Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edmond Arizaj: Veliaj ia del… me pak ndihmë

| E merkure, 04.02.2009, 08:01 PM |


Veliaj ia del… me pak ndihmë

Nga Edmond Arizaj

Çfarë mund të diskutojnë në një tryezë, si anëtarë të një koalicioni, Skënder Gjinushi dhe Erion Veliaj?! Njëri i politikës që prej fundviteve '80, tjetri i pranishëm në të, në mijëvjeçarin e ri. Pak ditë më parë, kreu i G-99, i sapoligjëruar si parti politike, pranoi haptas pjesëmarrjen në një koalicion me Partinë Socialiste. Nuk e përmendi, por në të njëjtin koalicion bën pjesë edhe ...Partia Socialdemokrate, alias Skënder Gjinushi. Për jo pak kohë, Veliaj i "MJAFT" dhe Gjinushi i PSD, nuk kanë shkuar dhe aq mirë. Ish-kryeparlamentari dhe kreu i një partie të vogël, sistematikisht në nevojë mbijetese për çdo zgjedhje, është sulmuar në të gjitha format nga Veliaj, edhe si parti që së bashku me ca të tjera duhet të largoheshin nga skena politike. Sot gjërat kanë ndryshuar. Edhe për Veliajn, tashmë të G-99, Gjinushi nuk i përket më politikës së vjetër dhe partive që duhen larguar nga skena politike, por i përket brezit të mendimtarëve të rinj dhe forcave që i japin tonin pozitiv zhvillimeve në Shqipëri.
Nuk po abuzojmë me idenë se Veliaj po sillet si oportunist i vjetër, në një kohë që reklamon politikën e të rinjve dhe për të rinjtë. Por natyrisht, tani që Veliaj ka forcën e tij politike, mund edhe të formësojë qëndrime të pavarura politike, nëse nuk dëshiron ta ulin etiketimin për të, në bisht të Partisë Socialiste, nga zëdhënës që ishte deri më tash. Një prej tyre do të ishte pikërisht qëndrimi parimor ndaj Gjinushit, por edhe ndaj Milos, duke pohuar qartë, se ai dhe partia e tij është në koalicion me PS, por jo se ka hequr dorë nga ideja e kohëve më parë, se shumë prej partizave nuk duhet të ekzistojnë më. Kjo do të sfumonte edhe mendimin që po rrënjoset me shpejtësi, se Veliaj nuk është duke "luftuar" dhe shumë për rininë, shëndetësinë apo arsimin, por po bën gjithçka për postin e ardhshëm të tij dhe ndokujt tjetër. Pra, Veliaj, i rreshtuar për katër vjet me radhë me ish-ët që goditi dikur me vezë, sot ulet në një tryezë me ata që dikur kërkoi të largoheshin nga politika. Ky është leksioni i parë politik që ai u jep të rinjve. Që në shqip ka një emërtim pak të rëndë për t'u përmendur.
Leksioni i dytë për të datëlindurit e 1980 e këtej është hermetizmi. Deri më sot, Veliaj dhe shoqatat e tij, apo së fundi partia, nuk kanë asnjë transparencë me qytetarët, pavarësisht se jo pak herë kanë kërkuar ndihmën e tyre (dhe e kanë marrë) në aksione të veçanta. Transparenca nuk ka të bëjë vetëm me paratë, si rëndom mund të mendohet. Ajo ka të bëjë edhe me raportin e pastër që ndërtohet me ata që u kërkon mbështetjen apo votën. Me hyrjen nën ombrellën e PS-së, ku janë strehuar edhe Gjinushi e Milo, Veliaj nuk duket edhe aq qelibar përpara shtresës së cilës i drejtohet. Transparencë do të thotë edhe që partia e tij të ketë qëndrimet e saj, të pavarura nga daljet e krerëve të PS-së, apo përplasjet mes tre partive të mëdha në vend. Deri tani qëndrimet e tij kanë qenë vetëm vijim i qëndrimeve të Ramës, duke u mohuar thellësisht atyre që kanë vendosur t'i besojnë Veliajt, formimin e një identiteti politik. Nga ana tjetër, Veliaj në një mënyrë apo një tjetër, ka penguar daljen në skenë të të tjera figurave nga lëvizja apo partia e tij. Madje në jo pak raste, ka preferuar të jetë ai elaboruesi dhe mbrojtësi i tyre, duke i përdorur më shumë për garniturë televizive, dhe jo si bashkëpunëtorë të vërtetë. Një e dhënë tepër interesante dhe e rrezikshme kjo, për një politikan të ri. Një tjetër leksion, madje nga më të shëmtuarit që jep Veliaj për rininë shqiptare, në radhë të parë për gjimnazistët është "ftesa" për largim nga vendi. Kush e ka ndjekur me një farë vëmendjeje aktivitetin prezantues të tij, mund të vërejë se ai përmend me një krenari të pashoqe studimet jashtë Shqipërisë, jo vetëm për vete, por edhe për figura të rrethit të tij. Jo pse nuk duhen vlerësuar, madje shumë edhe vendimi për t'i dhënë dijet në vendlindje, por varet se kush e thotë këtë. Një mjek që ka mbaruar në perëndim, një inxhinier, një arkitekt, një financier dhe që janë kthyer sërish në vendlindje, padyshim që do të kishin shumë më shumë efekt. Por Veliaj, i cili ende nuk e ka praktikuar mirëfilli profesionin e tij, është pjesë e politikës dhe qëndrimet e tij (politikanëve) merren si shembull jo pak herë. Në këtë rast shembulli do të ishte: kush mbaron gjimnazin, të çajë në perëndim. Por më pas do të vinte dyshimi tragjik; sa prej tyre do të riktheheshin sërish në vendin e tyre? Dhe dihet se sa shumë po vuan Shqipëria nga braktisja e trurit, apo moskthimi i tij. Të paktën Veliaj, nuk duket se është përfaqësuesi i rinisë. Edhe këtë herë një shans i humbur për Shqipërinë.   Aq më pak është pozitiv leksioni i këllqeve. Veliaj i hyri tashmë politikës, por i ngërthyer pas këmbëve të tjetër partie dhe i ngritur në këmbë nga të tjera duar. Në asnjë rast, në asnjë formë e në asnjë mënyrë, Veliaj nuk ka paraqitur potencë për të qëndruar i vetëm dhe për të mbijetuar sadopak në "xhungël". Për më tepër kur slogani qendror (dhe të tjera si slogani) i kësaj "partie të re, me vizion të ri, me ide të reja, me mendime të reja" është i kopjuar nga një fushatë zgjedhore nëntë orë larg Shqipërisë në vijë ajrore dhe 200 vjet larg saj në vijë demokratike. Kjo padyshim që e bën partinë e tij vasale, ende pa u lindur mirë. Dhe kësisoj bën vasalë edhe ata që e besuan dhe shpresuan se do t'ia dilnin. Ata që e besojnë dhe e rrethojnë nuk mund t'ia dalin. Vetë Veliaj mundet... me pak ndihmë.

Panorama