E premte, 29.03.2024, 09:30 AM (GMT)

Kulturë

Ibrahim Kelmendi: Gjuha standarde gjermane arsyeton gjuhën standarde shqipe

E merkure, 04.02.2009, 07:22 PM


Ibrahim Kelmendi
Ibrahim Kelmendi
GJUHA STANDARDE GJERMANE ARSYETON GJUHËN STANDARDE SHQIPE

 

Nga Ibrahim Kelmendi

ibrahim_kelmendi@yahoo.de

 

Që disa vjet disa individë janë angazhuar me zell kundër gjuhës standarde shqipe dhe disa të tjerë, por me zell brutal, po kërkojnë që dialekti i gegërishtes të shndërrohet në “gjuhë standarde” të Republikës se Kosovës. Për t’i ndihmuar të tillët që të kenë informim për zhvillimin e gjuhëve të tjera, po paraqes zhvillimin historik dhe “juridik” të gjuhës standarde gjermane. Kështu dua t’ju ofroj një shembull, nga i cili mund të shihet se gjuha standarde gjermane praktikohet edhe zyrtarisht në të gjithë hapësirën gjermanisht-folëse, edhe pse ajo është e shtrirë në shumë shtete.

 

Rrugëtimi historik dhe “juridik” i gjuhës gjermane

 

Dëshmitë e para të shkruara në gjuhë gjermane janë të shekullit të 8-të. Ato janë të shkruara me alfabetin latin. Meqë alfabeti latin nuk u mjaftonte për të shqiptuar të gjithë tingujt e gjuhës gjermane, në shekullin e 10-të në Zvicër, Notker von Sant Gallen dha propozimin për “pikëzimin” e disa germave latine, që të mund të shqiptonin tingujt dallues të gjuhës gjermane.

Nga shekulli i 14-të gjuha e shkruar gjermane filloi të futet në përdorim, gjithnjë e më shumë, në vend të gjuhës se shkruar latine, si gjuhë administrative. Ndërsa në shekullin e 15-të (1522) u hodh hapi i parë drejt gjuhës standarde gjermane, përmes përkthimit të Biblës nga Martin Luther. Ajo u perfeksionua edhe më tej nga Goethe përmes veprës se tij “Fausti”. Në vitin 1788 Johann Christoph Adelung bëri propozimin për variantin ortografik, i cili vetëm në shekullin e 19-të u fut në përdorim si variant drejtshkrimor në shkollat gjermane.

Vëllezërit Grim, me fjalorin e tyre të gjuhës gjermane, kontribuan dukshëm në unifikimin e gjuhës e të drejtshkrimit. Ndërkaq, qysh në vitin 1850, pati këshillime të organizuara zyrtare, se cili drejtshkrim duhet të praktikohet në shkolla, duke filluar me urdhëresa zyrtare në Hanover, në vitin 1854, e deri në Austri, në vitin 1862.

Pas themelimit të Mbretërisë Gjermane në vitin 1871 u kërkua që të unifikohen rregullat e drejtshkrimit dhe të gjuhës gjermane. Në vitin 1876, me urdhër të kancelarit të hekurt Bismark, ministri i kulturës organizoi Konferencën e Parë Ortografike, në të cilën, pos përfaqësuesve të Mbretërisë Gjermane, morën pjesë edhe të deleguarit zyrtarë të Austrisë dhe të Zvicrës. Në këtë konferencë u morën vendime, të cilat mëpastaj, në zbatim, patën dallime. Në vitet 1879 dhe 1880, në Prusi e Bavari u përpiluan librat e parë zyrtarë të rregullave të drejtshkrimit, të cilat pastaj u praktikuan në gjithë hapësirën gjermane. Kurse në vitin 1901 këto rregulla i përvetësoi edhe Austria.

Risitë e këtyre rregullave të drejtshkrimit u kundërshtuan nga shumë personalitete kulturore, por këto kundërshtime përfunduan me debatin që u zhvillua në Parlamentin Gjerman në të njëjtën kohë.

Ndikim të madh për standardizimin e gjuhës gjermane, pos rregullave të deri- atëhershme të drejtshkrimit, bëri Konrad Duden, i cili në vitin 1980 përpiloi “Fjalorin e plotë ortografik të gjuhës gjermane, sipas rregullave prusiane e bavareze”.

 

 

 

 

 

Tridhjetë vjet pas themelimit të Mbretërisë (gjermane), në vitin 1901, ministria e kulturës  organizoi Konferencën e Dytë Ortografike, në të cilën u miratua drejtshkrimi i përgjithshëm, me disa ndryshime që u imponuan nga ndërhyrja e vetë mbretit Wilhelmi II. Këshilli Federativ (gjerman), duke u bazuar në vendimet e Konferencës së 2-të Ortografike, mori vendim, në vitin 1902, që fjalori Duden të jetë dokument zyrtar i gjuhës standarde. Me 1 janar 1903 u lëshua urdhëresa për gjithë administratën gjermane, që të praktikojë vetëm këtë gjuhë të miratuar standarde, e cila që nga 1 prilli 1903 duhet të zbatohet edhe në të gjitha shkollat gjermane. E njëjta gjë ndodhi edhe në Austri e Zvicër.

Në vitin 1920 u bënë kërkesa për ca reforma ortografike të drejtshkrimit. Ato nuk patën ndikim. Këto kërkesa u aktualizuan kur nacional-socializmi (Hitleri) mori pushtetin. Në vitin 1944 u vendosën ndryshimet, u shtypën miliona ekzemplarë për të njohur reformat e reja, por nuk kishte më kohë që ato të praktikoheshin, pasi Gjermania humbi luftën.

Gjatë viteve në vazhdim, pothuajse spontanisht, Redaksia Duden e ushtroi dhe e mbikëqyri zhvillimin e gjuhës gjermane, gjegjësisht fjalëformimin unik të saj. Kjo Redaksi kishte dy qendra në të dy shtetet gjermane (në Leipzig / Lajpcig dhe në Manheim / Manhajm). Në vitet e 50-ta, disa shtëpi botuese sulmuan monopolin e Redaksisë Duden dhe filluan të nxjerrin fjalorë paralelë, me disa ndryshime ortografike. Prandaj ministri federativ i Gjermanisë Perëndimore në vitin 1955 vendosi që fjalori Duden të jetë dokument bazë i gjuhës gjermane. Lëvizja (studentore) e vitit 1968 bëri kërkesa për thjeshtëzimin e drejtshkrimit të gjuhës, meqë fajësonin Redaksinë Duden që mban qëndrim konservativ. Por, as këto kërkesa nuk i pranuan udhëheqësit e shtetit.

Për të ruajtur unitetin gjuhësor në të dy shtetet gjermane, në vitin 1980 u formua Grupi Internacional i Punës për Ortografi, në të cilin merrnin pjesë profesionistët e deleguar të dy shteteve gjermane, të Austrisë dhe Zvicrës. Ndërsa, pas bashkimit të Gjermanisë, në vitin 1996 u mor vendim për disa reforma (thjeshtëzuese) të drejtshkrimit.

Deri në këtë kohë nuk u formua ndonjëherë një institucion i përhershëm zyrtare për nxitje e mbikëqyrje të zhvillimit të gjuhës gjermane, siç kishte ndodhur, ta zëmë, në Francë, që shteti ia kishte dhënë kompetencat Akademisë Franceze, për mbikëqyrje dhe zhvillim të gjuhës. Vetëm në vitin 2004 u themelua Këshilli për Drejtshkrimin Gjerman, i cili u ngarkua për të hartuar reforma të reja. Ky Këshill doli me propozime në shkurt të vitit 2006, të cilat u normuan ligjërisht më 1 gusht 2006 nga Konferenca e Ministrave të Kulturës të Republikave Gjermane, njëkohësisht u normuan edhe në Austri dhe në Zvicër. Bëhej fjalë për thjeshtëzim të drejtshkrimit, duke pasur parasysh edhe zhvillimin elektronik. Por, kjo reformë lejoi përdorimin e fjalëve të huaja, që ishin përvetësuar prej shekujsh nga gjuha gjermane dhe alternativat e tyre në gjermanisht (gjë që Franca e ndaloi me ligj përdorimin e fjalëve të huaja në gjuhën frëngjishte).

 

Ky është, pak a shumë, rrugëtimi “zyrtar” telegrafik i standardizimit të gjuhës gjermane.

 

Dallimet e dialekteve në gjuhën gjermane më të mëdha se në gjuhën shqipe

 

Dallimet e dialekteve dhe të nëndialekteve të gjuhës gjermane janë shumë herë më të mëdha sesa dallimet e të dy dialekteve dhe të shumë nëndialekteve të gjuhës shqipe. Të interesuarit, për të vërtetuar këto dallime në gjuhë gjermane, mund të binden (nëse nuk kanë mundësi të tjera) edhe nga fëmijët tanë në emigracion kur vijnë për pushime, të cilët po folën në dialekt, ta zëmë ai që jeton në Zürich (Curih), me atë që jeton në Hamburg, nuk do të mund të merren vesh, prandaj ata detyrohen të flasin në gjuhë standarde gjermane, siç e mësojnë detyrimisht në të gjitha shkollat e hapësirës gjermanisht-folëse dhe siç e praktikojnë të gjitha mediat e shkruara, pavarësisht faktit se në shumë hapësira në jetë të përditshme praktikohen edhe dialektet e vendit.

Për aq sa kam njohuri të gjuhës gjermane, kam konstatuar se fëmijët në Zvicër, në Bavari e gjetiu, mësojnë pothuajse paralelisht dy “gjuhë” gjermane: nga prindërit dialektin përkatës dhe në shkolla gjuhën standarde. Vetëm gjermanët e rrethit të Hanoverit duhet të ndihen më të privilegjuar, meqë kancelari Otto von Bismark “sugjeroi” dialektin e tyre për gjuhë zyrtare, sepse e quante dialekt të Gjermanisë Qendrore.

Edhe sot e kësaj dite në Zvicër e krahina të tjera në Gjermani e Austri ka protesta kundër gjuhës standarde gjermane, ka kërkesa që dialektet e vendit të standardizohen si gjuhë, por ato nuk përkrahen nga popullata vendëse, sidomos jo nga elita intelektuale dhe ajo politike.

 

Përfundim:

 

Me këto nuk dua të them se gjuha shqipe (edhe pse nuk e njoh mirë as gjuhën dhe as procesin e zhvillimit të saj) nuk duhet të reformohet, sepse gjithherë ka nevojë për zhvillim drejt thjeshtëzimit të drejtshkrimit dhe të pasurimit me fjalë origjinale nga krahinat shqiptare dhe me sinonime të nuancuara. Ndoshta do të kishte qenë më praktike që akademitë dhe institutet tona albanologjike të ngarkohen nga institucionet shtetërore që të formojnë komision të përbashkët dhe të përhershëm gjuhësor, për të nxitur e mbikëqyrur zhvillimin e gjuhës standarde shqipe.

Po të bënim krahasimin e paraqitur telegrafisht të gjuhës standarde gjermane, me atë të gjuhës standarde shqipe, për aq sa kam njohuri, do të thosha se gjuha standarde gjermane më shumë është “pjellë” e vendimeve shtetërore, sesa gjuha standarde shqipe, e cila tash po  sulmohet zellshëm nga disa individë.

Sigurisht, avancimi dhe “shkrirja” e dialekteve dhe nëndialekteve në çdo gjuhë është një formë e diskriminimit të secilit dialekt-folës, siç është edhe secili proces i përparimit, pasi shumica (e ngathët) e njerëzve, meqë janë të ambientuar me një gjendje të trashëguar nga paraardhësit, janë të prirur ta konservojnë sa më gjatë atë gjendje dhe prandaj çdo përparim e ndiejnë dhe e vlerësojnë si diskriminim. Kështu pra, disa individë, që po e sulmojnë  gjuhën tonë standarde, mund të klasifikohen si individë që zhvillimet e përparuara i kuptojnë si diskriminim. Disa nga këta, pa të drejtë, po ia atribuojnë vetëm diktatorit komunist Enver Hoxha standardizimin me forma të përdhunshme të gjuhës sonë, duke mos qenë të vetëdijshëm se kështu, pavetëdijshëm e naivisht, po i bëjnë nder të madh atij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora