E merkure, 24.04.2024, 10:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Qerim Vrioni: Anri Sala në një botim anglez për fotografinë

E hene, 02.02.2009, 04:05 PM


Kopertina e librit Vitamin PH
ANRI  SALA  NE  NJE  BOTIM  ANGLEZ  PER  FOTOGRAFINE

 

Nga Qerim Vrioni

   

Në vitin 2006, Shtëpia Botuese e Londrës, “Phaidon”, prijëse në botë për artet pamore, vuri në qarkullim albumin “Anri Sala”. Në të përfshihet pjesa më e madhe e krijimtarisë së Anri Salës, artistit nga Tirana, në lloje të ndryshme të arteve pamore.  Botimi është i pari i këtij lloji që i kushtohet një artisti shqiptar, çka përbën një sukses, por edhe nder jo vetëm për autorin, por për të gjithë shqiptarët, sidomos ata që lëvrojnë këto arte. Njëkohësisht, ky album i shtëpisë botuese më të njohur në botë për artet pamore, në të njëjtën kohë shumë e rreptë për cilësinë e lëndës, e nxiti edhe më tepër njohjen e emrit të tij në qarqet artistike botërore. Sigurisht botimi e ka nxitur edhe vet artistin për të punuar ende më shumë për më tepër krijime të reja cilësore. Vlen të përmendim se Anri Sala është lindur në Tiranë më 1974, gjatë 1992-1996 ka kryer Akademinë e Arteve për arte figurative. Pak më vonë largohet jashtë vendit, në Francë, ku studjon video në “Ecole Nationale des Arts Decoratifs” dhe regjizurë filmi në “Le Fresnoy-Studio National des Arts Contemporains, Tourcoing“. Videoja e tij e vitit 2003, “Dammi i colori” (“Më jep ngjyrat”), është e ekspozuar në “Tate Modern” (Muzeu i Artit Modern Ndërkombëtar) të Londrës dhe pasqyron ndryshimet koloristike të fasadave të Tiranës. Duke punuar në disa drejtime në artet pamore, pikturë, grafikë, video, instalacione, fotografi, filma etj., Anri Sala u bë i pjesëmarrës në mjaft ekspozita me emër në qytete të ndryshme të Europës, ku tërhoqi edhe vëmendjen e specialistëve për nivelin e punimeve të tij.

      Po në vitin 2006, “Phaidon” nxorri në qarkullim botimin me titull “Vitamin Ph-New Perspectives in Photography” (“Vitamin F-Perspektiva të reja në Fotografi”), mbi 350 faqe. Në parathënien e tij, ky libër është përkufizuar si “një vëzhgim global i përditësuar i zhvillimeve të fundit të fotografisë bashkëkohore botërore”. Aty përfshihen punimet e rreth 120 fotografëve, të njohur dhe të rinjë nga shumë vende të botës (41), të përzgjedhur ndër 600 kandidatë tek të cilët komisionet e specializuara të “Phaidon”, kritikë ndërkombëtarë, artistë, kuratorë etj, shpresojnë se do të jenë e ardhmja e fotografisë në botë. Drejtues i grupit të redaktorëve është studiuesi DJ Demos, shkrimtar dhe lektor në Departamentin e Historisë së Artit në Universitetin College të Londrës, njëkohësisht autor i shumë artikujve mbi artin bashkëkohor dhe globalizmin. Ai ka formuar edhe stafin e analistëve, të gjithë autoritete në metropolet artistike botërore si dhe, ka shkruar esenë hyrëse të albumit, edhe kjo me “peshë”. Të gjithë fotografët pjesëmarrës e “Vitamin Ph”, (secili me mjetet e tij shprehëse dhe mënyrën vetjake të të konceptuarit të këtij mediumi), tërthorazi kontribuojnë edhe në gjetjen  përgjigje të pyetjes së vjetër në lidhje me statusin e fotografisë, si një medium që paraqet botën që na rrethon, për raportin në mes pasqyrimit besnik të saj dhe të qënit krijim (fiction) në këtë shpërfaqje, kufirin e hollë e vështirësisht të dukshëm ndërmjet dokumentit dhe artit. Ndonëse, si zakonisht në mediume, “zgjidhjet e ekuacionit”, nuk jepen me formula, por me vepra të cilat në një farë mënyre qendrojnë si “gurë kilometrik”, që duhen pasur parasysh kur shihet dhe flitet edhe për fotografinë. Gjithashtu, një qëllim i përpiluesve është edhe të tregoj se si ky lloj mediumi ka ndikuar në mediume të tjera edhe me epërsinë e mrekullimit me aspektin dokumentar të fotografisë.

     Përmendim se pak më herët, shtëpia e njohur londineze e arteve, kish hedhur në qarkullim edhe dy botime të ngjashme me të;  Vitamin P” (Painting-pikturë) dhe “Vitamin D” (Drawing-vizatim, grafikë), edhe në këto, specialistët e “Phaidon” reken të parashikojnë emrat që do përballojnë me sukses të ardhmen në këto mediume. Nismë interesante dhe mjaft kurajoze e tyre, saktësinë e të cilave do ta vërtetoj ose jo koha. Po ashtu, edhe këto dy “simotra” u pritën me mjaft kureshtje dhe vëmendje nga kritikët dhe artëdashësit në mjaft vende. Kështu që botimi i tretë i kësaj “kolane” të vogël, kësaj rradhe për fotografinë, ishte rrjedhim logjik i interesit të publikut për këto lloj  përmbledhjesh që sigurisht janë bërë me laps të mprehur hollë.

     Interes për botën shqiptare përbën fakti se në albumin për fotografinë, “Vitamin Ph”, përfshihet edhe artisti i lindur në Tiranë, Anri Sala. Botuesit e përfaqësojnë atë në këtë përmbledhje, me gjashtë fotografi, me ngjyra dhe bardhë e zi. Ashtu si për të gjithë autorët e fotografive të librit, edhe për Salën, hartuesit i shoqërojnë punimet e tij me koment-analizën përkatëse, që përbëjnë, në një farë mase, thelbin e CV artistike të tij.  Për krijimtarinë fotografike të Anri Salës ka shkruar kritikja, Jessica Morgan, studiuese e njohur e arteve në “Tate Modern”. Ajo e fillon komentin e saj duke shkruar se “megjithëse njihet më mirë si regjizor, puna e Anri Salës si fotograf ka marrë rendësi në krijimtarinë e këtij artisti këto vitet e fundit”. Natyrshëm, një njeriu që realizon filma, i “jep dorë” njohja e dhe lëvrimi i fotografisë, se në fund të fundit, filmi kinematografik jo vetëm ka lindur pas fotografisë, por ishte ajo që e ngjizi atë si krijesë. Ajo ndër të tjera, përmend se “peizazhet e tij mbeten të paidentifikueshme”, pra për të (autorin), s’ka pikë rëndësie informacioni gjeografik, (gjithandej mund të hasesh me pamje “binjake”), por “strofka” në vetdijën apo nëndijen e shikuesit ku vepron imazhi i përngrirë në letrën fotografike. Disa foto duken si inskenime të menduara, por Morgan thotë se “natyra e imazheve të zgjedhur është e tillë”. Ajo, gjithashtu ve në dukje krijimtarinë e Salës në lëm të filmit, ku ai i mshon marrëdhënies së filmit me muzikën, duke vënë disa pikpyetje në bashkërendimin e shqisave për çfarë shikon. Kurse në punimet e tij fotografike, vazhdon Morgan, “ngurtësimi ekstrem i imazhit, duket sikur tregon një shkëputje midis të shikuarit dhe të kuptuarit”. Anri Sala, me fotografitë e tij, sikur paraqet një çlirim apo largim nga procesi normativ i të kuptuarit, duke arritur që shikuesi të tërhiqet më shumë nga “shkoqitja” e paqartësive të imazheve, duke ngacmuar potencialisht fantazinë të “harbojë” edhe në vise të paimagjinushme.

      Sigurisht, kritikja Morgan, komentin e saj të thukët, e ka shkruar pasi ka vështruar jo vetëm gjashtë fotot që përfshihen në libër, por pjesën më të madhe të krijimtarisë fotografike të Salës dhe atë komenton pavarësisht se ka veçuar për albumin vetëm gjashtë. Shumë fotografi të tij, paraqesin vende ku ka qënë ndërtuar ose do ndërtohet, pra esencën e treguesit të gjendjes së progresit, por edhe të rënimit ekonomik. “Këto pyetje të Salës rreth këtyre metaforave të zhvillimit dhe rritjes pasqyrojnë pasiguritë e kohrave të sotme”, përfundon analizën e saj studjuesja Jessica Morgan, për krijimtarinë fotografike të artistit të lindur në Tiranë e, të suksesshëm ne Europe e me gjere.

    S’mbetet, veçse t’i urojmë bashkëkombasit tonë të vazhdoj “ngjitjen” nëpër rrëpirat e vështira të botës së artit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora