin, me siguri, ta mbrojnë me po kaq zell e servilizëm edhe këtë ide. Ndërsa ne kishim vënë jetët tona për një kauzë, - opinjioni i etërve të Kombit ishte aq larg pragmatizmit të situatës, sa po t’i kishim dëgjuar në pozitat e nxënësit të përdëlluar, jo që s’do të kishte “Marrëveshje Ohri”, por përfaqësimi ynë politik do të mohohej me ligj, e kushedi çfarë imazhi terrorist do t’i vishej mbarë popullsisë shqiptare këtu...

- Dakord, - e ndërpreva, - por nuk duhen fajësuar aq shumë deklaratat e “etërve të Kombit”, siç i quajtët ju, ngase vetë optika e pikëshikimit në një situatë të tillë - kur nuk ishin mbushur as dy vjet nga çlirimi i Kosovës, - ta sugjeron alarmin...

- Po sy me pâ, a kishin ata korifej e burra të mençëm të Kombit? Kaq të lypnin, jo më shumë! Si nuk na u drejtua kush, të na kuptojë e mandej të na mbështesë? ...Nejse, tani e thonë të gjithë, që ne zgjodhëm të vetmen rrugë të drejtë e të vërtetë, por çoje ndërmend, se çfarë do të kishim humbur, nëse nuk do t’i detyronim me armë maqedonët ta humbisnin njëherë e përgjithmonë sigurinë mistrece, – siç u qe ngulitur thellë ndër tru – se, gjoja, me shqiptarët mund të bënin si t’u tekej. Ne ua asgjësuam përgjithnjë këtë siguri, duke ua bërë mirë me dije, që shqiptarët nuk janë pakicë zezake, por bazamenti i bashkëjetesës, pa të cilët nuk mund të ekzistojë as për 24 orë kurrëfarë shteti maqedon...
- Edhe njëherë, droja e ndjeshmërisë shqiptare, miku im, shpjegohet me faktin, se mos gjithë ajo përkrahje e mbështetje e botës Perendimore dhe e Amerikës kthehej në pendesë, e së këndejmi, gjithë ai hap i madh me Kosovën, na kthehej në të kundërt të interesit kombëtar. Sigurisht, ju patët të drejtë, por kjo e drejtë, nuk duhet të çojë në një paragjykim të ri mbi perceptimet e jashtme, që ia bëjnë vetë shqiptarët çështjes së tyre... S’di ç‘të them... Kujt nuk i vjen mirë që ju patët të drejtë?! - thashë kur makina kishte ndaluar në qendër të Tetovës.

Zbritëm dhe vazhduam të ecnim në drejtim të bustit tre metrosh të Naim Frashërit, përpara kinoteatrit. Dielli qe në të perënduar dhe rrezet e tij përflakën profilin e bronxtë të Poetit.
- Zakonisht, - vazhdova unë, - në këto raste duhet ta ruajë kthjelltësinë i ashtuquajturi “shteti amë”, i cili, rëndom, vepron me mefshtësi, pa pikë origjinaliteti, aq sa reagimet pasive të duken menjëmend pabesi. A ju ka ardhur gjatë konfliktit të armatosur ndonjë nga figurat e shtetit shqiptar, së paku për t’ju këshilluar?
- Kontaktet tona kanë qenë të hidhura dhe jo mirëkuptuese.

Dy-tri raste na kanë shokuar, kur njësi të ushtrive tona, sipas nevojave e situatave, hynin në territorin shqiptar, kryesisht në Dibër. Ajo që s’arrinim të kuptonim ishin ultimatumet: thjesht na komunikohej të linim territorin brenda më pak se dy orëve. Njëherë erdhi vetë Kryeministri, i cili na kërcënoi, se “nëqoftë se nuk e braktisni Dibrën brenda 2 orëve, do t’ju qëllojmë”.

- Po ju?
- Tërhiqeshim. Ç’të bënim? Këtej ishim në luftë, andej na kërcënonin...
- Po takime me përfaqësues të shtetit shqiptar?
- Ka patur disa emisarë, por predikimi i tyre ishte “armëpushimi” pa kushte. Ajo që ta shpifte, ishte toni mburravec, fryrja dhe mendjemadhësia, sikur ata ishin baballarët e mençur, ndërsa ne, ca kalamaj kokëkrisur që donin t’i vinin zjarrin shtëpisë. Mbizotëronte toni paternalist, çka na dëmtonte, ngaqë shumë prej komandantëve tanë të luftës i shihnin me platonizëm këta të dërguar të shtetit shqiptar. Derisa vendosëm të mos i dëgjonim fare. Ne bënim luftën, ata na sugjeronin “armëpushim pa kushte”. Ç’të të them... Më keq se qeveria maqedone, me të cilët, të paktën, ishim në luftë të hapur.

- Ndoshta kanë sjellë tek ju zërin e diplomacive euroamerikanë, apo jo?
- Aspak. Ata vepronin në atë mënyrë, që u dukej se i pëlqen Europa. Por siç rrodhën punët, doli se ia kishin futur kot. Madje, thellë-thellë, menduam menjëmend, se disa “negociatorë”, janë masha të shërbimeve sekrete sllave për të demoralizuar frymën e luftës, që ishte asokohe në lartësi të jashtëzakonshme.
- Ndoshta e ekzagjeroni pak. Thjesht, ata mbase kanë gjykuar me aq sa ua ka prerë mendja, ashtu, në mënyrë naive, po jo se...
- Më fal, të të ndërpres. Rastet naive i dallonim lehtë nga demagogjia e mirëfilltë, që rrëshkiste, duke lënë të padukshme “këmbët e gjarprit”. Rast naiv, meqë e pruri fjala, ka qenë vizita ndërmjetësuese e Presidentit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, në malet e Sharrit.
- Ka patur një vizitë të tillë?
- Sigurisht. Ishte mesditë e fundit të majit kur i sollën në bazën tonë.
- Çfarë ju ofruan?
- E di çfarë? Diçka që s’ta rrok mendja. I dëgjuam ata burra të mençur, profesorë e akademikë, por s’dinim si t’ia bënim që t’i përcillnim pa i fyer. Presidenti foli gjatë gjithë drekës për kotësinë e luftës tonë.

Sllogane të pafundme... Përsëriste vazhdimisht e në mënyra të ndryshme idenë fikse, se në duhet t’i linim armët. Të uleshim në bisedime me qeverinë maqedone dhe të mos binim në gabimin e madh, duke u veshur shqiptarëve imazhin e faktorit përçarës në Ballkan. Por kryearsyetimi i Presidentit ishte i hatashëm. Ai thoshte se nuk ishte më nevoja të luftohej me armë. Sepse për 10-15 vjet, gjykuar nga aftësia e lartë natyrore e fertilitetit shqiptar, ne e kishim të fituar davanë. Pas një decenie e gjysëm, popullsia shqiptare do ta tejkalonte numerikisht atë maqedonase, kështu që do të gjendeshim një ditë në shumicë! Dhe kjo, sipas dy profesorëve, njëri President e tjetri ministër i Jashtëm, do të arrihej në paqe, në nështrim, derisa të vijë dita... Ishte e padurueshme, andaj ndërhyra:
- Sipas jush, i nderuar President, po na thoni, me fjalë të tjera, që ta lëmë pushkën, të zgjidhim ushkurët dhe t’u turremi grarisë, kush të na dalë përpara! Kështu e mundim shkjaun a?
- Mos e banalizoni, ju lutem...
- Jo, jo. Ju bukur na e thatë: të zgjedhim midis pushkës dhe ushkurit! Llaf llulle për besë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora