E enjte, 25.04.2024, 09:37 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Njeriu që u kthye nga ferri

E marte, 03.02.2009, 01:12 AM


Afer dhe larg

Rrëfimet e durrsakut, që mbijetoi në Mauthausen

Nga Fatos Baxhaku

Në fillim rrimë dhe e vështrojmë gjatë në gjysmëheshtje njëri-tjetrin në anë të një tavoline në mes të një lokali të zhurmshëm, në qendër të Durrësit. Nga njëra anë jemi ne, të etur për të njohur e për të dëgjuar një njeri që i ka mbijetuar vetë rrethit të fundit të ferrit, Mauthausenit. Nga ana tjetër është ai, që shtrëngon fort një dosje. Kush e di se çfarë mendon pikërisht në këto momente, Enver Plepi, durrsaku 74-vjeçar. Me siguri duhet ta ketë thënë me vete atë shprehjen që e kemi dëgjuar sa e sa herë: Hajt, hajt se këta gazetarët kështu e kanë, mbarojnë punë dhe të harrojnë shpejt. Porse vetëm pas pak minutash jemi bërë miq të mirë dhe Enveri nis të rrëfejë me zë të dridhur nga emocionet dhe mosha, historinë më të rëndë të jetës së tij.

Dyqani i mbyllur i babait

Në nëntorin e 1943, Enver Plepi ishte një 15-vjeçar që ndihmonte "babën", në një dyqan që shiste fruta-perime. "As gjerman m‘duket se nuk kisha pa hala, në atë kohë - thotë Enveri - ata rrinin nëpër vendet e tyne dhe nuk përziheshin me ne". Porse qetësia në dyqanin e vogël, në lagjen e vjetër të Durrësit, do të prishej shumë shpejt.

Komunistët e Durrësit dhe njësiti i tyre gueril ishte ndër më aktivët në krejt vendin. Vetëm nga shtatori deri në nëntor të 1943 njësiti gueril kishte vrarë afër 25 vetë, mes të cilëve edhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Idhomene Kosturin. Durrësi vetë ishte i rrethuar nga disa zona të lira, që kontrolloheshin nga partizanët e Myslym Pezës. Porti më i madh i Shqipërisë nuk dukej edhe aq mirë, i parë me syrin e gjermanëve. Aq më tepër që asokohe ende nuk dihej se ku do të zbarkonin aleatët antinazistë. Një zbarkim i mundshëm në bregdetin e Adriatikut nuk ishte edhe aq i pamundur. Vetë komunistët nuk e dinin ende mirë se me kë kishin të bënin. "Vinin partizanë në qytet, për një arsye ose për një tjetër dhe, megjithëse një pjesë njiheshin, disa prej tyre shëtisnin edhe në bulevard, ose bënin takime e biseda me shokë të tyre, shpeshherë edhe në rrugë ose në lokale publike… midis komunistëve të Durrësit kishte njëfarë euforie…", do të shkruhej vite më pas në historiografinë zyrtare. Ishte një eufori që do të paguhej shumë shtrenjtë.

Gjermanët vendosën ta zgjidhin problemin sipas mënyrës së tyre. E gjithë zona nga Durrësi deri në Kavajë do të evakuohej dhe do të shndërrohej në një zonë të pabanuar ushtarake. Bastisjet e para u bënë në Kavajë, në fillim të nëntorit të 1943, porse ushtarakët shqiptarë, që shërbenin në krah të gjermanëve, shpëtuan shumë njerëz të rrezikuar. Herën e dytë, më 20 nëntor 1943, gjermanët nuk kishin më ushtarakë shqiptarë me vete. "Hafenfahrt", (shëtitje në port) e quajtën gjermanët operacionin në të cilin u mobilizuan afër 4 mijë ushtarë. "Unë po kthehesha nga Kavaja, ku kisha shkuar te njerëzit e mi, kur hasa në një postbllok, nuk mendova se do të kishin ndonjë gjë me mua dhe kështu qëndrova. Më vunë në radhë me shumë të tjerë. Ende nuk e dija se çfarë fati po më përgatitej". Kishte nisur kalvari i gjatë i qindra njerëzve. Shumë nuk u kthyen më kurrë.

"Rechts, links"

Enver Plepi nuk di gjermanisht, porse i janë ngulitur thellë në mendje dy fjalët e para që ka dëgjuar të shqiptohen në këtë gjuhë. "Na grumbulluan te një shesh i madh atje, ku më pas u ndërtua Uzina e Plastikës. Pas nja dy orësh na nisën për Tiranë me disa kamionë të mëdhenj ushtarakë. Duhej të kemi qenë aty rreth 600 vetë nga Durrësi. Shumica ishin në moshë, vetëm unë e nja tre katër të tjerë ishim të rinj. Në Tiranë na kanë strehuar në Burgun e Ri, atje ku është sot Reparti 313. Për afër dy ditë ka vazhduar seleksionimi. Mbaj mend një shqiptar që ndihmonte gjermanët në këtë punë. Mbante një pardesy dhe një borsalinë të madhe, quhej Osman Velja. Ai i njihte vetë personalisht shumicën prej nesh. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë në jetën time komandat: Rechts, links (majtas, djathtas). Nga seleksionimi i parë mbetëm 200 vetë dhe më pas kemi qenë aty afër 100 që mbetëm në fund. Na patën thënë se gjatë këtyre ditëve shumë njerëz ishin mbledhur para dyerve të burgut në pritje të fatit tonë. Madje, andej nga paraditja e 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë, ky grumbullim ishte shndërruar në një demonstratë të heshtur. Që atëherë, në ndonjë rast që më bie të kaloj andej nga burgu, i hedh sytë asaj dritares me hekura të burgut. Më duket sikur e përjetoj edhe një herë po aq fort, frikën dhe ndjenjën e pasigurisë që na kishte kapur në atë kohë. Pastaj na hipën në kamionë. Me këtë rast mësova edhe një fjalë tjetër gjermanisht: Komm (eja). Me dy ushtarë gjermanë para dhe katër mbrapa, kamionët morë rrugën e Elbasanit. Kemi ndenjur një ditë në burgun e këtij qyteti për të mbërritur më pas në Strugë. Mbaj mend se na kishin mbetur ende disa para nëpër xhepa dhe na dhanë leje të blejmë ca petulla, të cilat i përpimë brenda pak minutash. Në Strugë jam njohur edhe më mirë më Kozma Nushin, Telat Nogën, Enver Veljen, Vasil Misjen, Leonidha Hebën dhe të tjerë.

Në darkë kemi mbërritur në Manastir, ku na kanë mbajtur afër një muaj. Na kanë marrë gjatë në pyetje dhe më në fund na lajmëruan se destinacioni ynë i fundit ishte internimi. Se ku do të na çonin, as që e shkonim atëherë ndërmend".

Takimi i parë me vdekjen

"Deri në atë kohë kishim dëgjuar për egërsinë e trajtimin në burgjet naziste, por të dëgjosh është tjetër gjë dhe ta provosh e ta shohësh vetë me sy është tjetër gjë - vazhdon Enveri rrëfimin tashmë krejt i përfshirë nga kujtimet e asaj kohe - në korrik të 1944 na kanë sjellë me tren në Zemun, një kamp i madh përqendrimi në Serbi. Atje kishte afër 5 mijë të internuar nga i gjithë Ballkani, që më pas i nisnin për në kampe të tjera. Mijëra vetë flinin në një ndërtesë trekatëshe të ngjitur me njëri-tjetrin. Këtu nisëm të nuhasim për herë të parë erën e vdekjes. Ishte shumë keq për ushqim dhe ujë. Nuk vonoi shumë dhe ra një epidemi e rëndë tifoje. Qindra të burgosur vdiqën. Këtu humbëm të parët shokë nga Durrësi. 18 durrsakë nuk e përballuan dot sëmundjen. Në Zemun më kanë bërë përshtypje dy njerëz, që nuk do t‘i harroj sa të jetë jeta. Njëri prej tyre ishte Mihal Konomi, nga Vlora. Ai ishte mjek dhe gjermanët i propozuan kushte më të mira nëse pranonte të ishte mjeku zyrtar i kampit. Vasili nuk pranoi, qëndroi pranë nesh duke na ndihmuar sa kishte mundësi, por nuk u nda nga shokët. Një tjetër emër më ka mbetur në mendje: Mihal Marko. Ky më dha një batanije. Tani mund të duket një gjë e vogël, porse në atë kohë ishte gati si të të shpëtonte jetën. Për fat, të dy i mbijetuan kampeve dhe u kthyen pranë familjeve.

Nuk kaloi shumë kohë dhe na bënë sërish gati për nisje me trena. Këtë herë destinacioni ishte Banica, një rrethinë e Beogradit. Këtu, një godinë katërkatëshe e gjimnazit ishte shndërruar në burg politik. Ne, shqiptarëve, na strehuan në disa baraka të lehta në oborrin e burgut. E kuptuam se këtu nuk do të rrinim shumë. Tortura më e madhe në Banac ishte uria. Ishte një vuajtje e pashoqe që ia paska kaluar çdo lloj torture, porse pas disa ditësh u gjet një zgjidhje. Me anë të alfabetit me gishta, si ai që përdorin shurdh-memecët, arritëm të lidheshim me të burgosurit që ndodheshin në qelitë përballë nesh. Ata ishin diçka më mirë se ne, sepse një herë në javë u vinte ushqim nga familja. Ata nisën të vinin ushqime në parvazin e dritareve të tyre. Mirëpo që të shkoje deri te dritaret e tyre me hekura ishte fort me rrezik, sepse rojet qëllonin pa paralajmërimin çdo njeri që kapërcente oborrin e barakave. Mbaj mend që këtë punë e kemi bërë unë, Mustafa Elezi, nga Kavaja, dhe ndonjë shok tjetër.

Në zemër të ferrit

Enver Plepit i janë ngulitur fort në mendje këto data. E mban mend me saktësi se si nisi rruga drejt ferrit të Mauthausenit "Ishte 15 shtatori i 1944. Na hipën nëpër disa vagonë mallrash të gjithë ngjitur njëri me tjetrin. Pa bukë, pa ujë dhe pa dalë. Merrnim ajër vetëm nga disa dritare të vogla lart. Prej tyre mësonim nëse ishte natë a nëse ishte ditë. Udhëtimi ka zgjatur pesë ditë. As që e kishim idenë se ku po shkonim e çfarë vendesh po kalonim. Hera e parë që zbritëm në tokë në mes të udhëtimit ishte kur dha shpirt Vasil Gjata, ish-polic i Bashkisë së Durrësit. E vendosëm trupin e tij në anë të hekurudhës dhe nuk morëm vesh më tej se ç‘u bë me të… Në një farë kuptimi, Vasili i shkretë u bë viktima e parë e Mauthausenit të mallkuar".

Enveri ka folur ca si gjatë për moshën e tij. I lag pak buzët me një gotë ujë që ka aty pranë dhe mundohet të mbledhë ca forcat për pjesën më të rëndë të rrëfimit të tij, ndërsa ne, për pak çaste mundohemi të imagjinojmë se si janë ndjerë të internuarit durrsakë duke e ndjerë mbase instinktivisht se po i afroheshin gjithnjë e më tepër vdekjes.

"Në 20 shtator 1944 e dëgjova për herë të parë emrin e tij: Mauthausen - vazhdon dëshminë e tij Enveri - ishim në Austri, në afërsi të Linzit. Na rreshtuan para portës së tij të madhe dhe pashë pas saj me mijëra figura njerëzore që lëviznin si pa kuptim. Mijëra vetë të veshur me rrobe me vija vërtiteshin në një peizazh krejt të zhveshur. Ndërsa po prisnim, m‘u afrua si me ndrojtje një figurë e mjerë. M‘u drejtua në italisht. I thashë se vijmë nga "Durazzo". Tundi kokën me trishtim dhe bëri me gisht nga porta e kampit: E sheh atë portë, ajo është porta e hyrjes. Deri tani nuk ka pasur portë daljeje. Por ti je i ri, do Zoti dhe mbijeton. Kurrë nuk do të më hiqet nga mendja portreti i atij njeriu.

Më pas na zhveshën lakuriq dhe na i morën të gjitha rrobat. Para se të vishnim uniformat bardhë e blu, na çuan në dushe. Vonë, shumë më vonë, e kemi marrë vesh se kishte dy lloj dushesh: njëri ishte ky që bëmë ne. Tjetri të çonte direkt drejt vdekjes, ishin dhomat me gaz. Ne shpëtuam, ishim të rinj".

Enveri i rrudh edhe një herë fort sytë, ndërsa shfleton disa foto të kampit në një broshurë që e botojnë të mbijetuarit e kampit. "Një ditë më pas nisi ferri i vërtetë. Na çuan në punë që në të gdhirë. Që tani e tutje nuk ekzistonin më emra. Ne ishim vetëm numra. Unë e kisha 100266. E gjithë puna ishte që të mbaje një gur afër 20-30 kile në kurriz nga gurorja deri në afërsi të kampit, ditë për ditë, në dimër e në vapë, në të ftohtë a në shi, e njëjta gjë që të çonte drejt vdekjes së sigurt.

Të rreshtuar për katër, nën komandën e atyre që i quanin "kapo", që ishin të burgosur të privilegjuar, duhej të kapërcenim me dhjetëra herë në ditë të 183 shkallët e së përpjetës së mallkuar të gurores. Mbaj mend Telat Nogën, që u mundua të ndihmonte një të burgosur që u shemb përdhe. Kapot vrapuan sakaq drejt tij. Ishte e ndaluar të ndihmoje tjetrin. Kush ishte i dobët duhej të vdiste. Ky ishte rregulli. Me të vdekurit nisën të na mësohen sytë. Ata i shihje kudo: në gurore, në rrugët e kampit, në banjo, kudo. Mbaj mend që një mëngjes, kur u zgjova, pashë se shoku im i krevatit kishte dhënë shpirt. Nuk e mësova kurrë se nga ishte. Ishim aq të lodhur e të paushqyer sa që nuk kishim as fuqi për të folur. Kështu vazhdoi jeta jonë, nëse mund të quhet jetë deri në majin e 1945. Nga Shqipëria kishim ardhur mbi 400 vetë, tani kishim mbetur një grusht. Të tjerët, Kozmai, Telati, Enver Velja, e shumë e shumë të tjerë nuk e përballuan dot. Po sikur edhe pak ditë të kishte vazhduar kjo histori, tani nuk do të ishim duke folur këtu bashkë…".

Dehja e lirisë

"E kujt ia priste mendja?", Enver Plepi duket sikur pyet veten, ndërsa nis të tregoi fazën e fundit të kësaj historie që duket sikur vjen nga filmat. "Mbaj mend që kam dëgjuar gjallëri nëpër kamp. Unë isha aq i rraskapitur sa që mezi arrita të kuptoj se ç‘po bëhet. Vetëm kuptoja Hitler kaput. Atëherë kemi dalë me këmbët që na merreshin nga dobësia e tepërt në oborrin kryesor. Këtu pamë me sy të shqyer një tank, mbi të cilin kishin hipur dy oficerë. E kuptuam se ishte tank amerikan, sepse shkruhej USA në një krah të tij. Doja të gëzohesha dhe të brohorisja për mua dhe për shokët, doja të ulërija nga gëzimi, porse nuk kisha fuqi. Ishim në një gjendje të çuditshme. Ishim si të dehur nga liria. Për ne filloi trajtimi special në disa kampe të ngritura nga aleatët. Pak nga pak nisëm ta marrim veten. Në korrik të 1945 mund të merrja rrugën e kthimit. Amerikanët na pajisën me disa karta të posaçme, me të cilat mund të udhëtonim e të ushqeheshim. Kemi kaluar në fillim në Budapest e më pas në Beograd, prej këtej në Shkup dhe më pas drejt shtëpisë në Durrës. Kur kam mbërritur në Durrës, më dukej si një gjë e pabesueshme. Nuk e njoha time më, as ajo mua. Të dy kishim ndryshuar aq shumë nga kjo histori e rëndë. Bashkë me mua u kthyen edhe 14 të mbijetuar të tjerë. Shokë të tjerë, si Beqir Xhepa u kthyen nga ana e Italisë. Kishim qenë 440 shqiptarë në Mauthausen, kishim shpëtuar vetëm 23. 19 prej të mbijetuarve ishim nga Durrësi dhe Tirana. Patëm vetëm fat. Asgjë tjetër përveç tij".

Duket se Enveri ka vendosur ta mbyllë rrëfimin e tij ngjethës. Nis të shfletojë disa shënime që i ka sjellë me vete dhe një broshurë, ku dallon që në krye emri i kampit të tmerrshëm. "Ke qenë ndonjëherë tjetër në kamp?", i bëjmë ne një pyetje të fundit. "Po, isha në 1980 - përgjigjet si përhumbshëm - e pashë edhe monumentin e Odise Paskalit. Shkova madje edhe te krevati im. Në fillim e ndjeva veten pak keq, sepse më erdhën në mendje shumë kujtime të rënda, po pastaj e mblodha mendjen. Nuk kisha më frikë nga vdekja. Tani isha i lirë".

Jo vetëm tmerr

Ka shumë mënyra për të lexuar histori të tilla. Njëra syresh ka të bëjë me anën tonë njerëzore, me frikën nga vdekja. Eshtë pikërisht kjo anë që na bënë që në shumicën e rasteve të tilla ngjarje, nga më të rëndat që ka kaluar njerëzimi në shekullin e XX gjakatar, t‘i lexojmë me një farë kurioziteti dashamirës për viktimat dhe më një ndjenje neverie për ata që e sajuan këtë katrahurë antinjerëzore. Në të shumtën e rasteve sa herë që historianë, gazetarë, regjisorë janë marrë me këto ngjarje, publiku i gjerë është prekur për ca kohë, ka fshirë lotët me cepin e shamisë së porsalarë dhe ka vazhduar të merret me punët e sotme gjithnjë e më të rrëmetshme.

Kur diktatura e Hitlerit ra, në majin e 1945, të gjithë kruan kokën të shtënë në mendime: si ka mundësi që bash e në zemër të Evropës të ndodhë një gjë e tillë? Të gjithë ia vunë fajin vetëm Hilterit të çmendur, duke e fjetur mendjen se tashmë, meqë ai kishte vdekur, nuk kishte se si bota të përjetonte tragjedi të ngjashme. Mirëpo, ende pa u tharë mirë plagët që shkaktoi marrëzia naziste, lindën me dhjetëra diktatura të tjera, nganjëherë edhe më sadiste se Hitleri, Eichmanni e Himmleri të marrë së bashku. Bota pra, nuk kishte vënë mend. E kishte parë Holokaustin si një gabim fatal, si një rast për të organizuar ceremoni të përmallshme dhe kishte vazhduar më pas rutinën e zakonshme. Diktatorët dhe mendjet djallëzore ndërkohë vazhdonin të bënin plane se si t‘i vinin përfund këta "horrat intelektualë" që guxojnë të mendojnë ndryshe.

Franz Zireis një kolonel SS, ishte komandanti i kampit të Mauthausenit. Deri në fund, sa dha shpirt në 1945, i plagosur nga plumbat e ushtarëve amerikanë, ishte krejt i bindur se në këtë botë nuk kishte bërë asgjë të keqe. Vetëm sa kishte zbatuar urdhrat në të mirë të Ligjit dhe Kombit. Në të vërtetë, Zireisi ishte dhe një tip shumë i rregullt e familjar i mbarë, ai nuk kishte vese, nëse nuk quhet i tillë mania për të djegur njerëz në furrë, apo për t‘i mbytur me gaz. Imagjinoni pak se sa tipa të tillë sillen nëpër këmbë ende sot e kësaj dite, duke bërtitur fort për ligjin e duke fshehur pas zbatimit të tij skërmitje dhëmbësh, inate të vjetra dhe të reja, dëshira të fshehura për dhunë, imponime mendimesh a ideologjish të kota dhe, sidomos, një dëshirë të pangopur për pushtet. Sikur historia e Enver Plepit dhe e martirëve të tjerë të Mauthausenit të lexohet edhe duke kujtuar e duke u ruajtur nga tipa të tillë, atëherë sakrifica e tyre nuk do të jetë vetëm një objekt kurioziteti.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora