E enjte, 25.04.2024, 06:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Studimet gjuhësore të Zenun Gjocajt

E merkure, 04.02.2009, 08:55 PM


Begzad Baliu
Begzad Baliu

STUDIMET GJUHËSORE TË ZENUN GJOCAJT

 

Nga Dr. Begzad BALIU

 

 

Zenun Gjocaj: Kronologjia e biografisë

1943 (28 prill): lind  në fshatin malor Gjocaj, afër Junikut.

1958: në Junik mbaron shkollën fillore.

1963 (qershor): mbaron shkollën e mesme - drejtimi pedagogjik në          

         Gjimnazin e Pejës.

1963-1964: mësues i shkollës së parë fillore me paralele të kombinuar

    (I-IV) në fshatrat Gjocaj e Jasiq, paralele e ndarë e Shk. Fill. Junik

1964 – 1966: student i rregullt në SHLP në Prizren

1966-7: arsimtar i Letërsisë dhe i Gjuhës shqipe në SHF në Junik.

1968-1972: arsimtar në Deçan.             .

1972 (10 mars): Mbaron studimet në Fakultetin Filozofik - Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

1972-19766: Profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

1974-1976: Mbaron studimet pasuniversitare të Gjuhësisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

1976-1981: Profesor në Akademinë Pedagogjike në Prishtinë

1978: Filloi me shkrime të karakterit shkencor nga fusha e gjuhësisë, së pari në rev. “Skëndija”, pastaj në “Gjurmime albanologjike” etj.

1980: Mbron tezën e magjistraturës me temën: “Roli i Luigj Gurakuqit në themelimin e gjuhës letrare kombëtare”, para komisionit: Prof. Dr. H. Agani, Prof. Dr. B. Bokshit, Prof. Dr. L. Mulakut dhe Prof. Dr. R. Ismaili

1981-1987: Arrestohet, dënohet dhe vuan dënimin në burgjet serbe për shkak të pjesëmarrjes së tij në Lëvizjen Patriotike Ilegale të viteve ’70 dhe sidomos në organizimin e demonstratave të vitit 1981. Gjatë vuajtjes së dënimit, nëpër grila, fejohet me vajzën e njohur para arrestimit, ndërsa martohet menjëherë pas lirimit nga burgu. Edhe pas daljes nga burgu, për katër vite me radhë, sigurimi serb vazhdon ta përcjellë dhe t’ia kufizojë lëvizjen legale të tij, duke mbetur i papunë deri më 1993

1993: Arsimtar në shkollën e mesme teknike “Marin Beçikemi” në Vushtrri.

1997: Mbron tezën e doktoratës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës me temën “Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe”, para komisionit: Prof. dr. Murat Blaku (mentor), akademik Rexhep Ismajlit dhe prof. dr. Fadil Raka.

1999: Këshilltar pedagogjik në Drejtorinë e Arsimit në Vushtrri

2001: botoi dy veprat e para, të sipërshënuara, por të përpunuara në bazë të materialit të mbledhur në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në atë të Gjuhësisë në Tiranë dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe të Shqipërisë.

2001-2003: Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Vushtrri.

2003: Mësimdhënës i lëndës Gjuhë shqipe I-IV në Fakultetin e Edukimit, në Prishtinë.

 

I. 1. Në kërkim të autobiografisë dhe historisë: Vetëdija intelektuale si vetëdije dhe si përvojë historike.

Pas demonstratave të vitit 1968, në Kosovë fillon një lëvizje intelektuale, politike dhe arsimore e shkencore, të cilën nuk e kishin përjetuar shumë breza më parë. Themelimi, përkatësish rithemelimi i disa institucioneve të mbyllura kryesisht në fillim të viteve ’50 (Bibliotekës Kombëtare, Institutit Albanologjik të Prishtinës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës), bashkëpunimi me institucionet arsimore, shkencore dhe kulturore të Shqipërisë etj., bëri të mundur krijimi i një brezi të fuqishëm intelektualësh, të cilët nuk do të bëheshin vetëm krah i fortë i ndërtimit të strukturave edhe ashtu të paqëndrueshme të shtetësisë së Kosovës, por edhe e strukturave kryesisht arsimore e shkencore të Kosovës, dhe madje pjesë e strukturave ilegale të Lëvizjes patriotike shqiptare.

Kjo është periudha e orientimeve të fuqishme intelektuale, kur po shkëputeshin jo vetëm lidhjet politike me Beogradin, po edhe lidhjet shkencore e kulturore. Një brezi i fundit i studentëve shqiptarë të Beogradit kthehet dhe sintezat e tyre shkencore i mbrojnë në Kosovë, ndërsa disa të tjerë, të cilët përtej albanologjisë bëjnë kërkime kryesisht në linguistikën e përgjithshme apo letërsinë krahasimtare, studimet e tyre i vazhdojnë në Zagreb.

Si duket, i ashtuquajturi atëherë Kuvendi Krahinor, duke shfrytëzuar klimën politike e kushtetuese aktuale të marrëdhënieve kulturo-shkencore Shqipëri-Kosovë, ia mundësoi  Universitetit të Kosovës hapjen e studimeve pasuniversitare për gjuhësi e letërsi (dy drejtime), ku u regjistrua një numër i mirë studentësh në dy grupet dhe, pos tjerësh, u lejua edhe mësimdhënia e profesorëve të shquar të Universitetit të Tiranës (Prof. E. Çabejt, Sh. Demirajt, M. Domit, A. Kostallarit, J. Gjinarit etj.; Z. Sakos, A. Xhikut, etj., pastaj të A. Decniskaja nga BRSS, si dhe disa profesorë nga Universiteti i Beogradit e Zagrebit për drejtimin e Letërsisë. Z. Gjocaj i përkiste gjeneratës së parë. Provimin e parë e kreu te Prof. A. Kostallari (“Historia e formimit të gjuhës letrare kombëtare”), ndërsa te Prof E. Çabej e kreu provimin “Gramatika krahasimtare e gjuhëve indoevropiane”. Ndërkaq, lëndën “Gjuhësia e përgjithshme” e ligjëruar nga Prof. A. Kostallari, si provim e kreu te Prof.  R. Ismaili, sepse ndodhi shkëputja e marrëdhënieve ndëruniversitare Shqipëri-YU, përkatësisht Kosovë, për shkak të afrimit jo vetëm kulturo-arsimor e shkencor, por edhe shpirtëror të dy pjesëve etnike.

Në hapat e parë të veprimtarisë shkencore ai bashkëpunon me institucionet shkencore: Institutin Albanologjik të Prishtinës, një institucion shkencor që kishte marrë që nga fillimi karakterin e institucionit nacional, Fakultetin Filozofik/Filologjik, institucionin e popullarizimit të albanologjisë në përmasa ndërkombëtare, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare etj. Gjatë kësaj kohe ai shkruan tekste e para shkencore dhe kulturore, si dhe bashkëpunon me revista shkencore,[1] të përkohshme dhe gazeta ditore në Prishtinë dhe në qytete të tjera etj.[2]

Temat e tij që nga fillimi kapin disa domene të cilat në parim reflektojnë konceptet e tij jo vetëm shkencore. Madje që në fillim ashtu si edhe më vonë ai do të përkushtohet në dy drejtimi kërkimi: në kërkim të historisë së gjuhës shqipe, që ishte përgjithësisht një prirje e të gjithë studiuesve, të cilët me jetën dhe me veprën e tyre dëshironin të bëheshin pjesë e studimit dhe bërjes së historisë kombëtare dhe me një fushë të rëndësishme të saj, frazeologjinë, një prirje kjo po aq e kohës, që studiuesit e përkushtuar në fushë të shkencës t’i kontribuonin kombit me studimin e një fushe krejtësisht të re dhe të pashkelur shkencore në përmasa kombëtare.[3]

 

I. 2.  Biografia

Në kërkim të realizimit të idealeve të tij jetësore dhe profesionale (nga shkolla fillore deri te Fakulteti i Edukimit, dr. Zenun Gjocaj, përvijon dy rrugë. Të parën e realizon duke e sakrifikuar jetën e tij, ndërsa të dytën duke i thelluar kërkimet profesionale e shkencore, duke shënuar rezultate të lakmueshme në fusha të ndryshme të albanologjisë etj. Biografia e tij jetësore dhe bibliografia profesionale dëshmojnë më së mirë vetëdijen e tij historike (qëndrimin e palëkundur në kërkim të lirisë së popullit të tij) dhe nivelin e paraqitjeve shkencore me kumtesa në disa sesione, tryeza e tubime të tjera me karakter shkencor.

Një vështrim i veprimtarisë shkencore të dr. Zenun Gjocajt, qoftë edhe jo i plotë gjithaq, tregon se interesimi i tij është i shtrirë në disa drejtime të shkencave jo vetëm gjuhësore shqiptare.

Numri më i madh i artikujve dhe i studimeve të tij i kushtohen kulturës së gjuhës, çështjeve gramatikore, problemeve leksiko-frazeologjike e frazeo-stilistike etj. Në këto studime vërehet një qasje serioze e autorit për trajtimin e problemeve që kanë rëndësi të madhe për disa disiplina shkencore, veçmas për standardin e gjuhës dhe historinë e shqipes e të shqiptarëve.

Gjithashtu, në disa vështrime autori ka trajtuar në mënyrë analitiko-sintetike edhe disa vepra filologjike të gjuhëtarëve tanë, duke dhënë kështu një ndihmesë të çmuar në këtë fushë. Ai trajton problemet duke zbatuar me sukses metodën sinkronike dhe diakronike dhe duke hedhur dritë për ndriçimin e një varg çështjesh që kanë mbetur të pastudiuara sa duhet në shkencat e ndryshme albanologjike.

Pjesëmarrja aktive në simpoziumet e tubimet e tjera shkencore me karakter kombëtar e ndërkombëtar, të organizuara në qendra të ndryshme shkencore është një angazhim tjetër i dr. Zenun Gjocajt. Pas daljes nga burgu dhe kufizimit të lëvizjes së tij në rrethin familjar e qytetar, si dhe rrënimit të sistemit totalitar në Evropën Lindore, Zenun Gjocaj, rifillon angazhimet e tij publike, duke e bërë të mundur botimin dhe diskutimin e mendimit të tij shkencor, politik dhe publicistik njëkohësisht. Përkushtimi i tij shkonte nga polemikat me politikanë e publicistë serbë për tema të caktuara politike, te përkujtimet për dëshmorë e të vrarë të tjerë, si dhe diskutimet kolegjiale për probleme të lëvizjes kombëtare, deri te tekstet e tij shkencore që përgatiteshin në shenjë të aktiviteteve përkujtimore e shkencore të institucioneve kulturore e arsimore të Kosovës. Një vend më vete paraqesin projektet e përmasave të mëdha (monografike) shkencore për çështje të semantikës, leksikografisë dhe frazeologjisë.

Në këtë kohë mjeshtrin tonë e gjejmë të rikthyer në aktivitete kulturore [4] dhe  shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës [5] në Institutin e Historisë, në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare të Fakultetit të Filologjisë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës etj.[6]

Në Sesionet shkencore të tyre Gjocaj lexon, diskuton dhe boton studime që ndërlidhen me probleme të historisë, gjuhësisë, kulturës, lirisë dhe mendimit intelektual: me njëren prej temave të rëndësihme të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të Kosovë, toponiminë e Kosovës; me njërën prej temave më të popullarizuara të kohës, problemet aktuale të gjuhës shqipe; me përvjetorë të mëdhenj historik të përmasave kombëtare, sikur ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqiptare më 1912; me temën e madhe dhe sa kulturore po aq politike të kohës: Kosovën dhe Evropën dje, sot e nesër; me leksikun e njërit prej poetëve më të mëdhenj që ka njohur historia e letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecin; me arritjet leksikore të letërsisë shqipe dhe gjuhës letrare; me vendin e njërës prej personaliteteve më popullore të kohës në historinë kombëtare, Shotë Galicën; me përvjetorin e njërës prej temave më të diskutuara të historisë bashkëkohore shqiptare të Kosovës, Lidhjen e Dytë të Prizrenit (1941); me njëren prej temave që atëherë si edhe sot po i paraprinë gjuhësisë shqiptare, standardizimin apo njësimin e gjuhës letrare shqipe, sikur shpreheshin atëherë gjuhëtarët; me fjalëformimin në gjuhën shqipe; me përvjetorin e lindjes së njërit prej autoriteteve më të rëndësishme të shekullit XX në fushë të historisë së albanologjisë, Profesor Jup Kastratin, dhe konceptet filologjike të tij; me gjuhën në mjetet publike; me njërën prej kryengritjeve më të veçanta të Kosovës, Betejën e Galicës, nën udhëheqjen e Azem Bejtës (1924-2004); me gjuhësinë shqiptare në gjysmën e parë të sh. XX, duke e parë këtë epokë kryesisht në prizmin e zhvillimit të leksikografisë shqiptare, në kontekst edhe të problemeve të tjera të kulturës së gjuhës; me konceptet gjuhësore të J. De Radës, N. Frashërit, Gj. Fishtës, L. Poradecit, Ndre Mjedës, Migjenit, kryesisht në dritën e frazeo-stilistikës poetike të lisave të mëdhenj deri më 1938.

Po në këtë kohë ai merret aktivisht me redaktimin, recensionimin dhe  korrekturën letrare të veprave shkencore, historike, historiografike e letrare të shumë bashkëkohësve.[7]

 

I. 3. Polemikat në mbrojtje të doktrinës së Lëvizjes Ilegale të Kosovës

Në biografinë e dr. Zenun Gjocajt aktiviteti i tij në Lëvizjen Ilegale të Kosovës paraqet njërin prej aktiviteteve më të rëndësishme jetësore. Ky aktivitet sigurisht pati ndikim të madh edhe në biografinë dhe bibliografinë shkencore të tij. Në vitin 1982, Gjocaj dënohet me tetë vjet burg nga Gjykata e Qarkut në  Prishtinë,[8] nga regjimi serb, për “veprimtari nacionaliste dhe irredentiste”. Kjo është arsyeja pse, ai edhe pas daljes nga burgu, tash nga pozita e komentuesit në shtypin e kohës, vazhdon të shkruaj për çështje politike, kulturore, historike dhe madje polemizuese. Tekstet e tij Kur gjykatësi e gjykon gjykatësin, Drajfusi kolektiv shqiptar në Kosovë, Krushqit e dhembjes krenare (skicë përkujtimore për rënien heroike të Naser Hajrizit dhe Asllan Pirevës, më 2 prill 1981 në kryengritjen paqësore për liri, Prishtinë), A je me mua a me ujkun?” (polemikë me gazetarin e “Newsveek-ut, Rod Nordland rreth artikullit “Ujku në derë”, i cili luftën e filluar në Qirez, Likoshan e Prekaz kundër terrorit serb, e quan “serbo-muslimane” e UÇK-në “grup klandestin”), Përpjekje për varrosjen e çdo gjëje shqiptare (polemikë me Zhivko P. Cuckiqi-in për elaboratin famëkeq antishqiptar “Kosmet 2000”, me akademikun M. Beçkoviq dhe Dobrica Eriq rreth poezive të tyre antipoetike, antishqiptare e antinjerëzore), janë shembulli i qëndrimit intelektual të shqiptarit të persekutuar deri në asgjësim.

 

II. LUIGJ GURAKUQI DHE GJUHA KOMBËTARE

 

II. 1. Në kërkim të identitetit shkencor

Në gjuhësinë shqiptare ishin bërë shumë studime për shkrimtarët, por përkushtimi më i madh i studiuesve, përkatësisht filologëve kishte të bënte me shkrimtarët e letërsisë së vjetër. Për shkak se veprat e Buzukut, Bogdanit, Varibobës e Budit, vlerësoheshin kryesisht për frymën biblike dhe besohej se qëllimi i parë i shkrimit të tyre kishte të bënte me shërbimet liturgjike, studiuesit shqiptarë përkatësisht historianët e letërsisë dhe filologët, studimit të tyre ju qaseshin kryesisht nga aspekti gjuhësor.

Në këtë mënyrë veprat e shkrimtarëve të vjetër në gjysmën e parë të shekullit XX ishin studiuar kryesisht nga filologët (Justin Rrota, Mustafa Kruja etj), ndërsa në gjysmën e dytë të këtij shekulli vepra e tyre trajtohej edhe nga aspekte të tjera: filologjike e historiko gjuhësore (Eqrem Çabej, Namik Resuli, Martin Camaj etj.), leksikore (Kolë Ashta, Dhimitër S. Shuteriqi) dhe gramatikore (Selman Riza, Justin Rrota, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj).

Më pak ndërkaq ishte studiuar kontributi i shkrimtarëve të epokës së rilindjes dhe aq më pak i shkrimtarëve të letërsisë së shekullit XX. Edhe atëherë kur kjo ishte bërë, përpjekjet ishin kryesisht fragmentare dhe në shenjë të ndonjë studimi përkujtimor e përgjithësues: Norbert Jokli dhe më vonë Dhimitër S. Shuteriqi e Jup Kastrati për gjuhën e Naim Frashërit, Jup Kastrati e Wili Kamsi për gjuhën dhe leksikun e Ndre Mjedës, Justina Shushka për gjuhën e Naum Veqilharxhit, Murat Blaku për gjuhën e revistës “Albania” etj. Vetëm dekadat e fundit ka filluar studimi i autorëve të letërsisë bashkëkohore. Janë bërë studime për gjuhën e Fan Nolit (Fatmir Agalliu), gjuhën e Jakov Xoxes (Shefkije Islamaj), Ismail Kadaresë (Gjovalin Shkurtaj, Natasha Sotiri) etj.

Zgjidhja e studiuesit tonë që të merret me konceptet gjuhësore të Luigj Gurakuqit nuk ishte e rastit. Në jetën kulturore, letrare dhe sidomos në Lëvizjen ilegale të Kosovës jeta dhe vepra e Luigj Gurakuqit ishin sinonim i patriotit, luftës për liri dhe demokraci, për kombin dhe gjuhën e bashkuar. Luigj Gurakuqi ishte frymëzim i brezave të tërë shqiptarësh, sidomos brezave të Kosovës së robëruar, të cilës i takonte edhe autori i monografisë për konceptet gjuhësore të tij. Me zgjedhjen e mendimit gjuhësor të Luigj Gurakuqit, Zenun Gjocaj përtej koncepteve akademike, sigurisht gjente te vepra dhe sidomos te autori i tyre edhe idealet e djalërisë së tij. “Në historinë e popullit shqiptar, - shkruan autori në sintezën e veprës, - Luigj Gurakuqi mbeti figurë e gjithanshme kombëtare. Ai, që nga mosha 19 vjeçare, luftoi pa ndërprerë për çlirimin e vendit, për zhvillimin e kulturës, shkencës dhe arsimit, si dhe për ngritjen e shtetit të ri, të përgjysmuar, në këmbë të sigurta, duke iu përgjigjur praktikisht dhe teorikisht kërkesave kombëtare, si shumë patriot e punëtor të kulturës, të kohës së Rilindjes e pas saj”.[9] Sigurisht kjo është arsyeja pse pjesës së parë thelbësore (linguistike) ia ka prapavënë, e unë mendoj se do të ishte mire t’ia paravinte pjesën historike të zhvillimeve gjuhësore të kohës.

Ai ishte vjershëtori dhe teoricieni i saj, publicisti dhe oratori, politikani dhe shtetari me dhunti të jashtëzakonshme prej oratori, i cili u rrinte pranë e pranë oratorëve më të veçantë të kohës: Fan Nolit e  Gjergj Fishtës. Kjo është arsye pse ai në djalërinë e parë të tij do të ndikojë në jetën politike, shoqërore, shtetërore, arsimore dhe kulturore, në atë përmasa në të cilat shkëlqenin bashkëkohësit e tij të një moshe shumë më të pjekur.

A nuk i përgjigjej kjo frymë pikërisht autorit të saj dhe idealeve të tij. 

Prandaj, në pjesën e parë të veprës së tij autori ka bërë përpjekje për krahasimin e gjuhës së këtij shkrimtari me dy variantet e shkruara të kohës, pastaj me dy dialektet, me gjuhën e bashkëkohësve, të vendësve, me paraardhësit rilindës: Konstantin Kristoforishin, Naim Frashërin e Sami Frashërin, si dhe me Zef Jubanin. Gjuha e Luigj Gurakuqit është vështruar me gegërishten e folur në përgjithësi me me dy nëndialektet e saj në veçanti. Megjithatë te ky vërehet përpjekja për përdorimin e formave sadopak të përgjithshme, gjuha e tij është e matur me elementet e përbashkëta ndërdialektore. Autori është përpjekur të bëj një shtresim të gjuhës së tij, duke e përcjellë shtrirjen ndërdialektore, ose kufizimin nëndialektor me kalimin e kohës. Kështu e ka bërë të mundshme trajtimin e veçorive gjuhësore në planin drejtshkrimor, leksiko-gramatikor, fonetik e stilistik, në pajtim me kohën e atëhershme e të sotme. 

Në pjesën e dytë ndërkaq, autori ka trajtuar konceptet teorike, gjuhësore, stilistike dhe historike, si dhe përpjekjet e tij për themelimin e gjuhës së përbashkët kombëtare, duke i gërshetuar ato me gjuhën e veprave e tij. Kjo është arsyeja pse veprës së “Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe e koncepteve të tij gjuhësore e stilistike”, në vështrimin tim po i qasemi duke u nisur nga pjesa e dytë dhe e tretë ku trajtohen konceptet historike dhe teoriko-gjuhësore e stilistike të tij.

 

II. 2. Konceptet historike dhe teoriko-gjuhësore e stilistike

I nxitur prej rrethanave historike, politike, kulturore dhe sigurisht edhe përgatitjes shpirtërore e nevojave shkencore, Luigj Gurakuqi, problemet e kësaj natyre i ka ndërlidhur dhe i ka trajtuar në dy linja paralele: teorike dhe pragmatike. Duka i parë kështu të pandara dhe në kontekst të kohës, Luigj Gurakuqi, çështjet e gjuhës i ka bërë objekt studimi teorik dhe i ka realizuar në vazhdimësinë e angazhimeve të tij gjatë çerekut të parë të shekullit XX. Ai kishte krijuar dijen bazë të shkollës e  perëndimore, ai kishte trashëguar idealet e De Radës, parimet metodike të edukimit të njërit prej teknologëve të parë dhe më të mirë të shkollës shqipe Xanonit, dijen bazë të shkencave të natyrës në Napoli, konceptet më të reja të demokracisë dhe liberalizmit politik europian etj. Në çështjen e krijimit të një alfabeti dhe të një gjuhe të përbashkët ai ndoqi në parim idealet dhe parimet kombëtare të patriotëve shqiptar të rilindjes, por brenda përpjekjeve të tij dhe të kohës së tij ai krijoi konceptet e tij shkencore dhe parimet bazë të disa problemeve gjuhësore, letrare dhe politike e ekonomike me të cilat tejkalonte përgjithësisht një numër bashkëkohësish të tij, të cilët më parë se prej prirjeve ideore dhe politike të kohës, nisej edhe prej diskutimeve dhe sintezave shkencore, të cilat i sendërtonte mbështetur në materialet e sjella për vlerësim.

Kjo është arsyeja pse diskutimet e shumë bashkëkohësve të tij, sot të njohur për vullnetin patriotik dhe heroizmin kombëtar, ngjajnë në panagjerizëm të kohës dhe pa mbështetje elementare shkencore. Dhe për më tej duhet të vinte një studiues së autori i kësaj vepre që të tërhiqte vërejtjen se studimet e gjertanishme kontributin bazë të sendërtimit të idealeve kombëtare për një ortografi dhe një gjuhë letrare, e kjo do të thotë konceptet historiko-gjuhësore të Luigj Gurakuqit, albanologët e gjertashëm e kishin lënën nën hijen e oratorisë divulgative të bashkëkohësve të tij.

Kjo është arsyeja pse studiuesi ynë i ka kushtuar një vend të    veçantë rolit dhe kontributit të Luigj Gurakuqit për themelimin e alfabetit të përbashkët, duke sjellë këtu një sintezë të gjerë të mendimit të kohës për probleme të ortografisë e brenda saj edhe mendimin teoriko-shkencor dhe programatik të Luigj Gurakuqit.

 

II. 3. Veçoritë gjuhësore të Luigj Gurakuqit

Në pjesën e parë të monografisë për konceptet gjuhësore të Luigj Guraguqit autori ka studiuar strukturën fonetike, morfologjike dhe veçoritë sintaksore, për të bërë një digresion me një kapitull më vete i cili trajton veçorit e shkrimeve të Gurakuqit në toskërishte dhe për të vazhduar me kërkimet në fushë të fjalëformimit, frazeologjinë, grafinë e drejtshkrimin, e për ta përmbyllur me veçoritë stilistike të shkrimeve të Gurakuqit. Reflektimet e zanoreve në veprën e tij përgjithësisht përfshinë periudhën e parë të krijimtarisë së tij, që shkojnë kryesisht deri në vitin 1906. Më tej, sikur dihet Luigj Gurakuqi hapë gjuhën e veprës së tij drejt trajtave të dy dialekteve kryesore të shqipes.

Kapitulli për veçoritë fonetike përimton problemet e theksit, zanoret, diftongjet, bashkëtingëlloret dhe fenomenet fonetike. Në kërkimet e tij për theksin në veprën e Gurakuqit, autori që në fillim merret me problemin e gjatësisë së zanoreve, duke e parë atë të ndikuar më shumë brenda dialektit të gegnishtes madje edhe në aspektin teorik. Fjala është për konceptet teorike të Luigj Gurakuqit rreth problemit të gjatësisë së zanoreve të cilat ai i trajtoi edhe nga aspekti gjuhësor-historik e teorik. Sa i përket problemit të zanoreve autori trajton zanoren a, e cila sikur është vënë re me të drejtë nën ndikimin e gegërishtes veriperëndimore, në disa fjalë shkruhet me e: tash:tesh; zanorën ë të patheksuar e cila ruhet në të shumtën e rasteve, zbërthimin e ë-së, paratheksore në i, dëshirë:dishir; zbërthimin e y-së së patheksuar në i, gjykimet:gjikimet; ndërrimin e i-së në y, dhe e kundërta, një dukuri kjo që sikur ka vënë re autori deri te Komisia Letrare e Shkodrës (1917), në veprën e Luigj Gurakuqit paraqitet e lëkundur, por me mundësi të shpeshta që ajo të karakter mbarëkombëtar dhe zanoren u të patheksuar, në pozicione pro e postonike, e cila nën ndikimin e gegërishtes jugore kur e kur bie apo reflektohet në ë.  

Sikur ka vënë re edhe autori ynë, Luigj Gurakuqi, pavarësisht nga tradita shkodrane e shkrimit, ai i ruan diftongjet. Nën ndikimin e gegërishtes veriore Gurakuqi i ruan diftongjet ngjitëse, kryesisht te emrat e më rrallë te foljet; diftongun je që sikur dihet i takon jo vetëm gegërishtes po edhe i mbarë shqipes e paraqet si ie, njerëz:nierëz; o-në prapashtesës –or, e zbërthen në ue, vjershtuer; togzanorin ue e ruan kudo: me krijue, me këndue etj; ndërsa diftongun oi përgjithësisht e ka të lëkundur. Është me shumë rëndësi një fakt gjuhësor që ka vënë re Gjocaj në veprën e Gurkuqit: praninë  e diftongjeve të vjetra oe dhe ae, te një grusht fjalësh: oroe, roe etj.

Duke e parë gjuhën e Gurakuqit përgjithësisht brenda një periudhe të caktuar, kryesisht deri në vitin 1906, mjeshtri ynë ka vënë re me të drejtë se gjuha e tij përgjithësisht është gjuha e gegërisht veriore, por po të bëhen kërkime më tej nuk është vështirë të shihet përpjekja e tij që të bëjë afrime dialektore dhe madje ndërdialektore. Brenda këtyre përpjekjeve qëndrojnë edhe veçoritë fonetike që hyjnë brenda kërkimeve të tij për bashkëtingëlloret në veprën e tij. Bie fjala ai ka vënë re se “disa folje të parregullta me temë në h, e disa mbiemra foljorë, ai i shkruan me h herë me f, shof: shihet etj. Në qoftë se reflekset q:k, kj, ki, gi hasen dendur në shkrimet e para, sidomos në poezi dhe në prozë, palatalet dhe grupet e vjetra kl, gl, dalin të reflektuara ki, kj dhe gi. Mbështetur në evidencen e leksikut të tij, Gurakuqi ka ruajtur në një masë të kufizuar edhe grupin nj, kryesisht në fund të fjalëve: kocinj, fqinj etj., ndërsa janë shumë rralla alternimet e bashkëtingëlloreve: dh/ll, d/dh, vl/vj, th/th, j/n dhe th/f, sado jo të gjitha janë të karakterit nëndialektor a dialektor. Një pjesë e mirë e tyre i takojnë shqipes së përbashkët. Dalin me shumë interes kërkimet rreth përdorimit të grupeve të bashkëtingëlloreve mb, nd, dhe ng. Prej fjalësit të vjelë të veprës së Gurakuqit autori arrin te një përfundim i tij, sipas të cilit, më shumë është asimiluar grupi nd: nn, n, ndërsa më rrallë grupi mb: m, p dhe grupi ng: nj, j. Madje nëse asimilimi është i pranishëm kryesisht deri në vitin 1906-1908, pas kësaj kohe në krijimtarinë letrare dhe më shumë atë publicistike grupet, ruhen përgjithësisht.

Në fushë të fonetikës së sotme dhe asaj historike kërkimet në veprën e Luigj Gurakuqit janë të rëndësishme edhe për një veçori, e cila mbase nuk është e rëndësishme edhe për shkrimtarët e tjerë. Brenda saj janë me rëndësi edhe kërkimet në lidhje me fenomenet fonetike. Mjeshtri ynë ka sjellë një evidencë të pasur të fjalësit të Gurakuqit dhe me kujdes ka diskutuar fenomenet fonetike brenda tij, e që nuk janë me rëndësi vetëm për veprën e Gurakuqit po edhe të bashkëkohësve të tij dhe madje të gegërishtes veriore në veçanti e dialektit të gegërishtes në përgjithësi. Në kuadër të këtyre kërkimeve autori i kësaj monografie ka diskutuar fenomenin e elizionit të zanorës fundore të patheksuar, pranë një zanoreje nistore të fjalës prapa. Rënien e tingujve, autori e konsideron një fenomen të ndikimit të gjuhës popullore, prandja e konsideron të parregullt dhe jashtë strukturës gjuhësore të kohës. Në gjuhën e Gurakuqit asimilimi ka prekur zenoret dhe bashkëtingëlloret por më shumë ka prekur grupin e zanoreve: mb, nd dhe ngj. Gjuhën e Gurakuqit e ka prekur edhe një veçori jo e pranishme në dialektin e gegërishtes. Fjala është për fenomenin e shurdhimit, si një prej veçorive të toskërishtes, e që në veprën e tij ka prekur kryesisht grupet e bashkëtingëlloreve dh/th, dh/d etj. Po kaq i pranishëm është edhe fenomeni i sonorizimit: gadi, komp etj.

Përfundimisht mund të thuhet se Luigj Gurakuqi me gjuhën e veprës së tij ka vazhduar traditën përgjithësisht të shkrimtarëve të vjetër, ka bërë përpjekje për njësimin fonetik, morfologjik dhe leksikor të gegërishtes deri në vitin 1908, por pas kësaj kohe ai me të gjitha mundësitë intelektuale e krijuese që kishte, veprën e tij e ka pasuruar me elemente të variantit jugor në harmoni me fenomene e leksik të shqipes gjithëkombëtare përgjithësisht.

 

II. 4. Shtrirja tejdialektore e fjalësit të shqipes

Një kapitull më vete paraqesin kërkimet në veprën e tij të veçorive morfologjike: emri, rasat, nyja, mbiemri, përemri, folja, ndajfolja, parafjala dhe lidhëza.  Me pak përjashtime edhe sa i përket gjinisë mashkullore Luigj Gurakuqi u përmbahet të folmeve të gegërishtes. Disa emra që shqipja përgjithësisht i bënë në gjininë femërore te Gurakuqi i gjejmë në gjinë mashkullore: ushtima: ushtimi, dëshmimi, lauti, ndërsa disa emra të gjinisë mashkullore i përdor në gjininë femërore: fyelli: fyella, pylla, theksa, telegrama, programa etj., por edhe disa emra reliktor të gjinisë asnjanëse: t’himit, t’shtredhunit, t’njeshunit, t’qiruemit etj. Po kështu mund të thuhet për probleme të trajtës. Disa emra të gjinisë mashkullore që mbarojnë me k, g, h, që në trajtën e shquar njëjës mbarojnë me mbaresën u, ndërsa emrat femërorë që në të pashquarën mbarojnë me i të theksuar në të shquar shkruhen me j. Në çështje të numrit, shumsi te Gurakuqi dominohet nga përdorimi përgjithësisht i tij në gegërishte, ndërsa njëra prej veçorive të tij ka të bëjë me përdorimin e rrallë të emrave me ë në shumës. Brenda kërkimeve për rasën e emrave autori ynë merret me emroren, kallëzore, vendoren,  dhe rrjedhoren, të  trajtuara nga Gurakuqi sidomos në veprën e tij “Vargënimi në gjuhën shqype

E parë përgjithësisht në gjendjen e saj në shkrimet artistike po edhe në atë teorike e publicistike nyja e Gurakuqit ende nuk është stabile, ose ende qëndron brenda strukturës së nëndialektit të gegërishtes veriore, ndërsa interes të veçantë paraqet përpjekja e tij për të formuar trajta të larmishme të mbiemrit, përmes fjalëformimit, përshtatjes etj. Brenda përimtimeve të tij për përemrat autori ka trajtuar lëkundjet e tij te përemrat dëftorë, përemrat pronorë  e lakimet e tij, të cilat dalin jo vetëm përtej shkodranishtes po edhe gegërishtes, për t’u plotësuar edhe me pronorët e toskërishtes: i tij, e tija, t’saj.

Duke bërë kërkime për qëndrueshmërinë e trajtave foljore në veprën e Luigj Gurakuqit, mjeshtri ynë, ka vënë re se ato qëndrojnë brenda pozitave nëndialektore të gegërishte (shkodranishtes) dhe rrallë e tek bëhen përpjekje për të tejkaluar koinenë veriore, në ato përmasa të cila ia arrin ta bëjë te fenomenet fonetike. Në këtë aspekt ai ka parë çështje të së tashmes së dëftores, të pakryerën, e cila përgjithësisht qëndron brenda gegërishtes veriore; të kryerën e thjeshtë, e cila në disa raste del pa mbaresë, foljet ndihmëse kam dhe jam, të cilat dalin të luhatshme nga ana drejtshkrimore; kohën e kryer të dëftores, e cila kur e kur lëviz edhe pse brenda koinesë së gegërishtes; kohën e ardhme të dëftores, e cila zotërohet nga ajo do+lidhore të mbarë shqipes, por edhe forma për të+pjesore dhe do+paskajore.

Në veprën e Gurakuqit, studiuesi Zenun Gjocaj ka vënë re përdorimin e kufizuar të lidhores apo të zëvendësuar me paskajoren, habitoren (ku është ruajtur përgjithësisht togzanori ue), pjesoren, e cila në shumë raste gjendet si gjymtyrë më vete e fjalisë, si dhe ruajtjen e tyre me –um e –mun, si trajta dialektore e përdorimit të tyre në interes të pasurimit të fjalësit të tij nga burime popullore; paskajorja e variantit gegë me+pjesore, e cila mbisundon paskajoren me për të + pjesore; tipin e vetëm të përcjellores që gjendet në veprën e tij tue+ pjesore etj.

Vepra e Gurakuqit, mbështetur në sintezën e Zenun Gjocajt është e pasur edhe me përdorimin e ndajfoljes, e pasuruar edhe nga prapashtesa –sht, parafjalët, e lëkundur mjaft nga aspekti ndërdialektor dhe lidhëza, shumë të rëndësishme për trajtimin e veçorive të stilit e të sintaksës së tij.

 

II. 5. Prej veçorive sintaksore deri te konceptet stilistike

Dallimet dhe përbashkësitë e veçorive sintaksore në veprën dhe mendimin e Luigj Gurakuqit, janë të rëndësishme jo vetëm gjuhësore e letrare për disa arsye: krijuese, intelektuale dhe konceptore teorike të tij. Vepra e Luigj Gurakuqit është e pasur me disa aspekt sintaksore, të cilat e përcaktojnë edhe veçantinë e tekstit të tij, si: togfjalëshi me mbiemër të gjinisë mashkullore, gjymtyrët e togfjalëshit të përbërë prej një mbiemri të krahasores së sipërisë absolute, të cilat sipas mjeshtrit tonë Gurakuqi i përdor në trajtë të shquar në rastet më të shpeshta; emrat e ambigjinisë kanë prirje shtimi të mëtejshëm; përdorimi i mbiemrit para emrit në rastet kur shprehet respekt para ndonjë emri personaliteti; gërshetimi i mbiemrave me pjesore, lëkundja e emrave kolektivë në numër te folja kallëzues, përdorimi i lidhores kryesisht në fjali qëllimore, ndërtimi i fjalive qëllimore, kryesisht me paskajore, përdorimi i gjerë i lidhëzave se e, dhe mospërdorimi i lidhëzës sepse në fjalitë shkakore; ndërtimi i gjymtyrëve homogjene, përdorimi i trajtave të dialektit verior të disa lidhëzave etj.

Pas Konstantin Kristoforidhit dhe krahas Hilë Mosit, Luigj Gurakuqi është njëri prej pak shkrimtarëve të Veriut i cili ka provuar dhe ka punuar në drejtim të shkrimit të toskërishtes dhe unifikimit të dy dialekteve të shqipes. Vepra e tij është e pasur me veçori të trajtave nëndialektore të Veriut dhe veçanërisht të Jugut, me përpjekje që të përgjithësohet ajo edhe me ngjyrime të koinesë së jugut. Konstatime të tilla dalin prej veçorive fonetike, morfologjike dhe sintaksore e stilistike, të cilat hasen dendur në tekstet letrare, publicistike, letrare dhe teorike të Luigj Gurakuqit.

Në fushë të fonetikës këto veçori dalin te shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme: sbrit, sdripi, vent etj., rotacizmi n:r, i pranishëm dendur në fjalësin e tij, tingulli nj, në atë përmasë që përdoret edhe në toskërishte, përdorimi i parashtesës sh-, në vend të ç-. Në strukturën gramatikore prijnë paradigma e emerit, përemrat, mbaresat e së pakryerës dëftore të foljeve për të gjitha zgjedhimet, foljet me zanore dhe bashkëtingëllore në temë, pjesorja e foljeve të të tri zgjedhimeve, format e paskajores etj.

Sikur  e ka vënë re edhe autori ynë, Luigj Gurakuqi e ka pasuruar shumë gjuhën shqipe në fushë të leksikut, leksikografisë, fjalëformimit e terminologjisë. Ai e ka rilindur një fjalës shumë të pasur të gurrës popullore duke krijuar neologjizma, në interes të mbrojtjes së fjalësit të vjetër e të ri të saj nga fjalët e huaja: orientale, latine, italiane, sllave etj. Që këtë nuk e bërë as rastësisht dhe as i shtyre nga kondita krejtësisht të natyrës linguistike, dëshmon fakti se ai për këtë orientim të tij caktoi edhe rregulla, e kritere të drejta e të qëndrueshme teorike e shkencore.

Fondi i termave të tij madje vetëm tek libri i tij teorik “Vargënimi në gjuhën shqipe” përbën afër 120 terma që frymojnë shqip, prej të cilëve sikur ka vënë re studiuesi Zenun Gjocaj rreth 70 sish kanë për bazë burimet e shqipes së shkruar (kryesisht nga rilindësit) apo të gurrës popullore.

Në monografinë e tij për konceptet gjuhësore të Luigj Gurakuqit, autori ynë ka vjelë një pasuri të madhe kontributesh leksikore, terminologjike e diturore, të cilat i kanë qëndruar kohës edhe pas arritjeve te sotme në shumë fusha të dijes. Në fushë të terminologjisë janë ruajtur edhe sot termat gjuhëtar e rasë, theks, theks hundor, pjesëz, rrajë, rrokje, gjuhësi, mënyrë dëftore, por nuk i qëndroi kohës bie fjala propozimi i tij që në vend të fjalës prapashtesës të përdoret fjala bisht. Në fushë të neologjizmave Gurakuqi kontribuoi me fjalët: zhvillim, përparim, shtet, kamje, përmarim, rrëfyesor etj., ndërsa në fushë të terminologjisë së shkencave ekzakte kontribuoi me termat: rrajë, kufizë, vlerë, homogjen, simetrik, polinom etj. Në fushë të shkencave ekonomike, fjalësin e terminologjisë së saj e pasuroi me disa terma të rëndësishme: qarkullim, prodhime, parimi i mjetit ma të vogël, landë kryesore etj., sado në ca raste u shërbye edhe terminologjinë e huaj.

Formimi i fjalëve me anën e sufiksave dhe të kompozitave paraqesin formën më të pasur të përpjekjeve të Luigj Gurakuqit, për t’i kontribuar jo vetëm fjalësit përgjithësues të shqipes, po edhe terminologjisë së saj. Kështu ai ka krijuar shumë fjalë dhe shumë kuptime të reja të fjalëve të njohura më parë përmes parashtesimit që edhe në gurrën popullore po edhe në tekstet e shkruara nuk ishte shumë i pasur. Më shumë se me parashtesim Gurakuqi shihet të ketë krijuar fjalë me prapashtesim: me emra veprues prejfoljor, emra abstraktë me prapashtesën –(s)i, me emra veprimi të formuar prej rrënjësh emrore, mbiemërore e ndajfoljore: -im, me prapashtesen –je, me prapashtesën zvogëluese -(ë)z(ë), me prapashtesën –tar, e –tor etj; me mbiemra të prejardhur, ku prapashtesat më prodhimtare janë: -shëm dhe –shme, po edhe prapashtes –(t)or dhe ajo –me; me folje të prejardhura –o-, -so-, -zo- dhe më pak me prapashtesat –is, -it dhe –os; me ndajfolje të prejardhura, ku vend të çmuar zënë prapashtesat: -as, -az, -sht etj.

Në krijimtarinë letrare dhe diturore të Luigj Gurakuqit nuk është  vështirë të vësh re një përcaktim i tij prej pasardhësi të rilindësve të shekullit XIX në përpjekje për të krijuar fjalë të reja përmes fjalëve të përbëra dhe kompozitave. Mbështetur në strukturën e tyre gramatikore, Luigj Gurakuqi fjalës të tillë ka krijuar përmes kompozitave të përbëra nga emër+emër prejfoljor, emër+ mbiemër, emër+përemër, emër+numëror, ndajfolje +folje, ndajfolje +emër, dhe i trajtoi ato me kompetencë prej shkencëtari edhe në veprën e tij “Vargënim n’gjuhë shqipe”. Studiuesi ynë, Zenun Gjocaj, duke bërë krahasime lidhur me pasurimin e shqipes letrare mes shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare dhe atyre të shekullit XX, që mund të thuhet se për nga konceptet idealiste ishin  postrilindas të mirëfilltë, arrin deri te një konkluzion i plotë. Nëse disa nga rilindësit e shekullit XIX, si Sami Frashëri, Jani Vreto, Naim Frashëri etj., pasurimin e gjuhës shqipe e shikonin brenda krijimeve gjithsesi të reja dhe me karakter domosdo kombëtarë edhe të pjesëve të saj fjalëformues, Gurakuqi, formimet e tij gjuhësore i shihte brenda koncepteve teorike dhe gjuhësore që kishte formuar. Ai përpjekjet e tij i drejtonte në dy drejtime: në pastrimin e shqipes nga orientalizmat që e kishin përmbytur sidomos leksikun e shqipes, përlindjen e fjalësit të gurrës popullore, formimin e fjalëve të reja (kryesisht me parashtesa, prapashtesa e fjalëformim me kompozita) dhe përvetësimit të terminologjisë ndërkombëtare me bazë në gjuhët klasike të bërjes së tyre, greqishtes dhe latinishtes.

Një personalitet si Luigj Gurakuqi, vetëdija historike dhe guximi bashkëkohor i të cilit ishin të lidhura ngushtë me idealet e tij dhe të brezit të tij të kohës, e këto ishin ideale për gjuhën  e pasur e të pastër, shtetin e fuqishëm ekonomik dhe shoqërinë demokratike, është e kuptueshme që konceptet teorike për gjuhën t’i ketë formuar jo vetëm si ide teknike por edhe si kërkime estetike, stilistike dhe semantike, brenda të cilës frazeologjia luan një rol të rëndësishëm. Këtë koncept për strukturën përmbajtësore të tekstit letrar me kohë e ka përkufizuar edhe në shkrimet paravajtëse të tij, kur misionin e tij për gjuhën e pastër dhe të pasur e shihte si përpjekje “me i shumue raset e me i dhanë trajtë t’bukur e themel përmbledhjes (sintaksës BB) s’saj, por me masë, me peshim, me shije...”, [10] Pavarësisht nga kjo, sot nuk mund të thuhet se pasuria gjuhësore e frazeologjisë së Luigj Gurakuqit, është njëkohësisht edhe pasuria vetjake e tij.

Një përimtim i gjerë dhe shumëdimensional i frazeologjizmave të Gurakuqit, mjeshtrit tonë do t’i nxirrte shumë punë, për arsye se do të duhej parë me kujdes përbërësit estetikë, stilistikë e semantikë të frazeologjisë së shkrimtarëve të Rilindjes dhe përbërësit gjuhësorë të frazeologjisë së gurrës popullore, prandaj ai e ka parë të arsyeshme të shquajë vetëm strukturën gramatikore të përbërësve të tyre, përkatësisht burimin semantik të strukturës frazeologjike, njësinë kuptimore, tipat, karakterin figurativ dhe funksionin gramatikor, për t’i përcaktuar sadopak drejtimet subjektive dhe objektive të tij.

Në radhë të parë, në fushë të frazeologjisë autori ka vënë re përmbajtjen semantike të disa frazeologjizmave të sferës bujqësore e blegtorale nga jeta e fshatit, frazeologjizmat me bazë të përgjithëshme e madje edhe të pamotivuar, frazeologjizmat me komponentë gjymtyrësh njerëzore, botën reale dhe religjioze të njeriut etj.

Një strukturë më vete përbëjnë identifikimi i strukturës morfo-sintaksore të tyre: formime me tipin foljor, formimet emërore, mbiemërore dhe ndajfoljore. Po këtu studiuesi ynë ka identifikuar karakterin e figurshëm të frazeologjisë përmes kalimit të togfjalëshave të lirë në të qëndrueshëm, foljet me kuptim të përgjithshëm, frazeologjizma me emra abstraktë etj. Vend të rëndësishëm në përbërësin leksikor të frazeologjizmave të Gurakuqit zënë ndërtimet: folje kalimtare + emër në kallëzore.

Luigj Gurakuqi ishte njëri prej patriotëve më të përkushtuar të gjysmës së parë të shekullit XX, e kjo është periudha kur një Lëvizje e fuqishme idealistësh bënin përpjekjet e fundme për kurorëzimin e idealeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: një gjuhë, një komb, një Atdhe! Angazhimet e Luigj Gurakuqit i takojnë pikërisht kësaj përpjekje e cila do të kurorëzohet me Kongresin e Manastirit më 1908, me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me Komisinë Letrare të Shkodrës, me ngritjen e Normales së Elbasanit etj. Pjesëmarrës shumë aktiv i të gjitha nismave shtetërore, arsimore e kulturore, me karakter gjithëkombëtar Luigj Gurakuqi, në veprat dhe artikujt e veçantë a përgjithësues trajtoi fenomene dhe dukuri të shumta gjuhësore, letrare dhe politike. Në këtë rrafsh ai u mor me përkushtim edhe me drejtshkrimin, përkatësisht me grafinë e shqipes.

Në qarqet shkencore të kohës Luigj Gurakuqi njihej për përkrahjen e tij ndaj grafisë së Bashkimit, të cilin e mbrojti në Kongresin e Manastirit, por në të njëjtën kohë, pas këtij tubimi, në veprën e tij ai përdori edhe trajta fonetike, morfologjike dhe fjalëformues të diktuara nga abeceja e Sami Frashërit. Përgjithësisht Gurakuqi njihej për disa veçori gjuhësore të kohës: përdorimin e vizlës (vizën lidhëse) dhe sidomos për përdorimin e dendur të përemrave të shkurtuar. Në kërkimet e tij teorike dhe praktike të kohës, Gurakuqi u dallua edhe për përdorimin e dendur të apostrofit, për përdorimin e theksit hundor dhe të mprehtë, për përdorimin e zanorës ë të patheksuar në pozicion paratheksor, pastheksor, në rrokje të mbyllur, në fjalët e prejardhura dhe të përbëra, në fund të fjalëve etj.

Në botën intelektuale të personaliteteve shqiptare të shekullit XX, Luigj Gurakuqi është njëri prej personaliteteve më të shquara të cilit me shumë saktësi do t’i shkonte koncepti i Byfonit “stili është vet njeriu!”.

Megjithëse një vepër e ndërtuar vetëm mbi një prej koncepteve të Luigj Gurakuqit, ajo paraqet njërin prej kontributeve themelore te jetës dhe veprës së tij kombëtare. Kjo është arsyeja pse autori ynë brenda kapitullit mbi konceptet e Gurakuqit rreth çështjeve të ndryshme të gjuhës letrare ka trajtuar rrënjësisht disa nga konceptet themelore të tij, të cilat në një përmasë tjetër, më shumë teorike dhe më pak pragmatike, do të përfaqësonin një monografi më vete. Brenda këtij kapitulli janë diskutuar me kompetencë mendimet teorike, gjuhësore dhe prirjet historike e iluministe të Luigj Gurakuqit dhe madje të bashkëkohësve të tij për ndërlidhjen e pashkëputshme gjuhë dhe komb dhe marrëdhëniet historike të tyre në rrjedhat e historisë kombëtare shqiptare; konceptet e tij filologjike, që në të vërtetë përfshinë diskutimin e tij shumë të zjarrtë në mbrojtje të identitetit historik, kulturor dhe sidomos gjuhësor të trashëgimisë së arbëreshëve të Italisë; çështjet fonetike-ortografike, të cilat në të vërtetë edhe më tej paraqesin problemin fundamental të diskutimeve të përtashme për sendërtimin modern të strukturës drejtshkrimore të shqipes standarde. Duke bërë kërkime përimtuese të kontributeve të Luigj Gurakuqit në fushë të ortografisë dhe fonologjisë e fonetikës në tekste të veçanta dhe në kuadër të korpuseve studimore, autori ka diktuar një veçanti të cilën nuk e kanë bashkëkohësit e tjerë: “Gurakuqi është i pari ndër studiuesit shqiptarë që në kuadër të studimit dielaktor të dy varianteve e trajtoi edhe variantin e arbëreshëve të Italisë, veçanërisht në kuadër të toskërishtes me disa ndryshime”. [11]

Çështjet leksiko-terminologjike janë pjesë me interes e studimit të këtij kapitulli. Brenda tij vijëzohet përpjekja a të gjithë shkrimtarëve shqiptarë (nga Bogdani) që veprat e tyre më parë se sa tekste letrare, estetike dhe madje filo-biblike i  konsideronin me motive pastrimi e pasurimi gjuhësor të shqipes. Në këtë rrjedhë ai studiuesi ynë veprën dhe mendimin leksiko-terminologjik të Gurakuqit e sheh si vazhdimësi e prurjeve që kanë sjellë gjuhëtarët, eruditët dhe patriotët paraardhësit e tij (Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto, Zef Jubani, Faik Konica etj.,) si dhe pasardhësit e tij: Aleksandër Xhuvani, Mati Logoreci etj.

Po kështu mund të thuhet edhe për pikëpamjet e tij për çështje të caktuara të gramatikës. Kërkimet në veprën e tij fillojnë me “Gramatologjinë” e tij në gjuhën italiane, ku ai trajton probleme të dukurive fonetike dhe morfologjike. Autori ynë diskuton me një qëndrim pak a shumë polemizues rreth diskutimeve të gjertashme për një gramatikë të paqenë, për një dorë leksionesh të Luigj Gurakuqit në Shkollën Normale të Elbasanit, apo për një tekst plagjiature të tij!

Konceptet e tij teorike dhe angazhimet tij praktike në fushë të gjuhësisë Gurakuqi i trajtoi dhe i zbatoi në Fjalorthin e tij frëngjisht-shqip dhe shqip-frëngjisht, në angazhimin e tij në Ministrinë e Arsimit (1911-1912) dhe në Komisinë Letrate të Shkodrës (1917-), në veprën e tij “Vargnim n’gjuhë shqipe”, si dhe në një varg artikujsh të tjerë të tij e të institucioneve ku punonte.

Në një kapitull më vete Dr. Gjocaj merret me konceptet stilistike të Gurakuqit. “Luigj Gurakuqi, shkruan autori ynë, “ka meritën se iu rrek stilistikës në kohën kur romantizmi evropian e braktisi retorikën, derisa në letërsinë shqipe të dyja (retorika e stilistika) ishin në vlugun e vet”.[12] Ndonëse për probleme të stilit përzier me estetikën, para tij kishin diskutuar në artikuj përgjithësues (Naim Frashëri e të tjerë rilindës) apo në vepra të veçanta (De Rada), ndikimi i tyre në letrat shqipe ishte i papërfillshëm. U ndie nevoja që Luigj Gurakuqi të shkruajë “Vargnimin n’gjuhë shqipe”, që të ndjehet prania e saj në letrat shqipe përgjithësisht. Në studimet e tij identifikohen dhe diskutohen shumë fenomene, dukuri dhe raporte të caktuara, si ato ndërmjet mendimit, gjuhës dhe poezisë, marrëdhënieve ndërmjet gjuhës poetike, begatisë së saj, veçorive tingullore të saj, përbërësve, efekteve dhe shqiptueshmërisë tingullore, çështjet leksiko-semantike e stilistike dhe sidomos strukturës metrike të vargut. Konceptet e tij për vargun dhe metrikën e tij, strofën e rimën, si dhe stilin e stilistikën poetike paraqesin edhe sot mendimin klasik dhe themeltar në historinë e teorisë së letërsisë shqipe.

Në tre kapitujt e fundit, studiuesi Zenun Gjocaj merret mjaft shterueshëm, për të mos thënë sjell një sintezë të pasur të kontributit të tij për themelimin e gjuhës letrare kombëtare, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në rolin e tij te Komisia Letrare e Shkodrës, një prej institucioneve më të rëndësishme shkencore që ka njohur bota shqiptare dhe ndërkombëtare menjëherë pas Kongresit të Manastirit. Roli i Luigj Gurakuqit në këtë rast është historik në të parin dhe historik, shkencor e fundamental në të dytin. Sigurisht kjo është edhe arsyeja pse mjeshtri ynë këtë monografi e mbyll me një kapitull sintetizues për gjuhën si koncept dhe si veçori stilistike dhe Luigj Gurakuqin, si një prej bardëve të saj.

    

 

III. STRUKTURA LEKSIKO-SEMANTIKE E STILISTIKE E           

  FRAZEOLOGJISË SHQIPE

 

III. 1. Një temë e madhe dhe e pastudiuar

 

Me të përfunduar të temës së magjistraturës studiuesi Zenun Gjocaj i përkushtohet një teme sa të hapur për nga objekti i studimit po aq të errët për nga metoda e kërkimit. Nëse projekti i temës së magjistraturës kishte bërë objekt gjuhën dhe konceptet e njërit prej personaliteteve më të shquara të gjysmës së parë të shekullit XX, “Roli i Luigj Gurakuqit në themelimin e gjuhës kombëtare shqiptare”, projekti i doktoratës merrte një temë të përmasave të mëdha dhe të pashkelura nga gjuhësia shqiptare “Strukturën leksiko-semantike e stilistike të frazeologjisë shqiptare”.

Pra, në këtë temë kishte filluar të punojë që nga viti 1979. Asokohe e kishte paraqitur edhe një kumtesë për frazeologjinë në simpoziumin shkencor të Institutit Albanologjik të Prishtinës "Problemet aktuale të kulturës së gjuhës shqipe".[13] dhe e kishte botuar një punim me titull: "Frazeologjia në dritën e normës letrare shqipe".[14] Për fat të keq, projektin shkencor nuk arriti ta paraqes para Këshillit shkencor të Fakultetit Filologjik, për shkak të burgosjes së tij, që lidhej me veprimtarinë politike të tij në Lëvizjen ilegale të patriotëve shqiptarë për bashkimin e trojeve shqiptare. Kështu, edhe ideja shkencore, projekti e puna e tij u burgosën bashkërisht.

Pas trembëdhjetë vjetësh iu kthye punës përsëri, për ta mbrojtur atë me një vonesë të madhe kohore për nga mosha, por me një përkushtim metodologjik modern mbi dijen më bashkëkohore të kohës. [15]

Përmasa e gjerë e kërkimeve në këtë fusha mund të shihet edhe nga vet titulli i saj: nëse objekt studimi ishte bërë frazeologjia, përmasa e shqyrtimit të saj kapte dy dije bashkëkohore dhe të parrahura në shkencën e albanologjisë: stilistikën (më pak) dhe semantikën (pothuajse të panjohur).

Në hulumtimet e tij autori ynë kishte kuptuar se frazeologjia bashkëkohore po studiohej edhe në dritën  e studimeve e rrethanave të reja jashtëgjuhësore: logjike, socio-kulturore, etnopsikologjike etj, pra jo vetëm pragmatike e gramatikore, sikur bëhej përgjithësisht në studimet e shkollës shqiptare. Shqyrtimi linguistik i frazeologjisë në thelb ishte historik, që prekte pikëpamje jo vetëm gjuhësore, andaj po bëheshin përpjekje që të përvijonin lidhjet e fakteve, dukurive e proceseve gjuhësore, shkallëzimin stilistik e semantik, duke filluar nga shoqërizimi i lirë i fjalëve në togfjalësh të lirë e pastaj të qëndrueshëm, për të kaluar, te gjendja idiomatike e njëfjalëzimi frazeologjik i prejardhur, i përbërë apo i përngjitur.

Po kështu ishte gjendja edhe me qasjen semantike. Autori ynë arriti që semantikën dhe frazeologjinë shqiptare t’i kundrojë nga pikëvështrime të ndryshme: logjike, psiko-meditative, socio-kulturore, semantike e stilistike, në rrafshin emërtues, emocionues, të figurshëm, në lidhje paradigmatike e sintagmatike, përmes shoqërizimit të gjymtyrëve përbërëse, cilësive, veprimeve, rrethanave e situatave të ndryshme. Në këtë kontekst, në veprën e tij frazeologjia kundrohet nga dy pikëpamje: nga paradigma relativisht e ngurtësuar dhe sintagmatika e qëndrueshme. Në këtë mënyrë autori ka ardhur te një rrjedhojë sipas së cilës frazeologjia si njësi e gatshme, leksikalisht lidhet me fjalën, e strukturalisht me togfjalëshin. Logjika formale që e përshkon atë, është shprehje e realitetit në harmoni me mendimin e shprehur me mjete gjuhësore. 

Dija e albanologjisë deri në atë kohë njihte përgjithësisht vetëm përdorimin spontan të frazeologjisë në ligjërim, në letërsi artistike e publicistike, (që nga letërsia e vjetër te Rilindja) dhe nga një përkushtim pak a shumë i mbledhjes së vetëdijshëm, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit 20, sidomos nga mbledhësit e pasionuar të kësaj fushe (Mehmet Gjevori, Antonio Belushi, H.Bogaj, V. Nuhiu, etj), si dhe studiuesi Jani Thomaj, i cili kësaj fushe i qasej përgjithësisht, duke u mbështetur në rrafshin teorik, frazeo-gramatikor, së fundi edhe frazeografik. Përkundrazi, kërkimet e Gjocajt trajtojnë këtë në një rrafsh më të gjerë: sidomos në rrafshin frazeo-semantik e stilistik, si vazhdim i rafshit frazeo-gramatikor.  

Përmes kësaj teme autori ynë është përpjekur t’i vazhdoj shtigjet e pashkelura të frazeologjisë së shqipes. Deri atë kohë frazeologjia shqiptare e kishte përvijuar konceptin dhe objektin e saj, duke e veçuar njësinë frazeologjike nga njësitë e tjera gjuhësore. Meritë e veçantë e punë të çmuar, sikur dihet në këtë drejtim kishte bërë sidomos gjuhëtari, leksiko - frazeologu i shquar Jani Thomaj, sidomos më veprën e parë të kësaj natyre në gjuhësinë shqiptare: "Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe" (1981), por në këtë vepër ishin trajtuar kryesisht çështje leksiko - gramatikore e funksionale të frazeologjisë, duke prekur më pak edhe çështje të tjera.

Për këtë arsye mund të thuhet se kjo monografi është përpjekja e parë në gjuhësinë shqiptare në nivelin monografik, e ndër të rrallat në gjuhësinë e përgjithshme në këtë rrafsh. Autori është mbështetur në pasurinë e frazeologjisë së gjuhës së folur e të shkruar si dhe leksiko-frazegrafinë e derisotme shqipe.[16]

Në veprën e tij ai trajton procesin e formimit të njësive frazeologjike, duke filluar që nga struktura e mirëfilltë me vlerë shënuese, deri te rrafshi i figurshëm e ngjyrimi emocionues si element stilistik. Vëmendja e tij mbështetet në dy objekte qendrore: të strukturës leksiko-semantike dhe asaj stilistike. Brenda dhe jashtë objektit të tyre trajtohen faktorët gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë,  që ndikojnë në formimin e njësive frazeologjike, analiza komponenciale, struktura leksiko-frazeologjike e sintagmatike, homonimia e polisemia, prejardhja e përbërja, si dhe terminologjia frazeologjike.

Pra, vepra përbëhet prej 12 kapitujve dhe sillet rreth dy shtyllave kryesore: strukturës leksiko - semantike dhe asaj stilistike. Brenda këtyre ka edhe nënkapituj: faktorët gjuhësorë e jashtëgjuhësorë që ndikojnë në formimin e njësive frazeologjike, analiza komponenciale, struktura leksiko - frazeologjike e sintagmatike, homo e polisemia frazeologjike, p.sh kali i qyqes, nusja e lales, luga e shtrigave: kam besim - besoj, bëj durim - duroj: e shkel bukën (që e ka ngrënë si mysafir, duke ia kthyer me të keq)-bukëshalë, e ka shpirtin e zi - shpirtzi, zë vend - zëvendës; ec e jak - ecejake etj.)

Një vend i veçantë i është lënë prejardhjes semantike të frazeologjisë shqipe, si strumbullar i temës dhe që kap një kapitull prej rreth trembëdhjetë nëntemash.

Pjesa tjetër e temës i kushtohet analizës stilistike të frazeologjisë. Aty shtjellohet karakteri i figurshëm, metaforizmi frazeologjik, ngjyrimi emocional, veçoritë frazeo-stilistike në letërsinë shqipe, në periudha të ndryshme të zhvillimit të saj, veçoritë e përgjithshme të frazeologjisë, që nga Buzuku e këndej, por pa lënë mënjanë edhe veçoritë e veçanta dhe sidomos strukturat përfaqësuese të tyre.

Një kapitull i veçantë i kushtohet leksiko - frazeografisë shqiptare, e cila deri më 1954 ishte e përfaqësuar në mënyrë fare modeste. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, i botuar më 1980, i përfshinë afër 10.000 njësi të tilla si material plotësues e ilustrues. Para tij mbledhësi i pasionuar i trashëgimisë materiale e shpirtërore Mehmet Gjevori e pat botuar Fjalorin e parë të mirëfilltë frazeologjik. Më vonë pasuan edhe të tjerë sish një e dy gjuhësh. Megjithatë mbetet të punohet edhe më shumë në këtë drejtim. Së fundi, leksikografi e leksikologu i shquar Jani Thomai botoi një fjalor kapital frazeologjik me përmasa gjithëkombëtare. Është një vepër e rëndësishme frazeografike mjaft i nevojshëm dhe i mirëpritur për gjuhën, gjuhësinë dhe letërsinë, sepse ndihmon pastrimin e pasurimin e gjuhës e të stileve me kuptime, nuanca e shprehje të bukura shqipe. Në fund janë bërë përpjekje për përvijimin e prirjeve të mëtejme të zhvillimit të frazeologjisë shqipe në planin teorik, praktik, semantik e stilistik.

Përgjithësisht, tema shtjellohet rreth katër boshteve kryesore: boshti frazeologjik si disiplinë, frazeoformues, frazeosemantik dhe atij frazeostilistik.

 

III. 2. Frazeologjia si dije dhe si pasuri gjuhësore

 

Çështjet frazeologjike trajtojnë sistemin leksiko-semantik e stilistik në dritë e teorisë së togfjalëshit në përgjithësi e atij të qëndrueshëm në veçanti, të fushave semantike, konceptuale, sintagmatike, gramatikore e frazeoformuese, të shpjeguara jo vetëm nga pikëpamja gjuhësore, por edhe nga pikëpamja jashtëgjuhësore, përmes analizave dhe metodave bashkëkohore gjegjëse linguistike, duke filluar që nga shoqërorizimi i fjalëve dhe i  kuptimeve  të tyre,  së pari në togëfjalësh të lirë, pastaj në të  qëndrueshëm, desemantizimi i atyre fjalëve me qëllim të unitetit dhe leksikalizmit semantik në njësi  frazeologjike, deri  te  gjendja idiomatike  e kompozimit, p.sh. zë rob - robëroj; kam guxim - guxoj; nuk ha shqip "nuk  kupton" i prerë në besë -besëprerë etj., pastaj: kompozimi i  përzier: vë re - të vënët roe - me vuumë oroe - vërej - kam vrojt/vrejtur - kam vërejtje– vërejtje - vrojtoj - vrojtim  - vrojtimisht etj.; heq dorë - dorheq - jap dorëheqje - dorëheqje; qoj kokë - kokëqarje – sjell / bëj  kokëqarje.  Këtu  është  trajtuar procesi gjuhësor që nga rrafshi kuptimor  i  mirëfilltë,  me vlerë shënuese, deri  te rrafshi   i  figurshëm e  ngjyrimi emocional si element i stilistikës frazeologjike Gjithashtu janë trajtuar e  përvijuar metodat, analizat  e tipologjitë studimore frazeologjike, prejardhja e  përbërja frazeo-semantike, rrafshi i figurshëm e stilistik, historia e formimit të njësive frazeologjike, në përqasje me synimet kuptimore e stilistike. Si lëndë e si disiplinë gjuhësore, frazeologjia ende është ne  fushën e kërkimeve shkencore në përgjithësi e leksikologjike në veçanti. Sikur  një motiv e shtyn frazeologjinë të formohet e një tjetër e  ndjell të shpreh kuptime e të funksionojë në gjuhë si njësi e gatshme. Në këtë proces vepron kombinatorika leksiko-semantike, historikisht e kushtëzuar përmes faktorëve jo vetëm gjuhësorë, që  na  shpie në çështje të ndërlikuara etno-psiko-linguistike.

 

III. 3. Prej desemantizimit komponencial deri te leksikalizimi frazeologjik

Boshti i dytë këtu përfshin trajtimin e çështjeve frazeoformuse, duke filluar që nga togfjalëshi i lirë e procese të tjera jo vetëm gjuhësore, përmes lidhjeve të detyrueshme të fjalëve si gjymtyrë përbërëse e kuptimeve të tyre, që pësojnë desemantizim relativ, i nënshtrohen metaforizmit, figurshmërisë e ngjyrimit emocionus, deri te leksikalizmi frazeologjik me tipare  të veçanta dalluese leksiko - semantike, barazvlrëse apo sinonime me fjalën e pavarur kuptimisht.

Vlera leksiko-semantike e frazeologjisë qëndron në faktin se organizimi semantik e  sintagmatik aty, motivohet edhe nga shkaqet jashtëgjuhësore. Frazeologjia është bartëse e fuqishme e  veçorive kombëtare, socio-kulturore, psikologjike, ekonomike etj., e  lidhur ngushtë me të gjitha sferat e jetës, në harmoni më ligjet e gjuhës. Është më tepër pjellë e mendjes kolektive se individuale, e gatuar për një kohë relativisht të gjatë, që synon kuptime e stilema aktuale leksikore. Është  material leksiko - semantik, gramatikor e stilistik, fryt i shumë brezave, i lidhur ngushtë me traditën gjuhësore e letrare dhe karakterin etno – psiko - meditativ. Së brendshmi, më tepër se fjala, frazeologjia është përgjithësim fonetik, leksiko - gramatikor, sintagmatik e stilistik. Si e tillë ajo ka fuqi  rrezatuese semantike në gjerësi e thellësi, andaj e përfaqëson ajkën leksikore, kontekstuale të kuptimit të figurshëm dhe të përdorimit stilistik.

Nga pikëpamja sintagmatike, frazeologjia është trualli i bashkëjetesës dhe i bashkëveprimit të ndërsjellët i fjalëve dhe kuptimeve të tyre historikisht të kushtëzuara e të shkrira në njësi të gatshme leksiko-semantike në mënyrë të shkallëzuar, duke filluar që nga leksikalizimi i plogësht, deri te idiomatika, me kuptim paksa të errësuar. Kështu, me mjetet leksikore të së kaluarës, shprehet kuptimi i sotëm. Kjo është veçori vetëm e frezeologjisë. Prej këndej dalin një varg çështjesh gjuhësore.

Prej gjuhës frazeologjia merr përgjithësime leksiko-gramatikore e jep kuptime të figurshme, emërtuese e ngjyrime emocionuese. Frazeologjia këtu është trajtuar në tri rrafshe: në atë të brendshmin leksiko-semantik, në të jashtmin sintagmatik e komponencial dhe në rrafshin e figurshëm - stilistik, varësisht çka merr për materie, çka jep, çka shpreh e çka synon.

 

III. 4. D. Kristal: “Domethënia e domethënies

 

Dihet se vlera themelore e fjalëve, e njësive frazeologjike  dhe e thënieve është ana kuptimore, që lind, motivohet, zhvillohet, formohet, jeton dhe vepron në radhë të parë për nevojat komunikuese, pastaj gjuhësore e më tej stilistike. Në një përmasë tjetër, sikur do të thoshte Dejvid Kristal, semantika në këtë rast shfaqet si “domethënie e domethënies”.[17] Kuptimi frazeologjik është distribuim kontekstual. Mirëpo, semantika frazeologjike nuk ka pavarësi të përkryer  ne raport ne strukturën sintagmatike. Njësia frazeologjike dallohet nga fjala kuptimisht e pavarur, sidomos nga fuqia e madhe e transmetimit dhe e diferencimit stilistik, si dhe e rrezatimit me të fuqishëm kuptimor. Duke u nisur nga kjo, sistemi semantik në frazeologji, nuk mund të jetë kaotik, siç mendojnë disa gjuhëtarë. Ai sistem aty motivohet e kushtëzohet nga rrethanat logjike, soco-kulturore, etno-psikologjike, situatave kontekstuale.

Specifika semantike e frazeologjisë qëndron në  lindjen dhe në zhvillimin historik të kuptimit përmes solidariteteve sintagmatike. Pyetje e veçantë do të ishte, nëse njësia frazeologjike është përshkruese e nocionit, e kuptimit të saj të prejardhur, dekorimit i ati kuptimi, qe i përket rrafshit dytësor etj. P.sh. "a është e udhës me e djeg qergën për një plesht?" (A është i lejueshum  dëmtimi për asgjë). 

Struktura sintagmatike, në shumë raste varet e kushtëzohet nga synimi semantik në frazeologji. Megjithatë, gjymtyrët përbërëse të saj qëndrojnë larg lidhjeve nocionore të zakonshme. Shuma e tyre fillestare tashmë e fosilizuar në masë të madhe nuk përkërkon me njësinë frazeologjike. Kuptimet e para të gjymtyrëve përbërëse janë vënë në shërbim të leksikalizimit frazeologjik.

Analiza semantike mund  të behet sipas kritereve bashkëkohore: leksiko-frazeologjike, historike - gjenetike, si dhe nënkritereve barazvlerëse ose sinonimike me fjalën ose me një njësi tjetër frazeologjike, të leksikalizimit formal / bëj dëm-dëmtoj /, semantik / i bëri bashkë drith e mill “e pështjelloji  / e ngatërroj një punë a çështje", pastaj të leksikalizimit të përzier: e ka kokën e thatë – kokëthatë; të plogësht: dy maca e hanë një qen "s' më bëri punë fjala as fuqia". Këtu vepron edhe analiza stilistike, metamorfizimi, rrafshi i figurshëm e ngjyrimi emocional.

Frazeologjia është bartëse e ngjyrimeve stilistike të motivuar nga përvoja e urtia popullore e letrare më tepër se cilado njësi tjetër gjuhësore-leksikologjike. Ajo i jep ligjërimit forcë shprehëse, duke e bërë të mundshëm largimin e kuptimit nga  nocioni themelor, duke e ngritur atë në një shkallë dytësore të figurshme, p. sh. Gjuha iu lidh nyje e zemra i këceu vendit. Prej këndej, frazeologjia kushtëzohet nga efektet e ndryshme shprehëse (në gjuhë jo artistike) dhe në ato të përjetuara, emocionale (në letërsinë artistike dhe në folklor). Përmes frazeologjisë shprehen vlera të çmueshme ndjenjash, mendimesh e ngjyrimesh jetësore, parafytyrime, dëshira, karaktere, temperamente, ngjyra sociale, qëndrime subjektive, rrethana psikike, përshtypje etj. Synimet  kuptimore dhe emocionuese varen nga prirjet dhe shijet gjuhësore e stilistike të folësve dhe shkrimtarëve në rrethana konkrete situative.

Stilistika frazeologjike, si stoli e asaj gjuhësore, është prodhim i rrugëve të veçanta të realizimit artistik e gjuhësor, komponencial e semantik, që e harmonizon formën me brendinë dhe e zbukuron ligjërimin me nuanca të  ndryshme kuptimore e emocionale. Studimi i saj  na shpie në periudha të ndryshme gjuhësore e letrare, si dhe në zbulimet e karaktereve njerëzore në rrethana të ndryshme situatave. Frazeologjia  i jep kontribut stilistikës gjuhësore jo aq me larminë e formave, për shkak të ngurosjes relative kuptimore të shkrira në njësi kuptimore. Në këtë mënyrë kursehen dhe shtohet larmia leksiko - semantike e stilistike - emocionuese, që i japin gjuhës dinamikë, shije e freski.

 

III. 5. Metoda si kërkim dhe si mbështetje

Është shumë me rëndësi të veçojmë edhe njëherë metodën me të cilën i është qasur frazeologjisë, si strukturë e veçantë stilistike dhe semantike, probleme të cilat autori i ka theksuar jo vetëm në kapitullin hyrës po edhe në disa sesione shkencore, e madje intervista me shkas.[18] “Metodologjia e analizës shumëdimensionale  e studimeve gjuhësore në thellësi e në gjerësi qiti në shesh probleme të reja, duke e vënë fjalën e togfjalëshin në rrafshin kontekstual, me rrezatim të ndërsjellë kuptimor, kundruall njësive të reja gjuhësore. Nga studimet e thelluara të fjalës e të prejardhjes së saj leksiko-gramatikore, të filluara që nga Sosyri, i cili fjalën e kundron nga solidaritete sintagmatike e raporte shoqërimore, të kushtëzuara nga fusha të tjera kuptimore më të gjera, u zbulua edhe metodologjia e studimeve frazeologjike si njësi e disiplinë e veçantë leksikologjike, historikisht e kushtëzuar nga kombinatorika komponenciale leksiko-semantike e stilistike me synime dhe efekte të pavarura gjuhësore, që ka formuar një fushë më vete shkencore”.

I përkushtuar ndaj kërkimit si metodë, krahas kërkimit si objekt dhe subjekt, autori ynë arrin të ndërtojë disa kritere përvijuese në punë të analizave dhe metodave që ka përdorur në trajtimin e semantikës frazeologjike. Mbështetur në kërkimet e tij analiza semantike e frazeologjisë mund të bëhet sipas kritereve leksiko-semantike të veçanta kontekstuale, sintagmatike e situatave, historike-gjenetike dhe nënkritereve semantike, barasvlerëse ose sinonimike, të leksikalizimit formal, të përzier, të fazës kalimtare dhe së fundit sipas kriterit të analizës stilistike: përdorimit të figurshëm, metaforik dhe emocionues në frazeologji.

Për frazeologjinë shqipe është me shumë interes edhe analizë paralele e fjalës së mëvetësishme dhe e togfjalëshit, të cilen e ka bërë objekt studimi në kontekst të brendshëm dhe të jashtëm gjuhësor, pastaj analiza distribucionale, në mbështetje të së cilës ka studiuar tiparet e raportet e përbashkëta semantike.

Mbështetur në gjithë ato që u thanë më lart për monografinë  Strukturën leksiko-semantike e stilistike të frazeologjisë shqiptare”, mund të konstatojmë se në studimin e tij autori ka përdorur një mori metodash. Fillimisht ai është mbështetur në metodën tradicionale ose funksionale, me metoda objektive të kategorive semantike, për të vazhduar me metodën e analizës konceptuale, dhe së fundi, me metodën kontrasteve, si krahasim i pashprehur kuptimisht. Por, sikur ka vënë re në arritjet e tij, Gjocaj, ndër teoritë e domosdoshme, që kanë të bëjnë me studimin e frazeologjisë shquhen në radhë të parë teoria e analizës komponenciale, teoria e transformalizimit (Çomski), e cila ka gjetur përdorim të gjerë, sidomos në sintagmatikë, në teorinë e fushave semantike, si dhe në teorinë e Vajnrahut.  

Në të vërtetë, duke mos dashur të bëhet rob vetëm i një metode, ai ka bërë kërkime rrënjësore në këtë drejtim, por duke mos dashur të bëhet edhe vetëm kërkues metodash, ai ka vënë në përdorim vetëm ato metoda të cilat janë bërë bartëse e rezultateve më të mira në fushë të frazeologjisë. 

 

 

IV.  STRUKTURA LEKSIKO-SEMANTIKE E STILISTIKE E FRAZEOLOGJISË SHQIPE

 

 

IV. 1. Kërkimet e thelluara studimore frazeo-stilistike

 

Frazeologjia si disiplinë leksikologjike dhe semantika e stilistika janë fushat themelore me të cilat ka disa dekada që merret autori ynë. Ajo paraqet një problem të veçantë studimor jo vetëm në gjuhësinë shqiptare, ku janë të paktë studiuesit e kësaj fushe, ndërsa nevoja studimore e përdorimore është mjaft e domosdoshme, sidomos për begatimin e thellimin e kuptimit të fjalëve e të shprehjeve të një gjuhe, që do t’i jepte asaj shije e ngjyrim stilistik dhe emocional në përgjithësi, sidomos stileve funksionale.

Vepra Trajtesa frazeo-stilistike shqipe është vazhdim i punës së tij mjaft të rëndësishme në fushë të frazeologjisë. Përvoja e tij e kërkimeve shkencore në këtë fushë i ka vënë themelet teorike në tezën e doktoratës (1997), ku pat trajtuar strukturën leksiko-semantike e stilistike të frazeologjisë shqipe më tepër në planin teorik, nga një pikëpamje të veçantë kuptimore, si vazhdim i planit leksiko-gramatikor i trajtuar nga studiuesi i njohur shqiptar Jani Thomai, por duke i pasur parasysh edhe studimet e frazeologëve të huaj: P. P. Kalinin, A. Kunin, Vinogradov, A. Sechehaye etj.

Kjo vepër është një zgjerim i mëtejshëm studimor në planin më tepër praktik e analitik kalëruar nëpër zhvillimin gjuhësor, përkatësisht frazeologjik përmes gjuhës letrare, në qasje me folklorin, varësisht nga periudhat letrare.

Përmes trajtimit frazeologjik autori ka bërë analizën e disa problemeve kyçe jo vetëm në planin kohor – historik, por edhe në planin e zhvillimit të gjuhës letrare gjatë shekujve në pikëpamje frazeologjike.

Sado që vepra duket se në sy të parë ka të bëjë me trajtesa, në përgjithësi formohet bindja se autori ia ka arritur ta bëjë një lidhje kyçe studimore rreth një zhvillimi organik të frazeologjisë shqipe letrare përmes disa përbërësve pak a shumë të lidhura për të arritur një tërësi, një si lidhje organike zhvillimore prej shkrimit të shqipes, sidomos të dy autorëve shqiptarë të sh. 16, njëri verio-shqiptar, “Meshari” i Buzukut dhe tjetri arbëresh nga nga areali jugo-shqiptar,“E mbesuame e kërshterë” e L. Matrëngës e deri më sot.

 

IV. 2. Nga strukturat tematike te strukturat përfaqësuese

 

Vepra fillohet me një vështrim të rëndësishëm të gjendjes, rrethanave burimore dhe të vlerës leksiko-semantike, mundësisht edhe stilistike-emocionale të frazeologjisë në dy veprat e para shqipe të sh. 16: të Mesharit të Buzukut (1555) dhe të E mbesuame e kërshterë të Lekë Matrëngës (1592), aq sa kanë mundësuar rrethanat e atëhershme gjuhësore të gjuhës së folur, megjithë pohimin e priftit G. Adae të kombësisë franceze në shërbim fetar në Shqipëri më 1332, se “veprat e tyre shqiptarët i shkruajnë në gjuhën e vet me alfabetin latin, një gjuhë ndryshe nga greqishtja fqinje”, vepra, që fatkeqësisht kurrë nuk janë gjetur, dhe aq sa ka lejuar karakteri përkthimor i veprave të përkthyera kryesisht me karakter fetar. Përmes kësaj analize frazeologjike, autori është munduar të ndajë fondin frazeologjik të kalkuar e të trashëguar latin, atë të futur nga autori dhe atë të marrë nga gjuha shqipe e asaj kohe nga përkthyesi. Janë bërë edhe kategorizimet frazeoformuese sipas mundësive kohore, si dhe i janë  bërë  përkrahasimet në mes dy veprave, shkrimtarëve të tyre nga pokëpamja dialektore e përgjithësisht gjuhësore të kohës. Kjo i jep kontribut shkallës zhvillimore të gjuhës në përgjithësi e frazeologjike në veçanti.

Fillohet me pasqyrë të shkurtër të frazeologjisë shqipe, më tepër në planin teorik, me përkrahasimin e veprave të sipërshënuara si gur themeli të shqipes së shkruar, njëra në dialektin gegë e tjetra në dialektin toskë, ku hetohet se pos në disa karakteristika të përbashkëta fonetike, hetohen edhe veçori të përbashkëta frazeologjike, gjë që është e natyrshme.

Studimi i tillë vazhdohet me kapitujt rreth idiomave shqipe si relike të shprehjeve frazeologjike, por me të drejtë autori është marrë me shkallshmërinë e tyrë deri më sot, pasi nuk ka mundësi të periodizohen lehtë, sepse njësitë idiomatike janë formuar shkallëshkallshëm për një kohë të gjatë, sapo ka marrë formën një togfjalëshi të qëndrueshëm me një kuptim të caktuar, gjatë procesit të të folurit e të shkruarit janë filluar të tjerat. Kështu deri më sot.

Gjithashtu edhe për kompozitat frazeologjike, siç thotë autori i mbështetur në vëzhgimet e gjuhëtarëve të tjerë shqiptarë (si J. Thomai) e të huaj (si K. Brugmann, B. Delbruck), si shumë gjuhë të tjera indoeuropiane, edhe shqipja ka trashëguar kompozita të tilla, por edhe ka krijuar gjithnjë e më tepër krahas kompozitave jofrazeelogjike. Meritë e autorit është se ai i ka bërë një analizë të shumanshme të zhvillimit të tyre deri më sot, duke dhënë edhe gjykimet e veta.

Në këtë vazhdë, autori është marrë edhe me prirjet frazeo-formuese të togfjalëshit emëror në gjuhën shqipe, sepse ky tip leksikologjik po e begaton gjuhën, veçanërisht leksiko-frazeologjinë përditë e më tepër, duke u zgjeruar në të gjitha stilet funksionale jo vetëm të shqipes së shkruar.

Në këtë vepër, paraqitja e veçorive frazeologjike shqipe gjatë shekujve, me qëllim ose pa qëllim të autorit, nuk është bërë gjithnjë e vazhdueshme, jo pa vetëdije, por e kohëpaskohshme: gjuha e veprës së Buzukut dhe Matrëngës – e kohës fillestare të shqipes së dokumentuar – J. De Radës dhe e Naimit për periudhën e romantizmit, por edhe e L. Poradecit më tepër se një gjysëm shekulli më vonë, për variantin jugor –  të Gurakuqit, Mjedës e Fishtës për variantin verior, sigurisht për arsye të thurjes frazeologjike ndër shekuj përmes shtyllave kryesore letrare, shkrimtarëve karakteristikë, gjuhës e veprave të tyre si hallka me rëndësi për frazeologjinë.

Një vend me rëndësi e zë edhe trajtimi e analiza e frazeologjisë së disa shkrimtarëve karakteristikë që janë dëshmuar me kualitetin e veprave të veta, siç është J. De Rada, N. Frashëri, F. Noli, Gj. Fishta, N. Mjeda, L. Poradeci, Migjeni, duke përfshirë edhe veprën e parë shqipe, Mesharin e Buzukut, denjësiht të ilustruara me njësi frazeologjike në shërbim të stilistikës së tyre letrare e përgjithësisht gjuhësore. Është me rëndësi këtu të theksohet se shkrimtarët e përmendur e të analizuar nga pikëpamje frazeo-stilistike synojnë nyjet kryesore të periodizimit të gjuhës, letërsisë në periudha të caktuara lidhëse në qasje me zhvillimin e gjuhës në përgjithësi, veçanërisht të frazeologjisë letrare.

 

 

IV. 3. Ndre Mjeda dhe pasuria frazeologjike e shqipe

 

Një kërkim më vete paraqet studimi përimtues për veçoritë leksiko-frazeo-stilistike të poemave të Ndre Mjedës, me theks të veçantë në “Andrrën e jetës”. Pikëvështrim kryesor të saj janë bërë rrethanat psiko-sociale të natyrës objektive, subjektive e poetike, si reflekse të motivimit poetik; prirja, natyra dhe karakteri i poetit në thellësinë e poetikës mendimtare; analizë kontekstuale e simbolikës leksiko-frazeologjike e semantike, p.sh. “…ku qeshet kopshti, idhnim mos mba!” (Vaji i bylbylit); roli leksiko-frazeostilistik në ndërtimin e strukturës tematike e kompozicionale të poemave, me theks të vaçantë në “Andrra e jetës”; ekonomizimi i shprehësisë gjuhësore në dobi të zgjerimit dhe të thellimit semantik, metaforës, përgjithësisht të figurshmërisë, me vlerë të përhershme, universale, si pjesë organike e subjektives, objektives dhe poetikës. P.sh. “Nuk ishte begu: nen dielli t’valtë/veç dy dallëndysha bajshin do baltë…”; thellësia refleksive e semantike e mjeteve leksikore shprehëse si figura poetike. P.sh. “Veç prej plehit gjel kokoti…/ ka m’u gjegjë se a tui ndërrue moti, / se a tui çue nji tjetrë erë” (AJ); (dis)harmonia krahasore e subjektives së poetit, metaforës jetësore dhe natyrës. P.sh. “Mbas borës blerimi del…””…Bijn poshtë t neltit / i vogli çohet…”  (VB); “Ja lyp mordës n’ankime t’veta/poe mizorja nuk ja jep” (AJ); pesha leksiko-semantike e fjalës dhe e togfjalëshit në shërbim të  stilit, sidomos metaforës. P.sh. “Me dijt hyjt me bisedue / me pas sy qi me derdh lot / vajit tand ju kishin prue / t’kishin kja për jet’e mot” (VB); Fjala –togfjalëshi frazeologjik -  figura si mjete tëi shprehjes psiko-socio-linguistike e leksiko-semantike të botës së brendshme të poetit, personazheve dhe filozofisë jetësore në raport me dialektikën me gjithë kontrastet e saj. Përgjithësisht, përpjekje për një analizë të elementeve kyçe leksiko-semantike e stilistike të shikuara në gjerësi e thellësi në raport me realitetin dhe subjektiven e poetit dhe të personazheve të paraqitur prej tij në dritën e studimeve bashkëkohore të organizimit semantostilistik.

Një histori e frazeologjisë do të kërkonte metodologji tjetër studimore, do të konstatojë autori pa u përqendruar në gjuhën e veprave të këtij ose të atij shkrimtari a vepre, gjë që do të kërkonte tjetër metodologji studimore në lëmin e frazeologjisë, të kryer nga vetë autori, apo ndonjë frazeolog tjetër.

Përmes kësaj vepre formohet bindja se ka pasur një synim a plan të caktuar e të vetëdijshëm të parashtrimit të lëndës në drejtim të studimit të vazhdueshëm të zhvillimit frazeologjik për të arritur te gjendja e sotme e zhvillimit të kësaj disipline leksikologjike me rëndësi të madhe gjuhësore, veçanërisht stilistike, që e pasuron gjuhën dhe stilet e saj me shprehje të figurshme.

Kështu, autori përpiqet që gjatë analizës së veprave të shkrimtarëve të sipërshënuar, të formojë një zhvillim të vazhdueshëm frazeologjik ndër shekuj, për të arritur te një nivel bashkëkohor, me prirje të mëtejshme të kësaj disipline më tepër në planin e analizës praktike, me qëllim të begatimit të gjuhës edhe me këtë fond të rëndësishëm leksiko-frazeologjik

 

IV. 4. Frazeologjia dhe frazeografia

 

     Kështu, në periudhën e parë, kryesisht pas vitit 1968, kur në rrethet kulturoro-arsimore e shkencore bëheshin përpjekje të karakterit iluminist të djalërisë shqiptare, të përqendruara për të përditësuar misionin e Konsultës gjuhësore të vitit 1968: “Një komb, një gjuhë, një drejtshkrim”, studiuesi ynë do të angazhohet dhe do të shkruajë kryesisht tekste të karakterit thellësisht frazeo-semantik e stilistik dhe më pak historik.[19] Kjo është arsyeja, pse ai do të shkruajë studimet për drejtshkrimin e emrave vetjakë mashkullorë  e femërorë të shqipes, për përpjekjet dhe rolin e Luigj Gurakuqit për themelimin e alfabetit të përbashkët, të një gjuhe kombëtare, për figurën e shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Elena Gjikën, për kontributin e Konstandin Kristoforidhit, në fushë të gjuhës shqipe, për vendin e Zef Jubanit në prag të Periudhës së Rilindjes Kombëtare, së fundi edhe për strukturën frazeo-semantike e stilistike, atëherë kur i erdhi radha studimit të thelluar të gjuhës në planin semantik etj.

Duke shkruar për personalitete të shquara të atdhetarisë, të historisë, të lëvizjes kombëtare dhe sidomos të periudhës së Rilindjes Kombëtare, të lëvizjes gjuhësore, letrare dhe kulturore, mjeshtri ynë në fazën e parë do të kërkojë rrugëtimin përmes idealeve të brezit të tij e para tij, ndërsa duke shkruar për tema të mëdha të periudhës postromantike të historisë kombëtare shqiptare, kryesisht të fillimit të shekullit XX, studiuesi, tashmë i afirmuar i gjuhësisë shqiptare, do të kërkojë strehë në ditët më të vështira të përpjekjeve të tij e të popullit të tij për të sendërtuar ato ideale që ia kishte caktuar dikur vetes t’i bënte me jetën dhe veprën e tij. Në këtë kuadër programatik kombëtar, e shkroi edhe veprën letrare epike “Eposi i Orës Arbërore” që përfshin periudhën pesëshekullore, që nga periudha e famshme e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeut (1405-1468), deri te lufta e UÇK-së, e filluar poashtu nga heroi tjetër legjerndar Adem Jashari me trima të tjerë në vitet 1998-9, ku e përjetësoi Kosovën e pavarur, e cila pritet të dalë nga shtypi.

    Në vitin 1980, Zenun Gjocaj shkruan artikullin përkujtimor “Paraprijës i Rilindjes Kombëtare”,[20] e cila i kushtohej përvjetorit të vdekjes së tij. Megjithëse një tekst përgjithësisht divulgativ, brenda tij janë përfshirë të gjitha referencat historike, kulturore, letrare, gjuhësore, ekonomike, shtetërore, diplomatike e politike të bëmave të Zef Jubanit gjatë një jete të tërë. Studiuesi i sapoformuar vlerëson kontributin e Zef Jubanit prej shkrimtari, parasegjithash prej mbledhësi të pasionuar të folklorit shqiptar, duke vlerësuar kryeveprën e tij “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare” (1871), veprën e parë romanore, poemën kushtuar Skënderbut “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut”, dorëshkrimeve të humbura, pikëpamjeve të tij për alfabetin e shqipes, koncepteve të tij për shqipen standarde etj.   

Duke portretizuar figurën e Konstantin Kristoforidhit,[21] autori ynë i hapave të para në qëmtimin e referencave albanologjike shkruan për përbërësit jetësorë dhe kontributet historike, kulturore dhe kombëtare të tij, për rrugëtimin e tij nga njëri institucion në tjetrin, për formimin intelektual të tij, për angazhimin e tij në formimin e Shoqërisë së Stambollit, për shërbimin e tij në Shoqërinë Biblike, duke i bërë kështu një shërbim të madh edhe gjuhës, arsimit e kulturës shqiptare, për vlerat gjuhësore të gramatikave të tij, sidomos për vlerat historike të Fjalorit greqisht – shqip, për kontributin e tij në njësimin e dialekteve të shqipes, për tekstet e tij letrare dhe sidomos për prozën e gjatë “Gjahu i malësorëve”, për vendin e tij në historinë e albanologjisë etj.   

Një tjetër studim i periudhës së parë të kërkimeve të tij në fushë të historisë së popullit shqiptar, të kulturës e të personaliteteve të tij është artikulli “Elena Gjika – figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare”, [22] Në një faqe të gazetës së gruas në Kosovë, autori ynë bën portretin e Elena Gjikës, njërës prej grave përfaqësuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila me vlerat historike, kulturore dhe intelektuale, që përfaqëson e shënon epokën më të lavdishme të saj edhe në hapësirën evropiane njëkohësisht. Në artikullin e tij, autori ynë përvijon rrugëtimin e arsimit të saj në qendrat arsimore e shkencore të Evropës Qendrore e Perëndimore, kontributin e saj shkencor në fushë të kulturës, ekonomisë, historisë, politikës dhe letërsisë. Në historinë shqiptare vendi i Elena Gjikës është përcaktuar me referencat e saj të komunikimit në rrafshin e Lëvizjes kulturore e politike në Lindje, Atdhe dhe ndër Arbëreshët e Italisë. Në fushë të kërkimit dhe formimit të vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, autori ynë diskuton konceptet e Elena Gjikës për prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, në fushë të komunikimit të përfaqësuesve të Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare shqiptare diskuton letërkëmbimin me Jeronim de Radën dhe propagandës që ajo i bëri Lidhjes së Prizerenit në qarqet e zyrat e diplomacisë ndërkombëtare, në fushë të letërsisë vlerësoi studimet e saj në fushë të folklorit, që në të vërtetë ishin studime të përmasave etnologjike, antropologjike edhe madje identitare. 

Pas përfundimit të fazës së parë të kërkimeve të tij, që mbulojnë njëkohësisht edhe specializimet e thella në fushë të filologjisë: stilistikën, leksikografinë dhe semantike,  dr. Zenun Gjocaj ju kthehet teksteve të tij kryesisht në fushë të historisë së gjuhës, duke shkruar kryesisht tekst të karakterit fejtonistik, por edhe kjo kohë do të përfshijë vetëm atë periudhë, e cila shënon njëkohësisht përpjekjet e tij për t’i kontribuar luftës së popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës. Me të përfunduar të luftës së Kosovës, mjeshtri ynë ju kthehet studimeve të tij me karakter të thelluar dhe madje me përmasa monografike.

Studimi i tij Konceptet filologjike të Jup Kastratit, komentin mbi të cilin po e sjellim këtu, paraqet një prej shembujve të veçantë të qasjes së tij në projekte të tilla.  Prof. Jup Kastrati, shkruan Gjocaj në sintezën e tij, ishte pedagogu, mësimdhënësi, tekstologu dhe studiuesi i shquar i kulturës e shkencës së albanologjisë. Me punimet e shumta filologjike që nga artikujt shkencorë, deri te veprat kapitale të sipërshënuara, mbetet ndër punëtorët e shquar të shkencës shqiptare. Sidomos me veprat: Bibliografia, Studime arbëreshe, Historia e gramatologjisë dhe Historia e albanologjisë është i pakrahasueshëm. Me plot gojën mund të themi se është bibliografi dhe historiani më i madh i gramatologjisë shqipe e i albanologjisë. Ai shndriti shumë kënde të errëta e shumë fusha të pagjurmuara sa duhet të gjuhës, kulturës, letërsisë dhe përgjithësisht të albanologjisë. Si i tillë, hyri në radhën e studiuesve të mëdhenj, jeta e të cilit mbeti në hijen e veprimtarisë së tij filolologjike. Ai, jo vetëm se mblodhi, sistemoi, por edhe analizoi, vlerësoi dhe solli përfundime të rëndësishme filologjike, shpesh me sy kritik. Tri veprat kapitale të tij janë realizime të rëndësishme jo vetëm për autorin, por edhe për mbarë filologjinë shqiptare, qoftë për vlerën e madhe studimore, për metodologjinë e trajtimit faktik, qoftë për interpretimin e argumentuar shkencor, më tepër në bazë të materialit bibliografik të mbledhur me vullnet e pasion kryesisht nga vetë ai. Ndihmesat e tij, qofshin artikuj apo vepra të vogla e të mëdha, janë ndër më të ndryshmet, teorike e metodologjike, analizuese e përgjithësuese, vlerësuese e kritike, sqaruese e argumentuese. Krahas trajtimit, ai hap shtigje të reja hulumtuese për të ardhmen. Për shumë çështje, u bë strumbullar i studimeve albanologjike, gramatologjike dhe arbëreshe. Ai nuk është regjistrues e sistematizues i thjeshtë, as radhitës mekanik i punimeve filologjike arkivore e bibliotekare. Ato i mishëroi në vepra. Për trajtimin filologjik, niset nga parimi i kronologjisë relative dhe ai i objektivitetit të analizës së fakteve bibliografike, nga kompleksiteti i çështjeve si objekt shqyrtimi dhe analize, për të arritur te përfundimet. Prirja drejt historizmit të parashtrimit të fakteve e problemeve, e detyron atë të shkojë në gjerësi të çështjeve, ndryshe nga Selman Riza, Shaban Demiraj, Eqrem Çabej etj., të cilët gjurmuan problemet në thellësinë e tyre.

Si enciklopedist i albanologjisë, ligjërues në shumë qendra kulturo-shkencore, pjesëmarrës i shumë simpoziumeve shkencore jo vetë kombëtare, gjurmues e studiues i frytshëm e i  shumanshëm në fushat e ndryshme gjuhësore, letrare, gramatologjike, publicistike, italo-arbëreshe, historike, bibliografike, mbledhës i materialit, sistematizues, analist objektiv, prof. Jup Kastrati u përjetësua në filologjinë shqiptare, mori shumë shpërblime kombëtare e ndërkombëtare dhe hyri në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Biografive, Edicioni i 13-të i Intelektualëve Botërorë, e botuar në Kembrixh, më 1997.

Në këtë aspekt studiuesi ynë ka vazhduar të trajtoj, të sintetizojë dhe të kurorëzoj studime të thelluara a të zgjeruara në fushë të filologjisë në përgjithësi dhe në fushë të leksikologjisë, frazeologjisë dhe semantikës në veçanti.

 

VI. STUDIUES I VLERËSUAR DHE I REFERUAR

 

Profesor Zenun Gjocaj është njëri prej studiuesve të vlerësuar edhe nga bashkëkohësit e tij, ndonëse periudha e parë e kërkimeve të tij u ndalua shpejt nga pushteti, ndërsa vepra e tij u bë e preferueshme për kolegët e tij në radhën e albanologëve. Vetëm pas përfundimit të periudhës së parë të sundimit ideologjik e serb, vepra e tij rifilloi të botohet dhe të vlerësohet njëkohësisht, përmes recensioneve të institucionalizuara, përmes recensioneve për revistat shkencore dhe për botimin e veprave të tij, intervistave për shtypin ditor dhe shkencor etj.

Brenda këtyre formave të vlerësimit, veprën e tij e kanë paraqitur bashkëkohës të tij studiues, si: H. Agani, Rexhep Ismajli, Latif Mulaku, Murat Blaku, Fadil Raka, Shefkije Islamaj, Natasha Sotiri, Adem Hajdaraj, Q. Lahu, H. Saraçi, Sylë Osmanaj, Sheremet Krasniqi etj., [23]

Nëse jetën shkencore të një studiuesi dhe horizontin e pritjes së tij e përcakton edhe përmasa e studiuesve që i janë referuar veprës së tij, atëherë këtë përmasë e ka edhe filologu, që ka zënë vendin e tij në historinë e albanologjisë dr. Zenun Gjocaj. Veprës të tij për një kohë relativisht të shkurtër i janë referuar mjaft bashkëkohës dhe studiues të rinj.

Në tekstet e tyre profesionale, në studimet e tyre të kohës dhe në projektet e mëdha shkencore, veprën e Zenun Gjocajt objekt studimi e kanë bërë studiuesit: Tomor Osmani, Natasha Sotiri, Vehbi Hoti, D. Lahu, Sheremet Krasniqi, dhe autori i këtij studimi.[24]

 

VII. PËRFUNDIME

 

Po t’iu bëhej një tipologji kronologjike interesimeve, përpjekjeve dhe kërkimeve shkencore të Dr. Zenun Gjocajt, do të mund të arrinim te disa përfundime të karakterit historiko-gjuhësor, publicistiko-letrar dhe identifikues të veprës së tij:

Në artikujt e parë për probleme të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe standardit të saj, për personalitete të shquara të Rilindjes Kombëtare (Dora d’Istrinë, Zef Jubanin, Konstantik Kristoforidhin) dhe të periudhës së fundit (kryesisht për tema të mëdha të gjuhës dhe kulturës shqiptar të fillimit të shekullit XX: Kongresin e Manastirit, Komisinë Letrare të Shkodrës etj), autori synoi t’i kontribuojë përgatitjes dhe zhvillimit të Lëvizjes Çlirimtare të gjysmës së dytë të shekullit XX, në trojet etnike jashtë shtetit shqiptar të vitit 1912. Në mënyrë të veçantë, me artikujt gjuhësorë, formimin e gjuhës letrare dhe për alfabetin e saj etj., synoi forcimin e idesë për bashkimin kombëtar, si një prej koncepteve themelore të brezit të tij, shfaqur menjëherë  pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968), sidomos pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Në këtë rrafsh, tekstet e tij kur kritike e kur polemizuese dhe më pak të karakterit shkencor, janë përpjekje e tij për të shquar karakterin e tij prej idealisti dhe përpjekjet e tij në mbrojtje të identitetit kulturor e kombëtar.  

Me artikujt për historinë e formimit të gjuhës letrare kombëtare dhe kulturës gjuhësore, të kurorëzuar me botimin e monografisë gjuhësore për Luigj Gurakuqin synoi të paraqesë pikëpamjet e tij për rrugën e zhvillimit historik të gjuhës letrare, mbështetur në mënyrë të veçantë në konceptet dhe punën e shembullit të Luigj Gurakuqit, në përqasje me bashkëkohësit e tij. Sot mund të thuhet se monografia “Roli i Luigj Gurakuqit për themelimin e gjuhës letrare kombëtare”, që në versionin e parë ishte mbrojtur tezë magjistrature, ndërsa në një version të zgjeruar e të plotësuar shkencor, është botuar njëzetë vjet më pas, me titull: “Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe konceptet e tij gjuhësore e stilistike”, pasqyron shembullin e një studiuesi të gjithanshëm elementesh gjuhësore e jashtëgjuhësore të gjuhës, të shkrirë me elemente të qenies dhe aspiratave kombëtare, në drejtim të unitetit të gjithanshëm kombëtar.

Arritjet e tij kryesore shkencore të mëtejshme në fushë të gjuhësisë, janë përqendruar në një fushë pothuajse fare të palavruar: në konceptet dhe strukturën leksiko-semantike e stilistike të frazeologjisë shqipe (“frazeologjia semantike”frazeosemantika dhe “frazeologjia stilistike” ose “frazeo-stilistika shqipe”), në përqasje me teorinë e praktikën frazeologjike bashkëkohore në përgjithësi. Deri më tash, kjo është tema dhe sinteza e vetme në gjuhësinë shqiptare dhe mjaft e rrallë në gjuhët e Ballkanit. Aty janë trajtuar probleme të natyrës teorike e praktike të gjuhësisë shqiptare në aspektin frazeoformues, frazeosemantik e frazeostilistik. Vepra “Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe”, është një si vazhdim i veprës me një natyrë të tillë, e shkruar nga studiuesi i shquar, Profesor Jani Thomaj, dhe e botuar më 1980, e para e llojit të vet në gjuhësinë shqiptare, “Çështje të frazeologjisë shqipe”, që trajton konceptet leksiko-gramatikore të frazeologjisë shqipe, bashkë me disa artikuj të karakterit teorik, historik e krahasues frazeoballkanik.

Vepra “Struktura leksiko-semantike e stilistika e frazeologjisë shqipe”, si kurorëzim i studimeve frazeo-semantike, të botuara para e pas saj, është sintezë e sistematizimit të faktorëve ndërtues, të lidhjeve komponenciale frazeo-leksematike e sintagmatike, të motivimit e karakterit të figurshëm, përmes faktorëve gjuhësorë e jashtëgjuhësorë, karakterit etno-psikologjik social e meditativ, ndërndikimeve e bashkëveprimeve gjuhësore përmes raporteve logjike, nocionore, kombinatorike, sintagmatike etj.

Po këtë kërkim studiuesi ynë ka vazhduar edhe me sinteza, kur më të vogla e kur më të mëdha për periudha gjuhësore dhe sidomos për autorë të veçantë të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare. Në studimet e tij më të fundit ai ka vazhduar të bëjë kërkime në veçoritë frazeostilistike të gjuhës së disa shkrimtarëve, të periudhës gjuhësore-letrare pesëshekullore, që nga Meshari i Buzukut, deri te krijimtaria letrare e Migjenit, në prak të Luftës së Dytë Botërore (1555-1938), duke vjelur e trajtuar frazeo-stilistikën e letërsisë popullore, si bazament i frazeo-stilistiks së shkrimtarëve dhe veprave të shquara të letërsisë shqipe (Gj. Buzukut me autorë të periudhës parakombëtare, Jeronim de Radës, Konstantin Kristoforidhit, Luigj Gurakuqit, F. Nolit, Gj. Fishtës, N. Mjedës, Lasgush Poradecit etj.), si dhe rolin leksiko-semantik e leksiko-frazeografik në prizmin e togfjalëshit në përgjithësi, në përqasje me gjuhën letrare e standarde, për të vazhduar, së paku, edhe me nja tri vepra të tjera të frazeo-stilistikes së letërsisë bashkëkohore, kuptohet nëse ka fat në vitalitetin mendor e fizik.[25]

        

VIII. BIBLIOGRAFI   (1978 - 2008)

 

I. VEPRA  STUDIMORE  MONOGRAFIKE  FILOLOGJIKE

 

·        Gjuha dhe konceptet gjuhësore e stilistike të Luigj Gurakuqit, Prishtinë 2001

·        Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe, Prishtinë 2001

·        Trajtesa frazeo-stilistike shqipe, Prishtinë 2009

 

II. ARTIKUJ  STUDIMORË  NË FUSHËN ALBANOLOGJIKE

 

·        Drejtshkrimi i emrave vetjakë mashkullorë të shqipes, “Shkëndija” 1978/13

·        Drejtshkrimi i emrave vetjakë femërorë të shqipes, “Shkëndija” 1978, nr. 14

·        Roli i L. Gurakuqit për themelimin e alfabetit të përbashkët,”Shkëndija”, 1978, f. 19

·        Përpjekjet e L. Gurakuqit për themelimin e gjuhës letrare shqipe, “Bota e re”,1979, f. 6

·        Elena Gjika – figure e shquar e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Kosovarja”, 1979/

·        Konstandin Kristoforidhi, punëtor i zellshëm e gjuhës shqipe, “Shkëndija”, 1980, 15

·        Zef Jubani, paraprijës i shquar i Rilindjes kombëtare, “Rilindja”, 1980, 1980, nr. 1

·        Frazeologjizmat dhe gjuha letrare e njësuar, Simpoziumin shkencor: “Probleme aktuale të Kulturës së Gjuhës Shqipe”, në Prishtinë, më 15-17 dhjetor 1980. (Kumtesa nuk u guxua të botohet në librin e punimeve të këtij Simpoziumi, për shkak të burgosjes sime nga pushteti jugosllav për shkaqe politike).

·        Frazeologjia në dritën e normës së gjuhës letrare, “Rilindja”, 21 mars 1981

·        Konceptet teorike e praktike të L. Gurakuqit për themelimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe, “Gjurmime albanologjike”, 1991, nr. 21, f. 101

·        Roli i mësuesit dhe i shkollës shqipe në kohën e Rilindjes Kombëtare për zhvillimin e arsimit dhe të gjuhës shqipe (kumtesë e botuar në përmbledhjen e punimeve të Simpoziumit shkencor: “100-vjetori i shkollës së vashave në Prizren”, Prishtinë, 1993

·        Çështje të strukturës leksiko-semantike e stilistike të frazeologjisë shqipe, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë, 1994, nr. 24

·        Vlera leksiko-semantike e stilistike e mbiemrave në sipërore të shprehur me emra, “Gjurmime albanologjike” 1995, nr. 25

·        Çështje aktuale të frazeologjisë në gjuhën shqipe (kumtesë e lexuar si në Simpoziumin e organizuar nga ASHAK “Letërsia shqipe dhe Gjuha letrare”, më 1 e 2 nëntor 1996 në Prishtinë dhe e botuar nga ASHAK më 1998 në librin me titull të njëjtë, f. 325-345).

·        Zhvillimi perspektiv i frazeologjisë shqipe (kumtesë e paraqitur më 26-28 dhjetor 1997 në Simpoziumin Shkencor Shqiptarët në fund të sh. XX” në Prishtinë.

·        Figura e Shote Galicës dhe Zona Neutrale e Junikut (kumtesë e paraqitur në Simpoziumin Shkencor “Shotë Galica – heroine e kombit”, më 22 dhjetor 1997 dhe e botuar në veprën Shotë Galica, Prishtinë – figure e shquar kombëtare, Prishtinë 2004

·        Studim i thelluar i semantikës dhe i stilistikës frazeologjike shqipe (intervistë), “Bujku” 30 mars l998, f. 11

·        Çështje të homonimisë, sinonimisë dhe anatomisë frazeologjike shqipe, “Gjurmime albanologjike”,  Prishtinë 1997, nr. 27 Prishtinë, 1998.

·        Prirjet e zhvillimit të frazeologjisë shqipe, “Gjuha shqipe” (IAP), Prishtinë, 1998/2

·        I pari fjalor frazeologjik në gjuhën shqipe, në librin; M. Gjevori, “Kujtime e shënime”, Prishtinë 1998

·        Frazeologjia poetike e Lasgush Poradecit (Kumtesë e paraqitur në Simpoziumin shkencor të organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë me temën: “Lasgush Poradeci dhe vepra e tij” Prishtinë 18-20 nëntor 1999, botuar në “Gjuha shqipe”, Prishtinë 2003

·        Lëvizja Shqiptare gjatë Rilindjes në dritën e raporteve konsullore të kohës, fejton i botuar në nëntë vazhdime në “Rilindja” prej 19-28 dhjetor 1999, gjithnjë në f. 15

·        Veçoritë e idiomave shqipe,“Gjuha shqipe”, 2000/1-2, f. 29

·        Rreth standardizimit të toponimeve urbane në Kosovë,Rilindja”, 5.1.2001, f. 15

·        Prirje fjalëformuese të togfjalëshit emëror në gjuhën shqipe (kumtesë e lexuar në Sesionin   Shkencor më 29-30 gusht 2003 me temë  bosht “Fjalëformimi në gjuhën shqipe”, botuar në  vëllimin “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, Prishtinë 2004, nr. 22/1, f. 302

·        Roli arsimor i  Shkollës Normale të Elbasanit, gaz. “Bashkimi”, Prishtinë 1991

·        Konceptet filologjike të Prof. Jup Kastratit (Referat i paraqitur në Tribunën shkencore, kushtuar 80-vjetorit të lindjes së filologut të shquar Prof. J. Kastratit, mbajtur në Tribunën shkencore të IA në Prishtinë, më 21.4.2004 me temën bosht të kryesuar e lexuar nga Dr. Begzad Baliu: “Prof. J. Kastrati dhe Albanologjia 1924-2004”, Prishtinë 2004. Referues për çështje letrare të J. Kastratit ishte edhe Dr. Emin Kabashi.

·        Zhvillime frazeostilitike të gjuhës standarde shqipe (kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor ”Gjuha publike” më 26 qërshor 2004 në Prishtinë – Tryeza Shkencore: “Gjuha shqipe në shkrimet publike”.

·        Trajtim monografik i figurës se Azem e Shote Galicës, kumtesë e lexuar në Simpoziumin shkencor, organizuar nga Instituti i Historisë,  me rastin e 80-vjetorit të betejës heroike nën  udhëheqjen  e  A. Galicës me bashkëluftëtarë, Prishtinë më 14 korrik 2004

·        Leksiko-frazeografia shqipe e periudhës 1904-1954, kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor të Gjuhësisë: “Gjuhësia shqiptare në gjysmën I të sh. 20”, organizuar nga Institutet e Gjuhësisë Tiranë e Prishtinë, më 16-27 gusht 2004, botuar në librin Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, Prishtinë 2004, 23/1,  450

·        Çështje të gjuhësisë matematikore shqipe (joalgjebrike), rev.” M – I” (Matematikë – Informatikë) , Mitrovicë, shkurt 2005, nr.16, f.10-14

·        Vepër me vlerë për historinë e shqipes letrare (recension për veprën e  Sh. Krasniqit, “Komisija Letrare e Shkodrës”, Prishtinë 2004)

·        Studime me vlerë për gjuhën, ligjërimin dhe fjalën (recension për veprën e Sh. Islamajt: “Gjuha, ligjërimi dhe fjala”, Prishtinë 2001, “Gjurmime albanologjike”.

·        Veçoritë frazeo-stilistike në poezitë e L. Poradecit, “Gjuha shqipe”, IAP, 2005/1,  f. 45

·        Vepër konceptesh të gjera standardologjike dhe të kulturës gjuhësore (recension për veprën e Q. Muratit, Standardologjia gjuhësore dhe kultura e shprehjes, Prishtinë 2005, “Gjuha shqipe”, 2005/3, f. 101

·        L. Gurakuqi, figurë poliedrike kombëtare, “Fjalë e valë”,  Mitrovicë 2006/13, f. 121

·        Vepër në shërbim të dinamikës së kulturës gjuhësore, (recension për veprën e Sh. Islamaj, Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i saj, Prishtinë, 2002), “Gjurmime albanologjike”,  2002/32-3, f. 207, botuar më 2005, f. 210

·        Studim monografik me vlerë për KLSH  (recension për veprën monografike të Sh. Krasniqit, “Komisija Letrare e Shkodrës”, Prishtinë 2004), “Zëri”, 11.12.204, f. 19

·        Prirje fjalëformuese të sintagmës emërore (emërore + gjinore), kumtesë e lexuar në Sesionin Shkencor të Gjuhësisë më 29/30 gusht 2003, me temën bosht: “Fjalëformimi i gjuhës shqipe”, botuar në librin “Seminari ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, Prishtinë, 2004/23-1, f. 302

·        Libër i domosdoshëm praktik për gjuhën letrare (B. Kryeziu, Si të flasim e si të shkruajmë drejt, Prishtinë 2006), “Shkëndija”, mars 2007/3, f. 29

·        Trajtesa shkencore albanologjike (recension për veprën e Q. Muratit, Trajtesa albanologjike, Prishtinë, 2005) IAP, “Gjuha shqipe”, 2001/1, f. 123

·        Fjalor me rëndësi leksikografike e praktike për bashkësinë gjuhësore ballkanike, (recension për Fjalorin frazeologjik ballkanik pesëgjuhësh nga J. Tomaj, Xh. Lloshi, R. Hristova, K. Qiriasi, A. Melonashi, “Dituria”, 1999) IAP, “Gjurmime albanologjike”, 1998/9

·        Vepër konceptesh të gjera standardologjike dhe të kulturës së shprehjes gjuhësore, (recension për veprën e Qemal Muratit, Standardi gjuhësor dhe të kultura e shprehjes), IAP, “Gjuha shqipe”, Prishtinë 2005/3, f. 101

·        Shndritje çështjesh fare të reja referencash albanolologjike, (parathënie recensionuese për veprën në botim të Begzad Baliut, Referenca albanologjike)

·        Pikëpamje leksiko-frazeologjike të poemave të Ndre Mjedës, (kumtesë e lexuar në sesionin shkencor Alb-Shkenca, Prishtinë, 15-16 gusht 2007)

·        Roli frazeostilistik në pasurimin e gjuhës standarde, Sesioni shkencor i gjuhësisë, me temën bosht, Probleme të kulturës së gjuhës, në kuadrin e “Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare”, 24/25 gusht 2006 dhe e botuar në librin gjegjës, më 2007.

 

Begzad BALIU

Universiteti i Prishtinës - Fakulteti i Edukimit

e-mail: bbaliu@yahoo.com

mob: +37744173596

 

 



[1]  Gjuha shqipe, Gjurmime albanologjike, Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë  dhe Kulturës Shqiptare, Dardania  Sacra, Shkëndija etj.

[2]  Zëri, Koha ditore, Focus, Bota e re, Dituria, Rilindja, Bashkimi, Kosovarja, Zëri i Kosovës, Bujku, Bota Sot etj.

[3]   Në këtë kohë si edhe më vonë në gjysmën e dytë të shekullit XX, studiuesit kanë kontribuar kryesisht në fushat e përafërta të frazeologjisë, leksikografisë dhe leksikologjisë: Hilmi Agani, Ruzhdi Ushaku, Shefkije Islami, Zenun Gjocaj, Murat Bejta, Sylejman Drini, Mikel Ndrecaj, Kruno Kërstiq, Abdullah Zymberi, Mehmet Ahmetaj, Qemal Murati etj.

[4] Takimet e Poeteshave Shqiptare (koorganizator), me seli në Vushtrri, 1993, 1994, 2001,  2002, 2003.

[5] Sesioni për toponomastikën e Kosovës, Prishtinë 1979; Simpoziumi shkencor “Probleme aktuale të gjuhës shqipe, Prishtinë 1980 (kumtesa e lexuar në simpozium, nuk u botua në librin e botuar të kumtesave të këtij Simpoziumi, për shkak të burgosjes së tij për veprimtari politike).

[6]  Shih, sesionet  shkencore Shpallja e Pavarësisë shqiptare më 1912, Instituti i Historisë, Prishtinë 1992; Kosova dhe Evropa dje, sot e nesër, Akademia e Shkencave - Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1993; Lasgush Poradeci dhe vepra e tij, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1996; Letërsia shqipe dhe gjuha letrare”, ASHAK, Prishtinë 1996; Shote Galica – heroinë e kombit, Instituti i Historisë, Prishtinë, 1997; Lidhja e II e Prizrenit (1941), Prizren 2001; Standardizimi i gjuhës letrare shqipe, Prishtinë, 2003; Fjalëformimi në gjuhën shqipe, Prishtinë, 29-30 gusht 2003; Tribuna shkencore me rastin e 80-vjetorin e lindjes së Prof. Jup Kastratit, ku e ka lexuar kryereferatin Konceptet filologjike të Jup Kastratit, Prishtinë, 2004; Gjuha në mjetet publike, Shoqata e Gjuhës Shqipe, Prishtinë 2004; 80-vjetori i Betejës së Galicës nën udhëheqjen e Azem Bejtës (1924-2004), Instituti i Historisë, Prishtinë 2004; Gjuhësia shqipetare në gjysmën e parë të sh. XX, Instituti i Gjuhësisë i Tiranës dhe i Prishtinës, 2004; Probleme të kulturës së gjuhës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 24 gusht 2006; Sesioni Mjeda, Alb-Shkenca, Prishtinë, 2007  etj.

[7] Shih, monografinë Vushtrria me rrethin (redaktor), veprat e Ahmet Qeriqit, Bedri Tahirit, Begzad  Baliut,  Rexhep Doçit, H. Saraçit, Nuhi Potokut, F. Dibranit, H. Qeriqit, R. Zekollit, V. Mavriqit, të serisë së biografive të dëshmorëve të UÇK-së “Feniksët e lirisë – Dëshmorët e UÇK-së” etj.

[8]  Shih, dosjen K.nr. 67/82, Arkivi i Kosovës.

[9] Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe … f. 255.

[10] Lekë Gruda, Për themelimin e një gjuhe letrare, “Albania”, nr. 12, 1905, f. 232.

[11] Z. Gjocaj, Gjuha e Luigj Gurakuqit…168.

[12] Po aty, 175.

[13]  Frazeologjizmat dhe gjuha letrare e njësuar,  (kumtesë e lexuar në Simpoziumin shkencor: “Probleme aktuale të Kulturës së Gjuhës Shqipe”, në Prishtinë, më 15-17 dhjetor 1980.

[14]  Frazeologjia në dritën e normës së gjuhës letrare, “Rilindja”, 21 mars 1981.

[15] Tezën e doktoratës me titull Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe” e autori e ka mbrojtur më 27.12.1997, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, para Komisionit: Prof. dr. Murat Blaku (mentor), akademik Rexhep Ismajli (kryetar) dhe prof. dr. Fadil Raka

[16] Materialin ndihmës shkencor dhe literaturën gjegjëse, autori e ka marrë në arkivat e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, si dhe në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, ku bëri kërkime të gjera.

[17]  Dejvid Kristal, Enciklopedijski reçnik moderne lingvistike, Oxford, 1985,   Beograd, 1997, f. 100.

[18] Shih, pos tjerash edhe intervistën me mr. Sheremet Krasniqin “Studim i thelluar për semantikën e stilistikën frazeologjike shqipe”, në gazetën “Bujku/Rilindja”, Prishtinë, 30 mars 1990, f. 11.

[19] Shih, Drejtshkrimi i emrave vetjakë mashkullorë të shqipes, “Shkëndija” 1978./13;    Drejtshkrimi i emrave vetjakë femërorë të shqipes, “Shkëndija” 1978, nr. 14; Roli i L.   Gurakuqit për themelimin e alfabetit të përbashkët, ”Shkëndija”, 1978, f. 19; Përpjekjet e L. Gurakuqit për themelimin e gjuhës letrare shqipe, “Bota e re”,1979, f. 6; Elena Gjika – figure e shquar e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Kosovarja”, 1979; Konstantin Kristoforidhi, punëtor i zellshëm e gjuhës shqipe, “Shkëndija”, 1980, 15; Zef Jubani, paraprijës i shquar i Rilindjes kombëtare, “Rilindja”, 1980, 1980, nr. 1.

[20]  Zef Jubani, paraprijës i shquar i Rilindjes kombëtare (Me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Zef Jubanit), “Rilindja”, Prishtinë, 1980, 1980, nr. 1.

[21]  Konstandin Kristoforidhi, punëtor i zellshëm e gjuhës shqipe,Shkëndija”, Prishtinë, 1980, 15.

[22] Elena Gjika – figure e shquar e Rilindjes Kombëtare Shqiptare,Kosovarja”, 1979, Viti VIII, nr. 8.

[23] Prof. Dr. H. Agani (kryereferat) - Prof. Dr. L. Mulaku, (referat) për temën e magjistraturës Roli i L. Gurakuqit në themelimin e gjuhës letrare kombëtare; Prof. dr. Murat Blaku, Struktura leksiko-semantike e  stilistike e frazeologjisë shqipe, referat i paraqitur me rastin e mbrojtjes së doktoratës, Prishtinë, më 26.12.1997; dr. Fadil Raka, recension për veprën Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe konceptet e tij gjuhësore e stilistike, Prishtinë, 15. 12. 2000; dr. Adem Hajdaraj, Ndihmesa e L. Gurakuqit në fushë të gjuhësisë, recension, më 18.6.2000); dr. Shefkije Islamaj, Një studim me vlerë për gjuhësisë shqiptare, në “Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës”, Tiranë 2002, f. 323; dr. Murat Blaku, Akad. Rexhep Ismajli, (recension për dorëshkrimin e veprës së dr. Z. Gjocajt, Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe, Prishtinë, më 1.12.2000); Q. Lahu, Një vepër me vlera studimore-gjuhësore, “Bota sot”, 2002; D. Lahu, Studim i thukët mbi gjuhën dhe stilin e L. Gurakuqit, “Bota sot”, 9 korrik 2001; H. Saraçi, Vepër me kriter shkencor (për veprën “Struktura leksiko-semantike e stilistike të. fazeologjisë shqipe”), “Bota sot”,  6 gusht 2001, f. 19; Sylë Osmanaj, Gjuha e L. Gurakuqit…, “Rilindja”, 24 korrik 2001; S. Osmanaj, Struktura leksiko-semantike e frazeologjisë shqipe, Rilindja, 25 gusht, 2001; Dr. Sh. Krasniqi, Struktura leksiko-semantike e stilistike e fraeologjisë. shqipe e Zenun Gjocajt, “Rilindja” 28 korrik 2001; Dr. Sh. Krasniqi, Përimtim i gjuhës, i gjuhësisë dhe i stilistikës së L. Gurakuqit, “Rilindja”, 16 gusht 2001; H. Saraçi, Studim monografik i kompletuar, (“Gjuha e L. Gurakuqit…”), “Bota Sot” 19.2003; H. Saraçi, Studim monografik i kompletuar për gjuhën dhe stilin e L. Gurakuqit, në “Prozë dhe kritikë letrare-shkencore”, Prishtinë 2006, f. 113; Natasha Sotiri, Z. Gjocaj, Gjuha e L. Gurakuqit dhe konceptet e tij gjuhësore e stilistike, në “Studime filologjike”, 2002/1-2, Tiranë, f. 211; Prof. dr. L. Mulaku, referat për temën e magjistraturës “Roli i L. Gurakuqit për themelimin e gjuhës letrare kombëtare”, e mbrojtur në Prishtinë më 1979 etj.

[24] D. Lahu, “Gjahu i Malësorëve” i Konstandin Kristoforidhit, dorëshkrim, (temë diplome e  Fakultetit Filologjik – Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Prishtinë); Sh. Krasniqi,  Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë; Sh. Krasniqi, Idiomat e huaja – mish i egër në gjuhën tonë, “Kultura e gjuhës” 1, Prishtinë, 2005, f. 121, 122 dhe 123; Begzad Baliu, Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës  së Kosovës, Tiranë, 2006, f. 118; Sh. Krasniqi, Komisia letrare e Shkodrës, f. 16-18; Tomor Osmani, Komisia Letrare e Shkodrës, Shkodër 2004, f.   304; N. Sotiri, në “Studime filologjike”, 2002/1-2, f. 212); V. Hoti, Luigj Gurakuqi  për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, Shkodër, 2002,  referenca 27, 113 etj.

[25] Janë e do të ishin sinteza të mëdha frazeo-stilistike të kësaj natyre  për letërsinë bashkëkohore (për secilën gjini veç e veç, por edhe për frazeo-stilistikën publicistike, eseistike dhe kritike letrare dhe shkencore.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora