E enjte, 18.04.2024, 10:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Vlashi Fili: Një libër me vlera historike

E merkure, 04.02.2009, 09:45 PM


Vlashi Fili
Vlashi Fili
NJE LIBER ME VLERA HISTORIKE

Nga Vlashi Fili

Para pak kohe, në kutinë time postare gjeta një zarf jo të zakonshëm. Nga adresa e dërguesit e morra me mend se në të do të ishte një libër. Dhe ashtu ishte. Libri qysh në vështrimin e ballinës tregonte më së miri përmbajtjen. Në të ishte vendosur fotografia e Heroit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit. Mbi foto me gërma kapitale lexohej: “Shqipëria dhe shqiptarët”, e poshtë tyre Ismail Qemal bej Vlora. Libri është përgatitur për botim nga Darling I. Vlora.

            Libri hapet me citatin e autorit në shqip dhe anglisht: “Tim eti, Ismail Qemal Vlora, i cili, për gjatë periudhës komuniste, duke pranuar të vuante, jo vetëm që nuk e njollosi veten dhe emrin e nderuar të gjyshit të tij, që denjësisht trashëgonte, por, përkundrazi, e lartësoi atë”.

            Po kush është Darling I. Vlora.

            Darling I. Vlora, biri i Ismail Qemal Vlora dhe stërnip i Iamail Qemal bej Vlora, është lindur në Tiranë në vitin 1967 ku mbaron edhe gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Në vitin 1990 – 1991 mer pjesë aktive në manifestimet e popullit të Tiranës kundër diktaturës komuniste. Frekuentonë me korespondencë Fakultetin Juridik. Më 1998 largohet nga Shqipëria. Sot punon e jeton në Itali me të shoqen dhe djalin Iv. I pasionuar pas historisë, herë pas here ka publikuar shkrime në periodikë të ndryshëm. Mbas një pune të gjatë, ku përveç punimeve të historianëve tanë, mbështetur në punime të huaja si dhe në disa gazeta nga më prestigjiozet të kohës si: “The Times”, “The New York Times”, “Le Temps”, “Le Figaro”, etj. si dhe në burime të pakonsultuara më parë nga historianët tanë, boton librin “Shqipëria dhe shqiptarët” me plotësime historike, shpjegime dhe ilustrime.

            Libri, në tërësinë e tij, është një document historik me vlera të veçanta. Ai trajton atë periudhë të ndritur të historisë së popullit tonë, që i dha lirinë aq të dëshiruar në shekuj. Në vitin 2007, me rastin e 95 Vjetorit të Pavarësisë, në revistën “Univers” (Nr. IX – Tiranë 2007) u botoa pjesë nga ky libri ku Prof. Koli Xoxe në komentin e tij, koment që është vendosur edhe në hyrje të librit, do të theksonte:

            “Dokumenti që po botohet në këtë rast, dëshmon për atë zjarr të fuqishëm  që ndriçonte si në zemrën e Plakut të Vlorës, ashtu edhe të patriotëve të tjerë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe për faktin e njohur se Shqipëria i takonte Europës Perëndimore, gjë q ëish dëshmuar kohë më parë me Skëndërbeun.”

            Libri është ndërtuar në tre pjesë. Në pjesën e parë që fillon me pasqyrimin e një harte të Shqipërisë etnike, jepet i plotë materiali i titulluar “Shqipëria dhe shqiptarët”, shkruar nga Ismail Qemali. Në vitet 1915 – 1918, në bashkëpunim me gazetarët e njohur, amerikanin William Morton Fullerton dhe anglezin Sommerville Storu, Ismail Qemali nisi të shkruaj “Kujtimet” e veta. Në këtë periudhë  ai i dërgoi revistës së njohur londineze “Quarterly Review” artikullin “Shqipëria dhe shqiptarët” i cili u botua i plotë (Nr. 452 f 140 – Korrik 1917).

            Qysh në moshën 16 vjeçare kur u largua nga vendlindja e u vendos në fillim në Greqi e më vonë në Stamboll, megjithëse punoi rreth 50 vjet në poste të larta të Perandorisë Osmane si dhe Guvernator në province të ndryshme, mendja e ndritur e tij për asnjë çast nuk u shkëput nga Atdheu, Shqipëria. Ai e njihte shumë mirë vendin dhe popullin e tij që vuante shtypjen shekullore. Pikërisht situatën e vendit dhe gjëndjen popullit të vet ai e pasqyron me hollësi në këtë material. Ai përshkruan gjëndjen në Ballkan dhe pozitën e Shqipërisë, ata që përpiqeshin t’i ngulnin thikën pas shpine vendit të tij si edhe ata që e mbështesnin Shqipërinë në përpjekjet për pavarësi. Plaku i Vlorës futet deri në hollësi të jetës së shqiptarëve, në jetën familjare dhe shoqërore, zakonet e doket  për të treguar se dy janë virtytet që mbizotërojnë në jetën e “bashkatdhetarëve të mi” siç shprehet ai.  Këto dy virtyte që janë: “besa në fjalën e nderit” dhe “besimi patriotik” që lidhen me dashurinë për pavarësinë, i kanë udhëhequr ata gjithmonë, gjatë gjithë përmbysjeve që ka pësuar vendi i shqiptarëve.

            “……Përgjatë shekujve, nën pushtimet e huaja, Shqipëria edhe u përkul, për të mos rezikuar kështu egzistencën e saj, por kurrë nuk ka shkelur e para betimin e besnikërisë ndaj sovranit. Ka pritur derisa  pala tjetër të shpërdoronte besimin e dhënë.  Kështu, e liruar nga detyrimi dhe pa harruar kurrë aspiratat e saj, ka përfituar nga rasti për të vënë në vend atë çka kish humbur…..”, do të theksonte në këtë material Plaku ynë i mënçur.

            Ai përshkruan këtu të gjitha përpjekjet, udhëtimet dhe takimet e bëra nëpër Europë me funksionarë të fuqive të mëdha të kohës, mbështetjen që mori pej tyre, udhëtimin historik deri në Vlorë, kuvendin e mbajtur atje, vendimin e kuvendit dhe shpalljen e pavarësisë, përpjekjet që bëri për njohjen e kësaj pavarësie nga fuqitë e mëdha, krijimin e Qeverisë së Përkohëshme ku ai u zgjodh Kryetar i saj, përpjekjet e kësaj qeverie për stabilizimin e gjëndjes dhe sigurimin e teritoreve të vendit, ardhjen e Princ Widit dhe dorëzimin atij të drejtimit të vendit, gabimet e Qeverisë së Përkohëshme dhe deri në largimin e vet nga vendi.

            Pjesa e dytë e librit është e shkruar nga Darling Vlora mbasi ka hulumtuat shumë burime të vendit dhe të huaja, të botuara dhe të pabotuara, të njohura e të panjohura. Në këtë pjesë autori ka trajtuar me hollësi disa momente të jetës dhe punës së stërgjyshit të tij si dhe të situatave që lidhen me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

            Kur lexon këtë pjesë të librit kuptohet qartë që jo vetëm se kapitujt kanë një renditje kronollogjike por edhe punën e madhe të bërë nga autori për të paraqitur sa më qartë dhe saktë qëllimin që i ka vënë vetes, që lexuesi të njihet sa më hollësisht me jetën, përpjekjet e mëdha dhe vështirësitë që kanë dalë para Ismail Qemalit dhe patriotëve që e mbështetën  në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por, edhe më vonë deri kur ai mbylli sytë për tu ndarë nga kjo jetë në mënyrë enigmatike.

            Në kapitullin e parë të kësaj pjese, me titull “ Ismail Qemal bej Vlora”, jepet jeta e Ismail Qemalit qysh nga momenti i lindjes në vitin 1844, familja prej nga rridhte, lidhjet që kishte ai me personalitetet e kohës, të cilat i shfrytëzoi për qëllimin që i kishte vën vetes, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe deri në ditën e vdekjes së tij që çuditërisht përkoi me atë të lindjes, 24 janar dhe që e dalloi nga lindja vetëm viti, 1919.

            Në kapitullin e dytë me titull “Memorandiumi i Gërçes” autori jep hollësi rreth situatës së vendit para mbledhjes së Kuvendit të Gërçes, politika e padrejtë që u ndoq nga xhonturqit ndaj shqiptarëve, roli iIsmail Qemalit në këtë kuvend, formulimi i memorandiumit që mori emrin e vendit ku u mblodh ky kuvend, kërkesat që rendiste ky memorandium si dhe misionin që ndërmori Ismail Qemali për të mbrojtur Memorandiumin e Kryengritësve Shqiptar pranë fuqive të mëdha, të cilat dalin qartë në intervistat e dhëna gazetave presticioze vieneze si: “Die Zeit” dhe “Neue Freie Presse”. Qazim Kokoshi në fjalën e tij përpara trupit të pajetë të Heroit të Pavarësisë, më 12 Shkurt 1919 do të theksonte “LibriiI Kuq (memorandiumi ishte me kapak të kuq – V.F.) është prisi me punëiI asaj veprës së shkëlqyer që BabaiiI Kombit do të kryente më 28 Vjesht’ e Tretë 1912”

            Kapitulli i tretë me titull “Drejt Pavarësisë” jep hollësi rreth lëvizjeve dhe takimeve që bëri Ismail Qemali, herë vetëm dhe herë i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, Qazim Vlora, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Spiridon Ilo, etj. nga Shtatori 1912 deri më 19 Nëntor 1912 kur ai mbriti në Trieste të Italisë.

            Kapitulli pasues me titull “Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e Pavarësisë”, hapet me një pjesë të hartës së Shqipërisë ku tregohet rruga e lëvizjes së Ismail Qemalit me shokë. Ai niset më 19 Nëntor 1912 e udhëton nga Trieste në Brindizi e Durrës në bordin e anijes “Brunn”, e pastaj me tokë: Durës, Kavajë, Çermë, Divjakë, Libofshë, Fier, Mifol dhe mbrin në Vlorë më 25 Nëntor 1912, ku pritet me madhështi nga bashkqytetarët e tij, pari e përfaqësi katundesh, krejt ndryshe nga ajo e Durrësit. Duke parë situatën e rrëndë që po krijohej në vend, sidomos përparimin e trupave sërbe dhe greke në tokën shqiptare, Ismail Qemali dhe delegatët e mbledhur në Vlorë, vendosën që Kuvendi Kombëtar të mblidhej më 28 Nëntor 1912. Ky kuvend nënëshkroi Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë që u pasua me ngritjen e Flamurit . Në libër renditen të gjithë emrat e delegatëve që nënëshkruan Aktin e Pavarësisë.

            Në kapitullin më pas me titull “Qeveria e Përkohëshme e Vlorës”, qartësohen momentet nga ai i shpalljes së Pavarësisë, duke vazhduar me krijimin e Qeverisë së Përkohëshme ku Ismail Qemal bej Vlora zgjidhet Kryetar, përpjekjet  e Ismail Qemalit për të njohur Pavarësinë e Shqipërisë nga fuqitë e mëdha, paralel përpjekjeve që bën Qeveria e Përkohëshme për të kapërcyer vështirësitë me të cilat ajo u përball, sidomos pengesat që i krijoi kësaj qeverie Esat Pashë Toptani. Krahas sukseseve të kësaj qeverie, vet Ismail Qemali do të pranonte edhe të metat, dhe siç do të shprehej ai në fjalimin e tij para popullit të Vlorës, në Tetor 1913: “……gjer më sot qeveria nukiI bani disa gjëra që duheshin bërë, apo bani ligësht disa të tjera…..”    Më 22 Janar 1914, Kryetari i Qeverisë i kaloi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), qeverisjen e përkohëshme të vendit . Më 24 Janar largohet nga vendi i tij për në Itali, duke porositur miqtë që kishin dalë për ta përcjellë në portin e Vlorës me fjalët: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ja lë trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një Atdhe amanet. Lamtumirë.”

            Në kapitullin e shtatë me titull “Memorandium” jepet i plotë memorandiumi që iu paraqit Shkëlqesisë së Tij, Sër Edward Gray, Ministër i Punëve të Jashtme të Anglisë dhe Kryetar i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, të dorëzuar nga delegatët e Qeverisë Shqiptare: Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga më 2 Janar 1913. Në këtë memorandium kërkohet nga fuqitë e mëdha që Shqipërisë t’i njihen kufijtë e saj të natyrshëm.

            Në kapitullin e fundit të kësaj pjese me titull “Ilustrime” mbasi jepen me foto dhe sqarime disa nga figurat më të spikatura duke filluar me Skënderbeun, foto të ndryshme nga jeta e Ismail Qemalit, disa figura të njohura nga fuqitë e mëdha  si dhe disa pamje të ndryshme të asaj kohe, jepen me rradhë anëtarët e Qeverisë së Përkohëshme me një jetëshkrim të shkurtër: Ismail Qemal bej Vlora, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm; Luigj Gurakuqi (1878 – 1925), Ministër i Arsimit; Myfit bej Libohova (1867 – 1927), Ministër i Brendëshëm; Mehmet Pasha Tetova (Dërralla) (1847 – 1918), Ministër i Luftës; Mit’hat bej Frashëri (1880 – 1949), Ministër i Punëve Botore; Abdi bej Toptani (1864 – 1942), Ministër i Financave; Petro Poga (1850 – 1944), Ministër i Drejtësisë; Pandeli Cale (1874 – 1923), Ministër i Bujqësisë; Lef Nosi (1877 – 1946), Ministër i Post-Telegrafave.

            Në pjesën e tretë të librit jepet përsëri artikulli i Ismail Qemal bej Vlorës “Shqipëria dhe shqiptarët” në gjuhën angleze.

Në libër jepen gjithashtu rreth 200 sqarime dhe referime si dhe 14 të përditëshme dhe periodikë në Shqipëri, USA, Itali, Francë dhe Angli ku autori ka mbledhur të dhënat .

            Libri është shkruar në një gjuhë të qartë e të thjeshtë, çka e bën atë lehtësisht të kuptushëm. Ai është një dokument me vlera historike që mund të shfrytëzohet nga historianët tanë.

            Duke e përgëzuar autorin për këtë vepër, njëkohësisht e falenderoj atë për dhuratën e bukur që më bëri.   



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora