Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Vështrim në « Europën tjetër »

| E marte, 03.02.2009, 11:06 PM |


Alfred Papuçiu
Alfred Papuçiu
Vështrim në « Europën tjetër » 

 

Nga Alfred Papuçiu

Për « Europën tjetër », jashtë 27 vendeve që e përbëjnë atë në Bruksel, po flitet akoma më tepër. Jo më larg se ditët e fundit amerikani, zyrtar i lartë, përfaqësues i presidentit Bush, shprehej me këtë fjalë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Zoti Frank Wisner vlerësoi rolin e Shqipërisë si një partnere shumë e rëndësishme për arritjen e paqes. Ndër të tjera ai u shpreh :"Ishte një privilegj i veçantë dhe nder për mua që u takova me kryeministrin sot dhe ndava me të përceptimin e SHBA-ve në lidhje me negociatat që po zhvillohen mbi të ardhmen dhe vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Patëm një takim shumë të mirë me kryeministrin. Ju siguroj se në mendjen e amerikanëve, Shqipëria është një partnere shumë e rëndësishme për arritjen e paqes ». Ai shprehu nevojën për këshillën, ndihmën dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, sepse arritja e statusit përfundimtar të Kosovës do të jetë puna e të gjithëve në rajon dhe Shqipëria ka një rol me rëndësi jetike në këtë çështje.
Këto fjalë më kthyen në kujtimet e mija të para kur u vendosa në Gjenevë. Është kënaqësi e veçantë kur dal për shëtitje me familjen, pas punës së lodhshme të ditës. Buzë Liqenit Leman, ajri është tepër i pastër dhe në fytyrë vjen ai flladi i freskët dhe çlodhës. Pranë hotel « Presidentit », ndodhet dhe ndërtesa e madhe e të Drejtave të Njeriut, ose siç quhet ndryshe Pallati Uillson. Thomas Uillson ka qënë presidenti i SHBA për dhjetë vite rresht, rektor i Universitetit të Princetounit dhe guvernator i Nju Xhersit, strehë prej dekadash e shumë shqiptarëve të ndershëm. Mendimi për krijimin e Lidhjes së Kombeve është meritë e këtij burri të madh shteti, amerikan. Uillson, mëse njëherë ka mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Sidomos kuptimplotë është qëndrimi i tij i vendosur për këtë çështje në Konferencën e Paqes në Versajë të Francës…Prandaj edhe fjalët e mira të përfaqësuesit të lartë të SHBA tani, gjatë vizitës në Shqipëri më gëzuan pa masë. Siç më kanë gëzuar edhe vlerësimet e amerikanëve të tjerë më parë. Pra edhe Europa tjetër, ku bën pjesë Shqipëria po luan edhe ajo rolin e saj si ndërmjetësues për të ardhmen e Kosovës, të Ballkanit apo edhe më tej, të Europës.
Kush është Europa? Përkufizimet janë nga më të ndryshmet, nga ata që e njohin mirë Europën dhe vendet që e përbëjnë, por edhe nga ata që shkruajnë për vende europiane, si Shqipëria, por që kurrë nuk kanë shkelur në të. Nuk dua t’i bëj një analizë të veçantë kësaj radhe librit në frëngjisht, viti 2004, « Ligjërata ballkanike: fjalë dhe njerëz ». Pasi përmend memorandumin famëkeq të 1937 të akademikut serbomadh Vasa Cubriloviç të titulluar « Iseljavanje Arnauta », ose në frëngjisht « L’expulsion des Arnaoutes » (Dëbimi i arnautëve ), ai thotë : « Fjala « Shqiptar » (Albanac, në shumës Albanci) e huazuar nga gjuhët perendimore, del vetëm me pavarësinë e Shqipërisë në 1913 » ( ?!!). Nuk e di në është një lapsus i autorit, apo i botuesit të librit, por m’a merr mendja se kushdo që shkruan për Shqipërinë apo shqiptarët, për përkatësinë e saj në Europë, apo jo, sipas orekseve dhe fjalëve të marra nga historianë serbë apo të tjerë, duhet më parë të konsultohet edhe me vetë historianët shqiptarë, apo edhe vetë shqiptarët që ndodhen tanimë kudo, pas kthimit në skenën europiane edhe të « Europës tjetër », pas ngjarjeve të vitit 1989, pas rënies së Murit famëkeq të Berlinit. Gjeografia, kultura dhe politika kanë bërë që edhe kombe që më parë kanë qënë vetëm objekt i historisë, tani janë bërë subjekt i saj dhe nuk janë më jashtë ndërgjegjes europiane. Albert Kamy jo më kot ka theksuar : « Mal nommer les choses ajoute aux malheurs du monde » ( Po të emërtosh gjërat keq ato ja u shton mjerimeve të botës)…Prandaj edhe kur të shkruaj përsëri, lidhur me librin e atij profesori të gjuhëve dhe letërsisë slave në Universitetin e Provansës, do të mundohem të marr mendimin edhe të miqve të mij historianë,  gjuhëtarë, gazetarë nga Shqipëria, si Koli Xoxi, Kristaq Prifti, Hamit Boriçi, Gjovalin Shkurtaj, si dhe profesoreshes nga Franca Solange d’Angely, mikut tim dhe të saj, Saimir Lolja ne Kanada, Thani Naqo dhe Gjini ne Florida, Vladimir Cicani ne Las Vegas, Gjergj Biba në Nju Xhersi e të tjerë që të më falin që nuk po i përmend këtu për mungesë vendi. Ashtu, si edhe funksionarë ndërkombëtarë, qofshin këta të nivelit të lartë apo edhe në drejtoritë përkatëse që merren me « Europën tjetër », konsultohen me funksionarët shqiptarë, sado të paktë që të jenë ata. Kam pasur dhe kam respekt të veçantë për gjithë ata kolegë të kombeve të ndryshme që në një çast apo një tjetër merrnin edhe mendimin tim për çështje që kishin të bënin me Shqipërinë, por edhe rajonin rreth saj, Kosovën dhe viset, Maqedoninë, e cila më 8 prill 1993 u pranua si anëtare e Kombeve të Bashkuara me unanimitet nga 181 vende që e përbëjnë këtë organizatë me prestigj…Kam në dorë një libër rreth 500 faqesh, si dhe të tjera, me dedikim nga zvicerani Basil Shader (Schader), shembull tepër domethënës, larg lavdeve të dikurshme të m-l për E.H. , apo edhe nxirrjes së realitetit për shqiptarët nga shtypi dhe botimet e « bulevardit » dhe « kronikat e zeza ». Ai është profesor i Universiteteve të Zyrihut dhe Tiranës. Kur më dërgoi letrën e parë, me një kërkesë për t’i çuar librin tim « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë », me një shqipe të pastër, mendova se ishte ndonjë bashkëkombas ynë nga Kosova. Por kur më dërgoi librat e tij dhe sidomos atë prej 500 faqesh, botuar nën kujdesin e prof. Gjovalin Shkurtaj, u befasova dhe me të vërtetë u emocionova, se kisha të bëja me një zviceran që e di më mirë shqipen letrare dhe të folur, se një pjesë e bashkëatdhetarëve tanë. « Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër » është libër voluminoz dhe i domosdoshëm për gjithkënd do të mësojë për shqiptarët në Zvicër, apo edhe për marrëdhëniet e tyre me zviceranët. Prof.Dr. Basil Schader ia u kushton « Shqiptarëve kudo në botë, me shpresën dhe dëshirën që të ruajnë gjuhën e tyre të bukur, kulturën e tyre të lashtë dhe identitetin e tyre si shqiptarë ». Ai në të nuk flet vetëm për gjuhësinë, por edhe për bashkëjetesën 30-të vjeçare midis zviceranëve dhe shqiptarëve ; për Zvicrën në perceptimin e mërgimtarëve shqiptarë ; për shqipen që i përket familjes së gjuhëve indo-europiane, për faktin se atë e flasin rreth 6,5 milionë shqiptarë ; për shqipen që është një prej gjuhëve më të lashta të Ballkanit dhe preardhjen e saj nga gjuha e ilirëve, të cilët kanë ardhur në Ballkan që në fillim të mijëvjeçarit të dytë para e.s. Gjithçka ky zviceran, mik i vërtetë i shqiptarëve e ka të bazuar në fakte historike, jashtë çdo lustre apo nxirrje të realitetit. Siç shprehet në parathënien e librit prof.dr. Gjovalin Shkurtaj : « Prof. Dr Basil Shader është një personalitet i dalluar dhe dashamirës i Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili përveç ndihmesave që jep për shqiptarët në Zvicër, së bashku me gruan e tij, zonjën Erika, ka kontribuar shumë edhe për rindërtimin dhe pajisjen e shkollave të komunës së Balldrenit (Lezhë). Prej disa vjetësh ai është lidhur me mësues dhe drejtues të arsimit të asaj komune dhe ka sjellë ndihma të konsiderueshme financiare për ndërtimin e pajisjen e shkollës fillore të Torovicës dhe asaj tetëvjeçare të Kolajakut, si dhe për pajisjen me mjete mësimore të shkollës së mesme të Balldrenit. Për meritat e ndihmesat e tij të vyera, Këshilli Bashkiak i Balldrenit i ka akorduar prof. Dr. Basil Shaderit dhe bashkëshortes së tij, titullin « Qytetar nderi » në shtator 2002 ». Në hyrjen e librit të tij profesori i nderuar zviceran thekson : « Edhe pse diaspora shqiptare në Zvicër është shumë e madhe, edhe pse pjesa dërmuese e saj është ambientuar më së miri me Zvicrën, për çudi, nuk dihet shumë për këtë grup të rëndësishëm. » Me respekt Prof. Basil Shader kujton se libri i tij nuk do të kishte dalë në dritë pa ndihmën dhe mbështetjen e njerëzve dhe institucioneve të shumta si nga ana shqiptare, ashtu edhe zvicerane. Ai përmend me respekt profesorë shqiptarë që kanë dhënë një ndihmesë të veçantë në çdo rresht që ai ka shkruar për shqiptarët. Një shembull i një njeriu fisnik që i respekton shqiptarët, kombin shqiptar, por që edhe ata e respektojnë dhe e pranojnë në gjirin e tyre. Të tillë duhet të ishin dhe ata që shkruajnë « Ligjërata… » apo për « Bulevardin Zogu i Parë », në Tiranë, ku pasi kanë qeshur, por edhe nënqeshur, kanë pirë e ngrënë nga shqiptarët, vjellin vrer dhe përçmojnë bashkëbiseduesin e sinqertë që flet edhe për historinë e kombit të tij, me të vërteta historike. Kështu duhet të mendojë edhe ajo Ornela shqiptare kur të na japë libra të tjerë si ai « Vendi ku njerëzit nuk vdesin kurrë », sipas saj, fjala « përulësi » nuk egziston në leksikun shqiptar. Ajo na jep të përditshmen e lagjes ku jetonte në Tiranë, nëpërmjet shikimit të një vajze që pak e nga pak bëhet adoleshente. Tregtimtarja flet për librat e ndaluar, «  gënjeshtrat e vendit », e vë njësh popullin e vendit të saj, me komunizmin, duke e cilësuar « parajsë e tokës » në mënyrë përçmuese, pa analizuar karakterin e vërtetë të shqiptarit mikpritës, burrëror, mirënjohës, duke mos vënë shënjë barazimi midis merhumit dhe popullit të tij punëtor…A është e udhës që kjo autore me humor therës negativ, të thotë për bashkëkombasit e vet « Jemi në Shqipëri. Këtu nuk bëhet shaka... » Dhe kritikja letrare frankofone, pa e parë Shqipërinë, por duke u nisur nga stili narrativ i tregimtares thotë se një fjalë e urtë shpreh për mrekulli Shqipërinë : « Vis que je te haisse, et meurs, que je te pleure ! » (Jeto që të të urrej, dhe vdis që të të qaj). O Zot deri ku arrin mendja e njeriut për kombin e vet që e ka nxjerrë në dritë, për ata fqinjë të pastër, punëtorë, gazmorë, paçka se ajo dhe ai historiani duan të vënë shenjen e barazimit, me atë diktaturë dhe me « rodhet » e nomenklaturës që shijnë dhe përfitojnë nga demokracia e brishtë. Shkrimtarja shqiptare bën mirë të marrë shembull nga e paharruara shkrimtare zvicerane Liliane Perrin për « Një bashkëshort pa rëndësi » që do shohë shpejt dritën e botimit në shqip. Apo librin e romancieres tjetër zvicerane Anne-Lise Thurler me romanin « Agimi i errët tek fusha e mëllenjave ». Ky roman është shkruar me vërtetësi dhe humanizëm, është si një biografi përfaqësuese e mijra e mijra shqiptarëve nga Kosova, të cilët si rezultat i dhunës dhe torturave të pësuara nga pushtuesit serbë, u detyruan të shkojnë në mërgim për të pasur një jetë më të mirë për familjet e tyre. Selajdin Doli që është edhe bashkëautor i librit, i torturuar dhe i burgosur për vite të tëra më kot, është mirënjohës ndaj shkrimtares zvicerane, pasi ëndra e tij u bë realitet ».
Le t’i kthehemi përsëri Europës : me mbi 10 million km2, ose 6.5 për qind të tokave që e përbëjnë rruzullin tokësor, ajo përfaqëson vetëm një të pestën e Amerikës apo të Azisë, një të tretën e Afrikës…Emri Europë kur u shfaq për herë të parë në Antikitet, tregonte, në mitologjinë greke, një Feniciane të re dhe të bukur që e rrëmbeu Zeusi…Në shënimet e mija për « Europën tjetër », atë jashtë 27-shes kam shënuar ndër të tjera :
Po të shfletosh volumet e « Historisë së përgjithshme të civilizimeve » nuk gjen ndonjë referencë për Shqipërinë. Nuk është vendi këtu për të dhënë argumenta të tjerë, jo vetëm si ato të profesor Basilit, gjuhëtarëve, historianëve në botë, lidhur me historinë e civilizimit shqiptar, por kjo harresë të bën të mendosh : historianët që kanë shkruar historinë e Europës, edhe të « Europës tjetër » a mos i ka dhënë vetë shans E.H. të « sundojë » në Shqipëri nga 1944 deri në 1985, derisa vdiq ? E vërtetë është se në atë periudhë, veprat e tij kishin përparësi dhe përktheheshin edhe në gjuhë të huaj, ato përmbanin edhe fakte historike, por ata historianë që formulonin edhe historinë e Shqipërisë, krahas asaj të « Europës tjetër », diku atje në një vend të Europës, nuk mund të merrnin si bazë referenca të diktatorit. Por nga ana tjetër, në mos gabohem, janë botuar në gjuhë të huaj edhe në atë kohë libra si « Historia e Shqipërisë », në gjuhën frënge, nën kujdesin e profesorëve shqiptarë, mbi 25 vite më parë, që përmban edhe fakte historike të pakontestueshme për historinë e civilizimit shqiptar jo vetëm gjatë kohës së Skënderbeut, por edhe më parë. Për çudi, botimi i 2004 « Ligjërata ballkanike: fjalë dhe njerëz », i të njëjtës shtëpi botuese në Francë, nuk i referohet shumë veprës së francezit Zhorzh Kastelan (Georges Castellan) « Histori e Ballkanit » (shekulli XIV-XX), 1991, e cila përmban fakte historike bindëse dhe për civilizimin e « Europës tjetër », duke përfshirë edhe Shqipërinë, edhe për autoktoninë e shqiptarëve e shumë dëshmi të tjera, por autori i « Ligjëratës… » gjen me vend të përmendë nga libri i profesor Kastelanit vetëm faktin se « populli » i Shqipërisë « del shumë jashtë cakut të shtetit të tij eponim dhe duke bërë këtë ai kënaq dëshirat kontradiktore të lexuesve francezë dhe ballkanikë ». Autori nuk mungon t’i japë vend edhe Mira Millosheviçit, gruas së diktatorit të vetëvrarë, në një kohë që mund të merrte, ndër të tjera, të dhëna historike nga botimi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti Historisë të vitit 1993 (mbi 11 vjet para botimit të « Ligjëratës… », me titull: « The truth on Kosova » (E vërteta mbi Kosovën ). Ky botim voluminoz prej 350 faqesh ka dokumenta mbi ilirët dhe autoktoninë e shqiptarëve. Që populli shqiptar s’ka dalë jashtë « cakut » të shtetit të tij eponim, mjafton të përmendim vetëm shkrimin e studjuesit Aleksandar Stipeviç, me titull « Every story about the Balkans begins with the Illyrians » (Cdo histori mbi Ballkanin fillon me Ilirët »), apo të studjuesit tjetër Radoslav Katiçiç «  Mbi antroponiminë dhe etnogjenezën e Shqiptarëve » ; të prof. Henrik Baric « Disa të vërteta mbi banimin e hershëm të shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit » ; apo prof. francez Alain Ducellier « A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën » ; ai libër përmban burime të shumta studimore , jo vetëm nga arshivat qëndrore shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe të Turqisë, të Austrisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, të Gjermanisë, të arshivave të Foreigh Office të Britanisë së Madhe dhe të vetë ish-Jugosllavisë.
Këto ditë mora librin e diplomatit dhe gazetarit penëartë, me një përvojë 40 vjeçare edhe në fushën e gazetarisë, apo prej një dekade, në atë të diplomacisë. E kam fjalën për Shaban Muratin, me të cilin vite më parë ishim kolegë. Atij ndoshta nuk do t’i vijë mirë që unë shkruaj për të, pasi ai është tepër modest, por leximi i librit, si dhe dedikimi që më ka dërguar, nuk mund të më lënë pa e përmendur. « Fredit, mikut tim të vjetër, në shenjë falenderimi dhe kujtimi vëllazëror për një miqësi që u ka rezistuar dekadave … ». Shaba, Stokholm 15 prill 2006. Do të uroja që libri i Shaban Muratit të ishte në tavolinën e çdo diplomati shqiptar kudo në « Europën tjetër » apo në vendet e Bashkimit Europian, dhe gjetiu, pasi është një analizë e thellë e procesit të « ndërrimit demokratik » në Serbi, pas rënies së regjimit famëkeq të Millosheviçit. Unë i jap fjalën mikut tim se jo shumë vonë do përpiqem ta përkthej librin e tij në frëngjisht që të ndodhet edhe mbi tavolinën e analistëve të Ballkanit, Serbisë, Shqipërisë, « Europës tjetër ».
Libri i tij « Serbia kundër Serbisë » - analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysëm, botuar nga shtëpia botuese « Albin » në 2005, lexohet me nje frymë dhe s’ke dëshirë ta lësh pa e mbaruar deri në fund. Në të flitet me realizën edhe për « Europën tjetër ». Të më lejojnë lexuesit që para se ta gjejnë librin dhe ta blejnë t’u jap një paragraf se me sa mirëgjykim e realizëm shkruan Shaban Murati : « Ndërrimi demokratik, që ndodhi në Serbi, u shoqërua me një përpjekje të Serbisë për të përfituar nga rasti dhe për të forcuar pozitat e saj në rajon. U konstatua një avancim i pozitave serbe në rajon dhe kjo erdhi nga disa faktorë :
1- Nga dëshira e mirë e disa shteteve europiane për të parë Serbinë të inkuadruar në proceset e reformave demokratike bashkë me shtetet e tjera të rajonit.
2- Nga dëshira jo e qartë e disa shteteve të Bashkimit Europian dhe e Rusisë për të kundërshtuar praninë dhe rolin e NATO-s në rajonin e Ballkanit.
3- Nga dëshira e vjetër e disa shteteve të rajonit për të bërë një rikompozim të aleancave të vjetra në terrenin ballkanik me të njëjtën bazë antishqiptare. Ekspertë të ndryshëm vlerësojnë »se Serbia ia arriti këtij avancimi nëpërmjet nxitjes, pjesëmarrjes dhe fryrjes së vatrave të tensionit në rajonin tonë. Nuk ishte rastësi që ajo i lidhte vatrat e ndryshme të tensionit në Ballkan vetëm me emërtim shqiptar dhe me përrallën e vjetër të përpjekjeve për « Shqipëri të Madhe ». Fushata intensive e diplomacisë serbe për satanizimin e faktorit shqiptar në Ballkan, e kombinuar me veprimtaritë e lidhjeve të vjetra të shërbimeve sekrete dhe me idiotizmin apo mercenarizmin e disa grupeve revolucionare ose kriminale shqiptare, arriti të lëvizë për të keq në disa kancelari opinione dhe qëndrime kundrejt kombit shqiptar » :
Shaban Murati e meritonte të shkruheshin faqe të tëra për librin e tij « Serbia kundër Serbisë : analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysëm » që ka në fund edhe një përmbledhje të shkurtër në gjuhën angleze. Dëshiroj të them vetëm një rresht me fjalë të mira për botuesin e librit « Albin », pasi jo vetëm përmbajtja e tij është e shkëlqyer, me argumenta bindëse dhe e shkruar nga një analist që mund të themi ka arritur perfeksionin në shkrimet e tij, por « Albin » ka paraqitur librin me faqosje por edhe në mënyrë dinjitoze. Uroj që i përkushtuari i panairit ndërkombëtar të librit dhe të shtypit në Palekspo të Gjenevës që hapet në 27 prill deri 1 Maj 2006, të na sjellë të paktën një numër ekzemplarësh të librit.
Shaban Murati shpreh një të vërtetë të pamohueshme në librin e tij të fundit që çdo historian apo analist i Ballkanit, « Europës tjetër » mund ta vërejë thjesht : « Cdo diplomat dhe analist e ndjen se bëhet e vështirë të kuptohet plotësisht kuadri i rolit dhe i veprimit të një shteti në Europën Juglindore, pa njohur edhe pikëpamjen e të gjitha kryeqyteteve rajonale, me të cilat shteti përkatës ka marrëdhënie dhe raporte historike e perspketive. Një pikëpamje nga Shqipëria del si një nevojë për çdo studjues, që kërkon të plotësojë njohjen e hartës historike, diplomatike dhe politike të rajonit. Nuk janë të paktë diplomatët dhe studjuesit europianë, që e kanë krijuar opinionin e tyre për Shqipërinë dhe kanë formuar kulturën e tyre për çështjen shqiptare në Ballkan nga literatura politike serbe. Nuk kam hasur ndonjë studjues apo diplomat, që ta ketë formuar opinionin e tij për Serbinë nga literatura politike e Shqipërisë. Serioziteti i analizës dhe kërkimit të së vërtetës këshillon njohjen e dy literaturave… ».
Këto postulata dhe libri i sipërpërmendur i analistit të politikës së jashtme, prej mëse 40 vitesh dhe diplomatit të urtë, modest, por me tepër kulturë, Shaban Muratit, duke njohur thellësisht jo vetëm historinë, politikën, kulturën, zakonet e vendit të vet, por edhe të vendeve ku ka qënë ambasador, do të dëshiroja të përktheheshin sa më parë në gjuhë të huaj, qoftë anglisht, frëngjisht, apo gjuhë tjetër. Ky do të ishte një shërbim i madh që do t’i bëhej edhe kombit tonë dhe vënies në vend të të vërtetave historike që të mos shtrëmbëroheshin enkas, apo edhe të prirur për t’i servirur opinionit publik dhe lexuesit « fjalë dhe njerëz » që mund të shkaktojnë keqkuptime apo fatkeqësi popujve dhe vendeve të « Europës tjetër ». Mjafton që këta autorë të shohin edhe « jetët e dymbëdhjetë Qezarëve », 12 biografi të ndara në 8 libra për Qezarin, Augustin dhe trashëgimtarët e tyre julio-klaudienë (Tiberin, Kaligulën, Klaudin, Neronin) ; apo për tre perandorët e vitit 69 (Galba, Othoni, Vitelliusi), ato të tre perandorëve të dinastisë flaviane (Vespasienin, Titysin, Domilienin). Në to mëse njëherë përmenden me respekt Ilirët, paraardhësit autoktonë të « shqipëtarëve », « arbanasve », « arbëreshëve », « arvanitasve ». Çfletoj kohë pas kohe edhe librin e Gaston Boissier i Akademisë Franceze « Ciceroni dhe miqtë e tij », studim mbi shoqërinë romake të kohës së Qezarit, botuar nga libraria « Hachette » në 1923. Në të përmenden me simpati dhe shqiptarët. Po t’i kthehem qoftë edhe me dy rreshta librit të profesorit francez Zhorzh Kastelan « Historia e Ballkanit » ke respekt për këtë studjues që i jep vendin që meriton edhe « Europës tjetër », pra ndër ta dhe Shqipërisë dhe librin ja dedikon : « Kolegëve dhe miqve të mi në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani, Turqi e ish-Jugosllavi, të cilët gjatë një çerek shekulli më bënë ta kuptoj e ta dua Ballkanin ». Këtyre historianëve duhet t’u jepen në dorë dhe t’u besohen arkivat e shteteve europiane, në mënyrë që e vërteta historike të mos shtrëmbërohet dhe t’i shkojë për hosh keqdashësve të « Europës tjetër » për ta përçarë atë, për të futur pyka midis tyre. Zvicerani Urs Altermatt, profesor i historisë së sotme në Universitetin e Friburgut, dhe Bernës, Zvicër , në prologun e librit të tij « Etnonacionalizmi në Europë », botuar nën kujdesin e Fondacionit PRO HELVETIA në shqip nga « Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit », thekson : « Sarajeva nuk është aksident. Kryeqyteti boshnjak qëndron në një radhë të gjatë vendesh që ngrihen në murin e historisë se re europiane si përmendore ndarjesh etnike dhe dëbimesh me motive raciste, kampesh përqëndrimi, luftërash civile dhe genocidesh :Konstandinopoja, Auschwitzi, Katini, Belfasti, Nikozia, Hoyerswerda… »
Lexova në shtyp se Stambolli (Turqi) dhe Pecs (Hungari) duhet të jenë kryeqytetet europiane të kulturës në 2010. Vendimi do të miratohet këtë vjeshtë nga ministrat e kulturës së 27-të vendeve të Bashkimit Europian. Kryeqyteti turk ishte kandidat me Kievin për vendet e « Europës tjetër » (shënimi im- Europa tjetër) . Kjo nuk është « një zgjedhje politike », theksoi një anëtar i jurisë, Sër Xheremi Isaacs, në Bruksel. Janë marrë parasysh kriteret kulturore. Fakti se Stambolli ka një urë lidhëse midis Europës dhe Orientit luajti një rol.
Më bëhet qefi për këtë vend mik të Shqipërisë që ka pranuar me mijra shqiptarë në gjirin e vet dhe e meriton t’i përkasë jo vetëm « Europës tjetër », por Europës të gjithë kombeve që e përbëjnë atë. Këtë do dëshiroja edhe për vendin tim që i ka dhënë Europës figura të shquara dhe ku sot e kësaj dite me mijra e mijra shqiptarë japin ndihmesën e tyre në fushën e ekonomisë, të shkencës, të ndërtimit, arsimit, që ato të ecin më përpara. Hendeku midis « Europës tjetër » dhe Europës së 27-tëve nuk duhet të thellohet më. E vërtetë se epoka e E.H. e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një « vend i mbyllur », « hermetik ». Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur « flakën » diktaturën në 1964, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët. Është e vërtetë që « arbanasit » kur u larguan nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe. Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mjund të shuhen. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas, bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe zbulime arkeologjike, siç ka ndodhur edhe me kombe të tjerë. Por ato nuk mund ta lënë Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Voskopoja, Apollonia, Butrinti, Berati etj., janë vlera që i përkasin civilizimit europian…
Në shënimet e mija të fundit kam shënuar në anglisht edhe fjalët e zotit Panos Englezios, President i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF), i cili më shkruante pak kohë më parë pas kthimit nga Konferenca Ndërkombëtare e Talasemisë në Dubai :

“We were extremely pleased to learn the Albanian Ministry of Health, the health professionals involved in the treatment of patients with thalassaemia and the Albanian national Anti-Thalassaemic Association are now working closely together towards implementing further improvements regarding prevention and treatment protocols for Thalassaemia in Albania.  This is extremely encouraging and soul-satisfying”.

 Ja u dhashë versionin në anglisht, për të mos bërë edhe unë ndonjë lapsus në përkthimin në shqip të fjalëve të Presidentit të nderuar të TIF-I, si ai profesori francez i gjuhëve sllave atje në Provans: “Jemi shumë të kënaqur kur lexojmë se Ministria Shqiptare e Shëndetësisë, profesionistët e shëndetësisë që merren me mjekimin e pacientëve me talasemi dhe Shoqata kombëtare e Luftës kundër Talasemisë, po punojnë tani ngushtë për të vendosur vlerësime të mëtejshme lidhur me protokollet e parandalimit për Talaseminë në Shqipëri”.

Lexoj shënimet e sime motre, Milka Biba (Papuçiu) për babanë tonë të paharruar, tek libri i mbledhur me kujdes që përfshin një pjesë të krijimtarisë së tij “Një Sirtar i veçantë”: “E donte jetën shumë, por të bukur. E mbaj mend mirë se sa herë vinte pranvera, në shtëpi futej me lule në dorë, mimoza, trëndafila, lule manjola e të tjera. Gëzohej kur vinin shokë e miq në shtëpi, ishte shumë mikpritës dhe e donte tryezën të mbushur plot, paçka se vetë kënaqej me pak. Këndonte bukur, i jepte gjallëri festive familjare dhe sot të gjithë kujtojnë “Jorgjicën” në gojën e tij. Dhe ngushëllimi më i madh për ne sot është respekti që ruajnë të gjithë miqtë e të njohurit e babait tonë…”
Lexoj tek adresa ime elektronike e sotme mesazhin e gazetares Laureta Roshi në Tiranë : » I dashur Fredi mirëmëngjes.  Faleminderit për të gjitha, për kohën tënde, njerëzoren që e fal aq natyrshëm. Gëzohem edhe që do të jesh në levizje. Nëse ja del për projektin për Shqipërine do të ishte vërtet mirë.  Arbi është në klasën e parë dhe jeton me prinderit e mi ne Fier. Eshtë në një shkollë private, ecën mirë, madje gëzohet se është i pari i klasës dhe unë nuk paguaj për të. Në fakt është nxënës i mirë vërtetë, inteligjent, thonë mësuesit, femijë i lirë them unë dhe me fëmijëri…Në fillim dëshironte të bëhej karrocier, pasi i pëlqenin kuajt, pastaj shofer, pastaj mjek për bebat, se një shoku i tij është i sëmurë dhe nuk i mpikset gjaku.. Kështu Arbri jeton në ciklin e tij, ku fundjavave për dy ditë ose vjen ose shkoj atje dhe ja bëj rrëmujë rregullin. Eshtë i mrekullueshëm. E tërheq muzika dhe kompjuteri, ka një shtat të imët dhe të qeshur të bukur.
Përshëndetje
Lori
Ky mesazh që më vjen nga « Europa tjetër », po në « Europën tjetër » në Zvicër më mallëngjeu për pastërtinë e tregimit të jetës së përditshme edhe atje në Tiranën e bukur, edhe për atje në Fierin e njerëzve të mirë, të urtë, të pastër, kur shkoja tek gjyshërit dhe gjyshet e mija, tek Mondi, xha Komi i paharruar, xha Vangjeli, teta Naja, tek xha Peçi dhe nëna Dhora, tek Nona dhe gjyshi Polizoi, tek hallat e mija Kristina dhe Ola, ish partizane 16 vjeçare, tek shokët e mi, djemtë e hallës, Raqi dhe Berti që para mbi 45 vite, për të blerë një top futbolli, luanin teatër dhe na mernin edhe neve nga 5 lekë… Nuk mund ta harroj kurrë atë kishën e qytetit ku gjyshi im psallte dhe unë e ndjeja veten pranë tij,  atje në altar, si të çliruar nga çdo brengë, nga çdo hall dhe do të dëshiroja në këto çaste të Festës së Pashkëve, ta kisha atë pranë, por edhe Tunin e paharruar, nënën dhe motrën time, Pandorën, Bedriun, Todin, Marikën, Lidën, Jetën, Tipin, Glejdin, Bexhetin, Gjergjin me mustaqe, Sonilën, Aranitin, Danielën, Marion, Amelian,  profesor Hamitin e nderuar,…Gjanicën dhe Apolloninë, Semanin dhe….
Miku im Franko, si edhe unë ruajmë si të shenjta pemën gjenealogjike të familjeve tona, si edhe shumë familje në Europën e të 27-tëve. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë e krishterja Zografë që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike të « Europës tjetër », sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Deri në shekullin e XIV, kristianizmi ishte diçka e rallë, pasi vetëm elita e praktikonte në Europë. Por pas kësaj u bë si fe popullore, edhe në Shqipëri. Dihet se kristianizmi edhe në shekujt e mëpastajmë u forcua kundër tentativave të mosbesimit. Nëse disa popuj, duke përfshirë dhe shqiptarët, si rezultat i pushtimeve të huaja, u detyruan të ndronin fenë, apo i janë bërë dhe padrejtësi të tjera, kjo nuk do të thotë se nuk janë të denjë për të zgjeruar Europën e të 27-tëve dhe duhet të qëndrojnë përjetësisht në « Europën tjetër ». Të jesh në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, etj., me të njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta. Korrupsoni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ». Kjo si rezultat i një të vërtetë, pasi njerëzit bëhen të pangopur por disa herë edhe nga xhelozia…Lexojmë çdo ditë lajme të mira…British Airways ka filluar fluturimet në Shqipëri. Urojmë që edhe shoqëri të tjera ajrore europiane, në interes të përfitimit reciprok, ta bëjnë këtë, përveç atyre egzistueseve. Dëgjojmë edhe se statusi i Kosovës do të përcaktohet shumë shpejt. Jetojmë në një epokë të jashtezakonshme, plot shpresa dhe shqetësime, një epokë ku zbulimet pasojnë njëra tjetrën, ku qëndrimet e kundërta nuk kursejnë as zakonet dhe as traditat më solide ; një epokë ku problemet që dje nuk viheshin në dyshim : të energjisë, të zhvillimit të vendeve europiane, të strukturave politike të botës së industrializuar, sot përbëjnë një shqetësim për disa ; tani jemi « të pushtuar » nga Televizionet publike dhe private, si dhe gazetat e shumta ;  diku shprehen për paqe, për buqeta me lule, solidaritet ; diku tjetër vetëm kriminalitet, prostitucion e drogë… Fenomene që nuk ishin të dukshme në të kaluarën, si rezultat i « hermetizmit ». Shumë prej tyre u sollën enkas nga mafia italiane, apo edhe vetë ndonjë fqinj, enkas për ta lënë Shqipërinë në « Europën tjetër ». Thuhej për të qeshur se ekonomistët shqiptarë po të shkojnë në Amerikë do ta shkatërojnë ekonominë amerikane me padijen e tyre. Por shumë prej tyre punojnë edhe në Uoll Strit, edhe diku tjetër, në aeronatikë, apo si arkitektë, profesorë, edhe në Europën e të 27-tëve…Ka ndonjë që të shtyjë hyrjen e Shqipërisë « de jure » në Bruksel pasi u pëlqen fuqia e lirë punëtore shqiptare, mungesa e mbrojtjes së tyre nga « shteti i së drejtës » ku jetojnë…Ne jetojmë edhe në një epokë të solidaritetit ndërkombëtar, kur i jepet dora njeri tjetrit. Në këtë ndërvartësi të thellë, kufijtë pothuaj fshihen midis njerëzve apo edhe shteteve fqinje. Zvicra dhe Franca në kufijtë e tyre, nuk kanë mure ndarëse, apo tela me gjemba. Por kanë bimësi dhe lule. Natyrisht kontrollet « e lëvizshme » nuk mund të shmangen ndaj keqbërësve.
Lexoja këto ditë intervistën e një shkrimtareje, vepra të së cilës i kam lexuar edhe më parë, por që s’njihet nga lexuesi shqiptar. Do t’i kthehem asaj përsëri në shkrimet e mija. Ajo që më bëri përshtypje ishte kjo frazë e saj : « Jeta na punon renga të pabesueshme dhe për aq sa pranojmë dhe që ne mund të veprojmë, mund ta kthejmë çdo situatë në mënyrë pozitive dhe të dobishme, jashtë çdo situate që na ishte propozuar në fillim ». Pra edhe pse « funksionarët jugosllavë » në kufijtë me Shqipërinë u thoshin turistëve dhe vizitorëve të huaj që do shkonin nga ish-Jugosllavia në Shqipëri : » Kur të ktheheni, në rast se kaloni këtej, ne do t’u marrin çdo botim të nxjerrë në Shqipëri…Edhe broshurat turistike dhe librat e artit… ».

E njejta gjë ndodhte në 1988 kur shkruan gazetari francez shkruan në « GEO » për Shqipërinë si « vendi më i çuditshëm në Europë » ku ndër të tjera thotë : «  Para se të nisesha nga Franca, agjencia e udhëtimit atje kishte shpërndarë një qarkore : « Materiali i shtypur jashtë Shqipërisë nuk është i autorizuar të hyjë në Shqipëri. Veçanërisht, prospektet mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike…Një pensionisti të Metz (qytet në Francë) iu konfiskua një e përjavshme sportive. Kurse një udhëtar tjetër duhet të lërë aty në doganën e Hanit të Hotit disa revista mode… »

Këto rregulla të dy vendeve fqinjë të « Europës tjetër » uroj t’i përkasin së kaluarës. Asaj të kaluare kur megjithë mbylljen, izolimin, shqiptarët në Durrës shihnin si para një TV në Amerikë me dhjetra stacione televizive italiane dhe ëndërronin që një ditë deti Adriatik të ngrinte dhe ata të shkonin në këmbë deri atje ; ato i përkasin së kaluarës kur ata qindra shqiptarë të të dy anëve të kufirit shihnin telat me gjemba që kishin ndarë për jetë vëllezër dhe motra të një fshati, apo kur krismat e pushkëve rrëzonin pa jetë trupat e të rinjve që donin të shihnin dhe të shkonin në Europën e Brukselit për të bërë një jetë më të mirë ; apo kur ai arsimtari atje në bjeshkët tona të bukura, krahas mësimit të letërsisë që u bënte vogëlushëve dhe adoleshentëve malësorë, mësonte dhe vetë një gjuhë të huaj, për të pasur një dritare më vonë në botën tjetër, atë të « parajsës perendimore » ku duhet punë shumë, për t’u argëtuar pastaj me familjen, me shokë e miq të mirë.

Më lejoni ta përfundoj këtë shkrim me mendime të mija modeste, pa mllef, pa nerva, pa prapamendime për vende që i përkasin « Europës tjetër », me fjalët e shkrimtarit të madh francez Viktor Hygo, shumë dekada më parë : « Do të vijë një ditë kur bombat do të zëvëndësohen …nga një arbitrazh i nderuar i një Senati të madh sovran që do të jetë Europa, njëlloj si Asambleja Ligjvënëse është në Francë… ». Ai Viktor Hygo i madh që ne të « Europës tjetër » e kujtojmë me respekt drejtoi në vitin 1849 « Kongresin e Miqve të Paqes » ku u bë thirrje për « Shtetet e Bashkuara të Europës ».

 

22 prill 2006

Marrë nga libri „Me zemër të hapur » , dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht, Gjenevë 2008