E shtune, 20.04.2024, 12:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Melinda, 15-vjeçarja shqiptare që pretendon për Yll- Pop në Amerikë

E merkure, 04.02.2009, 07:51 PM


Melinda Ademi: Para publikut kam dalë në klasën e tretë të shkollës fillore, pra kur kam qenë në Amerikë

Melinda, 15-vjeçarja shqiptare që pretendon për Yll- Pop në Amerikë

Nga Albert Zholi
 
Një vajzë e re shqiptare 15-vjeçare, e cila pretendon të bëhet Yll i POP muzikës në USA. Tashmë nëpër faqet e internetit qarkullon bindshëm ambicia e vajzës së re shqiptare, e cila ka mëse 10 vjet që banon në SHBA. Miqtë e saj po bëjnë thirrje “Melinda ka nevojë për votën tuaj”, “Vota juaj ka shumë ndikim” - (Your Vote makes a Difference). “Ju lutemi shpërndajeni në kontaktet tuaja”. Kjo thirrje më bëri që të lidhem me Melindën dhe të zhvilloj këtë bisedë ekskluzive për “Telegraf” 
 
Melinda, lexuesi do të dijë diçka për origjinën tuaj. Nga jeni dhe kur jeni nisur për në Amerikë?

Jam e lindur në Gjermani, babanë e kam nga Kosova, kurse mamanë nga Mali i zi (por të dy me origjinë shqiptare). Në Amerikë kam ardhur para 10 viteve, isha vetëm 4 vjeç e gjysmë.
 
Kur keni filluar të këndoni për herë të parë dhe çfarë keni kënduar ? (kënga e parë)

Për herë të parë kam kënduar kur kam qenë shumë e vogël (me këngët e Adelina Ismajlit). Por para publikut kam dalë në klasën e tretë të shkollës fillore. Pra kur kam qenë në Amerikë. Ka qenë një aktivitet i shkollës ku unë mësoj.

A e ka pasur familja juaj traditë këngën?

Familja e babit këngën e ka në gjak. Thuajse këndojnë të gjithë. Prej tyre e kam trashëguar dashurinë dhe zërin për këngën. Ca gjëra janë në gen. 

Aktualisht me se merreni dhe për çfarë studioni?

Tani për tani jam në shkollën e mesme, jam e shkëlqyer në shkollë, merrem me muzikë, i bie kitarës, po ashtu jam në përpunim të albumit tim në gjuhën angleze. Jam në një angazhim total. Mësime dhe punë. Tashmë i jam futur një rruge pa kthim. Këngët e mia të para janë kudo në radiot amerikane. Muzika Pop pëlqehet shumë edhe nga shoqëria ime e shkollës pasi në Amerikë pëlqehet shumë kjo rrymë. Ndjehem mirë mes vlerësimit të tyre. 

A keni ndjerë shenja racizmi në Amerikë dhe kur?

Shenja racizmi deri tani s'kam ndjerë. Amerika është një vend simbol për demokracinë dhe lirinë e të drejtave të njeriut. Në rrugën time të këngës jam ndjerë si në atdheun tim. Mjafton të kesh aftësi.

Pse keni përqafuar këtë gjini kënge dhe a është e pëlqyer kjo në vendin e origjinës?

Sepse zëri im është për muzikën POP. Edhe në vendin tim të origjinës kjo gjini kënge është e pëlqyer. Por personalisht më ka pëlqyer shumë përndryshe s'do këndoja fare.

Si i mbani lidhjet me vendin e origjinës dhe a shkoni shpesh?

Lidhje me vendin e origjinës e mbajmë më së shumti përmes internetit, por nganjëherë edhe shkojmë familjarisht. Më pëlqen shumë vendi im. Dihet që ne jemi shumë larg dhe lëvizjet e shpeshta kanë shumë ngarkesë si dhe shpenzime. 

A lexoni gazeta dhe libra në shqip dhe ku i gjeni ato?

Ah !Libra shqip, sikur të dija të lexoja, gjuhën shqipe do të merrja kudo që të gjeja. Por gjuhën shqipe e di shumë pak. Por në shtëpi kam shumë libra në gjuhën shqipe. Para pak kohësh kur isha në Kosovë bleva shumë libra për prindërit, të cilët lexojnë sistematikisht, por dhe për t’i pasur me vete për të mësuar sadopak gjuhën. Prindërit më nxisin vazhdimisht, por koha në dispozicion është e pamjaftueshme. 

A jeni e dashuruar për momentin dhe çfarë është dashuria për ju?

Jam në një moment që nuk e kam menduar fare. Tashmë po punoj vetëm për këngën. Për momentin dashuria ime më e madhe është familja. Tek ajo gjej ngrohtësinë, ndihmën, mbështetjen, forcën, ëndrrën që dua ta bëj realitet. 

Cilët janë këngëtarët tuaj të preferuar ?

Nga këngëtaret shqiptare preferoj Gentën, Adelinën.
Kurse nga ata anglez Natasha Bedingfield, Leona Leëis, Jordan Sparks, Celine Dion, Beyonce, Mariah Carey.

Sigurisht prindërit preferojnë ushqimin tradicional shqiptar po ushqimi juaj i preferuar dhe a mbani diete?

Mua më pëlqen shumë Pizza, por unë ha gjithçka. Ushqimi s'më ndikon fare në shëndet, pra s'kam nevojë për dietë. 

Thoni që keni shumë pak kohë të lirë, pikërisht me se merreni në këtë kohë?

Në kohën e lirë këndoj, kërcej, i bie kitarës, po ashtu shkruaj këngët e mia. Shumë tekste i bëj vetë. Më pëlqen shumë poezia. Brenda qenies time muzika dhe poezia mbështillen në një të vetme. Kështu më duket se kënga del më e bukur. 

Ku i kaloni pushimet e verës?

Varet, nganjëherë në Kosovë, Gjermani dhe në Amerikë.

Urimi juaj për shqiptarët?

Gëzuar 2009. Ky vit le të jetë për shqiptarët kudo në botë viti i mbarësisë, gëzimeve, haresë. Ju faleminderit gazetës Telegraf që mundi të gjej një këngëtare shqiptare këtu në Amerikë. Është një gëzim i dyfishtë.

(Mbasi Melinda di shumë pak shqip, përkthimin e bëri mamaja e saj Zonja Ademi)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora